|
| Përmbledhje poezishë nga Poet të ndryshëm. | |
|
+18Luki blerim shaban cakolli voglushja murturi Eva0506 Kristaq F. Shabani meli zeriatdheut Guximi Orfe@ E_Bukura Kosovarja Urata Euridika Arta NetSerseri Sofra 22 posters | |
Autori | Mesazh |
---|
Kosovarja Admin
Numri i postimeve : 4833 Age : 38 Vendi : Jashtokësore! Registration date : 14/08/2007
| Titulli: Re: Përmbledhje poezishë nga Poet të ndryshëm. Sat Jun 07, 2008 3:43 pm | |
| Si neser Do te peshperite era ndaj mbremje si nj'here, prej valesh do ngrohet hena si sot, me iskra prej bryme do mbuloj' mermere dhe bota do jete si ish dhe qemot Si neser do shtrihet lendina per mbi varr Vale-dheu do zene t'palosen ngadale, do ende parevera e lule e bar, dhe zile do rreshqasin qe prej male. Do qeshe dielli ne qoshen e nje reje, do thaje lotet mbi lulet e qershise, larg, mbytur do ndjehet gjemimi i nje rrufeje, permbi mal do hapet brez'i Perendeise. Do shtroje dhe dimri qilim te argjendte mbi pllocen e tretur, mbi kryqn'e anuar, do rritet harrimi me dherin e rende dhe une do fle, ty duke t'enderruar.... (dhe te t'harruar) Mitrush Kuteli | |
| | | Kosovarja Admin
Numri i postimeve : 4833 Age : 38 Vendi : Jashtokësore! Registration date : 14/08/2007
| Titulli: Re: Përmbledhje poezishë nga Poet të ndryshëm. Sat Jun 14, 2008 12:56 am | |
| Mbramë qiella dhe hyjt e vramë një ngjarje të trishtueme panë: Hije... jo! - por një grue me ftyrë të zbetë edhe me sy të zez si jeta e saj, me buzën të vyshkuna në vaj, me plagë në gjoks e stolisun me veshje dhe me shpirt të grisun, me hije grueje, një kens këso bote, një fantom uje vallzonte valle në rrugë të madhe. Dy hapa para, dy hapa mbrapa me kambë të zbathun, me zemër të plasun. Dy hapa djathtas, dy hapa majtas, me flokë të thime, me ndjesi të ngrime. (Dikur, kur gjit' e saj me kreni shpërtheheshin n'aromë, kur ish e njomë - atëherë e dashunojshin shum zotni. E sot?) Jeta e saj asht kjo vall' e çmendun në rrugat e qytetit tonë, një jetën e fikun, një jetë e shterun, shpin i molisun, zemër e therun, një za vorri, një jehonë që vallzon natën vonë nëpër rrugat e qytetit tonë. | |
| | | Kosovarja Admin
Numri i postimeve : 4833 Age : 38 Vendi : Jashtokësore! Registration date : 14/08/2007
| Titulli: Re: Përmbledhje poezishë nga Poet të ndryshëm. Sat Jun 14, 2008 12:59 am | |
| Vjeshta ne parakalim Vjeshtë në natyrë dhe vjeshtë ndër ftyra tona, Afshon erë e mekun, lëngon i zymtë dielli, lëngon shpirt' i smum ndër krahnore tona, dridhet jet' e vyshkun ndër gemba të një plepi. Ngjyrët e verdha lozin në vallen e fundme (dëshirë e marrë e gjethve që një nga një vdesin!) Gëzimet, andjet tona, dëshirat e fundme nëpër balta të vjeshtës një nga një po shkelin. Një lis pasqyrohet në lotin e qiellit, tundet dhe përgjaket në pasion të viganit: "Jetë! Jetë unë due!" - e frymë merr prej fellit, si stuhi shkyn ajrin... por në fund ia nis vajit. Dhe m'at vaj bashkohet horizont' i mbytun në mjegull përpise. Pemët degët e lagun me vaj i mshtjellin në lutje por kot! e dinë, të fikun, se nesër do vdesin... Vall! A ka shpëtim ndokund?! Mallëngjehet syni, mallëngjehet zemra n'orën e vorresës, kur heshtin damaret, e vorri inaltohet nën qiella ma t'epra me klithëm dëshprimi që në dhimbë të madhe zvarret. Vjeshtë në natyrë dhe vjeshtë ndër ftyra tona. Rënkoni dëshirat fëmitë e jetës së vafun; rënkoni në zije, qani mbi kufoma, që stolisin vjeshtën nëpër gemba të thamun. | |
| | | Orfe@ V.I.P
Numri i postimeve : 9104 Age : 114 Vendi : Ne zemer te njerit Profesioni/Hobi : Bum - Bum bum ! Registration date : 26/03/2008
| Titulli: Omar Al-Khayyam Sat Jun 14, 2008 4:38 am | |
| Natën kur flija, më tha shpirti: "Pi! Në gjumë dhe në Varr s'ka lumturi. Ngreju! Sa rron, zbras Kupa dhe puth çupa; se ke shekuj që të flesh në qetësi".
2
Në ëndërr, kur Agimi zbardhëllonte, Një zë që nga Taverna po gjëmonte: "Cohuni, djema, e Verë sillnani, Se Fati na e tha lëngun sonte".
3
Dhe posa në tavernë këndoi gjeli, Besnikët jashtë thirrën "Portat çelni! E shkurter është Jeta, ja, u mplakmë Dhe mbetmë si kofini pas së vjeli".
4
A di përse këndesi po këndon Dhe menatë nga gjumi po të zgjon? Që shkoi një ditë po të lajmëron, Dhe ti, çkujdesur, fle dhe ëndërron.
5
U gdhi! Me verë zëmrën e zbardhëlloj Përdhe çdo Fe të Natës e dërmoj: Në Djall dërgoj Parajsën e përpjetë, Gërshetin me lahutën lavdëroj.
6
Kur Diellin me zjarr kurorëzuar, E pret me gas Natyra faqeshkruar, Shoqen me mall po shoh në gjumë shtruar Dhe foshnjën buzëqeshur më të zgjuar.
7
Ja, Kup' e Qiellit skuqet prej Agimit, Bilbili nisi këngën e dëfrimit Me trëndafilin: Eja, Faqepjeshkë, Natyra qesh; nem Qelqin e Rubinit.
8
Zgjo-hu! Mëngjezi me shigjet' e grisi Perden e Natës, Yjt' i arratisi, Dhe Dielli gjahtar me rreze kapi Çdo majë mali, pallati e lisi.
9
O Engjëll faqedritë, ja u gdhi, Shtjer Verë dhe këndo me ëmbëlsi! Xhamshidi e Khosroj qysh lulëzuan, Qysh dimërojnë sot në Varrverri. | |
| | | Orfe@ V.I.P
Numri i postimeve : 9104 Age : 114 Vendi : Ne zemer te njerit Profesioni/Hobi : Bum - Bum bum ! Registration date : 26/03/2008
| Titulli: Re: Përmbledhje poezishë nga Poet të ndryshëm. Sat Jun 14, 2008 4:38 am | |
| 10
Ja, Mars'i ri dëshirat na valon, Çdo shpirt i mënçur në Gërmadhë shkon Ku dor' e Moisiut zbardh nga degët Dhe frym' e Krishtit tokën gjelbëron.
11
Mbi lulet po pikojnë vesë retë, Dhe me një zë qiellor Bilbili shkretë: Ah, Verë! Verë! Trëndafilit I lyp t'i skuqë faqëzën e zbehtë.
12
Bilbili nëpër kopshtet në Pranverë Sheh Lilin Kup' e Trëndafilin Verë Dhe thotë: "Puthuni e pihuni! S'e gjeni këtë ditë tjatër herë".
13
Shiko luadhe, lule, bukuri, Lumenj kristali, kronj e brohori: Nga dimri Ferr pranvera Qiell na ndriti, Gëzo mi Dhe Parajsën me Huri.
14
Desh Trëndafili e thotë: "Lulëzoj Dhe botës bukurinë po ia shtoj: Pastaj e hap kuletën e mëndafshtë Dhe përmbi kopsht thesarin po e shtroj".
15
"Jam, thotë, lulja e Josefit t'ri T'Egiptes, xhevahir, zëmërflori: Ja edhe rrob' e kuqe gjak, e çjerur Prej vllezërve dhe gruas Petefri.
16
Tufani kopshtin kur ma çkatërron Dhe Rrot' e Fatit shpresat m'i dërmon, Pështillem si burbuq' i Trëndafilit, Po zemra gjak përbrenda më pikon.
17
U dogja dhe u përvëlova: Verë! Nga vrer'i lotëve u shova: Verë! Në Qelq rubin, e Dashur, dhe Luten Dhe nga ky zjarr shpëtova: Verë!
18
Me Ver' e Vajza, me Lahut e Valle, Me Fyell e me Këngë po s'u çmalle, Jeta s'vlen hiç: Se pa këto nuk është Veç pemë helmi, pus e tym vërdalle.
19
Nga njëra dorë Trëndafil e Grua, Nga dora tjatër patsha Rrush e krua: "Zotit - po thoni - i ardhtë keq për mua!" Po as m'a fal pendimin, as ia dua.
20
Një Engjëll më tërhiqte në Xhami, Një Djall po më zvarrniste në Dolli; Po Ver' e kuqe e fitoi davanë: Gërshet këtej - edhe andej Hardhi. | |
| | | Orfe@ V.I.P
Numri i postimeve : 9104 Age : 114 Vendi : Ne zemer te njerit Profesioni/Hobi : Bum - Bum bum ! Registration date : 26/03/2008
| Titulli: Re: Përmbledhje poezishë nga Poet të ndryshëm. Sat Jun 14, 2008 4:39 am | |
| 21
Në prehërin e Hurisë kur gëzohesh Veten humbet, e veten gjen, bekohesh: Kur pi kungatën shpirtrëmbenjëse, Përsipër Jetës, Vdekjes lartësohesh.
22
Të Shpell' e Verës kemi hedhur mendjen, Dehemi, puthim për të mbledhur mendjen: C'pyet? Gjykim e tru na kanë rrjedhur, Se Vajzat na e kanë vjedhur mendjen.
23
"Pse s'pi më pak?" më thonë njerëzia, "Për ç'arësye s'ka kufi Dollia?" Një: Faq'e Vajzës; dy: Rubin'i Verës, Ja shkaqe si kristal nga qartësia.
24
Drit' e Kungatës vlen çdo mbretëri N'Evropë dhe n'Afrikë dhe n'Azi: Rënkim'i Vajzës mallëngjen më rëndë Se çdo shamat' e turmës në Xhami.
25
Fito një Zemër, puthe dhe rrëmbeje, Dhe adhuroje si Altar prej Feje: Një qind Qabera s'vlejnë sa një Zemër; Zemër kërko, Haxhi, jo Gur Qabeje.
26
Si mjer' ay që Dashuri s'ka ndjerë Dhe zemra s'i ka ndritur në prënverë: Pa Ver' e Dashuri çdo dit' e shkuar Prej meje s'nëmërohet asnjëherë.
27
S'ka hirë apo shëmtim në Dashuri, Për Ferr e për Parajsë s'ka mërzi, As për pallate a kasolle a shpella As për mëndafsh a rrecka a stoli.
28
Kjo zemr' e marr' e mbytur në mjerime Pa prerë vuan e lëshon rënkime: Kur më dha Zoti Verë Dashurie, Ma mbushi kupën gjak prej zemrës sime.
29
E prisja! Si rrufeja më tronditi! E Dashura më shkoi, më neveriti: S'e çmoja kur e kisha... Ah, çma priti! Në Ferrin nga Parajsa më vërviti.
30
Rënkoj e psherëtij, se s'të kam pranë, M'u çuar zëmra, vojtjet mënt s'më lanë, Askujt s'ia qaj dot hallin, djall' o punë: Vrermjalt' e flagëves' e qiellhapsanë! | |
| | | Orfe@ V.I.P
Numri i postimeve : 9104 Age : 114 Vendi : Ne zemer te njerit Profesioni/Hobi : Bum - Bum bum ! Registration date : 26/03/2008
| Titulli: Re: Përmbledhje poezishë nga Poet të ndryshëm. Sat Jun 14, 2008 4:39 am | |
| 31
Nga hidhërim'i ndarjes jam përpirë, Sa e sa herë zemra m'është grirë: Ty natën të kujtoj e psherëtij, Nga malli digjem, si qiriri kam shkrirë.
32
Kur s'dhëmp e s'shëmp nuk është Dashuri, Pa Ferr s'gjen dot Parajsë dhe Huri: Kur zjarr' e ke në gji, me nat' e ditë Sot ndrit me gas e nesër ndes më zi.
33
Të rrug' e Trëndafilit plot me gjëmba Pikova gjak, u çora dhe u shëmba: Pa qindra plag' e çpojtje s'qepeht krehri Në flokët e së Dashurës me dhëmba.
34
Zemrën me sy e dashura ma ndes, Zemraqiri me flakën rron e vdes: Të flak' e bukur zemraflutur turret, Kurban e tëra digjet pa kujdes.
35
Me syrin bukuri e dritë çpall, Në zemrën Dashuri e zjarr më kall: Ti s'më vë re aspak ose më tall, Kur unë p.sh.ërtij për ty me mall.
36
Zefire, fryre, syri im të pa, Nga gjoksi zemra m'iku dhe më la Dhe dyke fluturuar pas të ra: Banesën sot në gjoksin tënt e ka.
37
Selvia që më bëri skllav e mbret Tani më nisi prapë muhabet; Më qesh me buz' e sy, se shpirti i thotë: "Bëje të mirën dhe e hith në det".
38
E dashura shkëlqeu, më vërboi, Zemra më fliste gjuha më pushoi: Kush pa me sy torturë kësisoj? Nga etja u dogja, u shova mun te kroj.
39
Kush në Gërmadhen të ka prurë, kush? Kush ta ka çfaqur natën mirë, kush? Kush të ka fryrë të më ndezësh furrë Nga Dashuria të sëmurë, kush?
40
Në këtë Dhe pa prehje, pa pushim, Jam lodhur me kërkim e udhëtim: Të bukur Qiparis si ti s'kam parë, S'të kapërcen as hëna në shkëlqim. | |
| | | Orfe@ V.I.P
Numri i postimeve : 9104 Age : 114 Vendi : Ne zemer te njerit Profesioni/Hobi : Bum - Bum bum ! Registration date : 26/03/2008
| Titulli: Re: Përmbledhje poezishë nga Poet të ndryshëm. Sat Jun 14, 2008 4:39 am | |
| 41
O ti mbi Dhe m'e zgjedhura Selvi, M'e shtrenjtë je se shpirt dhe syt' e mi: Gjë më të çmuar se sa jeta s'ka; Një qind herë më e çmuar më je ti!
42
Si në mëngjes burbuqi i vesuar Me rrezet buzëqesh i ngushëlluar, Më ndrit me gas fytyra e përlotur Kur zemrën ti ma ngroh me syt' e shkruar.
43
Ti, që me faqe Rrushin e kapërcen, Dhe që me zë Bilbilin e gënjen, Një sy i luan Mbretit t'Babilonës Dhe mbretëresh' e kulla ia rrëmben.
44
Për ty bëj be të hedh në det dhe nderin; Në shkelça fjalën, shkelmin nem dhe vrerin: Në mos mjaftoftë jeta ime e zezë, Laj borxhin në të Funtmin Gjyq me Ferrin.
45
Sa kohë munt, e Dashur, ngushëllomë, Nga barr' e vrerit zemrën lehtësomë; Se bukuria jote s'rron për jetë; Shpejt! Nesër zbresim që të dy në Llomë.
46
Me buzët gjak, Sirenë, dehm' e mpimë, Me dhëmbët e me thonjtë çirm' e grimë: Me krah' e me gërshetë mbytm' e shtrimë, Me syt' e tu të zjarrtë tretm' e shkrimë!
47
Me Bukë sa për shpirt, me Hën' e Zanë, Me Ver' e Harp' e Vjersha dhe ty pranë Në Pjergull të Gërmadhës jam m'i lumtur Se në pallat a fron një qint Sulltanë.
48
"Sa bukur të jesh Mbret!" disa mendojnë; "Sa ëmbël në Parajsë!" ca besojnë: Ah, merr trumpetat e ler kusurin, Daullet, pompat lark le të gjëmojnë.
49
Në botë kotësira mos lakmo Të mirat e të ligat ia harro: Kthjelloje zemrën si ky Qiell i kaltër, Si Yll më ndrit, si Diell përëndo.
50
Shpirti për ku m'u bë prej Përëndie? Për Qiell a Ferr? S'e di, po veresie S'lë gas të saktë, Ver' e Vajz' e Këngë, Për profka, ëndrra, prralla shenjtërie. | |
| | | Orfe@ V.I.P
Numri i postimeve : 9104 Age : 114 Vendi : Ne zemer te njerit Profesioni/Hobi : Bum - Bum bum ! Registration date : 26/03/2008
| Titulli: Re: Përmbledhje poezishë nga Poet të ndryshëm. Sat Jun 14, 2008 4:40 am | |
| 51
Se save që për Dhenë bëjnë rragë Dhe save që për Qiell hedhin flagë, Nga Kull' e Natës Korbi u bërtet: "Të çmëndur! S'ka as lart as poshtëë çpagë!"
52
Me vajzën në prënver' e në lëndinë Me Këngën, me Lahutën, me Dollinë Dëfrej: le të më shajnë; s'më ha malli! Këtu e gjej Parajsën, Përëndinë.
53
Me Ver' e Valle, me Huri - në pastë, Të vija në lëndin' u shtri - në pastë, Dhe humbi fare Ferr'i zi - në pastë, Dhe ja, Parajsa na u gdhi - në pastë.
54
Një kupë Verë, mor Saki - ta puth! Vajzën e bukur si selvi - ta puth! Atë gërshet si lak të zi ku kapet I urti plak e djal'i ri - ta puth!
55
Nem kupën dhe këndo një melodi, Me Engjëj dhe Bilbilë simfoni: Se Vera qesh, këndon, kur rrjeth nga shishja Dhe s'duhet pirë veç me brohori.
56
Me gjithë Trëndafijt' Irami u shua, Qelqi magjik Xhamshid u çduk në prrua, Po prapë Vreshta Rrush rubin na nxjerr Dhe kopshti lulëzon ku rrjeth një krua.
57
Shih, mijëra burbuqe lulëzojnë Dhe erët mijëra përdhe rrëzojnë; Dhe ditët që na sjellin Trëndafilin Xhamshid e Kaj-Kobad na i çkallmojnë.
58
Po eni me Khajamin dhe ia shtroni Dhe Kaj-Kobad e Kas-Khosro harroni: Rustemi le t'ju ftojë në kushtrim E Taji në zijafet, mos i dëgjoni.
59
Eja, mbush Kupën e në zjarr gëzimi Vërvit çdo vrer e helm të zi pendimi: Se Shkab' e Kohës Jetën na shkurton, Dhe shih se sa shpejton nga fluturimi.
60
E Dashur, mbushma Kupën që kthjellon Të sotmen nga vreri q'ikën, tmerr q'afron: Po nesër? nesër ndofta fryra, humba Në shqotën ku e djeshmja fluturon. | |
| | | Orfe@ V.I.P
Numri i postimeve : 9104 Age : 114 Vendi : Ne zemer te njerit Profesioni/Hobi : Bum - Bum bum ! Registration date : 26/03/2008
| Titulli: Re: Përmbledhje poezishë nga Poet të ndryshëm. Sat Jun 14, 2008 4:42 am | |
| 61
Na fryri dita, mor Saki: sill Verë! Jetën s'e shohim përsëri: sill Verë! Bota një her' u mbyt në kataklizmë, Ashtu u mbytshim me Dolli: sill Verë!
62
U bëra prapë djal' i ri: sill Verë! Kërcej me flag' e lumturi: sill Verë! S'ka gjë, në qoftë e hidhur, mor Saki, Si jeta ime në Persi: sill Verë!
63
Sakinjtë derdhin Ver' e vala rrushi, Në zemra shuajn' afsh' e avull prushi: Lavdi, o Zot, se dhe këtë ballsam Që na shëroi e me shëndet na mbushi.
64
Si merimanga vallë pse ta tjerim Perin e Jetës, kur pastaj e çtjerim? C'do të fitojmë kur aspak s'e dimë Frymën që marrim jasht' a do ta nxjerrim?
65
Në Nishapur ose në Babilon, Me Kupën që tharton e ëmbëlson, Fletët e Jetës një nga një na bien Dhe lëngu i saj pa reshtur na pikon.
66
Ah, mbushini Kupat! Zemra na thërret, Se Koha nëpër këmbë po na shket: E djeshmja vdiq, e nesërmja s'na gjen; C'mërziti kur e sotmja ka lezet?
67
Ditën e shkuar fare e harro Dhe për të nesërmen mos u mendo: Gëzo një çast të lumtur, faqebardhë, Dhe Jetën n'erë mos e çkatërro.
68
Për nesër mos u verdh sa pa e parë, Të sotmen e gëzo, mor djal' i mbarë: Shpejt ikim nga ky Han e hasim shokët Që shkuan shtatë mijë vjet më parë.
69
Me Buzët trëndafilen shtatselvi Këndo e nat' e ditë zbras Dolli: Se nesër Vdekja fryn, te çthurr si lule Dhe fletët t'i përmbledh në Dhe të zi.
70
Të shkuarat mos i kujto me lot Dhe për të pritmet mos u loth më kot: Sa kohë në luadhin je, kullot; Nga drapr' i Vdekjes nukë shpëton dot | |
| | | Orfe@ V.I.P
Numri i postimeve : 9104 Age : 114 Vendi : Ne zemer te njerit Profesioni/Hobi : Bum - Bum bum ! Registration date : 26/03/2008
| Titulli: Re: Përmbledhje poezishë nga Poet të ndryshëm. Sat Jun 14, 2008 4:42 am | |
| 71
Buza që puth e Vera që po pi Vërtet mbarojnë dhe ato si hi: Po sot të paktën je një hi i gjallë, Gëzohu sa s'kalon në Hiç të zi.
72
Sa kohë po vazhdon kjo Jet' e ngratë Për qafe kape Qiparisn' e gjatë. Se nesër Mëmë-Dheu do t'të kapë Dhe posa të pushtoi s'të lëshon prapë.
73
Sa nga të dashurit mbi këtë bar Që m'emëruan për trashëgimtar I zbraznë Kupat rrotull nja dy herë Dhe heshtn' e zbritnë një nga një në varr.
74
Më shkuan shokët! Vdekja pa mëshirë M'i shtrydhi një nga një si Rrush në Tirë: Festuam, pim' e biseduam bashkë, Pastaj u shtrin' e thanë: "Lamtumirë!"
75
Dhe ne, që sot dëfrejmë në lëndinë, Ku pleqtë na bekuan me Dollinë, Dhe ne në shtrat të dheut do të zbresim Dhe do ta zbrazim vendin për risinë.
76
Si lot pikon nga Qiell'i mvrojtur shiu Sis' i jep lules si një çilimiu; Nga varri bukën ia mëkon njeriu: Bga pluhr'i tij kjo lul'e bukur mbiu.
77
M'i kuqi Trëndafil i çdo behari Nga toka mbin që piu gjak Qesari: Në gji të kopshtit manushaqja shket Prej faqes Vajzës me ulli nga Varri.
78
Dhe kjo lëndin' e njomë që po çel Bregun e lumit ku tani po ngel, Ah, pshtetu leht' e but' e mos e shkel, Se s'di nga cila buz' e bukur del.
79
Ah, Trëndafili me prënverën shkon Vjeshta risisë fletët ia rrëzon: Bilbili, që në degët i këndon, Ikën - e kush e di ku fluturon?
80
Ah, pini dhe Khajamit shtjerini! Profetët le të flasin, lerini! Një gjë ësht' e vërtetë: Lulja vdes, Si lulëzon, - dhe profkat prejini! | |
| | | Orfe@ V.I.P
Numri i postimeve : 9104 Age : 114 Vendi : Ne zemer te njerit Profesioni/Hobi : Bum - Bum bum ! Registration date : 26/03/2008
| Titulli: Re: Përmbledhje poezishë nga Poet të ndryshëm. Sat Jun 14, 2008 4:43 am | |
| 81
Çdo shpresë që në flakë na përfshin Shuhet e bëhet hi; a shkrepëtin Mbi kum të shkretëtirës si dëbora Një or' a dy - dhe menjëherë shkrin.
82
Në Dhe, o shpirt, të mirat si për Mbret Dhe gazet e dëfrimet plot lezet S'të janë veç si ves' e lulevet, Që ndrit menatë dhe pastaj humbet.
83
Edhe ay që mbleth e shin flori Edhe ay q'e heth, e derth si shi, Kur vdesin nukë bëhen ar e mjaltë: Po kalben, myken nënë Dhe të zi.
84
Të ky Karvan - Saraj faqekëmbyer, Që netët edhe ditë ka për dyer, Sulltanë pas Sulltanëve u shtruan Sa ish' e thën' - e iknë të pakthyer.
85
Ja, sot gas paske dhe shëndet: pastaj? Ja, mot të patshim si simvjet: pastaj? Ja, qofsh i lumtur një qint vjet: pastaj? Ja, për çudi, dy qint si mbret: pastaj?
86
Dhe tre qint vjet të rrosh e plot me dritë, Këtejza do të shkosh me lot një ditë, Qofsh Mbret i lart' a lipës i ngratë Në trap do të mbarosh pa mot i mpitë.
87
S'banojnë veç luanë dhe zhapi Në sallat ku Xhamshidi u shtri, u pi: Bahrami, që me lak onagre kapte, U lak, u kap në llom' e pellgpusi.
88
Kështjella gjer në Qiell një herë ndriti Dhe Mbretër e Qesarë brënda priti: Përmbi gërmadha tani qyqja qan: "Ku vajti, ah! ku? ku, ku zbriti?"
89
Nga mur'i Tusit Korbi po vë re Kafkën e Kaj-Kavusit tej përdhe Dhe kujës ia kërcet: Kaj, Kral i Ngratë, Daullet dhe trumbetat ku m'i ke?
90
C'fitova nga të gjith' andrallat? Hiç! Dhe nga mundimet e vërdallat? Hiç! Sa para bën se sot jam Yll e Dritë Kur shuhem nesër, shkoj me prrallat? Hiç! | |
| | | Orfe@ V.I.P
Numri i postimeve : 9104 Age : 114 Vendi : Ne zemer te njerit Profesioni/Hobi : Bum - Bum bum ! Registration date : 26/03/2008
| Titulli: Re: Përmbledhje poezishë nga Poet të ndryshëm. Sat Jun 14, 2008 4:43 am | |
| 91
Aristotel ndriçofsh, ngrysesh e hump! Qesar çdo fron zaptofsh, përmbysesh, hump! Qelqin Xhamshid kungofsh, thyhesh e hump! Bahmar u lavdërofsh, mbytesh e hump!
92
Ah, Rrot' e Qiellit vrasëse, mizore, Sa shtyp e shtrydh në Tirën shekullore: Ah, Dhe i zi, në gji sa xhevahire, Përpin, e sa dafina prej kurore!
93
Ah, Zot, që botën me një urdhër themelove, Sa e sa zemra copëtove e shove: C'burbuqe buzëkuqe, flokëzeza, Pa lulëzuar në qivur m'i shtrove!
94
O Racë Njerëzore e verbuar, O Hiç, mbi Er' e Pluhër e ndërtuar, O Hiç, e korkolitur mbi Avushën, Përball' e pas prej Hiçit e rrethuar!
95
Apo mos e harruat Historinë Që Botës i dha Dritën, Diturinë, Se Zoti me ca Llom' e Baltovinë Sipas fytyrës s'Tij gatoi Njerinë?
96
Krijesa zbardhëlloi, Parajsa leu, E para krijatyrë del nga Dheu: Po pak qëndroj! Një drapër Vdekja këreu, Adamn' e shkret' e korri, e rrëmbeu.
97
Si en' e bën me mend e thellësi, Kuror' i thur me nder e me lavdi: Pastaj Poçari Kryeveprën kap Dhe e dërmon përtokë, e bën hi.
98
Pse pra mërziti për mjerimn' e zinë? Kështu e bëri Zoti Njerëzinë: Krijesa llome, mbrujtur vrer e helm, Vajtojnë pak e çduken në Greminë.
99
Njeri, Margaritari i Krijesës, Q'u shove nga tortyrat e Jetesës, Pi Kupën e harrimit e të prehjes, Ckulu nga pellgu i frikës dhe i shpresës.
100
Përulu Fatit tiranik e vrer, Pi Verë, mos përfill Parajs' e Ferr: Linde nga Pluhuri, në Pluhur kthehesh, Sa je mbi Pluhër, lagu, mos u ter. | |
| | | Orfe@ V.I.P
Numri i postimeve : 9104 Age : 114 Vendi : Ne zemer te njerit Profesioni/Hobi : Bum - Bum bum ! Registration date : 26/03/2008
| Titulli: Re: Përmbledhje poezishë nga Poet të ndryshëm. Sat Jun 14, 2008 4:44 am | |
| 101
Ah, kap e kap çdo gas e çdo dëfrim Në Pluhër sa pa zbritur për pushim, Pluhër në Pluhër, nënë Pluhurin shtrirë, Pa Ver' e Këng' e Grua - pa mbarim!
102
Pi, pi sa kohë ligjëron Bilbili, Puth, puth sa ësht' i çelur Trëndafili, Dhe Kupën plot shafran pa drithm' e zbras Kur të ta japë natën Xhebraili.
103
Një çast nga Pus'i Jetës të ngjërojmë Dhe para se të vdesim ta gëzojmë: Se Yjt' u shuan dhe Karvani u gdhi N'Agimn' e Hiçit! - Oh, le të nxitojmë!
104
Pra, si Zambaku që me sy përpjetë Pret vesën gojëhapur lart nga retë, Ashtu dhe ti, se nesër u përmbyse Si Kupë bosh me kokën tatëpjetë.
105
Kur të gjesh Verë, pije pa mejtuar, Kur të gjesh Vajzë, puthe pa pushuar, Se as për mjekrën tënde as për timen S'kujdeset Zot'i Math i lavdëruar.
106
Rrot' e çkujdesur po vërtit Dynjanë, Shenjtorët nuk ja shqitnë dot Davanë: Kij mendjen, nesër vdes, merr ëndrra fund, Të piu varri, krimbat do t'të hanë.
107.
Lëviz, Khajam, se Kup' e Vdekjes vjen, Se Fati nënë Rrotë të mbërthen: Pi Lënk, puth Lule! Lart në Qiell s'i gjen! Se Feja me Parajsën të gënjen.
108.
Mos u mërzit me punë Përëndie, As me andrralla e profka Njerëzije: Mbyti të gjitha në duman të Verës Dhe loj me Trëndafij e Rrush Hardhie!
109.
Munxosi Qiejt' e shurdhër që shkelmuan Çdo lutje që të mjerët u drejtuan Dhe kap Dollin' e përqafo Selvinë: Kush na u kthye nga ata që shkuan?
110.
Gjer kur, gjer kur do të përpiqemi, Me Fe e sherr Sheri të piqemi? Më mirë lagemi me Lënk prej Rrushi Se sa me vrer për hiç të ligemi? | |
| | | Orfe@ V.I.P
Numri i postimeve : 9104 Age : 114 Vendi : Ne zemer te njerit Profesioni/Hobi : Bum - Bum bum ! Registration date : 26/03/2008
| Titulli: Re: Përmbledhje poezishë nga Poet të ndryshëm. Sat Jun 14, 2008 4:45 am | |
| 111.
Me mjekrën çdo Tavernë ta kam fshirë, Parajsës i kam thënë: "Lamtumirë! E bukur je, po nukë bën për mua!" Kërkomëni në Vreshtë dhe në Tirë.
112.
Për Ligjë kam për ditë të dëfrej, Për Besë kam çdo Fe ta kapërcej; Kur mora nuse Jetën, s'deshi pajë; Më tha: "Gas pafsh, atë pagesë vlej".
113.
E dini, o miq, se në kasollen time Dasmë të re kam bërë me dëfrime: Tri her' e ndava Fen' e Arësyen Dhe mora nuse Rrushkën Serafine.
114.
Për Qënien dhe Mosqënien jam munduar E Qiell e Dhe kam matur e peshuar: Po që të gjitha i hodha n'erë! S'jam I thellë veç në Verën e Kulluar.
115.
Kur isha i ri, kujtoja se e gjeta Pallatin ku shkëlqente e Vërteta: Tani q'u mplaka di që s'dija gjë E që s'di hiç nga Bota dhe nga Jeta.
116.
Kur isha i ri, me zell, me mall po milja Doktorë me Shenjtor' e trobolitja Të thella argumenta: po përherë I marrë hyja dhe m'i marrë dilja.
117.
Me ta të Lartën Urtësi e mbolla, Me dorën tim'e rrita, e pështolla, Dhe kjo ish tërë pema që m'u fal: "Si ujë zbrita, dhe si erë dolla!"
118.
Në Botë, dhe pa ditur as përse As nga, po rrjedh pa dashur si rrëke, Dhe jashtë saj si er' e shkretëtirës, Pa ditur ku, po fryj te Nat' e Re.
119.
Si zok nga pylli sterr' u arratisa, Për një fole në ferr' e driz' u grisa: Po prinjës që di Udhën gjëkunt s'gjeta, Nga dera q'u vërsula jashtë krisa.
120.
Me Ujë hiçi Balta m'u gatua, Zemra me zjarr e vrer m'u përvëlua: Fryja në Botë si një flak' e marrë Dhe shkrumbi im në tym u çkatërrua. | |
| | | Orfe@ V.I.P
Numri i postimeve : 9104 Age : 114 Vendi : Ne zemer te njerit Profesioni/Hobi : Bum - Bum bum ! Registration date : 26/03/2008
| Titulli: Re: Përmbledhje poezishë nga Poet të ndryshëm. Sat Jun 14, 2008 4:46 am | |
| 121.
C'fitoi me ardhjen time Gjithësia? Me ikjen a m'i prishet Bukuria? Përse me kaqë lot po vijm' e ikim? Pyes më kot, - s'përgjigjet Përëndia.
122.
Kur shoh një faqelule bukuri Syengjëll, erëmyshk, e shtatselvi, Pyes: Pse, Zot, këtë Huri e çove Në këtë fushë plot me lot e zi?
123.
Si flagë digjemi: Ku shuhemi? Si tym vërtitemi: Ku turremi? Si fishkemi e shtrydhemi, kufoma Në Llomë kllitemi: Ku mbruhemi?
124.
Të kthjellët lindim dhe të mvrojtur vdesim, Me gas ia nisim dhe me vaj ia presim: Me lot e zjarr e vrer të përvëluar Në tym shpirt japim e në Varr po zbresim.
125.
Këtu që nga padashur po kërcasim Dhe që këtej pa dashur ku po shkasim? Kupë mbi Kupë Verë sillnani Këtë mallkim ta mbytim e ta vrasim.
126.
Në Botë s'ndisja, po s'më ke pyetur! Në varr s'kërcisja, po s'më ke pyetur! Zot, më zvarrisni me pahir, se s'lintja As rroja as vdisja, po s'më ke pyetur!
127.
Në Vijën që përshkruaj në Jetim S'gjej Pikënisje, s'gjej Pikëmbarim: Nga arthmë s'pamë dhe ku vemi s'dimë, Hiç krejt, Hiç mezi, Hici përfundim.
128.
Një Qark, si un' e ti, po përvijojmë, Që jemi lark e s'piqemi vajtojmë: Po në një Pikë po e mbyllim Qarkun Dhe puthemi në Varr, në hiç pushojmë.
129.
Nga qëndr' e Dheut në Qiell të Shtat' u ngjita Në fronin e Saturnit u avita Dhe shumë lithma e kolla zgjidha udhës Po Fatin e Njeriut nuk e shqita.
130.
Një derë ka që Celësin s'ia gjejmë Dhe ka një vel, me sy s'e kapërcejmë: Pak muhabet këtu, jo ti, jo unë, Pastaj dhe un' e ti në tym kërcejmë. | |
| | | Orfe@ V.I.P
Numri i postimeve : 9104 Age : 114 Vendi : Ne zemer te njerit Profesioni/Hobi : Bum - Bum bum ! Registration date : 26/03/2008
| Titulli: Re: Përmbledhje poezishë nga Poet të ndryshëm. Sat Jun 14, 2008 4:46 am | |
| 131.
S'përgjigjet Dheu as Deti që mban zi Me vala t'errëta për Përëndi, As Dit' as Nat' as Hën' as Yjt' as Qielli, S'përgjigjemi e heshtim un' e ti.
132.
Dhe Qiellit rrotullonjës i thërrita Dhe e pyeta: "Cila është Drita Për djemt' e tu të humbur në errësirë?" "Një mendje e verbër!" tha një zë nga prita.
133.
Ahere Poçen po rrëmbej si burrë Dhe Zjarr e Shenjt' e gjej në këtë furrë; Ajo më pëshpëriti buzabuzës: "Pi, puth, se posa vdiqe, s'ngrihesh kurrë!"
134.
Dhe Poçja e skalisur dhe e larë Ka rrojtur e ka bërë qejf me barrë: Dhe buz' e saj e ftohtë dhe e njomë Sa puthje mund të japë dhe të marrë!
135.
Kjo Poçe, si dhe unë, qe njeri Q'u doq për një Gërshet e një Selvi: Kjo dorëz ishte krah; e përqafonte Vajzën e rrallë plot me Dashuri.
136.
Një ditë, më të ngrysur në pazar Një poçe po artonte një Poçar; Dhe poçja gjuhëmpirë murmuriti: "Ngadalë, vlla, e mos mer aqë zjarr!"
137.
Punonte në dyqan të tij Poçari, Një Poçe po artonte nga pazari: Lëfyti ish një kok' e një Qezari Dhe dorëza nga dor' e një lipsari!
138.
Dëndroje dorën, mor Poçar mizor, Që garbe bën me trupin njerëzor: Shiko, Khosroit me çark ia shtype zemrën, Dhe gishtin Feridunit mbretëror.
139.
Njëndizaj në qoshen jam penguar Dhe ah! e theva Poçen e bekuar; Më tha: "Si je, kam qenë; dhe si jam, Ashtu dhe ti je nesër i dërmuar".
140.
Dhe mos kujto se Jeta rregullon Hesapin tënt e timin dhe mbaron; Flluska si ne ka Dete dhe miriade, Saki-Vigani derdh e s'nëmëron. | |
| | | Orfe@ V.I.P
Numri i postimeve : 9104 Age : 114 Vendi : Ne zemer te njerit Profesioni/Hobi : Bum - Bum bum ! Registration date : 26/03/2008
| Titulli: Re: Përmbledhje poezishë nga Poet të ndryshëm. Sat Jun 14, 2008 4:47 am | |
| 141.
Kur un' e ti të prehemi të mekur Do të vazhdojë Bota e pavdekur, Që ardhjen ton' e ikjen i përfill Si val' e detit rërën e përpjekur.
142.
Pas nesh kjo Botë tutje shkon një soj, Dhe ty dhe mua na harron një soj: S'e vuri re që diç mungon, kur s'ishim, Kur vdesim, s'ndrron e s'ngel, vazhdon një soj.
143.
Mi Dhe e nënë Dhe gjum' i paprerë, Mi Dhe e nënë Dhe trupa të nderë; Ah, Hiç kudo, e shkretëtir' e Hiçit! Si hije vijm' e shkojmë në Skëterrë.
144.
Dhe kur më kot mbi Tokën e pakapur Apo mbi Qiell, mbi derën e pahapur, Sheh sot kur ti je ti, po nesër ç'bën Kur s'je më ti, po hi në Hiç përhapur?
145.
Do t'ikim doemos! Përse pra rrojmë Dhe shpirtin me dëshira kot mundojmë? Mbi Dhe pa punë kur na arratisi Në Qiell shpëtim prej Tij si të shpresojmë?
146.
Çudi, asnjë i vdekur s'dha një shenjë, Asnjë s'u kthye Udhën të rrëfenjë Për Ferrin, për Parajsën a për Hiçin, Po vet' u dashka cilido t'a gjenjë!
147.
I varfëri nga mendja po beson Që Shpirti krejt nga Trupi po ndryshon: Po Vera e përgënjeshtron e para, Se Shpirt e Trup në Dehje i bashkon.
148.
Kur Shpirti muntka veten ta çlirojë Nga Trupi dhe në Qiell të fluturojë, Nuk është trup e turp që Baltovina Ta ndyj' e ta burgos' e ta verbojë?
149.
Si në një çergë ku pushon një grimë Sulltani i drejtuar në Greminë: Sulltani ngrihet, ikën, tenda çthurret E thurret përsëri për më të rinë.
150.
Shpirt, i dënuar gjak për të pështyrë, Për të duruar kot e kot tortyrë, Në këtë Trup të ndyrë pse ke hyrë Kur prapë jashtë paske për të fryrë? | |
| | | Orfe@ V.I.P
Numri i postimeve : 9104 Age : 114 Vendi : Ne zemer te njerit Profesioni/Hobi : Bum - Bum bum ! Registration date : 26/03/2008
| Titulli: Re: Përmbledhje poezishë nga Poet të ndryshëm. Sat Jun 14, 2008 4:47 am | |
| 151.
Dërgova Shpirtin lart në Qiell mbi retë Dhe n'Errësirën poshtë' e tatëpjetë: M'u kthye pasi e zbuloi Mysterin; Më tha kështu: "Parajs e Ferr jam vetë".
152.
Diell. vizion dëshire të mbaruar, Ferr, hij'e zez' e Shpirtit përvëluar, E hedhur n'Errësirën nga po dalim Dhe ku po zbresim për të përënduar!
153.
Kjo botë: Endrr' e shkurtër që shikojmë; Ky lumë; Gjyrm' e lotit që lëshojmë; Ferri: Shkëndij' e zjarrit që kalojmë; Parajsa: çast'i prehjes që gëzojmë.
154.
Shenjtorët dhe Doktorët, që bërtitnë Më kot për të dy Botët, u vërvitnë Në Pluhur: fjalët ua mori era, Me Baltën e me Llomën u nemitnë.
155.
Zbulimet, që Profetët na zbërthyen Dhe për këto mbi Kryqe u mbërthyen, S'janë veç ëndërra që na rrëfyen Pas gjumit - dhe pastaj në gjum' u kthyen.
156.
Arrinë gjer në kulm të Diturisë, I ndrinë si pishtarë Njerëzisë: Po n'Errësirën Udhë s'çanë dot, U mbytnë nëpër gropa t'arratisë.
157.
Mysterin sa e sa më kot po tarrë Gjer sot asnjë përgjigje s'kanë marrë; C'gojë memece, Evë, puthe vallë Që na ke bërë shurdhër e të marrë?
158.
Një Vel Mysteri kemi për kufi, Ta çpojë syri ynë s'ka fuqi: Në gjoks të Dheut jemi si në burg; Ajme! Sa e gjat' e hidhur histori!
159.
Nga Qielli e Vërteta nukë zbret, Me Dij'e Shkencë Udha nuk iu gjet: Se Udhë s'ka, se s'na e kap dot truri Dhe syri ynë gjurmën e humbet.
160.
C'e shtyri këtë Qiell të rrotullojë Dhe ç'dorë më në fund do ta dërrmojë S'gjendet në Botë kurrë kut ta masë, S'gjendet asnjë kandar që ta peshojë. | |
| | | Orfe@ V.I.P
Numri i postimeve : 9104 Age : 114 Vendi : Ne zemer te njerit Profesioni/Hobi : Bum - Bum bum ! Registration date : 26/03/2008
| Titulli: Re: Përmbledhje poezishë nga Poet të ndryshëm. Sat Jun 14, 2008 4:48 am | |
| 161.
Natyra ësht' e mbetet një çudi, Enigmat nuk ia zgjidh dot asnjëri: Askush s'del dot nga qarku i forcës s'tij, Dhe mbetet mjeshtri plak çirak i ri.
162.
Darkove tërë Tokën? S'është hiç! Gërmove tërë Botën? S'është hiç! Thellove dokrra Feje, kokrra Shkënce, Ia çmove Fatit Rrotën? S'është hiç!
163.
Në Hapësirën Dheu: [përmirësoje fjalorin!] lumi! Dija dhe Shkënca jonë: fjalë lumi! Njeriu, kafshët, lulet: flluska brumi! Jeta dhe lufta jonë: ëndrra gjumi!
164.
Kjo Botë me shkëlqime s'është hiç! Ky Qiell me Serafime s'është hiç! Ky fron i Jetës plot me ëndërrimë Na varret mbi një qime, s'është hiç!
165.
Nga Rrot e Fat e Zot s'kuptova hiç Dhe veç dyshimeve s'fitova hiç: Për Dijen shtatëdhjetë vjet luftova, Më kot i humba, nuk zbulova hiç!
166.
Të paskan parë ca të shenjtëruar Kur unë me qiri të kam kërkuar: Bëj ç'mund, po je dhe mbetesh i mbuluar: S'të gjej gjëkunt: më ndje, Zot i Bekuar!
167.
Ah, këtë copë rrojtje mos e nxi Rrotull Mysterit - shpejt, mor djal' i ri: Një qime ndan Gënjeshtrën nga e Vërteta - Dhe përmi ç'gjë, të lutem, varesh ti?
168.
Një qime ndan Gënjeshtrën nga e Vërteta Dhe Celës një Elif të vetëm gjeta: Gjeje dhe ti, si un' i verbëri - Dhe ndofta shkojmë drejt te Vetë Jeta.
169.
Rrjeth tinës në çdo dell, në çdo krijesë, Dhe shkel si hidrargjir nga çdo kërkesë: Çdo formë merr; të gjitha format shuhen, Ay s'po vdes - S'ka funt e s'ka mbaresë!
170.
Posa e devinojm' e na shpëton Prapa kurtinës ku dramatizon Të vjetrën lodër të përjetëshme, Që vet' e vepëron, Vet' e shikon. | |
| | | Orfe@ V.I.P
Numri i postimeve : 9104 Age : 114 Vendi : Ne zemer te njerit Profesioni/Hobi : Bum - Bum bum ! Registration date : 26/03/2008
| Titulli: Re: Përmbledhje poezishë nga Poet të ndryshëm. Sat Jun 14, 2008 4:48 am | |
| 171.
Gazmorët që me Kupën po festojnë, Shenjtorët që Xhamive vigjëllojnë Në Det humbasin pa liman, pa funt; Një rron e s'fle, të tjerët flen' e shkojnë.
172.
Me mall e tërë bota e kërkon, As kamës as i varfër s'e zbulon: Bërtet, po vesh'i shurdhër s'e dëgjon, Shndrit, po syr'i verbër s'e shikon.
173.
Dan pika: "Ah! Sa lark nga Deti jam!" Dhe Det'i jetës qesh: "Më kot po qan; Se tok të gjithë jemi Përëndia; Një qime vetëm, Koha, po, na ndan.
174.
Parad' e zbrazët, ëndërr është Bota, Dhe s'gjëndet nga e qysh i kthehet Rrota: Me Dehje dhe me Gas i zbukurohen Illuzionet, gjepurat e kota.
175.
Nga vallë lint kjo Fantazmagori? S'tregohet dot, e vetëm kaqë di: Ngrihet si re nga Det'i Gjithësisë, Kthehet si shi në Detin pa kufi.
176.
Se lart e poshtë' e rreth sa po shikojmë, Të gjitha një fener magjik formojnë Me Diellin si një qiri në mest Dhe ne përqark fantazma vijm' e shkojmë.
177.
Jemi një lodër shah me net' e dit' Ku Fati njerëzit si gur' i qit: Andejkëtej i lot, i vret' i ther - Dhe një nga një t'i hodhi në kutit.
178.
Dhe topthi as për po as jo s'pyet, Po fluturon për ku Lodrari e nget: Ay q'e heth në lëm' e di përse - Ay e si - Ay e di vërtet.
179.
E Madhja Dorë shkruan me shkëndijë, Dhe fletën kthej: dhe asnjë fjal' e vijë Nuk ësht' e mundur kurrë që të shihet Me lotë a me lutje a me dijë.
180.
Doktorët, fillosofët le të flasin, - Nga thonjt' e Fatit nukë do të shkasin; S'jemi veç hallka në Zinxhir e s'mundim As t'ikim as ta thyejm as ta ngasim. | |
| | | Orfe@ V.I.P
Numri i postimeve : 9104 Age : 114 Vendi : Ne zemer te njerit Profesioni/Hobi : Bum - Bum bum ! Registration date : 26/03/2008
| Titulli: Re: Përmbledhje poezishë nga Poet të ndryshëm. Sat Jun 14, 2008 4:48 am | |
| 181.
Dhe ky çetur përmbys, ky Qiell i vrarë Ku të burgosur rrojm' e vdesim zvarrë: Mos i kërkoni ndihm' e sypërpjetë, Se rop si ju vërtit, mor të marrë!
182.
Njeriu i funtm' u mbrujt nga Balt' e Parë, Të korrët sot del nga e Para Farë: Mëngjez'i parë i krijesës shkroi E funtmja ditë ç'gjë ka për të parë.
183.
Qëkurse Gjithësia u krijua Dhe Qielli me gjith' Yj kur u gatua, Një kopsht për Trupn' e Shpirtin m'u caktua, Ashtu sikundër u predestinua.
184.
Çdo dell m'u tor prej Zotit me Hardhi; Ah! le të llomotit ay Sufi: Un' e kam gjetur Celësin për Derën Ku leh ay me buj' e patërdi!
185.
C'm'u dirse e ç'm'u thave si skeleti Për Pus Mysteri e Labyrinth Kësmeti! Në dorën tënde s'mbeti plan i Votës; Allahu, kur e vëri, s'na pyeti.
186.
C'kërkon të gjesh nga rrodhi Bota? Gëzo të sotmen, let belat' e kota: C'më qahesh? Zaret s'munt t'i loç Veç se ashtu si t'i ka hedhur Rrota.
187.
Kur vete mirë, lavdi pastë Zoti! Kur vete keq, më kot po derdhet loti: S'pyetesh as për gaz as për vajtim; Durim! - Kështu i Urti tha qëmoti.
188.
Ka vetëm për të marrët lumturi, Për t'Urtët s'ka veç vrer e qesëndi, Pi Verën pra, e cila të maron Me motrat Lumturi e Cmenduri.
189.
Shigjetat m'i pusho, o Fat, aman! Për plagët e miplagët nem derman! Posa të marrë mbron, Baba, tamam, Jam fjesht Yt bir, i urt' i mënçur s'jam.
190.
Dinaku Fat po buzëqesh, kij mendjen! Se befas me kamçik ta ngjesh, kij mendjen! Helm si sheqer të kllet në gojë shpesh, Mos e gëlltit, të vret rrebesh, kij mendjen! | |
| | | Orfe@ V.I.P
Numri i postimeve : 9104 Age : 114 Vendi : Ne zemer te njerit Profesioni/Hobi : Bum - Bum bum ! Registration date : 26/03/2008
| Titulli: Re: Përmbledhje poezishë nga Poet të ndryshëm. Sat Jun 14, 2008 4:49 am | |
| 191.
Jetesa rregullisht pas Urtësisë Si ësht' e mundur kurrë Njerëzisë: Se Zoti Fat me një kamçik në dorë Na prin nëpër hendeket t'arratisë.
192.
Muzikën Qiellit nuk ia kam dëgjuar, Buzën e qeshur nuk ia kam shikuar: Pa marrë frym' i lumtur për një çast N'Avushën prapë më ka qethulluar.
193.
Me vrer për ditë Fati po na des, S'jep gas që s'na e vjeth me interes: Ta dinte i palinduri s'na lintte, I linduri më mirë bën kur vdes.
194.
Pa prerë më ndjek këmba-këmbës nëma Me lot vjen dita dhe pa prehje mbrëma: Ta dinte ç'flamur helmi kish në bark, S'më nxirte në mejdan askurrë mëma.
195.
Dritën ma nxive, Zot, zemrën ma theve, Gazin ma çore, shpresën ma rrëmbeve, Ujën që pi ma bëre vrer dhe erën Që respiroj në zjarr ma ktheve.
196.
Khajam, që Tendën e Mësimit rrite, Në Furrën e Greminës ja ku zbrite; Ta pret gërshër' e Vdekjes pen' e Jetës, Nga thonjt' e Fatit me tërbim u shqite.
197.
U çqepa e u rropa, Zot, shëromë! Nga Rrot' e Kryq u ngopa, Zot, shpëtomë! Një her' e mir' e tok, jo copra-copra, Si top me vrap te gropa sot shkelmomë!
198.
O Zot, më mirë shuaj nga tefteri Shpirtin e një të ziu e të mjeri Sa sa ta rritësh pikë-pikë prruan Ku rrjedhin njerëzit si vala vreri.
199.
Sikur të merrte Engjëll'i bekuar Librën, që Fat'i shkretë më ka shkruar, Për ta rishkruar, për ta mirësuar Ose më mirë fare për ta shuar!
200.
Të gjendej ah! Luadhi i Mëshirës, Ku t'arratisurit e Shkretëtirës Të preheshin, dhe qindra vjet pastaj Të ngjalleshin, si lulet, pas dëshirës. | |
| | | Orfe@ V.I.P
Numri i postimeve : 9104 Age : 114 Vendi : Ne zemer te njerit Profesioni/Hobi : Bum - Bum bum ! Registration date : 26/03/2008
| Titulli: Re: Përmbledhje poezishë nga Poet të ndryshëm. Sat Jun 14, 2008 4:52 am | |
| ...
Të mirat Botës son' ia studiova. Kudo pa vënt, pa hie ia zbulova: Lavdi me Ty, o Zot! Të paktën unë Nga çdo e mirë tutje u shkelmova.
203
Ah! Vera shkon në derë të myftinjve Dhe Kryevegla n'arkë t'axhaminjve: E Bukura e Dheut flë në shtrat T'eunukëve, në djep të çiliminjve!
204
Mos qaj, or mik, mos u mërzit më kot, Se Rrotën Botës nuk ia ndreqim dot: Po rri mënjan' i qet' e bëj sehir Shakatë që na bën i Madhi Zot.
205
Profetët le të lehin hu mi hu Për Providenc' e Perëndi me tru: Eni, me Poçen shtrojani këtu, Dhe losni me Atë që lot me ju.
206
U dashka që ta lë ballsamn' e Verës Nga frik' e zez' e vrerit të Skëterrës, Ah, për shërbetn' e Qiellit që do t'pi Kur të më thahen koskat prapa ferrës!
207
Kurani thotë, Qielli ka Huri Të bukura dhe Verë me gosti: Posa pra ësht' ashtu, o Perëndi, Stërvitem që këtu e që tani!
208
Në qoftë se Parajsa jote s'qas Veçse ata që lodhen me namas Dhe s'duan Ver' e Vajza, pa dyshim Asnjë njeri s'të hyn në atë kafaz.
209
Parajsa paska Vajza syshkëndija, Me Ver' e mjaltë, lum' e kronj e vija; Saki, më sill një Kupë shpejt! Më mirë Në dorë njëja sot se nesër mija.
210
Ay që ka në zemër Urtësi S'lë asnjë çast t'i shkojë pa dobi; Po adhuron një Dashuri qiellore, Dhe Kupën kap me Ver' e zbras Dolli.
... | |
| | | Orfe@ V.I.P
Numri i postimeve : 9104 Age : 114 Vendi : Ne zemer te njerit Profesioni/Hobi : Bum - Bum bum ! Registration date : 26/03/2008
| Titulli: Re: Përmbledhje poezishë nga Poet të ndryshëm. Sat Jun 14, 2008 4:53 am | |
| 211
Të Madhit Muhamet i çon selam Dhe e pyet Imami Omar Khajam: "O Pejgamber, më thuaj, mor aman, Pse dhallën bën hallall, Verën haram?
212
Përgjigjet Muhameti me selam: "S'më more vesh, Imam Omar Khajam! Dhalla hallall për lolot, mor aman, Verën për t'Urtët nuk e bëj haram!"
213
Kur pi, disa besnikë plot me Shpresë, Më thonë: "Vera ësht' armik i Fesë", O burrani, pra, Kupat mbushini T'ia pimë gjakun qenit të pabesë!
214
Posa e bëri Zoti në fillim, Hardhinë pse m'a thurrni me ndalim? Thomëni, kur s'e njihni për besim, Kush e ka vën' atje këtë mallkim?
215
O vlla i mjerë, mos u mbyt në zi, Se vijës s'Vreshtës bëji Dashuri; Nga nën' e ëmbël rrodhi bij' e keqe, Po Bija ka më tepër bukuri.
216
Vera, vërtet, më doli e pabesë, Se më largoi prej Zotit e prej Fesë, Po fajn' e ka Sakiu: S'ia diti vlerën; Kur t'ia mësojë, nukë do t'ma shesë.
217
Dëfrimet që kam dashur më verbuan, Në sy të Botës krejt më turpëruan; Ma mbytnë nderin në një Qelq të lik Dhe namin për një metelik ma shuan.
218
Dhe shpesh kam bërë be që të pendohem; Po a jam esëll vallë kur betohem? Se, posa shoh Hardhi e Trëndafil, Pendohem për pendimin që zotohem.
219
Pjaniku nukë shpëton dot nga Vera. Faqia iu nxi, ia mori namin era: Saki, më sill ca Verë! Cip' e çjerrur Më s'qepet dot as zbardhet dot Skëterra.
220
Pa Verë, këtë Jetë nuk e rroj dot, Pa kupë barrën, vrerin s'ia duroj dot; Jam mirë vetëm n'atë çast kur shokët "Dhe njëzë!" thon' - e unë s'mëkatoj dot. | |
| | | Sponsored content
| Titulli: Re: Përmbledhje poezishë nga Poet të ndryshëm. | |
| |
| | | | Përmbledhje poezishë nga Poet të ndryshëm. | |
|
Similar topics | |
|
| Drejtat e ktij Forumit: | Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
| |
| |
| |