Kristaq F. Shabani Miqte e Forumit
Numri i postimeve : 11718 Age : 65 Vendi : Gjirokaster, Albania Profesioni/Hobi : Poetry Registration date : 04/07/2008
| Titulli: POETJA ELSA CENAJ , VELLIMIN I SAJ POETIK " LOTI I AKULLT" Fri Dec 28, 2012 5:49 am | |
| Shtepia Botuese Grafike "Fishta" Prishtinë botoi librin me poezi "Loti i Akullt" të poetes Elsa Cenaj.
NJË LIBËR I ELEGJISË DHE I KUJTESËS QË DHEMB Posa lexon për herë të parë librin me poezi “Loti i Akullt” të poetes Elsa Cenaj, të krijohet përshtypja se ke të besh me një botë poetike nihiliste dhe pesimiste, por kjo ide vjen e ndryshohet sa me shumë që lexuesi thellohet në përmbajtjen, esencën dhe fuqinë meditative të autores. Ketë fakt e ilustron edhe vet poezia e saj e parë e titulluar ,,Mbijetoi”, e cila sikur dëshiron që t’i paralajmërojë lexuesit se edhe pse ndoshta jeta ndonjëherë tregohet e pa sinqertë me krijesën njerëzore, hapi jetësor nuk duhet të ndalojë gjerë në përmbushjen e misionit të saj. Edhe pse në parim poezitë ndjekin një linjë të rrëfimit të ndjenjës së përjetimit, sfidës, përballjes, shpresës e dashurisë që dhemb, të cilës hija i mbeti peng diku në gjurmët e jetës rinore, autorja brenda nëntekstit ngërthen dhe shumë situata jetësore të përjetimeve të cilat lexuesin e mishërojmë me atë gjendje dhimbjeje e përjetimi. Ajo mundohet që përmes vargut poetik t’i luftojë hipokrizitë e shekullit siç janë: mospërfillja, injoranca, përbuzja, mungesa e dashurisë, indiferentizmi, josinqeriteti, egoizmi, harresa, e zemra e bërë akull e gurë nga mungesa e dashurisë. Të gjitha këto autorja mundohet t’i luftojë me forcën e pendës dhe zemrës që ndjen e fal ligësitë e kësaj bote, të cilat me kalimin e kohës asaj ia kanë krijuar ,,oqeanin’’ e saj të dhembjes e mallëngjimit. Kjo dhimbje, e cila lexuesit të përthelluar i krijon përshtypjen e një ,,dhimbjeje moraliste’’, e cila nuk e kërkon vetëm dobinë dhe interesin vetjak por kërkon që kjo dashuri, kjo mirësi e ky sinqeritet të shpërndahet edhe me njerëzit e tjerë të cilët dhembja i kohës ua ka derdhur lotin mbi qepallat e tyre. Është kjo një dashuri flijuese e cila e sheh shpëtimin përmes zgjimit shpirtëror, lotit, shpresës e vetëngushëllimit, të cilat së bashku edhe pse me lotin në buzë kurrë nuk dinë të mallkojnë shtegun e jetës dhe dashurisë. Poetja shpesh se si me vetëdeshirë i kërkon reminishencat brenda qeniës së saj, sikur ka dëshirë që përmes lotit, dhembjes, e vetmisë ta ushqej thesarin e saj të zemrës e cila zëmër vuan e bashkëvuan si dikur, në rininë e hershme, ku shpeshherë ka dëshirë të shkrihet në krahët e dashurisë. Shkrirë në puthje të zjarrta dhe përvëluese, shpirti i autores shpesh di të ikë nga vështrimi i botës dhe të bëhet mike me vetminë e lumtur dhe heshtjen, e cila heshtje sjell trazimin më të zhurmshëm në vijat e mendimit e kujtesës së saj. Në këto valë shpirti, ajo bashkëbisedon me jetën, shpresën, mallëngjimin e durimin e hekurt e cila e dërgon deri në dialogje me Evën Biblike e cila kurrë s’u vërtetua se e kafshoi mollën e ndaluar, i cili mësim botës ia ka ngulfatur frymën. Autoren shpesh e zë agimi dhe me qepallat e rënduara e nga pagjumësia, duke u munduar që fatin e jetës së saj ta rikthejë në botën e ëndrrës rinore, ku shpirti i lënduar do tentonte ta jetonte një jetë ndryshe, pa dhembje e përbuzje. Autorja ëndërron të jetojë në një kohë e stinë tjetër, ku do ishte e lumtur, e lirë që të vrapojë fushave të dëshirave në horizontet e gjelbëruara, ku lumturia s’do kishte kurrë mbarim. Kjo është fusha e nostalgjisë e cila e shtyn autoren të shprehet se “Loti është thesari im’’. Pastaj të poezia “Dhe Loti” ky thesar qe e ka kalitur shpirtin e shumë krijuesve anekënd botës artistike. Këtë fushë përjetimesh më së miri e ilustrojnë vargjet e poetes:
ku dhembja e loti i kanë zënë vend dashurisë vetmia në mua ka ngrit mure si ta kaloj këtë breg dëshpërimi dua t’i shijoj e prek sadopak gjërat me ndjenjën e shpirtit të mos mbetem boshe, e pa vlerë… ku të marr forcë e të përballëm me të kaluarën e të tashmen me dhembjen që kalit shpirtin miku im
Autorja nuk i anashkalon edhe temat me motive sociale ku çiltërsisht dhe natyrshëm shpalos plagët familjare të cilat në mënyrë zinxhirore krijojnë mozaikun e dhimbjeve duke krijuar një Tablloid melankolie e cila situate breznitë dhe fëmijët e pafajshëm i përcjellë si hije.
në shtëpi e vetmuar pa dorë burri e veç kalamaj e grua, që duhet të përballesh me përgjegjësi t’burrit s’ke kohë të ankohesh kurrë e as lotin ta fshish nga faqja
Poetja, e ngërthyer në situata të ndryshme shpirtërore e emocionale kërkon që me fuqinë e imagjinatës ta përqafojë Ylberin e jetës që ta shijojë jetën me të gjitha bukuritë dhe dhuratat e saj. Ajo nuk dëshiron që dhuratë e saj e vetme e jetës të jetë dhembja por magjia e dashurisë e cila njeriun e katarzon, e ngushëllon dhe i jep shpresë për të ardhmen. Ajo nuk dëshiron që pjesa e qiellit të saj të jetë e tkurrur as e kufizuar, por shpirti i saj të lundrojë i lirë drejt qiellit të dëshirave dhe lumturisë, e cila lumturi do krijonte ringjalljen aq të kërkuar brenda ligjeve të fshehta të shpirtit rinor. Ja si shprehet të poezia “Më shiko”
pra ...bëj hapin e parë, largo gurin që ta mbanë peng dëshirën, jepi krahë buzëqeshjes, jetës. përqafoje të bukurën... të ndjeshmen, po të pres krahëhapur, më shiko e shijo me butësinë e shpirtit, mua gruan, që dirgjem e dirgjem për TY më shiko me zemër, e më shijo me shpirt do e ndjesh pendimin për lotët e dhembjen që nuk ti tregova kurrë...
Përmes rrëfimit artistik autorja ka dëshirë të shkrihet në ”Lulen e ëndrrës’’, por jo në lule zhgënjimi që në vazhdimësi vyshket brenda qiellit të saj të përjetimit, ku si shkak i kësaj vuajtje del besnikëria në dashuri.
të besova ty..! ta hapa portën e zemrës e në burimet e lotit tim të lashë t’i kuptosh ngjyrat e dhembjes, kisha gabuar
autorja ndjen të ftohtë shpirti por edhe zjarr shpirti në të njëjtën kohë, por është të ftohtit e kohës e mallëngjimit që drithëron brendinë e protagonistes, e cila kur lundron në qiellin e kujtimit, ndjen se kjo stinë jete do e përcjellë ëndërrimin e saj deri të varri. Pa dashje, në agun e asaj shprese mbillet vyshkja, kjo vyshkje në kohë e cila shpeshherë nga malli kthen kokën pas për mallin e saj të largët. Shpeshherë autorja ndjenë se as fjala e gjallë e shndërrimi në flutur s’do ta shpëtojë nga shtegu i mallëngjimit e kujtesës, dhe si gjethe që e bartë rrjedha e ujit dhe e dërgon në det nuk shpreson më në kthimin e saj në gjurmën e vjetër. Ekziston një ,,Pritje’’ malli e cila shpesh e lajthit dhe si fli shkrumbimi e dëshiron qenien e saj para magjisë së dashurisë. Ajo dëshiron të dhurohet në një kohë tjetër të sakrifikohet, të moliset e gëzohet nga dëshira që e pret me vite, ka dëshirë të lajthitet se koha ikën por shpresa ekziston, dhe se dielli i shpresës në dashuri ende nuk ka perënduar. Edhe pse fytyrën e Engjëllit shpesh e nuhat te djalli i maskuar, autorja prapë shpreson në dashuri. Shpreson në dashurinë rinore, dashurinë e nënës, të familjes, të njeriut e botës. Shpirti i saj nuk di të fle, nuk di ta ndalojë ritmin, ngrohtësinë, ritmin e shpresës, faljes e shuarjes. E përhumbur në ëndrra fëmijërore kërkon lartësimin në shpresë, edhe pse hapi i kohës shpeshherë bëhet pengesë për ta gjakuar ëndrrën. Është kjo shkrirje melankolike në kohë e cila shpesh e kthen në Shqipërinë e saj të vuajtur po edhe në bankat e shkollës ku qepallat e saj filluan të dridheshin nga ajri i ngrohtë i dashurisë se parë.
jetë rinore, jetë e nxënësit të qeshur me plot ëndrra e dëshira
Poeten e mundon dhe tundon largësia, atë e vret kujtesa sa herë merr rrugën e migrimit dhe si në pasqyrë shpesh i pasqyrohen gjurmët e jetës rinore por edhe vuajtjet e fëmijëve të pafajshëm të Kosovës që s’e jetuan jetën nga barbaria e luftës. Edhe pse e zhytur në horizontet e melankolisë autorja nuk i ikën dritës shpresuese e cila shprehet kështu: mëmëdheu që dirgjet, në mosha e stinë bashkë me rininë e dëshirën për jetën e agime të bardha të ditës së Re, e për bukën, për dritën, për buzëqeshjen, për lirinë, për dashurinë...
Autorja, përmes vargut elegjiak dhe vendlindjes së saj i këndon MACUKULLIT, ku e rriti shtatin e ëndrrat, ku përjetoi ajrin e ëndrrën vajzërore, ku sytë e shtati i saj nuk kishin kufi e ku qielli vështrohet me hapin e shpresës.
në shtegtim të jetës vështirë të kalërosh atin e ëndrrës duhet pranuar, se rrëzimi e ngritja janë pjesë e lojës së pabarabartë nëpër ngritjet e rëniet e jetës njeriu ka nevojë për njeriun... dhe një copë zemër.
Nga i gjithë ky mozaik i poezive, mund të konkludojmë se poezitë e Elsa Cenajt përmbushin normën letrare, artistike e estetike, të cilat të thëna të shkruara me një frymë e mbajnë gjallë emocionin e lexuesit, po me të njëjtën frymë e fuqi emocionale e shpirtërore që u shkruan.
RECENSENTI: Vilson Culaj, Klinë
| |
|