Kristaq F. Shabani Miqte e Forumit
Numri i postimeve : 11718 Age : 65 Vendi : Gjirokaster, Albania Profesioni/Hobi : Poetry Registration date : 04/07/2008
| Titulli: "DITET E PLEJADES"DHE MANIFESTIMI "100000 POETET E BOTES..." Tue Oct 02, 2012 8:31 pm | |
| 100 - vjetori i Pavarësisë: Bashkia Fier dhe Lidhja Ndërkombëtare e Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “Pegasi” Albania, aktivitet në Fier. NGA MAJLINDA RAMA
Bashkia Fier dhe Lidhja Ndërkombëtare e Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “Pegasi” Albania, kan ë organizuar një aktivitet në qytetin e Fierit. Kjo veprimtari, e konceptuar tërësisht ndryshe, solli për artdashësin fierak, në qendër të qytetit, jo vetëm këngën për të cilën shqiptarët kanë dëshmuar që e duan dhe e kanë identitet, por edhe letërsinë, krijimin, poezinë, kritikën, artin, magjinë e fjalës. Ky aktivitet letraro - muzikor erdhi në vazhdën e aktiviteteve që organizon Bashkia Fier, por edhe Lidhja Ndërkombëtare e Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “Pegasi” në kuadër të 100 - vjetorit të Pavarësisë. Merrnin pjesë në këtë aktivitet autorë nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe qytete të ndryshme të Shqipërisë.
“Dua të falënderoj në veçanti Presidencën e Lidhjes Ndërkombëtare të Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve ‘Pegasi’ që zgjodhi qytetin e Fierit, për të sjellë një mbrëmje ndryshe. Bashkia Fier do të jetë gjithmonë mbështetëse dhe suportuese e iniciativave të tilla, të ardhura këto, jo vetëm si ndërmarrje e emrave të njohur të letërsisë, artit dhe kulturës, por edhe nga emra jo shumë të njohur në skenën publike, por që sjellin te ne një dëshirë për të promovuar dhe përçuar ndër breza artin, letërsinë, të bukurën, humanen. Një aktivitet i tillë nuk ka se ku të tingëllojë më mirë se në qytetin e Fierit, në vendin e bashkëjetesës së paqshme dhe harmonike të komuniteteve të ndryshme, siç janë myzeqarët, çamët, kosovarët, labët e mallakastriotët, në qytetin që, vit pas viti, ka prodhuar emra të spikatur në të gjitha fushat, duke i dhënë Fierit identitet kompletar, si një kryeqendër të kulturës”, - ka thënë para të pranishmëve nënkryetari i Bashkisë Fier, Haxhi Kalluci.
“Të gjithë e dimë që shkrimtarët, artistët, krijuesit kanë qenë pararojë e ndryshimeve dhe zëri i prosperitetit. Janë shkrimtarët dhe artistët ata që në 100 vite shtet kanë ditur të ngrenë e të rrëzojnë sisteme, të kritikojnë e të bëjnë revolucion me gjuhën e fjalës, aq sa bukur na tingëllon vargu antologjik: ‘Me pushkë e penë për mëmëdhenë!’. E pra, ne kemi sot fjalën. Është pikërisht kjo, fjala, ajo që na bën sot, që të heqim dorë nga interesa të ngushta, meskine e vetjake, për t’u bërë një zë i fuqishëm, me shumë ngjyrime në këtë 100 - vjetor. Ky duhet të jetë misioni ynë i përbashkët, pa dallime siglash apo ngjyrash kulturore e letrare”, -ka thënë ndër të tjera presidenti i Lidhjes LNPSHA, Kristaq Shabani.
Aktiviteti u fokusua në dy emra të njohur të letërsisë, që janë njëherazi bijtë e Fierit, Jakov Xoxa dhe Nasho Jorgaqi, por nuk iku vëmendja për asnjë çast nga poetët e mëdhenj të kombit, si: Naim Frashëri, Andon Zako Çajupi, Gjergj Fishta, Migjeni, Ndre Mjeda, Pashko Vasa, Ismail Kadare, Dritëro Agolli etj. Interes të veçantë pati kumtesa e sjellë nga studiuesja Rajmonda Maleçka me temë: “Nasho Jorgaqi, prurësi më serioz i Fan Nolit të madh”. Ndërkohë, në ditën e dytë të aktivitetit, ditë që përkonte me iniciativën e lëvizjes për një botë ndryshe, u zhvillua një takim në Bibliotekën Publike të qytetit. Në këtë mënyrë, të pranishmit, përfaqësues të letrave, iu bashkuan manifestimit “100 mijë poetë në botë për ndryshim”. Manifestimi poetik u organizua me një ekspoze librash të autorëve shqiptarë dhe atyre pjesëmarrës në manifestim, ku, më së shumti, u vendos theksi te humanizmi njerëzor, paqja universale, respektimi i së drejtës dhe mirësia njerëzore. Po ashtu, mesazhi i manifestimit ishte për një mirëqenie të përgjithshme, duke respektuar politika ekonomike ndryshe, për të luftuar varfërinë e tejskajshme, shmangie të krizës ekonomike dhe ekologjike, luftë kundër plagëve të rënda shoqërore, si: droga, prostitucioni, trafikimi i qenieve njerëzore etj. Pas kumtesave dhe interpretimit të poezive, Bibliotekës Publike iu dhuruan nga Lidhja “Pegasi” një numër i konsiderueshëm librash në gjuhën shqipe. Nuk mungoi në këtë aktivitet edhe ndarja e titujve për emra me kontribute në letërsi dhe jetën kulturore të vendit. Pas veprimtarisë, të pranishmit vizituan studion e punës së skulptorit Haxhi Kalluci. Ky i fundit, prej disa muajsh, po punon me portretin e Ismail Qemalit, i cili pritet të përfundojë shumë shpejt.
| |
|