Këngëtarja Altuna Sejdiu – Tuna, e cila këndoi në koncertin e shumëpritur të reperit të famshëm Busta Rhymes në Prishtinë, është shprehur e pakënaqur me sjelljen që ai ka bërë, derisa ka zbritur në aeroportin e Kosovës.
Nuk mjaftoi që shtyu dy herë brenda një kohe të shkurtër datat e koncerteve, por ai nuk ka përshëndetur askënd nga personat e pranishëm që e prisnin (mes së cilëve shumë media dhe fansa), sapo zbriti nga avioni rreth orës 15:00 të ditës së Martë. Ai zbriti shkallët e avionit, duke folur në celular dhe me të hipur në autobusin që kishte ardhur enkas për ta marrë, vuri kufjet në vesh dhe nisi të dëgjonte muzikë, pa e vrarë mendjen fare për fansat e tij, që një natë më parë e kishin pritur me orë në koncertin, që nuk u realizua, për shkak se Busta kishte “ngecur” në aeroportin e Romës.
Ai ndoshta ka qenë shumë i lodhur, për shkak të pritjes së gjatë në aeroportin e Romës, gjë që bëri që koncerti të shtyhej me një ditë më tepër, por gjithsesi gjesti ishte i patolerueshëm… Kjo sjellje e pahijshme nuk i ka shpëtuar as syrit të mprehtë të Tunës, e cila ka shkruar kështu dje: “Edhe pse jam shumë e zhgënjyer nga sjellja joprofesionale e një ylli të madh siç është Busta Rhymes, sonte unë do të ndez skenën e këtij koncerti për fansat e muzikës sime”.
Tuna ishte një nga këngëtaret, që ngrohën atmosferën në sallën “1 Tetori”, ku më në fund u zhvillua koncerti i parashikuar për mbrëmjen e së hënës, ku të paktën 3 mijë fansa kanë pritur për më tepër se dy orë që Busta të shfaqej në skenë, por kjo gjë nuk ndodhi. Publikun i irrituar filloi të hedhë kanaçe në drejtim të njërit prej organizatorëve, teksa ai po u njoftonte të pranishmëve lajmin, se Busta nuk kishte ardhur ende në Prishtinë.
Veç zhgënjimit të madh të të rinjve, gjatë këtyre orëve pritje ka ndodhur edhe një zinxhir aksidentesh automobilistike, ku janë përfshirë me dhjetëra makina, fatmirësisht pa dëme në njerëz. Koncerti i Busta Rhymes u krye tani, presim të shohim se çdo të ndodhë me atë të Shakirës, e cila gjithashtu është premtuar nga disa organizatorë kosovarë!