Disa aforizma nga libri im i pare me aforizma “Rreze Drite” . Copyright Arjol Lluka.
Asgjë në këtë botë
Nuk është absolute
Çdo mendim që hidhet
Mund të përmbyset.
Koha është thesari
Më i çmuar në botë
Ai që s’e shfrytëzon
E humbet jetën kot.
Ai që do të ketë
Librat shokë
Kurrë s’do ta ndiejë
Shpirtin e tij bosh.
Edhe sikur vendi im
Të jetë një plehrë
Unë prapë do ta dua
Sepse atje kam lerë.
Ai që mposht nevojat e tij
Është zot i vetvetes
Ka arritur të triumfojë
Mbi gjënë më të tmerrshme.
Bukuria fizike
Ka një afat skadence
Kurse bukuria e mendimeve
Është e përjetshme.
Për gjëra që nuk i di
Hesht dhe dëgjo
Sepse po fole
Do të dalësh blof.
Kush ka dëshirë
Pasion dhe vullnet
Gjërat e pamundura
I kthen në realitet.
Më mirë të bësh një hiç
Dhe të jetë e jotja
Sesa të vjedhësh mrekullinë
Që ka krijuar bota.
Njerëz të mëdhenj
Në këtë jetë
Janë ata që bëjnë të mira
Kur kanë pushtet.
Të gjithë bëhen si shenjtorë
Me dëngla dhe llafe
Por kur vjen puna të veprojnë
Zhyten në mëkate.
Kush kujton se është i mençur
Veten e tij gënjen
Do të ngelet si uji i ndenjur
Që qelbet shumë shpejt.
Më mirë të pyesësh
E të dukesh budalla
Se të hiqesh si i zgjuar
E të ngelesh injorant.
Llafe dhe dëngla
Dëgjojmë përditë
Kush është i zoti
T’i bëjë gjërat në praktikë.
Gjërat e përsosura
Janë thjesht një ideal
Pjella fantazie
Që askush s’i ka parë.
Kush e konsideron veten
Të përsosur dhe superior
Është tërësisht i shkreti
Një i sëmurë mendor.
Arti është një botë
Ku kënaqësia s’ka fund
Por që të arrish atje
Do shumë djersë e mund.
Mos u shisni shumë mend
Atyre që u mësojnë
Se është një budallallëk
Që e bëjnë veç ca idiotë.
Pushtetin dhe lavdinë
E duan të gjithë
Kush e mohon këtë gjë
Është një hipokrit.
Mos u tallni me fatkeqësinë
Që u ka ndodhur të tjerëve
Sepse fati mund t’ua sjellë
Edhe juve të nesërmen.
Njeriu mund të gjejë
Plot mënyra për t’u shfajësuar
Por gabimi gjithmonë
Me kurajë duhet pranuar.
Atdheu kurrë s’duhet sharë
Dhe të hidhet poshtë
Se shëtitët në ca vende
Rreth e rrotull nëpër botë.
Më mirë të bëhesh një mediokër
Sesa të kesh frikë të guxosh
Të paktën e di që je përpjekur
Të bësh diçka në këtë botë.
E vetmja dashuri
Që është pa interes
Është ajo e prindit
Për fëmijën e vet.
Xhelozia në thelb
Është një dobësi
Që s’duhet ta lejosh
Të të qorrojë sytë.
Mos i vrisni ëndrrat tuaja
Se kështu duan të tjerët
Se pastaj gjithë jeta juaj
Do të jetë një gënjeshtër.
Vetëm femrat naive
Me trutë e marrosur
Kujtojnë se ekziston
Mashkulli i përsosur.
Përulja dhe modestia
Janë virtyte të të mëdhenjve
Pavarësisht se s’e kuptojnë
Turmat e budallenjve.
E bukura gjithmonë
Ka ngjallur kureshtje
Magjia e saj hyjnore
Të gjithë i bën për vete.
Për gjërat që nuk i dini
Mos u hiqni si kompetentë
Se do të qeshin me juve
Njerëzit që janë ekspertë.
Lamashët që bëhen trima
Me njerëzit e mirë
Dridhen si lepuj nga frika
Kur japin llogari.
Kini gjithmonë kujdes
Nga servilët e të madhit
Janë ata shpeshherë
Që pabesisht ta bëjnë varrin.
E bukura gjithnjë
Mendjen ta trullos
Edhe sikur të duash
Asaj t’i rezistosh.
Mësoni gjithmonë
Nga gabimet e të tjerëve
Që të mos i bëni
Edhe ju të nesërmen.