Këto janë disa poezi nga libri im i tretë me poezi. Çdo sygjerim ose kritikë është e mirëpritur. Ju falënderoj për kohën tuaj.
KLOUNËT
O meshkuj hipokritë
Që shani të ashtuquajturat kurva
Mos u shtirni kaq shumë
Se për to u thahet buza.
Kot lodheni, or të mjerë
Me përrallat e moralit
Gënjeshtrat që ju thoni
Ua hedhin poshtë sytë e ballit.
Çdo gjë është shumë e qartë
Nga vështrimet që u hidhni
Asgjë s’mund t’i mbulojë dot
Dëshirat që u kërkon shpirti.
Më mirë të tregohesh vetvetja
E të dukesh pervers
Sesa të jesh një kloun
Që hiqet sikur është shenjt.
MË FAL
Më fal, o zemra ime
Nëse të kam lënduar shpesh
S’e kam bërë me qëllim
Më beso, s’të gënjej.
Jam treguar budalla
Që luajta me ndjenjat e tua
Por thellë brenda meje
Kjo gjë më ka munduar.
Mos më torturo, o vogëlushe
Për gabimet që kam bërë
Sepse më vret ndërgjegjja
O e bukura hënë.
Unë nuk jam i përkryer
Dhe as mbinjeri
Por ty, o jeta ime
Të dua me gjithë shpirt.
MITET
Mos ki turp për prejardhjen
Thjesht tregohu modest
S’e bën vendi të njohur njeriun
Por veprat që ka bërë në jetë.
Mos u mburr me të shquarit
Që ka nxjerrë krahina jote
Këtë gjë e bëjnë budallenjtë
Dhe ca mendje boshe.
Vetëm duke krijuar
Mund të bëhesh i dobishëm
I nderuar dhe i respektuar
Dhe ndoshta i rëndësishëm.
Vetëm bëmat madhështore
Mund t’i krijojnë mitet
Jo fjalët e shumta
Dhe dënglat naive.
BIJTË E KAPOSHIT
Rrihini krahët
O bijtë e kaposhit
Rrënjët e injorancës
Dhe ushtarët e paradoksit!
Hiquni, o derra
Sikur e keni krijuar ju këtë botë
Dhe majave të mençurisë
U keni dalë për zot!
Bjeruni me forcë gjokseve
Bëjini ato gropë
Që ta mësojë gjithë njerëzia
Që jeni ca idiotë!
IDEALISTI
Unë skllavi i lekut
S’kam për të qenë kurrë
Zemrën time, o shokë
Asnjëherë s’do ta bëj gur.
Paratë, o miqtë e mi
Venë dhe vijnë
Kurse personaliteti i njeriut
Prishet për një ditë.
Nuk e bën pasuria
Figurën e madhe
Por veprat e pavdekshme
Dhe idetë përparimtare.
Nuk i bëjnë milionat
Mrekullitë njerëzore
Por karakteret idealiste
Të mbrujtura me pasione.
AMANETI I ATDHETARIT
O miqtë e mi të dashur
Dëgjomëni me kujdes
Para se t’i mbyll sytë
Kam një amanet:
Dua të më prehen kockat
Në vendin që linda
Ku pashë për herë të parë diellin
U bëra burrë dhe u rrita.
Në tokën e shqipeve
Atje dua të më bëhet varri
Që gjithë bota ta dijë
Që kam qenë, bir shqiptari.
NDRYSHIMI
Ndryshimi do të vijë
Sado që ta pengoni
Lumin që vërshon
Nuk mund ta ndaloni.
Mos bëni kot prita
Se çdo gjë do shembet
Orteku që rrëshqet
Nga mizat nuk trembet.
Nuk e mban dot vullkanin
Një kapak alumini
Këto gjëra i mendon
Vetëm mendja e debilit.
Evolucioni në kohë
Është i pashmangshëm
S’e ngrijnë dot qeveritë
Dhe as pushtetarët.
THESARET MADHËSHTORE
O libra të dashur
O miq të mirë
Ju na hapni sytë
Dhe na mbushni me dritë!
Na fusni në botën e bukur
Të mrekullueshme të diturisë
Na bëni të prekim me dorë
Magjinë e mençurisë.
Raca njerëzore pa ju
Do të ishte një turmë me bagëti
Që do të endej sa andej-këtej
Në llagëmet me errësirë.
Ju, o thesare madhështore
E shndërroni kafshën me logjikë
Në një qenie superiore
Me emrin njeri!
NËNË TEREZA
Nuk të mposhti dot
Malaria dhe lebra
Moj bija e humanizmit
Hyjnorja nënë Tereza.
Ti u dhe dritë
Viktimave të varfërisë
I tregove botës
Fuqinë e mirësisë.
Ti ngjalle shpresën
Te miliona vetë
Zgjove nga gjumi ëndrrën
Te njerëzit e vobektë.
Me qindra shtetarë
Ty të admirojnë
O grua fisnike
Me mision qiellor.
Ti je një model
Për racën njerëzore
O femër e rrallë
Me tipare engjëllore.
Na mbushe me nder
Na bëre krenarë
O hëna e artë
E kombit shqiptar.