|
| NJË SHKRIMTARE QË PO BËN EMËR ME VEPRËN E SAJ, ALBINA IDRIZI | |
| | |
Autori | Mesazh |
---|
Kristaq F. Shabani Miqte e Forumit
Numri i postimeve : 11718 Age : 65 Vendi : Gjirokaster, Albania Profesioni/Hobi : Poetry Registration date : 04/07/2008
| Titulli: Re: NJË SHKRIMTARE QË PO BËN EMËR ME VEPRËN E SAJ, ALBINA IDRIZI Wed Dec 22, 2010 12:36 pm | |
| Ndoshta për këtë pjesë të krijimtarisë së Albina Idrizit është folur më shumë, por unë, si për të vazhduar idenë e konstruksioneve moderne, do të doja të sillja në vëmendjen e auditorit një poezi të saj që ndoshta më ngjan si një reminishencë e romanit që analizuam, si vijimësi të ideve të tij, ose të pas-ideve, sepse tashmë, ashtu siç paqja ka rënë në Kosovën e pasluftës, edhe te autorja ndihet një vetpërmbajtje e admirueshme kur lexojmë poezinë “Sot putha armikun tim”. Kam shkruar një shkrim të veçantë edhe për këtë, por në vëmendjen e auditorit të sotëm do të dëshiroja ta rikujtoja.. Ndodh në krijimtarinë letrare që në një vëllim me poezi, apo në një vëllim me tregime të shquaj për mbi të tjerat kryevepra e atij libri. Ndodh gjithashtu, që libri të ketë tri-katër poezi, apo tregime të dobëta, të cilat gjithsesi nuk përcaktojnë talentin e autorit. Në një faqe interneti, mes së cilës komunikojnë tashmë mliona njerëz, gjeta të publikuar një poezi të Albina Idrizit, me titullin intrigues “Sot putha armikun tim”. Sapo e lexova se vjersha, për mendimin tim, është një krijim antologjik, ndoshta nga më të bukurit e veprës së saj, por edhe më gjerë. Një dorë e shtrirë ndaj armikut, ka qenë gati-gati, një temë tabu në vitet e diktaturës, por edhe sot vazhdon të tingëllojë si një habi njerëzore. Në novelën e tij “Krushqit janë të ngrirë”, shumë vite më parë, I. Kadare bënte një përpjekje për të krijuar kolonën e krushqëve në drejtim të armiqëve shekullorë, kombit serb, i cili u kishte shkaktuar shumë fatkeqësi shqiptarëve, sidomos në shekullin e XX. Por edhe shkrimtari i madh besonte se “krushqit” ishin të ngrirë nga acaret nacionaliste dhe nuk mund të udhëtonin në drejtim të njeri – tjetrit për të këmbyer së fundi faljen e madhe. As sot nuk po ndodh kjo. As sot, kur Kosova është e çliruar së fundi... Poezia e Albina Idrizit është përpjekja më e fundit, jo diplomatike, por njerëzore, poetike dhe kulturologjike për të treguar se shqiptarët janë një komb paqedashës. Një komb që, megjithë përgjakjet që kanë pësuar, pa sulmuar askënd në histori, janë gati të “puthen” me armikun e tyre shekullor jo për t’u nënshtruar, jo për t’u përulur, por për të kthyer armikun në mik, për të sjellë në vete njeriun,... Albina Idrizi hynë drejtëpërdrejtë në temën e saj, ashtu thjeshtë e bukur.. Sot putha armikun tim, Lehtë, butë, qetë...
| |
| | | Kristaq F. Shabani Miqte e Forumit
Numri i postimeve : 11718 Age : 65 Vendi : Gjirokaster, Albania Profesioni/Hobi : Poetry Registration date : 04/07/2008
| Titulli: Re: NJË SHKRIMTARE QË PO BËN EMËR ME VEPRËN E SAJ, ALBINA IDRIZI Wed Dec 22, 2010 12:36 pm | |
| Ndryshe nuk mund të ndodhte. Nëse nuk do të ishte - Lehtë, butë, qetë,.. nuk mund të puthej. Por vini re, kategorizimin e armikut nga autorja..”Atij i dogj në buzë e imja”. Sigurisht. Nuk e mendonte, nuk e priste këtë dorë të shtrirë paqeje. Por, gjithsesi nga ky hap gjigand, tragjik, njerëzor, shpirtmadh çdo gjë e hekurt shkriu. E hekurt - thotë autorja. E gjitha makineria e luftës që pat vjellë zjarr, që pat shkaktuar aq e aq viktima, ndoshta 10.000 të vrarë, si në Kosovë, nga kjo puthje shkrin plotësisht, pa shpresën se do të ringrihet përsëri në këmbë. Vargu, .."Çdo gjë e hekurt shkriu mes nesh.." është, për mendimin tim, një nga sintezat më driththëruese të konflikterve të sotme mes njerëzve, mes popujve, mes luftës dhe paqes ka një fuqi aq të madhe sintetizuese sa, poetikisht, do ta quaja një nga vargjet më të bukura të letërsisë. Dhe e gjithë kjo ndodhi vetëm nga një puthje... Nuk e bënte tjetër loti syrin e tij Por lumturia ime e pushtuar Se ktheva në vete Njeriun..
Albina Idrizi mendon se njeriut po t’i kthesh lotin, i kthen vetveten, i kthen dhimbjen, i ul egërsinë, i kthen logjikën dhe ai ndihet tashmë i çarmatosur krejt. Ky zhbirim psikologjik i autores tregon se ajo ka për vete një shpirt të ndjeshëm, njerëzor dhe beson në pendimin, një doktrinë e lashtë sa qytetërimet dhe e publikuar thuajse nga të gjitha fetë e botës. Por autorja ka gjithashtu besimin se nga kjo “puthje”, nga ky gjest fisnikërie, “nesër... ai do të zgjohet i dashuruar”. Për poezinë në fjalë ka pasur edhe një nëvizim tjetër përveç mendimit tim. Është shprehur ideja se autorja mund të jetë puthur me armikun e vetvetes, pra me anën kundërshtuese të personalitetit të vet. Do ta mendoja si shumë interesante edhe këtë ide, sikur të mos dyshoja se pesha e poezisë do të zvogëlohej disi, do të miminizohesh gjeografia e interesave ndërsa hapësira poetike do të ngjante më e ngushtë. Gjithsesi ne vetëm komentojnë, autorja e di më mirë prej gjithsecilit prej nesh se përse e ka shkruar këtë poezi. Pavarsisht kësaj, për mendimin tim, poezia “Sot putha armikun tim” e shkruar nga një grua, e shkruar nga një grua kosovare, ca më shumë, e shkruar nga një poete, sikur të ngjit vetiu jo vetëm në majat e ideve më të bukura njerëzore, por në majat e diplomacisë, kulturës, traditës e miqësisë midis popujve. Poetja e ka selitur këtë mënyrë të menduari thuajse në të gjithë krijimtarinë e saj. Këtë mbrëmje të Vjeshtës Letrare për krijimtarinë e Albina Idrizit, nuk më mbetet gjë tjetër, veçse t’i uroj nga zemra arritje të tjera më të mëdha në të mirë të letërsisë shqiptare..
| |
| | | Kristaq F. Shabani Miqte e Forumit
Numri i postimeve : 11718 Age : 65 Vendi : Gjirokaster, Albania Profesioni/Hobi : Poetry Registration date : 04/07/2008
| Titulli: Re: NJË SHKRIMTARE QË PO BËN EMËR ME VEPRËN E SAJ, ALBINA IDRIZI Wed Dec 22, 2010 12:36 pm | |
|
Nexhat Rexha
ENIGMA E KULLAVE TË BOSHATISURA
Albinë Idrizi: ”Hijet e kullave” Botoi ,”Rozafa”,Prishtinë,2009,fq.134.
Hyrja në brendinë e romanit “Hija e kullave’ , të autores Albinë Idrizi afron ngjarje të përjetuara nga një shtresë e gjerë njerëzish e lexuesish. Shtjellimi i ngjarjeve në roman, nuk është eksperiencë e shkrimit,por është eksperiencë e jetës, e më shumë trashëgimi,që ka prodhuar jeta me të ndodhurat e saj në Kosovë. Narracioni i shtruar si ngjarje e si temë në roman,qartëson një periudhë kohore relativisht të shkurtër e të afërt,sapo ka mbushur dekadën e parë të jetës së saj. Përjetimi i të ndodhurave edhe si ngjarje të rrëmben të tërin,sepse ajo që rrëfehet në vepër e tëra ka ndodhur,e i pa informuari(apo i pa përjetuari i kësaj drame) mund të shtrojë pyetjen?, mund të ndodhin gjëra imagjinatave në letërsi,por sigurisht se është e vështirë të besohet se në këtë fundshekull të vriten njerëzit e pafajshëm si insekte, është kjo e vërtetë e qartësuar në roman. Pra për ne, që i kemi përjetuar e bashkëjetuar këto ngjarje e zhvillime makabre nuk kemi dilema se a kanë mundur të ndodhin këto skena rrëqethëse në trollin tonë, ndoshta edhe me keq,por ne e shtrojmë çështjen,se; duhet të shkruhen edhe shumë vepra të tjera ,si kjo e autores Albinë Idrizi. Duke lexuar këtë roman ,dalin në pah edhe dilema e definicione të kufizuara e të kristalizuara për artin në përgjithësi ,se dora e mendja e artistit krijon art apo arti krijon artistin për të shprehur e shpalosur ato që prodhon jeta me veçantitë e veta ,nëpër periudha të ndryshme kohore. Gjithsesi kemi një shkrirje të dy gjërave të mundshmes reale dhe vështirë të besueshme dhe asaj jo reale,por që nuk ka diçka të pabesueshme. Krejt kjo varet nga optika e vështrimit,sepse sikur drunjtë e një mali,nëse vështrohen nga largësitë ata duken shumë të përafërt,por nëse vështrohen aga afërsia dhe njeriu hynë në brendinë e tyre, gjithsesi ndërron mendjen,se largësitë dhe afërsitë të diktojnë të ndryshosh mendimin paraprak dhe kështu njeriu me veten bie në kundërshtim. Pra,kështu edhe në romanin Hijet e kullave kemi kundërshtimin me veten edhe me protagonistin kryesor të romanit Zoran Petroviqin, i cili lufton me botën e tij të brendshme,por në asnjë moment nuk merr guximin e hapur të luftojë me padrejtësitë,që bënë funksioni i tij prej koloneli dhe ushtarët e tij,kundër një populli të pa fajshëm e të pambrojtur në shtëpitë e tyre. Autorja në roman ka shtruar ngjarje në një pjesë të Kosovës,duke e përqendruar vëmendjen e lexuesit në qytezat ; Vicianum dhe në Skënderaj ,qëllimi i jashtëm dhe ë brendshëm është i qartë ,sepse ajo nuk dëshiron të dallojë ngjarje e personazhe,por trajton me një frymë realiste ngjarjet dhe të ndodhurat e kësaj lufte në Kosovë. Ajo ka sintetizuar mjaft bukur nyjat e kësaj lufte dhe i ka shfrytëzuar elementet faktografike të njohura edhe për klasën politike evropiane,duke e ndërlidhur edhe lidhjen e miqësinë e Zoran Petroviqit me shokun e tij të fëmijërisë, i cili kishte luftuar në Bosnje dhe ishte plagosur,por tani heshtja dhe mbyllja në vete e Zllatos,mikut të tij, i qartësojnë të ardhmen jo vetëm të kryeprotagonistit të romanit, por përmes të cilit barten rrëfimet e kohërave e ngjarjeve ,që në vete ruajnë imazhe shumë interesante dhe me pasoja për të ardhmen e njeriut. Mirëpo, ajo që trashëgohet e shumohet për të keq,nuk i humbë gjurmët e veta dhe gjithsesi i ka edhe ithtarët në vazhdimësi. Rrëfimet bëhen gjithherë, e ato nuk zgjedhin vend ,por gjejnë moment të përshtatshëm për t`u treguar. Kështu,rrëfimi retrospektivë për kolonizimin e tokave shqiptare dhe dominimi politik serb,sipas Programit të Naçertanias 1844, dhe tregimi paramilitarit Marko me kolonelin Zoran Petroviq ,janë imazhe,personifikuese për tregimin e gdhendjes së shqiponjës në drurin e fatit tonë. Apo rrëfimi i Dritonit,që bënte në Beograd me eprorin e ardhshëm që vjen në Kosovë,për ta shijuar ushqimin specialitet të shqiptarëve më emrin Fli. Pra, këto dy rrëfime e të tjera, ruajnë në vete edhe anën mistike që prodhon jeta, jo kudo në botë, por në tokën e shqiptarëve këto fatkeqësi janë përsëritur gjatë shumë periudhave historike nga i njëjti okupues. Ballafaqimi me UÇK-në,nuk doli i lehtë ashtu siç iu kishin thënë në Beograd,as kolonelit, e as paramilitarit Marko. Vrasja e familjes Jashari, komentohej në mënyra të ndryshme tek ushtarët serb. ” Që thoni ju,ai kishte qenë mor vëlla përbindësh e kaluar përbindëshit. Dhe mirë bëmë që e zhdukëm me gjithë çka kishte. Shpresoj të mos ketë mbetur asnjë farë Jashari mbi tokë............ Kam dëgjuar se disa nga ata kanë shpëtuar gjallë,- ia preu fjalën një ushtarë me zë të lartë që i buçiti si trumbetë,pasi ishte më larg tyre. Ushtari me tatuazh instinktivisht brofi në këmbë i trembur thua se Jasharajt hynë aty brenda.”fq.46. Nami i Adem Jasharit,sa vinte e shtohej edhe në mesin e ushtarëve të kolonel Pertoviqit. Hija e këtyre kullave me gurë ,ruante e trashëgonte në vete një forcë të veçantë e dalluese ,sepse ato digjeshin ,por oxhaqet nuk shembeshin,kjo pamje diktonte të besonin në mite,se kur nuk shembet oxhaku nëpër stuhi , e ardhmja është e atij populli. Sa zhvillohej lufta UÇK-së dhe NATO-së,aq më tepër ata tmerroheshin për të ardhmen e tyre,edhe pse plaçkitjet,dhunimet,vrasjet ,djegiet nuk i ndalnin,por në vete filluan të dyshojnë,se planet ushtarake të tyre vazhdimisht zbeheshin. Kjo e tmerroi edhe paramilitarin Marko,kush do ta imagjinonte nga ushtarët se ai një ditë do të bëjë vetëvrasje si shumë të tjerë. Këto dhe skena të tilla pasqyrojnë pamjen e humbësit dhe realen e zhvillimit të ngjarjeve në roman, e asaj që ka ndodhur para syve të botës. Parashtrimi i këtyre skenave fuqizon objektivitetin e një periudhe historike,sa tragjike ,po aq edhe domethënëse, jo vetëm për përfundimin e kësaj lufte tmerruese,por është edhe reflektuese për atë që ka ndodhur në Kosovë mbi popullatën e pa mbrojtur. Njëherit,autorja e ka kursyer lexuesin me përshkrime të përditshmërisë,që kanë ndodhur nëpër të gjitha vendbanimet e Kosovës edhe pse skenat e këtij tmerri janë të pa fund. Albinë Idrizi në tërësinë e mbarështrimit të ngjarjeve e narracionit të romanit është racionale në shumë pikëpamje, e ky racionalizëm i kultivuar e begaton përmbajtjen dhe mesazhin e saj për lexuesin dhe letërsinë në përgjithësi. Pra,ideja e autores në mbarëshkrimin e fatit të kolektivitetit tonë,vjen fuqishëm përmes dialogut e më shumë përmes monologut të Zoran Petroviqit, atë e ndjekin hijet e kujtimeve,hijet e shkollimit ,ku ai është farkues i tyre,me dashje apo pa dashje,ai është epror me gradën e kolonelit dhe fundi i fundit shteti i tij i ka dhënë atij dekoratën “URDHËRI I LIRISË”,e lexuesi do të pyes të cilës Liri?. Holucinacionet e kolonelit z.Petroviq në shtëpinë e gurtë,janë gërshetuar mirë. Ndërsa, ndjenjat për një shtresë të njerëzve,si malli e dashuria për vajzën së tij Marina në Beograd e ndjek atë kudo që shkon, prandaj edhe në halucinacionet e tij, kur përmend emrat; Liza, Marina dhe Agimi kanë peshë fajësie. Autorja romanin e përfundon me mesazhe të qarta,sepse diktatorët at që mbjellin edhe atë kanë për ta korrur herët a vonë. Ndërsa, ndërgjegjja e kryeprotagonistit Zoran Petroviq ,vritet edhe më shumë,para më të dashurës së tij Marinës,që vazhdimisht hija e saj e ka ndjekur. Pra ,kur njeriu i gabuar vëhet në ngjarje e misione të gabuara, padyshim se tragjikja është e pashmangshme dhe ajo padyshim se është rezultat i një zeje me prodhime të pa vlefshme. Përcaktimi i fatit të një individi përshkohet dhe shfaqet bashkë me tmerret, e si rezultat i zhgënjimeve të një politike grabitqare,që gjithnjë ka ushqyer veten me projekte iluzore për ta zhdukur një popull të tërë,kjo është një katarzë që duhet të përfundojnë të gjithë ata projektues në të njëjtën kat të ferrit. I tërë kompozicioni i romanit dhe krijimi i situatave me një arsenal të fuqishëm të bindjeve politike ngërthen në vete një galeri të identifikuar të personazheve e peizazheve që duken nga afërsia. Autorja e riaktualozon tërë këtë proces politik duke i dhënë gjak e motivim identitetit kohor dhe njerëzor,që parashihej të damkoste tërë një populli të pa fajshëm e të pa mbrojtur. Aktualiteti i kësaj ngjarje është gjithnjë i hapur dhe motivon relacionin e njohjes më të madhe për të djeshmen artikuluese me refleksione relaksuese për të ardhmen. E rëndësishme është se autorja ka shtruar në roman, temën e luftës dhe ka afruar jo vetëm tabllo të të rëndësime për t`i dhënë lexuesit shprishjen e koncepteve ideologjike dhe me pasojat e saja të pa shërueshme që ka prodhuar politika gjenocidiale e intrumentalizuar nga filozofia mitike e motivuar në enigmatikën e dhunimit,plaçkitjes ,vrasjeve më tragjike dhe duke lënë konflikte të hapura për ta shfajsur veten . Pra, vlera e romanit qëndron në korrektësinë e realizimit objektiv si dhe në mënyrën e rrëfimit klasik, e të përforcuar me anën leksikore e semantike,gjithnjë duke e ruajtur nivelin artistik, e për t`i dhënë funksion zgjidhjes së enigmës për boshatisjen e kullave ,si dhe shpalosjen e zhgënjimit të një koloneli për të bërat e tij. Rëndësia e romanit do të rritej sikur ai të përkthehej edhe në gjuhën serbe.
| |
| | | Kristaq F. Shabani Miqte e Forumit
Numri i postimeve : 11718 Age : 65 Vendi : Gjirokaster, Albania Profesioni/Hobi : Poetry Registration date : 04/07/2008
| Titulli: Re: NJË SHKRIMTARE QË PO BËN EMËR ME VEPRËN E SAJ, ALBINA IDRIZI Wed Dec 22, 2010 12:37 pm | |
| Besnikëria e hijeve
Në romanin e Albina idrizit, Kosova shungullon si një lumë kujtimesh, mendimesh dhe trishtimesh. Libri i saj është edhe një mbrojtje e re në emër të dashurisë dhe të jetës së lindur përjetë, ngase, madje edhe lumi i ka brigjet e tij, apo jo?
Nga Mihai Antonescu
Ekzistojnë momente në jetën e njerëzve kur gjithçka reduktohet në asgjë, ndërsa asgjëja kaplon dimensionet e shpresës së fundit prej nga mund të riintegrosh dikurë fijen e një fillimi të ri. Të ripërtëritjes së së ekuilibrit, dhe natyrisht, të shpirtit dhe kuptimit. Na flet prë këtë, në një gjuhë krejtësisht të veçantë dhe me një forcë depërtimi të jashtëzakonshëm, Albina idrizi, në Hijet e Kullave, roman i botuar në Bukuresht, në bashkëveprim me Bashkësinë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë. I shkruar në regjistrin dramatik mbi përmasa të kohës dhe të harresës së njerëzores nga njerëzit, teksti të cilit i referohemi ndërtohet mbi një dëshmi të përgjakur duke reflektuar në një hapësirë të vogël, duke nyancuar ekzodin e madh në kohë dhe dashuri të një populli të ashpër, duke mbajtur me krenari historinë dhe plagët para një Evrope shpesh të pandjeshme ndaj vuajtjeve të fëmijëve të saj.
Duke e deshifruar përmbajtjen, u vumë domosdoshmërisht në peshoren ndërmjet dramatizmit të situatave dhe forcës së eksponimit të tyre, shenjë e vlerës së pakontestueshme për të cilën jep dëshmi Albina idrizi, duke na trishtuar në drejtim të admirimit siç do të thuhej, në një lojë pothuajse të pamundshme. Ka në libër sqena të tmerrshme, material autentik dhe episodik i përjetuar për së gjalli nga pala shqiptare, që i japin konture subjektit, vlerë dorëshkrimit dhe mesazh me tentë precize për një ardhmëri të shpresuar, idealiste në kuptimin e lumtur të fjalës Balsam për plagët mbi një termin të gjatë, ngase lëvizim ndërmjet paqartësisë dhe ambiguitetit, aq kohë sa të fuqishmit e botës e ndajnë historinë (më mirë thënë e shkruajnë) sipas interesave të tyre, duke përfituar mbi një kohë të pacaktuar. E këtillë është ajo vuajtje e brendshme, te përcjellësi, siç mund të thuhet, me të cilin njeriu pa faj jeton përmes mirëkuptimit, por jo edhe përmes përfilljes së kushtëzuar deri në pambarim.
Kullat e Albina idrizit janë shenja të qëndresës, të durimit në përkufizim, derisa hijet e tyre i shoqërojnë njerëzit kudo që ti shpie fati dhe ora e ligë, duke na përkujtuar se rruga duhet përshkuar edhe anasjelltas, që nga rrënjët dhe ripërtëritja e trungut të shëndoshë e të paërkulshëm. Shtyllat e shtëpisë shqiptare me një shqiponjë të plotë në latimin e tyre në drurin e shenjtë, për të cilin ëndër/fluturimi e lind dorën e skalitësit madje dhe nga vdekja e tij, vasha e të shpërngulurve duke e riintegruar në imagjinatë kukllën e shakmisur nga plumbat e urrejtjes dhe të mospranimit të evidencave historike, ushqimin “fli”, shenjën e vlerësimit të njeriut të varfër për çdo kend që kalon pragun e shtëpisë me një mendim të mirë apo pajtim, dhe jo në instancë të fundit, koloneli serb, njeriu i dërguar përkundër vullnentit të tij, për të levizur data dhe ligje të cilat mendja e tij nuk i përmbledh, të cilat njerëzorja nuk i përfill dhe nuk i afron.
Por, besnikëria e hijeve, peceta të gjalla mbi zemrën e atyre që kanë mbetur, si dhe mbi sytë e mbyllur të atyre që kanë vajtur në pakthim, nuk harrohen dhe nuk falen, ngase e dukshmja dhe e padukshmja kanë një Kosovë dhe një mall mbi të cilin vetëm vdekja çapëlon duke u lutur. Të rrallë janë librat ku gjejmë aq thellësi, aq (mirë)kuptim dhe përkëdhelje për qenjen humane të ndodhur në kotarin e njerkëzimit dhe urrejtjes nën shenjën e fatkeqësisë. Në Hijet e Kullave kam shpaluar një skaj nga shpirti i florinjtë i kësaj prozatore të madhe, që është Albina idrizi, duke i dëshiruar përgjatë 100 faqeve sa ka libri, një mik të mirë të mirëkuptimit dhe lotit në emër të popullit shqiptar në Kosovë. Nga jemi apo nga po ia mbajmë, çdokush që do të na shpiente, e bëjmë vetëm për të patur një shteg nga mund të kthehemi. Me gjethin dhe me hijen e tij mbi zemër, me mendimin dhe dëshirën gjithmonë në vatrën e lisave të pavdekshëm. Në romanin e Albina idrizit Kosova shungullon si një lumë kujtimesh, mendimesh dhe trishtimesh. Libri i saj është edhe një mbrojtje e re në emër të dashurisë dhe të jetës së lindur përjetë, ngase, madje edhe lumi i ka brigjet e tij, apo jo?
(Albina idrizi, Umbrele Turnurilor/ Hijet e Kullave, Përkthyen Adriana&Sherban Tabaku, Bukuresht, 2009. Recension i botuar në revistën Climate literare, nr. 32, Tërgovishte, 2010).
| |
| | | Sponsored content
| Titulli: Re: NJË SHKRIMTARE QË PO BËN EMËR ME VEPRËN E SAJ, ALBINA IDRIZI | |
| |
| | | | NJË SHKRIMTARE QË PO BËN EMËR ME VEPRËN E SAJ, ALBINA IDRIZI | |
|
Similar topics | |
|
| Drejtat e ktij Forumit: | Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
| |
| |
| |