Rrustem GECI :Ese letrar për veprën e Ferit Ramadanit
TROJEVE TË EMRIT TIMFerit Ramadani u lind më 6 qershor 1956, në Llag të Kërçovës.
Prej aty nis toka dhe qielli i tij, hapësira e paanë e Atdheut.
Me Feritin njihem që nga viti 1974, kur bashkë i lexonim poezi njëri-tjetrit.
Kjo ese nuk ka qëllim kur e si u njohëm,
por,
vlerësimin e krijimtarisë së tij.
Në të gjitha veprat e tij, prej librit “Për sa legjenda flet historia” e deri te “ Pirgun i dhimbjes” Ferit Ramadani kudo është poet. Fuqia e tij prej poeti të mirëfilltë mbreson lexuesin e tij.
Trojeve të emrit tim të kam pak /
por në këngë të kam kudo/
ky është guxim i gjakut tim /
komandant Askeri...
Këto dhe vargje të tjera të poetit tregojnë shpirtin e madh të Feritit.Të kam në këngë kudo o vendi im.
Në djepin e kësaj toke/
u rritëm me ajrin dhe ujin tënd/
dhe me shpresa/
se diçka do të ngrejmë me duar/…
Bota poetike e Ferit Ramadanit është e gjerë dhe e thellë.Feriti edhe në prozë edhe në poezi është poet i tik-takeve të kohës, i të rrahurave të zemrës. Ç´ka s´u ra ndërmend barbarëve për ta prerë e tharë gjakun e fisëm të arbërit, shkruan poeti dhe vazhdon; pemë e ilirisë dhe Iliridës në zemër të saj ndryn 1 mijë rrufe dhe 7 milion rrënjë shqiptarësh në 13 mijë vjet të egzistencës sonë.
Prandaj, këto janë motivet, thotë Feriti, pse në këngë e marr atdheun, trojet e emrit tim. Qielli deri në Prishtinë, deri në Tiranë, deri në Shkup, Manastirë, Janinë e Prevezë..., kudo është i imi. Qiejt e poetit Ramadani janë qiej të mëdhenj të emrit të tij.Poezia e Ferit Ramadanit është ndryshe nga poetët e tjerë. Vargjet e Ferit Ramadanit pulsojnë me hapin e madh të kohës.
Unë kundërshtohem thotë poeti me ata që kundërshtojnë. Ndërsa atdheun e dashuroj si vajzën më të bukur, më të ndjeshme,dhe më intime të shpirtit .
Kështu është në vendin tim e në vendin tënd, i thosha në një çast vetes,
dhimbjes që më gërryente nga brenda. Koha në të cilën jetojmë thotë poeti,
edhe në mot të këthjellët pikon gjak.Në këtë natyrë aq të bukur, ne çdo ditë
bëjmë betejën me të pazgjidhurën, me atë që plagën ma bën të pëlcas.Në
poezitë, “Domethënia e heshtjes”, “Asgjë s´kthehet”,” Pika kritike”,”Loja”,
dhe në dhjetëra poezi të tjera, hetohet vetëmbërrijtja, blerimi i kësaj kohe,
krismat e fjalës në dhimbje. Ndërsa në poezinë “Atdheu”, poeti ngre zërin
e tij mbi trojet e emrit dhe mbiemrit.
Trualli gjuhësor i gjuhës së poetit është i paluajtshëm, me blerim të gjakut tonë gjuhësor.Kapërcimi në të ardhmen nuk bëhet duke ndejur këmbëkryq. Nevoja e do që ne të bëjmë detyrën tonë për veten e atdheun, ndryshe e ardhmja do të shtyhet. Me këtë esse uroj poetin Ferit Ramadani për veprat e tij të mirëfillta dhënë letërsisë sonë. Shëndet zoti poet,shëndet.
Rrustem Geci - Dortmund