Në Pejë rivarrosen eshtrat e ballistit Sejfullah Haxhiajdinit
Pejë, 30 tetor - Janë varrosur eshtrat e ballistit pejan Sejfullah Haxhiajdinit, 65 vjet pas vrasjes së tij. Rivarrimi është kryer në varrezat e qytetit në prani të miqve dhe autoriteteve komunale, ndërkohë që pas kësaj ceremonie, në teatrin e qytetit “Istref Begolli, në shenjë të veprës së tij është mbajtur edhe akademi përkujtimore.
I pari i Pejës, Berisha, e ka cilësuar veprën e Haxhiajdinit, i njohur me nofkën Sejfa i Najës, si patriot që i kishte bërë ballë Kosta Peçanit, një antishqiptar i përbetuar dhe kriminelëve që e shoqëronin atë në luftë për zhbërjen e qenies shqiptare. “Sefa i Najës bashkë me një plejadë burrash patriotë të Pejës organizoi vetëmbrojtjen e popullatës civile nga terrori sllavo-çetnik”, tha Berisha.
Sefa i Najës, ishte vrarë në vitin e largët 1945 nga forcat serbo-malaziase të brigadës famëkeqe “Brigada e Bokelit”. Kokën ia kishin prerë dhe më pas e kishin ekspozuar nëpër qytetin e Pejës duke sjell frikë për qytetarët.
Ai ishte pjesëtar i Ballit Kombëtar. Deri para pak ditësh nuk është ditur për varrin e tij. Identifikimi ishte i rastësishëm. Familjarët e kanë identifikuar tek kanë parë se i mungonte koka.