Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi në ditët në vijim në takimet me përfaqësues të subjekteve politike do t’ua propozojë atyre dy data për mbajtjen e zgjedhjeve, 6 dhe 13 shkurtin.
Burime të gazetës Koha Ditore në Presidencë kanë njoftuar se ushtruesit të detyrës së presidentit i është fiksuar në kokë gjysma e parë e shkurtit të 2011, si kohë optimale kur duhen të mbajtur zgjedhjet e parakohshme.
Në takimet që do t’i ketë në ditët në vijim me përfaqësues të subjekteve politike, sipas këtij burimi, Krasniqi do t’ua propozojë 6 dhe 13 shkurtin, ani pse thuhet që Krasniqi do të dëshironte që zgjedhjet të organizoheshin edhe më herët.
“Sinjalet e para nga dy kryetarët e partive të koalicionit kanë ardhur se ata do të ruajnë stabilitetin institucional, e një të njëjtën kohë të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Kjo e ka bërë të mendojë për datën e zgjedhjeve presidentin”, ka thënë ky burim, duke shtuar se presidenti nuk është i interesuar të shkohet përtej të dielës së dytë të shkurtit.