Bashkimi Kombëtar
Mirë se erdhë në forum " Bashkimi Kombëtar "
Qëndro i lidhur me ne ! Disponim te këndshëm të kontribojm për kombin larg ofendimet dhe zënkat...
Bashkimi Kombëtar
Mirë se erdhë në forum " Bashkimi Kombëtar "
Qëndro i lidhur me ne ! Disponim te këndshëm të kontribojm për kombin larg ofendimet dhe zënkat...
Bashkimi Kombëtar
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.



 
ForumForum  PortalliPortalli  GalleryGallery  Latest imagesLatest images  RegjistrohuRegjistrohu  identifikimiidentifikimi  

 

 ROMANI SHQIP PEGASI "PËRTEJ PERDES GRI" nga Agron Shele

Shko poshtë 
Shko tek faqja : Previous  1, 2, 3
AutoriMesazh
Kristaq F. Shabani
Miqte e Forumit
Miqte e Forumit
avatar


Male
Numri i postimeve : 11718
Age : 65
Vendi : Gjirokaster, Albania
Profesioni/Hobi : Poetry
Registration date : 04/07/2008

ROMANI SHQIP PEGASI "PËRTEJ PERDES GRI" nga Agron Shele - Faqe 3 Empty
MesazhTitulli: Re: ROMANI SHQIP PEGASI "PËRTEJ PERDES GRI" nga Agron Shele   ROMANI SHQIP PEGASI "PËRTEJ PERDES GRI" nga Agron Shele - Faqe 3 EmptyMon Sep 13, 2010 3:29 pm

-Dëgjomë mua! Fatin e shoqes tënde pësova dhe unë. Kthehesha nga xhirua e zakonshme për tek ”Qyteti Studenti”, kur, një mbrëmje, Toni me dy shokë të tij, më futën në makinë dhe më sollën këtu ku jam edhe sot. Qyteti nga vij, është i vogël dhe ti e merr me mend si përhapen thashethemet në mjedise të tilla. Shkollën e humba nga mungesat e shumta, por edhe nga opinioni i keq që u krijua për mua. Kështu që u detyrova të bëja jetën që më detyroi ai. Ty të duket çudi, por arrita të bindem verbërisht, pasi nuk m´u krijua kurrë mundësia për të filluar jetë tjetër. Ata më kthyen në prositutë. E poshtëruar, e dhunuar gjithë kohës, jetoja me ankthin e ditës tjetër, e cila ishte më e zezë, se ajo që kaloja. M’u neverit vetja. Zvarrisja kufomën time midis jetës që nuk e doja dhe vdekjes, që nuk e pranonte.
- Sot jemi në një barkë dhe fati ynë është i përbashkët. S´i mund të kthehem në shtëpi, kur të gjithë do të më urrejnë dhe do të më largohen si t´u hedh hijen e vdekjes?
- Nuk t´i tregova kot gjithë këto gjëra. Duhet të largohesh nga kjo lloj jete. Ti nuk e di se çfarë do të thotë të dhunohesh çdo ditë.
- E si mund të kthehem atje? Ti e kupton që...
- Ti ke një familje, që do të të ndihmojë në çdo hap, ndërsa ai njeri do të të shkatërrojë gjithçka. Duhet të qëndrosh larg tij! - dhe e shkundi Adrianën nga krahët.
- Nuk mundem, ndihem tërësisht e mbaruar.
- Jetoj këtu prej më shumë se dy vjetësh dhe kam harruar fjalën nënë. Ndiej një mall të patreguar për të. Kam harruar përkedheljen e saj, fjalët e embla, kujdesin e tepëruar, ndërsa sot dua ta përqafoj, të ndiej dorën e ngrohtë. Jetoj si në burg, e frikësuar dhe e gatshme për t´u përballur me dhunimin.
- Nuk kam kurajo. Kam shkaktuar shumë dhimbje.
- Kudo që të shkosh, do të jetë shumë herë më mirë se këtu.
- Faleminderit, Marta! Nuk do të të harroj kurrë.
- Unë jetoj fatin tim. Do të të kujtoj gjithnjë, Adrianë. Është hera e parë që arrita të bëj një herë mirë. Bota është e mbushur me intriga, vese të ndyra, gjithfarë gjërash që ne s’i kuptojmë; bëhemi pre e tyre dhe, më pas, mbetemi atje, të injoruara dhe të harruara. Mos u sorollat më këtu. Ai mund të kthehet nga çasti në çast. Largohu sa më shpejt. Ik! Shpëto veten!
Adriana humbi nëpër rrugë me pengun e gabimit të bërë dhe tronditjen e thellë shpirtërore. Qetësia e natës se çmendur, mbushur me mistere dhe dhimbje, ironizonte këmbët e drunjta të saj, që çapiteshin nëpër terrin e egër të natyrës njerëzore.


VI
Ajo, sa ndjeu praninë e tij, u skuq në fytyrë, puliti sytë e vegjël, të cilët harkoheshin nga një ngjyrë e errët dhe psherëtiu thellë.

Dita e neserme e gjeti kryeqytetin me pamjen e tij të zakonshme. Smogu i shpërndarë në trajtë mjegulle, qëndronte pezull në qiell, ndërsa rrugët vazhdonin të ruanin ende qetësinë.
Denisa hapi sytë, vështroi përreth dhe gjithçka iu duk e huaj. Për çastin, nuk mundi të orientohej, vetëm kur iu kthiellua vështrimi, kuptoi se ishte në hyrjen e pallatit të saj.
Nuk e dinte se sa kohë kishte kaluar atje. Trupi i mpirë dhe sfilitur, mezi arriti të ngriej në këmbë. E mbështetur pas parvazit të shkallëve, me shumë mundim, nisi të ngjiste shkallët për në shtëpi. Arriti tek hyrja. Me duar të shtrënguara fort, bëri përpjekje të stërmundimshme për t´i rënë derës, por trupi i tejlodhur nuk mundi të qëndronte më në këmbë. Zhurma e shkaktuar, i ngriti të gjithë dhe i turri drejt korridorit. E ëma, rrotulloi bravën, hapi derën dhe, kur pa të bijën shtrirë, e përfshiu në krahë. E çoi me kujdes në shtrat, e mbuloi me batanije dhe nisi të qante. Edhe tezja nuk e përmbajti dot veten. Pamja e masakruar e mbesës e tmerroi. Vetëm Monda, e cila kishte kaluar gjithë natën atje, u tregua më e përmbajtur.
- Kush ka qenë ai i poshtër, që ma ka bërë vajzën kështu?! -bërtiti nëna e saj, ndërsa shikonte të bijën, që përpëlitej në shtrat.
- Të thërrasim ambulancën! - tha tezja.
- Bëj gati dushin! - urdhëroi ajo.
Tezja u ngrit në këmbë dhe shkoi pa bërë komente. Monda shikonte me keqardhje shoqen, e ngrirë në vend. Nga të ngrohtët, Denisës filloi t´i ndërrohej çehreja e fytyrës. Zverdhja e tepëruar nisi të ndryshonte ngjyrë. E ëma qëndronte te koka, i fërkonte ballin dhe i fliste ngadalë, njëlloj si të ishte fëmijë i vogël:
- Shpirti i mamit! Më ke mua pranë. Mos u shqetëso për asgjë. Fli, vogëlushja ime. Fli!
-Të më falësh, teta Egla, - i tha Monda, - por më duhet të shkoj.
- Shko, bija ime, dhe shumë faleminderit! Në shkollë mos thuaj asgjë.
- Do të vij menjëherë pas mësimit, - dhe i shtrëngoi dorën e akullt të shoqes dhe u largua.
Kur doli tek sheshi përballë, ajo u befasua nga prania e Landit.
- Po ti, çfarë do këtu?!
- Po të prisja ty. Nuk e kupton pse kam ardhur?
- Gjer ku e shoqërove mbrëmë?
- Deri te shkalla e pallatit, poshtë në kat të parë. Pse, i ka ndodhur gjë?! -shprehu shqetësimin ai.
- Denisën e kanë përdhunuar mbrëmë.
- Si ka mundësi?! -dhe u nxi në fytyrë ai.
- Falë zotit, është gjallë.
- Kush mund ta këtë bërë?
- Nuk e di. Ajo është në gjendje shumë të rëndë.
- Do ta çojnë në spital?
- S‘e besoj. Me sa kuptova unë, nëna e saj nuk do që të merret vesh kjo ngjarje.
- Po Denisa mund të këtë nevojë për doktor. Do të njoftoj babin të vijë menjëherë. Sot mos shko në shkollë, duhet të kujdesesh edhe ti për të. Do të shoqërosh babin atje. E kupton? Mos harro t‘i transmetosh të falat e mia dhe i thuaj që Landi është pranë teje.
- E pres në shtëpi.
- Shumë mirë! Do të vij përsëri mbasdite, - dhe u largua me hapa të shpejtë.
Babai i Landit nuk u vonua shumë. I ra ziles së derës dhe hyri brenda. Monda e priste me padurim. E ftoi të rehatohej për pak kohë, sa të çlodhej nga rruga, por ai kërkoi që ta shoqëronte atje menjëherë. Ngjitën shkallët e pallatit ngadalë. Shëndeti i tepëruar e pengonte në çdo hap. Kur arritën para hyrjes se tyre, ai u mbështet pak te parvazi i derës, për të rregulluar frymëmarrjen e shpejtuar. Si u qetësua disi, hyri brenda i drejtuar nga Monda. Nëna e Denisës u çudit nga kjo vizitë e papritur, por edhe u qetësua nga prania e mjekut. Doktori shkoi në dhomën e vajzës dhe u ul në karrigen përballë.
Ajo, sa ndjeu praninë e tij, u skuq në fytyrë, puliti sytë e vegjël, të cilët harkoheshin nga një ngjyrë e errët dhe psherëtiu thellë. Doktori e kuptoi sikletin, në të cilin ndodhej vajza dhe ndërtoi një komunikim të tillë, që ajo të lehtësohej sa më shumë nga ngarkesat e mëdha psikologjike, që mbisundojnë në të tilla raste.
-Kalove një ëndërr të keqe, Denisa! - iu drejtua ai dhe priti reagimin e saj.
Ajo nuk foli, por e vështroi në sy. Një pikë loti iu shfaq në qerpikun e gjatë.
- Kjo mund t´i ndodhte çdo vajze, prandaj nuk duhet ta lëshosh veten kështu. Tani do të të vizitojë doktori. Ke për të parë se çdo gjë do shkojë mirë, - dhe u bëri shenjë të tjerëve të largoheshin nga dhoma, me përjashtim të nënës, e cila duhej ta ndihmonte.
- E kishin lënë para pallatit. Ka kaluar gjithë natën jashtë, rrezik të këtë marrë edhe të ftohtë. Vajza erdhi vetë. Sa hapa derën, i ra të fikët. E solla në vete, e pastrova dhe u përpoqa t´i jepja ndonjë gjë të ngrohtë, por nuk ka pranuar asgjë. Është shumë e trishtuar… Jetonim në qetësi të plotë. Vjen një çast si ky dhe më shkatërron vajzën. Nuk e kuptoj gjithë këtë urrejtje, gjithë këtë dhunë, nuk e di se ku e gjen këtë forcë egërsie njeriu, për t´i bërë keq njeriut. Do ta shikosh vetë se si e ka masakruar ai bastard time bije. Ku e gjen të drejtën? Zot, o Zot!
- Më e keqja kaloi. Në raste të tjera, kanë ndodhur gjëra edhe më të këqija.
U deshën më shumë se dhjetë minuta që doktori ta vizitonte. I bëri një recetë dhe e këshilloi që të tregonte kujdes të veçantë, sidomos në aspektin psikologjik. Ai u largua dhe e porositi nënën e saj që, për çdo nevoje, të mos hezitonte, por ta njoftonte menjëherë.
Monda, si u sigurua se nuk po e shqetësonte njeri, u afrua më pranë Denisës dhe i shtrëngoi dorën e akullt.
-Ai ishte? -i tha me gjysmë zëri
- Nuk dua të kujtoj gjë nga ajo skenë e llahtarshme. A e kupton se si ndihem? Më vjen ndot nga vetja. Më mirë të kisha vdekur, se sa më turpëroi në këtë mënyrë.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://kristaniada.tripod.com  http://pegasialwriters.tripod.com
Kristaq F. Shabani
Miqte e Forumit
Miqte e Forumit
avatar


Male
Numri i postimeve : 11718
Age : 65
Vendi : Gjirokaster, Albania
Profesioni/Hobi : Poetry
Registration date : 04/07/2008

ROMANI SHQIP PEGASI "PËRTEJ PERDES GRI" nga Agron Shele - Faqe 3 Empty
MesazhTitulli: Re: ROMANI SHQIP PEGASI "PËRTEJ PERDES GRI" nga Agron Shele   ROMANI SHQIP PEGASI "PËRTEJ PERDES GRI" nga Agron Shele - Faqe 3 EmptyMon Sep 13, 2010 3:29 pm

- Mos bëj kështu. Ti nuk mund të bëje asgjë, përballë atij përbindëshi. Rëndësi ka që je mirë.
- Nuk ka asnjë vlërë. Çdo gjë më duket boshe dhe pa kuptim.
- Këtë nuk ta lejoj.
- Ndihem plotësisht e braktisur, Monda.
- E ke gabim. E gjen dot se kush të vizitoi sot?
- Babai i Landit ishte ai?
- Si e kuptove?
- Ai më ka folur shumë, por t´i bëre gabim që bisedove me të.
- U shqetësua shumë, kur i tregova se çfarë të kishte ndodhur.
- Landi nuk duhet të përzihet me problemet e mia. Nuk dua që të ndihet i imponuar. Ky ankth është i përjetshëm, nuk mund ta fshehin dot vitet.
- Ti nuk e njeh, por, për të, kjo ngjarje nuk ka lidhje fare me marrëdhëniet tuaja.
- Nuk ka pse të zvarritet pas jetës sime, të ndëshkuar dhe nëpërkëmbur nga të tjerët.
- Ai të dashuron, Denisa. Më porositi në mënyrë të veçantë, që të të them se, në këto çaste të vështira është pranë teje dhe të këshillon që të mos ndikohesh nga kjo ndodhi.
- E bën për mëshirë! - dhe në shpirt ndjeu një pikëllim të thellë.
- Qetësohu njëherë. Kemi kohë të flasim për këto gjëra.
Monda qëndroi edhe pak kohë, i dha kurajo shoqes dhe u largua, e shoqëruar nga vështrimi i lodhur i saj.
Me shumë përpjekje, e ëma i dha një gotë qumësht, në të cilin kishte tretur valium. Tërhoqi derën pas vetes dhe e porositi djalin që të mos hynte në dhomë. Nën efektin e ilaçit, e zuri gjumi shpejt. Nuk dihet sa fjeti, vetëm se e ëma i qendronte te koka. Kur trëmbej në ndonjë çast, i shtrëngonte dorën fort, ndërsa sytë e saj vajtonin në heshtje të plotë. Gusha e bardhë mbartte njolla të mëdha kafe, provë e egërsisë dhe epshit të kobshëm, që, për ironi, tregonte pafuqinë për t´u mbrojtur. Ajo flinte si një shpend i bardhë, që i kishin thyer krahët dhe, herë pas here, gulçonte dhimbjen e fluturimit të ndaluar, drejt dashurisë së pastër. Natyra jashtë u përfshi nga krahët e muzgut, i cili s’harroi të trokiste në dritaren e tyre, por e zhyti dhomën në një qetësi mistike.
Hapja ngadalë e derës dhe shenja e bërë nga e motra, e detyroi Eglën të shkonte në dhomën e pritjes. Ajo u përshëndet me të sapoardhurit, që u prezantuan si inspektorë krimesh dhe u ul në kolltukun përballë tyre. Një burrë, i cili, në krahasim me dy të tjerët, dukej më i madh në moshë, mori fjalën i pari:
- Na vjen shumë keq, për ngjarjen e rëndë që ju ka ndodhur në familje. E dimë që nuk është as koha dhe as çasti i përshtatshëm, por, për arsye proceduriale, duhet të marrim një kontakt të shkurtër me vajzën tuaj.
- Faleminderit shumë! - i tha ajo. - Vajza është në gjumë dhe mjeku më këshilloi që të mos e shqetësoj për asnjë çast.
- Ne kemi një kallëzim penal, për personin që ju ka shkaktuar këtë dramë të keqe në familje. Ju duhet të jeni vetë të interesuar, që ai dhunues të përgjigjet para ligjit. Në qoftë se nuk e ndalim sot, nesër ka për të shkaktuar tjetër dhimbje.
- Ne, si familje jemi shumë të interesuar për kapjen dhe dënimin e tij, por e kam problemin te vajza, pasi ajo reagon shumë keq, kur i përmend ngjarjen që ndodhi.
- Jemi të detyruar. Duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin. Kemi vetëm disa pyetje të thjeshta. Është e domosdoshme për hetimin tonë të mëtejshëm.
- Shkojmë në dhomën e saj, por nuk dua që ta lëndoni.
- Në rregull! - tha ai dhe, së bashku me dy kolegët e tjerë, i shkuan pas.
Denisa ndjeu hapat e tyre dhe hapi sytë. Nuk foli asnjë fjalë. I vështroi e hutuar. Nuk po kuptonte se çfarë donin ata njerëz në dhomën e saj. Heshtjen e theu burri që kishte komunikuar me nënën. Si duket, ai duhej të ishte shefi i tyre, ndërsa dy të tjerët qëndronin në këmbë dhe hidhnin ndonjë vështrim spontan, pa asnjë pikësynim.
- Si je? - i foli me zë të ngrohtë ai.
- Mirë, - tha ajo dhe uli sytë poshtë.
- Ne jemi përfaqësues të policisë dhe kemi ardhur për të bërë një verifikim. Nuk duam që të vendosesh në pozitë të vështirë, pasi një vajzë me emrin Adriana, na informoi për gjithçka ka ndodhur. E kemi ndaluar personin në fjalë, por ti duhet ta verifikosh dhe të firmosësh një kallëzim penal për të arrestuarin, në të kundërt, ne nuk mund ta mbajmë në komisariat, sepse nuk na lejon ligji.
-Çfarë kërkoni nga unë?
- Si fillim do të tregojmë fotografinë e tij, - dhe njëri nga kolegët e tij u afrua më pranë dhe hapi një dosje me ngjyrë kafe.
Ai rrotulloi fotografinë në dorë, e pa dhe një herë dhe ia zgjati. Denisa, teksa e vështroi me vëmendje, filloi të dridhej nga ankthi që shkaktoi fytyra e tij.
- Ky është? - i tha inspektori, që drejtonte hetimin.
-Po, - i tha shkurt ajo.
- Je e sigurt?
- Mëse e sigurt.
- E ke njohur më përpara këtë person?
- Nuk kam komunikuar kurrë me të. E kam parë vetëm për pak çaste, kur ndalonte shoqen time në rrugë.
- Ajo bëri edhe një denoncim nga ana e saj, për ushtrim dhune në mjedis publik dhe u shpreh se në vendngjarje ishit edhe ju. Është e vërtetë?
- Po.
- Atëherë kalojmë në veprimin tjetër. Ne do të të japim një formular dhe ti do ta plotësosh. Në fund shkruaj emrin tënd dhe firmose, gjithashtu do të të bëjë vizitën edhe mjeku ligjor, - dhe i bëri shenjë shokut tjetër, i cili nuk ishte aktivizuar deri në atë çast.
- Me kaq mbarojmë punë për sot, - dhe buzëqeshi, më tepër për të krijuar atmosferë lehtësuese për të.
Denisa e plotësoi shpejt formularin, e nënëshkroi në fund dhe ia zgjati inspektorit, që rrinte me dosjen hapur, në pritje për ta arshivuar menjëherë.
- Dua të më bësh edhe një premtim, - i tha shefi, para se të dilte nga dhoma.
- Çfarë premtimi duhet të mbaj?
- Që do vazhdosh të jesh vajzë kurajoze, - dhe i zgjati dorën.
- Të premtoj! -i tha ajo dhe buzëqeshi pak, pas gjithë asaj vuajtjeje të thellë që po kalonte.
- Edhe unë të jap fjalën se do ta ndëshkoj me ashpërsinë më të madhe të ligjit. - tha ai dhe e la vajzën në shoqërinë e mjekut.
Doktori e vizitoi me kujdes, më pas e përshëndeti dhe u bashkua me shokët e ekipit, të cilët po pinin kafen. Ndenjën pak kohë atje dhe kërkuan lejë për t´u larguar. Nëna e saj i shoqëroi gjer në korridor, i falënderoi nga zemra dhe u kthye përsëri tek e bija.
- E kanë kapur maskarain. I poshtëri! - tha ajo dhe sytë shprehën urrejtje.
- Lere fare, mami. Më mirë mos e zër në gojë. Është më i keq se ç‘e mendon. Le të merret drejtësia me të.
- Tani e kuptova pse nuk vjen Adriana në shtëpi. Ku e gjeti atë të poshtër dhe na solli gjithë këtë të keqe? Mos u shoqëro më me të. Nuk dua t´i shikoj sytë! E kam dashur njëlloj si ty dhe shiko si e shpërbleu.
- Nuk e ka fajin ajo. Nuk e kupton që edhe ajo është pjesë e dhunës së tij?
- Mos shkonte me të.
- Pse flet kështu, mami? Ajo gaboi për çastin.
- Dhe ti e pagove për tërë jetën.
- Ky është problem tjetër.
E lodhur, e dërmuar, e vrarë shpirtërisht, me sy të fiksuar në një pikë, mendonte gjëra nga më të keqijat. Gjithçka i dukej një trill i pakuptimtë. Çdo ëndërr që kishte thurur, çdo dëshirë, çdo gëzim që ndiente në vetvete, ishte fashitur dhe kishte ndërruar rrjedhë. Jeta e paramenduar me të gjitha të fshehtat dhe kuriozitetet, dukej gri. U ngrit me vështirësi nga shtrati, hapi dritaren dhe mori frymë thellë. Yjet në qiell vezullonin, ndërsa freskia e erës, i shkaktoi dridhje në trup. Vështroi Kashtën e Kumtrit, këtë kostelacion të magjishëm dhe u mahnit nga bukuria e natyrës.
“Nëpër qiell patjetër që luftojnë engjëjt me demonët“, mendoi me vete.
Pastërtisë dhe virtytit të tyre u kundërvihet e keqja djallëzore dhe lakmitare. Besimit dhe ndergjegjies i përgjigjet mashtrimi dhe hipokrizia, por në fund, mes kësaj përplasjeje të tmerrshme, e drejta patjetër do të triumfojë. Ajo u përball me errësirën e shpirtit të një demoni, provoi shkallën e marrëzisë së njeriut, ndjeu poshtërimin më të madh dhe engjëj0t krahëbardhë nuk e mbrojtën, por i dërguan këtë natë madhështore, që të kuptonte shkëlqimin e ditës së re. Mbylli dritaren dhe shkoi para pasqyrës. Donte të rrëfehej, të bisedonte me të për thyerjen e kristalit të shpirtit, për trishtimin e madh që e torturonte, për atë tmerr që shkriu ëndrrat prej bore. Nuk guxoi të qëndronte
Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://kristaniada.tripod.com  http://pegasialwriters.tripod.com
Kristaq F. Shabani
Miqte e Forumit
Miqte e Forumit
avatar


Male
Numri i postimeve : 11718
Age : 65
Vendi : Gjirokaster, Albania
Profesioni/Hobi : Poetry
Registration date : 04/07/2008

ROMANI SHQIP PEGASI "PËRTEJ PERDES GRI" nga Agron Shele - Faqe 3 Empty
MesazhTitulli: Re: ROMANI SHQIP PEGASI "PËRTEJ PERDES GRI" nga Agron Shele   ROMANI SHQIP PEGASI "PËRTEJ PERDES GRI" nga Agron Shele - Faqe 3 EmptyMon Sep 13, 2010 3:29 pm

shumë. Reflektimi i vetvetes në atë copë xham, linte për të dëshiruar dhe përfliste pareshtur shenjat e dhunës së ushtruar. Ata ishin ndeshur me trupin e një vajze, e kishin shkelur dhe përgjakur në mënyrën më të tmerrshme. E tërhoqën zvarrë nëpër natë dhe, si hije, ishin zhdukur skutave më të errëta, me shpresën se i vranë ndjenjën dhe shpirtin.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://kristaniada.tripod.com  http://pegasialwriters.tripod.com
Kristaq F. Shabani
Miqte e Forumit
Miqte e Forumit
avatar


Male
Numri i postimeve : 11718
Age : 65
Vendi : Gjirokaster, Albania
Profesioni/Hobi : Poetry
Registration date : 04/07/2008

ROMANI SHQIP PEGASI "PËRTEJ PERDES GRI" nga Agron Shele - Faqe 3 Empty
MesazhTitulli: Re: ROMANI SHQIP PEGASI "PËRTEJ PERDES GRI" nga Agron Shele   ROMANI SHQIP PEGASI "PËRTEJ PERDES GRI" nga Agron Shele - Faqe 3 EmptyMon Sep 13, 2010 3:30 pm

VII
Para syve të saj shfaqej një mjegullnajë e tmerrshme, ku çdo shkreptimë drite, tretej në ngrehinat e përthyera të pasazheve, që reflektonin pasojën e veprimeve të saj.

Adriana hodhi çantën e shkollës krahëve dhe doli në rrugë. Shqetësimi i madh që përjetonte, e kishte futur në një botë ankthi dhe pasigurie. E ndërgjegjshme për gabimin e bërë, vuante në mënyrë të tmerrshme dhe i dukej sikur të gjithë përflisnin vetëm atë. Hapat e hedhur, tregonin një mefshtësi, mungesë dëshirë për të përshkuar intinerarin e përditshëm, që çuditërisht ishte e detyruar ta bënte vetëm. Kur doli në rrugën kryesore, vështrimi i mjegulluar arriti të kapte siluetën e shoqes, atë të Mondës. Mendoi një çast t´i qendronte larg, më pas vendosi t´i afrohej dhe të pyeste për Denisën.
- Monda! - e thirri, kur iu afrua.
-Ajo e dëgjoi zërin e shoqes, por nuk e ktheu kokën pas. Vazhdoi më tej rrugën.
Adriana e arriti dhe e kapi për krahu.
- Monda! Pse nuk më kthen përgjigje?
- Nuk të dëgjova! - gënjeu shoqja.
- Sa mirë që të takova!- i tha ajo.
Monda nuk i ktheu përgjigje, por u çudit nga dashuria e tepëruar e saj.
- Si është Denisa?
- Ke dhe kurajon e pyet! Për fajin tënd ndodhën të gjitha.
- E di, - tha ajo me gjysmë zëri.
- Ti nuk di asnjë gjë. E ke parë atë, se në ç´gjendje është? Ai bastardi yt e masakroi shoqen tonë, i shkatërroi ëndrrat më të bukura, ndërsa ti vjen drejt meje për të shprehur keqardhjen tënde. Nuk kam punë me njerëz hipokritë! -dhe u shkëput nga ajo.
- Mos u largo ashtu! - dhe e arriti gati me vrap. - Ti mendon se nuk e di, se si ndihet ajo. E di që gabova, por nuk ke të drejtë të më poshtërosh kaq shumë. Edhe unë po e vuaj marrëzinë time, por nuk di si të veproj. Jam gati të përballem me gjithçka, por është e kotë, se asgjë nuk kthehet si më parë. Ndoshta nuk më beson, por, që kur më more në telefon, jam kthyer në një fantazmë, që flet me veten, - dhe lotët i përshkuan faqet.
- Qetësohu Adrianë! Nuk është mirë të debatojmë, - i tha Monda.
- Ne nuk kemi asnjë arsye për të qendruar bashkë, pasi rrugët tona janë ndarë. Unë jam shkaktarja kryesore e gjithë kësaj drame, prandaj nuk e meritoj më shoqërinë tuaj. Të premtoj se do qendroj larg jush dhe nuk ka pse t´ju vijë keq, nëse do të më shikoni të vetmuar dhe të përbuzur.
- Më fal! E kuptoj që të lëndova, por mendoje vetë se si u ndjeva, kur pashë Denisën që zvarritej nëpër shkallë dhe nuk kishte mundësi të hynte në shtëpinë e saj.
- Pikërisht, për këtë fatkeqësi, që i kam sjellë shoqes sime më të mirë, dua të fshihem nga kujtesa dhe të zhdukem një herë e përgjithmonë nga jeta juaj. U kam sjellë shumë telashe dhe nuk e di nëse do të më falni ndonjëherë.
- Mos fol gjepura, Adrianë!
- Më vjen keq Monda, por më duhet të largohem!
- Nuk mund të ikësh kështu!
- Rrugët tona këtu ndahen. Nuk dua të jem më hallka problematike e shoqërisë. Boll ju shqetësova dhe ndëshkova me problemet e mia të pafundme.
- Adriana! Të lutem!
- Mirupafshim! - dhe ndërroi rrugë.
* * *
Shfaqja e asaj godine të heshtur, i shkaktoi ankth dhe frikë. Sytë, vetëtimthi, i shkuan tek shkallët, që të çonin tek ferri i shumë vajzave, të tërhequra prej flokësh, që më pas ishin dhunuar dhe flakur jashtë derës, pa mëshirë. I ra ziles. U përball me shfaqjen e fytyrës së frikësuar të Martës, e cila u çudit jashtë mase nga kjo vizitë e papritur.
-Po ti, këtu?!
- Erdha të bisedoj një problem shumë të rëndësishëm me ty.
- Nuk kam çfarë të bisedoj! - dhe u përpoq të mbyllte derën.
-Është shumë e rëndësishme të takohemi bashkë. Nuk do të qëndroj për shumë kohë.
Ajo vështroi rreth e rrotull, u sigurua se nuk kishte ndonjë njeri të dyshimtë dhe e futi brenda. U ulën në një kënd, pranë banakut dhe rifilluan bisedën.
- Si është shoqja jote? - pyeti Marta.
- Nuk kam guxuar të shkoj atje, pastaj ti e di që dhe unë kam një pjesë të fajit në atë ngjarje.
- E mendoj gjendjen, në të cilën ndodhet ajo.
- Pikërisht për këtë kam ardhur, që të rregulloj sa të mundem gabimin tim.
- Nuk duhet të vish më këtu!
- Pse, ke frikë? Tonin e kanë arrestuar.
- Por jo shokët e tij, të cilët sillen gjithandej. Atëherë, çfarë kërkon nga mua? - e pyeti gjithë frikë Marta.
- Ti e di që një ditë Toni do të dali në gjyq.
- Edhe pastaj?
- Dua të dëshmosh kundër tij.
-Tani e kuptova. Ti kërkon të hakmerresh.
- Nuk qëndron çështja këtu. Ne duhet ta ndëshkojmë, për veprimet e tij barbarë.
- Kam shumë frikë. Nuk mundem.
- Ti nuk mund të jetosh, gjithë jetën në ankth.
- Jam e detyruar.
- Pse? - e pyeti ajo.
- Nuk kam ku të shkoj. Shkollën e humba, familjen gjithashtu, personalitetin e kam përtokë. Nuk kam çfarë të bëj.
- E ke gabim! Ne nuk mund ta tolerojmë dhunën e tij. Ti nuk ke dëshirë të dëshmosh, unë nuk e bëj, atëherë ai do të jetë i lirë dhe ne jemi të detyruara të përballemi sërish me të.
- Nuk e di, Adriana.
- Ne jemi pjesa më e dhimbshme e kësaj shoqërie dhe, si e tillë, nuk duhet të lejojmë të tjera dhunime dhe vuajtje.
- Të duket e thjeshtë ty, që në një farë mase e ke mjedisin mbrojtës, por, për mua, është krejt e kundërta.
- Në fund të fundit, nuk ke se çfarë të humbasësh. Në djall të vejë ky ankth, kjo frikë, që të mban peng dhe nuk të lejon të shikosh se çfarë bëhet rreth teje, që fle me mendimin se a do zgjohesh në mëngjes dhe
çfarë poshtërimi të pret.
- Të përgëzoj për kurajon e madhe që po tregon!
- Është një detyrim që ne duhet ta përmbushim. Ai njeri duhet të ndëshkohet për të mos lënduar nesër të tjerë njerëz. Më kupton?
- E kam shumë të vështirë.
- Mendohu mirë, Marta, se aty luhet jeta jonë dhe nuk ka kuptim që të shkelmohemi pa mëshirë. Është veprimi më elementar që mund të bëjmë.
- Duhet të shkosh, Adriana, - dhe u ngrit në këmbë ajo.
- Nuk më ke premtuar akoma për bisedën e bërë.
- Shko dhe mos u kthe kurrë këtu! Ata e dinë që ti ke bërë denoncimin dhe, për këtë, nuk do të të tolerojnë kurrë.
- Kujdesu për veten, Marta!
- Mos kalo rrugicave, se mund të ndeshesh me ta dhe e pëson më keq se shoqja jote. Ndiq rrugën kryesore.
- Unë kam besim tek ty. Do të të pres, -i tha ajo dhe u largua me hapa të qetë, pasi thellë në shpirt ndjeu përpjekjen e saj maksimale për të korrigjuar sadopak gabimin e bërë.
Me këto mendime shkoi në shtëpi. Sa hyri brenda, nëna e priti me këmbët e para:
- Si shpejt erdhe sot, Adriana!
- Dy orët e fundit i kishim pushim, - gënjeu ajo.
- Dëgjova disa fjalë të këqija për ty.
- Nuk të kuptoj, -i tha ajo dhe e vështroi me dyshim.
- Çfarë i ka ndodhur Denisës? Pse nuk ke treguar gjë?
- Kush të tha?
Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://kristaniada.tripod.com  http://pegasialwriters.tripod.com
Kristaq F. Shabani
Miqte e Forumit
Miqte e Forumit
avatar


Male
Numri i postimeve : 11718
Age : 65
Vendi : Gjirokaster, Albania
Profesioni/Hobi : Poetry
Registration date : 04/07/2008

ROMANI SHQIP PEGASI "PËRTEJ PERDES GRI" nga Agron Shele - Faqe 3 Empty
MesazhTitulli: Re: ROMANI SHQIP PEGASI "PËRTEJ PERDES GRI" nga Agron Shele   ROMANI SHQIP PEGASI "PËRTEJ PERDES GRI" nga Agron Shele - Faqe 3 EmptyMon Sep 13, 2010 3:30 pm

- Takova rastësisht nënën e Mondës, tek supërmarketi i ri. Ajo më foli për disa gjëra, që mua nuk më pëlqyen fare. Edhe tani më dhëmb koka, kur i kujtoj.
-Denisës i ndodhi një ngjarje shumë e rëndë. Falë Zotit, tani është më mirë.
- Mund të më thuash se kush e kreu këtë dhunim?
Adriana nuk i ktheu përgjigje, por, u mat të shkonte te dhoma e saj.
- E kupton se në ç‘gjendje je futur? Besoj se dhe në shkollë nuk ke shkuar. Merr çantën në mëngjes dhe sillesh rrugëve kot, sepse nuk ke kurajo të përballesh me shokët e shkollës.
- Atje nuk shkoj më. Nuk e duroj dot poshtërimin që mund të më bëjnë.
- Do flakësh poshtë një jetë të tërë?! Nuk të lejojmë që ta ndërpresësh shkollën. As mos e shko nëpër mend një gjë të tillë!
- Atje nuk kthehem dot, - ngriti zërin ajo. - Nuk e kupton se sa keq ndihem. Kam frikë të fle gjumë, se ëndrrat më të zeza, mpijnë trurin. Nuk dal dot në lagje, se të gjithë më vështrojnë me përçmim. Të gjitha portat e mia janë mbyllur dhe unë përjetoj vetminë më të madhe. Më thuaj ti si të veproj, kur dhe një fjalë e vetme më paragjykon dhe më përflet gjithë urrejtje!
- Ne do përpiqemi që ti të ndërrosh shkollë. Unë do të bisedoj me babin për këtë problem.
- Dhe ti mendon se do të më pranojnë?!
- Të premtoj se do bëjmë të pamundurën.
- Është e kotë. Nuk ka asnjë vlerë përpjekja juaj, - dhe shkoi në dhomën e saj.
Mbylli derën nga brenda dhe u ul mbi shtrat. U çudit dhe vetë se sa shpejt ndryshoi rrjedha e jetës: nga një botë plot dritë dhe ëndrra, u zhyt në një errëti, nga e cila nuk mund të dilte dot.
Para syve të saj shfaqej një mjegullnajë e tmerrshme, ku çdo shkreptimë drite, tretej në ngrehinat e përthyera të pasazheve, që reflektonin pasojën e veprimeve të saj. Aty nuk përflitej për imazh apo rregullsi, që duhej të vendoseshin, por për një plagë të hapur, që në çdo çast shkaktonte dhimbje dhe çorientonte gjithë mendjen. Mori albumin e fotografive dhe nisi t´i shikonte me vëmendje të madhe. Në më të shumtën e rasteve, shoqëruesja e parë e saj ishte Denisa, e cila dukej sikur e vështronte dhe e akuzonte rëndë për dhunimin e saj. Kjo jetë mashtruese e shembi atë zhurmshëm, e zboi nga shoqëria dhe e la të endej vetëm, në fatin e saj të ngujuar, nga qëndrimi i ashpër i shoqërisë që e rrethonte. E vetmja strehë e sigurt, që i kishte mbetur, ishte ajo pak hapësirë, se në kuzhinë nuk shkonte dot, pasi vështrimi i ashpër i nënës, do ta mbyllte përsëri në botën e mundimshme, ku ankthet dhe pasiguria për jetën do ta fshikullonin rëndë, ndërsa mjedisi jashtë përkufizohej një me ferrin e vërtetë. Nuk mund ta shtynte dot me këtë lloj jete, të mbushur plot me njerëz, që e trajtonin si një përjashtim të realitetit të tyre dhe e njehsonin me shëmbëlltyrën më të keqe. Hapi dritaren dhe ndjeu afshin jetëdhënës, që i mbushi krahërorin me frymëmarrje. Jashtë shkëlqente jeta, ndërsa ajo qëndronte e mbyllur dhe e rrethuar nga mendime të mbrapshta, shoqëruar me lot të hidhur. U ngrit në këmbë dhe një dridhje e lehtë e përshkoi. Për një çast ndjeu boshllëkun dhe pakuptimësinë më të madhe. Në kokë ndjeu një zhurmë, një jehonë të largët, një gjëmim shungullues, që e tronditi dhe e dërgoi rrufeshëm tek sirtari i komosë, mori prej andej tabletat e valiumit, të cilat, i kishte marrë në farmaci ditët e fundit, për të vrarë pagjumësinë dhe filloi t´i gëlltiste të gjitha. Për një çast mendja i erdhi rrotull, më pas këmbët e drejta si kolonat antike greke nuk e mbajtën dot në këmbë, por e përplasën zhurmshëm mbi shtrat. Nëna e saj kishte ditë që e ruante, sepse sjellja e vajzës kishte ndryshuar shumë dhe nervoziteti i tepëruar, me të cilën diskutonte problemet, paralajmeronte gjendje të pakëndshme. Për fat, në shtëpi ishte dhe vëllai, që, kur dëgjoi thirrjen e fortë, shkoi me vrap dhe shqeu derën me shpejtësi. Pamja e Adrianës e lemerisi. U turr drejt saj me vrap dhe i ngriti kokën më lart.
- Ti qëndro këtu, ndërsa unë po njoftoj ambulancën menjëherë! Ka shumë mundësi që të jetë helmuar, - dhe doli me rrëmbim nga dhoma.
- Njofto sa më shpejt, - mundi të fliste e ëma dhe përfshiu të bijën në krahë, njëlloj si të ishte fëmijë.
Sirena e ambulances çau ajrin e mesditës dhe përshkoi rrugën drejt spitalit me sinjale të ndezura. E çuan tek urgjenca e spitalit dhe bluzat e bardha filluan betejen për shpëtimin e jetës së saj. Një infermiere bëri disa injeksione, ndërsa mjeku pyeti të ëmën.
- Çfarë i ndodhi vajzës suaj?
- Ajo ishte në dhomën e saj vetëm dhe befas dëgjova zhurmë. Për fat, kisha djalin aty, i cili shqeu derën dhe hymë brenda. Vajza ishte shtrirë, ndërsa mbi tapet gjetëm ambalazh valiumi bosh.
- Sa kohë zgjati?
- Ndodhi shumë shpejt. Djali njoftoi ambulancën.
- Çojeni tek dhoma Nr. 3 dhe përgatituni për të bërë lavazhin! -urdhëroi doktori. Ka gëlltitur dozë të madhe valiumi, - dhe u nis për në vendin e caktuar.
-Të lutem, doktor! Shpëtoje vajzën time! - dhe e kapi te bluza e bardhë.
- Do të bëjmë të pamundurën, - tha ai dhe shpejtoi hapat nëpër korridorin e gjatë, që kundërmonte erë jodi.
Si u mblodh i gjithë stafi, mbyllën derën dhe nisën punën menjëherë. E ëma qante në heshtje, ndërsa i biri, i kishte hedhur dorën në sup dhe dridhej nga ankthi i përftuar në atë mjedis. Nënë e bir qëndronin të heshtur dhe përcillnin me shqetësim çdo minutë që kalonte. Në fillim të korridorit u shfaq dhe silueta e babait, i cili u afrua dhe pyeti të shoqen me gjysmë zëri.
- Si ndodhi?
- As vetë nuk e di. Ishte vetëm një çast. Ka gëlltitur valium.
- Edhe kjo na duhej!
- Kush të njoftoi ty? - e pyeti ajo.
- Mori në telefon djali.
- Nuk më tha gjë.
- Rëndësi ka që Adriana të bëhet mirë, - tha ai dhe korridori ra përsëri në heshtje rënkuese, ku një familje e tërë po përjetonte çastin më të vështirë dhe më dramatik.
Tek ajo derë ata prisnin mrekullinë: vetëm një kërcitje e lehtë e bravës dhe gjithë bota do të ringrihej me shkëlqimin e saj, ose do të përplaste në ngjirizet më të errëta. Shfaqja e doktorit me buzëqeshjen e triumfit, i çliroi nga paniku, që i kishte mbërthyer dhe një gëzim i papërmbajtur përfshiu gjithë familjen. E ëma i puthi dorën doktorit dhe nuk gjente fjalë për ta përgëzuar.
- Falë zotit shpëtoi për mrekulli. Do të shtrohet tek pavioni i katit të dytë. Ka nevojë për një kurë intesive dhe qetësi.
- Të jam shumë mirënjohës, doktor! - tha edhe i ati dhe i shtrëngoi dorën fort.
- Nuk duhet ta shqetësoni, sepse ndihet shumë e lodhur, - tha doktori dhe u largua përgjatë koridorit me hapa të sigurt.
Ata qëndruan te korridori, ndoqën me sy njeriun që u riktheu vajzën dhe ashtu të kapur fort pas njëri-tjetrit, kaluan ankthin e ditës më të gjatë.


VIII
“Jeta ka dallgë dhe stuhi shumë më të tmerrshme se deti, por vetëm dashuria e vërtetë vendos dhe rimëkëmb paqen shpirtërore“.

Monda shkoi me nxitim në shtëpinë e shoqes. Skuqja e fytyrës dhe dihatja e shpejtë e frymëmarrjes, nënkuptonte shqetësimin e madh të saj.
- Çfarë ke kështu? -e pyeti Denisa, kur pa fytyrën e saj të zverdhur.
- Takova rastësisht vëllain e Adrianës në rrugë dhe më tregoi për marrëzinë që kishte bërë.
- Pse, çfarë ka ndodhur? - dhe e vështroi shoqen në sy.
- Kishte tentuar të vriste veten.
- S´ka mundësi! - dhe psherëtiu thellë Denisa.
- Kishte pirë valium!
- Kur?
- Ka më shumë se një javë.
- Pse ta këtë bërë këtë veprim?
- Nuk e di, por, që pas ngjarjes tënde, nuk më dukej shumë në terezi. Shkollën e ka braktisur. Dilte në mëngjes herët dhe nuk dihej ku shkonte. Besoj se do të këtë kaluar në depresion.
- Duhet të interesohesh për të.
- Kur të shkoj për në shtëpi, do të kthehem pak edhe atje.
- Nuk e kuptoj përse e ka ndërmarrë këtë veprim! Kjo gjë nuk ka asnjë kuptim.
- Edhe unë nuk di ndonjë gjë më tepër.
- Me matematikën si po ecën?
- Kemi një provim nesër, i cili është vendimtar.
- Ka thënë gjë për mua mësuesja?
Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://kristaniada.tripod.com  http://pegasialwriters.tripod.com
Kristaq F. Shabani
Miqte e Forumit
Miqte e Forumit
avatar


Male
Numri i postimeve : 11718
Age : 65
Vendi : Gjirokaster, Albania
Profesioni/Hobi : Poetry
Registration date : 04/07/2008

ROMANI SHQIP PEGASI "PËRTEJ PERDES GRI" nga Agron Shele - Faqe 3 Empty
MesazhTitulli: Re: ROMANI SHQIP PEGASI "PËRTEJ PERDES GRI" nga Agron Shele   ROMANI SHQIP PEGASI "PËRTEJ PERDES GRI" nga Agron Shele - Faqe 3 EmptyMon Sep 13, 2010 3:30 pm

- Ti nuk ke probleme me mësimet. Edhe sot të përmëndi si një nga nxënëset e saj më të mira. Nuk të kam pyetur. Kur do vish në shkollë?
- Ndihem shumë në siklet, por mendoj se së shpejti duhet të filloj.
- Shumë të bukura këto lule, - dhe i preku butë me majat e gishtave. - Hyra brënda e shpërqendruar krejt dhe nuk i vura re. Kush i solli?
-I ka dërguar ai, - tha për Landin dhe në fytyrë mori një nur tjetër.
- Me kë ?
- Gjeti Ninin tek sheshi poshtë, - tha për vëllain e vogël, dhe ia kishte dhënë atij.
- Besoj se e zgjate pak kokën nga dritarja.
- Qëndroi atje për shumë kohe, por nuk munda ta falënderoja.
- Pse?
- Ai nuk ka të drejtë të bëhet pjesë e shqetësimeve të mia.
- Dashuria nuk ka kushte.
- Por nuk ka nevojë as për mëshirë.
- Landi të dashuron. Nuk të lejoj të flasësh me këtë gjuhë.
- Më duket sikur do ta mbaj peng gjithë jetën. Është më e ndershme që secili të ndjekë fatin e tij.
- Mend harrova. Po Beni? - i tha për vëllain e madh. - Di gjë për problemin tënd?
- Mami donte ta njoftonte, por unë nuk e lejova. Ti e di që ai shkoi me shumë sakrifica atje. Dokumentat nuk i ka bërë, kështu që e ka shumë të vështirë ardhjen. Në telefon flasim rregullisht dhe, për fat, është stabilizuar në një punë të mirë.
- Ke vepruar drejt. Do ta përjetonte shumë më keq, pasi ju të dy jeni shumë të lidhur me njëri -tjetrin.
- Je takuar me Dorianin?
- Erdhi dje te shkolla dhe më shoqëroi për në shtëpi. Më pyeti edhe për ty.
- Faleminderit! Ky po, që është lajm, - tha Denisa dhe qeshi.
- Më jep lejë të largohem!
- Mos harro të shkosh tek Adriana, se nesër do të të pyes për të. Në rregull?
- Po për Landin, nuk ke ndonjë mesazh, sepse mund të telefonojë nga mbrëmja?
- Unë e dua atë, por nuk mund ta bëj pjesë të dhimbjes sime.
- Atëherë, shihemi nesër, - dhe u nis për tek shtëpia e Adrianës.
I ra ziles dhe në derë u shfaq nëna e saj. Ajo e priti gjithë ngrohtësi dhe e falënderoi për vizitën e bërë.
- Të më falësh që nuk kam ardhur më përpara, por, sinqerisht, nuk dija gjë! -dhe u skuq në fytyrë.
- Shpëtoi në fill, bija ime, - dhe psherëtiu thellë.
- Si është me shëndet?
- Nuk është mirë, - dhe kryqëzoi duart.
-Po shkoj pak te dhoma e saj, - tha Monda dhe u bë gati.
- Nuk mund ta takosh. Ajo nuk do që ta shqetësojë njeri. Po pa njeri te dhoma, acarohet menjëherë. Ka humbur kontrollin dhe nuk di ç‘bën.
- Ndoshta qetësohet po të bisedoj me të, - shprehu shqetësimin ajo.
- Nuk ka asnjë mundësi.

* * *
Monda qëndroi edhe pak për mirësjellje, më pas u shkëput me shumë zgjuarsi nga ai mjedis. Nënës së saj nuk i tregoi gjë për Adrianën, por i dha shpjegime vetëm për vizitën te Denisa. Zilja e telefonit e bëri të kërcente përpjetë dhe ajo shkoi të ngrinte receptorin. Në krahun tjetër u dëgjua zëri i Landit.
- Fole me Denisën sot?
- Mban të njëjtin qendrim për ty. Mendon se çdo gjë e bën për mëshirë.
- Nuk ia shpjegove qëndrimin tim, në lidhje me këtë çështje?
- Ajo nuk donte të dëgjonte asgjë nga ato që the ti, megjithatë, mos u mërzit, se së afërmi do të shkojë në shkollë.
- Po Erisës çfarë i kishe thënë?
- Asgjë. Më pyeti për Denisen dhe i tregova ç´i kishte ndodhur!
- Vetëm kaq?
-Për Zotin, Landi, vetëm ngjarjen që ndodhi, i tregova. Të tha gjë tjetër?
- Do të takohemi së shpejti, -tha ai dhe mbylli telefonin.
Monda lëshoi telefonin me një ndjenjë faji, për rrëfimin që i kishte bërë kushërirës, në lidhje me atë që kishte ndodhur atë natë të tmerrshme, ku ngjarja ngatërrohej me rregullsinë dhe moralin e papërlyer që duhet të kishte një vajzë. Shkoi në dhomën e saj, që të përgatitej për provimin e nesërm të matematikës. Nota negative do ta linte për në vjeshtë dhe planet e saj për të filluar ndonjë kurs të mundshëm, do të dështonin.

***
Dita e parë e javës krijon në vetvete një emocion të veçantë, por Monda e përligjte gëzimin e madh, se pas shumë kohësh, rrugën do ta ndante përsëri me shoqen. E priti si gjithmonë në të njëjtin vend dhe, vetëm kur dalloi siluetën e saj, u gjallërua disi.
- Mirëmëngjes! - e përshëndeti gjithë përzemërsi ajo.
-Mirëmëngjes! - i tha Denisa.
- Më në fund, u kthyem në ritualin tonë të përditshëm.
- Se si më duket dita e sotme, Monda.
- Ke të drejtë! Ka kaluar më shumë se një muaj, e kuptoj se si ndihesh.
- Të them të drejtën, më vjen shumë rëndë, nga shokët dhe shoqet e klasës. Ata do të më shikojnë me tjetër sy. Më duket sikur kam njollën e turpit në ballë dhe më përflasin të gjithë.
- Mos u bëj budallaqe! Ti ishe viktimë e asaj ngjarjeje të shëmtuar, kështu që nuk mund të trajtohesh si objekt bisede.
- Ndihem në siklet të madh, Monda.
- Shokët e klasës reaguan ashpër për Adrianën. Për ty, di që shprehën keqardhje. Ke për ta parë, si do të të presin sot.
- Nga Adriana ke ndonjë informacion?
- Është shumë e sëmurë,… - dhe u përtyp ajo.
- Sinqerisht, më vjen shumë keq për të. Nuk e kisha menduar kurrë se do rrokulliseshin gjërat kaq shpejt dhe, gjithçka e bukur e shoqërisë sonë, do të përmbysej dhe shembej kaq zhurmshëm.
- Kam bërë një gafë të madhe para disa ditësh.
- Çfarë?!
-Nuk di nga ta filloj. Si të them...
- Po të dëgjoj! -i tha Denisa.
- Isha tek Erisa, motra e Landit dhe… pa dashje...
- Fol pa problem. Nuk më dëshpëron, çfarëdo lloj gjëje që t´i kesh thënë.
- Ndonjë gjë e rëndë nuk është, por nuk kisha pse t´i flisja për ty.
- I tregove për atë që më ndodhi mua? – e pyeti dhe u kthye nga shoqja.
-Po, por pa dashje, - dhe u skuq në fytyrë.
-Për këtë ishe e shqetësuar, Monda?
- Lëre, se më foli ashpër edhe Landi.
- Ne e kemi biseduar një herë atë problem. Landi nuk mund të bëhet pjesë e jetës sime, pasi, ajo e ardhme, që ne kishim projektuar, u rrëzua dhe nuk mund të riparohet kurrë.
Ky është mendimi yt, por ai nuk ka ndërmend të tërhiqet. Më tha një shprehje shumë të bukur, e cila më ka mbetur në mendje:
“Jeta ka dallgë dhe stuhi shumë më të tmerrshme se deti, por vetëm dashuria e vërtetë vendos dhe rimëkëmb paqen shpirtërore“.
Denisa buzëqeshi, kur e dëgjoi këtë thënie profetike të Landit dhe iu drejtua shoqes:
- Nuk hoqi dorë nga këto ai.
- As mos e mendo!
Para syve të saj u shfaq shkolla e dashur, e cila pas kaq kohësh e ftonte me të njëjtën ngrohtësi, njëlloj si dikur. Një grup shoqesh e rrethuan dhe e inkurajuan për t´u shkëputur nga drojtja që e mbërtheu kur hyri. Nuk e kishte menduar kaq të lehtë prezantimin para atij mjedisi të madh, ku edhe një anekdodë qarkullonte për javë të tëra dhe jo një ndodhi e tillë, megjithëse e dhimbshme, mund t´i bënte të tjerët kureshtarë. Edhe mësuesja e matematikës, kur e pa në korridor, u shkëput nga kolegët e saj dhe e takoi gjithë përzemërsi. Denisa, me ndjeshmërinë që e karakterizonte, nuk arriti dot ta përmbante veten, por u shkri një me të, sikur të kërkonte mbrojtjen dhe ndihmën e saj, për të vrarë ankthin përshkues, që e turturonte për ditë të tëra. Shokët e klasës e njihnin ndryshe. U çuditën kur u ndeshën me anën tjetër të medaljes së saj, me atë dashuri njerëzore që zor se mund të paramendohej nga ndërgjegjia e tyre.
Dita kaloi pa problem dhe të dyja shoqet, pas mësimit, u drejtuan për në shtëpi. Mungesa e Adrianës, e atij karakteri që gjallëronte jetën e tyre që depërtonte në të gjitha të fshehtat dhe që, me mënyrën e saj të interpretimit të gjërave, plotësonte çdo boshllëk në atë grup gati të pandashëm, ndihej shumë.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://kristaniada.tripod.com  http://pegasialwriters.tripod.com
Kristaq F. Shabani
Miqte e Forumit
Miqte e Forumit
avatar


Male
Numri i postimeve : 11718
Age : 65
Vendi : Gjirokaster, Albania
Profesioni/Hobi : Poetry
Registration date : 04/07/2008

ROMANI SHQIP PEGASI "PËRTEJ PERDES GRI" nga Agron Shele - Faqe 3 Empty
MesazhTitulli: Re: ROMANI SHQIP PEGASI "PËRTEJ PERDES GRI" nga Agron Shele   ROMANI SHQIP PEGASI "PËRTEJ PERDES GRI" nga Agron Shele - Faqe 3 EmptyMon Sep 13, 2010 3:31 pm

Përshkonin rrugën pa ndonjë emocion të veçantë. Vetëm përballja me Landin ndryshoi kryekëput gjendjen e tyre apatike. Denisa, fillimisht, u step. Vetëm ndërhyrja e shoqes e ndërgjegjësoi se ky takim ishte më se i domosdoshëm. Monda u shkëput dhe humbi në rrjedhën e njerëzve, që mbushnin rrugët në mesditë, ndërsa ata të dy ndërruan drejtim dhe u zhvendosën për nga bulevardi kryesor.
- Unë e kuptoj gjëndjen tënde, Denisa. Ankthin që kalove, paragjykimin që i bën dashurisë sonë, pas asaj që të ndodhi, por kjo nuk do të thotë se lidhja jonë duhet të përfundojë, vetëm se kështu ne respektojmë moralin e kësaj kohe gërmadhë. Kjo që të ndodhi ty, mund t´i ndodhë çdo vajze dhe, sipas teje, çdo ndjenjë duhet të shuhet. Ti nuk e merr dot me mend se sa shumë u shqetësova. Mendoja më tepër për plagen e rëndë që të shkaktuan, për dhimbjen e thellë që përjetove, por, për raportet qe kemi krijuar, kjo ndodhi kurrsesi nuk do ndikonte tek mua. Ti përjetove një çast të keq, vetëm kaq, por kjo s´do të thotë asgjë.Kujto ditët tona të bardha, hapi dritaret e shpirtit, vështroji njerëzit në sy. Aty ke për të ndier magjinë e mundësisë që të është dhënë për të jetuar.
- Nuk kam dyshuar ndonjëherë në sinqeritetin tënd, Landi, por nuk e quaj të drejtë që një dashuri e shkelur dhe e dhunuar deri në ekstrem, të vazhdojë gjatë. Rrethi ynë i ngushtë do të ngushtojë si unazë të nesërmen dhe pasojat do të ndëshkojnë sërish.
-Ti e pate kurajon të përballeshe me të keqen e madhe që ndodhi, kështu që s´ke pse të tregohesh pragmatiste. Ne jemi të rinj dhe nuk duhet të mendojmë si prindërit tanë, të cilët janë pjesë e mbartjes së ndërgjegjjes së shkuar. Më bëri përshtypje qëndrimi i Erisës.
- Kishte folur me Mondën, - u hodh ajo.
- Unë i tërhoqa pak veshin asaj. Besoj se të ka thënë.
- Për mua nuk ka asnjë rëndësi.
- Ndoshta nuk e beson, por Erisa këmbënguli që të takohesha me ty sa më parë. “Ajo sot ka nevojë për ty, më shumë se kurre,“ - më tha.
-Unë e njoh motrën tënde për aq sa më ke treguar ti. Është me të vërtetë e mrekullushme.
Ai buzeqeshi. Nga fjalët e folura u duk qartë, që iu bë qejfi.
- Për hir të së vërtetës, shoh nota optimiste, shoh tjetër fytyrë. Ky fakt më gëzon pa masë dhe më qetëson shumë. Mendimet e turbullta le të mbeten pas. Duhet të shikosh vetëm përpara, Denisa.
- Është një gjurmë e hidhur, që ka lënë shenjë kudo: në zemër, në shpirt, në mendime.
- Quaje një ëndërr të keqe dhe, tani që je zgjuar, duhet t´i gëzohesh jetës së re.
- Kaq e thjeshtë të duket?
- E di që është shumë e ndërlikuar dhe shumë stresante, por nuk mund dhe nuk duhet të lundrosh në ato ujëra, që të mbajnë përherë larg bregut të shpëtimit.
- Dhe ti ke kurajon që të përballesh me jetën time tërësisht të ngatërruar?!
- Jeta jote është një botë e mbushur plot me dritë, është një oaz, ku shpirti im gjen paqen, është det i thellë, ku sytë e mi lahen.
- Ke shpirt poetik, Landi.
- Nuk flitet për sentimentalizma, por për zërin e shpirtit, që të thërret dhe të ndjek pas kudo. Unë të dua! - dhe i kërkoi buzët.
- Janë të ftohta, Landi, të akullta, të grisura pa mëshirë. Nuk e di se çfarë mund të ndjesh ti në to.
- Dashurinë time! - dhe e puthi gjithë afsh.
- Duhet të jesh i çmendur, që kapesh pas rrënojës së mbetur, - i tha ajo më pas.
- Mos e paragjyko veten, Denisa.
- Më mirë largohemi këtej!
- Si të duash, - i tha ai dhe u drejtuan për në lagjen e saj.
Kur u afruan pranë shtëpisë, ndalën hapat për një çast.
- Atëherë, kur mund të shihemi prapë? - pyeti Landi.
- Nuk e di. Jam shumë rrëmujë në vetvete.
- Mirupafshim! - tha ai.
Denisa e përshëndeti me dorë dhe ngjiti shkallët e pallatit, për t´u fshehur në strofullën e saj, nga ankthi gjithpërfshirës, që i shkaktohej nga pazazhet e asaj nate të kobshme, që vriste ndjenjat e pafajshme.

Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://kristaniada.tripod.com  http://pegasialwriters.tripod.com
Kristaq F. Shabani
Miqte e Forumit
Miqte e Forumit
avatar


Male
Numri i postimeve : 11718
Age : 65
Vendi : Gjirokaster, Albania
Profesioni/Hobi : Poetry
Registration date : 04/07/2008

ROMANI SHQIP PEGASI "PËRTEJ PERDES GRI" nga Agron Shele - Faqe 3 Empty
MesazhTitulli: Re: ROMANI SHQIP PEGASI "PËRTEJ PERDES GRI" nga Agron Shele   ROMANI SHQIP PEGASI "PËRTEJ PERDES GRI" nga Agron Shele - Faqe 3 EmptyMon Sep 13, 2010 3:31 pm

IX

Kur përfundoi së treguari ndodhinë e asaj nate të tmerrshme, mori frymë thellë, a thua se kishte kaluar makthin më të madh.

Dita e fundit e shkollës, për maturën e IV C, ishte më tepër një paraqitje formale në shkollë, ku gjithësecili përpiqej të ndante emocionet me të tjerët. Vajzat ishin grumbulluar në një kënd dhe po bënin gjithë atë potere, kur mësuesja e matematikës, të cilën e kishin edhe kujdestare, hyri në klasë dhe vendosi rregullin menjëherë. Nxënësit zunë vendet nëpër tavolina dhe përqëndruan vëmendjen nga katedra.
- Bashkë kaluam procesin mësimor 4 -vjecar, por keni dhe një betejë tjetër, për ta kurorëzuar me sukses gjithë punën dhe përpjekjen tuaj. Provimet e maturës janë shumë të rëndësishme, për vazhdimin e mëtejshëm të studimeve. Pyetjet besoj se i keni marrë të gjithë, datat e provimeve gjithashtu, duhet vetëm të studioni. Kushdo që do të këtë nevojë për ndihmën time, të vijë në shkollë dhe të konsultohet për gjërat që nuk i kupton, pasi unë do të jem çdo ditë këtu.
Ajo hyri më pas në praktikën e zhvillimit të një provimi, ndërsa gjithë klasa dëgjonte me vëmendje. Trokitja e derës, e detyroi mësuesen të ngrihej në këmbë dhe të shkonte drejt saj.
U befasua shumë kur para saj u shfaq Adriana, e cila kishte shumë kohe që, nuk ishte dukur në shkollë.
- Erdha përsëri, mësuese, - tha ajo dhe, pa kërkuar lejë, shkoi e u ul në tavolinën e saj, e ndjekur nga vështrimi i çuditur i gjithë auditorit.
Mësuesja kishte ngelur e shtangur. Nuk mund të fliste asnjë fjalë. Ende nuk po e besonte që nxënësja e saj, megjithëse nuk figuronte më në regjistër, vinte në shkollë. Edhe klasa ishte befasuar nga ky veprim tërësisht i pakuptimtë, ndërsa shoqja e tyre hapte librat mbi tavolinë. Pëshpërimat nisën të qarkullonin, ndërsa zëri i Denisës grisi heshtjen cinike të vendosur në atë çast.
- Me lejë!
- Po, - tha shkurt mësuesja.
- Ka mundësi që ta shoqëroj Adrianën gjer në shtëpi.
- Nuk iki nga mësimi! - tha ajo.
- Duhet të shkojmë bashkë si gjithmonë, - tha Denisa- dhe futi librat e shpërndarë pa rregull mbi tavolinë, në çantën e saj.
- Të shkoj dhe unë mësuese? -u hodh më pas Monda.
- Shko! - i tha, ndërsa vështrimi i saj kishte ngrirë.
Edhe shokët e tjerë e përcollën me keqardhje shumë të madhe largimin, ndërsa koka e kthyer pas, jepte tabllon e qartë të shkëputjes së saj nga rrjedha normale.
-Pse erdhët me mua? - i pyeti ajo, kur dolën në rrugë.
- Do shkojmë bashkë si gjithmonë, - i tha Denisa.
-Po të tjerët nuk u larguan nga klasa. Pse ikëm ne?
- Morëm leje tek mësuesja, - ndërhyri Monda.
- Nesër do të vij përsëri në shkollë.
- Është pushim, - gënjeu Denisa.
- Kam frikë nga Toni. -Po të na gjejë bashkë, mund t´ju bëjë keq. Largohuni sa më shpejt. Ai mund të vijë nga çasti në çast.
- Ne nuk do ta lejojmë kurrë një gjë të tillë, – e qetësoi Denisa.
- Jo! Jo! Ju nuk më ndihmoni dot. Vetëm ajo mund të bëjë diçka.
-Për kë e ke fjalën? - e pyeti gjithë kureshtje Denisa.
- Për Martën.
- Kush është ajo?
- Është shoqja ime, por ju nuk e njihni.
- Mos e merr seriozisht, – i tha Monda me zë të ulët. - Ajo flet gjepura.
U afruan tek sheshi para pallatit të saj dhe ndjenë një lehtësim të madh.
- Nuk dua të shkoj në shtëpi! - dhe mori një pamje të egër në fytyrë.
- Do të vijmë dhe ne me ty. Kemi plot gjëra për të biseduar, - i tha Monda dhe i shkoi krahun.
Kur hynë brenda, nëna e Adrianës i falënderoi dhe i luti që të qendronin, por ato i kërkuan lejë dhe u larguan me ndjenjën e dhimbjes së thellë. Shoqen e tyre e kishin humbur përfundimisht, në gjithë atë pjesë jete, ajo do të mbetej vetëm një kujtim i hidhur. Kur zbritën poshtë, morën frymë të lehtësuara.
- Nuk ka asnjë mënyrë për ta ndihmuar Adrianën! -i tha Monda dhe psherëtiu thellë.
- Çfarë të them unë, - dhe ngriti supet lart shoqja.
- Çudi, si është jeta e njeriut! Të shkonte në mend se mund të shpërfytyrohej në atë mënyrë. Ende nuk e besoj.
- Vetëm Zoti mund të bëjë mrekullira… Kështu që është e kotë të diskutojmë.
- Denisa! Kam kohë që nuk e kam takuar Landin, për çudi, nuk ka marre as në telefon. Si ju shkojnë punët?
- Nuk më pëlqen që të diskutojmë për këtë gjë.
- E ke gabim!
- Po përpiqem që ta mbaj sa më larg. Ëndrrën tonë e vranë pabesisht.
- Landi nuk ka ardhur asnjëherë gjatë kësaj kohe?
- Unë i jam shmangur takimeve me të.
- Ai të dashuron me gjithë forcën e shpirtit. Nuk ka kuptim.
- Unë nuk kam nevojë për mëshirë, Monda!
- Nuk e kupton që po këmbngul më kot! Ai nuk do të të zhgënjejë kurrë.
- Problemi nuk qëndron tek ndjenjat e tij, ato nuk mund të ndryshojnë për gjithë jetën, por mua më trëmb tjetër gjë. Unë nuk dua të jetoj me ndjenjën e inferioritetit, me një plagë në shpirt që atë do ta vendosë përherë në vështirësi.
- Landi nuk është nga ata tipa, përkundrazi, ai do përpiqet që ty të të lehtësojë sa më shumë.
- Më mirë e lëmë këtë bisedë, Monda.
- Si të duash, por më vjen keq që po e shkatërron dashurinë tënde. Është njëlloj si të mohosh vetveten.
- Mendon se e kam të lehtë! Por më duket sikur thotë: “ Jam unë ai që të ngrita nga balta“.
- Është e kotë që të diskutojmë për këtë gjë. Me sa kuptoj unë, t´i nuk ndryshon mendim. Mund të vij mbasdite, për të punuar pak me matematikën.
- Aty më ke gjatë gjithë kohës, -i tha Denisa dhe u përshëndet me shoqen.
Ngjiti shkallët me përtesë dhe i ra ziles së derës. Kur pa që u shfaq vëllai i madh, gati sa nuk fluturoi nga gëzimi.
- Nuk e merr dot me mend sa më gëzove! - i tha ajo. - Më kishte marrë malli shumë, - dhe përqafoi.
- Ti mendon se nuk do vija, pas asaj që të ndodhi.
- Mami, ti më premtove se nuk do ta shqetësoje Benin, për këtë problem, - dhe e vështroi nënën ne sy.
- Duhet të më kishit njoftuar menjëherë. Vepruat shumë gabim. Nuk doja ta dëgjoja këtë ngjarje nga të tjerët.
- Nuk donim të të shtonim problemet më tepër, - u shfajësua nëna.
- Problemet në emigracion nuk mbarojnë kurrë.
- Kush të njoftoi për atë që më ndodhi mua? - e pyeti Denisa.
- Kam dhe unë pesë shokë, - dhe u ul në divan.
Nini i vogël sillej nëpër shtëpi, luante me lodrat që i kishte sjellë i vëllai nga Italia, ndërsa ata bisedonin për procedurat e metejshme që duhet të ndiqnin, në lidhje me gjyqin, që do të zhvillohej së afërmi.
- Keni gjetur ndonjë avokat të mirë? -pyeti ai.
- Ata kërkojnë shumë, -tha e ëma dhe psherëtiu thellë.
- Lekët nuk janë problem. Unë fola dhe me pronarin tim atje dhe ai më ka afruar ndihmën e tij.
- Nesër ka një konsultë. Mund të bisedosh vetë me të.
- Patjetër! - tha ai.
- Kemi një problem të vogël, - u hodh nëna.
-Çfarë ju shqetëson?
-Atë të poshtrin e ka denancuar edhe një shoqe e Denisës, për ushtrim dhune në rrugë, por për fat të keq ajo vajza është e sëmurë dhe nuk mund të dalë si dëshmitare.
-Me të do përballemi vetëm ne.
-Po, - u përgjigj shkurt e ëma.
-Ne duhet ta vendosim me shpatulla për muri, prandaj pyeta për avokatin në fillim, megjithëse shumë përvojë nuk është krijuar në këtë drejtim, sepse kjo linjë s´ka shumë që është ngritur.
- Unë nuk marr vesh nga këto gjëra. Tani që erdhe vetë, të takon ta ndjekësh vetë këtë punë. Shefi i rajonit të policisë, erdhi këtu dhe më premtoi ndihmë. Një zot e merr vesh këtë gjë. Nuk di se çfarë të them më tepër, -mbylli ligjëratën më në fund ajo.
- Do të bëjmë të pamundurën, mami, - i tha ai.
Më pas biseda e tyre u përqendrua tek problemi i punës së Benit, si dhe përgatitjet e Denisës për provimet e maturës. Nini vazhdonte në botën e tij fëmijënore, përkëdhelej si të mundej dhe herë pas herë kërkonte që t´i plotësonin tekat. E ëma hidhte ndonjë vështrim nga korniza e të shoqit në mur, i cili çuditërisht me atë buzëqeshjen e tij karakteristike, dukej sikur i kontrollonte nga larg dhe krenohej me dashurinë dhe respektin, që tregonin ndaj njëri-tjetrit.
* * *
E nesërmja trokiti në dhomën e Denisës me një tufë rrezesh të ngrohta. Ajo u çua nga shtrati, hapi dritaren dhe përshëndeti ditën e re. Në orën 1000, duhej të paraqitej tek zyra e avokatit. Kontrolloi orën. Si u sigurua se koha i premtonte, nisi të bënte tualetin e zakonshëm. Veshi fustanin ngjyrë deti të hapur, u kontrollua dhe një herë në pasqyrë dhe shkoi në dhomën e pritjes, ku i vëllai e priste i ulur në kolltukun përballë dhomës së saj.
- Gati je? - i tha ai.
- Përsëri do të ikësh pa mëngjes? – i tha e ëma.
- Nuk kam oreks, mami.
- Pi një gotë qumësht, të paktën.
- Më mirë po dalim, - tha Beni. - Kohë kemi plot, bëjmë një shëtitje, pastaj shkojmë tek zyra e avokatit.
-Mirupafshim, mami! - e përshëndeti ajo dhe të dy dolën jashtë.
Ishte një ditë shumë e bukur dhe qyteti gumëzhinte. Ende nuk kishin hyrë në rrugën kryesore, kur u ndeshën me Mondën.
- Kur ke ardhur kështu? - i tha ajo Benit dhe një skuqje e lehtë i pushtoi fytyrën.
- Dje, - i tha ai, pa ndonjë emocion të veçantë.
- Mirë ke kaluar andej?
- Si në vend të huaj! - u përgjigj shkurt ai.
- Atëherë, më falni! - kërkoi lejë ajo dhe u largua.
- Çfarë po bën ndonjë gjë ajo? - pyeti Beni.
- Të intereson? - dhe e vështroi vëllain me vëmendje.
- Pyeta ashtu kot, - tha ai.
- Shoqërohet me një djalë tjetër, megjithëse për ty ka pyetur gjithmonë.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://kristaniada.tripod.com  http://pegasialwriters.tripod.com
Kristaq F. Shabani
Miqte e Forumit
Miqte e Forumit
avatar


Male
Numri i postimeve : 11718
Age : 65
Vendi : Gjirokaster, Albania
Profesioni/Hobi : Poetry
Registration date : 04/07/2008

ROMANI SHQIP PEGASI "PËRTEJ PERDES GRI" nga Agron Shele - Faqe 3 Empty
MesazhTitulli: Re: ROMANI SHQIP PEGASI "PËRTEJ PERDES GRI" nga Agron Shele   ROMANI SHQIP PEGASI "PËRTEJ PERDES GRI" nga Agron Shele - Faqe 3 EmptyMon Sep 13, 2010 3:31 pm

- Tani s´ka shumë rëndësi
Zyra e avokatit ishte në “Rrugën e Dibrës”. Për të shkuar atje, morën autobusin e linjës. Rreshti i pallateve shoqëronte krahun e majtë të rrugës kryesore dhe në një nga katet e para, ata shquan tabelën elektronike ”Zyrë Avokatie”.
- Ajo atje, duhet të jetë, - tha Beni.
- Po, - u përgjigj shkurt Denisa. - Eja të shkojmë.
- Të presim dhe pak, se jemi herët. Duhen dhe pesë minuta.
- Nuk jemi në Itali këtu, ku zbatohet orari pikë për pikë.
- Është rregull, - tha ai.
- Mos u shqetëso shumë për këtë gjë, pasi, dy herë që kam lënë orar me të, të dyja herët e ka shkelur.
Për fat, në zyrë nuk kishte asnjë klient tjetër. Avokati i priti me buzëqeshje dhe i ftoi të rehatoheshin në kolltukët kamosh, që kishte vendosur në formë gjysmë rrethi te paradhoma.
- Javës tjetër do të zhvillohet gjyqi, kështu që, sot, do të hyjmë në detajet më të imta. Pikërisht për këtë gjë, nuk dua të mbash asnjë rezervë, sepse edhe një sekuencë e vogël që, për ty, ndoshta, nuk ka rëndësi, ndikon shumë në mbarëvajtjen e tërë procesit.
- Ne jemi të interesuar që ai njeri të vuajë dënimin më të rëndë, - i tha Beni.
- Për këtë duhet të bashkëpunojmë sa më shumë, - dhe vështroi Denisën, -e cila, nën ndikimin e mbikqyrjes së tjetrit, u vendos në pozitë të vështirë.
- Patjetër! - foli Beni.
- Atëherë, shkojmë në zyrë dhe bëjmë konsultën përfundimtare.
Beni nuk lëvizi nga vendi, por filloi të shfletonte revistat, që kishte vendosur mbi tavolinë, ku shoqëruesit e klientëve të tij kalonin kohën.
Ata zunë vend në zyrë, qendruan një grimë në heshtje, derisa sekretarja u bë gati dhe filluan.
-Ndoshta të dukemi të bezdisshëm me pyetjet e njëjta, por procedurat kështu e kanë. Si fillim, do të ritregosh ngjarjen, por nuk dua të harrosh asnjë detaj pa përmendur. Në bazë të këtij rrëfimi, do të punojmë në sallë, me pyetje dhe kundra – pyetje; gjithashtu, një mbështetje të rëndësishme do të na jepnin edhe dëshmitarët, por, për fat të keq, shoqja jote ka kaluar në depresion dhe nuk mund të na ndihmojë më. Në atë salle atje, jemi ne me faktet tona dhe ai me alibitë e tij të rreme, me anën e të cilave kërkon të shpëtojë nga dënimi. Gati je? -i tha sekretares, me ton urdhërues dhe i bëri shenjë Denisës të fillonte.
Ajo i rrefeu ngjarjen fill e për pe dhe rikthehej përsëri në ndonjë pazazh, që ai ia kërkonte.
Kur përfundoi së treguari ndodhinë e asaj nate të tmerrshme, mori frymë thellë, a thua se kishte kaluar makthin më të madh.
- Në gjithë këtë histori ne kemi dy dëshmitarë, njeri prej të cilëve është Landi dhe ai as ka parë dhe as ka dëgjuar gjë, ndërsa dëshmitaren e dytë, nuk e gjejmë dot, pasi nuk punon më në atë lokal.
- Nuk di se çfarë të them, - tha ajo e habitur.
- Në fund të fundit, ne kemi provat ligjore, por ata do të bëjnë përpjekje për ta zhvlerësuar situatën, që të mund të përfitojnë sa më shumë nga ky proces.
Ata diskutuan gjatë për dëshminë, që do të paraqiste para gjyqit; do të shpjegonte edhe rastin tjetër të dhunës së ushtruar te shoqja e saj, pasi kjo përkonte dhe me denoncimin e bërë nga vetë Adriana në polici, ku, për fat të mirë, farmacisti kishte pranuar të bashkëpunonte për këtë rast.
Në fund, ata u përshëndetën dhe ai u garantoi, se në atë proces do të jepte maksimumin.
Kur dolën në rrugë, Denisa u ndie disi më e qetë. Morën autobusin urban përsëri dhe zbritën në qendër.
- Shkojmë nga bulevardi i madh, sepse kam nevojë për një shëtitje të gjatë.
- Të streson mendimi i përballjes me të në gjyq?
- Është një ankth, që duhet të marrë fund njëherë e mirë.
- Ke të drejtë, - i tha ai.
Ajo nuk foli, por vazhdoi rrugën, së bashku me mendimet e ngatërruara, të cilat e kishin futur në një qerthull pasigurie dhe shqetësimi, aq sa çdo gjë i dukej e pakuptimtë. Në krahun tjetër të bulevardit, shëtitja e saj, vëzhgohej me vështrim të errëtuar nga ana e Landit. Denisa as që e vuri re atë, por ndiqte intinerarin e bulevardit dhe përpiqej të kuptonte, se përse jeta të rrëmbente me krahë të padukshëm dhe, herë të flakte pa mëshirë në ngrehinat plot dhimbje, herë të jepte kurajo për t’u ringritur lartësive.


X
Kur dolën jashtë, ndjenë menjëherë afshin e nxehtë të verës,…

Vera erdhi me temperatura të larta. Dielli ngrihej në kupë të qiellit dhe digjte fort. Monda, e djersitur, përpiqej të bënte fresk me shaminë e dorës, ndërsa ngjiste shkallët e shtëpisë së Landit. Hyri brenda, u përshëndet me kushërirën dhe të dyja filluan të çuçurisnin me njëra -tjetrën.
- Filloi i nxehti verës, -i tha Erisa.
- Erdhi sezoni i plazhit, thua më mirë. Kam provimin e matematikës dhe më duhet të studioj. Sa ta heq qafe edhe këtë lëndë të mallkuar, pastaj nuk më shikon më këtu.
- Do të shkosh përsëri në Pogradec, te dajua?
- Patjetër. Është qytet i vogël dhe ajo ç´ka është më e rëndësishme, atje largohesh nga zhurmat dhe rrëmuja e Tiranës.
- E kam parë shumë të shqetësuar Landin kohët e fundit.
- Pas ngjarjes që kaloi, marrëdhëniet e tyre ndryshuan kryekëput. Ajo jeton me psikozën e tmerrit që kaloi dhe, duke qëndruar larg tij, mendon se do të ndihet më e qetë.
- Po Landi nuk është tip i tillë, që të përflasë atë që ka shkuar, përkundrazi, ai do ta rrethonte me një dashuri të tillë, që ajo nuk ka për ta gjetur kurrë në jetë.
- Këtë gjë ia kam thënë edhe unë, por ajo këmbëngul në mendimet e saj.
Hyrja e Landit në dhomë e mbylli bisedën e tyre. Erisa gjeti një pretekst dhe u largua, ndërsa ata të dy, të ulur përballë njëri - tjetrit, filluan të diskutonin për Denisën.
- Më shqetësove mbrëmë, kur më more në telefon.
- Duhej të takoheshim patjetër.
- Pse me kaq ngut? Ka filluar i nxehti i madh dhe erdha me gjysmë fryme këtu.
- Para disa ditësh, pashë Denisën në bulevardin kryesor, që shoqërohej me një djalë.
-Për këtë gjë ma more shpirtin sot?!
-Pse, të duket pak?
-Ti mendon se ajo mund të jetë lidhur me ndonjë tjetër? - provoi të luante Monda me të.
- Me mënyrën se si sillet, ku nuk më shkon mendja.
- Je bërë xheloz, Landi.
- Nuk po kuptoj asgjë. Më duket se ti po luan me naivitetin tim, - dhe e vështroi në sy.
Monda filloi të qeshte, ndërsa ai, në kontrast të plotë me të, ishte zverdhur në fytyrë.
- Atë ditë i takova rastësisht në rrugë. Ai është vëllai i saj, i cili e shoqëroi gjer tek avokati dhe, më pas, kanë bërë shëtitje së bashku, në bulevardin kryesor.
- Ndoshta nuk më beson, por, në atë çast, më iku truri fare dhe një dëshpërim i madh më pushtoi shpirtin.
- Për këtë gjë më thirre sot?
- Dua të të pyes edhe për një gjë tjetër: Nesër zhvillohet gjyqi.
- E di, - tha Monda dhe mori një pamje serioze.
- Jam thirrur si dëshmitar atje.
- E mendoja një gjë të tillë.
- Duhet të dëshmoj për shoqërimin që i bëra gjer tek pallati. Është një sekuencë e shkurtër dhe e parëndësishme për çështjen.
- Por e rëndësishme për të vertetuar vendin dhe kohën e rrëmbimit, - i tha Monda.
-Vetëm dëshmia e Adrianës do ta vendoste me shpatulla për muri, por, për fat të keq, ajo nuk mund të dëshmojë asgjë nga ato që ka thënë.
- Ajo ka humbur çdo kontroll, Landi.
- Sinqerisht më vjen keq për të, por ne nuk mund të bëjmë asgjë. Kështu ishte shkruar fati i saj.
- Besoj se tani u qetësove për problemin që të shqetësonte. Po shkoj të përshëndes Erisën në dhomën e saj dhe do të largohem.
- Do të të shoqëroj vetë për në shtëpi, - i tha ai.
- Vertet?
- Po, - u përgjigj shkurt ai.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://kristaniada.tripod.com  http://pegasialwriters.tripod.com
Kristaq F. Shabani
Miqte e Forumit
Miqte e Forumit
avatar


Male
Numri i postimeve : 11718
Age : 65
Vendi : Gjirokaster, Albania
Profesioni/Hobi : Poetry
Registration date : 04/07/2008

ROMANI SHQIP PEGASI "PËRTEJ PERDES GRI" nga Agron Shele - Faqe 3 Empty
MesazhTitulli: Re: ROMANI SHQIP PEGASI "PËRTEJ PERDES GRI" nga Agron Shele   ROMANI SHQIP PEGASI "PËRTEJ PERDES GRI" nga Agron Shele - Faqe 3 EmptyMon Sep 13, 2010 3:32 pm

- Nuk vonohem, -tha ajo dhe fluturoi drejt dhomës së Erisës.
Kur dolën jashtë, ndjenë menjëherë afshin e nxehtë të verës, shpejtuan të merrnin nga një kasetë me muzikë, të cilat në këtë sezon popullonin rrugët kryesore në të dy krahët. Landi e çoi gjer tek shkalla e pallatit dhe, me gjithë këmbënguljen e tepëruar të saj, nuk u ngjit lart, por u largua menjëherë. Ai humbi nëpër rrugët e Tiranës, pa asnjë pikësynim. Donte vetëm të ecte, të lodhej, vetëm kështu mund të shkëputej nga ankthi i ditës së nesërme, i cili mund të paragjykonte edhe atë.

***

Denisa hapi dritaren dhe vështroi qiellin e mbushur plot yje. Në atë mori pikash të ndritshme, u përpoq të gjente shenjën e saj, rrugën e saj, zbardhësinë dhe shkëlqimin e jetës së saj. Përfytyroi veten me një pikë të tillë, të vendosur në renë qumështore të magjisë qiellore, ku prej andej donte të shkëputej si shigjetë dhe të copëtohej e të thërmohej në qiellin e dashurisë. Qyteti mbulohej me mantelin e errët dhe një qetësi e çuditshme, që, rrallëherë përcillte angullimën e ndonjë qeni, apo zhurmën e ndonjë makine të vonuar, tregonte misterin që rrethonte.
Provoi të shtrihej në shtrat, por ishte e kotë. Gjumi trëmbej nga mendimet e trazuara. Mendoi përballjen me atë njeri dhe i gjithë trupi iu rrëqeth. Nata e zezë që kishte kaluar me të, ishte një ferr i vërtetë. Dhimbja tronditëse, përzier me gjakun e pafajësisë, tmerronte aq shumë, sa, besimi se mund të ndihej e qetë në krahët e një mashkulli, kishte humbur. Pasojë e kësaj bindjeje të verbër ishte bërë edhe Landi, i cili endej nëpër detin plot dallgë dhe gulçonte peshën e valëve të egërsuara. Gjumi i munduar zbriti me ëndrra të frikshme, të cilat, herë e hidhnin ngrehinave të kobshme dhe zëri i çjerrë përfliste duart mekatare në atë errëti të pamatë, herë e nenqeshte dhe e përmbyllte përbrenda fatit të imponuar.
* * *
Mëngjesi erdhi i ngathët, i mpitë dhe mjaft çorientues. Qepallat e tejlodhura nuk hapnin dot kapakët. I trembeshin dritës së ditës së re, që do ta kthente përsëri në atë botë gri, që vetëm, kur e kujtonte, i shkaktonte llahtari, e jo më të rrëmonin dhe ta detyronin të pohonte ankthin e përjetuar gjatë. Tik - taku i orës, si për çudi, trokiste tronditjen e zemrës së saj. U përpëlit në shtratin e dhimbjes dhe, një mllef i mbledhur, e detyroi të shtrëngonte fort batanijen.
Kërcitja e bravës kumboi njëlloj si hapja e dyerve të hekurta nga gardianët, të cilët do ta rrëmbenin dhe do ta tërhiqnin zvarrë nëpër korridoret e gjatë, për ta çuar më pas përpara gjykimit të madh. I vinte turp nga gjithë ata njerëz, të cilët do ta dëgjonin dhe do të vendosnin për fatin e atij njeriu, që aktroi natën më të zezë të jetës së saj, ndërsa ajo, si pre e dhunës dhe e vesit të tij, do të merrte shpagimin.
- Zgjohu, shpirt, zgjohu, se jemi vonë! - u dëgjua zëri i nënës.
- Ndihem shumë keq, mami, - tha ajo me gjysmë zëri.
- Ti je vajzë e zonja, - i dha kurajo e ëma. - Sot do t´i japësh fund këtij makthi që të bren prej kohësh! Sot do të fitosh paqen dhe sigurinë e vetvetes!
- Kur mendoj gjithë ata njerëz atje, më zënë mornicat. Pastaj, përballja me atë tipin, të cilin, vetëm, kur e kujtoj, më zë lemeria.
- Çdo gjë do të shkojë si jo më mirë, - e qetësoi e ëma dhe e përqafoi Denisën, ndërsa sytë e përlotur shprehnin vuajtjen e saj të brendshme.
Rreth orës 900, e gjithë familja u nis për në gjykatë. E ëma mbante për dore Ninin e vogël, ndërsa Denisa ecte së bashku me Benin dhe tezen, disa hapa më pas. Dielli i fortë i mëngjesit, tregonte të nxehtin e madh, që do të bënte atë ditë. Ndaluan para gjykatës dhe, ashtu, të përfshirë nga shqetësimi i tyre i ligjshëm, qëndruan në heshtje të plotë. Ardhja e avokatit i gjallëroi disi. Komunikimi i tij i shpejtë në ato çaste, përkonte me dhënien e këshillave të fundit. Korridori i ngushtë i godinës së madhe vishej me misticizmin dhe hijen e rëndë që krijonte ai mjedis. Kur hyri brenda në sallë, u ndesh menjëherë me vështrimin zhbirus të një gruaje, e cila qëndronte në rreshtin e parë, me një pamje tejet tronditëse. Denisa u ul në vendin e caktuar dhe, si nëpër mjegull, nisi të orientohej. Përballë saj, mes uniformave të policisë gjyqësore, qendronte njeriu që i shkatërroi ëndrrat, vrasësi i ndjenjave dhe i dashurisë së vërtetë, i cili, për ironi të fatit, ruante një qetësi të çuditshme. Zemra e saj drithëroi si shpendi i bardhë pa krahë, që shikonte kaltërsinë e qiellit dhe nuk mund të kapej pas tij. Për një çast, mendoi se asgjë nuk do të ndryshonte në jetën e saj, cilido që të ishte vendimi i procesit. Në krye të sallës qendronte gjyqtari, ndërsa në krah të djathtë qendronte sekretarja, e cila kishte ulur kokën dhe kontrollonte morinë e letrave. Salla ishte mbushur plot. Rreshtat e fundit plotësoheshin nga shokët e klasës, të cilët rrethonin mësuesen e matematikës, që, gjer dje, e paragjykonin për rreptësinë e tepëruar, ndërsa atje dukej se kishin gjetur mirëkuptimin dhe paqen. Vështrimi i turbullt i saj kapi në një cep edhe Adrianën me nënën e saj, e cila në pamje të parë, të jepte përshtypjen se vinte nga një botë tërësisht e akullt. Landit nuk i lejohej qëndrimi në sallë, pasi ishte në rolin e dëshmitarit, ndërsa shoku i tij, Doriani, shkëmbente herë pas here ndonjë vështrim me Mondën, që, gjithsesi, nuk mund t´i shpëtonte Benit, i cili e kapërcente këtë xhest me skepticizëm.
Fjalën e mori gjykatësi, i cili deklaroi hapjen e procesit, ndërsa në sallë ra qetësia. Pasi u bë prezantimi i çështjes, midis avokatëve lindi një debat i fortë e me zë të lartë. U desh ndërhyrja e kryetarit të trupit gjykues për uljen e toneve të komunikimit. Më pas, u thirr Landi, si i vetmi dëshmitar që do të faktonte kohën e rrëmbimit të saj, pasi, Adriana, e cila mendohej si çelësi i artë i kësaj çështjeje, ishte e detyruar që këtë gjyq ta ndiqte nga salla. Denisa e vështroi me vëmendje paraqitjen e tij në sallë. Bëri betimin sipas rregullores, tregoi në detaje çastin e largimit, foli për telefonatën e bërë nga kushërira, të cilën iu kërkua ta faktonte dhe, për fat të mirë, kjo gjë u pranua dhe u shënua nga sekretarja. Më pas, iu nënështrua pytjeve të avokatit të palës kundërshtare:
- A e njihni personin, që sot akuzohet për këtë dhunim? - dhe drejtoi gishtin nga i akuzuari.
-Jo! - u përgjigj shkurt, Landi.
- Ju deklaruat këtu se e shoqëruat gjer te shkallët e pallatit.
- Po!
- A dëgjuat ndonjë britmë, ose thirrje gjatë kohës që ajo hyri në pallat?
- Jo!
- Atëherë, përse duhet t´ju besoj, se e keni shoqëruar gjer te shkallët, kur fare mirë vajza mund të jetë rrëmbyer në rrugë dhe personi, që sot është në bankën e të akuzuarve, ngatërrohet me dhunusin e vërtetë?
- Këtë gjë e ka denancuar dhe shoqja e saj, Adriana.
- Ti përgjigjesh për veten tënde, ndërsa, përsa i përket shoqes së saj, le të vijë dhe të dëshmojë vetë.
- Protestoj! - tha avokati i Denisës, - dhe u ngrit në këmbë. - Pohimet e bëra nga dëshmitari, vërtetojnë plotësisht shoqërimin e tij atë natë dhe orën e saktë kur është bërë rrëmbimi, pasi këto dëshmi korespondojnë dhe me hetimet e bëra, prandaj, z. gjykatës, nuk mund të lejosh provokimet e palës kundërshtare, së cilës i intereson minimi i çështjes! - dhe u ul menjëherë.
Në atë çast, u ndie edhe zhurma ankuese e sallës, e cila ra në qetësi menjëherë nga ndërhyrja e prerë e gjykatësit.
- Keni më pyetje për dëshmitarin?
- Jo! -u përgjigj shkurt avokati.
Landi u largua nga salla, me vështrimin befasues të familjes së saj, e cila u çudit pa masë, nga lidhja e panjohur e vajzës së tyre. Denisa nuk guxoi ta shikonte nënën në sy, por, e tronditur nga dalja e sekretit, imponuar nga rrethanat, uli kokën. Toni, nga ana e tij, e përcillte gjithë zhvillimin e gjyqit me mospërfillje. Çdo gjë ia kishte lënë në dorë avokatit të tij mbrojtës dhe, në ndonjë çast të veçantë, miratonte, ose mohonte me kokë. Nëna e tij qendronte si e ngrirë, me vështrim të fiksuar nga gjykatësi dhe nuk guxonte të shikonte nga familja e vajzës, e cila turfullonte nervozizmin e tejskajshëm. Denisa u këshillua me avokatin e saj dhe u ngrit në këmbë. Tregoi para gjykatësit ndodhinë e asaj nate të tmerrshme, foli për marrëzinë e njeriut që kishte përballë, herë me lot në sy dhe herë me duar të shtrënguara fort nga urrejtja dhe neveria që ndiente; përcolli para atij mjedisi të heshtur, tablon më drithëruse, dramën e dhunimit të një adoleshenteje. Edhe në sytë e gruas së vetmuar, që nxinte në fytyrë më keq se nata pa hënë, rrëshqitën lot, të cilët i fshiu me rrëmbim nga fytyra thatime dhe mjaft e përvuajtur. Më pas, procesi kaloi në pyetjet e bëra me qëllim nga avokati i palës tjetër.
- Ju deklaruat se rrëmbyesin tuaj e njihnit edhe më përpara!
- Po! -u përgjigj shkurt Denisa.
- Ku e keni njohur?
-Një ditë ndaloi në rrugë shoqen time, Adrianën, kur shkonim në shkollë bashkë dhe ushtroi dhunë ndaj saj.
- Ka denoncim penal në komisariat, si dhe dëshmitar që mund ta faktojë këtë rast, - tha avokati i saj dhe i tregoi gjykatësit kopjen orgjinale të kallëzimit të Adrianës dhe e dorëzoi tek sekretarja.
- Pranohet! -tha gjykatësi dhe kërkoi dëshmitarin për këtë rast, me gjithë kundërshtimin e avokatit të palës tjetër.
Farmacisti tregoi ngjarjen me imtësi dhe, kur përfundoi deponimin, u largua nga salla shoqëruar me vështrimin e egërsuar të Tonit. I detyruar nga gjykatësi, i pandehuri u ngrit në këmbë dhe e pranoi këtë ndodhi, si një çast nervozizmi, që ndodhi midis dy të dashuruarve. Denisa u përfshi përësëri nga sulmi i avokatit, i cili përpiqej të ngrinte alibi të rreme, për të shfajësuar sa të mudte klientin e tij.
- Në rast se dikush të sulmon, normalisht duhet të këtë dhe rezistencë, gjë që ti nuk e provon dot, pasi dhe dëshmitari e pranoi që nuk ka dëgjuar asnjë zhurmë të dyshimtë.
- Si mund të thërrisja për ndihmë, kur tehu i thikës mund të më merrte jetën nga çasti në çast?
- Megjithëse përshkove dhe një pjesë rrugë gjer tek këndi i pallatit, pasi aty ishte parkuar makina, sipas jush. Asnjëherë nuk t´u dha mundësia për të reaguar dhe për t’u mbrojtur?
- Përjetoja frikë dhe ankth në ato çaste, pastaj më kërcënoi familjen.
- Ti deklarove se të çoi në një lokal, ku punonte edhe një vajzë, e cila mund të vertetonte dhunimin tënd. Hetusia shkoi ta verifikonte, por nuk faktoi dot asgjë. Unë nuk dyshoj në fatkeqësinë tënde, por, nga tronditja që ke pësuar dhe që është normale, dyshoj se edhe mund të jesh ngatërruar.
- Personi që më ka dhunuar, është njeriu që ti ke marrë në mbrojtje dhe askush tjetër.
- Më vjen keq për atë që të ka ndodhur, por ne jemi këtu për të vënë rregull dhe drejtësi. Ti nuk ke as provën më minimale, për ta vërtetuar fajësinë e tij; nuk ke asnjë dëshmitar. Ne nuk mund t´i dënojmë njerëzit, thjesht nga ndikimet e çastit, apo përjetimet emocionale të ndonjë ndodhie në rrugë.
- Protestoj! - u hodh avokati mbrojtës i Denisës. - Kolegu im në krahun tjetër, mendon se ne jemi përpara këtij trupi gjykus mjaft të nderuar, pa provat materiale. Ky dhunim është kryer nga personi. që ndodhet në bankën e të akuzuarve dhe, për këtë, s´ka asnjë dyshim. Në radhë të parë, është i denoncuar jo vetëm nga klientja ime, por edhe nga shoqja e saj, e cila e njihte shumë mirë këtë person.
- Të dalë para këtij trupi gjykues dhe të faktojë denoncimin e saj, - nënqeshi avokati i Tonit.
-Ti shfrytëzon paaftësinë e saj për t´u përballur me këtë çështje, paaftësi që është shkaktuar nga klienti yt.
- Parimi më themelor i një procesi gjyqësor është vërtëtimi i provave të mbledhura, gjë që pala juaj nuk po e bën. Si mund ta akuzojmë këtë njeri, pa asnjë fakt?
- T´i jap unë faktet! -u dëgjua një zë nga fundi i sallës.
Të gjithë kthyen kokën me vrull andej nga erdhi zëri. Toni u ngrit në këmbë dhe thirri fort: ”Do ta paguash këtë që bëre, Marta!”, ndërsa duart e policëve e shtrënguan për krahu fort dhe e ulën në karrige. Fytyra e tij ndërroi pamje menjëherë dhe nuk guxoi të shikonte më nga salla, pasi vështrimi i nënës, e mohoi përfundimisht. Gruaja e çuditshme u largua nga salla e gjyqit, me mendimin se ai, biri i saj, i rritur me shumë sakrifica, do mbetej pas perdes së hekurt për një kohë të gjatë. Denisa zbriti shkallët e gjykatës, rrethuar nga familja e dashur dhe e hodhi pas krahëve këtë kujtim të keq. Tek sheshi përballë godinës së madhe, këtij altari që i fali qetësinë e humbur, qendronte Landi. Ata ndaluan për një çast dhe vështruan njeri-tjetrin në sy.
- Shko, Denisa, - i tha Beni.
Ajo nuk foli, por vështroi nënën në sy.
- Ai të pret ty, - i tha ajo e përlotur.
U shkëput prej tyre dhe u lëshua me vrap drejt ëndrrës më të bukur. Më pas, humbën në rrugën plot njerëz, aty ku jeta merrte kuptimin e vërtetë dhe ndjenjat rinore reflektonin koloritin e ndritshëm të dashurisë.




Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://kristaniada.tripod.com  http://pegasialwriters.tripod.com
Kristaq F. Shabani
Miqte e Forumit
Miqte e Forumit
avatar


Male
Numri i postimeve : 11718
Age : 65
Vendi : Gjirokaster, Albania
Profesioni/Hobi : Poetry
Registration date : 04/07/2008

ROMANI SHQIP PEGASI "PËRTEJ PERDES GRI" nga Agron Shele - Faqe 3 Empty
MesazhTitulli: Re: ROMANI SHQIP PEGASI "PËRTEJ PERDES GRI" nga Agron Shele   ROMANI SHQIP PEGASI "PËRTEJ PERDES GRI" nga Agron Shele - Faqe 3 EmptyMon Sep 13, 2010 3:32 pm


EPILOG

Adriana arriti të tregonte historinë e dhimbjes dhe të dëshpërimit të saj, shprehu botën e rënduar shpirtërore, atë botë që pleksej dhe ngatërrohej, në kujtime të hidhura. Mendja e saj kishte mbetur tek ajo natë e zezë, e cila kishte prishur gjithë ekuilibrat shoqërorë dhe e mbante nën ankthin e vazhdueshëm.
- Kjo ishte e gjitha, -tha më në fund dhe u largua si hije, nëpër errësirën e rrugëve të pakuptimësisë së saj.
Pesha e fajit e ndiqte pas, e shoqëronte kudo, i shfaqej natën në gjumë dhe e zhyste në greminën therëse. Shiu i vjeshtës, me anën e rrjedhës krijuar, zhvendoste morinë e gjetheve të rëna pa kujdes dhe, ashtu, të grumbulluara anës konturit të trotuarit, i dorëzoheshin ditës së nesërme, për t´u flakur nga pastrueset, sikur të mos kishin qenë ndonjëherë pjesë e gjelbërimit të këtij qyteti. Në të njëjtat ujëra endej edhe ajo. Gjer dje, ishte një nga pjesët më aktive të shoqërisë së saj, por stuhia e furishme e përplasi honeve të gremisur dhe e zhyti në humbëtirën e netëve të vetmisë së madhe. Iku, humbi në boshllëkun e mjedisit më të zymtë. Ashtu, e hutuar, plot trishtim, ecte me çapa arrakatë, nëpër gjurmët e fajit të mbetur, këtij pengu të madh, që torturonte dhe çorientonte gjithë qenien. E shpërfytyruar, me flokët që kullonin dertin e shpirtit, përherë në lëvizje, rendte pas kohës gërmadhë, në kërkim të paqes së humbur. Endrrat e bardha, tretëshin nën hijet pështjelluese të jetës plot tallaze, e cila përfliste pa pushim egoizmin e treguar dhe, në gjithë atë karakatinë të rrënuar kobshëm, mbetej një copëz kujtimi, që do të mund të përshkruante botën, pasionin dhe marrëzinë e një adoleshenteje. Dukej se gjithçka ndodhi rastësisht, a thua se kjo gjithçka do të mjaftonte për të ndryshuar atë botë torturuese, ku e djeshmja paragjykonte me gjithë agresivitetin, ndërsa e nesërmja pasqyrohej në trajta njollash të errëta, ku vështrimi i moshës ndërpritej perdeve të padukshme të kohës gri.
Binte shi.
FUND
Kukës, më 10.08.1995
Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://kristaniada.tripod.com  http://pegasialwriters.tripod.com
Kristaq F. Shabani
Miqte e Forumit
Miqte e Forumit
avatar


Male
Numri i postimeve : 11718
Age : 65
Vendi : Gjirokaster, Albania
Profesioni/Hobi : Poetry
Registration date : 04/07/2008

ROMANI SHQIP PEGASI "PËRTEJ PERDES GRI" nga Agron Shele - Faqe 3 Empty
MesazhTitulli: Re: ROMANI SHQIP PEGASI "PËRTEJ PERDES GRI" nga Agron Shele   ROMANI SHQIP PEGASI "PËRTEJ PERDES GRI" nga Agron Shele - Faqe 3 EmptyMon Sep 13, 2010 3:32 pm


Agron Shele del para lexuesit me romanin e tij të dytë të titulluar “Përtej perdes gri”, duke rirrokur temë me substrat social, duke trajtuar probleme të mprehta të shoqërisë sonë, e cila ndeshet keqas me fenomene të reja aktive të kahjes negative. Me një zhdërvjelltësi të thekur ai ndërmerr aksionime letrare, që ngjasojnë pikshëm me realitetin e mbarsur. Trajtesa e këtyre fenomeneve me një stil të veçantë, të kuptueshëm, të lirshëm dhe të ngarkuar dukshëm me prezencë figuracionale të ankthon dallueshëm dhe të përgatit me skena impozante, që e bën leximin e gjinisë të dëshiruar, por njëkohësisht del në një përfundim aktiv për inteligjencën e autorit dhe ngarkesën ndjenjësore në precipitimin e ngjarjeve. Mpleksjet, ndërthysat, dialogimet nënkuptimore, revanshi i përplasjeve, aktet ku interpretojnë personazhet e një moshe që është adoleshente apo ka filluar ta kapërcejë këtë prag moshor, dialogimet dhe kthesat, dridhjet, qetësimi, stresi,kullesa ndërgjegjësore, largimi nga mendimi i “kulluar” e tjerë parakalojnë n vepër. Autori tregon rritje në kahje të trajtesës ideo- artistike nëkëtë gjini, që fillesat e konkurrimit u panëqë në romanine parë “Hapat e Klarës”.
Agron Shele, përveç pjekurisë artistike të dëftuara në veprat e tij, po manifeston edhe aftësi drejtuese të elitës intelektuale letrare, impulsimit të talenteve të reja në gjithë rrethin e Përmetit, lidhjes universale dhe shkëmbimit të vlerave me lidhjet simotra letrare, me koncepte të drejta sipas një moduli: ”PËR NJË LETËRSI NDRYSHE”, duke qenë dhe i zgjedhur si kryetar i Degës së Lidhjes së Krijuesve” PEGASI” të Përmetit me një pjesëmarrje të gjerë të të gjithë krijuesve të sferave të ndryshme. Gjithashtu Agroni është dhe Kryetar i Shoqatës ”Rinia dhe fëmijët” në qytetin e Përmetit. Ai është në pozicion aktiv dhe për publikim vlerash. Ka përgatitur për botim edhe dy romane të tjera si dhe një vëllim poetik. Krijime të tij janë botuar në gazetën letrare “Pegasi” në revista letrare jashtë vendit në Greqi, por në veçanti në Itali në një antologji së toku me poetë të tjerë nga Italia dhe Përmeti.
Ka fituar Çmimi special “Pegasi 2004” për romanin në vitin 2005.
Kristaq F. Shabani


Vepra të autorit
“Hapat e Klarës”, roman “Marin Barleti”, viti 2004
“Përtej perdes gri”, roman “Marin Barleti”, viti 2006

Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://kristaniada.tripod.com  http://pegasialwriters.tripod.com
Sponsored content





ROMANI SHQIP PEGASI "PËRTEJ PERDES GRI" nga Agron Shele - Faqe 3 Empty
MesazhTitulli: Re: ROMANI SHQIP PEGASI "PËRTEJ PERDES GRI" nga Agron Shele   ROMANI SHQIP PEGASI "PËRTEJ PERDES GRI" nga Agron Shele - Faqe 3 Empty

Mbrapsht në krye Shko poshtë
 
ROMANI SHQIP PEGASI "PËRTEJ PERDES GRI" nga Agron Shele
Mbrapsht në krye 
Faqja 3 e 3Shko tek faqja : Previous  1, 2, 3
 Similar topics
-
» GJIROKASTRA LETERSI PEGASI PROFIL AGRON SHELE 09.10.2010
» Botime ne Indi nga Agron Shele
» "PEGASIADA" nga Kristaq F. Shabani, Agron Shele
» LNPSHA PEGASI ALBANIA, PEGASI KOSOVA , BIALL MALIQI
» Mendime e shënime kritike nga Agron Shele, shhkrimtar

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Bashkimi Kombëtar :: Shqiptarët-
Kërce tek: