nga Albin Kurti
16.09.2010, ora 19:59
Edhe në vitet 2004 e 2005, krerët partiakë e institucionalë të Kosovës patën thënë që me Serbinë do të bisedojnë vetëm për çështje teknike. Atëbotë i filluan bisedimet për çështjen e të pagjeturve dhe tabelat e automjeteve. Këto çështje sigurisht që nuk u zgjidhën por pasuan negociatat për statusin e Kosovës. Qëndrimi fillestar i Ekipit të Unitetit ishte pavarësia e plotë ndërkaq rezultati në fund ishte Plani i Ahtisaarit si kompromis me Serbinë të cilin ajo sërish nuk e pranoi.
Fantazma e bisedimeve teknike është rikthyer. Njëjtë sikur atëherë, pothuajse të njëjtit njerëz edhe tash, na rrëfejnë se si do të ketë vetëm bisedime teknike me Serbinë. Në njërën anë ata kanë të drejtë: bëhet fjalë për politikanë pa politikë, prandaj çdo gjë është teknike aty. Në anën tjetër, çdo gjë me Serbinë mund të jetë veçse çështje politike.
Kryeministri Thaçi dhe Presidenti Sejdiu kurrfarë kushtesh nuk parashtruan për këto negociata të reja. Natyrisht, përveçqë ato të jenë ‘teknike’. A thua atyre nuk iu ra ndërmend që paraprakisht Serbia duhet t’i kërkojë falje shqiptarëve për krimet ndaj tyre përgjatë gjithë shekullit të kaluar, se ajo duhet të ofrojë zhdëmtim për viktimat e panumërta dhe dëmshpërblimin për shkatërrimet e luftës, se ajo duhet t’ia dorëzojë Kosovës kriminelët serbë të luftës, se ajo duhet t’i kthejë afër 2.000 të pagjeturit, se ajo duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe ta ndryshojë kushtetutën e saj në preambulë të së cilës shkruan që Kosova është pjesë e Serbisë, se ajo duhet ta pushojë shtypjen, diskriminimin dhe persekutimin e shqiptarëve kudo që ata jetojnë në Serbi, se ajo duhet ta ndërpresë financimin e strukturave të saj në Kosovë, se ajo duhet t’ia kthejë Kosovës fondin pensional dhe librat kadastralë etj. etj.? A thua asnjëra nga këto nuk iu ranë ndërmend Thaçit e Sejdiut? Shumë keq nëse nuk u janë kujtuar këto atyre. Edhe më keq nëse u janë kujtuar por nuk i thanë.
Le të supozojmë që ‘faktorët relevantë’ e paskan sugjeruar Kryeministrin Thaçi që t’i pranojë negociatat e radhës për Kosovën me Serbinë. Nuk po hyjmë në temën pse sugjerimet e këtyre faktorëve bëhen kaq kollaj urdhra. Nuk po e trajtojmë këtu se çfarë ka diçka në Thaçin e për të që këshillën ndërkombëtare e shndërron në urdhër vendës. Pra, nuk po merremi me atë pse Thaçi është si gotë prej qelqi të krisur para këtyre sugjerimeve. Kryeministri Thaçi gjithmonë mund t’u thotë atyre se ai s’vendos dot për një gjë kaq të madhe si kjo. Ai mund të përgjigjet duke thënë që me vetëm 105.000 votat e tij nga koha e kornizës kushtetuese nuk mund të marrë një vendim kaq të rëndësishëm dhe, si demokrat që është, do ta organizojë një referendum gjithëpopullor në Kosovë për të pyetur mbi 2 milionë qytetarët e këtij vendi nëse mendojnë që duhet hyrë në negociata me Serbinë.
Mendimi këshillues i GjND-së i cili ishte negativ për Serbinë nuk solli valë të re të njohjeve të pavarësisë së Kosovës, por duket që do të sjellë valë të re të negociatave me Serbinë për Kosovën. Përmes iniciativës së Serbisë ky mendim pothuajse u rikuptimësua meqë nëpërmjet Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ai u vendos në kuadrin e negociatave të reja me Serbinë, ashtu siç thotë pika përmbyllëse e kësaj rezolute. Këto negociata gjithsesi e rifuqizojnë Serbinë si faktor për Kosovën.
E, ndoshta festa është mallkimi ynë. Në qershor të vitit 1999, në Prishtinë festohej çlirimi dhe menjëherë më pas u nda Mitrovica; me 17 shkurt 2008, në Prishtinë festohej pavarësia dhe vetëm dy ditë më vonë u dogjën pikat doganore 1 dhe 31 në veri; dhe, përgjatë gushtit të vitit 2010, sërish në Prishtinë festohej mendimi i GjND-së dhe në shtator erdhi rezoluta që lanson pazaret e reja në kurriz të Kosovës.