Çetnikët ishin më të armatosur, ne ishim shpirtërisht më të fortë!
Të gjithë ishim tubuar në luginën përgjatë lumit Bistricë dhe aty dhamë betimin se të gjallë nuk tërhiqemi nga fronti i luftës. Farkëtarë të kësaj aleance shqiptare kanë qenë: Islam Baruti nga Shqipëria, Pajazit Boletini, Ahmet Selaci, Mehmet Gradica, Ukshin Kovaçica, etj. Unë isha caktuar në një grup me Ukë Nezirin, Murat Likofcin, Sabri Ejupin, Emin Fejzullahun, Ferat Hajzerin e shumë të tjerë dhe kishim për detyrë të mbikëqyrnim terrenin prej Ibrit të Ballabanit deri në Rekën e Cerajës e Bërçan. Luftimet kanë qenë të ashpra e të përgjakshme. Për trimëri e heroizëm u dalluan sidomos: Kadri Bistrica me çetën e tij, të cilën e përbënin: Rexhep e Rifat Sadiku (vëllezër) nga Dedija, Salih Maxhera, Azem Hajdari, Halil Zijaça, Shaban Ofçari, Nuhë Ceraja, Rifat Bistrica, Jahir Sadiku, Miftar Mustafa, Hashim Zenuni, Murat Leska, Man Vllahija, Halim Bislimi, Bilall Fetahu, Miran Hajra (Batahiri), Feriz Maxhera, Man Kaçanolli, Isë Sadiku nga Barja, Abit Dedija etj. Vdekja e Kadri Bistricës dhe Rifat Sadikut ishte heroike. Rapsodi popullor, për t'i përjetësuar, për t'i bërë të pavdekshëm, ua ngriti një përmendore me fjalë, një këngë të bukur, e cila vazhdon të këndohet edhe sot. Në luftë me çetnikët për mbrojtjen e kufirit kanë rënë dëshmorë edhe: Nuhë Isa nga Ceraja, Miftar Hërrnja nga Bistrica, Shaban Ofçari, Feriz Maxhera, Miran Hajra nga Batahiri, i cili ishte djalë hastreti (çetnikët e zunë dhe e rropën të gjallë duke i bërë xhepa nëpër trup).
Mësymjet çetnike në Pazarin e Ri
Çetnikët, të vetëdijshëm se nuk mund të maten me forcat e vullnetarëve, për të realizuar planin e tyre, ia mësynë Pazarit të Ri, ku mbi popullatën shqiptare e boshnjake të pambrojtur atje shfrynë egërsinë e tyre. Kriminelët Vana Drekanoviq, Zhika Markoviq, Kosta Peqanci e të tjerë, urdhëronin njerëzit e tyre që të djegin e plaçkitin, të vrasin, madje edhe gra e fëmijë. Vullnetarët shqiptarë të udhëhequr nga bajraktarë e njerëz me autoritet, si: Mulla Iljas Broja, Miftar e Cen Bajraktari, Col Bajraktari, Ymer Fazlija, Shaban Polluzha, Isuf Gradica, Mehmet Gradica, Bislim Bajgora, Imer Selaci, Pajazit Boletini, Sadik Lutani e të tjerë, arritën t'u shkojnë shpejt në ndihmë. Dëshmori i parë në luftën për mbrojtjen e popullatës së Pazarit të Ri ka rënë Hysen Llakiqi nga Palaci i Drenicës. Gjatë luftimeve me çetnikët janë vrarë e plagosur edhe luftëtarë të tjerë, si: Kamer Tushila, Ramë Krasaliqi, Shaban Shipoli, Sali Rexha, Ramë Zuka, Shaqë Zhubi-Gjakova, Ahmet Galica e të tjerë. Në front kemi qëndruar shtatë javë. Pasi i thyem çetnikët (vetëm në një aksion kemi vrarë 163 sish dhe kemi zënë një xhip plot me municion), Pajazit Boletini na urdhëroi që të kthehemi në Mitrovicë. Udhëtuam këmbë nëpër Rogozne deri në Banjskë, ku unë me shokët e mi të njësitit vazhduam të bëjmë roje në kufi deri kah fundi i vitit 1944. Në fund të këtij vitit, kur hynë forcat partizane, unë u ktheva në Koshtovë. Në brigadën partizane, e cila erdhi në vendlindjen time, kishte edhe çetnikë. Ata kishin përfituar nga amnistia, kishin ndërruar kokardën me yllin pesëcepësh dhe ishin futur edhe nëpër brigadat tjera partizane. Qëllimi i tyre ishte që të hakmerren ndaj shqiptarëve për humbjet që ua kishin shkaktuar që nga vitit 1941. E kërkuan vëllain, Milazimin, dhe, meqë nuk e gjetën në shtëpi, më morën mua. Më mobilizuan në Brigadën e Tretë dhe na dërguan në Miloshev Do (Sanxhak) për të luftuar kundër forcave gjermane që po tërhiqeshin. Atje më njohën disa çetnikë, të cilët gjendeshin në Brigadë. Njëri prej tyre, i cili ishte emëruar edhe epror ushtarak, më kishte identifikuar i pari. Ai në një mbledhje më kishte akuzuar si armik të komunizmit. Osman Disha, një mësues nga Shqipëria, më njoftoi për vendimin që kishin marrë për të më dënuar me pushkatim. Kështu, menjëherë së bashku me disa bashkëfshatarë të mi, Iliaz Ademin, Elez Delinë, Nebih Fetahun, Aruq Danin, Selim Qerimin e Hashim Isufin, më 2 janar 1945, vendosëm që të dezertojmë.
Burgosja në Kullën e Popit në Istog
Gjatë rrugës ramë në pritën e partizanëve. Na zunë rob dhe, pasi na i vunë prangat në duar, na dërguan në Istog, ku na burgosën në Kullën e Popit. Qysh natën e parë pamë kur i nxorën dhe i likuiduan disa të burgosur. Në një dhomë gjendeshim 22 veta (19 burra e tri gra). Mbaj mend emrat e Ndue Përlleshit, Qazim Bojës, Brahim Istogut, Shaban Ukës e Zeqir Lubozhdës. Të gjithëve na dënuan me pushkatim. Natën e dytë më nxorën mua dhe katër të tjerë për të na dërguar në vendin për pushkatim. Shfrytëzova pakujdesinë e njërit prej rojeve, të cilit ia nxora pushkën. I thirra të burgosurit që të dalin. Roja tjetër më qëlloi në këmbë dhe në dorën e majtë, mirëpo, me ndihmën e Qazim Musës arrita të tërhiqem deri në Uçë. Aty m'i lidhën plagët dhe na dhanë bukë. Edhe pse kisha derdhur shumë gjak, shpejt u këndella. Për të mos e rrezikuar këtë familje bujare, vendosëm që të vazhdojmë rrugën për në Koshtovë. Me Qazim Musën udhëtuam tërë natën nëpër malet e Radishevës, Kotorrit, Kërrligatës, Stërmcit e Brabaniqit dhe me gjysmë shpirti arritëm në Koshtovë.