KUSH PO THOTE se Serbija nuk eshte ne Kosove
Kosovë – Serbi, bashkëpunim ndërministrorNami
Kahrimani nga Peja, të shtunën po vraponte nga njëra avokaturë në
tjetrën, në kërkim të këshillave dhe ndihmës juridike për të kthyer dy
vajzat e tij, A.K. (13) dhe D.K. (11), të cilat të premten ia kanë
marrë punëtorët e Ministrisë së Drejtësisë, në asistim të policisë së
Pejës dhe të punëtorit të Qendrës për Punë Sociale të Pejës.
Me
dokumente nën krah dhe i mbushur frymë nga mllefi dhe mërzia, ai rrëfen
për KosovaLive, sipas tij, padrejtësinë që i është bërë nga “drejtësia”
serbe dhe kosovare. Vitin para fillimit të luftës ai kishte shkuar nga
Peja të jetonte në Rozhajë, në pronën që e kishte trashëguar nga nëna e
tij dhe nga aty në kërkim të punës është ndaluar të jetojë në Suboticë
të Serbisë. Para dy vitesh, ai është shkurorëzuar nga gruaja e tij,
Zuma Hajdarpasic, e motra e inspektorit famëkeq të policisë serbe në
Pejë para dhe gjatë luftës, Medo Hajdarpasic.
Gjatë procesit
të shkurorëzimit, 53-vjeçari Nami Kahrimani tregon sesi Gjykata serbe e
Suboticës ka vendosur që vajzat të mbesin me nënën, edhe pse të dy
vajzat iu kanë deklaruar punëtorëve social të atjeshëm, se duan të
jetojnë me babain. Pasi që ishte kthyer të jetojë në Pejë, ai verën e
vitit të kaluar ka shkuar në Suboticë që t’i marrë vajzat dhe t’i
dërgojë për pushime, me pajtimin e ish- gruas së tij. Por, pastaj, ai i
ka sjellë vajzat në Pejë, i ka regjistruar në njërën nga shkollat
fillore të Pejës dhe ka vazhduar të jetojë me to.
Në ndërkohë,
vajzat e tij deklarohen edhe para Qendrës për Punë Sociale (QPS) në
Pejë, që duan të mbesin dhe të jetojnë me babanë e tyre në Pejë.
Në
raportin e deklaratave të vajzave, i vulosur dhe nënshkruar nga
drejtoresha e kësaj qendre, Drita Kelmendi-Kukaj dhe punëtori social,
Ferat Muhaxheri, ndër të tjera shkruan se përkundër përpjekjeve të
punëtorëve socialë që t’i bindin ato të kthehen te nëna e tyre në
Suboticë, vajzat këmbëngulin që të mbesin me të atin.
“Nuk më
kujtohet se çka kanë deklaruar vajzat”, ishte përgjigja e shkurtë e
drejtoreshës së QPS-së, Drita Kelmendi-Kukaj, e cila ka heshtur në këtë
rast, sikurse edhe punëtori i saj, Ferat Muhaxheri, i cili ka qenë
prezent kur janë marrë vajzat.
Duke e parë që vajzat nuk po
duan t’i kthehen nënës së tyre dhe që kanë refuzuar të shkojnë me të
disa herë që kishte ardhur ajo në Pejë për t’i marrë ato, siç thotë
Kahrimani, ish-gruaja e tij i shfrytëzoi lidhjet e vëllait të saj,
inspektor policie edhe tash diku në Serbi, që përmes Ministrisë së
Drejtësisë serbe dhe asaj kosovare t’i kthejë vajzat me polici.
Kahrimani
i prezanton KosovaLive një vendim të lëshuar në muajin e kaluar nga
gjyqtari i Gjykatës së Qarkut në Pejë, Muharrem Shala, në të cilin
shkruan se Ministria e Drejtësisë së Serbisë, më 4 qershor të viti 2009
ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë së Kosovës ndihmë që t’i kthehen
vajzat nënës së saj në Serbi.
Pas kësaj kërkese nga Serbia, në
vazhdim të këtij vendimi thuhet se Ministria jonë e Drejtësisë më 12
gusht të këtij viti kërkon nga Gjykata e Qarkut në Pejë që të zbatojë
kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë.
“Dje kanë ardhur
policia, punëtorët e Ministrisë dhe ata të Qendrës Sociale dhe m’i kanë
marrë vajzat. Vajzës së madhe me këtë rast i ka rënë të fikët se nuk
donte të shkonte, ndërsa vajza e vogël nuk ma lëshonte këmbën...”,
shprehej plot vaj Kahrimani, i cili nga mbrëmë nuk di se ku kanë mbetur
vajzat e tij, pasi mbrëmë ka pranuar sms-në e fundit nga vajza e madhe,
në të cilin, përveç që e kishte informuar se aktualisht gjinden në “SOS
Kinder Dorf” në Prishtinë, shkruante edhe: “Babi mos na le të na
kthejnë në Suboticë”.
Zëdhënësi i policisë rajonale të Pejës,
Avni Gjevukaj, ka konfirmuar për KosovaLive se me kërkesën e Ministrisë
së Drejtësisë, polica e Pejës ka asistuar në marrjen e vajzave. Ndërsa,
Ehat Miftaraj, udhëheqës i Divizionit për Bashkëpunim Juridik
Ndërkombëtar në Ministrinë e Drejtësisë, e ka arsyetuar veprimin e
kësaj ministrie, duke e quajtur atë si një zbatim të një vendimi
ndërkombëtar, pasi kërkesa ka ardhur nga Serbia.
“Ky rast
është vlerësuar si rrëmbim ndërkombëtar dhe kemi zbatuar vendimin e
Gjykatës së Pejës”, ka thënë Miftaraj për KosovaLive, me kërkesën që të
mos bëhet e madhe kjo punë. Miftaraj gjithashtu duket se kishte harruar
që vendimi i sjellë nga Gjykata e Pejës ka qenë rezultat i kërkesës së
Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa nuk ka dhënë informata se ku gjenden
aktualisht të dy vajzat e Nami Kahrimanit.
(KosovaLive)