Epopeja e Kosovës së ReShkruan: Dr. Shefqet Krasniqi
Duke shfletuar diçka më ranë në dorë disa foto të kufomave të familjes Jashari – Allahu i pastë mëshiruar – të masakruara nga ushtria dhe policia serbe në marsin e vitit 1998.
Këto fotografi bashkë me fëmijët filluam t`i shikojmë, fillova t`u shpjegoj atyre se kush janë ato kufoma dhe se tashmë janë mbushur njëmbëdhjetë vjet të plota nga ajo ngjarje e madhe, e cila me emrin e Allahut e ndërroi gjendjen e popullit shqiptar për 180 shkallë.
Fillova ta kthej mendjen në të kaluarën, njëmbëdhjetë vjet mbrapa, atëher kur këto fotografi më kishin rënë në dorë në prillin e atij viti të mbushur me gjak përderisa isha student në Universitetin Islamik të Medinës së Shenjtë, ku nëpërmjet atyre fotove dhe shumë të tjerave mundohesha, së bashku me shokë, ta informonim popullin arab mysliman për vuajtjet e popullit shqiptar në Ballkan.
Këto foto I ruaj edhe sot e këtë ditë, pasi ato na sjellin një kujtim shumë të rëndësishëm. Mbase ai vit do të mbahet në mend për një kohë të gjatë për vuajtjet dhe torturat e përjetuara nga ushtria, policia dhe paramilitarët serbë, e siç thotë populli “mos na raft me harru” , por të njëjtën kohë ai vit ishte gjithashtu një kujtim I ëmbël – së paku unë mendoi ashtu-, ngase ishte viti më rezistues i shqiptarëve ndaj okupatorit serb.
Ishte vit kur burrat e mëdhenj vendosën ta japin e ta flijojnë më të shtrenjtën për më të shenjtën, ta japin jetën për ta fituar lirinë. Ishte viti kur tashmë ishin përhapur gjithandej nëpër Kosovë celula ushtarake, të cilat e stimulonin popullin për një rezistencë ndaj një armiku shumë të vrazhdë, por qe besa edhe shumë të forte.
Më kujtohet kur shumëkush në atë kohë nuk mundej ta merrte me mend se një ushtri kaq e vogël, siç ishte UÇK-ja, t`I dalë para gjithë atij arsenali ushtarak serb.
Në njëfarë mënyre edhe nuk kishin aq faj, ngase ata shikonin dhe gjykonin sipas ligjeve të rëndomta luftarake ku zakonisht I forti e mund të dobëtin, për atë arsyje edhe disa nga ta nuk nguronin te thonin se: “Këta djem donë me na dërguar poshtë”.
Përderisa dëgjoja këto biseda më kujtohet një ngjarje, të cilën e ka cekur Allahu xh.sh në Kuran në kaptinen Bekare në ajetet 246-252, ku personazh kryesor i kësaj ngjarjeje ishte një djalosh shumë trim dhe guximtar i quajtur me emrin Davud, I cili më vonë edhe shpallet pejgamber nga ana e Allahut të Madhëruar.
Zhvillimi i ngjarjes në pika të shkurtra është se populli “Benu Israil” (izraelitët) ishin të okupuar nga një armik gjakpirës, I cili udhëhiqej nga Xhaluti dhe ishin të interesuar që të çlirohen nga ai armik, për këtë I thanë pejgamberit të tyre: Na cakto një mbret, apo prijës I cili do të na prijë në luftë kundër armikut tonë. Pejgamberi u tha: keni kujdes nëse u caktohet ndonjë mbret, apo prijës për t`ju prirë në luftë atëherë duhet t`I bashkëngjiteni atij për luftë, për çka edhe ia dhanë besën.
Pejgamberi I tyre e luti Allahun, I cili ua caktoi Talutin për mbret dhe prijës për luftë. Pas një kundërshtimi të gjerë të tyre rreth zgjedhjes së këtij njeriu për prijës, ata vendosën të dalin në luftë kundër Xhalutit dhe ushtrisë së tij, e cila ishte shumë më e madhe dhe më e përgatitur se ushtria myslimane e Talutit.
Me të nisur për në betejë shumica e ushtrisë tha se nuk mund të luftojnë kundër asaj ushtrie të madhe të Xhalutit, për çka edhe u kthye dhe iku . Në ushtri mbeti një grup i vogël I prirë nga udhëheqësi I tyre, Taluti, ku në mesin e asaj ushtrie ishte edhe djaloshi I ri, Davudi a.s . Ky grup I vogël, edhe pse askund nuk ishte I barabartë me armikun, as në numër e as në përgatitje ushtarake, bile edhe I dezertuar nga shumica e popullit të tyre, megjithatë vendosmëria e madhe për t`u çliruar nga armiku, pastaj bindja e forte në Allahun se Ai kë të dojë e triumfon dhe kë të dojë e mposhtë, ndikoi që t`I dalin ballë atij armiku, të mbështetur në Allahun duke thënë: “… sa prej grupeve të vogla kanë mundur grupe të mëdha me emrin e Allahut. Me të vërtet Allahu është me ata që bëjnë saber?!...”(Bekare, 249).
Dhe subhanallah në betejën e parë dhe qysh në dyluftim djaloshi I ri Davudi vrau mbretin Xhalut, me çka u shpartallua ushtria dhe fituan ata që e merituan fitoren, fituan të dobëtit dhe humbën të fortit.
Ngadhënjyen atëherë kur pakkujt ia merrte mendja se kanë për të fituar, atëher kur sipas ligjeve dhe rregullave ushtarake nuk ishte e mundur e as logjike të fitojnë.
Por kur u lidhën me Krijuesin e gjithësisë, me të Pamposhturin u bënë të forte; u trimëruan dhe vendosën që me tërë fuqinë dhe mundësinë e tyre të mbështetur në Allahun t`i dalin para armikut dhe nuk mungoi rezultati.
Edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës e udhëhequr nga komandanti legjendar Adem Jashari, po ashtu edhe sakrifica dhe angazhimi paqësor I të tjerëve nuk janë larg kësaj ngjashmërie me këtë ngjarje, ngaqë I gjithë populli kishte rënë dakord për t`u çliruar, por jo edhe për të luftuar.
Shumë prej tyre nuk ishin të gatshëm të ballafaqoheshin me armikun e forte sepse donin të jetonin dhe përtonin te vdisnin për liri. Kështu që mbeti një numër I vogël, por që armikut I doli mjaft ngaqë me emrin e Allahut ishin shkaktar për çlirimin e vendit dhe shijimin e kësaj lirie, ku tashmë e gëzojnë të barabartë, ata që kanë derdhur gjak, po edhe ata që kanë ikur, “nasht”, le ta gëzojnë të gjithë, sepse liria është për të gjithë, edhe pse nuk e kanë sjellë të gjithë, por te Allahu nuk janë të barabartë.
Ai u jep meritorëve meritat e duhura atë ditë kur nuk ka njoftësi dhe ryshfet, e ajo ditë do të vijë shumë shpejt.
Inshallah e gëzojmë këtë liri, dimë ta ruajmë dhe ta mbajmë! Zoti I pastë mëshiruar shehidët tanë. Amin!
Deri në javën e ardhshme, selam alejkum ve rahmetullah!
Epoka e Re: e Premte, 13 mars 2009