Di Lellio: Plani Ahtisari–mbikëqyrje e përhershme 11.09.2009
Ilirjana A. Bajo
“Kosova mund të bëhet plotësisht e pavarur vetëm nëse përmbushen të gjitha kushtet e Planit Ahtisari. Por, këto kushte, janë formuluar në mënyrë të tillë që nuk mund të përmbushen kurrë. Kjo do të thotë që do ketë gjithmonë nevojë për përfaqësuesin civil”, thotë për Radio Evropa e Lirë, Anna Di Lellio, autore dhe eksperte për Ballkanin.
RADIO EVROPA E LIRËKemi një prani të shtuar ndërkombëtare në Kosovë, në kohën kur udhëheqësit e Kosovës kanë përcaktuar demokratizimin si përparësi të tyre. A është kjo prani ndërkombëtare ndihmë, apo barrë, në këtë proces?
ANNA DI LELLIOKosova pas pavarësisë paraqet një rast interesant për studiuesit e misioneve ndërkombëtare dhe për ata që merren me analizat mbi sovranitetin dhe humbjen e tij nga një shtet. E kam thënë dhe më herët, në vitin 2007 kur diskutohej Plani Ahtisari, se ishte gabim të vazhdohej të mbahej Kosova nën mbikëqyrjen e pranisë ndërkombëtare. Plani i Ahtisarit me praninë e tij evropiane dhe EULEX-in në Kosovë ishte, gjithashtu, gabim. Gabimi qëndron në faktin se bëhet fjalë për një zgjidhje që është e pazbatueshme.
Nga ana tjetër, nuk bëhet fjalë vetëm për një gabim, por edhe për një pengesë në demokratizimin e Kosovës dhe legjitimitetin e krerëve të saj. Kjo, pasi plani i Ahtisarit u merr legjitimitetin njerëzve që janë zgjedhur me vota të lira e demokratike. Pasojat e planit të Ahtisarit po i shohim aktualisht.
Tashmë kemi një situatë shumë të vështirë, me ndarjen ‘de facto’ të Kosovës, me pamundësinë e zbatimit të decentralizimit, pamundësinë për të vendosur kontrollin dhe shtetin ligjor në veri të Kosovës, dhe me organizatat e misionet ndërkombëtare që nënshkruajnë pakte me Serbinë pa i përfshirë autoritetet e Kosovës. Kjo është shumë problematike për demokratizimin.
RADIO EVROPA E LIRËPërmendët paktet apo aranzhimet teknike që EULEX-i po nënshkruan me Serbinë, të cilat janë kundërshtuar nga institucionet e Kosovës. Vende si Britania apo Gjermania kanë kërkuar nga Prishtina që t’i pranojnë dokumentet në fjalë. Ky konflikt, ndonëse po mbahet në tone të buta, ku mund të çojë?
ANNA DI LELLIOKy konflikt çon në delegjitimimin dhe dobësimin e udhëheqësve të Kosovës. Është e qartë se publiku i gjerë nuk e mbështet protokollin EULEX-Serbi, por udhëheqësit kosovarë duhet t’i pranojnë marrëveshjet, e për më tepër janë të ekspozuar ndaj presionit të qeverive që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Kjo i vë udhëheqësit e Kosovës në një pozicion të paqëndrueshëm. Nëse ata do të sillen në përputhje me ato që i kërkon bashkësia ndërkombëtare, do ta humbin fuqinë dhe legjitimitetin para popullit të tyre.
Nëse nuk veprojnë sipas kërkesave të ndërkombëtarëve, e humbasin legjitimitetin para bashkësisë ndërkombëtare. E gjithë kjo i vë drejtuesit e Kosovës në pozicion të palakmueshëm dhe nuk çon askund.
RADIO EVROPA E LIRËGjendja aktuale dhe këto raporte, a janë edhe pasojë e sjelljeve të mëhershme? Nëse udhëheqësit e Kosovës do të ishin sjellë ndryshe, a do të kishte gjasa të mos ishim në kushtet e sotme?
ANNA DI LELLIOGjithmonë ekziston mundësia e zgjedhjes së një rruge tjetër. Më duhet të them se një mundësi e tillë është shumë e vështirë, pasi udhëheqësit e Kosovës e kanë nënshkruar zgjidhjen Ahtisari, që është dhe origjina e gjithë problemeve. Për më tepër, drejtuesit e Kosovës e kanë bërë Planin Ahtisari pjesë të Kushtetutës, çfarë i obligon ata para bashkësisë ndërkombëtare. Është një problem politik.
Përfaqësuesi civil ndërkombëtar, EULEX-i dhe Bashkimi Evropian, me përpjekjet e tyre për të qetësuar Serbinë krijojnë destabilitet në rajon. Kjo do të shkaktojë probleme në Bosnjë dhe në Kosovë. Evropianët janë sjellë kështu në vitet e ’90-ta dhe vazhdojnë ta bëjnë të njëjtën gjë dhe sot.
Nuk e kuptoj se cilat janë arsyet e kësaj sjelljeje. Por, duhet theksuar se Serbia nuk është kyçi i stabilitetit, së paku jo kjo Serbi e papërgjegjshme, jo kjo Serbi që vazhdon me të veten në marrëdhëniet ndërkombëtare.
RADIO EVROPA E LIRËA mund të themi se protokollet e sotme që diskutohen mes EULEX-it dhe Serbisë janë rezultat direkt i planit Ahtisari?
ANNA DI LELLIOPo, janë direkt rezultat i planit Ahtisari, në kuptimin që pushteti i EULEX-it përcaktohet nga ky plan. Autoriteti që plani i Ahtisarit u jep këtyre misioneve, Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar dhe EULEX-it, është problematik. Nga ana tjetër, edhe vetë EULEX-i e gjen veten në një pozitë të paqëndrueshme.
Ky është një mision që do të duhej të ndihmonte në vendosjen e shtetit ligjor në Kosovë, por ama nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur. Për mua janë të pakuptueshme marrëdhëniet mes EULEX-it dhe synimit të tij për rend e ligj nga njëra anë, si dhe ligjeve të miratuara në Republikën e Kosovës, që është një shtet i pavarur.
Fakti se EULEX-i nënshkruan marrëveshje me vendet e treta për juridiksionin në Kosovë, që është një vend tjetër, më krijon paqartësi.
RADIO EVROPA E LIRËSjelljet e tilla të misioneve ndërkombëtare çojnë drejt destabilitetit. A mendoni se është koha që udhëheqësit e Kosovës dhe Brukseli të diskutojnë edhe një herë bazën e raporteve aktuale?
ANNA DI LELLIOKjo do të ishte, vërtet, e mirëpritur. Por, duhet të theksojmë se bëhet fjalë për një problem tjetër politik. Siç e dini, nga leximi i planit të Ahtisarit, Kosova mund të bëhet plotësisht e pavarur vetëm nëse përmbushen të gjitha kushtet e planit të Ahtisarit.
Por, këto kushte, ashtu si standardet e UNMIK-ut dikur, janë formuluar në mënyrë të tillë që nuk mund të përmbushen kurrë. Kjo do të thotë që do ketë gjithmonë nevojë për përfaqësuesin civil. Ky i fundit ka mandat deri në zbatimin e plotë të Planit Ahtisari.
Nga ana tjetër, pa bashkëpunimin e serbëve në Kosovë dhe pa bashkëpunimin e Serbisë për plotësimin e kushteve të vëna nga Plani Ahtisari, mes të cilave dhe decentralizimi, përfaqësuesi civil do të rrijë në Kosovë pafundësisht. Kjo nuk është mbikëqyrje e përkohshme, por ka për të qenë mbikëqyrje e përhershme.
RADIO EVROPA E LIRËA do të thotë kjo që e ardhmja e Kosovës nuk varet nga kosovarët, por nga pakica serbe dhe Serbia?
ANNA DI LELLIONatyrisht e ardhmja Kosovës është edhe në duart e kosovarëve. Vazhdoj të besoj se ata bënë gabim me pranimin e planit të Ahtisarit. Mjafton të kujtojmë këtu detaje të tilla si, për shembull, ndryshimi i Kushtetutës. Kushtetuta nuk mund të ndryshojë pa miratimin e pakicës serbe dhe pakicave të tjera, ç’gjë shkakton shumë probleme.
Është e rëndësishme që udhëheqësit e Kosovës të ndërmarrin nisma të fuqishme diplomatike në këtë drejtim, pasi besoj se situata është e paqëndrueshme. Besoj se gjendja është potencialisht shpërthyese, ndaj duhet vepruar që situata të diskutohet më thellësisht dhe me sy më të hapur.