Kriminel Made in Kosova
Uran Krasniqi
Ai është afër njëzet vjeç. Kur mezi ia kishte dalë ta kryej shkollimin fillor kosovar, atë të mesëm e kishte lënë në gjysmë. Bankat e klasëve të shkollave i kishte zëvendësuar me tavolina të kafeterive. Në vend të lapsit, fletores, librit etj., tashmë kishte brisk, boks hekuri, revole… Në vend të shoqërisë normale ecte me rrugaçë, banditë, gangsterë… Natën s’kishte orë leximi, por ngarendje lokalesh, diskotekash, kazinosh… Ditën sërish gjah pas gjinisë së bukur dhe vënie bastesh futbolli.
Vakuumet e krijuara prej mungesës së ligjëratave të mësimdhënësve në kokën e tij, bënte sikur mëtonte t’i kompensojë me këngë nga rep-muzika e ngandonjëherë edhe me seriale lationo-amerikane. Ç’mapë e çoroditur!
"Padija është nëna e të gjitha të këqijave", – Rabelais.
Ndërsa kishte punuar në lokal i kishte hasur syri turlifarë “bossi”. Të veshur shtrenjtë, me shoqërim të bukur, të pasur… Ndonjë prej tyre edhe institucionalist në Kosovë. Mandej dikush-dikush edhe arrogant.
Ai ishte në dert. Me pagën e tij minimale, a të hante bukë?, a të blinte cigare?, a të pinte kafe? a të fliste në telefon?, a të merrte veshmbathje? a çfarë nevoje të plotësonte më përpara, kur ajo ishte sikur të mos ishte fare.
Ishte gjetur keq, ishte ndier i fyer, kishte rënë në depresion… “Ku isha atëherë?”, e kishte pyetur vetën. Ama tevona ishin tash këto çaste për shkollën. Dhe të gjitha këto ishin sulme të këqija për zgjimin e temperamentit të tij. "Nëse varfëria është nëna e krimit, budallallëku është i ati",- Jean de La Bruyère.
Tashmë ai vuan paraburgimin diku në Kosovë. E kanë zënë në flagrancë duke u munduar ta kthejë kryeministrin e vendit në banor të kronikës së zezë.
U ka dhënë rast të gjithëve që aktit të tij të shëmtuar t’i veshen emra prej më të ndryshmëve: “i porositur nga serbët”, “i shtyrë prej rivalëve politikë”, “njeri i pritave të pabesa” etj. Pakkush beson që ai ka mundur të jetë veç hajn.
E ka bërë babain e vet që ta mbajë kryet teposhtë prej të tjerëve pse e ka qitur në këtë jetë. Familjen me shenjë në rrethin shqiptar: “ej këta janë…nja të këtyne e kanë pas za…” etj., fjalë të thëna në gegërishte, sikur zhurma e fqinjëve te “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndërr” të Çajupit.
"Budallallëku është diçka të cilin nuk e kupton dot nëse nuk e sheh me sytë e tu",-
Paul Gauguin.
Dhe pikërisht kjo është mostra e një pjese të rinisë kosovare, të cilët kur janë të vegjël me çiltërësi fëmije urrejnë shumë gjëra, për t’u bërë më pastaj kur të rriten vetë ato.
Veç shumë të tjerash, Kosova e pasluftës ka qenë edhe fabrikë, e cila ka prodhuar kësi kriminelë. I ka trajnuar me përditshmëri të rëndë, mungesë investimesh të ndryshme, indiferencë të pakundshoqe, etj., për t’i lënë të rrëshqasin në zgjidhje të gabuara, brenda lirisë së pakufizuar individuale. Politikanët përsërisin se rinia është aseti më i rëndësishëm i Kosovës dhe krekosen me moshën e re të popullates, por s’investojnë asgjëkund.
“Ju mund t’i mashtroni disa njerëz për një kohë, por ju s’mund t’i mashtroni të gjithë njerëzit përgjithmonë”,- Bob Marley.
Pershendetje bashkombas te nderuar,shpresoj se me hapsen e disa temave qe perballmei me perditshmerin ton do te ishte me mir,qe ti largohemi atyre qe nuk na duhen dhe si takojn se paku nej shoqerije te paster dhe te ndershme te nje Kombi qe mendon per nej te ardhme te ndritshem.
Ju pershendes per mendimet e juaja ne ket tem dhe pres edhe nga ju diqka Konkrete si nisme te arsyshem per zgjidhjen e Problemeve e jo rritjen e tyre!... Jo kalofshi mir