E njëjta situatë vazhdoi edhe pas njohës së Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha, të asaj kohe. Në momente kur shteti i ri shqiptar kishte nevojë më shumë se kurrë për një bashkim të të gjitha forcave politike në atë kohë, të dhimbshme janë momentet që përsëri i përshkruan autori dhe pjesëmarrësi i këtyre ngjarjeve Sejfi Vllamasi, rreth kërcënimit që i bëhej qeverisë së Vlorës nga ana e vetë shqiptarëve: “Bektashi Cakrani, i komprometuar për marrje te hollash nga Greqia, për ta zgjeruar kufirin e saj në dëm të tokave shqiptare, për shkak se nuk u pranua dëshira e tij për ta bërë Cakranin qendër nënprefekture, mbledh një fuqi dhe kërcënon qeverinë e Vlorës me kryengritje. Nga ana tjetër Dervish bej Biçaku, miku besnik i Esatit, në tetor te vitit 1913, mblodhi një fuqi kundër qeverisë së Vlorës, duke bërë propagandë në popull me kuran në dorë, për kryengritje kundër qeverisë”.
Edhe pasojat kombëtare të kësaj politike i njeh mirë Historia e popullit shqiptar. Gjatë Luftës së Parë Botërore, Shqipëria u shndërrua në arenë lufte nga ushtarët e Fuqive të mëdha dhe të shteteve fqinj, duke e vënë përsëri në rrezik pavarësinë e posafituar.
Moment tjetër që e karakterizoi shtetin shqiptarë pas pavarësisë është edhe fillimi i likuidimeve politike në Shqipëri. Më 22 mars të vitit 1919, vritet nënkryetari i parë i qeverisë së Durrësit, Preng Pasha, duke vazhduar pastaj vrasjet me prefektin e Durrësit Abdyl Ypi, Esat Pashën, plagosjen e Ahmet Zogut, atentatin vdekjeprurës ndaj Avni Rrustemit, vrasjen në Bari të Italisë të Luigj Gurakuqit, e kështu me radhë. Pa u futur në aspektin patriotik, të gjithë këto vrasje janë bërë për motive politike.
Ndërkohë, pothuajse një shekull më vonë, shqiptarët prapë u ndeshën me të njëjtën situatë, përpjekjet rreth pavarësisë së Kosovës. Por, këtë herë shqiptarët e Kosovës ishin më të bashkuar se kurrë drejt rrugës së krijimit të shtetit të tyre të pavarur. Dallimet mes vitit 1912 dhe 2008 ishin të mëdha. E para, që në Kosovë nuk kishte më “esadista” e “Haxhi Qamila”, si në kohën e pavarësisë së Shqipërisë, dhe e dyta, ky qëndrim unik i shqiptarëve të Kosovës padyshim që luajti një rol të madh në përkrahjen që pati Kosova nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, për njohjen e pavarësisë dhe integritetit territorial të Kosovës. Pra, pavarësia e Kosovës shënoi pjekurin më të lartë politike në historinë e shqiptarëve.