|
| Begzad Baliu DISKUTIMET PËR STANDARDIN DHE PERCEPTIMI I TYRE | |
| | Autori | Mesazh |
---|
Kristaq F. Shabani Miqte e Forumit
Numri i postimeve : 11718 Age : 65 Vendi : Gjirokaster, Albania Profesioni/Hobi : Poetry Registration date : 04/07/2008
| Titulli: Begzad Baliu DISKUTIMET PËR STANDARDIN DHE PERCEPTIMI I TYRE Mon Nov 04, 2013 4:00 am | |
| Prof. asoc. dr. Begzad Baliu
DISKUTIMET PËR STANDARDIN DHE PERCEPTIMI I TYRE
Rezyme: Në kumtesën tonë do të diskutohet perceptimi i diskutimit mbi standardin nga radhët e studentëve dhe ndikimin e këtyre diskutimeve për përvetësimin e tij. Për përgatitjen e kësaj kumtese do të përdoret fillimisht metoda e testimit të gjerë, pastaj do të bëhet tipologjia e përgjigjeve, analiza të karakterit social, kulturor dhe linguistik.
Fjalët nyje: Gjuha shqipe, standardi, studentët, kultura, shoqëria
Kohëve të fundit është zhvilluar një valë diskutimesh rreth shqipes standarde. Bartës të këtyre diskutimeve, autorë, kryesisht larg dijes shkencore në fushë të gjuhësisë, i kanë bërë objekt sulmi dy prej vlerave më të rëndësishme të kombit: gjuhën shqipe dhe Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972), i cili ligjësoi standardin e saj. Në të vërtetë, sulmet nga më të ndryshmet kundër shqipes standarde dhe Kongresit të drejtshkrimit nuk kanë munguar asnjëherë[1], por ato vinin nga provenienca kryesisht të margjinalizuara (migracioni shqiptar)[2] dhe të kufizuara (shkolla dhe politika serbe, krah të të cilëve u bënë një grusht i vogël shqiptarësh)[3].
Si duket, diskutuesve të standardit duhet t’ua kujtojmë se në historinë e popullit shqiptar Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972) dhe Konsulta e Prishtinës (1968), krahas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë (1912) dhe çlirimit të Kosovës (1999), janë ngjarjet më të rëndësishme kombëtare të shekullit XX, që shënojnë jetën kombëtare dhe sendërtojnë unitetin e identitetit të popullit shqiptar. E dimë ndërkaq, se përpjekja për përmbysjen e këtyre institucioneve historike dhe për riorganizimin e shqipes standarde mbi baza të tjera, duke përfshirë këtu edhe ngritjen e një standardi të ri për nënshtetasit e Republikës së Kosovës, do të kishte pasoja largvajtëse në çintegrimin e të gjithë përbërësve kulturorë, mendorë, ekonomikë dhe madje shpirtërorë të popullit shqiptar, për të cilët është punuar shekuj me radhë.
| |
| | | Kristaq F. Shabani Miqte e Forumit
Numri i postimeve : 11718 Age : 65 Vendi : Gjirokaster, Albania Profesioni/Hobi : Poetry Registration date : 04/07/2008
| Titulli: Re: Begzad Baliu DISKUTIMET PËR STANDARDIN DHE PERCEPTIMI I TYRE Mon Nov 04, 2013 4:00 am | |
| Janë për shqetësim prurjet e reja, diskutimet aspak shkencore dhe përpjekjet tepër të rrezikshme për përmbysjen e arritjeve më të mira të shqipes standarde, dhe për krijimin e një varianti letrar të gegërishtes standarde dhe përtej tyre i një kosovarishteje letrare. Ne konsiderojmë se përballë këtyre koncepteve do të trishtoheshin jo vetëm etërit e gjuhës shqipe të periudhës së Rilindjes: Naim Frashëri, Konstantin Kristoforidhi, Faik Konica, Gjergj Fishta e të tjerë, po edhe ata të veprave të para të gjuhës shqipe: Gjon Buzuku, Frang Bardhi e Pjetër Bogdani me të tjerë.
Nuk e di si do të reagonin tre shekuj më vonë pasardhësit tanë, kur të diskutojnë sjelljen e brezit tonë ndaj gjuhës shqipe, por nga këndi i njohjes së zhvillimit të gjuhëve tre shekuj më parë, e di si do të reagonin filozofët, filologët, shkrimtarët e bardët e gjuhësisë universale: Francesco Soave, Leibniz, Rimbaud etj., dhe e di si do të reagonin shkrimtarët e parë shqiptarë të cilët punuan aq shumë për mosbdarjen e gjuhës shqipe.
Propaganduesve të ndarjes së gjuhës shqipe sot nuk u mjafton ndarja e popullit shqiptar në shtete të ndryshme politike, nuk ju mjafton ndarja me kufij politikë, veç se vazhdojnë në mënyrën më anakronike t’i propagandojnë kufijtë e vjetër krahinorë, etnografikë, fisnorë dhe fetarë të popullit shqiptar e të pasurisë materiale e shpirtërore të tij, në kohën kur Evropa vazhdon t’i bëjë të padukshëm edhe kufijtë shtetërorë a ideologjikë të shekullit XIX e XX, për të cilët ka investuar shumë në pikëpamje intelektuale, filozofike, kulturore, politike, ekonomike dhe shtetërore. Propaganduesit e përkufizimeve të reja krahinore të shqipes vazhdojnë t’i shquajnë kufijtë etnografikë, në kohën kur Evropa vazhdon të rrënojë mure shumë të larta, për të cilat ka investuar djersën e disa popujve, të disa dekadave dhe madje të disa shteteve.
Në kohën kur filozofët, historianët, filologët, kulturologët dhe madje teologët, bëjnë përpjekje për të bërë sintezën e përbërësve të Bashkimin Europian nën parullën “Duke bërë Europën”, nga Herodoti e deri te ideatorët e shekullit XX[4], ‘intelektualët tanë’ bëjnë përpjekje për të rrënuar pa ndjenjën më të turpshme të vogëlsisë së tyre, të gjithë atë që është sintetizuar gjatë shekullit XX në shkollën evropiane dhe shqiptare, për të provuar më tej një përpjekje të re në themelimin e një ‘identitetit të ri’ (kosovar) e të një gjuhe të re (kosovarishtes). Kujt i duhet sot përpjekja për identitet dhe gjuhë në Kosovë. Sigurisht disa prej tyre këtë nesër do t’jua atribuojnë konstitucionalistëve të shtetit të Kosovës, gjë që nuk është aspak ashtu. Edhe konstitucionalistët më pak të njohur me dijen elementare të bërjes së shtetit e dinë sa e vështirë ka qenë njohja e prejardhjes ilire dhe e gjuhës së tyre shqiptarëve deri në mesin e gjysmës së parë të shekullit XX, pavarësisht se këto teza i atribuohen më shumë shkollës gjermane-austriake se sa shkollës shqiptare. Për shkak të dokumenteve shumë të vona të shqipes së shkruar edhe përkrahësit më të flaktë të prejardhjes së popullit shqiptar nga ilirët, mbështetjet e tyre i bëjnë kryesisht në emra njerëzish e emra vendesh, duke e ndërlidhur kështu gjuhën më shumë me gjetjet arkeologjike se me zhvillimet e brendshme të saj[5]. Pavarësisht prej teorive, shkollave dhe projekteve gjuhësore individuale e institucionale, të cilat merren kryesisht me zhvillimin e brendshëm të shqipes dhe pothuajse me asgjë nuk cenojnë identitetet nacionale të popujve të vegjël, kohëve të fundit ka lëshuar degët e ndikimit etnohistorik e etnogjuhësor një dije e cila po bëhet pandan e teorive indoevropiane, e kjo është shkolla e sociologjisë së dijes me emrin “Athina e zezë”[6]. Në vend që të ndjehemi komod dhe madje të nderuar për vendin që dija evropiane na e ka siguruar me kohë në familjen eurpoiane dhe që ne të vazhdojmë të plotësojmë praninë tonë me vepra kryesisht të natyrës pragmatike (fjalorë, vëllime me trashëgimi etnohistorike, epos etj.), ne kthehemi në një gjendje të komunikimit gjuhësor, të cilën në parim e kishte tejkaluar pothuajse brezi i Rilindjes Kombëtare, si komunikim brezi i dekadës së parë të shekullit XX, dhe si normë brezi i gjysmës së dytë të shekullit XX: 1968/1972.
Bartësit e këtyre ideve në Shqipëri dhe në Kosovë janë kryesisht publicistë, që, më parë se të merren me çështjen e një gjuhe të re, janë marrë me krijimin e një kombi të ri, kombit kosovar; janë gjuhëtarë, që, më parë se të merren me gjuhën shqipe dhe strukturën e brendshme gjuhësore të standardit të saj, merren me paradigmat politike të saj; janë autorë tekstesh gjuhësore a publicistike, të cilët duke mos i njohur, a duke mos dashur t’i njohin parimet themelore mbi të cilat është krijuar standardi i sotëm i gjuhës shqipe, ankohen për mangësitë e tij, të cilat në parimet themelore të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972) paraqesin rregullat dhe synimet themelore të bazës së standardit. Në të vërtetë autorë të diskutimeve rrënuese janë pjesëmarrës të dikurshëm të Kongresit të Drejtshkrimit dhe politikanë të dikurshëm, të cilët më vonë hoqën dorë për shkaqe ekstrashkencore dhe ekstragjuhësore, si dhe një grusht të rinjsh, të cilët më parë se sa të merren me probleme të shqipes standarde nuk kanë treguar asnjë interesim dhe madje asnjë kujdes të veçantë për gjuhën si kulturë letrare, filozofike, kulturore dhe intelektuale[7]. E vend, hapësirë dhe mundësi për të kontribuar në rezultatet e Kongresit të Drejtshkrimit kishte dhe ka edhe më tej edhe për brezin e ri.
Por brezi i problemin e standardit e shikon pa asnjë ngarkesë dhe pa më të voglin dyshim në rëndësinë historike dhe sidomos praktike që ka. Kohë më parë kam orgnizuar një test me 99 studentë të tri Programeve të Fakultetit të Edukimit (shkencat shoqërore, natyrore dhe teknologjike, të vitit të parë), me të cilën ka dashur të shoh gjendjen sociale dhe kulturore të njohurive të tyre me theks të veçantë mendimin që kanë ata për shqipen standarde.
Prej shënimeve të tyre teknike mund të shihet se ata vinë kryesisht nga veriperëndimi dhe Rrafshi i epërm i Kosovës (komunat: Burim, Mitrovicë, Klinë, Drenas, Skënderaj, Vushtrri, Prishtinë, Albanik, Lipjan dhe Ferizaj). Ata kanë prejardhje sociale kryesisht rurale, prindër të arsimuarme shkollë të mesme apo më së shumti mësues në shkolla fshati, prej të cilëve kanë përvetësuar vlerat tradicionale kombëtare edhe në fushë të kulturës.
Përgjigjet e tyre kam arritur t’i sistemoj në tri rrafshe: trashëgiminë kulturore dhe arsimore në familje dhe në shkollë, literaturën e përsorur në shkollë dhe në shtëpi, si dhe mendimin e tyre për rrolin e shqipes standarde në jetën e përitëshme e në institucionet arsimore.
Prej përgjigjeve mbi trashëgiminë arsimore dhe kulturore të tyre kam konstatuar se ata kanë trashëguar biblioteka të djeguara në shkollë dhe në shtëpi nga Lufta e Kosovës dhe numër të kufizuar veprash letrare e shkencore përmes të cilave ata do të mund të ndërtonin komunikimin e tyre në shqipen standarde. Veprat që kanë lexuar ata janë kryesisht vepra që kanë lexuar edhe prindërit e tyre: letërsinë e rilindjes, letërsinë sentimentale të viteve ’30 në Shqipëri dhe viteve ’60 në Kosovë. Pra, romane me temë sentimentale të viteve 30, të cilat i kanë lexuar edhe prindërit e tyre, që është edhe një dëshmi se edhe para Luftës së Kosovës bibliotekat e tyre nuk kanë qenë shumë të pasura. Fjala është kryesisht për veprat e shkrimtarëve Sterio Spasse, Nazmi Rrahmani, Haki Stërmilli, Fuqion Postoli, Ismail Kadare dhe më pak Jakov Xoxa e Rexhep Qosja: Kështjella, Sikur t’isha djalë, Afërdita, Pse, Malsorja, Gremine e dashurisë, Lulja e kujtimit, Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Vdekja më vjen prej syve të tillë, Lumi i vdekur. Shumë pak autorë veprash me poezi dhe asnjë dramë. Gjithësejtë rreth 50 vellime në prozë dhe në poezi, nga Barleti e deri në ditët tona.
| |
| | | Kristaq F. Shabani Miqte e Forumit
Numri i postimeve : 11718 Age : 65 Vendi : Gjirokaster, Albania Profesioni/Hobi : Poetry Registration date : 04/07/2008
| Titulli: Re: Begzad Baliu DISKUTIMET PËR STANDARDIN DHE PERCEPTIMI I TYRE Mon Nov 04, 2013 4:01 am | |
| Prej vlerësimeve të tyre, në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë nuk kemi vënë re konceptet e tyre për një standard tjetër, për vështirësi në të nxënit dhe aq më tepër për kundërshtimin e tyre për standardin e sotëm. Përkundrazi, shembujt e sjellë këtu, tregojnë më së miri për interesimin e tyre për nxënien e standardit, për vlerësimin e tyre të standardit, si një vlerë të shenjtë kombëtare dhe për gatshmërinë e tyre që përkundër vështirësive sociale, kushteve dhe rrethanave nëpër të cilat kanë kaluar dhe gjenden, standardin ta përdorin si një prej arritjeve më të larta dhe më cilësore në komunikimin e përditshëm.
Prej përgjigjeve të tyre nuk është vështirë për të kuptuar rëndësinë që ata i japin shqipes standarde për mundëstë që ajo jep në arritjet përkatësisht homogjenitetin e kombët shqiptar[8]; duke përfshirë këtu edhe vlerësime emocionale[9]; shqetësimet për gjendjen e tanishme[10] dhe përspektiven[11] e tij.
Prej përgjigjeve të tyre nuk është lehtë të kuptojmë se studentët e këtij brezi janë të liruar krejtësisht prej frustruimit krahinor, përkundrazi standardin e shohin si nevojë të komunikimit gjithkombëtar, falë rritjes së tyre brenda paradigmave që kanë përcaktuar mësuesit e tyre të mëshiruar me idealet e rilindasve. Ata dëshmojnë edhe njëherë se kundërshtarët e standardit janë ata nuk arritn të dalin prej gzhojës krahinora dhe ata që nuk arritn ta imponojnë mentalitetin e tyre n shkallë kombëtarte.
Por le t’i kthehemi tani Manifesit të standardit, me të cilin punojnë studentët dhe të gjithë ata që përpien për të nxënë shqipen standarde. “Në këtë botim të parë të "Fjalorit drejtshkrimor”[12], thuhet në Parathënien e tij “natyrisht, ka edhe mungesa e zbrazëti. Me studimet e mëtejshme shkencore e me ndihmën e masës së gjerë të lexuesve, të cilët janë të lutur të dërgojnë vërejtjet e tyre, këto mungesa e zbrazëti do të plotësohen në botimet e ardhshme". Studiuesit që sado pak janë interesuar të dinë për bazën e skedarit të tij, do të mund të mësonin prej leksikografëve të gjuhës shqipe dhe madje prej administratës së Institutit të Gjuhësisë dhe Historisë, në Tiranë, se vetëm në skedarin e tij ka rreth 4.000.000 (katër milionë) skeda, që vazhdojnë të plotësohen çdo ditë jo vetëm në Tiranë po edhe në Prishtinë, Shkodër, Tetovë e institucione të tjera shkencore e arsimore, si dhe nga individë të pasionuar pas leksikografisë. Studiuesit që sado pak janë interesuar për bazën gjuhësore të shqipes, e cila pret të bëhet pjesë e fjalorit të përgjithshëm të shqipes, nuk e kanë vështirë të kuptojnë se përveç fjalësit të përgjithshëm të shqipes në skedarët e institucioneve dhe të individëve, ne kemi të regjistruar një fjalës të pasur, të cilin ende nuk e kemi botuar: Fjalorët e patronimisë e antroponimisë, të toponimisë e ojkonimisë, të frazeologjisë, të kuptimeve, të strukturave fjalëformuese etj., e të cilët popujt e tjerë tashmë i kanë botuar. Në vend të punës konkrete në regjistrimin dhe sistemimin e fjalësit të përgjithshëm të shqipes, ka disa vjet përpjekje të disa gjuhëtarëve të rinj, për të ‘teoretizuar’ nga këndi i sociolinguistëve, me mendimet e Claude Levi – Strauss-it, për gjuhët e fiseve të Amerikës Jugore apo të Lindjes së Largët dhe të folmet a varietetet e shqipes![13]
| |
| | | Kristaq F. Shabani Miqte e Forumit
Numri i postimeve : 11718 Age : 65 Vendi : Gjirokaster, Albania Profesioni/Hobi : Poetry Registration date : 04/07/2008
| Titulli: Re: Begzad Baliu DISKUTIMET PËR STANDARDIN DHE PERCEPTIMI I TYRE Mon Nov 04, 2013 4:01 am | |
| Kundërshtarët e shqipes standarde ankohen për kohën historike në të cilën është organizuar Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972) dhe për frymën ideologjike të asaj kohe, ndërsa vetë shkruajnë në shtypin ditor dhe sidomos paraqiten e flasin në mediet elektronike në frymën tipike titiste; ata atakojnë bardët e standardit të gjuhës duke përzgjedhur njëanshëm diskutimet e tyre gjatë dhe sidomos para Kongresit, duke i keqpërdorur kështu mendimet e tyre sipas modeleve tipike bolshevike; ata identifikojnë bazën dialektore të shqipes standarde, duke e identifikuar në mënyrë të njëanshme me personalitete të caktuara politike, ndërsa tkurrin në përmasa të skajshme kufijtë nëndialektorë të propozimeve të tyre, madje deri te propozimi për një standard të ri: kosovarishten; ata vazhdojnë të ankohen për bazën e rrudhur krahinore të shqipes standarde, ndërsa vetë punojnë për zgjerimin primitiv të gramatikës së saj; ata ankohen për përjashtimin e leksikut të gegërishtes, sado vetë shqipen standarde vazhdojnë ta pasurojnë me sllavizma, italianizma, anglicizma e turqizma.
Duam t’ua kujtojmë se gjuha shqipe dhe kombi shqiptar janë dy pjesë të pandashme të një identiteti, prandaj përpjekja e përtashme që prej tij të themelojnë identitete të reja krahinore, gjuhësore apo politike është përpjekje kundërhistorike e individëve dhe e grupeve të caktuara, është përpjekje me synimet largvajtëse, të cilat janë tejkaluar gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Anakronizmi i tyre del në pah edhe me faktin se ata përpiqen të krijojnë kombe në një kohë kur koha e formimit të kombeve është zëvendësuar me kohën e krijimit të shteteve. Duke u përpjekur ta rrënojnë strukturën bashkëkohore të standardit të saj, në të vërtetë ata, përpiqen që njëkohësisht t’i rrënojnë themelet e kombit modern shqiptar.
Nuk e dimë a ka nevojë të thuhet se disa nga kundërshtuesit më të flaktë të vlerave të standardit në Republikën e Shqipërisë, ka kohë që po përfundojnë lektorë në Seminarin e Gjuhës Shqipe në Beograd, ndërsa disa nga propaganduesit e idesë së identitetit kosovar, ka kohë që po vishen me pushtet në komisionet dhe në institucionet politike dhe shkencore e kulturore të Republikës së Kosovës. A është kjo arsyeja pse modelet e planifikimit gjuhësor dhe të ndërtimit të identitetit kombëtar na i kujtojnë modelet historike të planifikimit gjuhësor dhe ndërtimit të identitetit të disa popujve të ish-Jugosllavisë, të cilat përfunduan me rrënime tragjike të gjithë ish-Jugosllavisë. Mirëpo, në vend se të dëgjonim dhe mësonim prej pasojave tragjike të tyre, të cilat studiuesi serb Milorad Radovanoviq i ka quajtur ballkanizim i gjuhës, ndërsa ne do ta quanim jugosllavizim i gjuhës, ka kohë që mësojmë prej iniciativave të tyre historike për krijimin e gjuhëve të reja: maqedonase, myslimane, malazeze etj., e të cilat parim bazë të tyre kanë gjuhën serbe[14].
Mbase nuk është për t’u habitur pse brenda një kohe të shkurtër në Republikën e Kosovës, krahas gjuhës shqipe, në të vërtetë standardit të saj, janë sulmuar edhe disa shenja dhe vlera kombëtare, që simbolizojnë vlera historike të identitetit kombëtar, të popullit shqiptar e të trashëgimisë materiale dhe shpirtërore të tij: Emblema e Lidhjes së Prizrenit, flamuri kombëtar, himni kombëtar etj.
Po në këtë rrjedhë e shoh me shqetësim përpjekjen e disa individëve dhe qarqeve vendore e ndërkombëtare për themelimin e të ashtuquajturit komb kosovar në fillim të shekullit XXI.
Por le ta gjykojmë këtë çështje këtu vetëm nga aspekti gjuhësor. Pavarësisht nga mendimet tona për etimologjinë e toponimit Kosovë, bota shkencore emrin e Kosovës e konsideron me etimologji sllave, ndërsa ne bëjmë atë që dhunshëm është bërë nën ish-Jugosllavi. Po e ndërtojmë identitetin tonë të ri (kosovar) mbi një etimologji sllave: kosovar! Një identitet të dyfishtë, një identitet tipik maqedon, vese të kthyer mbrapsht: ata nga një identitet i dyfishtë sllav (bullgaro-maqedon) në një identitet tipik antik (greko-maqedon), ndërsa ne, nga një identitet i vazhdimësisë iliro-shqiptare (të mbyllur si koncept që në periudhën e Rilindjes Kombëtare), në një identitet etno-gjeografik dhe etimologjikisht të ndarë dhe të mbishtresuar shqiptaro-sllavë.
A ka nevojë të mendohemi gjatë se si do të na gjykojnë pasardhësit nesër. Paraardhësit tanë na e lanë mbi kurriz një shtet sllav, ndërsa ne po ju lëmë pasardhësve në ndërdije një identitet me të cilin nuk shquhen saktë se cilët janë!
Konsiderojmë se përpjekje të tilla bëhen me qëllim të heshtjes së çështjes shqiptare, si çështje e pazgjidhur kombëtare dhe si çështje kombëtare e tërësisë evropiane, si dhe krijimit të standardeve të njëjta jo vetëm të Republikës së Kosovës po edhe të popullit të saj shumicë me fqinjin maqedonas. E konsiderojmë tepër shqetësues faktin se shqiptarët, kësaj here vetëm një pjesë e tij, në prag të përfshirjes së tij në familjen e Bashkimit Europian, vazhdojnë të bëhen eksperiment me metoda tejet të ulëta, e kjo do të thotë me metoda të shekullit XVIII-XIX. Eksperimente të tilla, kishte vënë re, menjëherë pas rënies së periudhës së komunizmit, Profesor Shefki Sejdiu, të cilat ai i quante “sfida që sjell koha e shoqërive të hapura”[15], dhe i kishte theksuar me forcë në Prishtinë dhe në Tiranë, si përpjekje për të mbrojtur jo gjuhën letrare (një nocion i popullarizuar pas Kongresit të Drejtshkrimit), po shqipen standarde, një term shkencor i gjuhësisë së përgjithshme.
Përgjithësisht konstatimet jopopullarizuese të linguistikës së Profesor Shefki Sejdiut nuk patën ngjallur reagime të shtypit ditor dhe atij publicistik. U desh të ngrente zërin Profesor Rexhep Qosja me manifestin e tij “Ideologjia e shpërbërjes”, (Tiranë 2006), për të kuptuar pretendimet largvajtëse të kundërshtarëve të shqipes standarde, jo vetëm për gjuhën, por edhe për identitetin dhe përbërjen fetare e kulturore të popullit shqiptar, që të shihet sa e rëndësishme është çështja e shqipes standarde dhe e identitetit kombëtar[16].
Duke e konsideruar gjuhën shqipe vlerë identifikuese të secilit qytetar të popullit shqiptar, mund ta konsideroj të palejueshëm diskutimin e standardit të shqipes në nivele grupesh, klanesh e individësh, të cilët më parë se për plotësimin e standardit të gjuhës, kanë synim rrënimin e identitetit historik të folësve të saj.
Studiuesit, shkrimtarët, publicistët dhe të gjithë ata që në një formë a një tjetër merren me gjuhën shqipe, ftohen që të punojnë në pasurimin e saj me vlera gjithëkombëtare dhe të angazhohen në mbrojtjen e saj prej prirjeve histerike të diskutimeve rreth saj.
Në parimet e përgjithshme të Drejtshkrimit të gjuhës shqipe, veç tjerash thuhet: "Drejtshkrimi i njësuar i gjuhës shqipe kurorëzon një etapë të gjatë përpjekjesh për formimin e një gjuhe të vetme e të përbashkët për gjithë popullin shqiptar dhe çel rrugën për ta përmirësuar më tej normën drejtshkrimore të kësaj gjuhe në pajtim me zhvillimin e mëtejshëm të gjuhës e të kulturës sonë kombëtare"[17]. Për të vazhduar më tej: "Dalja e Drejtshkrimit të gjuhës shqipe dhe vënia e tij në jetë, pa dyshim, do ta gjallërojnë, do ta pasurojnë e do ta çojnë më tej mendimin shkencor në këtë fushë. Zhvillimi i pandërprerë i vetë gjuhës sonë, kristalizimi i mëtejshëm i normës letrare do të shtrojnë para teorisë së drejtshkrimit çështje të reja e mundësi të reja zgjidhjeje. Gjuhësia shqiptare do t'i vazhdojë studimet për këto probleme dhe do t'i bëjë këtij "Drejtshkrimi" përmirësimet e nevojshme në të ardhmen"[18].
Duke ju referuar mendimit të Profesor Eqrem Çabejt, për gramatikën sintetike, në vend të gramatikës arkaike, nuk është vështirë të shohim se Drejtshkrimi i sotëm i shqipes ka ende mjaft punë për të lehtësuar përdorimin e tij, madje duke filluar me përdorimin e shkronjës së madhe deri te disa fenomene apo dukuri fonetike, e te disa struktura morfologjike e korpuse njësish leksikografike, prej të cilave dalëngadalë duhet të lirohet edhe drejtshkrimi i shqipes standarde.
Le të jetë kjo përsëritje e udhëzimeve themelore të Drejtshkrimit një kujtesë se për të punuar në shqipen standarde e në themele të saj ka vend për të gjithë, duke filluar nga drejtshkrimi i saj, por kusht për të marrë pjesë në këtë ngrehinë të madhe kombëtare është që pjesëmarrësi të jetë skalitës e jo rrënues. Gjuha, ka thënë Roland Bart, është “institucion shoqëror dhe sistem vlerash. Si institucion shoqëror ajo nuk është asesi veprim, ajo nuk i shtrohet asfarë paramendimi; ajo është pjesë shoqërore e ligjërimit; individi i vetëm nuk mund ta krijojë as ta ndryshojë; në thelb ajo është kontratë kolektive, së cilës po të duam të komunikojmë duhet t’i shtrohemi në tërësi; për më tepër ky prodhim shoqëror është autonom në mënyrën e një loje, që ka rregullat e veta, sepse nuk mund të përdoret pa e pas nxënë”[19].
| |
| | | Kristaq F. Shabani Miqte e Forumit
Numri i postimeve : 11718 Age : 65 Vendi : Gjirokaster, Albania Profesioni/Hobi : Poetry Registration date : 04/07/2008
| Titulli: Re: Begzad Baliu DISKUTIMET PËR STANDARDIN DHE PERCEPTIMI I TYRE Mon Nov 04, 2013 4:02 am | |
| [1] Shih tekstet e Arshi Pipës dhe të disa autorëve shqiptarë të mërgatës shqiptare në mbrojtje të gegërishtes në njërën anë dhe tekstet kryesisht politike të studiuesve e politikanëve serbë kundër bashkimit të shqiptarëve të ish-Jugosllavisë në përdorimin e shqipes së përbashkët standarde që më 1968.
[2] The Politics of Language in Socialist Albania, New York, 1989.
[3] Shih tekstet e Sefedin Sulejmanit (Shkup), Halit Ternavcit (Beograd), Sinan Hasanit (Beograd/ Prishtinë) etj.
[4] Gjerësisht shih, Umberto Eco, “Në kërkim të gjuhës së përkryer në kulturën europiane (përktheu, Genc Lafe), Shtëpia botuese Dituria, Tiranë, 2008.
[5] Shih këtu, përveç studiuesve shqiptarë edhe ata të huaj, Enzo Gati, “Ilirët”, (Përkthyer nga Rudina Taraneshi e Amik Kasoruho), Bargjini, Tiranë, 2005 dhe Pedro Bosch-Gimpera “Çfarë thotë arkeologjia për popujt indoevropianë” (Përktheu Xhevat Lloshi), Botimet Dudaj, 2003.
[6] Shih diskutimin e gjerë të teorisë ariane në veprat e Martin Bernalit, të përmbledhura në vëllimin “Athina e zezë (Rrënjët afro-aziatike të qytetërimit klasik &Fabrikimi i Greqisë Antike 1785-1985), Përkthyer nga Dritan Thomollari dhe Ilirjana Angoni. Shtëpia botuese 55, 2009.
[7] Filozofi shqiptar nga Shkupi, Sefedin Sylejmani, duke diskutuar në pasditen e 24 nëntorit 1972 të seancës së katërt plenare, Rreth Projektrezolutës së Kongresit të Drejtshkrimit të gjuhës shqipe, në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, shprehte në trajtën më dogmatike kundërshtimin e tij për çfarëdo hapësire të shkrimit dhe shqiptimit të shqipes standarde, jashtë rregullave të përcaktuara nga Rregullat e Drejtshkrimit, diskutimin e tij e përfundonte në mënyrën më militante të dëgjuar në këtë Kongres: “Unë besoj se po t’i evitojmë këto gjëra që në moment na duken pak të vogla, do t’i mbyllim të gjitha shtigjet që të mos mbijë më bari i egër” (168-169). (Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, 20-25 nëntor 1972, I, Akademia e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë – Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, Tiranë, 1973, f. 168-169). Pikëpamjet e tij fillimisht dogmatike për shqipen standarde, dhe madje jo vetëm të saj në jetën shqiptare në Maqedoni dhe ish-Jugosllavi, Sejfedin Sulejmani do t’i përmbysë në emër të idealeve të jugosllavizmit, shumë here, pas demonstrative të vitit 1981. Ndërsa Sinan Hasani, atëherë nënkryetar i Kuvendit Federativ të Jugosllavisë, në të përditshmen federale të Beogradit “Borba”, të 5 korrikut 1981, “duke shkruar për nacionalizmin në kulturën shqiptare të Kosovës, preku edhe çështjen e formimit të gjuhës letrare shqipe, me të cilin shërbehen të gjithë shqiptarët në Jugosllavi. Sinan Hasani pas 13 vjetësh nga Konsulta e Prishtinës (1968), në të cilën tërë inteligjencia humaniste mori vendim për futjen e kësaj gjuhe letrare që është në përdorim sot, shprehu keqardhje “pse ka ndodhur kështu”. (Idriz Ajeti, “Për të vërtetën shkencore”, ASHAK, Prishtinë, 2006, f. 9).
[8] “Pa shqipen standarde nuk do te kishim një dialog të pastër dhe të pasur” (Agnesë Gojani); “... e ndihmon pengimin e hyrjeve të fjalëve të huaja dhe përmirëson komunikimin tonë”. (Fitore Berisha); “Standardi është përfaqësimi i kombit tonë” (Zelë Gashi); “Shqipja standarde është shumë e nevojshme nëse duam të jemi një komb dhe të mos ndahemi” (Kushtrim Kastrati); “Shqipja standarde ka rëndësi vitale në zhvillimin intelektual të një kombi, pra kombit shqiptar. Ajo e bën më të lehtë komunikimin dhe do të luftonte lokalizimin” (Elmi Begaj); “Është ndër të arriturat më të mëdha për gjuhën tonë në përgjithësi deri në vitin 1972” (Albulenë Mehana).
[9] “Shqipja standarde është ajo shkallë e lehtë e gjuhës që të falë ngrohtësi shpirtërore, që është e pranueshme për veshin...”(Blerina Gashi); “...ajo është e pastër dhe e shenjtë për ne” (Luljetë Hoxha).
[10] “... shqipja standarde është një gjuhë e cila po mbushet me fjalë të huaja, por është vitale dhe po kontribuon për zhvillimin kombit shqiptar” (Arbër Berisha); “.... për fat të keq ka shumë mësues dhe profesorë që nuk e përdorin gjatë ligjërimit të tyre” (Liridona Çeta); “.... bazën për mësimin e gjuhës së pastër shqipe fëmijët nuk e mësojnë që në moshën fillestare” (Tringa Rushiti); “Mendoj se në shkollën fillore duhet kushtuar kujdes më shumë shqipes standarde” (Gazmand Maksuti); “... përdorimi i pamjaftueshëm në jetën e përditshme” (Nazmije Jonuzi).
[11] “Ndryshe nga dialektet që krijojnë paqartësi, gjuha standarde na ka ndihmuar mjaft për kuptimin e gjuhës më lehtë...” (Valmira Vatovci); “... mundëson për të komunikuar dhe për tu kuptuar më lehtë mes veti në shoqëri” (Besiana Osmani); “... standardi është perspektiva e duhur e nxënësëve dhe studentëve në të folur dhe në të shkruar” (Agon Drenjani); “Shqipja standarde është një domosdoshmëri në ditët e sotme. Komunikimi është shumë më i lehtë nëse ne e njohim mirë gjuhën standarde shqipe...” (Vlerona Berisha); “Shqipja sot përdoret kryesisht në institucione kulturore, por ka ardhur koha që ajo të përdoret edhe në të folurit e përditshëm (...). Atë sot e përdorin kryesisht njerëzit që njëkohësisht edhe lexojnë më shumë sepse ata që lexojnë edhe fjalorin e kanë më të pasur”. (Sevdije Gërguri).
[12] Fjalorit drejtshkrimor i gjuhës shqipe, Prishtinë, Prishtinë, f.9
[13] Shih kryesisht veprën “Mendimi i egër”, (Përktheu Eqrem Basha, Dukagjini, Pejë, 1999.
[14] Për përvojën historike të njësimit dhe ndarjes së gjuhës serbe dhe kroate, shih, studimet dhe veprat e studiuesve serbë e kroatë: Milka Iviq, Radoslav Katiçiq, Ranko Bugarski, Milorad Radovanoviq etj.
[15] Shih kumtesat e Profesor Sejdiut “Tendenca variantizimi në gjuhën e sotme standarde”, lexuar në Prishtinë më 1996 dhe kumtesën “Rreth disa tendencave dezintegruese dhe forcave kohezive brenda entitetit (proto)shqiptar”, lexuar në Konferencën për shqipen standarde, në Tiranë, më 1992, në të cilën për herë të pare autori shtroi disa probleme tashmë të njohura lidhur me terminologjinë dhe komplemantaritetin e diskutimit sociologjik të zhvillimit të shqipes së kohës dhe perspektivës së saj në kontekst të zhvillimit të brendshëm dhe të jashtëm të shoqërisë shqiptare, ballkanike dhe europiane.
[16] Me vepra dhe studime të veçanta, shqipen standarde dhe kur e kur edhe identitetin kombëtar e kanë mbrojtur në vazhdimësi edhe: Gjovalin Shkurtaj, Xhevat Lloshi, Emil Lafe, Shefkije Islamaj, Qemal Murati, Bahtijar Kryeziu etj.
[17] Drejtshkrimi i gjuhës shqipe, (Komisioni hartues: Prof. Androkli Kostallari (Kryetar), Prof. Mahir Domi, prof. Eqrem Çabej, B.shk. Emil Lafe), Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 1974, f. 36.
[18] Po aty, f. 13.
[19] Roland Bart, “Aventura semiologjike”, (Përktheu: Rexhep Ismajli), Dukagjini, Pejë, 2008, f. 215-216. —
| |
| | | Sponsored content
| Titulli: Re: Begzad Baliu DISKUTIMET PËR STANDARDIN DHE PERCEPTIMI I TYRE | |
| |
| | | | Begzad Baliu DISKUTIMET PËR STANDARDIN DHE PERCEPTIMI I TYRE | |
|
Similar topics | |
|
| Drejtat e ktij Forumit: | Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
| |
| |
| |