Kur veriu fliste shqip
Salih Mehmeti
21/11/2012 01:11:00
http://ina-online.net/opinione/23818.html
Si rrjedhojë e dhimbshme e asaj që ndikimi i Qeverisë në veriun e okupuar të Kosovës është i hiçtë, ka filluar të rrënjëzohet në opinion një pikëpamje sa fataliste aq edhe disfatiste që pandeh se kjo pjesë - të paktën në historinë e re - ka qenë thelbësisht serbe. Në zemër të pretendimeve që ky rajon të përfitojë një status autonom qëndrojnë argumentet e dyshimta për ‘veçanësitë’ e kësaj treve. Ky rravgim don-kishotesk mëton që imazhet e sotme t’i projektojë si të patrazuara edhe në të kaluarën. Një ide e tillë me një fodullizëm mos-kokëçarës fashit të vërtetën se realiteti i sotëm në veri të vendit tonë, më tepër sesa vazhdimësi e së kaluarës, është rezultat i ndërhyrjes mujshare të Serbisë për ta spastruar etnikisht veriun e për ta katandisë në një gjendje sa për të përftuar andralla të pambarimta për pjesën tjetër të Kosovës. Praktika e spastrimit etnik, nënvizon Suzan Woodward, nuk duhet parë si një shprehje e urrejtjes etnike ose gjendjesh të tjera emocionale, por si një strategji e mirëmenduar politike që synon të zotërojë toka. Duke qëmtuar të dhënat nga vetë burimet serbe dhe duke i krahasuar ato në mënyrë kritike me të dhëna tjera më të përditësuara të organizatave perëndimore, rezulton që në këtë pjesë të jenë zbuar me mijëra shqiptarë dhe etni të tjera jo-serbe (boshnjakë e turq). Në terma më konkret, prania shqiptare në Leposaviq ka rënë për 63%, kurse serbët janë rritur për 26%; në Zveçan hetohet një rënie e shqiptarëve për 82% si dhe një rritje e pabesueshme e serbëve për 110%; në Zubin Potok, numri i shqiptarëve është zbehur për 52%, kurse serbët janë rritur për 121%.
Në sytë e udhëpërshkruesve të huaj: Veriu
Pretendimi se veriu i Kosovës ose Kollashini i Ibrit (siç pëlqen ta quajë historiografia zyrtare serbe) ka qenë historikisht serb nuk mund t’i bëjë ballë një analize të esëllt të burimeve historike. Me ngjyra të gjalla prozaike, udhëpërshkruesi Evlija Çelebiu në vitin 1660 teksa hyn në Zveçan, gjen një qytezë të gjallë, ku binte në sy veçmas teqeja e bektashinjve, e cila në të njëjtën kohë shërbente edhe si han. Pas vinin shtëpitë e kësaj qyteze, gjithsejt 300, dyqanet e tutje edhe xhamia. Edhe pse Çelebiu hesht për karakterin etnik të banorëve, është fare i përligjur hamendësimi i një numri të caktuar shqiptarësh të besimit islam. Udhëpërshkruesja e palodhur e visoreve të Ballkanit, Edith Durham vërente ngjyrat shqiptare të popullsisë së këtyre anëve. Në shënimet e saj, etnografja angleze pikaste sesi regjioni i Mitrovicës zotërohej thelbësisht prej shqiptarëve. Karshi qëndronin trevat malore të Tregut të ri, rajon i cili sipas dëshmive të Durham ishte ‘krejtësisht shqiptar’. Syrit të mbrehtë të saj nuk i shpëtojnë as një varg vendbanimesh sllavo-folëse, të cilat ndodheshin midis Mitrovicës e Tregut të Ri, duke gjarpëruar në luginat dredharake të Ibrit. Ky varg katundesh të rralla sllave që futej si pykë midis dy rajoneve parësisht shqiptare u ngulit si pasojë e valëve shkallore të migrimit nga vise të Malit të Zi. Në fluksin e këtyre ardhjeve duhet te ketë qenë edhe një numër i konsiderueshëm fisesh shqiptare të sllavizuara (Vukanoviq 1998).
Të pathëna për Kollashinin
Studiues të ndryshëm vënë në pah se një pjesë e popullsisë së Kollashinit në veri-lindje të Malit të Zi të sotëm u shkëput për t’u vendosur në luginën e Ibrit - gjë që dëshmohet besnikërisht prej dyzimit të emrit krahinor (Vlahoviq 2004). Për etimologjinë e këtij emër-vendi janë bërë orvatje të shpeshta gjuhësore, të cilat nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje të kënaqshme. Ndonëse nuk tumiret nga Ippen-i, studiuesi austriak, Hahn i mshonte asaj që Kollashin duhet të jetë emërtim shqip, i përbërë prej dy kompozitash Kolë + Gjin, duke marrë shkas që një përftesë e tillë gjuhësore është bërë edhe në rastin e Dukagjinit (Ippen 1892).
Baronë feudal shqiptarë nga veriu
Nuk vihet në dyshim se elementi sllav i Kollashinit gjatë periudhës për të cilën po bëjmë fjalë, nuk ka pasur ndonjë vetëdije të qartë etnike, aq më pak serbe. Një tregues interesant i profilit të përhumbur etnik të banorëve të Kollashinit është fakti se boshnjakët e këtushëm ia detyrojnë origjinën e tyre një baroni mesjetar serb, gjegjësisht si të parë të tyre njohin Vuk Brankoviqin. Duke tëholluar të dhëna të ngjashme vijmë edhe deri te një grimcë interesante, e cila shpluhuros faktin se Jarinja përmendet si një pronë e dhuruar nga Stefan Uroshi V për vasalin Musa (Lidov 2007). Ky bujar mesjetar me gjasmë ka qenë shqiptar, përderisa shndërrimi i emrit ‘Moisi’ apo ‘Muzaka’ në ‘Musa’ është evident në mjaft raste. Është me interes të shënohet se në anë të Llapit dhe Kopaonikut lajmërohen qysh në fund të shekullit XIV, sundimtarët Musiq, të cilët ka mjaft të ngjarë të kenë qenë të ritit katolik. Përkimet jo vetëm kronologjike na lejojnë ta përqasim çelnikun Musa me një personazh të mirënjohur epesh, historiciteti i të cilit nuk vihet në pikëpyetje. Është ky Musa Arbanasi (ose Musa Kesexhija), të bamat e të cilit janë fund e krye beteja të përgjakshme me sundimtarët e kalorësit sllavë. Ky armik proverbial i krajlit Marko, është sa i dashur aq edhe i urryer për raposiditë e vjetra serbe, të cilat s’mungojnë t’i vënë në dukje edhe anët e mira të tij. Demonizimi i tij në optikën serbe duhet të jetë bërë si pasojë e zënkave të shpeshta midis fisnikëve të derës së Muzakajve dhe krajlit Marko (Popoviq 1988). Një varg katundesh në veri të Kosovës, fjala bjen si Bistrica, Vllahia, Rahova, Trepça e Boletini, sipas Krisobulës së Bajës së Mitrovicës, cilësohen si prona kishtare, titullare e të cilave ka qenë e ëma e Stefan Dushanit, Marta. Kjo e fundit duhet të ketë qenë me origjinë shqiptare, ashtu siç lihet të kuptohet nga vetë emri i saj. Një mendim të tillë e ndeshim edhe tek studiuesi kroat, Branko Hrvat (Kosovsko Pitanje, 1988:84). Një provë e prekshme e pushteteve feudale shqiptare në motet mesjetare është edhe familja e Spanëve, të cilët për një kohë zotëruan kështjellën e Zveçanit. Përimitimi i fakteve si këto, lë të nënkuptohet për një gjendje të flashkët etnike në trevën e Kollashinit. Rrjedhimisht, është krejt e pavend që të ngulmohet për një gjendje statike etnike në këtë rajon, përderisa në mesjetë zor të kishte kufij të fiksuar si pasojë e dinamikës së botës feudale.
Dimensione shqiptare të Kollashinit
Qenësia e një bashkësie me tipare të përveçme etno-kulturore në këto anë gjatë mesjetës por edhe më vonë, vërtetohet bindshëm përmes zhbirimit të hartës onomastike të Kollashinit. Është me vend të përmendet rasti i fshatrave Bërnjak (Zubin Potok), Abri dhe Prekaz (Drenicë), popullsia e të cilëve ua detyron ekzistencën një loze të përbashkët gjenealogjike (gjegjësisht, vëllezërit Bërna, Abri dhe Prenk). Një motërzim i kësaj legjende, sipas Mirko Bajraktareviqit, flet për tre vëllezër, Bërna, Ozra dhe Prenka. Në të mirë të pikëpamjes se Kollashini duhet të ketë qenë një zgjatim etnografik i trevës së Drenicës flasin zëshëm përkimet e habitshme në rrafshin onomastik, të tilla si Rrezalla afër Skenderajt dhe Rezalla afër liqenit të Ujmanit në Kollashin, Kopiliq në Drenicë dhe Kopiloviq në Kollashin, Banja në Drenicë dhe Banja në Kollashin, Kleçka në Drenicën jugore dhe Kleçka në Kollashin, fshati Dren i Kollashinit i të njëjtës rrënjë me Drenicën, e të ngjashme si këto. Një dimension krejt i harruar i shqiptarësisë së kësaj ane sipërfaqet nga të dhënat e etnologut serb, Tatomir Vukanoviq. Duke stivuar historitë lokale në fshatin Palluzhë të Drenicës, ai vë në dukje ardhjen e familjeve Stërmci e Maloku nga katundi Stërmc i Epërm i Kollashinit të Ibrit. Që të dyja këto familje kanë një rremb të fortë shqiptar, pasi që ato i takonin fisit Kastrat. Duke çpleksur dromcat e Vukanoviqit, në mënyrë induktive mësojmë se në anë të Kollashinit duhet të kenë ekzistuar në numër të ndjeshëm bashkësi shqiptare të fiseve Kastrat, Gash, Shalë e Kuç. Një konsideratë të veçantë meriton prania e kudo-ndodhur e ‘kishave latine’ (latinska crkva) dhe ‘varrezave latine’ (latinsko groblje) në viset e Kollashinit por edhe më gjerë, që parakupton luzmimin e dikurshëm të bashkësive shqiptare të ritit katolik në këto anë. Të tilla gjurmë ndeshen veçmas në katundet Jasenovik i epërm, Jasenovik i poshtëm, Stërmc i Epërm, Kobilja Gllavë, Prelez, Drainoviç, Bojnoviç e gjetkë. Ojkonime të tilla si Varagë, Kriligatë, Leshak, Tushiç, Kopiloviq si dhe oronimi Qafë (tek fshati Zagragjë) kanë etimologji shqipe.
Antropologu serb, Zhivko Mikiq i cili ka kryer zhbirime të imtësishme të nekropoleve mesjetare gjithandej Kosovës vëren një sërë përkimesh midis Kollashinit dhe pjesëve të tjera të Kosovës. Ndonëse autori në fjalë kujdesshëm i shmanget identifikimit etnik të mbetjeve të nekropoleve, ai pranon se midis Rezallës së Kollashinit ka paralelizma të nduarnduarta me nekropole të tjera të ngjashme në Drenicë e gjetkë. Duke kryer autopsinë e mbetjeve të pakta skeletore në këto nekropole, autori shquan tiparin ‘brakikranial’ të të varrosurve, të cilin e quan ‘tip dinarid vendës’. Në kuadër të këtij nekropoli, Mikiç vë re ardhjen në numër të vogël të një tipi të ri sllav (dolikokranial), për të gjykuar se kjo dëshmon një përzierje midis popullsisë rrënjëse dhe asaj të ardhur. Të dhënat antropologjike duhen përimtuar me kujdes, duke ikur kategorizimeve racore, të cilat janë të papajtueshme për stadin bashkëkohor të studimeve shkencore. Përdorimi i të dhënave antropologjike është i vyeshëm vetëm në rast të përqasjes me të dhëna nga gjuhësia, etnologjia e disiplina të tjera kërkimore.
Kollashini në mesjetë - Mote bizantine
Zveçani, ashtu siç përshkruhet nga Ana Komnena, ishte një fortifikatë e vogël, e lartuar mbi një kreshtë, poshtë së cilës lëvrinte qetësisht lumi Ibër. Arkeologu serb, Marko Popoviç vlerëson se plani i çrregullt, stili i mureve, llojet e kullave vëzhguese si dhe prania e një kishe kushtuar Shën Gjergjit, sugjerojnë për një ndërtim ose rindërtim të sipërmarrë nga perandori bizantin, Aleksi I. Në veri të Zveçanit gjendej Galiçi e më në veri-perëndim, Jeleçi. Mënyra e murimit të Jeleçit, saktëson Popoviq, është e ngjashme me ndërtimet e hershme të Komnenëve në Azi të Vogël. Edhe në Rashkë janë përforcuar ledhet mbrojtëse gjatë po të njëjtës periudhë, ashtu siç provohet nga monedhat e prera nga perandori Aleks. Kështjella e Zveçanit, sipas Komnenës, shtrihej në tokën e diskutueshme (mesaichmion), diku ndërmjet botës bizantine (Romanisë) dhe Dalmacisë. Sistemi mbrojtës pasqyronte vigjilencën e shtuar bizantine ndaj sulmeve të parreshtura të sundimtarit serb Vukan, i cili i kapërcente kufijtë e tij (ton idion horion) për të shkretuar qytetet brenda hapësirave bizantine. Në bisedimet me perandorin Aleks, të cilat u mbajtën në Shkup, ai ngriti gishtin e fajësisë tek 'satrapët romejë’, të cilët sipas tij, ngucnin kufijtë e tij, një referencë kjo për komandantët bizantinë të kështjellave mbrojtëse. Kundërgoditja bizantine arriti apogjeun e saj me 1025, atëherë kur perandori Bazili II (i mbiquajtur me llagapin mizor ‘bullgaro-vrasës’) arriti të rikthejë autoritetin në tokat perandorake gjer ne Danub. Një prej njohësve më të mirë të Bizantit, Paul Stephenson konsideron se kjo vijë mbrojtëse (Lipjan, Zveçan, Galiç, Jeleç, Rashkë dhe Bërvenik) u krijua pas fushatave ngadhënjyese të Bazilit, për të shenjëzuar njëfarë kufiri të brendshëm midis Bizantit dhe shtetheve autonome sllave. Ka mjaft të ngjarë që ky sistem mbrojtës të jetë drejtuar për njëfarë kohe nga David Arianiti, strategu i shquar i Themës së Shkupit, i cili la nam në përpjekjet e tij kundër bullgarëve. Medievisti i shkëlqyer, Alain Ducelier sheh tek Arianiti, një fisnik shqiptar, prej të cilit rrjedhin Arianitët.
Në tokën e kërkujt
Rajoni brenda trekëndëshit midis Zveçanit, Galiçit dhe Jeleçit dallohej thekshëm prej tokave të Dioklesë, Travunjisë dhe Zahlumes, të cilët sundoheshin prej arhondëve sllavë. Autorë të ndryshëm hetojnë se krejt tokat midis zhupaneve sllave dhe themës Nish-Braniçevë ishin 'no-man's-land' (toka të askujt). Jeta në këto anë mezi frymonte prej pyjeve të dendura që përshkonin perëndimin e Nishit deri në Savë. Prandaj s'është aspak e çuditshme që toponimi grek Dendra t'i jetë referuar po këtyre hapësirave. Historiani, Odo nga Deuilli, i cili ndoqi për së afërmi zallamahinë e kryqëzatës së dytë, përshkruan luginën e Moravës si të plleshme e të begatë me pemë të egra, por të pabanuar fare. Studiuesit serb dyshojnë se Dendra duhet të jetë në perëndim të Nishit, ku është diktuar një vend i njohur si Dubravë (përndryshe ky emër në serbisht është i barasvlefshëm me ‘vend i drunjve’). Vilhelm Tyri tregon se tokat e shkretuara ruheshin qëllimisht nga shteti; askush nuk mund të priste pyje apo të ngulej aty, sepse bizantinët përmes rrugëve të vështira dhe shkurreve të pakalueshme gjenin një mbrojtje më të sigurt sesa me trupat e tyre ndaj armiqve. Burime të kryqtarëve flasin për serbët si një popull i egër e plaçkitës. Nga sllavisti Konstandin Jirçek marrim vesh se kufijtë e shteteve në këtë kohë përcaktoheshin përmes pengesave fizike siç ishin ledhet e llogoret. Kufiri bizantin përballë serbëve në kohën e Komnenëve, shkruan Jireçek, ishte fortifikuar me llogore në shtigjet dhe kalimet, me pengesa prej trungjesh pemësh të mëdha si dhe me kështjella e kulla prej druri apo guri. Një masë tjetër e ndërmarrë prej Komnenëve ishte edhe shpërngulja e pjesshme e serbëve për në toka të largëta të perandorisë, një mënyrë kjo për të mpakur rrezikun e inkursioneve plaçkitëse. Krahasimi me kufirin ushtarak midis Perandorisë Austriake dhe asaj Otomane shumë shekuj më vonë, na mundëson të krijojmë një përfytyrim më të qartë të funksioneve të tij. Në sfondin e këtij kufiri ushtarak qëndronin përleshjet e vazhdueshme midis dy palëve në formë inkursionesh, duke krijuar një gjendje epike, në të cilën gjetën frymëzim këngët kreshnike shqiptare. Mjaft i pranueshëm është mendimi që brenda këtij sistemi mbrojtës kështjellar të jetë integruar një pjesë e elementit vendas d.m.th shqiptar, - ashtu siç ngjau në Themën e Durrësit, Nikopojës e madje edhe në atë të Selanikut. Këto plasdarme nuk do të mund të qëndrojnë suksesshëm, ngase autoriteti bizantin nën çekanin e shndërrimeve të mëdha politike e sociale do të brydhej, duke dëmtuar skajshmërisht entitetet autonome shqiptare. Me ndryshimin e raportit realpolitik të forcave, zhupat serbe, siç nënvizon studiuesi Malcolm, do të zgjerohen në jug, duke gllabëruar Kosovën.
Shqiptarësia e Rashkës në mesjetë
Impakti i vendosjes së nemanjidëve në Kosovë nuk ishte krejtësor, siç mund të duket në shikim të parë. Një shembull kuptimplotë përbën Rashka, e cila ishte bërthamëza lëvizore e shtetit nemanjid. Gjatë tërë kohës me një vazhdimësi ndonëse të gjymtuar, këndej pari ka qenësuar një element i paasgjësueshëm etnik, i përveçëm nga ai sllav. Nëse është e vërtetë paradigma e hedhur guximshëm nga Milan Shuflaj e Trajan Stojanoviq se malet e pathyeshme shqiptare kanë luajtur një rol të përngjashëm me atë të Pirinejeve e Korrnellit, ku u ruajtën mbijetojcat etnike të popullsive autoktone (baskët dhe uellsianët), atëherë gjendja në Rashkë vërteton praktikisht këtë parim mbijetese. Një grumbull legjendash në veriun e Shqipërisë, të cilat pati rastin t’i merrte në shënim Durham, ruanin vegullt copëza kujtimesh të ardhjes nga Rashka, për shkaqe që lehtë mund të merren me mend. Shala, Shoshi dhe Mirdita, pohon një nga këto tradita, rrjedhin nga tre vëllezër, të cilët erdhën nga Rashka. Një rrëfenjë tjetër që qarkullonte në Shosh e nxirrte Lek Dukagjinin si të ardhur nga Rashka (sigurisht që bëhet fjalë për ndonjë stërgjysh të Lekës III që reformoi Kanunin). Durham mendon se pas vdekjes së Skënderbeut, plasi një hemarrogji ardhjesh nga Bosnja dhe Rashka, që u strehuan në Shqipërinë e epërme.
Kollashini, historia më e re
Teksa shekulli 20 po agonte për të sjellë ngjarje tronditëse të cilat do t’i ndryshonin fatin Ballkanit, elementi sllav i Kollashinit ra pre e agjitatorëve serb. Në telegramet që Branisllav Nushiq niste në drejtim të Beogradit, përsëritej nevoja e militarizimit të serbëve lokal. Përmes këtyre skenarëve, Serbia shestonte që t’i përdorte ata si kundërpeshë ndaj popullsisë shumicë shqiptare. Veprime të tilla mufatën një pezm në popullsinë shqiptare të Mitrovicës, të cilët u kryengritën sakaq. Lënia e një prapashpine të pasigurt për kryengritësit e shtyu Isa Boletinin, që të ndërmerrte një mësymje mbi katundet e Kollashinit, me qëllim të çarmatosjes së elementëve me potencial destabilizues. Ky aksion nuk ka kaluar pa përzmadhime, gjëra të rëndomta këto për historiografinë serbe. Sipas historianëve serb, ky aksion u shoqërua me maltretime e gjer në vrasje të popullsisë serbe të Kollashinit. Por, vetë delegatët austro-hungarezë pranë Portës deklaruan se vrasjet në Kollashin ishin përzmadhuar së tepërmi (Batakovic 1992). Dy qytetet shqiptare, Tregu i Ri në perëndim dhe Mitrovica më në lindje kishin shërbyer për shekuj me radhë si qendra rëndese në kuptimin politik dhe ekonomik për tërë zonën e Kollashinit. Por, ndarjet e reja administrative që zunë fill pas pushtimit serb të Kosovës (1912), prodhuan realitete të reja demografike edhe në Kollashin. Derisa para 1912’ës, shqiptarët përbënin shumicën dërrmuese të Sanxhakut të Tregut të Ri, copëzimet e reja administrative ravijëzuan njësi të reja territoriale (zhupa), në të cilat u faktorizua elementi serb. Përbërja etnike e trevës së Mitrovicës do të përjetojë ndryshime pas krijimit të Jugosllavisë së parë. Studiuesi serb, Lutovac nuk ngurron për të pranuar se me hapjen e minierës së Trepçës, atje vërshuan njerëz të rinj nga të gjitha anët, kryesisht sllavë nga Bjello Pole, Plava e Gucia (Batakoviç 2007: 94). Sajimi i një harte të re administrative ishte një strategji e mirëmenduar gjer në imtësitë e fundit për të ç’kompaktësuar shqiptarësinë e Sanxhakut të Tregut të Ri. Ky proces klasik i kolonizimit - i cili ka arritur apogjeun pas luftës së vitit 1999 - u sendërgjua me qëllim të serbizimit të kësaj pjese të Kosovës, nëntoka e të cilës fsheh damarët më të pasur minerar në tërë Ballkanin.
Nëntor, 2012
Prishtinë
Bibliografia:
Bataković, Dušan. Kosovo and Metohija: living in the enclave. Belgrade: Serbian Academy of Sciences and Arts, Institute for Balkan Studies, 2007.
Bataković, Dušan. The Kosovo Chronicles. Belgrade: Plato Books, 1992.
Curta, Florin. Southeastern Europe in the Middle Ages, 500-1250. Cambridge: Cambridge University Press, 2006.
Durham, Edith. High Albania. London: Edward Arnold, 1909.
Horvat, Branko. Kosovsko pitanje. Zagreb: Globus, 1988.
Ippen, Theodor, A. Novibazar and Kossovo-das alte Rascien: eine Studie. Vienna: Alfred Hölder, 1892.
Jireçek, Konstandin. Historia e Serbëve: pjesa e parë. Tiranë: Shtëpia Botuese ‘55’, 2010.
Jireçek, Konstandin. Historia e Serbëve: pjesa e dytë. Tiranë: Shtëpia Botuese ‘55’, 2010.
Kanitz, Felix. Das Königreich Serbien und das Serbenvolk von der Römerzeit bis zur Gegenwart. Leipzig: B. Meyer, 1904.
Krasniqi, Mark. Gjurmë e Gjurmime. Prishtinë: Instituti Albanologjik, 1979.
Lidov, Alexei, ed. Kosovo. Christian Orthodox Heritage and Contemporary Catastrophe. Moscow: Indrik, 2007.
Malcolm, Noel. Kosovo: A Short History. New York: Harper Perennial, 1999.
Mikic, Zivko. Anthropological traces of Slav presence in Kosovo and Metochia. Balcanica, 2005 (36): 39-49.
Popović, Tatyana. Prince Marko: The Hero of South Slavic Epics. New York: Syracuse University Press, 1988.
Stephenson, Paul. Byzantium's Balkan Frontier: A Political Study of the Northern Balkans, 900–1204. New York: Cambridge University Press, 2000.
Stephenson, Paul. The Legend of Basil the Bulgar-Slayer. Cambridge: Cambridge University Press, 2003.
Vlahović, Petar. Serbia, The Country, People, Life, Customs. Belgrade: Ethnographic Museum in Belgrade, 2004.
Vukanoviç, Tatomir. Drenica druga srpska sveta gora. Prishtinë: Muzeu i Prishtinës dhe Biblioteka kombëtare dhe Universitare, 1998.