Humor popullor
Gojdhanë
Dy xhelat
(Nga historia e pashkruar)
Kishin qenë dy xhela! Të majmë, të fuqishëm! Hanin gjithë ditën dhe për këtë ishin shumë të majmë! Njëri ishte më i vjetër, tjetri më i ri. Historia e xhelave në të vërtetë është e njëjtë. Kur bëhen dy, i zoti i shtëpisë e prenë të parin dhe e len të dytin, dhe kështu me rend. Xhelat janë për tu kërcyer pulave e ato për të bërë ve. Pa xhel pulat nuk bëjnë ve, kështu thotë në librin e Historisë tonë Nacionale. Mirëpo nuk ka shënime për xhelat personalitete të historisë tonë të bujshme. Në të vëretë shkrimet historike, burime, kanë shënuar periudha të bujshme të ngjarjeve me rëndësi për fatin e popullit tonë, por nuk kanë lënë histori të jetës së personaliteteve xhela. Edhe për këta dy xhelat, nuk gjeta shënime historike askund në librat e historisë tonë, prandaj u bazova në një legjendë. Kjo legjendë është shumë e njohur në popull. Historia e dy xhelave në të vërtetë ka qenë mënyrë mësimi dhe mençurie në popull. Duke përkujtuar dy xhelat dhe ngjarjen e bujshme historike, populli ka komentuar situatat politike të kohës dhe ka marrë qëndrim. Prandaj tregimi për dy xhelat ka qenë gjithmonë ndër mësimet kryesore të pleqve dhe udhëheqësve popullorë!
Legjenda për dy xhelat vjen nga kohërat e mjegullta heroike dhe prandaj është e vjetër sa edhe populli ynë. Për këtë quhet legjendë. Nuk është mit, si po thonë tash komentuesit e historisë, sepse me sa di unë, mitet flasin për zotërat, kurse legjendat për njerëzit,por nejse, se kjo nuk është në profesionin tim zyrtar. Mund të reagon dikush që ka vend pune këtë profesion, që ia ka dhënë partia, mbase edhe ndërkombëtarët, dhe të shkon puna aq larg sa për ofendim profesional dhe përzierje pa kompetencë në profesion të huaj, që do të thotë, pa marrë këtë nga partia, të më denoncojë, si po thonë tash!
Legjenda për dy xhelat pra, flet për dy xhela, njëri i kuq e tjetri i zi. Po përkujtoj ngjyrat, sepse ngjyrat janë me rëndësi për ngjarjen dhe për këtë është ruajtur nyancimi i ngjyrave të tyre. Xheli i kuq ishte veç me pulat dhe po kalonte shumë mirë me to, kur i zoti i shtëpisë e solli këtë xhelin e zi. Me ardhjen e xhelit të zi, gjendja politike u acarua mes pulave. Xheli i moçëm u ndie keq, sepse ky xheli i ri nisi tu kërcej pulave ku i zinte, sikur të ishin të tijat! Kështu erdhi deri te dyluftimi historik, që është me rëndësi nacionale për ne, por që nuk është shënuar kund.
Dy xhelat nisën luftën kështu, për pushtet. Nuk mund të ishin dy sundues, sikur tash. Njëri ose tjetri! Që të dy xhelat kishin vetëbesim në vete dhe hyrën në luftë, të bindur në fitore. Secili kishte edhe aleatët e vet dhe përkrahjen anash.
Pastaj, xheli i vjetër e mundi xhelin e ri!
Ky xheli i ri, pasi humbi luftën, me turp, iku e u fsheh nën kosh. Koshi ka rëndësi historike për ne, anise nuk përmendet. Ky u fsheh nën kosh, me dihamë, e veç sa nuk ngordhi. Kurse xheli i moçëm, i kuqi, pasi mori pushtet të përkohshëm, iu hodh një pule, e ndrydhi me krejt forcën e krenarisë së fituesit dhe pastaj shkoi e hipi në majë të plehut dhe ia dha një kakurime të fortë, sa e ndien shtatë mbretëri! Kishte krenarinë e fituesit, lavdin, autoritetin e pushtetit, anise ishte xhel dhe ishte i zoti i shtëpisë ai që vendoste rendin te pulat. Kështu, ky xheli, i kuqi, e zgjati kakurimën gjatë, gjatë!... –
Dhe! ... Legjenda thotë se, në kakurisje e sipër, erdhi anash dikah, për fat të keq historik tonin, një hut dhe, -ashtu si me një aperkat në boks, prej përfundi, e rrëmbeu xhelin e kuq, fituesin, dhe e çoi në majë të bjeshkës!...
Kur pa këtë xheli i zi, humbësi, brofi shpejt prej nën koshit dhe, - iu hodh pulave! Iu hodh e iu hodh, të gjithave me rend, derisa u lodh e u këput prej kësaj pune! Dhe edhe ky tash, pasi mbet i vetëm në pushtet të përkohshëm mbi pulat, sepse pushtet të përhershëm kishte i zoti i shtëpisë, me lavd e krenari prej të parit, pasi kaloi dita e nisi të binte terri, shkoi e hyri në kotec, si një mbret i vërtetë!
Dikur pas mesnate, shkoi dhelpra, thotë legjenda dhe e thirri xhelin mbret të vërtetë! E lavdroi dhe e ngriti në qiell. Por i tha edhe se nesër do ta priste i zoti i shtëpisë dhe se këtë komplot i tha se e kishte dëgjuar vetë me veshë të vet. Xhel kokoroshi, i zi, i madhërishëm, por mbi të gjitha i mençur, dual nga koteci dhe shkoi me aleaten e vet të besueshme, në vend të sigurtë. Sigurisht se dhelpra i ofroi atëbotë një azil politik xhelit të zi, sikur këta azilet tash të kësaj kohe, që ishin mjaft human, patjetër!...