FIGURA E KËNGËTARIT POPULLOR PARA MASËS DHE OPINIONIT
Këngëtari dhe instrumentisti popullor , asnjëherë para popullit nuk është vetëm këngëtar, apo instrumentist. Asnjëherë nuk është vetëm ahengxhi , ose shërbëtor që kujdeset për t’ i argëtuar e disponuar njerëzit tjerë dhe publikun e gjerë , kudo që është ai i pranishëm si: në oda , në rrugë,në kafene ,në koncerte ,në salla , në festivale, në turne , në incizime , në xhirime etj.
Këngëtari dhe instrumentisti popullor , para masës së popullit janë në shënjestër dhe konsiderohen si qenie hyjnore . Janë të privilegjuar. Janë shumë të respektuar, të adhuruar dhe shumë të çmuar . Ata çmohen çdoherë si artistë të vërtetë të popullit .
Pjesa dërmuese e masës popullore , gjithmonë ua ka lakmi profesionit dhe prestigjit të tyre . Shumë njerëz gjatë terë jetës së tyre jetojnë me ëndërrime për t’ u bërë këngëtar , instrumentist, apo artist i popullit !
Çdo njeri në këtë botë jeton në iluzione të veta dhe ka në zemër një idol të vetin , një simpati të veçantë ndaj dikujt , për të cilin është në gjendje shpirtërore që të sakrifikoj për te çdo gjë që ka për rreth vetit , por edhe qenien e vet shpirtërore .
Çdo njeri që e simpatizon dike , ëndërron që ta shohë atë se si duket fizikisht, si është i veshur dhe i mbathur , si bisedon , si ecë , si qeshet, si sillet , si këndon, si luan në instrument, çfarë kulture ka...etj.
Ai e imagjinon idolin e vet , tamam si një qenie mbinjerëzore , si ndonjë hyjni që ka zbritur nga gjithësia , apo që vetëm Zoti ka ditur që ta krijojë si të tillë !
Njeriu , për idolin e vet , mendon se ai ka një jetë shumë të begatshme , ka ushqim të veçantë , ka fjetje të veçantë , veshë- mbathje të veçantë !...Mendon se idoli i tij , nuk di kurrë që të hidhërohet , nuk di kurrë që ta hidhërojë , apo ta nënçmojë dike ! Gjithmonë rrinë i buzëqeshur , i disponuar , i hareshëm, i pa brenga dhe i pastër si loti i syrit në çdo aspekt të qenies njerëzore !
Mendon se Zoti e ka krijuar atë, posaçërisht dhe se ia ka dhuruar të gjitha këto tipare , për të qenë i dalluar kudo e në çdo mes, apo rreth shoqëror .
Duke u nisur nga këto imagjinata , këngëtarët dhe artistët në përgjithësi , kanë qenë dhe janë të privilegjuar edhe nga strukturat e larta shoqërore , nga aparati shtetëror dhe nga vet kryetari i shtetit .
Artistët në përgjithësi gëzojnë privilegje në punësime më të mira , në marrjen banesave më të mira , në vizitat dhe pushimet natyrore dhe bregdetare , në përfaqësimin e kulturës para opinionit artdashës brenda dhe jashtë kufijve të vendit etj.
Artistët janë të privilegjuar edhe në martesat dhe krijimin e bashkësisë së tyre familjare .
Prandaj, për t’ i ruajtur të gjitha këto dhunti, begati dhe privilegje nga Perëndia dhe shoqëria , këngëtari dhe artisti popullor në përgjithësi duhet pasur kujdes ndaj vet – vetit dhe ndaj popullit, sepse siç thotë një proverb popullor:
”Këngëtari është pasqyrë e popullit!”
Detyrë e çdo këngëtari, instrumentisti, apo artisti popullor , është që t’ i përshtatet rrethit , ambientit , traditës dhe mentalitetit ku punon , vepron e jeton .
Këngëtari, instrumentisti, apo artisti popullor , po qe se dëshiron që të mbetet në skenë dhe në simpati të përhershme të popullit dhe adhuruesve të tij , përveç shumë gjërave tjera , duhet t’ i ketë edhe këto karakteristika të veçanta themelore:
* T’ a dashurojë me shpirt profesionin e vet dhe ta çmojë atë lartë.
* T’ a ushtrojë këngën dhe instrumentin e vet, pa u nda asnjëherë prej tyre.
* Të dëgjojë sa më shumë këngë e muzikë nga të gjithë këngëtarët dhe muzikantët tjerë , në rend të parë nga bashkëkombësit e vet e pastaj edhe ata botëror.
* Këngëtari, instrumentisti dhe artisti popullor, nuk guxon të jetë nacionalist , provincialit, lokalist, fetarë, racist dhe nuk guxon t’ a nënçmojë, apo urrejë askënd nga profesioni i vet, por as njeriun më të thjeshtë .
* Këngëtari, instrumentisti, artisti popullor duhet të jetë i barabartë si ndaj të pasurve , si ndaj të varfërve, si ndaj fshatarëve, si ndaj qytetarëve, si ndaj të rinjve , si ndaj të vjetërve...
* Këngëtari, instrumentisti dhe artisti popullor duhet të jetë i çliruar nga emocionet shpirtërore patriarkale , nga emocionet dhe euforitë e politikës ditore.
* Këngëtari, instrumentisti dhe artisti popullor, asnjëherë nuk guxon të rreshtohet , as të identifikohet me asnjë subjekt politik dhe as të vihet në shërbim të tyre.
* Këngëtari, instrumentisti dhe artisti popullor nuk guxon të bëhet servil, as shërbëtor i ndonjë partie, apo individi në pushtet, sepse kjo është e rrezikshme për karrierën e këngëtarit – artistit .
* Këngëtari – artisti popullor duhet të ketë shpirt të pastër moral, politik, kombëtar , atdhetar dhe të jetë gjithmonë në shërbim të popullit, atdheut dhe kulturës kombëtare.
* Këngëtari – artisti popullor nuk duhet asnjëherë të iu nënshtrohet interesave materiale e karrieriste për të krijuar pasuri , apo karrierë mbi kurrizin e t ë tjerëve.
* Këngëtari – artisti popullor duhet të jetë i pastër , pedant, i veshur , i mbathur , i hekurosur , i rruar ,i nënqethur , i freskët në çdo mes e në çdo kohë . Ai duhet t’ a ruaj imigjin e vet prej artisti gjatë tërë jetës së vet .
* Këngëtari – artisti popullor duhet të ketë kujdes të veçantë se si flet , si sillet, si këndon e si qëndron në shtëpi, në rrugë, në odë, në dasmë, në skenë, në autobus, në kafene, sepse kudo është i përcjellë nga publiku, adhuruesit e vet dhe i incizuar mu sikur para kamerave të fshehura televizive .
* Fjalën që e flet duhet ta masë mirë para se ta flet . Këngën që e këndon duhet ta mendojë mirë se çfarë po këndon dhe para kujt po e këndon?!
* Para publikut nuk duhet kënduar e incizuar gjithë çka , sepse gjithë çka krijohet e këndohet në popull, nuk është e pastër ! Prandaj, në zgjedhjen e repertorit duhet pasur kujdes të madh .
* Sipas vendit dhe publikut ku këndon , duhet t’ a përshtatë edhe repertorin, sepse mentaliteti i njerëzve nuk është gjithkund njësoj !
* Këngëtari – artisti popullor duhet të jetë gjithmonë besnik , bujar , solidar , mikpritës , e jo hajn e gënjeshtar.
* Këngëtari – artisti popullor nuk guxon asnjëherë të gënjejë masën , publikun, adhuruesit, individët, por fjalën e vet duhet ta mbrojë dhe ta ruaj ashtu si duhet.
* Këngëtari – artisti popullor , nuk duhet të bëjë gjeste e veprime amorale e të turpshme, sepse do ta zhvlerësojë vetin dhe do të eliminohet shumë shpejt nga skena .
* Këngëtari – artisti popullor , nuk duhet në asnjë kohë dhe me asnjë kusht që të anojë kah fytyrat politike , t’ ju këndojë atyre, t’ iu thurë këngë punës dhe simpatisë ndaj tyre, sepse shumë shpejt do të përfundojë karriera e tyre dhe bashkë me ta, edhe karriera e këngëtarit.
* Këngëtari – artisti popullor , nuk guxon t’ ju thurë këngë njerëzve të gjallë , politikanëve , heronjve , patriotëve derisa ata ende janë të gjallë, për derisa për ta do të përcaktohet historia e vërtetë kombëtare , sepse me devijimin e politikës së tyre , do të përfundojë edhe karriera e këngëtarit – artistit . Shembuj të këtillë kemi mjaftë gjatë historisë sonë të kaluar , ku shumë këngëtarë janë bërë servilë e shërbëtor të politikanëve e pushtetarëve të ditës, duke iu thurë e kënduar shumë këngë e simpati, por shumë shpejt e kanë demantuar këngën dhe vet – vetin!
Me rënien dhe eliminimin e tyre nga skena politike , të njëjtit këngëtarë ju kanë kënduar dhe thurë këngë të reja politikanëve dhe pushtetarëve të rinj .
Prandaj, këngëtarët dhe krijuesit e këtillë , që kanë apetite karrieriste dhe në krijimtarinë e tyre ndërrojnë fytyrat dhe lëkurat në çdo stinë , nuk mund të quhen këngëtarë , krijues e artist popullor , por vetëm mund të jenë gjarpinj , bolla , apo kërmij që ndërrojnë lëkurat sipas kohëve dhe stinëve të vitit .
Madje, ky soj i gjallesave gjatë dimrave dhe acareve të mëdha , fshihen thellë nën tokë e gërmadha ku nuk shihen fare nga njerëzit !
Gjilan, më 28. 07. 1995. Demir KRASNIQI