Rezultatet e para të regjistrimit të popullatës nxjerrin numër më të vogël banorësh të komunave nga ajo që është menduar më herët. Zyrtarë komunalë në Kamenicë janë shprehur të befasuar që komuna e tyre ka vetëm 35 mijë banorë, e kryetari i Novobërdës ka thënë se komuna e re me territor të zgjeruar ka rreth 7 mijë banorë, raportojnë mediet. Serbët nuk i janë përgjigjur regjistrimit në nivelin e kënaqshëm, edhe përkundër fushatës dhe thirrjes së tyre për regjistrim.
Fshati më i banuar me popullatë serbe, Kufca, me rreth 2.200 banorë, i cili me procesin e decentralizimit i është bashkangjitur Novobërdës, i është përgjigjur procesit të regjistrimit vetëm me rreth 10-15 për qind. Jovan Simiq, aktivist nga Kufca, ka thënë të dielën se nga mbi 2 mijë banorë të fshatit janë regjistruar rreth 300 banorë, madje një pjesë e tyre nuk jetojnë fare në Kufcë por janë jashtë, ose në Serbi. Edhe kryetari i Komunës së Novobërdës ka thënë se ka hasur në probleme në regjistrimin e familjeve në zonat që kanë qenë pjesë e Gjilanit dhe me decentralizimin i janë bashkangjitur komunës së Novobërdës - si Kufca, Koretishta, Stanishori, Bushinca...Ymeri ka thënë se agati ka shkuar në çdo shtëpi që të binden serbët dhe t'i përgjigjen regjistrimit, ndërsa një apel të tillë e ka bërë edhe përmes një televizioni lokal serb në Shillovë të Gjilanit.
Ymeri ka pranuar se përqindja e serbëve të regjistruar të lokaliteteve që dikur i kanë takuar Gjilanit është dukshëm më i ulët në krahasim me banorët serbë të lokaliteteve të Novobërdës, ku pothuaj 80-100 për qind i janë përgjigjur regjistrimit. Ai ka deklaruar se totali i serbëve të regjistruar në tërë komunën e Novobërdës kap shifrat rreth 70 për qind. Sipas tij, nga rezultatet e deritashme të regjistrimit, pa përfshirë të dielën, del se Novobërda ka 7 mijë banorë.
Edhe në Kamenicë zyrtarët komunalë janë befasuar me numrin e banorëve të komunës së tyre, të cilët kanë besuar të ketë rreth 60 mijë, ndërsa rezultatet preliminare japin shifrën prej 35 mijë banorëve të Kamenicës. Në komunën e Kamenicës janë regjistruar 35 mijë banorë. Këto të dhëna i ka bërë publike koordinatori i komisionit komunal për regjistrim, Enver Ajvazi, ndërsa, sipas tij, një përqindje e vogël që ka mbetur pa u regjistruar është kryer gjatë vikendit të kësaj jave.
"Ne kemi besuar që Kamenica ka numër më të madh të banorëve, por decentralizimi e ka bërë të veten, pasi disa fshatra i janë bashkangjitur Novobërdës, e Ranilllugu është bërë komunë, dhe asaj po ashtu i janë bashkangjitur disa lokalitete, duke e rrudhur Kamenicën në territor e në numër banorësh", ka thënë Ajvazi. Mirëpo, decentralizimi në Anamoravë ka prekur vetëm një fshat të banuar me shqiptarë - Pasjakun e Gjilanit, që i është bashkangjitur Novobërdës, ndërkohë që nuk është reflektuar apo nuk ka ndikuar në përqindjen e banorëve shqiptarë në Kamenicë. Ajvazi ka sqaruar se ka pak raste që kanë refuzuar regjistrimin.
Numri i serbëve dhe romëve të regjistruar është 1 mijë e 300, apo 70 % e banorëve të këtyre komuniteteve në komunën e Kamenicës.
Komuna e Kaçanikut i ka rreth 33 mijë banorë, citohen të kenë thënë për mediet burime brenda Komisionit Komunal të Regjistrimit, të dielën. Sipas këtyre burimeve, në shifrën e sipërpërmendur nuk janë përfshirë kurbetçinjtë. Burimet kanë theksuar se KKR-ja të shtunën e ka deklaruar të përmbyllur procesin e regjistrimit të popullsisë, banesave dhe ekonomive familjare në Komunën e Kaçanikut. Pohimet se nuk do të ketë vazhdim edhe për disa ditë të regjistrimit në Kaçanik i ka konfirmuar edhe Azem Guri, zëdhënës i KKR-së. "Nuk do të ketë vazhdim të procesit të regjistrimit edhe për 4 ditë për shkak se kemi vlerësuar se janë regjistruar të gjithë banorët", ka thënë Guri.