Përgjigje e pritur dekada me radhë
Nga Prof. asc. dr. Begzad Baliu, Prishtinë (Tribuna Shqiptare Komente Këtu Andi Ballshi)
Enciklopedia e ndarjes (Marrëdhëniet shqiptare-maqedonase – konteksti i Enciklopedisë së Maqedonasë). Kumtesa të Tribunës shkencore të organizuar nga Instituti Albshkenca, mbajtur në Prishtinë, më 7. 10. 2009. Botoi Instituti Alb-shkenca, Prishtinë, 2010, f. 124.
Tetë dekada më parë në Sofje u botua libri i linguistit të njohur rus Selishqev, Slavjanskoe naselenie v Albanii. Dija shqiptare e kohës, me përgatitjet e saj modeste, mund të shkruante ndonjë artikull gazete a reviste të kohës, por nuk e kishte arritur përmasën e shkollës evropiane, me të cilën kësaj vepre do t’ia tregonte vendin e duhur. Kjo është arsyeja pse këtë detyrë e merr Norbert Jokli, albanologu më i madh i shekullit XX, dhe përgjigjen e tij shumë të gjatë, prej rreth dhjetë tabakësh shtypi, e fillonte me këtë sintezë, me të cilën po e fillojmë edhe ne paraqitjen e vëllimit me kumtesa të Akademik Rexhep QOSJES, Prof. dr. Shefki SEJDIUT, Prof. dr. Agim VINCËS, Prof. asc. dr. Iljaz REXHËS, Prof. dr. Qemal MURATIT, Prof. asc. dr. Begzad BALIUT, Marrëdhëniet shqiptare – maqedonase, në kontekst të botimit të Enciklopedisë maqedonase:
“Filologjia sllave pothuaj që nga themelimi i saj, sidomos që me brezninë e dytë të gjurmuesve të saj, u ka kushtuar vëmendje plot dashuri studimeve albanologjike fqinje. Nëse Kopitari ishte njëri nga pionierët e gjurmimit të Ballkanit dhe me këtë edhe i hetimit të marrëdhënieve sllavo-shqiptare, nëse Vuku në veprimtarinë e tij mbledhëse mori njëmend parasysh edhe këngën popullore shqipe, por më shumë me një lloj dashurie të fshehtë, Miklosichi nuk është vetëm krijuesi i shkencës gjuhësore sllave, por edhe njëri nga themeluesit më të shquar të gjurmimit të historisë gjuhësore në lëmin e shqipes”1.
Kanë kaluar tetë dekada dhe dija e europianizuar shqiptare, shkenca shqiptare dhe institucionet shqiptare kanë shënuar përmasat universale të nxënies së dijes dhe në mos asgjë tjetër, albanologjinë, e kanë bërë shkencë nacionale.
Por filologjia shqiptare, ndryshe nga filologjia sllave, ende nuk jua ka kushtuar vëmendjen e duhur fqinjëve të shqiptarëve (në të gjitha përmasat e duhura: historike, kulturore, etno-psikologjike, gjuhësore etj.) dhe për më tej as në periudhën e parë (kur mundësitë e saj ishin të kufizuara) as në periudhën e dytë (kur i ka pothuajse të gjitha instrumentet bashkëkohore), nuk jua ka dhënë përgjigjen e duhur rezultateve të dijes së fqinjëve grekë e sllavë, për përmasën e kulturës materiale e shpirtërore të shqiptare.
Fqinjët tanë për shqiptarët, kanë gjurmuar, mbledhur, sistemuar, studiuar e sintetizuar në dosje, në arkiva, në tryeza të fshehta e të hapura, në konferenca kombëtare e ndërkombëtare, në vëllime popullarizuese, shkencore e ekstrashkencore, në vepra politike e diplomatike, në vepra sintetike e enciklopedike, një lëndë të pasur materiale e studimore, siç na thotë edhe Jokli, për më se dy shekuj, ndërsa ne vetëm shekullin e fundit dhe në një përmasë më aktive, vetëm gjysmëshekullin e fundit, gjejmë reagime kryesisht individuale dhe madje individualiste për autorë a vepra të studiuesve sllavë. Fjala është kryesisht për reagimet e Profesor Mark Krasniqit, ndaj etnografëve serbë (kryesisht Cvijiqit), të Profesor Hasan Mekulit, të Profesor Rexhep Qosjes (kundër Dobrica Qosiqit dhe studiuesve të tjerë sllavë e maqedonas), Agim Vincës (kundër individëve e institucioneve kryesisht shkencore, arsimore dhe kulturore maqedone), Arshi Pipës (ndaj Markoviqit) etj.
Fqinjët tanë sllavë, luftërave tona, kryengritjeve tona antiserbe dhe antimaqedonase, protestave, demonstratave dhe reagimeve të tjera, ju kanë prirë me propagandë të koordinuar (të brendshme dhe të jashtme), me artikuj publicistikë, me tryeza shkencore, me vepra në gjuhët nacionale dhe ndërkombëtare, ndërsa ne as dje ju kemi prirë me analiza për fatin tonë në ato luftëra, as sot me analiza për fitoren e tyre.
Nuk mund të mos themi ndërkaq se sprovat e bëra (sado të rralla kanë qenë) kanë dhënë rezultate dhe të rëndësishme: vëllimet me dokumente “Serbët dhe shqiptarët”(I-III) dhe vëllimi i kumtesave të studiuesve shqiptarë e atyre jugosllavë “Kosova – Serbia -Jugoslavia”, të gjitha të botuara në Lubjanë, si dhe vëllimi me kumtesa për Gjendja e onomastikës shqiptare në momentin e tanishëm2, që në të vërtetë, sikur shihet edhe prej kumtesave, i tëri i kushtohet gjendjes së toponimisë shqiptare në Maqedoni, kanë treguar sa e rëndësishme është paraqitja dhe mbrojtja e përbashkët dje kur na mungonin institucionet apo kur institucionet ende nuk ishin në duart tona dhe sa të rëndësishme do të ishin vëllimet e tilla me dokumente, studime, analiza dhe sinteza të tjera sot, të shkruara dhe të botuara nga institucionet shkencore të Kosovës dhe natyrisht të Shqipërisë.
Nuk mund të mos e shpreh shqetësimin tim, ndërkaq se edhe rasti i fundit me Enciklopedinë maqedonase, na ka dëshmuar se sjellja dhe përgjegjësia jonë institucionale ndaj pasurisë materiale dhe shpirtërore të popullit shqiptar nuk ka ndryshuar. Përkundrazi, edhe vet iniciativa jonë për të botuar një vëllim me kumtesa në përgjigje akademikëve maqedonas, dëshmon se konflikti ynë me fqinjët është ende i natyrës: kryengritës-shtet, individ-institucione. Pra, në marrëdhëniet me fqinjët vazhdojmë të qëndrojmë, në njërën anë shqiptarët: sakrifikues apo njerëz të vullnetit të mirë dhe anë anën tjetër mekanizmat e organizuar të shtetit serb apo maqedonas dhe institucionet e tyre shkencore.
Vëllimit Enciklopedia e ndarjes, i prinë një fjalë e hapjes në të cilën autori i këtij teksti paralajmëronte dëgjuesit e Tryezës shkencore Marrëdhëniet shqiptare-maqedonase – konteksti i Enciklopedisë së Maqedonisë, se jemi mbledhur këtu të bëjmë pyetje dhe të japim disa nga përgjigjet e mundshme, për arsyet historike, shkencore, politike dhe mendore të sjelljes së institucionit më të lartë shkencor maqedonas ndaj popullit shqiptar: Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë. Kjo tryezë ishte vazhdim i reagimeve të shumta që bëheshin nga individ dhe institucione të hapësirës shqiptare dhe më tej në Europë e Amerikë, për shkak të botimit të Enciklopedisë së Maqedonisë, në të cilën në forma nga më të ndryshmet përçmohet historia, tradita, kultura dhe gjuha shqipe e populli shqiptar. Kjo tryezë është njëkohësisht përpjekje për të përmbushur me kompetencë intelektuale dhe shkencore, të cilën ato ditë më parë sesa institucionet politike, protestën e tyre e shprehnin grupet partiake, dhe më me forcë se sa institucionet shkencore shtetërore, këtë e bënin institucionet shkencore të vullnetit të mirë. Tryeza shkencore, në të vërtetë ishte një përpjekje që të jap përgjigje për disa nga paradigmat e përgatitjes së Enciklopedisë maqedonase, për nocionet shkencore, për nocionet popullarizuese dhe konceptet politike që iu kanë prirë dhe që e kanë udhëhequr përgatitjen e saj, si dhe për pasojat që mund të bartë ajo në marrëdhëniet maqedonase-shqiptare, për të mos thënë, rrezikun që i sjell vet shtetit maqedonas edhe ashtu shumë të brishtë.
Vëllimit i prinë kumtesa e Akademik Rexhep Qosjes, Paragjykimet e vjetra në kushte të reja. Profesor Qosja, i cili tri dekadat e fundit ka shkruar shumë për dhunën maqedonase mbi shqiptarët, në të vërtetë dhunën policore dhe ushtarake, dhunën e organizuar institucionale dhe joinstitucionale, dhunën politike dhe psikologjike, dhunën gjuhësore dhe kulturore, dhunën për gjithçka dhe për asgjë, kësaj radhe sjell një sintezë të historisë së kësaj dhune dhe paradigmën serbe të saj. Shkolla maqedonase, përkujton Profesor Qosja, është dije e shkollës serbe për shqiptarët dhe historinë e tyre, është shkollë e paragjykimeve ndaj shqiptarëve, historisë së tyre, gjuhës, kulturës dhe sidomos pranisë së tyre në hapësirën e sotme shqiptare në Maqedoni, të cilën më parë se sa ta sistemojnë në Enciklopedinë maqedonase e kanë shprehur në artikuj publicistikë në shtypin ditor, e shkencor, në konferenca e botime të veçanta etj. Dhe, më parë se sa akademikët maqedonas këtë po e bëjnë dhe e kanë bërë po në këto përmasa, akademikët serbë, e madje edhe akademikë e Akademi të tjera ballkanike e evropiane, për të cilat ne dimë shumë pak apo nuk dimë asgjë. Kjo është arsyeja pse shqetësimi ynë, për botimet enciklopedike serbe, greke dhe madje evropiane do të duhej të ishte më i madh, për vet faktin se ndikimi i tyre në shkencën ndërkombëtare është shumë herë më i madh dhe shumë herë i besueshëm se ai i enciklopedisë maqedonase.
Por, vazhdon Profesor Qosja “Harrohet të theksohet se ky i ashtuquajturi imazh i padëshiruar nuk është pasojë vetëm e sjelljeve të vetjeve dhe grupeve të përmendura, por pak a shumë edhe e përfytyrimeve të krijuara për ne më përpara në enciklopeditë, në doracakët e ndryshëm, në tekstet historike, publicistike, letrare në gjuhë të tjera, ballkanike dhe evropiane, në të cilat trajtohet edhe problematika shqiptare. Në shkencën tonë, në krijimtarinë tonë intelektuale nuk është bërë ose, është bërë shumë, shumë pak, për mposhtjen, përgënjeshtrimin, zhvlerësimin e atyre përfytyrimeve, domethënë të atyre gabimeve, shtrembërimeve, paragjykimeve për shqiptarët në veprat në të cilat trajtohet edhe problematika shqiptare”, përfundon Qosja, duke kujtuar dhe duke radhitur gjithë ato vepra dhe sinteza të mëdha shkencore që i kanë popujt shtetëformues dhe popujt modern, e që shqiptarët ende vazhdojnë të mos i kenë.
Prof. dr. Shefki Sejdiut, në studimin e tij Paradigma, formë sistemore (argumentimi apo edhe përgënjështrimi) në trajtime shkencore, ka trajtuar një nga problemet më me ndikim në gjithë historinë e studimeve albanologjike të studiuesve serbë e maqedonë në dy shekujt e fundit. Fjala është për sintagmën zbritje nga malet, përmes së cilës, sikur është thënë shumë herë akademia maqedonase përpiqet ta mohojë autoktoninë e (proto)shqiptarëve në ultësira dhe në lokalitete urbane të Maqedonisë. Pra, shkruan profesor Sejdiu “autoktonia e banorëve shqiptarë të kësaj hapësire përmes kësaj sintagme është vënë në sprovë, duke harruar se (jo)autoktonia e banorëve të hapësirave të ndryshme të mbarë globit tokësor (janë) është dukuri universale, probleme komplekse e edhe koncepte relative, ku nënkuptohet edhe kronologjia që përmban edhe konceptin rend në kohë dhe të tjerë faktorë e rrethana që janë në raporte kauzaliteti”.
Çështjes në fjalë mjeshtri ynë fillimisht i është qasure nga aspekti semantik dhe në mënyrë interdisiplinare, ndërsa më tej, sidom os në pjesën e dytë çështja është kundruar nga aspekti antropologjik e tipologjik. Pjesët vijuese të këtij studimi i janë kushtuar konkordancave, por edhe dallimeve kundërvënëse në fushë të onomastikës me përqëndrim të veçantë tek gjinia e gjenerikut të emrave të lumenjve, cilësi kjo dalluese e gjuhës shqipe edhe kundërvënëse në raport me gjuhët sllave. Vëmendje të veçantë u është kushtuar disa çështjeve të domenit të fonologjisë diakronike, përkatësisht evoluimit të fërkimores (frikativit) /s/ në /sh/ në protoshqipe. Këto fërkimore u kanë shërbyer shumë gjuhëtarëve që nga Skoku, Bariqi e Çabeji, t`i trajtojnë etimologjitë e disa toponimeve (ojkonime e oronime) si tek seria Naissus, Scupi, Astibos, Lychnidus, Scardus, të cilat në saje të ligjeve fonetike të shqipes kanë evoluar në të sotmet (forma): Nish, Shkup, Shtip, Ohër dhe Sharr.
Ky fenomen evolutiv ka bërë që protoshqipja të dallojë nga greqishtja, latinishtja dhe prasllavishtja dhe të ndihmojë në diskutimin rreth autoktonisë së elementit etnik shqiptar në këto hapësira dhe lokalitete urbane. Kalimi i fërkimores alveolare /s/ në /sh/ u ka shërbyer shumë gjuhëtarëve të huaj e të vendit ta shikojnë në sistem zingjirin ojkonomik Nish – Shkup – Shtip – Sharr, që rrjedhin nga trajtat Naissus – Scupi – Astibos – Scardus, ku fërkimorja alveolare /s/, sipas mendimit të Skokut, Bariqit e Çabejit ka evoluar në fërkimore alveolare qiellëzore /sh/ vetëm mbi bazë të ligjeve fonetike të shqipes”.
Studimi i Profesor Sejdiut është nga ato pak sinteza shkencore të shkruara në gjysmën e dytë të shekullit XX e këtij, i cili i ka dhënë përgjigjen e duhur jo vetëm akademikëve maqedonas po edhe akademikëve serbë e albanofil përgjithësisht, prandaj do të mund të thuhej se përgjigjja e tij është pritur gjatë dhe ja ishte rasti të jepej.
Në analizën e tij Enciklopedia e AMSHA-së dhe ardhmëria politike e Maqedonisë, Prof. dr. Agim Vinca, nxitë një orientim pragmatik të shqiptarëve ndaj Maqedonisë së tashme dhe politikës së saj. “Botimi i Enciklopedisë maqedonase (Makedonska enciklopedija), vepër e Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve (AMSHA), shkruan Profesor Vinca, është një rast i mirë për rishikimin e marrëdhënieve shqiptaro-maqedonase dhe, pse jo, edhe të vetë ardhmërisë së Maqedonisë si shtet”. Akademikët maqedonas ka disa vjet që po e nxisin këtë veprim, madje nga opsioni për federalizmin e Maqedonisë deri te ndarja e saj. Në vazhdim Profesor Vinca kujton të ashtuquajturin “plani i Efremovit”, në të cilin, gjatë kohës së luftës së UÇK-së, veç tjerash ai propozonte edhe një Miri të Berlinit mes etnitetit shqiptar dhe atij maqedonas.
Për shkak se projektin e tij në vend se ta kundërshtonin shqiptarët me një kundërprojekt e kundërshtuan ndërkombëtarët, madje duke e shkarkuar autorin e tij edhe nga kryetari i akademisë, vetëm disa vjet më vonë, ja po ky institucione doli me projektin e ri Enciklopedinë maqedonase, kundër të cilës po reagojmë të gjithë, kryesisht politikisht, por asnjë institucione me ndonjë projekt shkencor. Studiuesit maqedonas bëjnë atë që deri më tash kemi lexuar në shtypin e verdhë, për nocione, data historike, personalitete dhe më në fund edhe për identitetin historik, gjuhësor, kulturor e etno-psikologjik shqiptar, marrëdhënieve shqiptaro-maqedonase, duke u mohuar të gjitha këto shqiptarëve, ndërsa investojnë shumë në përdorimin e saj për nevoja të formimit të identitetit kombëtar. Derisa në njërën anë ata përvetësojnë shumë nga historia e antikitetit grek e shqiptar, në anën tjetër punojnë shumë dhe qëllimshëm, jo vetëm kundër historisë së antikitetit dhe asaj të mesjetës, po edhe historisë moderne shqiptare.
Kjo është arsyeja pse Profesor Vinca, krahas reagimit kundër Enciklopedisë maqedonase ngre zërin edhe kundër qëndrimit indiferentë të dy Akademive shqiptare në Prishtinë dhe në Tiranë “ne shqiptarët jemi i vetmi popull në Ballkan që nuk ka ende enciklopedi të vetën nacionale – Enciklopedi shqiptare. Kemi dy akademi të shkencave, një në Tiranë e një në Prishtinë dhe po flitet, me këtë rast, edhe për formimin e së tretës – të një akademie shqiptare të shkencave në Maqedoni; kemi një numër të madh universitetesh, publike e private, andej e këndej kufirit a kufijve dhe një numër edhe më të madh njerëzish me grada shkencore, doktorë e magjistër të shkencave, e edhe akademikë, por ja që nuk kemi enciklopedi kombëtare, ashtu siç nuk kemi as libra për të qenë të historisë (opinioni shqiptar këto ditë u ballafaqua me një tekst skandaloz të historisë për shkollat e mesme të botuar në Tiranë), e as një histori të plotë shkencore të letërsisë sonë kombëtare prej fillimeve e deri më sot”. Analizën e tij Profesor Vinca e mbyll edhe me nivelin e ulët shkencor të Fjalorit enciklopedik shqiptar, dhe me mungesën e botimeve të rëndësishme shqipe në gjuhë të huaja.
Prof. asc. dr. Iljaz Rexhës, në studimin e tij evidencues dhe krahasues Vendbanimet dhe popullsia albane gjatë mesjetës në hapësirën e Maqedonisë së sotme (sipas burimeve sllave dhe osmane), sjell një mal të dhënash për gjendjen e popullsisë shqiptare jo vetëm në perëndim të Maqedonisë së sotme po edhe në Qendër e në Lindje të saj.
Mbështetur në rezultatet e gjertanishme të shkollës së studimeve historiko-gjuhësore jo vetëm shqiptare, po edhe asaj evropiane: Alojz Benac, Aleksandër Stipçeviç, Radoslav Katiçiq, Fanula Papazoglu, Alain Dyciller, Konstantin Jireçek, Milan Shuflaj, Skënder Anamali, Muzafer Korkut etj., Profesor Rexha ka vendosur kufijtë gjuhësor dhe etnografik të vendbanimeve dhe autoktonisë së shqiptarëve thellë në lindje të Maqedonisë: Scupin – Shkupin, Bilassora (Velesi) dhe Astibosi (Shtipi), Nishit (Naisus) etj. për ta hapur çështjen më tej jo vetëm në hapësirën e sotme të Maqedonisë po edhe në zonën kontinentale të Ballkanit përgjithësisht. Në këtë rrjedhë Profesor Rexha i bën një sintezë të plotë gjendjes së sotme të dijes jo vetëm gjuhësore po edhe historike e gjeografike për shtrirjen e paraardhësve të shqiptarëve në Ballkan gjatë antikitetit dhe mesjetës.
Autoktonia e popullsisë albane në Ballkan, shkruan Profesor Rexha, është dëshmuar nga studiues të huaj dhe ata vendës edhe përmes toponimeve, oronimeve dhe hidronimeve parasllave që kanë marr formën nëpërmjet të gjuhës shqipe: Naissus-Nish, Scupi-Shkupi, Astibos -Shtip, Scardus-Sharr, Ulpiana-Lypian, Scodra-Shkodër, Lissus-Lesh-Lezhë, Drivastum-Drisht, Drinus-Drin, Scumbus – Shkumbin, Barbana – Buna etj. Duke u bazuar në këto dhëna të toponimisë antike linguistët e shquar si austriaku Norbert Jokl, gjermani Gustav Waigand, dhe Henrik Bariç kanë përkrahur tezën se ishte pikërisht Dardania, e përcaktuar si zonë ndër të tjera nga emra si Nish-Shkup-Shtip, që përbënte një vatër të popullsisë së lashtë albane. Një fakt tjetër që ishte konstatuar, sipas dëshmive toponimike, nga linguisti i njohur holandez N. Van Wejk, se në mesjetën e hershme, popullsia serbe ishte e ndarë nga ajo bullgare, prej një popullsie josllave, që shpjegohet me praninë e popullsisë albane”. Mirëpo, vazhdon studiuesi ynë “gjatë sundimit mesjetar serb edhe me më shumë intensitet vazhdon sllavizimi i emërtimeve të vendbanimeve në hapësirën e Ballkanit, ku përfshihej edhe Dardania. Kështu që gjatë mesjetës, në hapësirën e Arbërisë mesjetare, Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë së sotme, deri përtej Selanikut të Greqisë u bë edhe sllavizimi i toponimisë parasllave, siç shihet nga dokumentet dhe burimet shkrimore mesjetare: nga Alpes Albanicae në Prokletije Planina, nga Durrahium – Durrës në trajtën sllave Draç, nga Berat në Beligrad, nga Shkodra në Skadar nga Ulkinon -Ulkos në Ulcinj, nga Doclea në Zeta, nga Krahina Palabardhi në Belopavliç Zhupa, nga Buna në Bojana, nga Bardusi në Belosh, nga Bardoniq-Beliç, Bardosan-Lipovac, nga Guri Kuq-Crveni Kamen, nga Gurizi në Kamenica, nga Ujmir në Dobra Voda, nga Scupi-Shkupi në Skopje, nga Bardofci-Gjorgje Petrov, nga Bardarios në Vardar, nga Kumanova në Nagoriç nga Monostiri në Bitola, nga Bilassora në Veles, nga Dibra në Debar, nga Kriçova- në Kiçevo, nga Malesheva në Malesh-Pllanina, nga Thessalonikis në Solun nga Byzantion-Kostantinopolis në Carigrad, nga Filipolis në Plovdiv etj”.
Në pjesën më të madhe të studimit të tij mjaft të vëllimshëm paraqitet inventari shumë i pasur i toponimisë, antroponimisë dhe sidomos patronimisë së albanëve në Perëndim dhe në Verilindje të Maqedonisë gjatë Mesjetës, të vjelë nga dokumentet e Arkivave turke të shekujve XV-XVI. Fjala është për toponime të ndryshuara gjatë shekujve të Perandorisë Osmane dhe gjatë mesjetës bizantine, si dhe për patronimin etnike të shqiptarëve të lidhur qoftë edhe vetëm me patronimin etnonimik arbëror, si: Petro Arbanas, Dimitri Arbanas, Nikolla Arbanas, Bogdan Arbanas, Bogoslav Arbanas, Milosh Arbanas, Gjuro Arbanas, Mihajl Arbanas, Todor Arnaut, Andreja Arnaut, Lazar Arnaut apo Jusuf Arnaut ose Hamza Arnavut etj.
Pjesën më të madhe të këtij materiali e zë ojkonimia dhe patronimia e trashëgimisë shqiptare në disa vendbanime të Maqedonisë së sotme në vendbanimin e Kërçovës: Lagjja arbane me formën turke Arnaut, e përftuar nga forma greke Arvanit; vendbanimi Lukotinc (Kerçovë); në Shkup: Mëhalla Gjinko, që rrjedh nga patronimi Gjinaj; në vendbanimin Jelov Dol (Tetovë); në fshatin Poroj-Prroj (Tetovë); në fshatin Ponorisht etj.
Një grup pseudoshkencëtarësh sllavë të Maqedonisë në krye me Riste Blazhevskin, përfundon Profesor Rexha, kohëve të fundit po pretendojnë dhe po mundohen t’i mohojnë faktet historike dhe argumentet shkencore, e sidomos burimet arkivore dhe defterët zyrtarë kadastralë te administratës osmane të shekullit XV të pranuara nga studiuesit vendas dhe të huaj, për praninë e popullsisë albane në mesjetë, pra, para shekullit XVI në tërë hapësirën e Maqedonisë së sotme. Ky grup, mjerisht po shërbehet me tezën e falsifikuar dhe të shpikur nga kuzhina e arsenalit propagandistik të historiografisë nacional-shoviniste serbe, e cila qysh para katër dekadash është ç’vlerësuar dhe demantuar, me zbulimin e gjetjeve të reja arkeologjike dhe dokumenteve të reja arkivore e sidomos të atyre të proviniencës osmane – turke. (…) Shteti njënacional i Maqedonisë së sotme është jetëshkurtër dhe jostabil, ndërsa, shteti qytetar dhe multietnik i Maqedonisë me të drejta të barabarta politike, gjuhësore dhe kulturore për të gjitha nacionalitetet e saj, pa dallim etnie dhe feje, ka perspektivë reale dhe jetë të gjatë.
Studimi i Prof. dr. Qemal Muratit, Enciklopedia maqedonase – një botim i mbushur me frymë thellësisht joshkencore, është një shembull i mirë i diskutimit të Enciklopedisë nga pozita e referimeve të zërave të saj. Në të vërtetë fjala është për një sintezë të leximit të saj metodologjikisht kritike dhe hulumtuese njëkohësisht. Pas një hyrjeje kritike për veprën si ide dhe si projekt me porosi paraprakisht politike dhe vetëm pastaj shkencore e kulturore, i cili nuk i bën nderë as vetë maqedonasve. Prandaj autorët e saj dhe sidomos Akademia maqedonase u detyrua ta largojnë nga shpërndarja, pasi që në fillim pati reagime nga institucione shqiptare e të huaja3. Mjafton të shihet vlerësimi, diskutimi kritik dhe sintetik, që i ka bërë zërit Shqiptarët në Maqedoni, për të parë dy anë të kontekstit: zëri enciklopedik për shqiptarët në Maqedoni të akademikëve maqedonas, në të cilin, që në fillim janë dhënë edhe këto të pavërteta: “Shqiptarët në Maqedoni – bashkësia më e madhe etnike, pjesë e popullit shqiptar që i banon viset perëndimore të Gadishullit ballkanik. Te popujt e tjerë të Ballkanit njihen dhe si Arbanasi, Arnauti ose Šiptari (Planinci). Për nga religjioni, kryesisht janë të konfesionit mysliman. Selitja (ardhja) e tyre në Maqedoni vihet re kryesisht pas shek. XVI, pasi ishin islamizuar. Imigrimi i tyre ka pasur intensitet më të madh në gjysmën e dytë të shek. XVIII, kur feudalët shqiptarë vepronin për mëvetësinë nga pushteti qendror dhe zgjerimin e sundimit të tyre në Maqedoni. Ali Pasha Janina (nga fundi i shek. XVIII) e zgjeroi pushtetin e tij edhe në viset jugperëndimore të Maqedonisë, me çka në fakt filloi dhe imigrimi i shqiptarëve. Atëherë imigruan nga një ose më shumë familje në rreth 30 fshatra. Të gjitha ato erdhën nga Shqipëria Veriore dhe i takonin fisit Gegë. Në Tetovë, Gostivar dhe në vende të tjera erdhën pashallarë gjysmë të pavarur me prejardhje shqiptare, që i nxitën imigrimet. U përdorën bandat kaçake të cilat e terrorizuan popullsinë maqedonase dhe e detyruan të shpërngulet. Në shtëpitë dhe fshatrat maqedonase u vendosën familje shqiptare. Numri i tyre deri në fillim të shek. XIX arrinte rreth 20. 000 frymë (banorë)”. Autori ynë vazhdon më tej me të dhëna për të ashtuquajturat katër periudha të emigrimeve shqiptare nga Shqipëria kryesisht Veriore, si dhe përgjigjën metodologjikisht dhe parimisht shkencore të tij, një model që do të mund të aplikohej edhe me zëra të tjerë të kësaj Enciklopedie, duke ju kujtuar autorëve të saj se më parë se sa të merreshin me emigrimin e shqiptarëve në Maqedoni do të duhej të merreshin me shpërnguljen e shqiptarëve nga Maqedonia në Turqi, se më parë se sa të merreshin me prezantimin e numrit të rrejshëm shqiptarë në periudha historike, për të cilat më së paku kanë të dhëna akademikët maqedonas, do të duhej të merreshin me prezantimin e numrit të saktë të shqiptarëve të sotëm në ish-Jugosllavi.
Një vend të veçantë Murati jua kushtin referencave që autori i tekstit për shqiptarët Stojan Kiselinovski ka përdorur. Në këtë studim nuk është vështirë të kuptohet se si qëllimi e mund arsyen në mënyrën më të ultë. Vendin e studiuesve, linguistëve më të mirë të shkollës evropiane dhe gjuhëtarët që kanë shënuar majat e studimeve albanologjike: Franc Bopp, Gustav Meyer, Holger Pedersen, Norbert Jokl, Franjo Mikloshiç, Vaclav Cimohovski, Radoslav Katiçiç, Eric Hamp, Eqrem Çabej, Shaban Demiraj, Idriz Ajeti etj., e zënë shkencëtarë maqedonas, bullgarë dhe madje renegatë shqiptarë si Vasil Kënçov, Kapllan Buroviç, Jovan Trifunoski, Stojan Kiselinovski, Vasil K. Нnčov, Dr Miloš Konstatinov etj.
Një vend të veçantë dhe gjerësisht të shtruar me dokumente e dëshmi të tjera të vjela nga ato, po edhe të komentuara me kujdes autori jua kushton toponimeve dhe mikrotoponime e ojkonimeve me paradigmë etnonimin e mesjetës, të trajtave madje edhe sllave, si dhe patronimeve me bazë leksikore të shqipes mesjetare; simbiozës sllavo-shqiptare dhe koncepteve të Profesor Çabejt rreth kësaj teme; etnonimit maqedon në traditën shkencore shqiptare të shekullit XVIII dhe të fillimit të shekullit XIX. Duke ju referuar etnografëve e albanologëve nga radhët e arbëreshëve, Nikollë Keta, Gjergj Guxeta, Engjëll Mashi, autori kujton se ata patën vënë re se termi Maqedon është përdorur në kuptimin “shqiptar i hershëm”, domethënë për të treguar popullsitë vendëse jo greke të Gadishullit Ballkanik.
Një vend të rëndësishëm autori i kushton etnonimit maqedon, përkatësisht trajtave të sotme të tij (kruesisht të shekullit XX), si: Makedonski sloveni (maqedonasit sllavë), maqedonas sllavë apo sllavomaqedonas, maqedonas antikë e herë si sllavë, “grekë të sllavizuar”, përkatësisht “bullgarë të maqedonizuar”, “krijim artificial” i krijuar gjatë Luftës së Dytë Botërore”, etj, të diskutuara nga studiues vendor, ballkanik dhe të huaj, për të konstatuar se maqedonasit e sotëm, si popull dhe si gjuhë, janë vazhdues të sllavëve sjellë e mbjellë prej dyndjeve të tyre në Ballkan (shek VI-VII pas Krishtit), dhe çdo përpjekje për të dëshmuar ndonjë traditë historike këtu, madje para shqiptarëve nuk është gjë tjetër veç se dhunim qesharak i historisë, sikur shprehej dikur historiani Kiril Ivanov.
Radhën e kumtesave e mbyll eseja e autorit të këtyre radhëve Marrëdhëniet shqiptare – serbe – maqedone, ndërmjet krimit dhe ndëshkimit. Në tekstin tonë kemi theksuar evidentuar pozitën e hapësirës maqedonase dhe të popullit maqedonas në rrethana të veçanta historike kur populli shqiptarë po kalonte nga njëri shteg historik në kapërcyllin tjetër, për tu ndalur më gjerësisht në ‘kontributin e vonshëm’ të akademikëve maqedonas në këtë rrjedhë, duke përfshirë edhe botimin e Enciklopedisë. Sinteza e këtyre ‘kontributeve’ është përudhur në disa rrafshe: Koncepti politik në vend të konceptit shkencor për prejardhjen e popullit shqiptar dhe të gjuhës shqipe; Koncepti ekstrashkencor për histo¬rinë e shqiptarëve në trojet e tyre etnike shqiptare sot nën Maqedoni, tezë e bartur drejtpërdrejt nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Serbisë; Përpjekja dhe përkrahja dhënë institucioneve shtetërore për eliminimin e gjurmëve kulturo – historike shqiptare në Maqedoninë Perëndimore; Satanizimi i antroponimeve etnike me bazë në leksikun shqiptar; Përjashtimi i vlerave kulturore shqiptare të pranuara në universin kulturor kudo në botë; Veprimi i saj si një laborator i dikurshëm i Akademisë Mbretërore Serbe me qendër në Shkup etj”. Sigurisht kontribute të tjera nuk mund të arrinte Akademia e cila ka një trashëgimi tipike të vendeve të ish-sistemit komunist dhe rezultate modeste shkencore, të cilat nuk paraqesin ndonjë rëndësi të veçantë për kërkimet shkencore shqiptare të kohës sonë; Akademia që në shumë aspekte ka përkrahur më parë dhe vazhdon të përkrahë edhe më tej ide, të cilat kanë shkaktuar luftëra dhe gjenocid në Ballkanin e shqetësuar; dhe Akademia që ende nuk është liruar nga shtimungu i ngushtë nacional, me premisa ultraortodokse.
Në fund të këtij vëllim i është botuar Deklarata e Institutit Alb-Shkenca, Prishtinë-Tiranë-Shkup, shpërndarë menjëherë pas botimit të Enciklopedisë maqedonase.
Duke e mbyllur këtë paraqitje të vëllimit Enciklopedia e ndarjes, Marrëdhëniet shqiptare-maqedonase – konteksti i Enciklopedisë së Maqedonasë, konsiderojmë se fjala është për një shembull simbolik se si duhet reaguar ndaj institucioneve shkencore të popujve fqinj kur ato atakojnë kulturën materiale e shpirtërore të popullit shqiptar. Përurimi i vëllimit pritet të bëhet këto ditë në Prishtinë.
Studimet e këtij vëllimi dëshmojnë pikërisht shembullin e vullnetit të mirë të përkushtimit të studiuesve shqiptarë, për t’ju dhënë përgjigje akademikëve maqedonas, në vend të përgjigjes që shumë herë më shumë do të duhej t’ju jepnin institucionet tona shkencore. Jemi ndërkaq shumë të kënaqur që ky vëllim modest ka madje edhe përgjigje rrënjësore akademike, të cilat sidomos shkenca serbe deri dje dhe nën hijen e saj shkenca maqedonase sot, ka një shekull që po priste t’i merrte.
E-mail: bbaliu@yahoo.com
1 Norbert Jokli, Slaven und Albaner (Rezensionsaufsatz zu A. M. Seliščev, Slavjanskoe naselenie v Albanii, Sofia 1931). – „Slavia“, 1934, 13, 281.
2 Shih, Tryezën shkencore dhe më pas vëllimin: Gjendja e onomastikës shqiptare në momentin e tanishëm, të cilin e organizoi Instituti Albano¬l¬ogjik i Prishtinës në mars të vitit 1987. Tekstet dhe diskutimet u botuan në revistën «Gjuha shqipe», nr. 1, IAP, Prishtinë, 1987: prof. dr. Fazli Syla, Fjala e hapjes; akad. Idriz Ajeti, Njësia brenda ndryshimeve ka vlerë absolute; akad. Rexhep Qosja, Atentat mbi kulturën; prof. dr. Latif Mulaku, Toponimet shumëgju¬hë¬she të Koso¬vës; prof. dr. Besim Bokshi, Politika gjuhë¬sore në disa vise të Jugosllavisë; dr. Shaqir Berani, Dhunën gjuha s’e duron; dr. Rexhep Ismajli, Onoma¬stika e mbikëqyrur; Shkëlzen Maliqi, Errësimet dhe ndriçimet e njëmendësisë, mr. Mehmet Halimi, Emri Shkup dhe rrjedhojat e tij; dr. Bajram Krasniqi, Albanologjia sot; dr. Shefki Sejdiu, Gjuha është sistem që njeh vetëm rendin e vet; dr. Agim Vinca, Atë që ia lejon vetes mos ia ndalo tjetrit; mr. Rexhep Doçi, Qëndrimet kundërthënëse në fushën e onomastikës; Isa Bajçinca, Emërtimet e vendeve dhe norma letrare.
3 Si kundërpërgjigje ndaj “Enciklopedisë maqedonase”, dolën dhe dy botime në gjuhën shqipe: “Maqedonia Shqiptare” (2009), nga bashkautorët Nijazi Muhamedi dhe Bardhyl Zaimi, dhe një botim tjetër “Çmenduria e Akademisë – Enciklopedia – Reagime, përmbledhje shkrimesh” (2009), edicion i gazetës “Koha”, me reagime mjaft emocionale nga autorë të ndryshëm. Nga qarqet akademike një reagim të fortë “Enciklopedisë maqedonase” i ka bërë historiani i njohur nga Tirana Kristo Frashëri. (Nga Tribuna Shqiptare Komente Këtu Andi Ballshi)