Zëdhënësi politik i FBKSH-së, Gafurr Adili në intervistën për agjencinë INA flet ekskluvizisht për faktet dhe dëshmitë e tij për ngjarjen e Brodecit që ndodhi më 7 nëntor të vitit 2007 në Maqedoni.
Në operacionin e forcave policore speciale të MPB-së u vranë gjashtë veta, ndërsa u dënuan me rreth 192 vite burg 17 persona, 4 prej të cilëve ende ndodhen në arrati: Lirim Jakupi, Fatos Alija, Amir Sopa dhe Metin Aliu. Operacioni u ndërmor ndaj një grupi që drejtohej nga të arratisur nga burgu i Dubravës në Kosovë.
INA: Kohëve të fundit është riaktualizuar çështja e Brodecit. Ku bazoheni ju që përmendni se keni dokumente dhe dëshmi. A mund të shpjegoni më detajisht ?
Adili:
Po ta keni lexuar me kujdes Pjesën e Dytë të materialit të publikuar, më 23 prill 2009, do të shifni se aty thuhet se struktura inteligjente e Frontit për Bashkim Kombetar Shqiptar (FBKSH), Sigurimi Kombetar Shqiptar (SKSH) ka filmime (xhirime), të cilat do t'i publikojmë, ku do të ketë rastin mbarë opinioni të shof se si Ali Ahmeti, Fazli Veliu dhe të tjerë qëndruan në Brodec disa javë para ndërhyrjes së policisë. Ne po i publikojmë ato xhirime , nëse Ali Ahmeti nuk do t'i plotësojë kërkesat e shtruara nga SKSH, ndër të cilat me kryesorja e kryesoreve ka qenë dhe mbetet lirimi i të gjithë shqiptarëve të pafajshëm të Brodecit nga burgjet sllavo-maqedonase.
INA: Brodeci asnjëherë nuk u sqaru nga fillimi. Çfarë në fakt ndodhi në Brodec sipas jush. Kush ishte grupi që iku nga burgu ?
Adili:
Dy javë përpara se të ndodhte Brodeci, une përmes disa mediave i`u drejtova Ali Ahmetit publikisht dhe i kërkova kështu: “Lus ish shokun tim të vjetër që në Brodec të mos e përsëris Kondovën, sikur siç e bëri Menduh Thaçi. Dhe, kjo kërkesë nuk ishte vetëm një kërkesë vetëm ndaj Ali Ahmetit, por ishte edhe një paralajmërim për të gjithë luftëtarët e lirisë. Unë e dija (sipas informacioneve që më kishte dërguar SKSH- Sigurimi Kombëtar Shqiptar) se ishte një skenar i radhës i Serbisë përpara shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, për të cilën ditë asokohe punonin të gjithë shqiptarët dhe në veçanti FBKSH. Viktimë e këtij skenari të Serbisë kishte rënë Ali Ahmeti, i cili asokohe ishte në bashkëpunim të ngushtë me segmentet e caktuara në Shkup nga Beogradi.
INA: Grupi i armatosur që nuk kishte mbulesë politike. A keni pasur lidhje me ta dhe a kanë kërkuar ndihmë nga ju si AKSH ?
Adili:
Nuk ka pasur anjë lidhje. Implikimi i FBKSH dhe AKSH dështoi sepse strukturat tona ishin shumë të suksesshme përballë agjenturave të Beogradit dhe segmenteve në FYROM.
INA: Asnjëherë nuk u tha e vërteta dhe nuk u dha përgjigja se përse kishte dal ky grup në mal.Cilat ishin pretendimet e tyre dhe planet ?
Adili:
Vetem Sigurimi Kombëtar Shqiptar do të dije që ta sqarojë këtë dilemë, të cilën me shumë të drejte ju e keni shtruar si një pyetje. Por SKSH këtë do ta bëjë publike dhe do ta sqarojë pak më vonë.
INA: Në disa raste ata dolën se janë AKSH, por më pas dolën edhe organizata të tjera. A kanë kërkuar ndihmë nga ju në fillim, se pati disa kontradikta atëkohë ?
Adili:
Ata nuk kanë pasur asgjë të përbashkët me AKSH-në, por që të thirreshin në emër të AKSH-së i kanë porositur padronët e tyre. Pra, as në Kondovë dhe as në Brodec nuk ka qenë AKSH, por ashtu si në Kondove dhe në Brodec kanë qenë oficerët më madhorë të SKSH, prandaj edhe flasim e do te flasim me fakte dhe me prova materiale për të dyja rastet.
INA: Ka shumë dilema se ky grup doli në kohën kur Kosova përgaditej për pavarësinë. A mund të thuhet se ishte një skenarë ?
Adili:
Edhe më lartë e theksova se ka qenë një skenarë i mirëorganizuar nga Serbia, ku me vetëdije apo pa vetëdije u implikua edhe Ali Ahmeti me BDI. SKSH po heton edhe për "ikjen" nga burgu i Dubravës të disa eksponentëve që u implikuan në Brodec dhe besoj se brenda këtij viti edhe për këtë, ashtu si edhe për inkriminimet e disa ish-komandantëve të UÇK-osovës, tanimë të veshur me petkun e liderëve politik. Opinionin kombëtar shqiptar do ta sqarojmë me fakte dhe prova materiale, sepse gjykojmë se vetëm kështu do të mundemi t'i ruajmë vlerat madhore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe gjakun e dëshmorëve të kombit shqiptar, të derdhur për çlirim dhe ribashkim kombëtar.
INA: Në ditën e operacionit ka qenë në dijeni edhe nga KFOR , trupat amerikane, të cilat që në mëngjesin e asaj dite të operacionit kishin bllokuar kufirin, ndërsa dy ditë më parë KFOR, policia e Kosovës ka qenë në Shkup në takime me MPB e Maqedonisë lidhur me sulmin në Brodec ?
Adili:
Është shumë e vërtetë kjo që thoni ju, sepse KFOR dhe trupat amerikane, ashtu si FBKSH dhe strukturat e saj kanë qenë shumë të vetëdijshëm se aty kemi pasur të bëjmë me një skenarë të Serbisë, për të prishur planet e SHBA-ve dhe aleatëve të saj, para shpalljes se Pavarësisë së Kosovës.
INA: Si e vlerësoni deklaratën e Agim Çekut në cilësinë e kryeministrit të Kosoves se Serbia ishte implikuar në Brodec, kishte gisht tek grupi vetëm e vetëm për të dëmtuar Kosovën ?
Adili:
Para se këtë ta thoshte Agim Çeku, e kisha thënë unë (dy javë para se të ndodhte Brodeci) përmes mediave në Shkup e Prishtinë. Pra, Agim Çeku ka vjedhur autorësinë e SKSH të FBKSH-së.
INA: A mendoni se grupi i të arrestuarëve ka pasur lidhje me AKSH, apo thjesht kanë qenë ish-pjestarë të UÇK-së, të manipuluar nga dikush ?
Adili:
Edhe më lartë iu thash se me AKSH-në nuk ka patur asnjë lidhje. Të gjitha faktet që i kemi publikuar dhe do t'i publikojmë në vazhdimësi flasin se grupi i armatosur kanë qenë të manipulur nga BDI dhe Ali Ahmeti.
INA: Ju si një veprimtar i njohur, a mendoni të riktheheni në skenën politike pikërisht nga vendlindja juaj në zgjedhjet e ardhshme, duke qenë një parti politike fillimisht me aktivitet në Maqedoni duke u shtrirë më pas ?
Adili:
Nuk planifikoj që të kyçem në asnjë parti politike, qoftë kjo edhe në Tiranë, e lëre më në trojet e Shqiperise Lindore-Iliridë të pushtuara e të kolonizuara nga pushtuesi e kolonizatori sllavo-maqedonas. Unë përmes asnjë partie nuk mund të kontribojë, ashtu siç kam kontribuar mbi 30 vite për çështjen e pazgjidhur kombëtare, ngase nga vetë nocioni parti vetëkuptohet zgjidhje parciale e nje grupi të caktuar shoqëror për probleme të caktuara (parciale) shoqërore. Kurse, qenia ime në ballë të Frontit për Bashkim Kombëtar Shqiptar (FBKSH) dhe strukturave te saj është një çështje madhore kombëtare, sepse FBKSH është një bashkim forcash politike, shoqatash joqeveritare, intelektualëve atdhetarë dhe i masave të gjëra popullore, pa dallim krahine, feje, ideje, gjinie dhe përkatesie partiake në të gjitha trojet etnike të Shqipërisë Historike dhe në diasporën shqiptare, që punon dhe vepron për ribashkimin kombëtar shqiptar në një shtet të vetëm kombëtar, me emrin SHQIPËRI. Dhe, kjo mua me nderon e më respekton shumë, sepse jam shumë i sigurt se shumë shpejt këtë do ta arrijmë dhe jo vetëm gjashtë fëmijët e mi, por edhe nipërit e mi, do të krenohen me mua që kam vënë një tjegull në themelet e Shqipërisë së Ribashkuar.
INA: A planifikoni të vizitoni Maqedoninë, apo vazhdoni të konsideroheni persona non grata ?
Adili:
Para një jave SKSH (Sigurimi Kombëtar Shqiptar) ka arritur të fus në dorë një dokument, në ballinen e të cilit shkruhet: “Drzavna Tajna” (Sekret shtetëror), që MPB e Maqedonisë e ka shpërndarë në të gjitha pikat kufitare, si me Republikën e Shqipërisë, ashtu edhe me Republikën e Kosovës, në të cilin dokument shkruhet se mua Gafurr Adilit më ndalohet hyrja në Maqedoni deri më 01. 02 2010. SKSH, pasi ka arritur që ta fus në dore, ka kërkuar që ta publikonte, por une nuk kam lejuar, sepse e kam ditur dhe e di se një gjë të tillë MPB e Maqedonisë e bën për çdo vit dhe vendimi i këtij viti është vetëm një përsëritje e vendimeve të viteve tjera.
INA: Pse drejtoni akuza tek politikanët shqiptarë të cilët veprojnë në përputhje me përcaktimet e bashkësisë ndërkombëtare sidomos SHBA dhe BE në Kosovë e Maqedoni, dmth partner në qasje të përbashkët, apo të dëgjueshëm, në të kundërtën faktorët dezorientues po dalin nga loja ?
Adili:
Nuk është e vërtetë se ne drejtojmë akuza për politikanët shqiptarë që veprojnë konform përcaktimeve të SHBA dhe aleatëve të saj. Kemi drejtuar dhe do të vashdojmë të drejtojmë akuza vetëm ndaj atyre politikanëve, qofshin ata në Tiranë, apo në Prishtinë dhe apo në Shkup, që kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në shërbim të sllavo-grekëve dhe aleatëve të tyre. Dhe, të gjithë këta ne i njohim, bile edhe posedojmë dosje për të gjithë këta shërbëtorë të sllavo-grekëve, të cilët manipulojnë me shqiptarët se sikur na qenkan me SHBA dhe aleatët e saj.
INA: Si e shihni të ardhmen e shqiptarëve në rajonin e Ballkanit, kur dihet tashmë kemi një Shqipëri në NATO ?
Adili:
Hyrja e Shqipërisë në NATO, për të cilën gjë një kontribut të madh ka dhënë edhe FBKSH dhe te gjitha strukturat e saj është një fitore e madhe për gjithë Kombin Shqiptar. NATO nuk e pengon ribashkimin kombëtar shqiptar, perkundrazi......BE aktualisht po zbaton dy standarde: Parimin Wilsonian për vetëvendosjen e popujve dhe Parimin e Helsinkit për mosndryshmin e kufijve me dhunë, parim ky që është zbatuar më shumë deri me tani, por që dalëngadalë dhe shumë sigurt edhe BE po bindet se të ashtuquajturat shtete multietnike nuk kanë sukses në Ballkan, ashtu siç nuk pati as ish RSFJ, që u skërmoq me gjakëdedhje të lemeritshme për gjithë botën demokratike. Prandaj BE ka filluar të anojë nga Parimi Wilsonian për vetëvendosjen e popujve, një e drejtë kjo që padrejtësisht deri me tani i është mohuar vetëm popullit shqiptar ne Ballkan, ku për pasojë Republika e Shqipërisë (Shqipëria Londineze) nga të gjitha anët është kufizuar dhe kufizohet vetëm me popullin dhe trojet e saj etnike.