Kosova edhe zyrtarisht kërkoi portin e Shëngjinit:fla: Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, tani më edhe zyrtarisht i ka bërë kërkesë Qeverisë së Shqipërisë, që portin e Shëngjinit ta lë në funksion për tregtarët e Kosovës. Këtë e konfirmoi ministri i Ekonomisë dhe Financave të Kosovës, Ahmet Shala i cili gjatë një konference për gazetar tha se oferta nga ana e Qeverisë së Shqipërisë për ta përdorur portin e Shëngjinit për të nevojat e Kosovës, është një shenjë se Shqipëria po bënë çdo gjë në të mirë të vendit tonë.
"Oferta e qeveritarëve të Shqipërisë, të kryeministrit Berisha për të vënë në dispozicion portin e Shëngjinit për të mirën e zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe të regjionit është një shenjë se Shqipëria po bënë gjethka që është e mundur në të mirën e zhvillimit të Kosovës dhe të regjionit", deklaroi Ahmet Shala, ministër i Ekonomisë dhe Financave i Kosovës.
Ministri Shala tha se ditën e diel një delegacion prej katër ministrave të Qeverisë së Kosovës do të udhëtojnë për në Shqipëri ku gjatë takimit me përfaqësues të Qeverisë së Tiranës do të diskutohet për planin e shfrytëzimit të këtij porti për tregtarët Kosovar.
"Një delegacion i përbërë prej 4 ministrave, të dielën do të udhëtojnë për në Shqipëri ku besoj që do të kemi takime të frytshme në nivele të ndryshme për të diskutuar për projektin e Shëngjinit, por për të shikuar edhe për zhvillimet e rrugës Durrës-Kukës-Morinë", shtoi Shala.
Deri më tani 8 për qind e produkteve portale që vijnë në Kosovë janë nga porti i Shëngjinit, ndërsa 92 për qind të tjera vijnë nga portet tjera të rajonit.