|
| RRUGA E MUNDIMSHME DREJT LIRISË -1- | |
| | Autori | Mesazh |
---|
Mariglen Gjoka Fillestar/e
Numri i postimeve : 46 Age : 45 Vendi : Athine (Greqi) Registration date : 14/01/2009
| Titulli: RRUGA E MUNDIMSHME DREJT LIRISË -1- Fri Jan 16, 2009 6:38 pm | |
| RRUGA E MUNDIMSHME DREJT LIRISË
VËSHTRIM I SHKURTËR HISTORIK MBI FATIN E GRUAS SHQIPËTARE
Fillesa e këtij shkrimi pa mëtime historike e publicistike nis nga një sygjerim i thjeshtë i zonjës Mata Kaludhi, kryetare e shoqatës ndërkombëtare të grave me qendër në Athinë, “DAFNI”. “Mariglen-më tha ajo – përse nuk shkruan diçka mbi historikun e gruas shqiptare? Neve na intereson shumë një gjë e tillë.” Më vuri në punë.
Ndaj zonjës Mata, mikeshë e herëshme e Shqipërisë, një grua energjike e me ide përparimtare, veprimtare e palodhur në përpjekjet për të drejtat dhe liritë e gruas në Greqi, në Ballkan e më gjerë, si dhe ndaj shoqatës që ajo drejton, të gjitha gra të thjeshta e të përkushtuara në misionin e tyre, ndiej detyrime të përherëshme shoqërore, jo vetëm unë, por edhe mjaft djem e vajza emigrante shqiptare, turke, etj, të cilët kanë provuar nga afër në situate të vështira kujdesin prej nëne a motre të vërtetë të shoqatës, ndiejnë detyrime të tilla. Veç të tjerash, “DAFNI” ka bërë anëtare të saj, mban lidhje e për krah shoqatën shqiptare “ Gruaja Vlonjate. Të gjitha këto së bashku më qëndrojnë para syve e duket sikur më pyesin: Hë, do ta shkruash temën?”. Ato sikur e dinë, që në shkruaj rrallë, shumë rrallë dhe me përtesë, sidomos shkrimet “me porosi” më lodhin e me cingrisin nervat pa masë. Po unë do ta përgatisja temën. Ajo nuk ishte një “porosi” e bezdisëshme, por një orientim ndaj një bote të mahitëshme, ende të pandriuçuar mirë, ndaj së cilës shoqëria duhet të ndihet fajtore.
E ndërsa në mëndje shtjelloja platformën e temës, dikur thellë në vetëdijen time një puhizë e lehtë më shpupuriste mendimet dhe ndjenjat. Ishte si rryma e Golfstrimit, një nënshtresë, e ngrohtë, e thellë njerëzore, diçka prej mëme a motre gjithësesi frymëzuese. Tema ishte brenda meje. Kuptova, se detyrimi im shoqëror shkonte më largë, më thellë e më gjerë se ai ndaj shoqatës në fjalë. Përpara syve më del fytyra e përmalluar, aq e dashur e nënës, e mrekullueshme si te gjitha nënat, por edhe më të vecantën e saj, ato dy buzë të mbledhura e të shtëernguara lehtë, si vetëpërmbajtje e atij vullneti të hekurt dhe ai vështrim i përqëndruar plotë dritë e ngrohtësi, hetues dhe depërtues njëherësh. O, sa shumë i urrente padrejtësinë, gënjeshtrën, hipokrizinë, servilizmin! A nuk ka detyrime secili prej nesh për të shkruar e treguar për nënën e vet, për sakrificat dhe përkujdesjet e saj, për normat dhe parimet e saj shoqërore? E megjithatë, sado e madhe të jetë dashuria ndaj nënës, detyrimi ynë do ta ndiente vehten ngushtë brenda vetëm caqeve të saj. Ai shkon përtej dashurisë së nënës, duke përfshirë të gjithë brezat e nënave shqiptare nëpër shekuj dhe dhe në radhë të parë atyre nënave shamizeza, që me zemrën grusht, i blatuan bijtë e tyre, altarit të lirisë. Do të falja gjithcka për t’iu rikthyer buzëqeshjen e ndritur e për t’iu ngrohur sadopak zemrat e zhuritura të nënëve shqipëtare. GJITHÇKA.
1. YJET E NETËVE TË GJATA
Të shkruash mbi historinë e gruas shqiptare është njësoj si të shkruash historinë e popullit tonë, sepse sikurse bukën, sikurse vetë jetën edhe historinë ajo e ka gatuar. Me gjak e me lotë, me sakrifica e heroizma të rralle. Nga mugëtira e lashtësisë ilire kanë mbërritur dëshmi e fakte, që flasin për një barazi relative të gruas. Ndër gostirat ilire, por edhe për rrethe më të ngushta familjare, ishte fare e natyrëshme që gratë të uleshin së bashku me burrat dhe te ngrinin dollira njëlloj si edhe ata. Dalja në skenë e Teutës, mbretëreshës së shtetit ilir të Ardianëve, dëshmon se gratë, jo vetëm qe vlerësohen por ato mund të arrijnë praktikisht të drejtojnë edhe shtetin. Që kjo të bëhet e pranishme për shtetasit, duhet më parë që barazia e gruas me burrin të mbizotërojë në mentalitetin e individëve, në klimën politike dhe në opinionin shoqëror të kohës.
Të drejta dhe liri shoqërore gëzonin gratë në shtetin modern të Epirit, nën mbretërimin e Pirro Burrit. Në kushtetutën e Epirit, e cila ishte bërë objekt studimi prej Aristotelit (dhe prej të cilit ne njohim pjesë të saj) ka ligje mbi divorcin dhe mbi të drejtat e fëmijëve me prindër të divorcuar, çka dëshmon, se në demokracinë e përparuar të Epirit, grruas i njiheshin edhe me ligj të drejta të caktuara.
Kur flasim përë liri e të drejta të gruas në shtetet ilire, duhet të kuptojmë, se ato janë tërësisht relative, se këtu bëhet fjalë vetëm për atë pjesë të popullsisë, qe konsiderohej e lirë, pra, që nuk përfshihej në shkllavëri. Përsa u takon skllevërve, qoftë burrat apo gratë nuk gëzonin asnjë të drejtë shoqërore a njerëzore pra edhe nuk përfillen nga historiografia e kohës, ndofta me përjashtim të kryngritjeve të fuqishme të tyre, si ajo e Spartakut në Italinë e Jugut apo e Batos së Madh në Iliri, që tronditën perandorinë e Romës.
Me pushtimin e Ilirisë nga romakët fillojnë edhe netët e gjata tragjike të gruas. Nuk më është ndarë mendimi që shtypja e gruas në shoqërinë tonë dhe Brenda familjes është INSTITUCION I PUSHTUESIT. Sikurse edhe feja. Por njëkohësisht ai është edhe fenomen klasor, i importuar nga pushtuesit dhe i përvehtësuar nga klasa e pasur e vendit, përjetësisht bashkëpunëtorë dhe vegël e pushtuesve.
Pra, shtypja e gruas, mospërfillja e rolit të saj shoqëror, ka KARAKTER HISTORIK dhe KLASOR. | |
| | | Mariglen Gjoka Fillestar/e
Numri i postimeve : 46 Age : 45 Vendi : Athine (Greqi) Registration date : 14/01/2009
| Titulli: Re: RRUGA E MUNDIMSHME DREJT LIRISË -1- Fri Jan 16, 2009 6:39 pm | |
| RRUGA E MUNDIMSHME DREJT LIRISË-2- Thamë pak më parë se me pushtimin romak të rendit, fillojnë edhe netët e gjata tragjike të gruas. Por ato nuk ishin tragjike vetëm për gruan, por për të gjithë popullin, por gjithësesi gruaja pëson shtypjen më të rëndë. Në vend sundon ARBITRARITETI i të pasurve ndaj të varfërve dhe ARBITRARITETI i burrit ndaj gruas. Gruaja i pëson të tria pamjet e tij gjatë të gjithë historisë së saj.
Është shumë e hidhur të thuhet, se fati i gruas shqipëtare mbeti pothuajse i pandryshuar që nga rendi skllavopronar e deri pothuaj në prag të çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë më 29 Nëntor 1944!? Nuk ështe hiperbolë!!!
Me kalimin e shoqërisë nga rendi skllavopronar në atë feudal, pozita e gruas nuk përmirësohet aspak, përkundrazi ndërlikohet e rëndohet më tej. Në të vërtetë, për një periudhë të gjatë historike, nga shekulli i II-të p.e.r e deri në shëkullin e XI-të të erës sonë, ka një boshësi faktesh e dëshmish të dokumentuara, që gjuhëtari ynë i shquar Eqerem Çabej e quan “një ngjollë e errët historike”. Ç’mund të ketë ndodhur vallë, sepse jeta në këto vise nuk është tharë për asnjë cast? Pa dyshim që kanë ekzistuar një mori dokumentash, fakte, dëshmi, kronika të shkruara nga historian a kronikanë të thjeshtë dhe pse jo edhe bibliografi librash. Por ato janë zhdukur e grabitur nga pushtuesit e egër romake, nga barbarizimi sllav, nga bizantinizmi, të cilit nuk i interesonte shpirti pagan i popujve pas-pellazgë, dhe sidomos nga pushtimi barbar turk. Për historinë e Shqipërisë, ato i kanë kyçur arkivat e tyre me shtatë palë dryna.E megjithatë, herë mbas here zbulohen e ndriçohen fakte, ngjarje, dokumenta të ndryshme të kësaj periudhe, si nga shkencëtarë shqipëtarë, ashtu dhe sidomos ata të huaj.
Që nga mesjeta e herëshme e deri në çlirimin e atdheut nga nazifashistët, shoqërinë shqiptare e kane brejtur pa mëshire dhe pa ndërprerje dy nga plagët e saj më të rënda dhe më barbare: GJAKMARRJA dhe SHTYPJA E GRUAS. Veç të tjerash edhe këto barbari primitive nxiteshin e mëkohen nga pushtuesit e ndryshëm, si dhe nga shërbëtorët e tyre vendas, që historikisht, siç e kemi thënë edhe më lartë, ishte klasa e të pasurve. Kështu pushtuesit sundonin më lehtë, ndërsa vendasit e pasur mbronin shtonin pasurinë e tyre. “Divitta et impera” thonin pushtuesit romakë, “përça e sundo”, një parim regresiv reaksionar, që megjithatë dhe fatkeqësisht sot zbatohet kundër të gjithë popujve të botës, në çdo pikë të globit.
Në mesjetën e vonë, mbas çlirimit nga sundimi sllav, (më parë ai bullgar e më pas pushtuesit serbë të Stefan Dushanit), pa u mbushur akoma me frymë nga ajri i lirisë, në horizont çfaqet kërcënueshëm lakmia e perandorisë ambicioze të Turqisë, deri në atë kohë të pa thyer nga askush në fushën e betejës. Përballë këtij kërcënimi të zhdukjes, shoqëria shqipëtare ndjen nevojën të përqëndrojë të gjitha forcat e saj ekonomike e materiale, fizike e shpirtërore, morale e psikologjike. Kodifikohet rishtas i gjithë sistemi i marrëdhënieve shoqërore, shoqëria riorganizohet, në kushtet e krijuara, në një vetëqeverisje të ashpër, riformulohen doket e zakonet mbarëpopullore. Kështu lindin njeri mbas tjetrit Kanuni i Leke Dukagjinit, më i famëshmi prej tyre, Kanuni i Skënderbeut dhe Kanuni i Labërisë. Ato ishin kushtetua të vërteta, të hartuara mjeshtërisht, sa me një koncetrat të spikatur fjalësh, aq edhe të pasura me detaje e hollësira të domosdoshme. Nga pikëpamja historike ato luajtën një rol pozitiv në zhvillimin dhe lartësimin e vetëdijes kombëtare, në gjykimin kolektiv dhe përgjegjësinë kolektive ndaj akteve të ndryshme shoqërore apo individuale, në ligjërimin dhe lartësimin e atyre virtyteve të veçanta të popullit shqipëtar si BESA, MIKPRITJA, BUJARIA. Këto trajtohen si INSTITUCIONE TË SHENJTA, të pacënueshme, ashtu sikurse për popuj të tjerë janë të tilla, fjala vjen, besimet fetare. Në fund të fundit, kanunet ADMINISTRUAN dhe REALIZUAN MBIJETESËN përballë rrebeshit historik. Shumekush ka menduar se ato janë tepër të ashpra, por nuk ishin më pak të ashpra KOHA dhe RRETHANAT HISTORIKE, kur ato lindën. Kanuet shqiptëtare janë pjellë e kohës së tyre.
Por, krahas vlerave positive, kanunet mbartën e ligjëruan edhe plagët e vjetra shoqërore, gjakmarrjen dhe pozitën skllavëruese të gruas në shoqëri.Duhet thënë, se gruaja, si edhe fëmijët, përjashtoheshin nga gjakmarrja. Në se kjo mund të ndodhte në ndonjë rast të jashtëzakonshëm, autori përbuzej e dënohej kolektivisht nga fisi a fsahti. Gruaja konsiderohej pronë e burrit. Në veri të Shqipërisë ishte zakon, që në pajën e nuses të vendosej edhe një fishek, ç’ka do të thoshte se jeta dhe vdekja e saj ishin në dorë të burrit. Vajzat fejoheshin qysh në djep, të porsalindura. Kur mbushnin moshën dhjetë vjeçe, ato zakonisht bylleshin në shtëpi. Edhe në rast se detyrimisht duhet të dilnin jashtë banesës, ato nuk lejohej të komunikonin me asnjë mashkull, as me të fejuarin e vet. Kjo gjë konsiderohej një turp. Pothuajse gjithnjë fejesat e fëmijëve të vegjël, në djep, ishin marrëveshje, aleanca midis prindërve të tyre, dmth aleanca midis fiseve, fshatrave apo krahinave. Këtej rrjedh edhe zakoni i vjetër, qe kur vdiste burri në moshë të re, nusja e ve martohej me njërin nga vëllezërit e tij beqarë. Kështu aleanca nuk prishej por vazhdonte të mbetej në fuqi, pavarësisht deshirës së vajzës. Megjithëse miku konsiderohej i shenjtë dhe i zoti i shtëpisë përgjigjej me koke për të, ai nuk qerasej nga vajza apo gruaja e mikëpritësit, por nga një mashkull i shtëpisë. Në asnjë rast miku nuk duhej të shikonte apo të përshëndetej me ndonjërën nga femrat e shtëpisë. (Duhet të kemi parasysh familjen e madhe patriarkale shqipëtare, e cila filloi të shpërbëhej vetëm aty nga vitet 40-60 të shekullit xx.)
Gruaja nuk merrte pjesë në diskutimin e problemeve të rëndësishme, që shqetësonin fisin, fshatin a krahinën. Ato trajtohen e vendosen vetëm nga burrat, ndaj dhe mledhjet apo takimet e tilla quheshin Kuvendi i Burrave. Zakonisht gruaja merrte pjesë në të gjitha punët bujqësore e blegtorale të ekonomisë shtëpiake por, veçanërisht kur burri ngujohej për shkak të gjakmarrjes, asaj i mbetej në kurriz e gjithë barra për të mbajtur familjen. Veçanërisht poshtërues ka qënë transporti i druve të zjarrit, kur në mungesë të kafshës, ngarkohej gruaja, dhe kjo ndodhte në të gjithë Shqipërinë, nga veriu në jug.
Gjëndja e gruas rëndohej edhe më tepër për shkak të prapambetjes së thellë ekonomike shoqërore të vendit. Po i referohem vetëm problemit të ujit për ilustrim, problem, që ka shqetësuar familjen shqipëtare me shekuj të tërë. Megjithëse nëntoka e mbitoka e vendit është e pasur me ujra, bile te cilësisë së lartë, askush nga sundimtarët nuk u interesua që ky ujë të shkonte në shtëpitë e banorëve. Veçanërisht e rëndë ishte kjo situatë në fshatin shqiptar, i cili, në rasitn më të mire, kishte një burim a një çezëm të vetme për të gjithë fshatin. Çfarë mundimi e sakrifice ishte kjo për fshatarkën shqipëtare, e cila ngrihej që me natë, nxirrte bagëtinë në kullotë, pastaj me orë të tëra priste në radhë për të mbushur ujë në kroin e fshatit, kthehej në shtëpi me bucelat e ujit të ngarkuara në kurriz, lante, fshinte, gatuante, shkonte në arë për të ndihmuar të shoqin dhe kur mungonte ai, i bënte vetë të gjitha shërbimet e arës, kthehej në mbrëmje vonë, pastronte shtëpinë, lante dhe ushqente fëmijët, milte bagëtinë dhe kur të tjerët flinin, ajo lante rrobat, arnonte e qepte të grisurat. Kur shplodhej, kur flinte ky mbinjeri? Nga thellësia e shpirtit tonë shpaloset mirënjohja më e thellë, nderimi dhe respekti më i lartë për madhështinë e gruas shqiptare, që kurrë nuk u përkul nga vështirësitë dhe padrejtësitë e jetës, por me heroizëm luftoi, i përballoi dhe triumfoi mbi to. Është interesante te vihet në dukje, se me gjithë qëndrimin në tërësi të njëjtë ndaj gruas, në Kanunet shqipëtare dallohen gjithashtu edhe nuance të ndryshem. Kështu, në Kanunin e Skëndërbeut përcaktohet detyrimi për çdo çift, që para dasmës duhej të mbillnin njëzetë rrënjë ullinj. Detyrimi nuk është vetem për burrin apo vetem për gruan, por për çiftin, pra përgjegjësia është e përbashkët dhe e barabartë.
Ndryshe nga të tjerët, Kanuni i Labërisë i njeh gruas të drejtën e mbrojtjes publike si dhe të drejtën e ankesës, detyrimin e pleqësisë për një gjykim të paanshëm në këto raste, etj. Këto përbëjnë një hap të madh shoqëror përpara në mentalitetin e kohës. Këto nuance ndryshimesh dëshmojnë papritur për një anë tjetër a rrethanë të realitetit shqiptar të kohës: praninë në opinion shoqëror të një tendence demokratike e perparimtare në vlerësimin ndaj rolit të gruas, e cila edhe pse nuk është afirmuar, pse nuk hapet rruga, nuk ligjerohet, prapëseprapë merret parasysh nga ligjëvënësit, çka nënkupton që kjo tendencë ka qënë e fuqishme. Ndofta gaboj dhe dëshiroj të jem i gabuar, por historiografia jonë këtë rrethanë historike nuk e ka vënë në dukje ose nuk i ka kushtuar vëmëndje. Ka studime mjaftë të mira etnografike, mbi doket e zakonet popullore, mbi të drejtën zakonore penale, për Kanunin e Lekë Dukagjinit, etj, etj. Por ato kanë më tepër karakter PËRSHKRUES, zakonisht të dhënat, që ndriçohen nga studiuesi kanë sipërfaqen e tyre të dukshme, të dallueshme e cila flet vetë dhe një pjesë “memece”, e mbështjellë me mjergull, tek e cila duhet depërtuar dhe duhet zbërthyer. Në të vërtetë e padukshmja është vetë THELBI i ngjarjes, fenomenit a aktit, për të cilin flitet. Vetëm duke zbuluar e analizuar thelbin e problemit, mund të nxjerrësh përfundime të sakta historike. Kështu Kadare është ndofta i pari, që me mprehtësi zbulon përmes folklorit një të vërtetë të madhe historike: populli nuk është pajtuar me pozitën poshtëruese të gruas në shoqëri , në thellësi të vetëdijes dhe të shpirtit të tij, ai nuk e pranon këtë pozitë të saj. Ky fakt, nga studiuesit ose nuk është vënë re, ose është anashkaluar pa përgjegjësi, duke mbetur kështu robër në katakombet e kanueve.
Eshtë e pamundur, është jashtë çdo logjike, që një shoqëri e tërë të mendojë në mënyrë STANDARTE, pa një mendim a qëndrim NDRYSHE apo KUNDËR, aq më tepër, kur shtypja në këtë shoqëri ushtrohet e shumëfishtë, e egër, sistematike. Pa dyshim, që ky mendim a qëndrim i kundërt ekzistonte, ai gatuhej dhe ushqehej në shpirtin e popullit. Shikoni këngën magjiplotë të popullit: Asgjëkundi nuk do të gjeni as edhe një grimë nga shtëllungat e pluhurosura të kanuneve. Përkundrazi ndaj gruas a vashës shqipëtare vargjet e thurura janë brilante, ku vezullojnë plotë dritë e ngrohtësi yjet e netëve të gjata, që vashdimisht e vashdimisht trazojnë prushin e zemrave. | |
| | | zeriatdheut Hero anëtar
Numri i postimeve : 4058 Registration date : 28/12/2007
| Titulli: Re: RRUGA E MUNDIMSHME DREJT LIRISË -1- Fri Jan 16, 2009 6:51 pm | |
| Te falmderit i nderuar respektin dote kem per ti se na ke sjell shkime te mrekullueshme te lumte me respekt zeriatdheut[/u] | |
| | | Mariglen Gjoka Fillestar/e
Numri i postimeve : 46 Age : 45 Vendi : Athine (Greqi) Registration date : 14/01/2009
| Titulli: Re: RRUGA E MUNDIMSHME DREJT LIRISË -1- Fri Jan 16, 2009 6:56 pm | |
| RRUGA E MUNDIMSHME DREJT LIRISË-3- Në poezinë popullore gruaja nuk është vetëm femra e dëshiruar dhe e idealizuar, por në radhë të parë ajo është shoqja e jetës, e luftës dhe e përpjekjeve të përbashkëta. Njëkohësisht edhe symbol i sakrificës sublime në emër të mbijetesës. Çfarë perle botërore është legjenda e murimit, që s’është vetëm legjendë, por edhe elegji, hymn, përjetësim i flijimit të gruas së re, plot thjeshtësi e madhështi njëherësh.
Nuk është aspak rastësi, që figura hyjnore më e përhapur në mitologjinë shqipëtare nga lashtësia e deri në ditët tona janë ZANAT, vajza të reja me bukuri të rrallë e fuqi të mbinatyrshme. Ato kanë në dorë dhe udhëheqin fatin e njeriut, jetën e tij, gjithashtu ato gjykojnë me paanësi veprimet e tij, i miratojnë ose i ndëshkojnë këto veprime.
Edhe sot e gjithë ditën në veri të vendit mallkojnë: “Të shitoftë ZANA”, që është shkurtim i fjalës “të shigjetoftë”. Në jug, ku zana quhet shtojzavalle, thonë të njëjtën gje, me shkurt akoma “Të qëlloftë!”. Interesant është fakti, që zanat nuk jetojnë në qiell a diku pranë perëndive, por pranë njeriut, në pyje, afër burimeve të ujit, lumenj, liqene a përrenj, në shtegkalime e gryka malore, etj. Pra aty, ku është jeta dhe liria, aspiratat themelore të popullit shqipëtar.
Jo vetëm në legjenda e mite, por edhe në jetën e përditëshme, njeriu i thjeshtë shqipëtar e ka çmuar e respektuar “zanën”, që kishte në shtëpi e me të cilën pati bashkuar jetën dhe fatin. Thame me parë, se sipas Kanunit, gratë nuk thirreshin në kuvend, ku diskutohen probleme me rendësi për fisin, fashtin a krahinën. Por në praktikë, kjo kërkesë e Kanunit, shpesh herë nuk përfillej, sidomos në kuvende më të ngushta, si ato të fisit, por edhe të fshatit, ku pjesëmarrja e grave, natyrisht e kufizuar, shihej si e natyrëshme. Më rrallë kjo ndodhte në kuvendet krahinore, por edhe këtu kishte raste, kur thirrej ndonjë grua me peshë e autoritet në opinion.
Nëse kujtojmë heroizmin dhe sakrificat pa mbarim të gruas shqipëtare në betejat e parreshtura për liri e pavarësi të atdheut, atëhere bindemi edhe më tepër, se ai qëndrim NDRYSHE apo i KUNDËRT me kanunin, ajo frymë demokratike e përparimtare ndaj gruas, ishte përherë e pranishme në nënshtresat e vetëdijes shoqërore të popullit. Asnjë grua nuk do të shikonte as në mulli përkrah një burri, që ajo nuk e do dhe i cili e shtyp egërsisht, jo më të luftonte përkrah tij në beteja, e të jepte edhe jetën me gëzimin e një heroi!!
Ka edhe një dialog midis një çifti të moshuar në njërën nga këngët e vjetra popullore, një dialog i ngrohtë, më një buzagaz të përmallshëm, thellësisht njërëzor:
“U plake, o mike, u plakë, / Bram i heq ato mallane!”
“U plake, o mik, dhe tinë, / mbete si kau më brinjë!”
(Ç’figurë madhështore artistike!) Ai e quan “mike” dhe ajo po ashtu, i thërret “mik”. Asgjëkundi nuk ndihet as së largu era e mykut të kanuneve. Kanë kaluar një jetë të tërë së bashku si shokë e miq të mirë dhe tani, në pleqëri e kundrojnë njëri tjetrin me dhëmbshuri e dashurin përzier.
Si përfundim mund të thëmi se në shoqërinë shqipëtare dhe në familjen, si qelizë e saj, qëndrimi obskurantist i Kanunit ndaj gruas ishte amballazhi kolektiv dhe individual i PUSHTETIT, ndërsa në brendësi raportet burrë-gura ishin më të afërta, më të ngrohta, më të drejta… Sidoqoftë, gratë shqipëtare mbeten akoma yje të mbylluara nga retë e netëve më të gjata kanunore të pushtimit…
2. METEORË NË STUHI. LIRIA DHE NDERI I ATDHEUT MË TË SHTRENJTA SE JETA
Studiuesi i famshëm polak Karl Patch, kur flet për ilirët, midis të tjerash, përmend me admirim gratë japige (fis ilir), të cilat, për të mos rënën të gjalla në duart e pushtuesve romakë hidhen në humnerë. Si në një rit të lashtë, ato, të kapura përdore, kërcenin vallen e fundit, duke u hedhur, sipas radhës, njëra mbas tjetrës në greminë, disa prej të cilave edhe me foshnjë në gji. Nga muzgu i shekujve të lashtë ky RIT i LIRISË dhe i NDERIT do të përcillet brez mbas brezi. Mbas më se dy mijë vjetësh, ai do të përsëritet me një përpikmëri të habitëshme nga gratë suliote, këto heroina, që më të mirë quanin vdekjen sesa të binin të gjalla në duart e pushtuesve turq. Epokat zëvendësojnë njëra tjetrën, pushtuesit ndërrohen, por heroizmi i gruas shqipëtare në zjarrin e luftës për liri mbetet po ai. Stërmbesat e japigëve dhe mbesa e sulioteve, vajza 17-vjeçare, trimëresha partizane Ervehe Gorrishti, e mbetur pa fishekë, për të mos rënë e gjallë në duart e nazistëve gjermanë që e kishin rrethuar, nga shkëmbinjtë e thepisur hidhet në humnerë. Shpëton mrekullisht nga thonjtë e vdekjes dhe historia, këtë vajzë me këmbë të drunjta, na përcolli brezave të sotëm si një legjendë të gjallë.
Shembëlltyra e heroizmit të gruas shqipëtare nuk është vetëm ajo e vetëmohimit, por ka pamje e fusha nga më të ndryshmet, njëra më e shkëlqyer se tjetra.
- Mamica Kastrioti, motra e Skëndërbeut tonë të madh, luftonte krah për krah të vëllait, në ballë të betejës, deri sa bie në fushën e nderit në një moshë fare të re.
- Miro Tërbaçi, të cilës pushtuesit turq i kanë vrarë të vëllanë dhe asai i duhet të marrë hakun e tij. Dhe çfarë haku! E veshur si djalë, ajo vret një pasha turk brenda në çadrën e tij dhe kthehet e gjallë si komite mbi kalin e saj të bardhë. “kolomba” e Prosper Merimesë, me gjithë forcën e madhe artistike të shkrimtarit, duket e zbehtë para Miro Tërbacit tonë, që hyri në këngë me bukurinë e një legjende.
Në luftën kundër bandave greke më 1913, burrat e fshatit Dukat të Vlorës, thyhen keq dhe të dërrmuar shpirtërisht marin rrugën e kthimit. Por u habitën ata, kur, në të dalë të fshatit, ndeshin me gratë e tyre të armatosura të cilat i kish mobilizuar dhe u printe trimëresha gjuhëshpatë Sado Koshena. “Ku shkoni?” pyetën burrat me gjysëm zëri. Dhe Sado Koshena, e qetë, ua kthen me shpat “Ikni në fshat dhe bëni punët e shtëpisë! S’jeni për luftë ju! Do të vemi ne në këmbën tuja”. Burrat të turpëruar keq, këthehen mbrapsht dhe hyjnë në luftë si të tërbuar deri sa kundërshtari mori arratinë.
Ky shëmbull nuk është sajuar nga fantasia e ndonjërit, por është ngjarje e vërtete, e transmetuar, e gjallë deri në ditët tona.
Dua të sjell në këtë shkrim edhe një shëmbull, që nuk ka të bëjë drejtëpërdrejtë me luftën, por me heroizmin po, një dëshmi e karakterit të jashtëzakonshëm të gruas shqipëtare, që nuk fal askënd për çështje nderi.
Më 1919, si në shumë fshatra të Jugut të Shqipërisë, edhe ne Kuç të Vlorës, kishin ardhur familjarisht mjaftë refugjatë grekë, të cilët u mirëpritën dhe u përkujdesën nga vendasit. Por një ditë ndodh e pabesueshmja. Një djalosh vendas përdhunon një vajzë refugjate. Fsahti nxin. I bëjnë gjyqin fshatçe dhe e dënojnë djalin me vdekje. Kur mëson për vendimin, familja e vajzës greke ndërhyn për t’i falur jetën. Shikimet e të gjithëve drejtohen nga nëna e djalit, ajo do të thoshtë fjalën e fundit, nëse do të pranohej ose jo falja. Dhe ajo foli me zërin e thekshëm, para madhështisë se maleve, që e vështronin hijerëndë dhe ajo vetë duke vështruar malet: “Në se falet im bir, a do t’i hiqet turpi që bëri? Jo, më mirë i vdekur, se sa i gjallë e me turp!”. O nëna shqipëtare! Gjuha është e varfër e çdo fjalë zbehet e squllet para bukurisë se pakrahasueshme të shpirtit tuaj. Ne, bijtë, nipërit e stërnipërit tuaj, ju falemi, ju falemi një mijë herë dhe jemi krenarë, shumë krenarë që jemi pjella juaj!
Ndiej vërtetë emocione tani që po shkruaj këto rrjeshta, që më burojnë nga thellësia e zemrës. Sa shumë kam për të thënë për vajzën, gruan, nënën shqipëtare, se të pambarim janë edhe heroizmat e saj! Por vetë kemi thënën që në titul, se ky shkrim është një vështirm i shkurtër historik, i shkurtër…
A e shihni këtë vajzë të re, e bukur si yll, e veshur burrërisht me tirqe e me dy kobure në brez, që në shtatin e derdhur ka hedhur pushkën e lirisë, që u bën hije gërshetave të saj të gjata, me qeleshen e hedhur pak mënjanë mbi vetullën e harkuar? Zanat mitologjike nuk mund të jenë më të arrira, sepse ajo është vetë zanë, Zhan D’Arka shqipëtare, e lavdishmja dhe e mrekullueshja SHOTE GALICA. Mbas rënies në altarin e lirisë të shoqit, heroit Azem Galica, komandon e vetme pesë mijë malësorë trima, luftëtarë të paepur e të regjur në beteja kundër masakrave të shovinistëve serbë. Në këtë shëmbull, kanuni barbar e anadollak, sikur nuk ekziston, kthetrat e tij të pista nuk arrijnë të prekin askënd. Malësorët vetë e kanë zgjedhur Shotën si prijëse dhe po vetë i binden me kënaqësi trimërisë e zgjuarsisë së saj. Dhe këtë amazonë të historisë sonë, ku ajo erdhi në Shqipëri për tu strehuar së bashku me dy fëmijët e saj, turkoshaku satrap Ahmet Zogu për t’iu bërë qejfin shovinistëve sërbë, tek të cilët ishtë shitur, e la në mjerim, deri sa kjo shqiponjë vdiq në moshën 32 vjecare. Nuk mjafton kjo, por 60 vjet më vonë, pikërisht më 1992, neofashizmi, që mori pushtetin në Shqipëri, poshtërsisht, njërës prej shkollave te mesme të Krujës, i hëq emrin e Shote Galicës, me të cilën pushteti popullor pati përjetësuar, si edhe në rastë të tjera, lavdinë e saj. Neofashistët dhe pushtuesit e sotëm harrojnë që përpara se të mbishkruhej në tabelat e shkollave rrugëve a shesheve, emrat e heroinave janë gëdhendur në zemrën e madhe të popullit, prej ku askush nuk mund t’i shkulë.
… Përjetësisht aty, në zemrën fisnikë të një populli të pavdekshëm dhe të pamposhtur, lufta me armë në dorë dhe heroizmi në fushën e betejes, janë ndofta më të lehta se sa beteja tejet e komplikuar për emancipimin e shoqërisë. Liria nuk vjen vetëm nëpërmjet grykës se pushkës, pa ndriçuar më parë mëndjen dhe vetëdijen e njerëzve. Bile, e gjithë historia botërore, si edhe e jona, dëshmon se janë idetë përparimtare ato që iu paraprijnë lëvizjeve popullore për çlirim kombëtar e shoqëror.
Sa të vështirë e kanë misionin e tyre përçuesit e dritës njerëzore!
Luftërat e përgjakshme për liri e pavarësi, vecanërisht nën pushtimin turk, populli ynë kurrë nuk i ndan nga lufta për gjuhën shqipe, për arsimin dhe kulturën kombëtare. E mallkuar dhe e “çkishëruar” nga shovinizmi i “megali-idhesë” greke dhe e ndaluar rreptësisht nga pushtuesit turq, gjuha e lasthë shqipe, trashëgimtarja e vetme sot e pellazgjishtes “hyjnore”, është në mos e vetmja, të paktën ndër gjuhët e rralla në botë, që ka dëshmorët e vet, si kurorë e pavdeksisë dhe krenarisë së saj. Për fatin e keq të popullit grek dhe të popullit shqipëtar, dy popuj miq, me lë lashtët e Europës, që kurrë, kurrë nuk ia drejtuan armët njëritjetrit, më të egër se sa vetë pushtuesit turq, kundër Gjuhës Shqipe, janë treguar ithtarët e “Megali-idhesë” greke. Plumi, thika apo helmi i tyre vranë pabesisht mësues të ndritur dhe atdhetarë të shquar si Petro Nini Luarasi, Babë Dudë Karbunara, Dhaskal Todhri, Papa Kristo Negovani, etj, etj.
E në këto kushte te vështira, dy herë më të vështira për femrën shqipëtare, ndrin shembulli i Parashqevi Qiriazit,me motren e vete, dy motra nga një derë e shquar atdhetare, pishtarë të dritës së lirisë e të arsimit shqip. Guximi dhe vendosmëria e tyre, që nuk u përkulën nga përndjekjet dhe kërcënimet ndaj jetës, mendimi i qartë dhe kurajua e admirueshme për të përballuar e triumfuar jo vetëm mbi armiqtë e hapur të atdheut dhe të gjuhës sonë, por edhe mbi mentalitetin prapanik e reaksionar të kohës, si edhe gatishmëria për të sakrifikuar edhe jetën, të gjitha këto a nuk janë vlerat ideore, morale, shoqërore e shpirtërore, të heroinave, që pa dashjen e tyre, lavdia i merr në gjirin e vet? Në fund shekullin e nëntëmbëdhjetë, motrat Qiriazi ishin dallandyshet që paralajmëronin ditë e ngrohtësi për atdheun dhe popullin e robëruar. Shembulli i tyre hyri pa trokitur në zemrat e vajzave e të grave shqipëtare, duke ndriçuar fort ëndrrën shekullor, që priste agimin e një epoke të re. Shkekulli i XX-të erdhi në Shqipëri, duke mbajtur në njërën dorë “A,B,C” e dritës dhe në tjetrën pushkën e lirisë. Shoqëritë e hapura atdhetare dhe komitetet e fshehta politike që vepronin paralel dhe në bashkëpunim. Në të gjithë vendin marrin hov çetat e armatosura të lirisë.
Në 1908 mbahet Kongresi i Manastirit i cili, veç të tjerash, vendos ALFABETIN e njësuar të gjuhës shqipe. Më 1910, 1911 dhe 1912 në Shqipërinë veriore e verilindore (Kosova e Sotme) plasin radhazi tri kryengritje të fuqishme popullore, që i paraprinë shpalljës së MËVEHTËSISË së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912.
Shteti i ri Shqiptar përjeton situate tmerrësisht të vështira. Pat filluar lufta ballkanike më 1913 fuqitë e mëdha e copëtojnë pa mëshirë gjysëm për gjysëm Shqipërinë, reaksioni i brëndshëm tradhëtar shkakton turbullira. Në këto caste dramatike shfaqet një fenomen i ri, i panjohur më parë. Kryengritja fshatare e Shqipërisë së mesme, me në krye Haxhi Qamilin ka brendi e karakter klasor. Ajo drejtohet kundër bejlerëve feudalë vendas, tradhëtare dhe vegla të pushtuesve. Më 1914 plasi lufta e I-rë botërore. Ushtritë ndërluftuese dyndën në Shqipëri, një pjesë e të cilave nuk largohen as mbas mbarimit të saj. Në Janar 1920, gjëndja paraqitej e tillë: në afërsi të Kukësit e të Dibrës ushtritë serbe, në rrethanat e Shkodrës ushtritë malazeze, të gjithë bregdetin shqiptar nga Shëngjini e deri në Sarandë e zotëron ushtria italiane, në Korçë janë trupat franceze, ndërsa në jug të Gjirokastrës veprojnë bandat greke. E gjithë Shqipëria figuron e pushtuar. Në Janar 1920 atdhetarët thërrasin Kongresin e Lushnjës dhe vendosin çlirimin e Shqipërisë, fornt kryesor, me të drejtë përcaktohet ai kundër imperializmit Italian. Më 5 qershor 1920 fillon lufta antiimperialiste kundër pushtuesve italianë, që njihet në histori si “Lufta e Vlorës”, e cila kurorëzohet me sukses. Po kështu edhe në frontet e tjera pushtuesit debohen jashtë kufijve të 1913. Gruaja shqipëtare, si përherë, luan një rol aktiv në këto ngjarje, ku raste më të spikatura si Shote Galica apo Sado Koshena, ne i kemi përshkruar më lartë.
Mbas këtyre zhvillimeve historike, në Shqipëri merr hov lëvizja demokratike, e cila bëhet përcaktuese në klimën politike të vendit. Ndihet influenca e ideve të Revolucionit të Madh socialist të TETORIT në Rusi. Sidomos atdhetarët shqipëtarë i janë mirënjohës qeverisë sovjetike dhe vetë Leninit, për denoncimin e Traktatit të fshehtë të Londrës. Mihal Grameno shkruan në gazetën e tij: “Ranë e do të bien tgë gjithë ata që i kundërshtojnë xhaxha Leninit” Bajram curri nga malet e Dragobisë, i shkruan letër “hazretit Lenin” ndërsa Avni rustemi detyron parlamentin gjysëm feudal shqiptar të mbajë pese minuta zi për vdekjen e Leninit. Është i vetmi parlament në Europë, ndofta dhe në botë, që bën një gjë të tillë. | |
| | | Mariglen Gjoka Fillestar/e
Numri i postimeve : 46 Age : 45 Vendi : Athine (Greqi) Registration date : 14/01/2009
| Titulli: Re: RRUGA E MUNDIMSHME DREJT LIRISË -1- Fri Jan 16, 2009 6:58 pm | |
| RRUGA E MUNDIMSHME DREJT LIRISË -4- Në qershor 1924 shpërthen revolucioni demokratik. Detonator i tij bëhet vrasja tradhëtisht nga mercenarë te paguar të A. Zogut, e njërës prej figurave më popullore të kohës, revolucionarit dhe demokratit të shquar Avni Rustemi. Qeveria “me doreza të bardha” e Fan Nolit, që doli nga revolucioni i qershorit, premtimet e bera për refoma, i la në letër. Veçanërisht ajo nuk zbaton refomën agrare, për të cilën ishte aq e interesuar masa e gjërë e fshatarësisë, e cila në atë përiudhë përbënte rreth 90% të popullsisë së vendit. Në këtë mënyrë, ajo humbet mbështetjen popllore të fillimit. Në dhjetor 1924, me mbështetjen suhtarake e financiare të Serbisë, si edhe me trupa të gjeneralit carist Urangel, A. Zogu hyn në Tiranë, pa rezistencë serioze dhe merr pushtetin. Në janar 1925 ky feudal i dhunshëm njihet zyrtarisht nga SHBA, të cilat ia kishin fefuzuar këtë njohje qeverisë vërtet demokratike të Fan Nolit. Gjëja e parë, për të cilën “u kujdes”, ky kriminel ishte zhdukja e kundërshtarëve të vet politikë. Vriten njëri mbas tjetrit “Heronjtë e Popullit” Luigj Gurakuqi në Bari të Italisë, Bajram curri në malet e Dragobisë, Hasan Prishtina në Selanik të Greqisë, siç do të vritet mbas kryengritjes se Fierit, një tjeter “Hero i Popullit”, Riza Cerova.
Në Shqipëri vendoset despotizmi feudal.
Por aspirata demokratike e popullit nuk shuhet, përkundrazi përforcohet e merr vrull më shumë. Në fillim të viteve 30-të, lind një brez i ri letrarësh, poetë e prozatorë, me tendenca të theksuara përparimtare, të cilëve iu paraprin poeti ynë i shquar revolucionar, Migjeni. Në Korçë, në Shkodër, në Tiranë formohen grupet komuniste , qe perfaqësojnë menidmin më të avancuar shoqëror të kohës. Në këtë atmosferë shprese, ku lufta dhe organizimi konkret shtrohen në rendin e ditës, vajzat dhe gratë shqipëtare, si kurdoherë, janë të gatshme të rreshtohen në frontin përparimtar. Njëra nga ato është Qeriba Derri, e cila duket sikur ka lindur enkas për revolucionin. Mjeshtre e ilegalitetit, ajo bëhet ndërlidhëse dhe militante e shquar e KONARE-s (Komiteti Nacional Revolucionar, i krijuar më 1925, me qëndër fillimisht në Zvicër e më pas në Francë), me revolucionarët, që vepronin Brenda vendit. Materialet propagandistike, që ajo sillte nga jashte vendit, shkonin kudo, ndaj edhe spiunët e Zogut e kërkojnë kudo. Por si mund ta zbulojnë larot këtë shqiponjë, që folenë e kish në zemër të popullit? Dhe kur populli rrëmbeu armët kundër pushtuesve italo-gjermanë, Qeriba Derri nuk gjendej në Francë, por pikërisht në ballë të kësaj lufte, deri sa më në fund, ajo zbulohet e kapet nga Gestapo. Mbas torturash çjerëzore, të cilave iu bën ballë me heroizëm, ajo pushkatohet, për të mbetur përjetësisht një yll i pashuar për liri.
I një natyre tjetër është heroizmi i Tefta Tashko Koços, “Heroizëm”? – mund te hidhet përpjetë ndokush. “E çfarë bëri ajo, përveçe këndoi?”. Shumë të talentuarën Tefta Tashko Koço e priste një karrierë e shkëlqyer artistike. Zëri i saj magjik kishte befasuar skenat operistike të Parisit e të Milanos. Por ajo ishte gatuar prej brumi shqipëtar dhe kërkonte magjen e vet, ku u lind e u formua si atdhetare. Me vetëdije të plotë nuk joshet nga skenat madhështore europiane, as karriera e artë, që do ta mbulone me famë e pasuri. Përpara kishte një mision më të madh se vetëveshja: t’i shërbente atdheut dhe popullit të vet, mision të cilin Tefta e përqafon me gëzim e vendosmëri. Në Shqipëri gjen shoqet e saj të profesionit dhe të idealit, këngëtaren e talendtuar Maria Kraja, që edhe pse mbaroi konservatorin e Vjenës, si edhe Tefta, vendos të qëndrojë në Shqipëri, ashtu siç vepron edhe pianistja e mrekullueshme Lola Gjoka. Së bashku formojnë një “trio” të paarritëshme.
Nuk i tremb as varfëria materriale e vendit, as fanatizmi i opinionit, as edhe obskurantizmi mesjetar i pushtetit. Me një qerre, që i kërcasin rrotat dhe ku ato kanë ngarkuar një piano të vjetër e të çakorduar, që mezi e kishin gjetur, ato i bien pash më pash Shqipërisë, përmes baltës apo grykave, nëpër qytet dhe qëndrat krahinore të vendit. Tingujt e zerave të tyre melodiozë përcjellin tek njërëzit e thjeshtë ngrohtësi e dritë, mirësi e dashuri njërëzore, guxim dhe shpresë, që vendosmëri e solidaritet për qëndresë. Koncertet e tyre shpesh shndërrohen në manifestime të vërteta politike e shoqërore. Qeveria “mbretërore” trembet dhe nxjerr pengesa, sajon vjega të njëpasnjëshme për të mos lejuarë kondertet, kërcënon. Por është vonë, çdo gjë është ë kotë. Artistet e reja trimëresha tashmë kanë fituar respektin dhe mbështetjen, jo vetëm të njerëzve përparimtarë e artdashës, por të të gjithë njërëzve të thjeshtë, të mbarë popullit.Tashmë ato e ndiejnë qartë, se arti i tyre është pjesë organike e aspiratës popullore për liri e drejtësi shoqërore, përparim e demokraci të vërtetë. Më saktë akoma, Tefta Tashko dhe shoqet e saj u bënë zëdhënëset shpirtërore të kësaj aspirate. Me kurajon dhe përkushtimin e tyre fisnik, këto artiste të mëdha triumfuan si ndaj një administratë anadollakë injorant, e reaksionare, ashtu edhe ndaj mentalitetit prapanik, të mykur kanunor, i cili nxiste armiqësi e obskurantizëm ndaj dritës emancipuese të artisteve të reja. Duke u ngritur mbi kohën, në të cilën jetonin në emër të një të ardhmeje te bukur, për të cilën luftonin me besim e guxim të rrallë, ato, në të vërtetë, pa e ditur as vetë, kishin hyrë në universin e heronjve.
Nen sundimin anadollak të A. Zogut, shtypja e gruas mbeti po ajo qe përcaktonte kanuni shekullor, po ashtu gjakmarrja, injoranca, prapambetja e tmerrshme ekonomike e shoqërore. Dukej sikur vetë koha kishte ngrirë, dhe sikur të ndihej nevoja e shakave të shekullit, Zogu bën një gjest grotesk. Dekreton “heqjen e ferexhesë për gratë myslimane, gjë që shkakton ilaritet, si tek kundërshtarët, ashtu edhe tek pasuesit e tij. Mendjetrashësi apo hipokrizi e gjallë? Edhe njëra edhe tjetra. Emancipimi i gruas dhe i të gjithë shoqërisë nuk bëhet me “Dekrete” por me zhvillim e përparim të gjithëanshëm ekonomik, politik, shoqëror, kulturor etj, etj.
Ne vitin 1936 botohet romani “… Sikur të isha djalë” i shkrimtarit përparimtar dibran Haki Stërmilli. Heroina e romanit, Dila, është një vajzë e re, fatkeqe sepse është vajzë e pambrojtur ndaj paracaktimit të fatit të saj nga kanuni mizor. Romani bën jehonë për idetë përparimtare, që përcjell dhe sidomos për problemin, që shtron, problem i cili kërkon një zgjidhje shoqërore. Autori merr urime e përgëzime të shumta, nga të gjitha shtresat shoqërore. E midis tyre i shkruan edhe një vajzë e re 16 vjeçare, me një dëshirë të zjarrëtë dhe me një mendim të qarëtë: “… Vetë ne vajzat do të luftojmë për ta ndryshuar fatin tonë… Nënshkruar Flaka”. Ishtë një mendim NDRYSHE, një vijë e re, një orientim dhe premtim ndaj shoqërisë, në kërkim të një realiteti të ri. Jo viktima, jo qyqe, që vajtojnë fatin e tyre,por luftëtarë të paepura për një BOTË TË RE, e cila do të çlironte të gjithë shoqërinë, pra edhe gruan shqipëtare. Në ato çaste shkrimtari nuk mund ta merrte me mend, se kush ishte “Flaka” por nuk kaluan veçse pak vite, kur ai vetë si dhe “Flaka” do të përfshihen në zjarrin e LANÇ.“Flaka” ishte e bukur si hëna,ajo ishte Nexhmije Xhuglini (HOXHA) që ndër të parat vajza shqipëtare kishte rrëmbyer armët e luftës për liri, për të realizuar premtimin e BOTËS SË RE, në emër të Dilës dhe të mijëra e mijëra vajzave e grave të shtypura, që lëngonin në këtë botë të vjetër e të kalbur, së cilës i ka ardhur fundi i pashmangshëm.
Vazhdimisht në këtë material kemi theksuar, se gruaja shqipëtare, nëpër shekuj ka qënë e shtypur dhe e papërfillur në shoqëri. Dhe ky është një realitet historik i padiskutueshëm. Por nga ana tjeter kemi vënë në dukje edhe heroizmin e saj të pabesueshëm në situate kritike për atdheun dhe popullin. Si është e mundur, që nga humbëtirat e shtypjes, gruaja shqipëtare të ngrihet si shqiponjë në lartësinë e heroizmit? Si spjegohet një dukuri e tillë, me kundërshti në vetehte? Pa u zgjatur dhe pa e ndërlikuar përgjigjen, mendoj se dy janë arsyet kryesore të kësaj dukurie.
- Së pari: është fakt i njohur, që shtypja pjell urrejtjen dhe fakëton guximin. Sa më e egër të jetë e para, aq më e fuqishme zhvillohen të dytat. Edhe gruaja shqipëtare, duke qënë shoqërisht më e shtypura, është gjithashtu soqërisht më e guximshme dhe më e gatshme për sakrifica. I keni vënë re vullkanët? Edhe llava e tij ndodhet nën trysni, por kur shpërthen…” i ngjan furisë së gruas shqipëtare!!! (edhe kur bën shaka, je pranë së vërtetës).
- Së dyti, gruaja shqipëtare ka qënë thellësisht e bindur dhe kurrë nuk e humbi shpresën se liria e atdheut do të sillte natyrshëm edhe lirinë e saj shoqërore dhe individuale. Zemra e saj e madhe e ndiente dhe mendja e saj e ndritur e kuptonte, se shkaqet për gjëndjen e saj shkonin përtej qëndrimeve vetjake te burrit. Ajo nuk bënte fajtor të shoqin, i cili ndofta pa dashje, po aq viktimë sa edhe ajo, e paragjykimeve prapanike e konservatore. Gruaja shqipëtare e ndiente, se do të ishtë e lirë, kur edhe vetë shoqëria të ish e lirë. “kështu bëjnë të gjithë” e justifikonte ajo shpesh të shoqin, të cilin e donte dhe e respektonte, sepse me atë ndante në jetë gëzimet e pakta dhe vuajtjet e shumta. Nëqoftëse nuk do të ndërtonte këtë linjë shpirtërore mirëkuptmi jo vetëm me të shoqin, por edhe në një kuadër më të gjerë shoqëror, linjë, të cilën ajo duke u ngirut me madhështi mbi dhimbjen vetjake, e ushqente pandërprerë me jetën dhe bëmat e saj, gruaja shqiptare nuk do të ishte ajo shqiponjë e guximshme dhe heroike, që bëri historinë, por shumë-shumë një pulë zverkrrjepur, që klloçit në furrikun e saj. Jo! Në miliarada ide të botës së saj të madhërishme ishte rrënjosur thellë idea, se jeta nuk vlente asgjë përballë LIRISË dhe NDERIT të atdheut, se ato ishin më të rëndësishme nga fati i saj vetjak dhe nëse në vend triumfonte liria e vërtetë, do të vinte, i sigurtë dhe i garantuar edhe çlirimi i saj shoqëror.
Ndaj sa herë e thërriste liria dhe nderi i atdheut, gruaja shqipëtare çante retë që mbulonin dhe shpërthente si meteori në stuhi.
Vazhdon
Mariglen
Athine | |
| | | Mariglen Gjoka Fillestar/e
Numri i postimeve : 46 Age : 45 Vendi : Athine (Greqi) Registration date : 14/01/2009
| Titulli: Re: RRUGA E MUNDIMSHME DREJT LIRISË -1- Fri Jan 16, 2009 7:05 pm | |
| PERSHENDETJE! Te dashur bashkatdhetare numerat qe jane vendosur ne menyre te tille:-1- -2- -3- -4- eshte shkrimi i ndare pjese pejs nuk behesh dote ndryshe. Faleminderit! Marigleni | |
| | | Sponsored content
| Titulli: Re: RRUGA E MUNDIMSHME DREJT LIRISË -1- | |
| |
| | | | RRUGA E MUNDIMSHME DREJT LIRISË -1- | |
|
Similar topics | |
|
| Drejtat e ktij Forumit: | Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
| |
| |
| |