Zhvillim do të thotë bashkim
Integrimi evropian kalon nga
bashkimi i shqiptarëve
Shkruan: Koço
DANAJ *
______________________________________
Fillimisht
vetëm për kujtesë: Sipas statistikave, në Ballkan afër 10 milion grekë, që të
gjithë jetojnë në një shtet që quhet Greqi. Përsëri sipas statistikave, në
Ballkan afër 8 milion serbë, jetojnë në një shtet në Serbi dhe të tjerët në
Bosnjë e në Kosovë. Dhe duke vazhduar me statistikat, rreth
8 milion shqiptarë që jetojnë në Ballkan kanë këtë shpërndarje: 3.5 milion
jetojnë në një shtet që quhet Shqipëri, 2 milion jetojnë në një Protektorat
që quhet Kosovë, 100 mijë jetojnë në një shtet tjetër në Serbi, 700 mijë
jetojnë në një shtet tjetër në Maqedoni, 60 mijë jetojnë në një shtet tjetër
në Mal të Zi, afër një milion jetojnë në Greqi dhe afër 500 mijë në Itali.
Jo vetëm për kujtesë, por edhe analizë
Dhe për tu bërë më konkret,
duhet thënë se qytetarët grekë punojnë për begatinë e zhvillimin e Greqisë
dhe të vehtes së tyre. Qytetarët serbë në shumicë dërrmuese punojnë për
zhvillimin e Sërbisë dhe të vehtes së tyre. Ndërsa shqiptarët janë më
ndryshe; gjysma e tyre punon për Shqipërinë dhe për vehten e tyre, 2 milion
që jetojnë në Kosovë punojnë për protektoratin e OKB, ata që janë brenda
shtetit maqedon punojnë për zhvillimin e një shteti tjetër siç është
Maqedonia. Shqiptarët e Luginës së Preshevës punojnë për zhvillimin e një
shteti tjetër siç është Serbia. (Trojet e mija, shteti i tjetrit). Pra kemi
një thyerje, kemi të bëjmë me një paradoks unikal. Duke lënë jashtë analizës
atë që quhet emigracion ekonomik apo diasporë, kemi të drejtë të themi :
Përse kjo padrejtësi ? Përse nga 8 milion shqiptarë, vetëm 3.5 punojnë për
Shqiperinë, ndërsa të tjerët punojnë për OKB, për Serbinë, për Malin e Zi,
për Maqedoninë ? Pyetja është e drejtë, përgjigja ka qenë dhe mbetet e
padrejtë.
Fuçi - baruti apo oaz mirëqenie
Është i njohur nga ata që merren
me ballkanistikën nocioni politik Ballkani – fuçi baruti. Dhe në qoftëse
bëjmë një analizë të pjesshme të shekullit që sapo shkoi dhe ngjarjeve të
tij, arrijmë në konkluzionin se nocioni «Ballkani – fuçi baruti» ka lindur
nga artificialiteti i shteteve që janë fqinjë me Shqipërinë. Ai ka lindur nga
paradoksi i shekullit të 20-të sipas të cilit vetëm kombi shqiptar ka fqinj
vehten e tij. (Kosova është precedentë thonë shumë syresh. Por harrojne se precedenti
më i madh i kësaj bote është kombi shqiptar. Është i vetmi komb që ka fqinj
vehten e tij. Gjejeni një tjetër të tillë).
Kufijtë e Shqipërisë me shtete të tjera të Ballkanit nuk janë
natyralë, janë artificialë. Ashtu si edhe teritoret e disa shteteve fqinjë
nuk janë plotësisht natyralë, por kanë edhe artificialitet brenda tyre. Dhe
ky artificialitet shfaqet hapur kur disa nga këto shtete kanë territore dhe
popull shqiptar brenda tyre. Shikoni se çfarë ndodh: Maqedonia zhvillohet me
kontributin e maqedoneve, por edhe me mendjen dhe trojet e shqiptarëve, siç
është fusha e Pollogut. Greqia zhvillohet me kontributin e grekëve, por edhe
me pronat e shqiptarëve të Çamërisë. Serbia zhvillohet me kontributin e
serbëve, por edhe me mendjen dhe trojet e shqiptarëve. Ky është një realitet,
pse ta fshehim. Fshehja është mashtrim. Ky mashtrim zgjati afër një shekull.
Nuk mund të zgjasë më, sepse edhe atë e kanë kuptuar
të gjithë.
Qarjet nuk zgjidhin asgjë
Shqiptarët kanë 95 vjet që
shkruajnë dhe flasin se shpallja e pavarsisë së Shqipërisë Aktuale, ishte
edhe tragjike, pasi la jashtë shtetit, gati gjysmën e hapsirave dhe popullit
shqiptar. Qytetarë, shtetarë, gazetarë, historianë, politikanë përgjatë
këtyre 95 vjetëve kanë pohuar pohimin e sipërthënë. Por edhe politikanë,
qeveritarë apo gazetarë të huaj kanë qenë dakord me anën tragjike të krijimit
të shtetit shqiptar. Pra kanë pranuar se veç «haxhiqamilëve» shqiptarë që
ishin injorantë, kanë pasur edhe ata haxhiqamilët e tyre që nuk ishin injorantë.
Haxhiqamilizimi nuk barazohet vetëm me injorancën. (Nuk është haxhiqamilizëm
të kërkosh vetëm «babën», por është haxhiqamilizëm edhe kur të ndajnë nga
Nëna dhe të japin me zor Vojvodën për «Burrë»). Dhe duket se bashkësia
ndërkombëtare është duke rregulluar gabimet e saj. Kemi të bëjmë me një
Drejtësi të Vonuar. Por duhet të pohojmë se ajo lypset të mos jetë Drejtësi e
Cunguar. Dhe për të mos qenë e tillë, politika shqiptare duhet të ndryshojë.
Bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht SHBA kërkon partnerë. Politika shqiptare
nuk duhet të jetë pengesa krysore e kombit nga i cili ka dalë. («Jo me
Serbinë, por me Shqipërinë» do të shprehej europeisti i madh shqiptar nga
Gjilani, Ramiz Cërnica në Kuvendin e Prizrenit në korrik të vitit 1945,
Kuvend që gjoja vendosi «bashkimin» e Kosovës me Jugosllavinë. «Të hapur ndaj
Serbisë dhe Shqipërisë» shprehen disa politikanë shqiptarë gjoja globalistë
dhe integristë në Prishtinë. Domethënë që Shqipëria na qenka e barabartë me
Serbinë!! Po ata vetë çfarë janë??! Dhe e thonë këtë kur SHBA pret që të
thonë më shumë, të paktën të thonë atë që thoshte Ramiz Cërnica, ose atë që
kishte të shkruar në betim luftëtari i UÇK-së.) Artificializmi në ndërtimin e
shteteve është destabilizuesi më i madh jo vetëm i atij shteti, por edhe i gjithë
rajonit. Ballkani është destabilizues sepse është rajon artificial. Dhe
synohet akoma nga disa shtete europiane të mbahet i tillë, për ta pasur
Destabilizimin të Kontrolluar. Janë vetëm SHBA që fare hapur kërkojnë
natyralitetin e tij. Dhe natyralitet do të thotë që shqiptarët të mos jenë
gjysmake. Sa kohë që shqiptarët do të vazhdojnë të jenë në 5 shtete, aq kohë,
Ballkani do të jetë fuçi - baruti. Sepse për aq kohë, shtylla kurrizore e
rajonit do të jetë «e krisur» në qendrën e saj.(Osam, Dheka, 3.5 është një
shtyllë kurrizore e krisur)
Vendi yt është Shqipëria
Një pjesë politikanësh
shqiptarë, përpiqen ta fshehin ruajtjen e artificialitetit rajonal me gjoja
ekzistencën e traditave, të integrimit, statukuosë etj. Sipas tyre, Maqedonia
është edhe vendi i shqiptarëve pasi atje ata kanë varret e të parëve të tyre.
Nuk është as logjike etnike dhe as historike, është thjesht propagandistike.
Është për t´u shtirur. Është fshehja e pafuqisë për të bërë më shumë. Pse? Sepse
varret nuk janë tregues se i kujt është vendi. Turqia nuk është vendi i shqiptarëve megjithse në Turqi me mijëra shqiptarë kanë
varret e të parëve të tyre. As Greqia nuk është vendi i
shqiptarëve meqë edhe në Greqi me mijëra shqiptarë kanë varret e të parëve të
tyre. Republika e Maqedonisë ka brenda teritorit të saj një pjesë të
konsiderueshme teritoresh që nuk janë maqedonase por janë shqiptare. Ato janë
pjesë të Shqipërisë Natyrale, që për njëmijë e një arsye i
janë shkëputur asaj. (Atdheu i Mehmet Pashë Derallës nga Tetova ishte
Shqipëria, ai ishte ministër i qeverisë së parë të Ismail Bej Vlorës. A ka
sens që gjoja në emër të globalizmit t´i thuash kujtimit të atij apo
stërnipërve të tij se atdheu i Derallës është Maqedonia ?) Lypset të mësohet
nga kryeministri grek Karamanlis që në mes të Këshillit të Europës, deklaroi
përpara Mitrevës se : «Unë Konstantin Karamanlis jam
maqedonas dhe bashkë me mua janë të tillë edhe 2.5 milion grekë të Maqedonisë
së Egjeut». Pra ai synoi t´u mohojë maqedonëve jo vetëm emrin, por edhe
kombësinë dhe askush nuk i tha asgjë. Ndërsa interacionalistët tanë kanë
frikë të kërkojnë edhe emrin e tyre !!
Integrimi
europian kalon nga bashkimi i shqiptarëve
Sa kohë që shqiptarët në rajon do
të jenë në gjendjen e sotme, aq kohë rajoni do të jetë i pastabilizuar. Por
për këtë përgjegjësia nuk do të jetë e tyre. Ndërsa Shqipëria do të jetë e
pazhvilluar dhe për këtë pazhvillim të saj, lypset që përgjegjësia të
kërkohet tek vehtja. Zhvillim do të thotë bashkim. Gjendja sotme me raportin
8 milion serbë në një shtet, 10 milion greke në një shtet dhe vetëm 3.5
milion shqiptarë në një shtet, ka dhe do të ketë destabilizim, ka dhe do të
ketë moszhvillim të shqiptarëve. Integrimi europian kalon nga bashkimi.
Askush nuk mund t´u thotë shqiptarëve pse kërkojnë të drejtën e tyre, pse
kërkojnë zhvillimin e tyre.
·
Autori është Analist politik dhe drejtor i
Institutit të Prognozave Rajonale me seli në Tiranë