Bashkimi Kombëtar
Mirë se erdhë në forum " Bashkimi Kombëtar "
Qëndro i lidhur me ne ! Disponim te këndshëm të kontribojm për kombin larg ofendimet dhe zënkat...
Bashkimi Kombëtar
Mirë se erdhë në forum " Bashkimi Kombëtar "
Qëndro i lidhur me ne ! Disponim te këndshëm të kontribojm për kombin larg ofendimet dhe zënkat...
Bashkimi Kombëtar
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.



 
ForumForum  PortalliPortalli  GalleryGallery  Latest imagesLatest images  RegjistrohuRegjistrohu  identifikimiidentifikimi  

 

 SUNDIMI I PRINCIT GJERMAN VILHELM VID NË SHQIPËRI

Shko poshtë 
AutoriMesazh
Orfe@
V.I.P
V.I.P
Orfe@


Female
Numri i postimeve : 9104
Age : 114
Vendi : Ne zemer te njerit
Profesioni/Hobi : Bum - Bum bum !
Registration date : 26/03/2008

SUNDIMI I PRINCIT GJERMAN VILHELM VID NË SHQIPËRI Empty
MesazhTitulli: SUNDIMI I PRINCIT GJERMAN VILHELM VID NË SHQIPËRI   SUNDIMI I PRINCIT GJERMAN VILHELM VID NË SHQIPËRI EmptySun Apr 20, 2008 4:39 pm

94 vjet më parë:
SUNDIMI I PRINCIT GJERMAN VILHELM VID NË SHQIPËRI

7 MARS - 3 SHTATOR 1914
SUNDIMI I PRINCIT GJERMAN VILHELM VID NË SHQIPËRI 1048410



Princi Vilhelm Vidi


Edituar për herë të fundit nga biligoa në Sun Apr 20, 2008 5:18 pm, edituar 2 herë gjithsej
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Orfe@
V.I.P
V.I.P
Orfe@


Female
Numri i postimeve : 9104
Age : 114
Vendi : Ne zemer te njerit
Profesioni/Hobi : Bum - Bum bum !
Registration date : 26/03/2008

SUNDIMI I PRINCIT GJERMAN VILHELM VID NË SHQIPËRI Empty
MesazhTitulli: Re: SUNDIMI I PRINCIT GJERMAN VILHELM VID NË SHQIPËRI   SUNDIMI I PRINCIT GJERMAN VILHELM VID NË SHQIPËRI EmptySun Apr 20, 2008 4:41 pm

Hyrje
Shkruan: Sheradin BERISHA
SUNDIMI I PRINCIT GJERMAN VILHELM VID NË SHQIPËRI Shera111

Dihet mirëfilli se Lufta e Parë Ballkanike e vitit 1912 solli ndryshime të mëdha politike e gjeostrategjike në hapësirat e Gadishullit Ballkanik. Për t´i shqyrtuar ndryshimet e bëra me luftë, e cila ende s´kishte përfunduar si dhe për të vendosur një ”rend të ri drejtësie dhe paqeje në këtë rajon” më 17 dhjetor 1912 në Londër u organizua një konferencë në nivel ambasadorësh nga gjashtë Fuqitë e Mëdha: Anglia, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria, Rusia dhe Italia.

Lidhur me të ardhmen e Shqipërisë, konferenca vendosi që të krijohet një Shqipëri autonome nën sovranitetin e Turqisë, pa e përfillur Pavarësinë e saj të shpallur më 28 Nëntor 1912 në Vlorë. Pra, konferenca e Londrës nisi shqyrtimin e kufijve të Shqipërisë, nga ”fakti” se ajo ishte pjesë e Turqisë së mundur në luftë. Konferenca që në seancën e parë në parim vendosi që Shqipëria autonome të kufizohej në veri me Malin e Zi e në jug me Greqinë, ndërsa më 25 mars 1913 ajo përcaktoi kufijtë verilindorë, duke lënë jashtë Kosovën dhe viset tjera etnike, të cilat kaluan nga pushtimi osman, nën robërinë serbo-malazeze. Derisa i zhvillonte punimet konferenca, shtetet e “Aleancës Ballkanike” (Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia) kishin pushtuar me forcë pjesën më të madhe të tokave shqiptare.

Pas marrjes së Janinës nga forcat greke dhe të Shkodrës (22 prill 1913) nga forcat malazeze, Austro-Hungaria dhe Italia duke e parë se sundimi osman nuk mund të mbahej më në Shqipëri, para konferencës paraqitën një projekt të ri për pavarësinë e plotë të Shqipërisë. Duke u mbështetur në këtë projekt, pas një lufte të ashpër diplomatike, konferenca më 29-31 korrik 1913 përfundimisht vendosi, që Shqipëria të bëhej shtet i pavarur, asnjanës dhe të vihet nën kontrollin e Fuqive të Mëdha.Tashmë Turqia nuk do të kishte asnjë lloj suvereniteti mbi Shqipërinë. Fuqitë e Mëdha për të ndërtuar një administratë civile dhe financiare, krijuan një Komision Ndërkomëtar të Kontrollit (KNK) dhe në tetor 1912 e dërguan në Shqipëri. Gjatë kësaj kohe, për të vënë rendin dhe sigurinë në vend nisi krijimi i një xhandarmërie të huaj. Organizimi i xhandarmërisë fillimisht iu la në duar Suedisë, por pas refuzimit të saj, në Shqipëri u dërguan xhandarë holandez. Gjithashtu në mbledhjen e 31 korrikut u vendos që në krye të shtetit shqiptar të caktohet një princ i huaj, brenda 6 muajve nga vetë Fuqitë e Mëdha.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Orfe@
V.I.P
V.I.P
Orfe@


Female
Numri i postimeve : 9104
Age : 114
Vendi : Ne zemer te njerit
Profesioni/Hobi : Bum - Bum bum !
Registration date : 26/03/2008

SUNDIMI I PRINCIT GJERMAN VILHELM VID NË SHQIPËRI Empty
MesazhTitulli: Re: SUNDIMI I PRINCIT GJERMAN VILHELM VID NË SHQIPËRI   SUNDIMI I PRINCIT GJERMAN VILHELM VID NË SHQIPËRI EmptySun Apr 20, 2008 4:44 pm

Pretendentët për fronin princëror në Shqipëri
Ardhja e Vidit në Shqipëri 7.III.1914
SUNDIMI I PRINCIT GJERMAN VILHELM VID NË SHQIPËRI Eskort10


Pretendentë për fronin princëror në Shqipëri ishin të shumtë, nga disa oborre mbretërore evropiane. Pretendenti i parë për këtë fronë ishte princi francez: Franz Ferdinand Bourbon-Orleans, duka i Montpesier. Duka ishte i afërm me familjet më të rëndësishme që qëverisinin Evropën. Ministria e jashtme franceze e mbështeti synimin e dukës për fronin princëror shqiptar, por kërkoi që të fitonte përkrahjen edhe të fuqive tjera evropiane. Për këtë qëllim ai vizitoi Shën Petërburgun ku u prit nga vet car Nikolla II, por nuk mori ndonjë siguri për pretendimin e tij. Edhe autoritetet vjeneze nuk e mirëpritën synimin e tij për t´u bërë princ i Shqipërisë edhe pse ai kishte përkrahjen e një numri aristokratësh shqiptar. Në vitin 1913 duka i Montpesierit në Londër vazhdimisht ishte i shoqëruar nga Isa Boletini, në përpjekjet e tij për të siguruar mbështetjen e kancelarive evropiane, për çështjen shqiptare.

Për këtë fronë pretendonin edhe dy pasardhës të heroit kombëtar Gjergj Kastriotit –Skënderbeut : markezi italian Di Aluetta dhe fisniku spanjoll Don Juan Aladro Castriota y Perez y Velasco. Një tjetër pretendent ishte princi Albert Gjika, i cili rridhte nga një derë bujare rumune me origjinë shqiptare, që kishte mbështetje kryesisht ndër kolonitë shqiptare në Rumani dhe Bullgari.1 Nga princi trashëgimtar austriak Franc Ferdinanti dhe nga Vatikani mbështetej kandidatura e dukës Wilhelm Herzog von Urach. Por, kjo figurë nuk gjeti përkrahjen nga Italia, e cila së bashku me Rusinë nuk dëshironin si princ një katolik dhe sigurisht asnjë favorit të Vjenës,që do ta kthente Shqipërinë në një protektorat austriak dhe një bastion kundrejt shteteve sllave në Ballkan.2

Poashtu edhe familja Bonaparte për fronin shqiptar vuri tre kandidat: princ Viktorin, princ Louisin dhe princ Roland Bonaparten. Princin Louis e mbështeste Vatikani, ndrërsa kontestoheshin nga Italia,pasi ishin katolikë. Pretendentë të tjerë për fronin mbretëror në Shqipëri ishin edhe gjermanët: Mauricio i Schonbourg-Lipe, duka Karl von Urach, princi Karl Von Hohenzllern dhe princi Wilhelm Friedrich Heinrich Von Wied; anglezi Arthur of Connaught; suedezët-duka Vilhelm Soedermanland dhe duka Karls Westgothland; princi danez Aksel;...3.

Një familje pretenduese për fronin princëror kishte edhe ajo e fisit katolik në Shqipëri: familja e Prenk Bib Dodës. Një ide e kreut të Mirditës ishte kthimi i vendit të tij në një ”Piemont” të Shqipërisë katolike. Por horizonti i Prenk Bib Dodës nuk shkonte me tej se Shqipëria e veriut...!!!
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Orfe@
V.I.P
V.I.P
Orfe@


Female
Numri i postimeve : 9104
Age : 114
Vendi : Ne zemer te njerit
Profesioni/Hobi : Bum - Bum bum !
Registration date : 26/03/2008

SUNDIMI I PRINCIT GJERMAN VILHELM VID NË SHQIPËRI Empty
MesazhTitulli: Re: SUNDIMI I PRINCIT GJERMAN VILHELM VID NË SHQIPËRI   SUNDIMI I PRINCIT GJERMAN VILHELM VID NË SHQIPËRI EmptySun Apr 20, 2008 4:46 pm

Xhonturqit parashikonin në Shqipëri të shkaktonin trazira
SUNDIMI I PRINCIT GJERMAN VILHELM VID NË SHQIPËRI Spekte10


Pritja e princ Vidit në Durrës

Shpresa për të marrë fronin shqiptar kishte edhe Mbreti Nikolla i Malit të Zi. Madje ai mbajti kontakte me disa banorë të Shqipërisë së Veriut të cilët e vizituan në Cetinje dhe si dhuratë për mbështetjen e tyre morën para dhe armë. Mirëpo Fuqitë e Mëdha dëshironin një Shqipëri të pavarur e të kontrolluar nga ata e jo një Mal të Zi të zmadhuar.4

Përveç këtyre dy kandidatëve me sfond ballkanik dhe kandidaturave tjera nga shtetet evropiane, për fronin shqiptar pretenduan edhe kandidatë myslimanë.

Duke pasur parasysh konfesionin fetar mysliman të një pjese të madhe të popullsisë së Shqipërisë, si dhe lidhjet e vjetra të feudalëve shqiptarë me elitën e ish-perandorisë osmane, Porta e Lartë, për fronin princëror shqiptar propzoi: Abdyl Mexhidin, Burhan Meddinin dhe ministrin e Luftës gjeneralin Ahmet Izet Pashën me prejardhje shqiptare nga Manastiri. Xhonturqit parashikonin në Shqipëri të shkaktonin trazira, për t´i qetësuar më pas me thirrjen e vendosjes së një princi mysliman në Shqipëri. Mirëpo Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit (KNK) i vendosur tashmë prej Fuqive të Mëdha në Shqipëri,u informua prej ambasadës gjermane në Stamboll mbi planin xhonturk dhe mori menjëherë masa kundër tyre. Një nga figurat më të preferuara për princ të Shqipërisë ishte edhe ajo e princit egjyptian: Ahmed Fuad Pashës, pasardhës i derës së familjes së Mehmet Ali Pashës, i cili ishte themelues i Egjiptit modern. Ahmed Fuadi kishte zhvilluar edukimin e tij ushtarak në Torino dhe konsiderohej si mik i madh i Iltalisë dhe ky fakt ishte i mjaftueshëm për Austrinë të kundërshtonte kandidaturën e tij.5

Këto kandidatura u refuzuan edhe nga fuqitë tjera evropiane, për faktin se nuk dëshironin që fronin princëror në Shqipëri ta merrte një mysliman.

Përfundimisht në tetor 1913 me propozimin e Austro-Hungarisë dhe të Italisë e të miratuar edhe nga shtetet tjera evropiane, u pranua që në fronin shqiptar të vihej një gjerman: princi Wilhelm Friedrich Heinrich von Wied, i cili si protestan nuk i përkiste asnjë besimi ekzistues fetar në Shqipëri dhe ky ishte fakti kryesor ndikues në vendimmarrjen e Fuqive të Mëdha.

Princi Wied u lind më 26 mars 1876 në Neuwied am Rhein dhe i përkiste një prej familjeve më të vjetra të Evropës që kishte lidhje me familjet mbretërore të kohës. Ai ishte oficer i ushtrisë prusiane dhe deri para kandidimit të tij nuk kishte njohuri madje as mbi ekzistencën e popullit shqiptar.6 E ëma e princit ishte me origjinë holandeze, vet princi ishte kusheri i Kaizerit gjerman dhe nip i mbretëreshës rumune Elisabet, e cila e mbrojti dhe mbështeti kandidaturën e tij për fronin shqiptar. Mbi detajet e propozimit të tij si princ i Shqipërisë nuk dihen shumë hollësi, por është fakt i njohur se ishte dëshira e shprehur e mbretëreshës rumune, Ministrit të Jashtëm austriak Kont Berchtoldit që bëri zgjedhjen e tij në këtë fron. Ndrësa personalisht Kaizeri gjerman Wilhelm II ishte deri në momentin e fundit kundër kandidaturës së tij për fronin shqiptar. Meqenëse gjendja në Shqipëri ishte delikate, në fund të tetorit, princ Widi pranon këtë ofertë dhe më 1 nëntor bëhet shpallja e kandidtaturës së tij si princ i Shqipërisë.7
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Orfe@
V.I.P
V.I.P
Orfe@


Female
Numri i postimeve : 9104
Age : 114
Vendi : Ne zemer te njerit
Profesioni/Hobi : Bum - Bum bum !
Registration date : 26/03/2008

SUNDIMI I PRINCIT GJERMAN VILHELM VID NË SHQIPËRI Empty
MesazhTitulli: Re: SUNDIMI I PRINCIT GJERMAN VILHELM VID NË SHQIPËRI   SUNDIMI I PRINCIT GJERMAN VILHELM VID NË SHQIPËRI EmptySun Apr 20, 2008 4:48 pm

Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit dhe përpjekjet për minimin e shtetit

Shqiptarë nga lëvizja ”Vorio-epirote” në jug të Shqipërisë


Në fund të vitit 1913 dhe në fillim të vitit 1914, Shqipëria në pikëpamje politike ishte në një pozitë të mjeruar, sepse nuk kishte një qeverisje unike në gjithë vendin. Në të vërtet asokohe në Shqipëri sundonin shumë qeveri lokale qëllimi i të cilave ishte se si të pasuroheshin dhe për t´i siguruar vetes pozita në shtetin e ri. Përve Qeverisë legjitime të Vlorës e kryesuar nga Ismail Qemali, në Shqipëri vepronin edhe këto miniqeveri lokale: në Durrës nga 12 tetori 1913 vepronte ”pleqësia e Durrësit” e Esat Pashë Toptanit; në Orosh të Mirditës qeveriste Prenk Bib Doda; në Fier e Myzeqe sundonte qeveria e Aziz Pashë Vrionit; në Elbasan vepronte Aqif Pasha, në Lezhë e Shëngjin Dedë Coku e Vat Marashi; në Shkodër qeveriste një detashment i ushtrive ndërkombëtare nën kryesinë e kolonelit anglez Filips; në Himarë qeveriste agjenti grek Spiro Milo; në Gjirokastër qeveria e Jorgji Zografos; në Mat Ahmet Zogu dhe shumë grupe mercenarësh që vepronin përgjatë kufijve verilindorë si: Arif Hiqmeti, Jusuf Beu etj.8

Meqenëse Fuqitë e Mëdha caktuan princ Vidin për të qeverisur në Shqipëri, Qeveria e Vlorës me Ismail Qemailin në krye, dha pëlqimin për ardhjen e tij në vend. Për t´i hapur rrugë një zhvillimi të ri politik të Shqipërisë si dhe sigurisë së saj në të ardhmen, më 22 janar 1914, Ismail Qemali dha dorëheqjen dhe pushtetin ia dorëzoi Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit /KNK/. Pas dorëheqjes ai u largua nga shqipëria për në Zvicër, por nuk hoqi dorë kurrë nga përpjekjet në interes të vendit. Ato ditë KNK-ja administratën qendrore të Vlorës e shndërroi në një administratë lokale të varur prej tij dhe në vend të 8 ministrive u krijua një drejtori e përgjithshme dhe pesë degë me kompetenca të kufizuara.

Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit (KNK) i kërkoi edhe Esat Pashë Toptanit, që ta shpërndante "Pleqësinë e Durrësit”, dhe ai këtë e bëri më 12 shkurt 1914, pasi mori premtimin nga KNK-ja se më 21 shkurt do ta kryesonte delegacionin shqiptar në Gjermani, për t'i dhënë kurorën Princ Vidit në Kështjellën Neiwied në emër të shqiptarëve. Po kështu edhe qeveritë tjera lokale në shqipëri(përveç në jug të Shqipërisë),u shpërbënë njëra pas tjetrës dhe u detyruan ta njohin princ Vidin si të vetmin sundimtar të Shqipërisë.

Me përqëndrimin e administratës shtetërore shqiptare në duart e KNK-së, gjendja e brendshme e Shqipërisë nuk u përmirësua dot, përkundrazi ajo u keqësua edhe më tepër nga lëvizjet që po përgatiteshin brenda e jashtë vendit, kundër sovranitetit dhe tërësisë tokësore të saj, të cilat po minonin nga themelet ekzistencën e shtetit shqiptar. Ajo që kërcënonte shtetin shqiptar në fund të vitit 1913 dhe në fillim të vitit 1914, ishte lëvizja për autonominë e ”Vorio-Epirit” në Jug të Shqipërisë. Pas caktimit të kufirit shqiptaro-grek, me protokollin e Firencës më 17 dhjetor 1913, fuqitë e mëdha i kërkuan Greqisë t´i tërhiqte trupat e saj nga jugu i Shqipërisë. Kryeministri grek Elefter Venizellos në fund të dhjetorit, e kushtëzoi tërheqjen e ushtrisë me zgjidhjen e ishujve të Egjeut në favor të Greqisë. Për t´i kënaqur kërkesat e palës greke, më 13 shkurt 1914, Fuqitë e Mëdha i deklaruan Qeverisë greke me një notë kolektive se çështja e ishujve të Egjeut do të zgjidhet pozitivisht pasi të jenë larguar trupat e saj nga tokat shqiptare që përfshiheshin brenda kufijve të caktuar me protokollin e Firencës. Qeveria greke formalisht i pranoi këto kërkesa dhe nuk pushoi së bëri deklarata mashtruese se po merrte masa për të qetësuar ”Vorio-Epirin”.

Më 1 mars 1914 pasi u largua ushtria greke nga Korça aty u futën repartet e xhandarmërisë shqiptare dhe menjëherë u ngritë një administratë shqiptarë nën varësinë e KNK-së. Ndërsa Korça u bashkua me atëdheun, në krahinat tjera të jugut (Gjirokastër, Sarandë, Delvinë dhe në Përmetë) autoritetet greke, duke e shfrytëzuar mungesën e një qeverie të plotfuqishme shqiptare me qëllim që t´i jepnin një bazë ”të ligjshme” lëvizjes ”vorio-epirote”, më 2 mars në Gjirokastër organizuan një ”kongres epirot”, ku u shpall ”autonomia e Vorio-Epirit” me një ”qeveri të përkohshme” të kryesuar nga Jorgji Zografos, ndërkohë majori i ushtrisë greke himarioti Spiro Milo shpalli gjithashtu ”autonominë e Himarës” në një zonë që përfshinte 7 fshatra të bregdetit të banuar me shqiptarë.9 Në këto rrethana qeveria greke mendonte t´i përdorte këto krahina si një bazë për pushtimin, në kushte më të favorshme, të pjesës tjetër të Shqipërisë së Jugut.

SUNDIMI I PRINCIT GJERMAN VILHELM VID NË SHQIPËRI Qeveri10


Princ Vidi me kabinetin qeveritarë të Turhan Pashës
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Orfe@
V.I.P
V.I.P
Orfe@


Female
Numri i postimeve : 9104
Age : 114
Vendi : Ne zemer te njerit
Profesioni/Hobi : Bum - Bum bum !
Registration date : 26/03/2008

SUNDIMI I PRINCIT GJERMAN VILHELM VID NË SHQIPËRI Empty
MesazhTitulli: Re: SUNDIMI I PRINCIT GJERMAN VILHELM VID NË SHQIPËRI   SUNDIMI I PRINCIT GJERMAN VILHELM VID NË SHQIPËRI EmptySun Apr 20, 2008 4:52 pm

Ardhja e Princit Vilhelm Vid në Shqipëri


Pas një udhëtimi nëpër kryeqytetet evropiane për t´u njohur dhe promovuar si princ i Shqipërisë, Vidi niset për në Shqipëri dhe më 7 mars 1914 me anijen austriake ”Taurus” të shoqëruar edhe nga tri anije luftarake italiane, angleze dhe franceze, zbarkon në portin e Durrësit. Me këtë rast çifti princëror(Princ Vidi dhe princesha Sofia) u pritën “me brohoritje entuziaste nga popullsia, ndërsa të shtënat e mirseardhjes zbrazeshin nga porti” 10 . Në portin e Durrësit kishin ardhur edhe shumë përfaqësues shqiptarë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë me bindjen se ai do t´i realizonte aspiratat e shqiptarëve.

Për kryeqytet të Shqipërisë Princ Vidi zgjodhi pikërisht Durrësin, ku edhe kishte ndikim të fortë Esat Pashë Toptani. Akti i parë i Princ Vidit ishte emërimi i Esad Pashës Ministër lufte dhe si Kryegjeneral i Shqipërisë, gjë që sigurisht ishte një gabim fatal për te, për faktin se Toptani ishte i padëshirueshëm për bashkatdhetarët, gjë që emri i tij ngjalli pakënaqësi dhe përçmim në popull. Esat Pasha zyrtarisht deklaroi se e mirëpret caktimin e Vidit për princ të Shqipërisë, por fshehurazi vazhdoi tërë kohën, të nxiste lëvizjen për një princ mysliman në vend. Luftërat e brendshme dhe trysnitë e jashtme, mungesa e strategjive politike dhe e projekteve me frymëmarrje të gjerë diktojnë zgjedhje fatale për Princ Vidin. Për rrjedhim, më 17 mars Vidi, duke u mbështetur kryesisht te feudalët, formoi qeverinë e re shqiptare, në krye me Turhan Pashë Përmetin, një diplomat i vjetër që kishte qenë ambasador i perandorisë Osmane për 25 vjet rresht në Shën Pietërburg të Rusisë.

Kabinetin e tij qeveritarë e përbënin:

1. Esat Pashë Totani - Ministër i Luftës dhe i Punëve të Brendshme;

2. Aziz Pashë Vrioni - Ministër i Bujqësisë dhe i Tregtisë;

3. Myfit bej Libohova - Ministër i Drejtësisë dhe i Kultit;

4. Dr.Mehdi bej Frashëri - Ministër i Financave;

5. Hasan Bej Pristina - Ministër i Postë - Telegrafikeve;

6. Dr.Mihal Turtulli - Ministër i Arsimit;

7. Prenk Bib Doda - Ministër për Punët Botore.11

Regjimi i Vidit u sanksionua nga Statuti Organik i Shqipërisë, (ligji i parë themelor i shtetit shqiptar), i cili u përgatit nga KNK dhe bazohej kryesisht në vendimet themelore të marra nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër më 29 korrik 1913.

Sipas nenit 1 të këtij Statuti shqipëria shpallej: ”Principatë kushtetuese e pavarur dhe e trashëgueshme”, nën garancinë e Fuqive të Mëdha. Me nenin 2, Fuqitë e Mëdha garantonin gjithashtu tërësinë dhe paprekshmërinë e tokave të Shqipërisë në kufijtë që kishin caktuar ato. Me nenin 3 shteti shqiptar do të ishte asnjanës dhe kjo asnjanësi garantohej po nga Fuqitë e Mëdha. Sipas nenit 7 në fronin e Shqipërisë njihej me të drejta sovrane princi Vilhelm Vid, i cili ishte kryetar i administratës civile e ushtarake dhe kishte të drejtë të emronte Këshillin e Ministrave. Organi legjislativ i Shqipërisë ishte Asambleja kombëtare. Gjuhë zyrtare dhe e detyruar në shkolla ishte shqipja. Nga ana administrative, Shqipëria ndahej në 7 sanxhaqe (prefektura) të cilat ndaheshin në kaza (nënprefektura) dhe kazatë në nahije (komuna). Statuti Organik i Shqipërisë caktoi institucionet e larta të shtetit, përbërjen e forcave të armatosura, të administratës, të financave, të drejtësisë,të arsimit dhe garantonte ushtrimin e lirë të veprimtarisë ekonomike, shoqërore e politike.12
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Orfe@
V.I.P
V.I.P
Orfe@


Female
Numri i postimeve : 9104
Age : 114
Vendi : Ne zemer te njerit
Profesioni/Hobi : Bum - Bum bum !
Registration date : 26/03/2008

SUNDIMI I PRINCIT GJERMAN VILHELM VID NË SHQIPËRI Empty
MesazhTitulli: Re: SUNDIMI I PRINCIT GJERMAN VILHELM VID NË SHQIPËRI   SUNDIMI I PRINCIT GJERMAN VILHELM VID NË SHQIPËRI EmptySun Apr 20, 2008 4:52 pm

Bisedimet me qeverinë “vorio-epirote”


Me tu vendosur në fronin e Shqipërisë, princ Vidi u përpoq të zgjidhte problemin më urgjent dhe më të ndërlikuar të vendit, atë të largimit të trupave greke nga Shqipëria e jugut dhe të vendosjes së administratës shqiptare në këto vise. Por qysh në fillim ai tregoi se nuk ishte i vendosur të mbronte deri në fund, pa kompromis interesat e shtetit shqiptar. Për të zgjidhur këtë çështje ai hyri në bisedime me qeverinë ”vorio-epirote” të shpallur në Gjirokastër. Për këtë qëllim Vidi caktoi si komisar të jashtëzakonshëm për shqipërinë e Jugut oficerin holandez Tomson, i cili kishte ardhur në Shqipëri për të ristrukturuar xhandarmërinë shqiptare. Ky shkoi në Korfuz dhe më 10 mars zhvilloi bisedime me përfaqësuesin e ”vorio-epirotëve” Karapanon. Tomsoni, duke ditur se Fuqitë e Mëdha, KNK dhe vet princ Vidi nuk donin të kishin shumë kokëçarje, u premtoi grekëve disa të ”drejta të veçanta”për popullsinë e ”Epirit të Veriut”.

Kompromisi i Tomsonit ngjalli protesta të ashpra në rrethet patriotike shqiptare. Edhe qeveria e Durrësit e Turhan Pashës poashtu nuk e pranoi këtë kompromis, prandaj e shkarkoi Tomsonin nga detyra e komisarit dhe u shpreh kundër çdo lloj autonomie për krahinat e jugut. Në këto rrethana trupat greke për t´i realizuar planet e veta (pasi ishin tërhequr nga Korça më 1 mars) natën duke gdhirë 2 prilli 1914 bënë një komplot të armatosur më qëllim të pushtimit të Korçës.13 Mirëpo xhandarmëria shqiptare nën komandën e majorit holandez G.Sneller dhe korpusi i vullnetarëve me qindra fshatarë nën udhëheqjen e Themistokli Gërmenjit, ndërhynë shpejt dhe brenda një kohe të shkurtër e shtypën puçin e komplotistëve grek.

Repartet e xhandarmërisë shqiptare më pas vazhduan marshimin e tyre për të marrë në dorëzim Kolonjën, Leskovikun, Ersekun etj. Dështimi i puçit të Korçës, vendosmëria e forcave shqiptare për të kundërshtuar çdo veprim shovinist e antishqiptar si dhe qëndrimi i ftohtë i Fuqive të Mëdha ndaj planeve aneksioniste greke që shkelnin edhe vendimet e Londrës, e bindën më në fund qeverinë greke dhe Jorgji Zografin, se nuk ishte e lehtë të sigurohej ”autonomia” e plotë e krahinave jugore. Prandaj ata fuqive të mëdha u paraqitën kërkesa më të zbutura, duke pranuar tani autonominë e Korçës dhe të Gjirokastrës pa i shkëputur ato nga Shqipëria, por me kusht që të administrohen nga një governator me origjinë të huaj, xhandarmëria të formohej nga popullsia vendase nën komandën e oficerëve grekë me origjinë ”epirote” etj. Në të vërtet qeveria greke e bëri këtë për të fituar kohë në përpjekjet e saj për pushtimin e Shqipërisë jugore.

Qeveria shqiptare e Durrësit i hodhi poshtë këto kërkesa dhe për më tepër ajo mori vendim që të organizoheshin sa më parë reparte të reja të armatosura për të dëbuar nga krahinat e jugut pushtuesit grekë dhe për të vendosur atje administratën shqiptare. Ndonëse përballë aleancave politike ushtarake evropiane (Antantës dhe Bllokut Qëndror) Greqia mbante ende një qëndrim të papërcaktuar, ajo përkdhelej nga të dy palët sepse ato lakmonin pozitën e saj strategjike.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Orfe@
V.I.P
V.I.P
Orfe@


Female
Numri i postimeve : 9104
Age : 114
Vendi : Ne zemer te njerit
Profesioni/Hobi : Bum - Bum bum !
Registration date : 26/03/2008

SUNDIMI I PRINCIT GJERMAN VILHELM VID NË SHQIPËRI Empty
MesazhTitulli: Re: SUNDIMI I PRINCIT GJERMAN VILHELM VID NË SHQIPËRI   SUNDIMI I PRINCIT GJERMAN VILHELM VID NË SHQIPËRI EmptySun Apr 20, 2008 4:53 pm

Marrëveshja e Korfuzit dhe interesat italiane për Vlorën


Më 24 prill 1914 fuqitë e mëdha njoftuan Venizellosin se ishin të gatshme t´u bënin lëshime ”vorio-epirotëve” dhe se mund të pranonin rishikimin e kufirit greko-shqiptar në favor të Greqisë. E ndodhur nën një presion të gjithanshëm, qeveria shqiptare u detyrua më në fund, më 5 maj, t´ia besonte KNK-së zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-grek. Siç duket KNK-ja asokohe luante rolin e një qeverie paralele me atë të qeverisë së Turhan Pashës. Bisedimet ndërmjet KNK-së dhe përfaqësuesve ”vorio-epirot” u mbajtën në Korfuz. Ato filluan më 10 maj dhe përfunduan më 17 maj me nënshkrimin e një protokolli që u quajt ”Protokolli i Korfuzit”

Nga pala shqiptare si delegat i KNK-së në këto bisedime ishte caktuar Mehdi Frashëri. z.Frashëri lidhur me zanafillën dhe negociatat për këtë çështje problemore shkruan në një letër të datës 31 janar 1960 dërguar mbretit Ahmet Zogu.Ai ndër të tjera thotë:

“Në Konferencën e Londrës më 1913, me qenë se ishte vendosur që Korça e Gjirokastra t'i mbeteshin Shqipërisë, Greqia nuk mund t'i sulmonte hapur këto dy prefektura, të cilat i quante Epiri i Veriut. Prandaj ajo kërkonte që indirekt të gjente një shkak që këto vende fillimisht t'i bënte autonome, dhe më vonë, në një fazë të dytë, t'i aneksonte. Për këtë qëllim, guvernatori grek i Janinës mendonte që derisa ishin trupat greke atje, të shtynte të krishterët ortodoksë të asaj krahine në formën e një xhandarmërie kryengritëse, që kur të tërhiqeshin trupat greke, vendin e tyre ta zinte xhandarmëria, e cila do të luftonte me xhandarmërinë shqiptare po të shkonte ajo atje. Kjo fuqi kryengritëse me shpirt grek kishte nevojë për një qeveri që ta quante veten epiriote. Kështu, një person i quajtur Gjergj Zografi, i biri i Kristaq efendiut, nga Lunxhëria e Gjirokastrës, me të kunatin e tij, Karapanon, dhe një oficer grek me origjinë shqiptare i quajtur Dhulis, formoi një qeveri autonome të Epirit të Veriut (Shqipërisë së Jugut).

Në këtë kohë popullsia myslimane e këtyre dy prefekturave shqiptare i hapi luftë xhandarmërisë epiriote. Nisur nga fakti se fuqia e xhandarmërisë shqiptare ishte e pamjaftueshme dhe popullsia myslimane nuk ishte e organizuar, xhandarmëria epiriote filloj të digjte katundet myslimane, për të detyruar atë popullsi që të linte vendin dhe aty të mbeteshin vetëm ortodoksët. Për këtë ngjarje, qeveria e Princ Vidit me kryetar Turhan Pashën u detyrua t'i drejtohej Komisionit Ndërkombëtar që përbëhej prej delegatëve të gjashtë fuqive të mëdha, ku bënin pjesë: Britania e Madhe, Franca, Italia, Gjermania, Austria dhe Rusia. Për të bashkëpunuar me këtë komision, nga ana e Shqipërisë ishte caktuar si delegat Mehdi Frashëri. Në këtë kohë, në Shqipërinë e Mesme pjesa fanatike myslimane filloi një lëvizje në favor të Turqisë, me parullën: "Duam Baba Dovletin". Nisur nga kjo gjë, Qeveria e Princ Vidit mbeti në një pozitë shumë të vështirë, pasi fanatikët myslimanë kërkonin në vendin e Princ Vidit një princ nga Turqia. Pas kësaj Komisioni i Kontrollit Ndërkombëtar lajmëroi Zografon se do të vinte në Korfuz dhe do të bisedonte me qeverinë epiriote.

Në mbledhjen e Korfuzit delegatin shqiptar nuk e mbështeti asnjë nga fuqitë e mëdha, në mënyrë që ai ta detyronte Komisionin e Kontrollit për të marrë vendime në interes të Shqipërisë. Si rezultat i kësaj, Komisioni Ndërkombëtar vendosi që prefekturat e Korçës e Gjirokastrës të formonin një qeveri autonome nën juridiksionin e qeverisë shqiptare, ku oficerët e xhandarmërisë së Epirit Autonom do të përbëheshin prej oficerësh grekë, me qenë se ortodoksët shqiptarë të vendit në kohën e Turqisë nuk kishin pasur oficerë. Kisha ortodokse e vendit do të drejtohej prej klerit grek të emëruar prej Patriarkanës së Stambollit. Gjuha e mësimit nëpër shkolla të veçanta të ortodoksëve do të ishte greqishtja. Siç shihet, të gjitha këto masa parashikonin greqizimin e një pjese të madhe të Shqipërisë së Jugut. Pas kësaj, vendimet e Konferencës së Korfuzit iu paraqitën Konferencës së Ambasadorëve në Paris për t'u miratuar. Në këtë kohë qeveria epiriote e Zografos kishte bërë një pakt me myslimanët fanatikë të Shqipërisë së Mesme, gjë e cila e detyroi Princ Vidin të largohej nga Shqipëria. Në këtë kohë epiriotët e thyen armëpushimin që ishte lidhur midis fuqisë shqiptare dhe tyre, dhe vendin e qeverisë epiriote të Zografos, siç edhe parashikohej, e zuri Greqia. Këto ngjarje përkuan me fillimin Luftës së Parë Botërore.“14

Siç vihet në dukje, në këtë protokoll parashikohej që dy prefekturat në jug të Shqipërisë, ajo e Korçës dhe e Gjirokastrës, ndonëse formalisht do të bënin pjesë në shtetin shqiptar, do të kishin një administratë më vete pothuajse autonome, organizimi i së cilës i lihej në dorë Këshillit Ndërkombëtar të Kontrollit. Protokolli i Korfuzit sanksiononte në fakt ndarjen e Shqipërisë Veriore dhe të Mesme nga ajo e Jugut. KNK-ja pranoi gjithashtu edhe kërkesën e Spiro Milos për t´i njohur krahinës së Himarës, në një zonë që shtrihej tani në 14 fshatra të bregdetit të Jonit.

Meqenëse Italia luftoi energjikisht për arritjen e marrëveshjes së Korfuzit, për shkak të interesave të veta në Vlorë, Venizellua e kënaqi kërkesën e saj duke i paraqitur parlamentit grek më 18 maj, projektligjin mbi lëshimin e Sazanit shtetit shqiptar dhe ky projektligj u miratua më 27 maj. Protokolli i Korfuzit do të fuqizohej pasi të ratifikohej nga qeveria shqiptare (më 23 qershor 1914) dhe nga qeveria ”vorio-epirote” si dhe pasi të miratohej formalisht nga gjashtë fuqitë e Mëdha. Njoftimi mbi nënshkrimin e marrëveshjes së Korfuzit e cila ishte plotësisht në kundërshtim me Statutin Organik të Shqipërisë dhe shkelte hapur sovranitetin e shtetit shqiptar, shkaktoi një indinjatë të thellë në tërë Shqipërinë.15

 
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Orfe@
V.I.P
V.I.P
Orfe@


Female
Numri i postimeve : 9104
Age : 114
Vendi : Ne zemer te njerit
Profesioni/Hobi : Bum - Bum bum !
Registration date : 26/03/2008

SUNDIMI I PRINCIT GJERMAN VILHELM VID NË SHQIPËRI Empty
MesazhTitulli: Re: SUNDIMI I PRINCIT GJERMAN VILHELM VID NË SHQIPËRI   SUNDIMI I PRINCIT GJERMAN VILHELM VID NË SHQIPËRI EmptySun Apr 20, 2008 4:53 pm

Shpërthimi i kryengritjes në Shqipërinë e Mesme


Në këto rrethana gjendja e brendshme e Shqipërisë u ndërlikua shumë edhe nga shpërthimi i kryengritjes së armatosur në Shqipërinë e Mesme, kundër regjimit të Vidit. Në të vërtet kreu i kryengritësve ishte i larmishëm. Në të u rreshtuan ithtarë të ndryshëm si: partizanët e një princi mysliman, antividistët, xhonturqit, panturkistët apo panislamistët siç u quajtën ndryshe antifeudalët. Pas këtij koalicioni laraman qëndronin qarqe të huaja serbe, franceze, ruse, greke, turke, italiane, të cilat ishin të interesuar për një gjendje sa më kaotike në Shqipëri. Pra bartësit kryesor të së keqes në Shqipëri në atëkohë qenë reaksioni feudal proserb, progrek, proitalian i udhëhequr nga Esat Pashë Toptani, reaksioni grekoman i udhëhequr nga peshkopët grekë (Jakovi e Germanos) J.Zografos, Spiro Milo etj, reaksioni turkoman i kryesuar nga myftiu i Tiranës Musa Qazimi etj.

Kryengritja e Shqipërisë së Mesme ose e rebelëve, siç u quajt ndryshe, filloi në rrethin e Tiranës. Më 17 maj 1914 u sulmua te ura e Limuthit afër Tiranës batalioni i vullnetarëve tiranas që ishte nisur në drejtim të Durrësit për të shkuar në jug, në frontin kundër shovinistëve grek. Pasi shpartalluan batalionin e vullnetarëve kryengritësit hynë në Tiranë. Të nesërmen grumbuj fshatarësh të armatosur zunë Shijakun dhe iu drejtuan Durrësit, mirëpo në hyrje të qytetit hasën në rezistencë të forcave qeveritare të Vidit. Drejtuesit e kryengritjes me këtë rast dolën hapur kundër princ Vidit dhe kërkuan një princ turk.16

Për vendosjen e një princi mysliman prej kohësh angazhohej edhe Esat Pashë Toptani. Ai edhe pse kishte dy ministri më të rëndësishme në qeverinë e Durrësit, me kohë u shpërndau armë mercenarëve të vet kinse për t´iu bërë ballë fqinjëve, ndërsa fshehtas propagandonte nëpërmjet njerëzve të vet kundër V.Vidit, duke i këshilluar ”me kërkue një mbret prej Stambollit, me qëllim që këto pështjellime e trazime t´i sillnin fitim për ta shtënë në dorë pushtetin” .17

Qeveritarët në oborrin e princit në kohën kur po përballeshin me sulmet e kryengritësve, duke menduar se prapa kërkesave të kryengritësve qëndronte Esat Pasha, më 19 maj 1914 organizuan xhandarmërinë e Durrësit dhe e arrestuan atë në shtëpinë e tij. Goditja kundër Esat Toptanit u konsiderua nga Italia si një grusht që i jepej ndikimit të Romës në Shqipëri. Brenda qeverisë dominonte mendimi që E.Toptani duhej të gjykohej, mirëpo princi atë as nuk e denoi as nuk e nxori të pafajshëm, gjë që u indinjoi shumë besnikët e tij. Pas ndërhyrjes energjike të ministrit italian në Durrës, baronit Alioti, Vidi ia dorëzoi E.Toptanin legatës italiane e cila e mori me një luftanije dhe e dërgoi në Itali. Para se të largohej nga Shqipëria, Esati firmosi një premtim se ai nuk do të kthehej më në shqipëri dhe se nuk do të përzihej më në politikën shqiptare ose në intrigat kundër fronit, mirëpo ai nuk do ta mbajë premtimin e dhënë.18

Pas largimit të Esatit pasuan ndryshime në qeverin e Vidit. Disa ministra më 22 maj dhanë dorëheqje nga postet e tyre ministrore me arsyetimin se”nuk durojnë të përdoren më si kukulla në duar të oficerëve holandezë dhe të marrin përsipër gabimet trashanike dhe keqbërjet e tyre”.19

1. Turhan Pasha sërish mbeti kryeministër;

2. Preng Bib Doda-ministër i punëve të Jashtme;

3. Aqif Pashë Elbasani-Ministër i Brendshëm dhe i Luftës;

4. Filip Noga-Ministër i Financave;

5. Dr.Mihal Turtulli-Ministër i Arsimit;

6. Mithat Frashëri-Ministër i Punëve Botore dhe i Postë-telegrafave dhe

7. Abdi Toptani-Ministër i Bujqësisë.20

Edhe pse largimi i Esat Pashës u konsiderua si një fitore e madhe, kryengritja e nisur nuk u ndërpre dot, zjarri i kryengritjes u përhap edhe në krahinat tjera.

Duke shfrytëzuar sukseset e kryengritjes, krerët e saj me 3 qershor 1914 në Shijak organizuan një mbledhje, ku u zgjodh ” Këshilli i Parë i Përgjithshëm” me këtë përbërje: Mustafa Ndroqi-kryetar; Xhenabi Adili.-nënkryetar, Musa Qazimi-anëtarë etj, dhe Qamil Haxhi Feza-u emrua komandant i përgjithshëm i kryengritësve. Në këtë mbledhje u miratua edhe një program politik thellësisht antikombëtar, që iu paraqit përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha në KNK. Programi përmbante kërkesa për largimin e princ Vidit, për kthimin e Shqipërisë nën administrimin Turk ose sjelljen e një princi turk të varur nga Sulltani, për ngritjen e flamurit të Turqisë, për përdorimin e alfabetit turko-arab në gjuhën shqipe, zgjedhjen e kryemyftiut të Shqipërisë nga Sheih-ul-Islami i stambollit etj.21

Kryengritësit edhe pas disa përpjekjeve për ta shtirë në dorë Durrësin nuk patën sukses, andaj iu drejtuan qyteteve tjera dhe gjatë muajit qershor ata morën Kavajën, Krujën, Peqinin dhe Elbasanin. Mbas pushtimit të Elbasanit, Qermenika, Quksi dhe Mokra, njëra pas tjetrës bashkohen me kryengritësit, kurse në veri ata u shtrinë deri në Milot, buzë lumit Mat. Më 15 qershor 1914 vritet koloneli hollandez Tomson dhe me këtë rast u therën qindra njerëz në kënetë.22 Në fillim të korrikut kryengritësit marshuan drejt jugut dhe brenda pakë ditëve morën Lushnjën, Fierin, Beratin dhe nga lindja arritën deri në Pogradec, ku aty më 11 korrik nënshkruan edhe një marrëveshje të përkohshme me “vorio-epirotët” të cilët ato ditë kishin pushtuar Kolonjën, Korçën,Tepelenën dhe kishin arritur deri në Berat.23

 
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Orfe@
V.I.P
V.I.P
Orfe@


Female
Numri i postimeve : 9104
Age : 114
Vendi : Ne zemer te njerit
Profesioni/Hobi : Bum - Bum bum !
Registration date : 26/03/2008

SUNDIMI I PRINCIT GJERMAN VILHELM VID NË SHQIPËRI Empty
MesazhTitulli: Re: SUNDIMI I PRINCIT GJERMAN VILHELM VID NË SHQIPËRI   SUNDIMI I PRINCIT GJERMAN VILHELM VID NË SHQIPËRI EmptySun Apr 20, 2008 4:53 pm

Largimi i princit Vilhelm Vid nga Shqipëria


Duke e ndjerë rrezikun nga sukseset e kryengritësve, princ Vidi bëri thirrje për ndihma nga të gjitha anët, por vetëm nga veriu mundën të vinin disa forca të pakta, ndërsa Shqipëria e jugut duke qenë përballë ndjekjeve, mizorive e shpërnguljeve nga forcat greke, nuk mundi të jepte ndihmë. Për rrjedhojë, në fund të korrikut 1914 dhe në pragun e shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, Shqipëria ishte në gjendje të rëndë politike.

Pushteti i qeverisë Shqiptare tashmë ishte kufizuar vetëm në Durrës e në Vlorë ( deri më 1 shtator kur ajo ra në duart e kryengritësve ); në Shqipërinë e Mesme shtrihej pushteti i kryengritësve; viset e jugut ndodheshin nën shtypjen e forcave greke, krahinat e verilindjes nën presionin e vazhdueshëm të serbëve, ndërsa Shkodra ndodhej nën administrimin e forcave ndërkombëtare.

Princ Vidi bëri përpjekjen e fundit për të shpëtuar qeverisjen e tij. Ai iu drejtua edhe Fuqive të Mëdha me kërkesën për të zbatuar zotimin që kishin marrë në Konferencën e Londrës për të garantuar bashkërisht pavarësinë dhe sovranitetin e Shqipërisë dhe për këtë qëllim kërkoi formimin prej tyre të një force ndërkombëtare prej 3 mijë vetësh për të shtypur kryengritjen. Por Fuqitë e Mëdha duke qenë në konflikt me njëra-tjetrën, premtuan se do të ndihmonin për të shpëtuar vetëm jetën e princit dhe të familjes së tij por jo edhe intervenimin ushtarak atje.

Në këto rrethana, kur edhe kishte filluar lufta e parë botërore, princ Vidi u detyrua të largohej nga Shqipëria, më 3 shtator 1914 pas plot 181 ditësh sundimi të pasuksesshëm.

Vilhelm Vidi dhe suita e tij e lanë Durrësin në orën 8 të mëngjesit dhe me anijen italiane të luftës ”Mizurati” niset për në Veneci të Italisë. Së bashku me të u larguan edhe ministrat e qeverisë, anëtarë të tjerë të oborrit mbretëror si dhe udhëheqës të lëvizjes patriotike shqiptare, të cilët u vendosën pjesërisht në Shkodër e një pjesë kaloi në vende të ndryshme të Evropës. Menjëherë pas largimit të V.Vidit, më 5 shtator në Durrës hynë kryengritësit dhe aty u vendos selia e ”këshillit të përgjithshëm”.24

Aktet ndërkombëtare të viteve 1913-14 kishin caktuar pozitën neutrale të Shqipërisë dhe garancinë e Fuqive të Mëdha për këtë statut të saj. Megjithatë Shqipëria u përfshi në planet ushtarako-strategjike të fuqive ndërluftuese, veçanërisht të Austro-Hungarisë e Italisë dhe të shteteve fqinje: Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë dhe Greqisë, të cilat që nga tetori 1912 nuk rreshtnin përpjekjet për ta coptuar atë.

 
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Orfe@
V.I.P
V.I.P
Orfe@


Female
Numri i postimeve : 9104
Age : 114
Vendi : Ne zemer te njerit
Profesioni/Hobi : Bum - Bum bum !
Registration date : 26/03/2008

SUNDIMI I PRINCIT GJERMAN VILHELM VID NË SHQIPËRI Empty
MesazhTitulli: Re: SUNDIMI I PRINCIT GJERMAN VILHELM VID NË SHQIPËRI   SUNDIMI I PRINCIT GJERMAN VILHELM VID NË SHQIPËRI EmptySun Apr 20, 2008 4:54 pm

Cilat ishin ankesat e princit Vilhelm Vid, që sollën dështimin

e misionit të tij në Shqipëri?


Princi gjerman Vilhelm Vid, në kujtimet e tij, të botuara për herë të parë në gazetën “Klan”, Tiranë 1999, me titull: ”Si ma nxiu jetën Shqipëria”, për dështimin e misionit të tij në Shqipëri bën këto ankesa:


- Mungesa e ushtrisë, pra e themelit të çdo vendi...;

- Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit(KNK) përbënte për mua një tjetër qeveri paralele;

- Antagonizmi mes Fuqive të Mëdha ishte fare i hapur. Kjo pengoi edhe fiksimin e drejtë të kufijve të Shqipërisë;

- Fqinjtë serbë, malaziasë, dhe grekë nuk rreshtnin së sulmuari teritoret e lakmuara prej tyre dhe vazhdonin t´i plaçkisnin ato;

- Përpjekjet e shqiptarëve për t´i dalë zot vendit pengoheshin nga politika e Italisë, Serbisë dhe Greqisë;

- Nga këto interesa lindi edhe kryengritja në Shqipërinë e Mesme;

- Esati (Toptani) tradhtari i Shqipërisë dhe agjent i Italisë, nuk u përzu me kohë, pra para mbërritjes sime në vend;

- Xhandarmëria shqiptare ishte tepër e re dhe e vogël për të mbajtur rendin në vend;

- Territore të tëra të pasura të Shqipërisë, ranë në dorë të Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë;

- Mungonin kushtetuta dhe ligjet, mungonin zyrtarët e arsimuar për të gjitha degët e një administrate të rregullt;

- Mungonin fondet për zhvillimin e bujqësisë dhe të industrisë;

- Mungesa e parave më la pa mundësi për të luftuar me sukses kryengritësit, pas fillimit të luftës (së parë) botërore.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Sponsored content





SUNDIMI I PRINCIT GJERMAN VILHELM VID NË SHQIPËRI Empty
MesazhTitulli: Re: SUNDIMI I PRINCIT GJERMAN VILHELM VID NË SHQIPËRI   SUNDIMI I PRINCIT GJERMAN VILHELM VID NË SHQIPËRI Empty

Mbrapsht në krye Shko poshtë
 
SUNDIMI I PRINCIT GJERMAN VILHELM VID NË SHQIPËRI
Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1
 Similar topics
-
» Sundimi Romak
» Shqiperi e Madhe apo...
» Futbollisti gjerman: Islami ndryshoi jetën time
» Përmbledhje poezishë nga Poet të ndryshëm.
» Shqiperi apo Albani?

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Bashkimi Kombëtar :: Shqiptarët :: Histori-
Kërce tek: