- Beton shkruajti:
SHOT GALICA:(Qerime Galica 1895 - 1927)
Luftetare e shquar e çetave kryengritese kosovare per çlirimin bashkimin kombetar te te gjitha viseve shqiptare dhe per nje regjim shtetrore demokratik,ne Shqipri.Heroni e popullit pa perfilluar terorin e armikut dhe ligjet e ashpra te fese e te kanunit luftoi heroikishte per 12 vjet kunder pushtuesve serbe,austrohungarez,e bullgar.
Shot e Galica mori pjes ne me shume se 40 aksione te rendesishme kunder armikut.Kundershtoi ne konsekuaence politike e dhunes e te terrorit te regjimit shovenist te Beogradit ndaj popullesis shqiptare shpronesimin e shpernguljen e saj kololizimin sllave te trevave shqiptare Me 1919 mori pjes ne Kryengritjen e Rrafshite te Dugagjinit ndersa me 1922-1923 luftoi per ''zonen e mbrojtjes Neutrale'' te Junikut e cila sherbente si baze per kryengritjen e Kosoves e te Malsise.
Ne Korrike 1924 mori pjes ne mbrotjen e zones se lire te Drenices (Arbanis se Vogel).Ne korrik 1924 pas vdekjes se te shoqite Azem Galices,vazhdoi luftimet ne krye te çetes se tij.Se bashku me qindra luftetar te Kosoves ne dhjetor te te 1924 luftoi kunder ushtrive intervesioniste serbe e bjellogardiste dhe menceranve te Amet Zogut.
Humbi ne luftime ose nga masakrat e shovenisteve serbe 22 antare te familjes.
Nga fundi i vitit 1926 Shot Galica u vendos ne Shqipri,ku vdiq ne Fushe-Kruje e braktisur nga regjimi zogist.
Shote Galica në letërsinë shqiptare
Historia jonë është përplot
data dhe ngjarje, në të
cilat, krahas burrave,
morën pjesë edhe gratë shqiptare. Ato me forcën dhe fuqinë e vet, kur kërkohej mbrojtja e atdheut, nuk i përfillnin zakonet e vjetra dhe kanunet e mykura, por dilnin maleve, përkrah vëllait, burrit apo djalit dhe luftonin për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Pjesëmarrja e tyre në beteja tregon se luftërat tona ishin të drejta dhe çlirimtare. Këtë e vërteton edhe thënia e Sami Frashërit: "Në cilën anë të luftës sheh se gratë kanë rrokur armët, mos dysho në të drejtën që ka ajo anë, sepse gruaja nuk i kap armët pa qenë gjendja e padurueshme".
Në mesin e gjithë atyre grave e vajzave shqiptare, që bën emër në histori, qëndron si një kurorë lavdie NUSJA E MALEVE, Heroina e Popullit, amazonja shqiptare, Qerime Halil Radisheva, e skalitur në faqet e historisë me emrin SHOTË GALICA (1895 - 1927).
Shota u lind më 1895 në Radishevën heroike. Vajzën topolake, te vetmen motër midis gjashtë vëllezërve, e pagëzuan Qerime, por nga dashuria e thërrisnin SHOTË. Ky emër përkëdhelës dalëngadalë do ta zëvendësojë emrin e saj të vërtetë dhe do të mbetet i shkruar me shkronja të arta në altarin e pavdekësisë.
Më 1912, Azemi e Shota fejohen. Mirëpo koha rodhi ndryshe. Trimi po vuante në burgjet e Serbisë, ndërsa Vasha po e përgatiste pajën e nusërisë. Dhe, një ditë u thyen dyert e burgjeve, u vranë rojat, u kapiten malet dhe Trimi u gjend në Radishevë. Ishte fundi i vitit 1915. Shota, shpejt e shpejt, u bë gati, lidhi gërshetat, e vuri plisin e bardhë në kokë dhe e futi nagantin në brez. Trimi dhe Vasha, hipur mbi kuaj e të përcjellë nga bashkëluftëtarët vajtën në Galicë e prej andej në male.
Dalja e Shotës në mal, e veshur si burrë, kishte rëndësi të dyfishtë: e luftonte armikun, që ua kishte marrë lirinë dhe, në anën tjetër, i luftonte zakonet prapanike, të cilat femrën shqiptare e kishin robëruar dyfish
Krahas luftës me armë, Shota e çmonte edhe luftën me penë. Ajo thoshte: "Shtylla e kombit është shkolla në gjuhën e nënës". Shoqërohej shumë me Igballe Prishtinën dhe librat që ua sillte Hasani nga mërgimi i shpërndanin në popull. Edhe vetë sa ishe në "Zonën Neutrale të Junikut" e kishte mësuar shkrim-leximin nga mësuesi patriot Nimon Ferizi.
Shotë Galica nuk iu nda burrit deri në vdekje. Pas varrosjes së tij në thellësinë e shpellës Çuku që kërcet (73 m), Çetën do ta kryesoj Shota, e cila zhvilloi edhe disa beteja fitimtare.
Pas betejës së fundit në Llaushë, në vjeshtën e vitit 1926, ku edhe plagoset rëndë, ajo me disa fëmijë të shokëve të vrarë, niset për në Shqipëri. Në fillim u vendos në Shullaz e më vonë në Derven të Fushë-Krujës, në një shtëpi përdhese. Plaga e rëndë, mërzia për Kosovën e robëruar e të lënë në mjerim, dhembja për jetimët kosovarë, që po hiqnin të zitë e ullirit e dobësuan shumë. Gishtat e dorës së djathtë ia prenë mjekët se iu kishin ngrirë nëpër male duke e mbajtur pushkën. Mezi e siguronte kafshatën e bukës për vete dhe për jetimët që i rriste. Nga skamja u detyrua ta shes edhe pasurinë e fundit që e kishte, kalin e Azemit.
Më 10 korrik 1927, në moshën 32-vjeçare, në gjendje të mjerueshme, i mbyll sytë njëherë e përgjithmonë heroina shqiptare Shotë Galica. Varrimi i saj në Fushë- Krujë, nuk u bë në heshtje, siç dëshironte qeveria e Ahmet Zogut. Në përcjelljen e saj të fundit erdhën shumë njerëz nga rrethe të ndryshme.
Në vitin 1962, Shteti Shqiptar ia ngriti lapidarin në Fushë-Krujë duke e nderuar edhe me titullin e lartë HEROINË E POPULLIT.
As në Kosovën martire kujtimi për këtë heroinë nuk u shua kurrë. Por, edhe sot e kësaj dite, urimi më i dashur që u bëhet vajzave kosovare është t'u thuash "U BËFSH SI SHOTË GALICA!"
Francezët e pagëzuan "Zhan d'Arka shqiptare" që më 1920 kur e panë foton e saj në fonotekën e Kel Marubit në Shkodër.
* * *
Heroina Shotë Galica mbetet simbol i qëndresës së femrës shqiptare për të gjitha kohët. Ajo, me trimërinë e saj, frymëzoi dhe cyti të gjitha mendjet krijuese. Kështu, për të u thurën këngë, u skalitën lapidarë, u hartuan poezi, u shkruan tregime, romane e drama.
Meqë tema është e gjer dhe, fillimisht më takonte t'i them ca fjalë për jetën dhe veprimtarinë e saj luftarake, punimi më doli i gjatë, por, me qëllim që t'u lë hapësirë referuesve të tjerë, do të lexoj shkurt.
Si përherë, përmendoren e parë dhe më të bukurën ia bëri krijuesi popullor me vargjet e tij brilante. "Ajo pasqyrohet këtu, ndër të tjera, me vlera kulminante të së bukures dhe të së moralshmes kombëtare historike"(Dr. Ilaz Metaj: Shotë Galica- Heroinë e Kombit, Prishtinë, 2003, f. 246).
Kënga thotë:
N'Drenicë lindi nji trimëreshë,
E ka lind nana me armë ngjeshë,
N'kapuç t'bardhë e n'tirq të zi
Boll e bukur me pa me sy.
Që ditën kur ajo bashkohet me Azemin, lidhje kjo që simbolizon unitetin dhe bashkimin kombëtar të të dy gjinive në luftë për çlirim kombëtar, krijuesi popullor e cilëson si bashkim të dy luanëve, duke e quajtur Nuse të luftës, emër ky që do ta përcjell deri në amshim:
Mëngjes i bardhë, në të ague
Nuse Shota n'luftë ka shkue.
Hoqi unaza e jelek,
Ngjeshi gjerdanin me fishekë.
Mbete ti Nuse e Luftës.
Trimëria dhe heroizmi i saj pasqyrohet në shumë këngë, por pa u thelluar në to, nuk mund ta kapërcejmë atë që flet për vrasjen e naçallnikut të Mitrovicës, më 1921, kur ia numëron plumbat në ballë:
Naçallnik, he fytyrzi/Boll ke dalë shpi për shpi/Boll me gra ke ba mahi/Ke vra fëmi tuj pi n'gji/Tash po sheh grua me sy/e djeg veten të vret ty./Rreptë po qet Shota allti
Duken n'tokë e ka shtri.
Kjo heroinë del edhe me emra të tjerë, si: Kreshnike, Dada Shotë, Burrë mbi burra etj.
* * *
Edhe poetët e poeteshat tona ia kushtuan vargjet më të bukura kësaj heroine. Në to, Shotë Galica, del luftëtare e paepur, që here- herë ua kalonte edhe burrave. Pena e tyre nuk është lodhur shumë për bukurinë e saj fizike, por më tepër për atë shpirtërore, luftarake e kombëtare. "Fytyra e gruas zbehet dhe zhbëhet para portretit të bashkëluftëtares"- konstaton Sala Ahmeti (Shotë Galica- Heroinë e Kombit, Prishtinë, 2003, f. 101).
Epitetit Nuse e luftës që ia dha këngëtari popullor nuk kanë mundur t'i largohen as poetët. Kështu, Dritë Azemi-Kelmendi, shkruan:
A e mban mend Qyqavicë plakë?
Nusen e Maleve mbi kalë
A të kujtohet moj Galicë?
usja trime në Drenicë…
Ndërkaq poeti Zeqir Gërvalla do të thotë:
Azemi - sokol djali
Burrë me Besë e Trimëri
Shota - Nuse Mali
Rreze mbi Arbëri
Përafërsisht kështu shkruan edhe poeti Agim Gjakova :
Shotë, ata s'të kishin pa
As vajzë, as nuse
As grua, as burrë.
Të panë me pushkë.
Edhe atdhetari, Abdyl Krasniqi, shprehet kështu:
Kush ta bëri dasmën malit?
Azem Bejta pika e djalit!
Kush ta dhuroi xhamadanin?
Kush ta dha jataganin?
Azem Bejta ai shkëmb mali!
Poeti tjetër, Nuhi Potoku, përmes këtyre dy figurave kombëtare personifikon bashkimin e trojeve tona dhe në fund edhe katandisjen e heroinës në mjerim marramendës:
Gjëmë kanë malet nuk hesht Drenica,
I ka bashkuar çetat Azem Galica
Herë bëhet Kosovë herë Arbëri
Nuse bëhet Shota në secilën shtëpi
Ç'të mori shpella Nuse Shotë Galica
Gjithë nusërinë ta përtëriu Drenica
Po ajo plagë pa bukë pa ujë
Gjëmë e madhe jotja doli në Fushë- Krujë.
Se Shota nuk ishte hyjnore, por një trimëreshë e lindur në trojet tona të nëpërkëmbura nga barbarët, tregojnë edhe vargjet e Vasil KOÇIT:
S'ke lindur nga përrallat, nga legjendat/as nga hyjnitë mitologjike,/të lindën hallet, vuajtjet, brengat dhe koha jote e madhe epike.
Miëpo, Azemi dhe Shota ishin unikat, të papërsëritshëm apo siç thotë Hasan Hasani "Ishin dy Shqiponja që njëherë i ka shkrepur rrufeja". Ose siç shkruan poeti tjetër, Rustem Bajraktari:
Azem Bejta me sytë flakë
Dhe ti shqiponjë prej fisi
Me komitët trima skofiarë
Prore ishit tmerri i armikut.
Kjo trimëreshë sypatrembur nuk do të gjejë prehje as në pavdekësi, sepse Atdheu i saj ende vuan, i ndarë e i copëtuar, andaj Jakup Ceraja thotë:
Me fis e pa fis
Në derë të historisë
E re për Londër
Pa krah për Paris
Shotë amazonja
Hartë e Arbërisë.
Nisur nga kjo, Edi Shkuriu konstaton:"Ende duhet të ecim bashkë Shotë". Dhe, ashtu ngjau. Vashat tona luftëtare të UÇK-së, si Xhevë Krasniqi- Lladrovci, Fatime Hetemi, Antigonë Fazliu etj. përtërinë amanetin e saj, andaj poeti durrsak, Baftiar Nanaj konstaton se "Shotë Galica qenka gjallë". Apo "ajo kishte lindur për ta mposhtur harrimin", siç shkruan Qibrije Demiri.
* * *
Kjo figurë madhore e kombit zë vend të rëndësishëm edhe në prozën tonë tregimtare e romaneske. Kësaj radhe jemi ndalur të dy tregimet e Shefqet Tiganit: "Plisat e bardhë" dhe "Pushkët e Galicës" dhe të tregimi "Nusja e Maleve dhe Trimi" të Adem Gashit. Nga ky i fundit shkëpusim përshëndetjet e plakut galicas kur i thotë:
"Mirë së na erdhe, o Nusja eTrimit, por ne do të të thërrasim NUSJA E MALEVE, se ti qenke burrë e shkuar burrit. Këto male do ta ruajnë hijeshinë tënde, se ti ua fale nusërinë atyre".
Në to, edhe pse me temë historike, nuk dominon faktografia historike, por artistikja dhe përgjithësimi i ngjarjeve reale të kohës. Duhet cekur se të tregimi "Pushkët e Galicës" na del edhe një heroinë tjetër, Sherife Galica, nëna e Azem Galicës, e cila, kur rrethohet në kullë vetëm me Shotën luftojnë dhe qëndrojnë derisa u shkojnë në ndihmë galicasit.
Ndërkaq, në botën romaneske jam fokusuar tek romanet: "Shota dhe Azem Galica" të Ajet Haxhiut, "Prijësja e komitëve" të Sylejman Krasniqit, "Shote Galica" të Mehmet Kajtazit dhe "Nusja e Maleve" të Riza Greiçevcit.
Me përjashtim të veprës së parë, ku dominon faktografia historike, në tri të fundit, Shota është si strumbullar rreth të cilës krijohen subjekte, tabllo e karaktere që pasqyrojnë artistikisht atë periudhë të artë historike. Kryesore, ajo kudo del simbol i heroizmit dhe atdhedashurisë, ajo është lavdia e gruas shqiptare, ajo është vetë Kosova në rrugën e saj luftarake."Ajo na del si mishërim i vlerave morale pozitive, prandaj edhe përfaqëson konstitucionin shpirtëror të shqiptares"(Fazli Hajrizi: Shotë Galica- Heroinë e Kombit, Prishtinë, 2003, f.222).
Gjatë përgatitjes së kësaj teme iu kemi referuar edhe dy dramave; "Gurët e Kreshanës" të Loni Papës dhe "Gërsheti i Luftërave" të Avni Mulës, tek të cilat dominon imagjinata krijuese dhe trilli letrar, ku edhe vetë Shota e Azemi dalin me emra të tjera, megjithëse fare lehtë nënkuptohet historia reale.
Në të përfunduar, kërkoj falje nga të gjithë ato pena që kanë skalitur ndonjë varg për
-Fjala e mbajtur ditën e takimeve të poeteshave shqiptare, pranë varrit të Azem dhe Shote Galica (pa eshtra)-
EPOPEJA E ARBËRISË SË VOGËL
Të respektuara poetesha dhe artiste shqiptare!
Të nderuar të pranishëm!
Sot gjendeni në truallin ku, më 15 korrik 1924, u zhvillua beteja e fundit e Azem e Shotë Galicës, e cila në histori njihet me emrin Epopeja e Arbërisë së Vogël. Ardhja Juaj është një nder i veçantë për ne dhe për heronjtë, sepse nuk thuhet kot: Kush nderon historinë, krijon ardhmërinë!
Azem Galica, që nga rinia e hershme u radhit në çetat e lirisë dhe për 12 vjet rresht, bashkë me Nusen e maleve- Shotë Galicën, nuk i lëshuan armët nga dora. Ata zhvilluan mbi gjashtëdhjetë beteja fitimtare kundër pesë pushtuesve të mëdhenj perandorakë: Turqve të rinj (1908-1912), Serbisë së Parë (1912- 1915), austro-hungarezëve dhe bullgarëve (1915-1918) dhe Mbretërisë SKS (1918- 1924).
Luftërat e tyre kishin karakter mbarëkombëtar dhe dirigjoheshin nga ideologu i madh, Hasan Prishtina dhe Komiteti i Shkodrës. Se ata punonin me PROGRAM tregon fakti që, gjatë Kryengritjes së madhe të vitit 1919, e cila nisi në Drenicë e përfundoi në Llapushë, ishin të mobilizuar 11 mijë luftëtarë nga të gjitha trevat shqiptare.
Në vitin 1923, Qeveria serbe u detyrua të lëshonte pe karshi luftëtarëve shqiptarë. Kështu u krijua Zona e lirë e Drenicës, që më shumë njihet si ARBËRIA E VOGËL, e cila fillimisht përfshinte të gjitha fshatrat e komunës së atëhershme të Prekazit e më vonë kufizohet në: Galicë, Lubovec dhe Mikushnicë. Kjo bërthamë shtetërore, për ca vite rrezatoi atdhedashuri mbi të gjitha trojet shqiptare dhe frymëzoi luftërat për liri...
Në Beograd, atëbotë, reagimet ishin të ashpra. Më 11. X. 1923, deputeti i Kosovës, Jovan Magovçeviqi, i inatosur tha: "Zotërinj, unë i kam dy vota: një si deputet i rregullt i Kuvendit Popullor dhe një si deputet i jashtëm i shtetit të Azem Galicës".
Mirëpo, Serbia dinake, më 15 korrik 1924, ditën e tretë të Bajramit të Vogël, në mënyrë tinëzare, me mbi 12oo veta, ushtarë e xhandarë, rrethojnë këto tri fshatra. Ata me vete kishin marrë edhe shtatë topa , të cilët i vendosën nëpër kodrat përreth...
Beteja qe e përgjakshme dhe zgjati gjithë ditën. Kryetrimi, me ata pak luftëtarë që i kishte këtu, sepse shumica kishin vajtur nëpër shtëpitë e tyre për të festuar, arritën t'i çajë të tri rrethimet.
Atë ditë të përgjakshme, nga të dy palët pati shumë të vrarë: 90 serbë e 83 shqiptarë, kryesisht pleq, gra e fëmijë (në Galicë 35, në Mikushnicë 23 dhe në Lubovec 24).
Kapedani i plagosur rëndë jetoi deri më 25 korrik 1924. Shokët e tij besnikë dhe e shoqja, Shotë Galica, trupin e tij e varrosen në varrin më të thellë në botë (73 m), në shpellën "Çuku që kërcet", në malet e Përçevës.
Në krye të Çetës kreshnike u vu Shotë Galica, e cila me ca fëmijë jetimë kaloi në Shqipëri, derisa vdiq në mjerim të plot, më 4 korrik 1927, në Fushë- Krujë. Shteti shqiptar e shpalli Heroinë dhe ia ngriti një Lapidarë të mrekullueshëm në Fushë- Krujë dhe në Kukës.
Edhe Azem Galicën, Sali Berisha, më 26. I. 1993, me dekretin nr. 435 e dekoroi me "URDHRIN E KLASIT TË PARË".
Sot, siç po e shihni edhe vetë, kapedani pushon në Galicën e tij të dashur, eshtrat e tij i nxori nga shpella atdhetari Abdyl Krasniqi më 1971. Ama, ai disi është i shqetësuar, sepse ky Kompleks, i filluar më 2004, në 80-vjetorin e Epopesë së Arbërisë së Vogël, ka ngelur në fazën fillestare dhe se po i mungon Shota..
Varri i zbrazët i Shotës në Galicë është kenataf i llojit të vet, për të cilin grekët e vjetër do të bënin çmos!!! Bashkimi i tyre nënkupton bashkimin tonë shpirtëror e kombëtar!