Përballë një sproveSanxhaku i Tregut të Ri dhe bisedimet me SerbinëSalih MehmetiPërsëritet shpesh sesi bisedimet me Serbinë janë të pranueshme meqenëse në njëfarë mënyre prejudikojnë bisedime ndërshtetërore midis Kosovës dhe Serbisë. Mirëpo në vetë tekstin original të rezolutës serbe të miratuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB shtatorin e vitit të kaluar, nuk figuron ndonjë referim për “bisedime ndërshtetërore” por vetëm për “dialog ndërmjet palëve”. Asnjë lloj skenari negociatash me Serbinë për çështje ekskluzivisht të brendshme të Kosovës nuk është i leverdisshëm, përveç nëse qeveria e Kosovës duke u shqitur nga lëvozhga e kompleksit të inferioritetit të farkëtonte një agjendë bisedimesh për t’u përzier në çështjet e “brendshme” të Serbisë me ç’rast për herë të parë do të luhej me monedhë të barabartë kundruall palës serbe. Nuk gjejmë as edhe një rast të vetëm ku Serbia të jetë qortuar seriozisht për të qenurit e saj intrasigjente e politikisht agresive kundruall Kosovës e Bosnjës. Madje pikërisht për këtë intrasigjencë të pakëputur, qendrat e huaja edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të kenë një konsideratë të tepruar ndaj saj, të cilës jo rrallëherë edhe i bëjnë privilegje, ndere e lehtësira të shumta.
Parimi i reciprocitetit
Edhe pse me një drojë dhe ngurrim të pakuptueshëm, negociatorët tanë duket e kanë bërë nijet të përdorin një kartë të re kundrejt Serbisë: parimin e reciprocitetit, d.m.th të kushtëzimit. Thelbësisht kjo është e drejtë mirëpo jo edhe mënyra qysh ata po e konceptojnë reciprocitetin: nuk mund të vihen dot shenja barazimi midis pjesës veriore të Kosovës dhe Luginës së Preshevës mu për faktin se janë dy realitete krejtësisht të ndryshme. Së pari, pjesa veriore e Kosovës është një gjendje e prodhuar prej pushtimit ushtarak të Serbisë gjatë tërheqjes së trupave të saj nga Kosova me 1999. Rrjedhimisht, ndaj popullsisë së atjeshme shqiptare është zbatuar një politikë e sertë e spastrimit etnik e cila ka reflektuar drejtpërdrejtë në përbërjen demografike të asaj pjese. Le ta marrim si shembull Zveçanin: sipas të dhënave të qëmtuara nga OSBE, në janar të vitit 99’ shqiptarët numëronin 2,261 banorë kurse sot kanë mbetur jo më shumë se 350 banorë. Po këto të dhëna hedhin dritë mbi faktin e ardhjes së 250 refugjatëve serb nga Kroacia.
Sikundër vëzhgon studiuesja Susan Woodward në librin e saj ‘Balkan Tragedy’, praktika e spastrimit etnik nuk duhet parë si një shprehje e urrejtjes etnike ose gjendjesh të tjera emocionale, por si një strategji e mirëmenduar politike që synon të zotërojë toka. S’dyti, jo e tërë pjesa veriore e Kosovës banohet me shumicë prej serbëve ose kolonëve të sjellë aty pas vitit 2000: në komunën e Albanikut gjallojnë një rrip i pandërprerë katundesh shqiptare (Bistricë e Shalës, Koshtovë dhe Cerajë) të cilat me gjasmë sigurojnë njëfarë pashkëputshmërie me pjesën tjetër të vendit. Edhe vetë ‘European centre for minority issues Kosovo’ është i shtrënguar të pranojë se pas vitit 99’ u dëbuan shumë shqiptarë nga kjo komunë. Ndërkaq, sipas Shefko Sallkoviqit katundet boshnjake të Albanikut (Rvatska, Zaseok Muminoviq, Vrba, Beberishtë dhe Kalin) kapërthejnë më shumë se 40 për qind të sipërfaqes së gjithëmbarshme të Albanikut. Ndaj boshnjakëve të atjeshëm përvijohet një segregacion i tmerrshëm që synon zbimin e tyre. Qeveria ende s’e ka pleqëruar mirë ‘thembrën e Akilit’ që ka Serbia në veriun e pushtuar të Kosovës: do të mjaftonte një investim sado i vogël për të shtrirë kapilarët shtetëror në katundet boshnjake të Albanikut që do të përftonte patjetër një gjendje të favorshme. Prandaj strukturat kriminale të Serbisë vranë këtë vit kryetarin e boshnjakëve të atjeshëm Shefko Sallkoviqin, në mënyrë që të terrorizohet çfarëdo ideje e boshnjakëve për lojalitet ndaj Prishtinës.
Nuk është asnjë trohë bindës argumenti i përfolur nga disa se pjesa veriore e Kosovës ashtu-kështu i është ‘dhuruar’ Kosovës pas LDB me qëllimin parësor për të krijuar njëfarë balanci shqiptaro-serb në Kosovë. Një argumentim i tillë aq mendjelehtë është i prirë të shpërfillë me fodullëk faktin e mirënjohur se për pjesën më të madhe të shekujve të fundit kjo trevë i ka takuar arealit shqiptar si në kuptimin gjeografik ashtu edhe në atë administrativ dhe ekonomik. Prandaj, të vësh në një vijë barazimi këto dy realitete të përkundërta është pazarllëk me dy treva shqiptare. Edhe nëse do të ndodhte një këmbim territoresh midis pjesës veriore të Kosovës dhe Luginës së Preshevës, prapëseprapë humbja do të ishte e shumëfishtë. Serbia duke përfituar prej pandjeshmërisë së Prishtinës, ka dëbuar mijëra shqiptar nga Bujanoci në shestimin e saj për krijimin e një situate faktike ku shqiptarët nuk do të kishin kurrfarë qasjeje në arterien e rëndësishme rrugore që lidh Moravën e Vardarin me Egjeun.
Një hap më afër drejt këtij skenari të frikshëm është ngulmimi i Serbisë për ndarë Bujanocin në dy komuna: Tërrnocin e Madh me shumicë shqiptare dhe Banjën me shumicë serbe.
Përndryshe, reciprociteti i negociatorëve tanë është veçse tigër prej letre që s’e tremb asnjëri e aq më pak Serbinë për shkak se ajo është në dijeni se qeveria e Kosovës s’mund të vë dorën në zjarr për një gjë të tillë. Qeveria e Kosovës deri më tani e ka shpërfillë në mënyrë të ftohtë fatin e mbi 100 mijë shqiptarëve rrënjës të Luginës së Preshevës, anipse Serbia atje shtetrrethimin e ka përditësuar duke e bërë normë. Qeveria e Kosovës s’ka asnjë damar strukturor atje: madje në vend të njësimit e ka shkërmoq faktorin politik edhe ashtu të zbehtë të shqiptarëve të atjeshëm. Megjithatë gjendja nuk do të ishte kaq dëshpëruese në rast të vullnetit të qeverisë për të përftuar një realitet në favor të shqiptarëve: më së paku ajo do të duhej ta afirmonte në përmasën e një kërkese serioze politike kthimin e mijëra shqiptarëve të zbuar të Medvegjës dhe Bujanocit lindor. Parimi i reciprocitetit nëse do të përdorej më me mençuri dhe guxim politik do të ishte i frytshëm vetëm nëse s’do të cungohej në një reciprocitet për dy pjesë që mbahen njësoj padrejtësisht të pushtuara prej Serbisë. Ajo që rrah të them është se reciprociteti duhet të jetë simetrik: të problematizohet në të njejtën masë përmirësimi i gjendjes së rëgjuar të pakicave etnike brenda vetë Serbisë.
Pakicat etnike në Serbi
Duhet bërë çmos që vëmendja ndërkombëtare të përqendrohet brenda Serbisë e cila në mënyrë kriminale (duke përfituar prej mosmbikqyrjes së Perëndimit) po dhunon sistematikisht të drejtat e pakicave etnike brenda territorit të saj. Pse kurrë asnjëri nuk u kujtua për gjendjen e rëndë të boshnjakëve dhe shqiptarëve të boshnjakizuar në Sanxhak të Tregut të Ri, shqiptarëve në Luginë të Preshevës e Medvegjë, hungarezëve në Vojvodinë, vllahëve në trevën e Timokut apo bullgarëve në Boligrad, Surdullicë e Pirot? Pozita e tyre shkon gjithnjë drejt një rrënimi të përgjithshëm politik, social e kulturor, ku Beogradi jo vetëm që s’ka bërë ndonjë lëshim por veçse e ka centralizuar edhe më vetën e tij në këto treva joserbe për të përqendruar madje edhe një pjesë të konsiderueshme të formacioneve ushtarake e policore (p.sh në Sanxhak apo Luginë të Preshevës). Gjendja politike e serbëve brenda Kosovës është pakrahasimisht më e mirë sesa e shqiptarëve, boshnjakëve, hungarezëve, rumunëve e bullgarëve në Serbi, marrë së bashku. Qendrat e jashtme vazhdojnë që vit për vit të eksperimentojnë me “minoritetet” në Kosovë duke na vënë standarte të paarritshme, mbase edhe të paprecedenta në mbarë rruzullin tokësor. Për të qenë paradoksi edhe më i mbrehtë Serbisë asnjëherë nuk i vihet ndonjë detyrim serioz për ta përmirësuar gjendjen politike të minoriteteve aq të nëpërkëmbura në Serbi.
Sanxhaku i Tregut të Ri
Së këndejmi, politikat e Shqipërisë dhe Kosovës do të duhej të qendërzoheshin në një projekt të zëshëm politik, i cili do ta detyronte bashkësinë ndërkombëtare të përdor standarde të njëjta edhe ndaj Serbisë. Kjo politikë në asnjë mënyrë nuk duhet ndjesuar si një përçapje e dëshpëruar hakmarrëse apo destabilizuese. Për më tepër ky projekt politik do të ishte i arsyetuar dhe i ligjshëm si në dimensionin politik ashtu dhe në atë historik. Vëmendja ndërkombëtare do të duhej të kthehej fuqishëm brenda vetë Serbisë, e cila nuk përmbush as edhe një standard europian të respektimit të larushisë etnike e kulturore brenda saj. Edhe në dimensionin historik kjo do të ishte e përligjur katërçipërisht për arsyen e thjeshtë se krijimi i shtetit serb ka qenë i bashkëlidhur me ekspansionin ushtarak të tij në toka të konsiderueshme shqiptare, të cilat më pas u bënë skena ku u luajtën përgjakshëm dramat më tmerruese të spastrimit etnik të qindra-mijëra shqiptarëve rrënjës. Edhe Sanxhaku i Tregut të Ri është përvetësuar përmes forcës së armëve nga Serbia në kapërcyell të 1912’ës. Është thuajse i panumërt invertari i provave e fakteve apodiktike që theksojnë karakterin solid shqiptar të kësaj treve. Gejografikisht, Sanxhaku i Tregut të Ri ka një sipërfaqe afërsisht prej 8 mijë km katrorë ndërsa, administrativisht është i dyzuar në Serbi (Tregu i Ri, Sjenicë, Tutin, Varosh i Ri, Priboj, etj) dhe Mal të Zi (Plevlë, Beranë, Andrijevicë, Bjello Polje, Rozhajë, etj).
Treva e Sanxhakut ka manifestuar një vazhdimësi jo vetëm gjeografike, ekonomike apo administrative, por edhe etnike, kulturore dhe religjioze me pjesën tjetër të Shqipërisë. Sikundër edhe vëren studiuesi britanik Noel Malcolm, në të kaluarën qenësonte një përqendrim i madh i shqiptarëve në këtë trevë, të cilët më kalimin e kohës janë tretur nga boshnjakizimi. Në të gjitha episodet e historisë moderne shqiptare Sanxhaku ka zënë një vend të spikatur si për nga angazhimi në lëvizjen çlirimtare shqiptare ashtu edhe për solidaritetin e tyre të vazhdueshëm me rezistencën shqiptare kundër kolonializmit serb. Figura të respektuara nga Sanxhaku kanë ndriçuar kapituj të rëndësishëm të historisë moderne shqiptare kurse në anën tjetër, edhe pjesa tjetër e shqiptarëve edhe në momentet më dramatike i ka dalë krah popullsisë së Sanxhakut (angazhimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e deri në luftën e dytë botërore). Megjithë peshën e rëndë të një aparteidi njëshekullor, gjuha shqipe edhe sot e kësaj dite qe e aftë të mbijetojë përvujtnisht në qytete e fshatra gjithandej Sanxhakut jugor, megjithëse prej Luftës së Dytë Botërore nuk është hapur as edhe një shkollë e vetme në gjuhën shqipe. Në lidhje me qytetin e Tregut të Ri “popullsia e tij përbëhet kryesisht prej serbëve ortodoks dhe shqiptarëve mysliman” njofton Enciklopedia “Americana” (Volumi 20, 2000, f.511).
Ahtisarizimi i Serbisë
Duhet thënë se situata mbase nuk do të përshkallzohej në këtë pikë nëse politika shqiptare do të tregohej në lartësinë e detyrës themeltare të saj: mbrojtjen e interesit shqiptar në Ballkan. Politika shqiptare duhet të shqitet njëherë e mirë nga parullat vetëvrasëse të “marrëdhënieve normale” me Serbinë përderisa gjendja në terren si pasojë e saj është jo-normale. Përse të mos ketë një Ahtisar, një pako (dokument) dhe një mbikëqyrje ndërkombëtare për Serbinë? Nëse një vend me homogjenitet etnik aq të lartë siç është Kosova kushtetutshmërisht afishohet si “multietnike”, përse në anën tjetër një vend me heterogjenitet aq të lartë etno-kulturor siç është Serbia kushtetutshmërisht nuk afishohet si multietnike?
Për hir të një qëndrueshmërie të shëndoshë afatgjate, bisedimet në asnjë mënyrë nuk duhen të bëhen për Kosovën sepse kësisoj vetëm sa përjetësohen përpjekjet e Serbisë për me mbajt Kosovën në një tension që s’dihet nëse do të mbarojë ndonjëherë. E ardhmja e rajonit do të mund të quhej e ndritur dhe e sigurt vetëm atëherë kur detyrimet e shumta që me të padrejtë i janë vënë Kosovës t’i viheshin pikërisht Serbisë. Pakoja e Ahtisaarit do të duhej të shërbente si platformë juridike-legale e rregullimit të brendshëm të Serbisë; kushtetuta e saj do të duhej të nërenditej ndaj asaj të Ahtisaarit si edhe do të duhej të amadamentohej thelbësisht për të përfshirë një varg kufizimesh, zotimesh e përkushtimesh ndaj Europës; do të duhej të vihej një mbikqyrje optimale ndërkombëtare për Serbinë; të vendoseshin trupat e NATO-s në Serbi; trashëgimia e përbindshme ushtarake të shkatërrohej nga ku do të krijohej një forcë e sigurisë nën tutelën ndërkombëtare, të cilës për një afat të gjatë nuk do t’i lejoheshin kamja e teknikës së rëndë ushtarake (tanke, avionë apo anije); monumentet e panumërta kulturore të qytetërimit iliro-dardan (si trashëgimi shqiptare) të fitonin statusin ekstraterritorial; të raportohej rregullisht në KS të OKB-së në lidhje me gjendjen e të drejtave të minoriteteve në Serbi, etj. Ky mbase edhe është çmimi i denacifikimit të Serbisë…
http://www.gazetalajm.info/opinione/...et-Serbin.html