Mexhid Yvejsi Anëtar
Numri i postimeve : 429 Age : 74 Vendi : Gjakovë, Kosovë Registration date : 04/05/2009
| Titulli: "Drita e botës. Papa, Kisha, shenjat e kohëve." Tue Nov 23, 2010 11:09 pm | |
| U paraqit libri-intervistë i Peter Sevald me Benediktin XVI: “Drita e botës. Papa, Kisha, shenjat e kohëve”
Sipas Radio Vatikanit, sot me 23.11.2010 u paraqit sot paradite në Sallën e Shtypit të Vatikanit, libri “Drita e botës. Papa, Kisha, shenjat e kohëve”. Është një bisedë e Atit të Shenjtë me gazetarin gjerman Peter Sevald, i cili ndenji një javë me Benediktin XVI në Kastelgandolfo, gjatë verës, që sapo kaloi. Vëllimi, i botuar nga Shtëpia Botuese e Vatikanit, do të dalë nesër në të gjitha libraritë. Ka 280 faqe, në të cilat Papa u përgjigjet 90 pyetjeve. Po ju ofrojmë një sintezë të librit.
Një libër-intervistë i thjeshtë dhe i thellë mbi Papën, Kishën dhe botën, që lexohet me një frymë.Benedikti XVI flet për jetën e tij të përditshme e vëren me keqardhje, se pas zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit, nuk mund të bëjë më një ekskursion të vogël, apo një shëtitje të thjeshtë në qytet, por flet edhe për temat e mëdha të aktualitetit të sotëm. Sot – thotë Papa – duhet të shpallim sërish, “me fjalë të reja”, se “Zoti është dashuri”. Njerëzimi nuk po e kupton më se “Gjaku i Krishtit mbi Kryq është derdhur për shëlbimin e mëkateve”, për shpëtimin e të gjithëve. Kjo mënyrë të menduari, madhështore dhe e vërtetë, është tashmë larg nga arsyetimi i njeriut të sotëm, gjithnjë e më tepër i brumosur me atë, që Papa e quan “ateizmi praktik”, i cili nuk është i aftë ta ngrejë vështrimin përmbi horizontin e vet të ngushtë. Ati i Shenjtë është i bindur se Kisha ekziston për ta shpallur këtë të vërtetë, pavarësisht nga skandalet që e plagosin, por që na tregojnë edhe, se është pikërisht Jezusi, ai që e ka themeluar: “Nëse do të varej prej njerëzve – vë në dukje Benedikti XVI – Kisha do të ishte mbytur qëkur”. Por ka shumë shenja shprese, lulëzojnë në Kishë iniciativa, që nuk lindin nga strukturat, ose burokracia. “Burokracia – vazhdon Papa – është konsumuar dhe lodhur. Janë iniciativa, që lindin nga brenda, nga gëzimi i të rinjve. Krishterimi do të marrë ndoshta një pamje të re, ndoshta edhe një aspekt kulturor të ndryshëm”, sepse ka përpara dinamika, të cilave u duhet dhënë përgjigje, e ka në vetvete një forcë të gjallë, që mund ta ndryshojë botën. Është një forcë e vogël, sepse, megjithëse katolikët arrijnë në një miliard e 200 milion vetë – shpjegon Papa, duke cituar shën Agustinin – shumë që duket se janë brenda, qëndrojnë jashtë, në një lloj skicofrenie, mes dy dëshirave: të bëjnë pjesë në një bashkësi kishtare dhe të kenë një mentalitet të shekullarizuar. Megjithëse, vëren Ati i Shenjtë, është e vërtetë edhe e kundërta: shumë nga ata, që duket se qëndrojnë jashtë, janë brenda. E në këtë kontekst, i sheh me trishtim, ata gazetarë katolikë, që në mediat kishtare i bëjnë të vetat, parrullat e kritikës së zakonshme kundër Kishës. Nga ana e tij, Papa nuk ka pushtet për të imponuar asgjë: është vetëm një njeri, që duhet të dëshmojë të Kryqëzuarin. E si përgjigje ndaj kritikave dhe sulmeve, Benedikti XVI pohon: “Nëse do të merrja vetëm konsensuse, do të më duhej ta pyesja veten nëse jam duke shpallur vërtet Ungjillin”. Sot, nënvizon Papa, rrezikojmë që toleranca të luftohet në emër të vetë tolerancës. Po afirmohet një fe e re, e ashtuquajtura “arsye perëndimore”, që pretendon të jetë feja e vetme dhe e vërtetë, e vlefshme për krejt njerëzimin. Një fe e re, abstrakte dhe tirane, e cila ka një uri të tillë për lumturi, që nuk arrin ta shuajë kurrë, duke kaluar çdo kufi e duke krijuar shkatërrim në emër të përparimit. Kërcënohet kështu, ekzistenca e vetë njerëzimit. “Përparimi – shpjegon Papa – i ka shtuar aftësitë tona, por jo madhështinë e fuqinë morale e njerëzore” e mund të kthehet kundër njeriut, siç shihet nga të dhënat e shkencës. Duhet ta rivendosim Zotin në qendër të të gjitha gjërave, vetëm atëherë gjithçka do të ndryshojë, thotë Papa. Në librin-intervistë të Peter Sevald flitet për shumë tematika. Problemi i shpërndorimeve seksuale ka qenë i tmerrshëm, pranon Benedikti XVI. Është harruar frika e Tënzot, vëren Papa, është harruar se edhe dënimi mund të jetë akt dashurie. Është koha e pastrimit të Kishës nga plehrat. Përsa i përket Sidës, Ati i Shenjtë pohon me forcë se Kisha bën shumë më tepër se të tjerët, u qëndron afër njerëzve konkretisht, duke u kujdesur për të sëmurët. E siç është komentuar edhe gjatë këtyre ditëve, përsërit se përdorimi i prezervativëve nuk e zgjidh problemin. Gjithsesi, në raste të veçanta, të justifikuara nga rreziku i infektimit të të tjerëve, prezervativi mund të përdoret, por nuk justifikohet moralisht. Në fushën e moralit seksual, Papa nënvizon se Kisha duhet të shprehë në mënyrë të re se seksualiteti është pozitiv, është dhuratë e Zotit, për t’u jetuar me përgjegjësi, pa shpërdorime, me bindjen, thotë Ati i Shenjtë, se “sondazhet nuk përfaqësojnë kriterin e vërtetë e të drejtë”. Përsa i përket abortit, Ati i Shenjtë vë në dukje se duke u ndërprerë jetën fëmijëve, shoqëria i vjedh vetvetes shpresat e saj më të mëdha. Këta fëmijë të palindur mund të ishin bërë gjeni, duke i dhuruar botës gjëra të reja. Pastaj, ripohon qëndrimin e Kishës mbi celibatin e meshtarëve, mbi pamundësinë e shugurimit të grave për meshtar e mbi homoseksualitetin, i cili jo vetëm nuk është i moralshëm, por nuk përkon me shërbimin meshtarak, thekson Papa. Përsa u përket katolikëve të divorcuar e të rimartuar, Papa pranon se problemi është shumë i vështirë e se duhet thelluar më tej. Ripohon se martesa në kishë është e pazgjidhshme, por duhet analizuar më thellë çështja e vlefshmërisë së saj, u duhet qëndruar afër të divorcuarve, duke i ftuar të qëndrojnë në Kishë. Temë tjetër është dialogu me Islamin. Fjalimi i Regensburgut, më 12 shtator 2005, vëren Benedikti XVI, kishte për qëllim të ishte vetëm një leksion akademik, por – thotë Ati i Shenjtë – “nuk e kisha kuptuar akoma se fjalimi i një Pape nuk shihet nga pikpamja akademike, por politike”. Prej tij, u nxorr një frazë, së cilës iu dha një domethënie politike, që nuk e kishte. E megjithatë, pranon Papa, ai episod pati efekte pozitive, pasi i dha shtysën një dialogu intensiv. Islami duhet të sqarojë dy çështje, vazhdon Jozef Racinger: marrëdhëniet e tij me dhunën e me arsyen, si edhe çështjen e së drejtës për të ndryshuar fe. Këtë të fundit, myslimanët e pranojnë me vështirësi të mëdha. Përsa i përket Papës Piu XII dhe vendimit për të njohur virtytet heroike të tij, Benedikti XVI pohon se ai ka qenë personalitet, njeri i drejtë, i cili ka shpëtuar shumë e shumë hebrenj. Nuk protestoi publikisht për holokaustin dhe e vuajti shumë këtë vendim, sepse e dinte cilat do të ishin pasojat. Rasti i lëfevrianëve e, në veçanti, i kryeipeshkvit Uiliamson. Papa nuk do ta kishte revokuar shkishërimin, nëse do ta kishte ditur se Uiliamson mohonte ekzistencën e dhomave me gaz të nazistëve. Kemi gabuar duke mos e studiuar mirë çështjen, pranon Ati i Shenjtë, duke vënë në dukje gjithsesi, se ka një masë njerëzish, që s’presin tjetër, veçse një gabim nga ana e Kishës, për ta goditur atë sa mundin. Ekumenzimi. Papa ripohon urgjencën e impenjimit për bashkimin e të krishterëve, duke vënë në dukje dialogun me ortodoksët, me të cilët katolikët janë më afër. Përsa i përket Meshës së Koncilit të Trentit, në ritin latin, Benedikti XVI thotë se kur e rivendosi, pati për qëllim ta bënte më të pranishme formën e lashtë të saj. “Nuk mund të themi: më parë gjithçka ishte gabim, ndërsa tani gjithçka është e drejtë”. Ndryshimi në lutjen e së Premtes së Madhe u bë, sepse formula e vjetër krijonte vërtet probleme me hebrenjtë. Tani, në lutje nuk kërkohet drejtpërdrejt kthimi i hebrenjve në fenë e krishterë, por pohohet se Krishti është edhe Shëlbuesi i hebrenjve e jo vetëm i paganëve. Ati i Shenjtë kujton më pas doktrinën katolike për pagabueshmërinë e Papës, duke theksuar se vetëm në rrethana të caktuara, kjo është e vërtetë, por Papa mund të ketë opinione personale të gabuara. Gjithashtu, Benedikti XVI thekson se një Papë e ka të drejtë dhe detyrë të japë dorëheqjen, kur nuk është më në gjendje fizikisht, mendërisht e shpirtërisht ta udhëheqë Kishën. Jozef Racinger flet edhe për tema të jetës së përditshme, thotë se i pëlqejnë filma si “Don Kamilo e Pepone”, apo seriali mbi Jozefina Bakitën. Kujton kritikat që pati, kur vuri kapuçin e kuq të rrethuar me pellush, me origjinë mesjetare, vënë për herë të fundit nga Papa Gjoni XXIII. U akuzua se dëshironte të kthehej në të kaluarën, por “thjesht kisha ftohtë”, shpjegon Benedikti XVI. Papa thotë se nuk jeton në një botë artificiale, rrethuar nga hipokritë, por takohet me ipeshkvij e rregulltarë nga e gjithë bota, e edhe me njerëz të thjeshtë, nëna familjesh e miq. Shumë i shkruajnë: “Ne lutemi për ty, mos ki frikë, ne të duam fort”. Në fund, Ati i Shenjtë kujton se Eukaristia është ngjarja qendrore në historinë e botës, është forcë vendimtare e vetëm nga ajo mund të lindin ndryshime. Prandaj, shenjtorët, “të prekur nga Krishti”, janë revolucionarët e vërtetë, protagonistët e revolucioneve të vërteta e të mira. Pyetjes mbi fundin e botës, i përgjigjet me ftesën për ta lartuar vështrimin drejt amshimit e drejt Gjyqit të Mbramë, kur e keqja do të mundet përgjithmonë. Zoti na merr seriozisht, pohon Papa, le ta marrim seriozisht edhe ne. Nuk e dimë kur do të përfundojë bota, thekson Benedikti XVI, por Jezusi, me bindje të patundur, na ka thënë: do të kthehem. Zoja na tregon shpesh, atë që s’arrijmë ta shohim me sytë tanë: “fenë, shpresën, dashurinë, pendesën”. Duke pritur fitoren e së mirës – e mbyll intervistën Papa – duhet të kujtojmë gjithnjë se triumfi i Zotit, triumfi i Zojës është vërtet i heshtur, por i vërtetë.
| |
|