|
| Dosja: Selman Riza. Del arkivi i sigurimit kunder gjuhetari | |
| | Autori | Mesazh |
---|
Medalim Anëtar aktiv
Numri i postimeve : 610 Age : 71 Vendi : Shqypeni Registration date : 06/12/2008
| Titulli: Dosja: Selman Riza. Del arkivi i sigurimit kunder gjuhetari Sun Dec 20, 2009 6:11 pm | |
| Dosja: Selman Riza. Del arkivi i sigurimit kunder gjuhetarit Dosja: Selman Riza. Del arkivi i sigurimit kunder gjuhetarit |
» Dërguar më: 20/12/2009 - 13:55 |
| Lajme te ngjashme |
Dosja sekrete e Selman Rizes • Datë: Dec 20, 2009 |
|
| Admirina Peci Për të kuptuar se ç’ngjyrë e ç’shije ka e vërteta, na lipset të presim, ndonjëherë edhe gjatë, deri sa të gjejmë burimin e saj. Për shumë ngjarje e personazhe nga koha e diktaturës në Shqipëri, kjo e vërtetë gjendet në dokumentet e rezervuara me shënimin “sekret” brenda dosjeve të Sigurimit të Shtetit, shumë prej të cilave ende rrinë të kyçura. Në rastet kur ndonjë prej atyre dosjeve hapet, bashkë me to hapet edhe porta e rëndë e së vërtetës. Kështu ka ndodhur dhe me Selman Rizën, gjuhëtarin dhe studiuesin e pakompromis, një personazh i mbikëqyrur e i survejuar në çdo çast të jetës së tij, i spiunuar dhe i penguar shpeshherë dhe nga kolegët më të afërt. E vërteta në rastin e tij është tashmë kaq e perceptueshme! E kjo falë vullnetit dhe dëshirës së një studiuesi nga Kosova, akademikut të mirënjohur, Rexhep Ismajli, i cili për fat, duket se është nga të rrallët që s’bën dot kompromise në kurriz të së vërtetës. Libri i tij “Pasionet dhe pësimet e Selman Rizës”, i mbushur plot e përlot me dëshmi e dokumente, hedh dritë mbi gjithë atë komedi tragjike që u luajt në kurriz të Selman Rizës për më shumë se 30 vjet, deri në çastin kur ai mbylli sytë. Si dhe pse u survejua? Nga kush? Çfarë kishte bërë ky intelektual që nuk i shkonte për shtat regjimit, rretheve ku ai punonte, kolegëve të tij, të njohurve të rastësishëm.... Çfarë i duheshin regjimit çastet më të zakonta të jetës së tij, ora kur dilte në mëngjes nga shtëpia, rruga nga kalonte, dyqani ku blinte bukën, apo gruaja që e shoqëronte, e që agjenti që raporton, e cilëson: “Mendohet të jetë gruaja e tij, sepse i futi krahun...”! Me një ndjenjë neverie që të trondit, mund të kalosh faqe të tëra nga raportet e survejimit që hartonin çdo ditë agjentët e Sigurimit me nofka të çuditshme si “Jaku”, “Gjenevreku”, “Bleta”, “Taraboshi”..... Por një tjetër ndjenjë, këtë herë keqardhje, të kaplon kur në raportet e tyre hasen emra personazhesh të njohur të botës së studimeve, prej të cilëve vilen informata, merren komente, zbulohen imtësi rreth gjithçkaje që bënte Selman Riza. Në këtë 100-vjetor të lindjes së tij, ky botim prestigjioz i Rexhep Ismajlit na jep mundësinë të zbulojmë një prej të vërtetave të regjimit me të gjitha ngjyrat dhe shijet e saj. Një pjesë të kësaj të vërtete po e sjellim përmes kësaj specialeje të titulluar “Dosja Riza”, edhe për lexuesit tanë që nuk kanë mundësinë ta kenë në dorë këtë libër, njëkohësisht duke kërkuar dhe mirëkuptimin e personazheve të përmendur në dokumente, një mirëkuptim në shenjë mbështetjeje për këtë të vërtetë që e mban peng edhe sot e kësaj dite shoqërinë tonë.
Selman Riza dhe Çabej
Më 24 qershor të vitit 1963, gjuhëtari Selman Riza nis të shkruajë një letër që e tit ullon “Letër përgjegjësve”. Është i prekur nga një padrejtësi. Pret t’i botohet një studim kritik mbi rasat e gjuhës shqipe. Më saktë dy shtojca, të cilat nuk po gjejnë miratimin nga kolegët e tij. Riza ankohet se kolegu i tij Eqrem Çabej po i bëhet pengesë për këtë botim me të padrejtë. Çfarë kundërshtish kishin lindur mes tyre? A ishte ky rast i vetëm i përplasjes së dy gjuhëtarëve të mëdhenj? Kjo letër, të cilën e botojmë të plotë, shkëputur nga libri më i ri i akademikut kosovar, Rexhep Ismajli, “Pasionet dhe pësimet e Selman Rizës”, është në të vërtetë vetëm maja e ajsbergut nga gjithë ajo marrëdhënie aspak miqësore që ekzistonte me Rizës dhe kolegeve të tjerë. Por, marrëdhënia më e veçantë është ajo me Çabejn, një shkencëtar i madh i gjuhës, të cilin Riza e vlerësonte mjaft, por edhe e kritikonte hapur në shumë pika për të cilat ai nuk ishte dakord me të. I vënë në shënjestër nga regjimi, Selman Riza u përndoq në çdo hap të tij. Survejohej, spiunohej nga kolegët. Arsyet e këtyre qëndrimeve? Duket gjithçka vinte nga karakteri i tij i pakompromis, por dhe nga përmasat e tij si shkencëtar që jo rrallë herë ngjallte zili e xhelozi. Studiuesi Ismajli e portretizon kështu Selman Rizën: “Si dije dhe si kulturë, në të gjitha aspektet impononte respekt. Në biseda ishte substancial, i matur dhe i vendosur...Kur shtronte ndonjë çështje, do të kishte patjetër një brendi debatuese, do të ngjallte gjithsesi debat. Nga leximet më është dukur i një natyre heterodokse, dijetar që diskutimin e kishte ngritur në nivel parimi. Heterodoksia, qëndrimi debatues dhe mospajtues me mendimin që donte të etablohej, mospajtimet me dogmën ideologjike-shkencore, diskutimet mospajtuese me kolegë, ndëshkimi për idetë e tij dhe për kërkesat e natyrës organizative të punës shkencore, të gjitha këto dhe qëndresa krijuese, e bënin atë disident...”. Për të kuptuar diçka më shumë nga ky personazh dhe kundërshtitë që ai ngjallte, kërkojmë disa mendime nga studiuesi Ismajli, duke u ndalur pak më tepër në marrëdhënien e tij me Çabejn...
Në vitin 1963 është zhvilluar një debat i gjerë mbi një vepër të Selman Rizës, ku ky i fundit përballej më së shumti me Eqrem Çabejn. A mund të risjellim në vëmendjen e lexuesve të sotëm thelbin e këtij debati? Çfarë shkruante Riza në “Shtojcat” dhe në ç’pika e kundërshtonin koleget e tij? Pse mund ta ketë penguar realisht Çabej dhe M. Domi atë botim, siç e përmend Riza në letrën e 24 qershorit të këtij viti? Nga diskutimet që kam ndjekur në dokumentacion, në Institutin e Shkencave, pastaj Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, janë shqyrtuar dorëshkrimet e anëtarëve të sektorit. Ndonjëherë janë trajtuar edhe formulimet më të vogla, sikur të ishte fjala për një dorëshkrim kolektiv. Ndonjëherë ishin mbajtur disa seanca diskutimi për një vepër. Diskutimi i tillë i ka epërsitë e veta, por ka pasur dhe pasoja që nuk më duken pozitive: autocensura, kontrolli i tepërt, frika etj. Selman Riza ka qenë i debateve. Në Tiranë, qysh më 1957-‘58 kishte shtruar çështje teorike të sinkronisë/ diakronisë dhe të të ashtuquajturave mbetje në sistemin aktual të gjuhës nga një sistem më i hershëm. Ato seminare kishin mbetur të pabotuara. Sipas tij, kishte pasur diskutime me kolegët. Riza ka pasur diskutime edhe me Xhuvanin, Çabejn, Domin, Priftin, Floqin, më vonë me Agalliun, Demirajn e kolegë të tjerë, për çështje të ndryshme gjuhësore. Në studimin për Nyjat e shqipes (vështrim historik, 1959, 1962 dhe 1964) Riza mund të kishte qenë kritik ndaj ideve të traditës albanistike, përfshirë të Çabejt, për prejardhjen e nyjës shquese dhe për proceset e prapavendosjes së saj, ndërsa në studimin për Rasët në shpjegimet e ndryshme historike. Riza kishte raportuar për veprën e Çabejt Studime etimologjike të shqipes, të paraqitur për disertacion doktorate dhe në atë raport gjejmë një vlerësim me superlativa: Riza mendonte se për një të atillë vepër në kultura më të përparuara autori mund të bëhej anëtar i akademisë, ndërsa në këtë rast, duke i dhënë Çabejt gradën Doktor i Shkencave, nderohej komisioni jo Çabej; me këtë vepër Çabej nderonte kulturën dhe kombin. Vlerësimet e tij për veprën e Çabejt ishin të diferencuara. Nuk ishte kështu entuziast për shqyrtimet e tij morfologjike. Në shkrimet e botuara Çabej nuk e ka përmendur punën e Rizës. Me rastin e diskutimit të monografisë historike për nyjat të Rizës dhe me rastin e diskutimit të veprës Emrat në shqipe, sistemi i lakimit, Çabej kishte diskutuar. Në veprën e fundit të Rizës, ku ishte evituar diskutimi për periodizimin e historisë së gjuhës dhe për çështje të tjera nga të historisë së mbaresave rasore etj, të tjerët kishin kërkuar që Riza të jepte referime më të plota dhe të shpjegohej për disa qëndrime, çka ai kishte bërë në dy shtojcat, të cilat ishin bërë objekt diskutimesh të gjera në Sektor. Në Shtojcat është diskutuar për periodizimin e historisë së shqipes, për prejardhjen e mbaresave rasore, për çështje të nyjave e gjëra të ngjashme. Duket se kundërshtive mes këtyre dy personaliteteve mund tua gjejmë gjurmët që në botëkuptimin e tyre, apo shkollave të cilave i përkisnin. A ka pasur kudërshti të tjera profesionale mes tyre? Ka pasur dhe një diskutim tjetër me pasoja polemizuese: komentet e Rizës për konceptet gramatikore të S. Frashërit dhe të K. Kristoforidhit. Dorëshkrimi i Rizës për foljet, që u botua vetëm pas vdekjes më 1994, po ashtu kishte qenë objekt diskutimesh të gjera, për të cilat Riza kishte lënë ndonjë përgjigje, po ashtu. Në procedurën e diskutimit për veprën Emrat, pas shumë shoshitjeve, Riza mendonte se Sektori ishte gati për vendim përfundimtar dhe se në atë diskutim do të shfaqej mendim pozitiv për botimin e veprës. Një mendim duhej ta jepte dhe Çabej si recensent. Si duket, Riza mund të ketë kujtuar se Çabej po ia vononte recensionin pa arsye. Kështu ishte krijuar një situatë, më duket, e ngarkuar me moskuptime të ndërsjella, me ç’rast mospajtimet midis dy gjuhëtarëve e dijetarëve të shquar dhe të vetëdijshëm për staturën e tyre, sa vinin e theksoheshin. Një pjesë e mirë e mospajtimeve midis Çabejt e Rizës u detyrohet dy mënyrave të të menduarit për çështje të gjuhës, dy shkollave të ndryshme të të menduarit për gjuhën, sidomos për studimin historik të gjuhës. Kjo mund të jetë ngatërruar më tej me kompetencat e ndryshme në fusha konkrete (morfologji, etimologji, fonetikë historike, filologji etj). Por diskutimet më të mëdha Riza do t’i ketë pasur me A. Kostallarin, lidhur me prioritetet e Institutit – hartimi i kursit të plotë të leksikografisë-leksikologjisë bashkë me fjalorin e mesëm në afate më të shpejta, duke kundërshtuar mbërthimin e forcave të rëndësishme me fjalorë rusisht-shqip dhe e kundërta. Këto diskutime kishin përfshirë dhe drejtimin e Institutit. Ne nuk mund ta dimë as intensitetin, as pikarritjen e atyre diskutimeve. A ekzistonte në atë kohë mes shkencëtarëve e studiuesve respektimi i mendimit ndryshe? Duket se diktatura me mjetet e saj kishte depërtuar edhe në psikologjinë e këtyre intelektualëve... Sa i përket respektimit të mendimit ndryshe midis shkencëtarëve në atë kohë në Shqipëri, për çka më pyetnit, nuk jam ai që mund të thotë diçka më të saktë. Përshtypja ime është se diskutime kishte pasur, se në ato diskutime kishte edhe argumentime të natyrës ideologjike, çka do të thotë se studiuesit duhej të kishin shumë kujdes për çka po thoshin. Në tendencën e theksuar për të nxjerrë vetëm të vërteta univoke, çka synonte diskutimi i asaj natyre, kishte rrezik që mendimet e dikujt të merrnin vulën e të qenit ortodokse (pra të doksës së drejtë), ndërsa të tjerat jo. Selman Riza, natyrë heterodokse, i pabindur për ide (marksiste) si njësia e gjuhës me mendimin, për zbatimin e drejtpërdrejtë të marksizmit në gjuhësi, kundërshtar i ngatërrimit të shkencës me politikë, mosrespektues i floskulave ideologjike për gjuhësinë marksiste-leniniste etj, herët a vonë do të binte në grackat e sistemit, ndërsa me atë rast mund t’i interpretoheshin krejt ndryshe diskutimet e një natyre tjetër shkencore. Të gjitha këto, prej pozitës sime vetëm mund të hamendësohen. Si do ta përshkruanit në disa rreshta karakterin e intelektualit Selman Riza? Po ambientin ku atij iu desh të jetonte, të studionte, të botonte…, me pak fjalë, të ndërtonte jetën e tij si intelektual i përmasave që realisht kishte? Selman Rizën e kam njohur për pak kohë dhe vetëm në intervale të shkurta. Si dije dhe si kulturë, në të gjitha aspektet impononte respekt. Në bisedat ishte substancial, i matur dhe i vendosur. Nuk bisedonte për gjëra të rastit, nuk pyeste shumë. Komentet i kishte të kufizuara. Kur shtronte ndonjë çështje, do të kishte patjetër një brendi debatuese, do të ngjallte gjithsesi debat. Nga leximet më është dukur i një natyre heterodokse, dijetar që diskutimin e kishte ngritur në nivel parimi. Prej këndej buronte qëndrimi i tij kritik, duke përfshirë dhe veten. Në çdo situatë reflektive synonte risinë. Ishte origjinal dhe kërkestar në shprehje në raport me mendimin që do të kumtonte, jo në raport me bukurinë e shprehjes. Në një mjedis ku ka vetëm një doksa të konsakruar zyrtare ishte për të pritur që një natyrë e atillë të kishte ndonjë vështirësi. Heterodoksia, qëndrimi debatues dhe mospajtues me mendimin që donte të etablohej, mospajtimet me dogmën ideologjike-shkencore, diskutimet mospajtuese me kolegë, ndëshkimi për idetë e tij dhe për kërkesat e natyrës organizative të punës shkencore, të gjitha këto dhe qëndresa krijuese, e bënin atë disident. Selman Riza ishte shumë punëtor dhe me këtë shpesh i tejkalonte tundimet e tij kritike, i superonte disa prej situatave potencialisht të diskutueshme me të tjerët në kohë të papërshtatshme. Vetëm këmbëngulja në punë i shpjegon gjithë ato realizime veprash të botuara dhe të tjerash të lëna dorëshkrim në një kohë kaq të shkurtër dhe të ngarkuar me kaq shumë tensione.
Intervistoi: Admirina Peçi g.sh. | |
| | | Medalim Anëtar aktiv
Numri i postimeve : 610 Age : 71 Vendi : Shqypeni Registration date : 06/12/2008
| Titulli: Re: Dosja: Selman Riza. Del arkivi i sigurimit kunder gjuhetari Sun Dec 20, 2009 6:16 pm | |
| Dosja sekrete e Selman Rizes |
» Dërguar më: 20/12/2009 - 15:02 |
| Lajme te ngjashme |
Dosja: Selman Riza. Del arkivi i sigurimit kunder gjuhetarit • Datë: Dec 20, 2009 |
|
| Raport nga Taraboshi
Mar. Pun.Op. Bedri Lybesha. Dhënë Agjenti Taraboshi Raport i datës 1/VI/969
Në datën 27/V/969 ai vajti ke Selman riza për të marrë disa udhëzime nga Selmani për gjuhën frënge. Gjatë bisedës që filloj rreth lidhjes që ekziston ndërmjet të menduarit dhe të folurit Selman Riza tha: unë kam arritur në konkluzion se s’ka lidhje ndërmjet të menduarit dhe të folurit. Unë jam kaq i sigurt për këtë sa mar guxim dhe kritikoj edhe Markësin i cili ka arritur në një përfundim të gabuar për këtë çështje. Ai mbasi mbaroi punë me Selmanin filloi të bisedojë veç me Adile Protopapën përgjegjëse e bibliotekës rreth aftësive të Selmanit, ai qëllimisht e hapi këtë bisedë për të marrë diçka për Selmanin nga A. Mbasi ajo foli për aftësitë e Selmanit në gjuhësi tha: Selmani është kokë: se gjatë bisedave që kam patur unë me të, ky ka arritur të kritikojë edhe pikpamjet e Marksit. Po kështu edhe Adileja përmendi tekstualisht atë që ka sipër shënuar. Taraboshi
DETYRA Meqë ju jeni të interesuar për të mësuar gjuhën frënge vazhdo bisedat me Selman Rizën për të futur më thellë në mendimet e tija në çdo drejtim.
MASAT AGJENTURORE OPERATIVE Të bisedohet me Agj. Taraboshi se në cilën dit zakonisht vete ke Selmani dhe me qën se Selmani fle në hotel të shkohet drejt mundësive për vënjen e T.O. Së shpejti. Raporti të riprodhohet në nji kopje dhe të vendoset në dosjen e tij Puntori operativ (Bedri Lybesha)Raport survejimi
Objekti i survejimit Aripi Dita e V-të datë 4/XI.1959 N’ora 6 filloj survejimi në rrugën B. Curri në drejtim të rrugës S.Kodra përkarshi shtëpisë Nr.106. N’ora 1?,35’ Objekti doli nga Instituti i shoqëruar me Ëngjëll Angonin, i cili punon në universitetin shtetëror të Tiranës, kalojnë rrugën Labinoti, Sh.Partizani, n’ora 14,30’ para Kinemasë Partizani ndahet Engjëlli me biçikletë largohet në drejtim të ndr5yshëm, ndërsa objekti vazhdon ecjen Sh.Partizani, Barrikatave, B.Curri, Siri Kodra dhe n’ora 15,3’ u fut në shtëpinë e tij. N;ora 18,30’ Objekti doli nga shtëpia kaloj rrugën Siri kodra, B.Curri dhe n;ora 18,37 u fut në dyqani shoqëruar me një grua e cila dyshohet të jetë gruaja e tij, mbasi gjatë ecjes i futi krahun objektit, që të dy vazhdojnë ecjen rrugës B.Curri dhe n’ora 18,55’ u futën në dyqanin e bukës Njësija nr.117 për 0,2’ dualën me një bukë 50 lekëshe në dorë vazhdojnë ecjen B.Curri, Siri Kodra dhe n’ora 19, 5’ u futën në shtëpinë nr.106. Prej kësaj ore dhe deri n’ora 22.00 nuk ishte parë se objekti9 të bëjë ndonjë lëvizje. Në kët orë survejimi u7 ndërpre. U shtyp në 2 kopje. Kopje e I-rë Degës...” II-të në degën e V-të.Androkli Kostallari: Riza i ka shërbyer Ballit Shënim operativ
Në datën 26/IX/1962 në një bisedim verbal me Androkli Kostallarin – Drejtori i Institutit të Albanologjisë, rezulton se: “...Punonjësi Shkencor, Selman Riza ka qenë një nga aktivistët e organizatës tradhtare të B.Kombëtar, në ngarkim të të cilit nga një trakt që është lëshuar nga Partia tonë gjatë luftës demaskon të përmendurin si eksponent dhe armik në shërbim të Ballit dhe okupatorëve. Sipas Androkliut, ky trakt mendohet të botohet edhe në shtyp. Androkliu thotë se Selman Riza akuzon gjithë shokët e shëndoshë, duke i cilësuar se këta nuk dinë asgjë dhe është grindur me të gjithë punonjësit, ndërsa vetë ay nuk ka aftësi për sektorin që ndjek. Hipotezat e tij që ka ngritur në institut nuk kanë asnjë bazë shkencore dhe kur është kritikuar për materialet e tij pa vlerë, është detyruar të tërhiqet dhe të mos botohen në shtyp. Në një leksion për albanologjinë që ish ngarkuar të bënte, nuk ka shkruar realitetin duke i dhënë një frymë në favor të Jugosllavëve. Për këtë çështje në një mbledhje të punonjësve shkencorë u kritikua, aq sa edhe Eqrem Çabej e kundërshtoi për materialet e tij të dobta në kundërshtim me realitetin. Na ka thënë Selmani nuk merremi me politikë por jemi të pavarun si shkencëtarë. Ne jemi autoritete shkencore dhe jo administrative. Nuk duhet bërë propagandë me çështjet shkencore. Që nga prishja e marrëdhënieve me B.S ka filluar të aktivizohet duke goditur sistematikisht punonjësit e tjerë të vjetër e të rinj, sidomos tani flet edhe kundra A.P (?) gjë që më parë nuk e bënte. Gjithashtu punonjësit shkencor K. I ka thënë Androkliut se kur kam qenë në burg me Selmanin, ay trajtohej shumë mirë, i lejonin libra e sende të tjera në burg, ndërsa neve nuk na jepej asnjë e drejtë. Mbas daljes nga burgu u emërua profesor në Sarajevë dhe Shkup dhe për çudi në vitin 1955 vjen në Shqipëri si i persekutuar nga Jugosllavët. I paraqituri ka qenë pronar tokash dhe dyqanesh. Në të kaluarën ka qenë bile avokat i një firme tregtare private. Studimet i ka kryer në Francë por nuk ka asnjë dokument për fakultetin që ka kryer. Është tip egoist mendjemadh dhe e mbivlerëson veten e tij. Tregohet se është punëtor i madh duke qëndruar në zyrë, por në fakt nuk nxjerr asgjë në dritë, mbasi nuk ka aftësi shkencore. Me qenë se na prish punë, pohoi Androkliu, do ti propozojmë komitetit Qendror për ta larguar nga Instituti. Punëtori operativ, Tiranë, më 27/IX/1962 Kap.I-rë (Qiriako Prokopi) Anash: Qako! Grumbullo të gjitha që di mirë për... dhe të propozojmë një relacion të Q. për ta hequr andej E.. (Shënim në anën tjetër) Ky shënim operativ nuk është i plotë. Po duhej të bënte të kjartë çdo gjë që ven në dyshim objektin. –P.sh. 1.Thuhet se S. ka bërë një leksion për albanologjinë, nuk ka shkrojtur realitetin por i është dhënë një frymë jugosllave dhe për këtë është kritikuar nga E. Çabej. Për mendimin tim ky fakt duhej dërguar deri në fund. 2. Po kështu është edhe rasti i K. Megjith se i ka kalue koha. – Këto duhet të skjarohen se mbeten si të dyshimta për Selmanin.
Raport nga “Jaku”
Dhënë nga B.P. Jaku marrë nga Tog Gaqo Pema datë 9/V/1958
Raport Ay raporton se në muajin prill 1958 i quajturi Zeqirja Rexha u riatdhesua nga Jugosllavia. Këtë lajm po ia epte në bisedë e sipër Kristo Frashëri Aleks Budës në sallën e institutit të historisë e gjuhësisë. Në diskutimet në mes të këtyre të dyve simbas thanjes së vet Zeqirja Rexhës se ai ishte riatdhesuar me vullnetin e tij etj. Në bisedat që kishte me Kristo Frashërin ay i kishte thënë se ishte persekutuar mjaft në Jugosllavi si dhe vuajtur mjaft ekonomikisht, megjithatë ndër të tjera i kishte thënë se kishte mbaruar fakultetin e romanistikës në Beograd. Kish sjellë me vehte nji koleksion të nji reviste letrare shqipe që del në Prishtinë të cilën ia shiti institutit të gjuhësisë e historisë nëpërmjet Kristo Frashërit, nga diskutimi që u bë në sallë doli se ay ishte nji shok i Selman Rizës i cili ky është riatdhesuar gjithashtu nga Jugosllavia para dy vjetëve. Duke shprehur habinë për persekutimin që i kishin bërë në Jugosllavi Aleks Buda i thosh K. Frashërit se ay në vitin 1947 ka qenë një eksponent i flaktë i lëvizjes titiste në Kosovë, por siç duket ay më vonë paska ndruar qëndrim. “Jaku”
Raport nga “Gjenevreku” Marrë nga XXXXXXXXXXX dhënë B.P. Gjenevreku
RAPORT I DATËS 27/x/58 Për Selman Rizën ai tha se e njifte qyshe në vjetin 1955 po thuaj nga nga fundi i këtij vjeti, kohë në të cilën erdhi nga Jugosllavia – d.m.th. kur u emërua profesor në fakultetin e Historisë dhe të Gjuhësisë në Universitet. – Mbi jetën e Selman Rizës ai ka mësuar këto gjëra: Është nga Gjakova e Jugosllavisë, shkollën e Mesme e ka kryer në Liceun e Korçës dhe studimet e Larta në Francë, thonë se tërë kohën që ka vazhduar shkollën është i dalluar në mësime dhe studime, duke lënë përshtypje si në rrethin e studentëve dhe në atë të pedagogëve. Din shumë mirë gjuhën serbishte, frëngjishte, gjermanishte, rusishte dhe anglishte. Ai ishte munduar të mësojë tërthorazi mbi jetën e tija dhe të kaluarën, por Selmani i është shmangur nëj gjëje të tillë dhe kur ka raste të tilla që ta pyesësh të thotë ju lutem na lejoni të punojmë. Ai ka mësuar nga Myrteza Kadzadej se Selmani ka qenë arrestuar kur ka qenë në Shqipëri dhe u është dërguar lidhur jugosllavëve, të cilët mbasi e mbajtën pak kohë e liruanë dhe emëruan profesor të gjuhës frënge Zagreb. Që prej kohës që S. Riza punon në Universitetin tonë ai ka vrejture këto gjëra, në personin e tij: ëhstë njeri jashtëzakonisht puntor dhe me një vullnet të çuditshme n3ë punë, punon intensivisht si rrallë të tjerë, gjatë tërë orarit zyrtar ëhst5ë shumë i përpiktë në punë e orar, shumë rrallë del jashtë zyrës gjatë orarit të punës , flet shumë pak dhe eviton bisedat me cilin do, po edhe kure flet të shumtën e herës janë të tjerët q ëi drjetohen S. Rizës dhe jo ky të tjerëvet. Po ti drejtohesh për bisedë, pyetje a sqarim për çdo subjekte të përgjigjet menjëherë po shumë shkurte dhe e sheh se bashkëfolësi don me e zgjatë bisedën, atëherë bën disa gjeste padurimi që don të thotë “nëse mbarove të lutem më lër rehat se kame punë”, me një fjalë nuk të inkurajon të flasësh as të bësh shaka qëndron shumë serios. Prej dy vjetësh punon mbi dy monografi shkencore (studime gjuhësore 1) mbi nyjet dhe 2) mbi përemrat pronorë të gjuhës shqipe) prej të cilëve pret të fitojë gradën kandidat i shkencave, punon dite e natë për këto monografi, vjen dhe të dielave e punon pothuajse tërë ditën.. gjatë këtyre dy vjetëve nuk është parë të frekuentojë nonji lokal, si duket nuk pi as duhanin as rakinë, as kafen. Është kaq i mbyllur e i heshtur sa nuk i dihen as gustot dhe as dëshirat e tija, jo vetëm kaq por nuk është parë të jetë shoqëruar no një herë në rrugë me nonjë person tjetër përveç gruas së tija. Gjithashtu dhe këtu në universitet nuk shoqërohet dhe nuk i kemi konstatuar as nonjë shoqëri me përjashtim të përshëndetjevet të zakonshme. Është njeri ambicioz dhe i njef vetes një superjoritet intelektual mbi shumë të tjerë, vishet shumë thjeshtë të shumtën e herës me rroba doku. Në mbledhjet që bëhen çfarë do qofte sindikale apo zyrtare dëgjon me shumë vëmendje dhe kur e merr fjalën diskuton me shumë serjozitet. Njerëzit e ndryshme që e njofin flasin me konsideratë për të dhe e çmojnë. Përshtypja e përgjithshme që të le ky person është njeri shumë punëtor, i mbyllur në vetvete, mizantrop, i heshtur...ambicioz. Flet edhe shkruan toskërishte. Gjenevreku.
Detyra Do ti jepen më vonë në bazë të një vije sjelljeje dhe mbasi të vërtetojmë se sa do të jetë i zoti B.P që të përfundojë këtë. Masat operative Ti bëhet një vijë sjelljore e studjuar. Punëtori operative. Emri dhe firma janë shlyer. Shefi i seksionit V-të kapitet I-rë (Marke Dodani)
Raport nga “Jaku” Dhënë nga B.P. “Jaku” Marrë nga Tog Gaqo Pema datë 11/IV/958 Raport Ay raporton se Selman Riza bashkëpuntor i vjetër i Institutit të Historisë e Gjuhësisë, tani punon në sektorin e gjuhësisë. Paraqitet puntor serjoz dhe me shoqri. Nuk shoqrohet me askënd, përveç zyrës nuk shkon se nuk frekuenton ndonjë lokal si kafe, klube e tjera. Kur kthehet nga zyra për në shtëpi shkon më të shumtën vetëm. Asnjiherë në zyrë nuk trajton çështje politike, i eviton ato. Një ditë rreth datës 8/IV/958 erdh në zyrën e Aleks Budës mbasi mbaroi orari punës, e priti atë derisa u bë gadi dhe së bashku u nisën për në shtëpinë e Aleksit. Nuk dihet pse vajti: për të marrë ndonjë libër apo ihs i ftuar për drekë nga ai. “Jaku” Detyrat dhënë B.P. ndodhen në raportin e tij origjinal. Masa op: Informata të shtypet dhe nji kopje ti jepet seksionit të V-të sektorit përkatës. Puntori operative Toger (Gaqo Pema) Ma dhat kot. 20/6.58 (firma e palexueshme)
Raport survejimi
Objekti i survejimit Aripi. Dita e I.... të e survejimit data 3.XI.1959. N’ora 7.5’ objekti doli nga shtëpija në rrugën B.Curri në drejtim të rrugës Siri Kodra as. Deshnicaq, sh. A.Rustemi, M Këlliçi, Labinoti dhe n’ora 7,30’ u fut në institutin akademik. N’ora 15,00 objekti doli nga instituti, kaloj rrugën Labinoti, M.Këlliçi, sh. A. Rustemi, Sh Deshnica, S.Kodra dhe n’ora 15,25’ u fut në shtëpinë e tij nr.106. N’ora 16,35’ Objekti doli nga shtëpija e tij kaloj rrugën S. Kodra, Sh.Deshnica, Sh. A. Rustemi, M.Këlliçi, Labinoti dhe n’ora 17.00 u fut në Institutin Ekonomik. N;ora 18,55’ Objekti doli nga Instituti kaloj rrugën 28 Nëndori, sh. Partizani, 28 nëndori, para pastiçerisë vollga Don, kthehet rrugës 28 nëndori, Sh.Partizani, barrikadat B. Curri dhe n’ora19,20’ para shkallës K.Permeti u takua me një grua në të cilës objekti i çeli çantën e cila e kishte gruaja në dorë dhe i shkoj krahun që të dy vazhdojnë ecjen rrugës B.Curri, S.Kodra dhe n’ora 19,25’ u futën të dy në shtëpinë me nr.106. deri n’ora 22,00 që vazhdoi survejimi nuk u pa ndonjë lëvizje. Në këtë orë Survejimi u ndërpre. U shtyp 2 kopje. Kopje I-rë Degës..... “II-të në Degën e V-të punëtori operativ Toger (Kleo Nika)
Raport nga “Tomorri”
Marrë nga P.O.Dh.Gjoni Dhën nga B.P. “Tomorri”
Raport i datës 12/6/1967
Viktor Stratoberda kisht vajtur në Tiranë me datën II-Qershor 1967 bahskë me gruan për ta shtruar në Maternitet, kishte bizetuar me aleks Budën për Selman Rizën e të tjerë, Aleksi tha Viktori nuk të thotë gjë konkretisht dhe në hollësi ashtu siç duam neve, por tha se, “ janë shumë të ulët”, por e shoqja e Aleksit (Vasilika) që është netare e Viktorit, tha pikpamjet ndryshme në prirjen e goditjes që drejtoheshin kundra Aleksit të shoqit të saj”. Për Selman rizën tha “Selmani filloi diskutimin në atë mbledhje duke thënë të dashur shokë dhe të shtrenjtë komunista-Antar të partisë, menjëherë në këtë rast e mori fjalën udhëheqësi i Partisë duke i thënë lëri ato shprehje borgjeze dhe hipokrite”. Ky qe fillimi pastaj merre me ment – Selmani foli për drejtorin se duke qenë drejtori dhe administrator nuk ka mundësi të merret dhe me punë shkencore, kaqe foli për Selman Rizën”. “Tomorri”
Shënim. Detyra nuk ju dhanë. Masa operative Raporti të shtypet në dy kopje dhe vendoset në dosjen e dy objekteve S.Rizës dhe V.Stratoberdes. P.operativ (Dhimitër Gjoni)
Raport nga “Bleta” Dhanë Bp. “Bleta” marrë P.O.B.Shehu Në bazën “Riviera” Raport dt.8.6.77
Burimi njofton se me dt.26.5.77 në Bibliotekën Kombëtare u takuan me Selman Rizën. Mbasi bënë bisedën mbi problemet gjuhësore, Selmani u shpreh: “Ne nuk kemi shkencë jemi akoma në primitivizëm, sepse “shkencëtarët” tanë duan të merren me politikë, me marksizëm e jo me shkencë. Tek ne çdo gjë është politike, para e mbrap”. Burimi nuk ja kundërshtoi mendimin me qëllim që Selmani të vazhdonte, por vetë Selmani e kaloi bisedën në një temë tjetër. Gjatë bisedës Selmani e pyeti atë nëse gjatë kohës që ka qenë për studime në Francë e ka njohur Rexhep Ismailin nga Kosova, të cilin Selmani e konsideronte si shokun më të ngushtë.. Burimi i tha se e njihte dhe se i ishte dukur me të vërtetë njeri i mirë. Selmani nuk u zgjat më shumë në këtë drejtim. Bleta Vlerësimi i të dhënës: E dhëna tregon se Selman Riza qëndron në pozita të theksuara armiqësore. Ky i kundërvihet heshtur politikës së Partisë, e cila thotë se politika në vendin tonë duhet ti paraprijë gjithçkaje dhe vetë shkencës, kurse Selmani mbron pikpamjet borgjeze-revizioniste, të cilat për demagogji e konsiderojnë shkencën të shkëputur nga politika. Selmani këto ide reaksionare mundohet t’i kultivojë edhe te persona të tjerë. Detyra: B.p u porosit që ta mbajë këtë frymë vigjilence dhe sa herë të konstatojë pikpamje e veprime të karakterit armiqësor t’na bëjë me dijeni, mbasi ajo së shpejti do të seleksjonohet nga rrjeti agjentural, sepse jep mësim të gjuhës frënge te shokët e udhëheqjes së Partisë dhe të Shtetit, në familjet e tyre. Masa operative: E dhëna të shtypet në një kopje dhe t’i kalohet P.O Astrit Mata që ka dosjen formulare 2B të Selman Rizës. Tiranë 8.6.77 Puntori operativ Besnik Shehu.I
Shënim: Materialet e kësaj specialeje janë shkëputur nga libri “Pasionet dhe pësimet e Selman Rizës”, përgatitur nga studiuesi Rexhep Ismajli. Përmendja e emrave të personazheve të njohur nuk ka si qëllim përbaltjen e tyre, por dëshmon faktin se ç’mjete përdorte Sigurimi i Shtetit për të pasur nën kontroll gjithçka e gjithkënd që vihej në rreth nga sistemI | |
| | | | Dosja: Selman Riza. Del arkivi i sigurimit kunder gjuhetari | |
|
Similar topics | |
|
| Drejtat e ktij Forumit: | Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
| |
| |
| |