Mexhid Yvejsi Anëtar
Numri i postimeve : 429 Age : 74 Vendi : Gjakovë, Kosovë Registration date : 04/05/2009
| Titulli: HAXHI IDRIZ VUÇITËRNA (1950-2004) Mon Aug 17, 2009 11:36 am | |
| |
|
Idriz Vuçitërna (1950-2004) | HAXHI IDRIZ VUÇITËRNA (1950-2004) Nga Mexhid YVEJSI, Gjakovë Idriz Vuçitërna është djali i Haxhi Hasan Vuçitërnes, (1919-1988) ish-i burgosur politik, që për komunistët ishte armik, sepse ishte besimtar e atdhetar, ka qenë kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame të Rahovecit, i cili u vra nga policia serbe, në korrik të vitit 1988, por që trupi i tij ende nuk është gjetur… Është nipi i dëshmorit, Hasan Vuçitërna, ka qenë hoxhë i nderuar, i cili është vra, pushkatuar, nga ushtria serbe, në vitin 1919… Idriz Vuçitërna, djal e nip dëshmori, të vrarë nga ushtria e policia serbe, lindi me 11 Shtator 1950, në Rahovec, ku kreu shkollën fillore dhe të mesmen. Studimet për teknologji i filloi Tuzllë të Bosnës dhe i përfundoi në Mitrovicë. Ndonëse me profesion ishte inxhinier i teknologjisë, shquhej për kontributin e tij në shumë lëmi: për kontributin e tij kulturor, fetar, atdhetar, politik e qytetar. Në fillim ka punuar në arsim, më vonë si inxhinier i teknologjisë, ka qenë drejtor fabrike, kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame të Rahovecit, anëtar i Kuvendit të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe së fundi, drejtor i Drejtorisë për Kulturë, Sport dhe Rini në Kuvendin Komunal të Rahovecit. Prej të gjithave, ajo që e kishte më në zemër, me të cilën krijoi emër, ishte një lëmi: të merrej me krijimtari. Shkrimet e tij ishin të veçanta, interesante, aktuale, lexoheshin me vëmendje, me kënaqësi dhe çdo lexues përfitonte shumë prej punime të tij. Ka shkrue shumë punime, studime, të cilat janë publikue në gazeta e reviste të ndryshme, si: “Dituria Islame”, Edukata Islame” “Takvimi-Kalendari”, të Prishtinës, në revistën “Frymëzimi” të Gjakovës, “Selam-i” të Prizrenit, “Hëna e Re” që botohet në Shkup etj. Përveç revistave të lartëpërmendura, ka botue edhe në gazetat e përditshme të Kosovës, si: “Koha Ditore”, Kosova Sot”, “Epoka e Re” etj. Shkrimi i tij i fundit u botue në gazetën “Epoka e Re”, më 14 Tetor 2004, faqe:8, me titullin:”Çka është Ramazani?” Përveç shkrimeve që janë botuar, që do të mbesin si një dëshmi e paharruar, Haxhi Idriz Vuçitërna, si një veprimtar, studiues, ka marrë pjesë në shumë tryeza, tribuna, sesione e konferenca shkencore, që janë zhvilluar nëpër qytetet kryesore, Shkup, Tiranë dhe në Prishtinë. Në Prishtinë shkëlqeu në Konferencën Shkencore: “Shtypi Islam – dje, sot dhe nesër”, organizue nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, që zhvilloi punimet në amfiteatrin e Medresesë “Alauddin” në Prishtinë, me 23-25 Maj 2003, ku Idriz Vuçitërna, si një nga referuesit që pritej me pa durim, e lexoi kumtesën me titull: “Për një pasqyrim objektiv të problematikës islame në shtyp”. Përmbajtja e shkrimeve të tij në vazhdimësi ishte e guximshme, mallëngjyese, trimëruese, frymëzuese…. Për vite të tëra e kam pasur mik, mik të dashur e besnik. Ishte i edukuar, i kulturuar, modest, bujar, besimtar, atdhetar… Për çdo shkrim të ri, pa pritue fare, vinte në Gjakovë, më vinte në shtëpi dhe më thoshte: “Qe një punim i ri, s’kam qejf me dalë në dritë për pa ia lëshue sytë…!” Qe disa tituj të punimeve të Haxhi Idrizit të botuara në faqet e revistës “Dituria Islame” të Prishtinës:
1.Abdul Maliq Hoxha (1865-1928), Nr. 25, Maj, 1991 2.Ideologjia kombëtare, ç’është ajo?,Nr. 32, Dhjejtor, 1991 3.Shqiptarët dhe trashëgimia kulturore evropiane, Nr.44, 1992 4.Gjuha në shërbesat fetare islame Nr.62, Tetor, 1994 5.E kujt është festa e Vitit të Ri? Nr.63, Nëntor, 1994 6.Feja si adet Nr. 76, Janar, 1996 7.Objektiviteti-dëshmi e pjekurisë civilizuese, (Shkurt, 1997)
Haxhi Idriz Vuçitërna ndrroi jetë në shtëpinë e tij, në një fatkeqësi, ditën e diel, pasdite, më 5 dhjetor 2004. Me 6 dhjetor u krye ceremonia e varrimit, ku morën pjesë mija qytetarë nga gjithë Kosova. Kuvendi Komunal i Rahovecit, ditën e hënë me 6 dhjetor 2004, mbajti një mbledhje përkujtimore me rastin e vdekjës së Haxhi Idriz Vuçitërnes, në të cilën kryetari i Komunës së Rahovecit, Esad Haxhijaha, ndër të tjera tha: ”Detyrat e punës i kryente me seriozitet. Ka qenë i sjellshëm dhe i respektueshëm….” Në kohën e drekës, qendra e Rahovecit ishte mbushur plotë me qytetarë, siç ishte mbushur përplotë edhe xhamia kryesore, ku u falë namazi i drekës nën udhëheqjen e Mulla Shani ef. Sylka, i cili udhëhoqi edhe faljen e namazit të xhenazës, në platonë e xhamisë madhështore në ndërtim, që ishte e ngushtë për të gjithë xhematlijntë… Xhematlinj të shumtë, të gjithë hoxhallarët e Rahovecit, i gjithë stafi i të punësuarëve në administratën komunale të Rahovecit, autoritete të institucioneve të ndryshme, ish-ushtarë, luftëtarë, ish-komandantë të UÇK-së, udhëheqës të partive politike, që të gjithë në këmbë u nisën drejt në varrezat e qytetit, ku me tekbire, duke e madhëruar Zotin, u varros me nderime, Haxhi Idriz Vuçitërna… Kryeimami i Rahovecit, Mulla Nysret Efendi Abazibra, qe i fundit që u nda prej Haxhi Idrizit, me një fjalim shumë prekës, me një oratori të rrallë, me një zë kumbues, melankolik e dramatik, ku ndër të tjera tha: ”Haxhi Idriz Vuçitërna gjatë jetës e punës së tij, la gjurmë të thella…Mungesën e tij do ta ndiejmë të gjithë…” Mungesën e tij e ndien edhe poeti Agim Metbala, i cili i kushton këtë poezi, me titullin:
DHEMBJA
(Idriz Vuçitërnës)Ishe i qetë Me ftohtësi fitoje secilin kundërshtar Besimi të mbante vertikalisht Disfata dhe padituria Të shtriheshin para këmbëve...
Marshove guximshëm pas dijes Pentagramet i ke gravuar kohës Gazetave feqet u ke shumuar Lëndë e parë për brezat në vijim...
Kishe parandjenjë të gjallë (Dhuratë e Zotit njerëzve të numëruar në gishta) Të fshehur në sirtarët I nxore dorëshkrimet e Avdylmaliq Hoxhës Që do t’i kishte ngrënë koha pa mëshirë I shumëzove në mënyrë gjeometrike Për të mbetur të gjallë përjetësisht...
Pastaj, u largove pa paralajmërim Kur ne nga Ti pritnim befasira S’do t’përzihem në punët e Zotit Do t’na mungosh o mendimtar!
25.01.2005
Unë, që e kisha mik shtëpie, mik veprimtarie, edhe pas pesë vjetësh po e ndiej mungesën e tij, por ne të gjithë prej Zotit jemi, të gjithë tek Ai do të kthehemi. Të kthehemi, si Haxhi Idrizi, me faqe t’bardhë se dita e fundit secilit ka për t’i ardhë… |
|
Mexhid YVEJSI, Gjakovë | |
|