Në mënyrën më shtazarake, aparati policor "antiterrorist" i xhandarmërisë serbe, në një aksion "disiplinues", të organizuar prej ish bashkëpunëtorit të ngushtë të Millosheviçit, Ivica Daçiç, arrestoi në Preshevë, më 26 dhjetor 2008, 10 ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) duke ushtruar edhe një herë dhunë, torturë dhe terror shtetëror ndaj popullit shqiptar.
Me këtë aksion fashist të Beogradit, pushtuesit dhe kolonialistët e Kosovës lindore kishin qëllim të hakmerren ndaj shqiptarëve, luftëtarëve të lirisë, duke shfryer epshet e tyre gjaktare antishqiptare, si dhe të realizojnë një vepër dezinformimi të përkryer, me akuzën e trilluar se ata paskan kryer "krime lufte" kundër popullatës serbe, në zonën e Gjilanit.
Për kë ka kryer krime lufte dhe gjenocid të vazhdueshëm në Shqipërinë veriore – ish vilajetin e Nishit dhe ish vilajetin e Kosovës – ka shumë fakte të kthjellëta. Populli shqiptar u gjakos, u burgos, u torturua, u masakrua mbi 150 vjet prej xhelatëve sllavë, duke filluar (në periudhën moderne) që nga 1878 kur mbi 700 vendbanime të banuara në shumicë nga shqiptarët autoktonë në trojet e veta (në zonën e Nishit) u zbrazën nga popullata shqiptare që u dëbua në Kosovë dhe në Turqi. Kundrejt rezistencës gjithpopullore, makineria vrastare beogradase, vetëm në luftën e fundit çlirimtare, ka kryer masakra si ato të Reçakut, si dhe në aksionin "Patkoi", Millosheviçi donte të dëbojë jashtë Kosovës (në Shqipëri dhe IRJM) tërë popullatën shqiptare, aksion i ngjashëm si atë të dëbimit të muhaxhirëve të Toplicës të ndodhur pas kongresit të Berlinit.
Pra, jo luftëtarët e lirisë të radhitur në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishin "kriminelë luftë" (dhe shpifja këtu ka karakter të ricikluar, sepse gjatë luftës dhe më pas, Beogradi i akuzoi gjithë luftëtarët për "terrorizëm"), sepse ngritja në luftë çlirimtare nënkupton ngritje kundër pushtimit dhe kolonizimit, sipas të drejtës legjitime të vetëvendosjes dhe dekolonizimit. Pikërisht Serbia dhe të gjithë drejtuesit e lartë dhe të ulët të aparatit shtetëror vendimmarrës serb të asaj kohe, duke përfshirë edhe ministrin aktual të puneve të brendshme të Serbisë, Daçiç, duhet të përgjigjen për krime lufte. Por Prishtina zyrtare kurrë nuk ka paditur Beogradin për gjenocid ndaj popullit shqiptar, dhe kjo e ka "trimëruar" Serbinë të bëjë akuza të tilla ndaj luftëtarëve të UÇK-së, duke mbuluar njëkohësisht krimet dhe dhunën e vet ndaj popullit shqiptar. Aksioni terrorist i fundit i shtetit serb, si dhe bastisjet dhe arrestimet ndëshkuese të banditëve të trupave paraushtarake sllavo-maqedonase "Alfa" në Kumanovë dhe Shkup, po ashtu ndërhyrja e vitit të kaluar në Brodec të Tetovës, duhen hetuar në kuadrin e shkeljeve të së drejtës pozitive penale ndërkombëtare, sepse tortura fizike dhe psikologjike ndaj të arrestuarve dhe familjeve të tyre nuk është aspak në përputhje me normat moderne të procedurës ligjore ndërkombëtare.
Nga ana tjetër,Beogradi, me këtë aksion, ka dashur edhe të provojë besnikërinë e disa liderëve në Preshevë dhe Bujanoc. Pra, gishti akuzues duhet drejtuar ndaj kolaboracionistëve shqipfolës, për veprime të vjetra dhe të reja që kanë mundësuar vazhdimin e kolonizimit serb ndaj Kosovës lindore (ndalimi i luftës çlirimtare të UÇPMB-së me nënshkrimin e marrëveshjes së Konçulit, pjesëmarrja konstante e partive si PVD, PDSH, LPD në zgjedhjet e shtetit pushtues serb, pranimi i zgjedhjes në parlamentin e Serbisë të poslanikut Riza Halimi) dhe zhvillimin konkret të aksionit. Ata drejtues lokalë shqipfolës, si kryetari i komunës së Preshevës, Nadër Sadiku, kryetari i kuvendit komunal të Preshevës etj që sipas vet deklaratave të Daçiçit dinin për aksionin që do të zhvillohet dhe nuk e parandaluan, nuk e paralajmëruan, por bashkëpunuan me aparatin policor serb, duhet të përgjigjën në mënyrë direkte para popullit shqiptar. Ata u shfaqën haptazi dhe fshehurazi në përkrahje deklarative të Beogradit, p.sh. aprovimi i kryetarit të komunës së Preshevës Naser Sadiku që, ashtu si Azem Vllasi dikur në demonstratat e vitit 1981 që thirri ushtrinë serbe në Kosovë për të shtypur revoltën popullore, po fton xhandarmërinë serbe për të arrëstuar më shqiptarë "të dyshuar për krime lufte":«të gjithë ata për të cilët do të dëshmohet se kanë bërë krime të luftës duhet që të përgjigjen dhe drejtësia duhet të jetë e njëjtë për të gjithë».
Zotëria e tij nuk ka ngritur zërin kundër dhunës policore serbe, por ka çuar ujë në mullirin e shpifjeve sllave dhe « drejtësisë » antishqiptare të Beogradit, që çlirimtarët shqiptarë i barazon me xhelatët serbë dhe që në të ardhmen mund të bëjnë inskenime të tjera kundër shqiptarëve. Pastaj ka edhe soji i deputetit serb Riza Halimi, që po na qan me lot krokodili se aksioni nuk i përgjigjet « stabilitetit » dhe që para sulmit policor serb ndaj shqiptarëve po lypte deklarativisht para për Kosovën lindore, vetëm e vetëm për të maskuar bashkëpunimin me autoritetet serbe, por që nuk ka dhënë akoma dorëheqje prej karrigës së tij të ëmbël që ndodhet në parlamentin serb !
Populli shqiptar, duke kuptuar vazhdimësinë e politikës antishqiptare të Beogradit dhe të bashkëpunëtorëve të saj, është i organizuar dhe i gatshëm t'u përgjigjet pushtuesve dhe kolonizatorëve, në çdo kohë dhe në çdo rrethanë. Kjo dëshmohet edhe nga organizimi i protestave të familjarëve të të arrestuarve në Preshevë, që duhen mbështetur edhe nga institucionet zyrtare në Tiranë dhe Prishtinë. Të mos mendojë Serbia dhe shtetet e tjera pushtuese se, me shantazhe, kërcënime, terror do të mund të mbjellin frikën të populli shqiptar. Jo vetëm për shkak të ndjesisë vetëmbrojtëse të popullore, por edhe për faktin se në të gjitha trevat shqiptare lëvizja antikoloniale shqiptare po mobilizohet dhe masivizohet, duke u mbështetur në forcat e brendshme gjithëkombëtare.
Bishti antishqiptar tenton të mbytë grumazin e popullit, por nuk do të kalojë shumë kohë dhe gërshërat çlirimtare do ta presin, duke çliruar trevat e Shqipërisë Veriore akoma nën pushtim dhe kolonizim, duke i bashkuar me Shqipërinë londineze, në një shtet të vetëm kombëtar shqiptar në Ballkan.