Një grumbull me ndërtesa. Ose: Pse Prishtina nuk është ende qytet?
"Në këtë qytet syri fiton një mëvetësi, e cila është e ngjashme me atë të lotit. Dallimi i vetëm është se syri nuk shkëputet nga trupi, por e nënshtron atë plotësisht.
Pas një kohe - në ditën e tretë apo të katërt këtu - trupi fillon ta shoh veten vetëm si bartës të syrit, si një lloj nëndetëse periskopin e saj (...)".
Joseph Brodsky, "Bregdeti i të humburve", shënime për Venedikun
Çdo krahasim i Prishtinës me Venedikun do të ishte sakrilegj, do të ishte lartësim i të neveritshmes përballë të bukurës. Citati i mësipërm i nobelistit rus Joseph Brodsky, ku ai e lavdëron autonominë e syrit derisa shikon Venedikun, në këtë tekst mund të shërbejë vetëm si shembull për të treguar të kundërtën: se ka qytete që s'e meritojnë këtë emër.
Për shembull kryeqyteti i Kosovës - Prishtina. Këtu, në këtë kasaba të kiçit, sytë nuk të pushojnë kurrë po shikuat arkitekturën, rrugët, shtëpitë, ndërtesat e institucioneve. Këtu sytë nuk hapen nga kureshtja, por rrudhen nga neveria.
Çfarë shihet? Një antikulturë ndërtimore pa asnjë rregull, mungesa pothuaj totale e shtetit dhe - mbi të gjitha - mungesa e arsyes, e cila shprehet përmes "urbanizmit familjar" me shtëpi me dy, tri ose gjashtë hyrje (nga një për secilin vëlla, motrat edhe ashtu dikur shkojnë te burri, për to, sipas kësaj logjike të mbrapshtë, nuk ka hise), me një pseudoarkitekturë me fasada të kaltra prej xhami, të cilat simulojnë imazhin e një metropoli, një megapolisi të biznesit.
Para një viti, krejt i pavënw re, në Prishtinë qëndroi arkitekti zviceran me famë botërore Marcel Meili. Atyre ditëve në mediat e Kosovës dominonte një temë: Kushtetuta e re që pritej të miratohej.
Edhe sot politikanët e Kosovës nuk lodhen duke lavdëruar ligjin themelor të shtetit, duke e quajtur atë si më modern në rajon, në kontinent dhe në botë. Thua se shtetkrijimi qenkësh shpikur në Kosovë, thua se këtu, për herë të parë, u shkruajt një Kushtetutë.
I ballafaquar me këtë debat të mërzitshëm Marcel Meili kishte kritikuar një të metë të Kushtetutës së Kosovës, kur kishte thënë se ligjvënësit duhej të përfshinin edhe një nen të veçantë që do të ndalonte fasadat e xhamit. Me këtë humor tepër serioz Meili kishte tërhequr vëmendjen te një defekt serioz i shoqërisë në Kosovë: prirjen për shtirjen e modernitetit dhe urbanitetit.
Guerila pseudourbane
Kjo dukuri është shfaqur sidomos pas vitit 1999 dhe mund të duket edhe sot lirshëm dhe pa konsekuenca pothuaj çdokund në Prishtinë. Dëshironi të ndërtoni një shtëpi në kopsht? Ndërtojeni!
Dëshironi të shtoni një aneks për turshi? Urdhëroni! Keni qejf t'i zgjatni shkallët deri në gjysmë të trotuarit? Vazhdoni punën! Ju pëlqen të ndërtoni lagje të tëra nëpër ara të bukës?
Në këtë qytet të mbrapshtë do t'ju thonë - puna e mbarë! Kjo është gjuha e shtetit dhe institucioneve të tij, të cilat nuk japin prova e dëshmi se synojnë të krijojnë rend urbanistik, por qëmoti janë pajtuar se mjafton të administrohet kaosi, të mos investohet në infrastrukturën e vjetëruar, të vazhdohet me shërbimet komunale pothuaj mesjetare, të mos i ngjitet dora sektorit të shkatërruar të shëndetësisë, të lejohet mospuna e gjyqeve bizantine dhe të pranohet keqfuksionimi i shkollave mediokre.
Kështu Prishtina është shndërruar në një grumbull me ndërtesa, në një mishmash stilesh me skulptura xhami dhe ngrehina betoni. Pra, një biçim-qytet që e tërheq të keqen si me forcë magnetike.