Fundi i pretendimeve
për trafikim organesh në luftën e Kosovës
Nuk ka prova për trafik organesh në “Shtëpinë e Verdhë”
Për vite të tëra kanë qarkulluar histori lidhur me
serbë të rrëmbyer dhe të vrarë për t'iu marrë organet në muajt që pasuan
luftën në Kosovë.
Sipas disa burimeve (pranë secilit nga
investigimet), tre hetime paralele të kryera nga hetuesit nga Serbia,
Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës, nuk arritën të gjenin prova që
Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) kishte trafikuar organet e personave
të ndaluar.
Siç pretendohet, dhjetëra serbë të marrë robër ishin
çuar në një shtëpi në qytetin e Burrelit nga qershori 1999 deri në maj
2000 dhe në mënyrë sistematike iu ishin marrë organet e trupit, për t'i
shitur.
Këto pretendime janë të prezantuara në autobiografinë e ish-
Kryeprokurores së Gjykatës së Hagës, Carla del Ponte, e botuar në 2008.
Por,
pamundësia për të gjetur burimet origjinale dhe ndonjë provë të re që
prej vitit 2004, tregojnë se kjo histori nuk ishte e mbështetur në
fakte.
Raporti i Këshillit të Evropës, që pritet të botohet muajin e
ardhshëm nga hetuesi, Dick Marty, pritet të përqëndrohet në kërkesat
politike për qeveritë e përfshira, sesa në zbulimin e fakteve të reja.
Pengesat
"Është
fakt që nuk ka asnjë provë për këtë çështje," thotë Matti Raatikainen,
kreu i Zyrës për Krime Lufte të Misionit Evropian në Kosovë për Sundim
të Ligjit (EULEX).
"Asnjë trup, asnjë dëshmitar. Të gjitha njoftimet
dhe vëmendja e medias për këtë çështje nuk na kanë ndihmuar. Në fakt ato
nuk i kanë ndihmuar askujt."
Problemi kryesor, tha ai, ishte që
skandali i krijuar nga këto pretendime, kishte larguar vëmendjen nga
puna që po bëhej për të gjetur eshtrat e 1861 personave që ende
konsiderohen si të zhdukur nga lufta dhe ndëshkimi i vrasësve të tyre në
Serbi, Kosovë dhe Shqipëri.
Në vitin 2009, një hetim special i
BBC-së gjeti prova në qytetin e Kukësit për ekzistencën e kampeve të
UÇK-së ku mbaheshin të burgosur.
Në fillim të majit, EULEX-i bëri
edhe arrestimin e parë në lidhje me këtë çështje.
Matti
Raatikainen
Kanë dalë gjithashtu hollësi se shqiptarë të dyshuar
se nuk kanë qenë besnikë ndaj UÇK-së, janë marrë në pyetje në një hotel
në Durrës dhe më pas janë transferuar në Kukës.
Zbulimet konstante në
shtypin serb, se fakte të reja apo dëshmitarë të rinj kanë dalë lidhur
me çështjen e pretenduar për trafikim organesh, kanë dalë të rreme, ose
kanë qenë pa bazë.
Pas luftës në Kosovë gazetari amerikan, Michael
Montgomery, kishte hasur ushtarë të UÇK-së që kishin transportuar të
burgosur serbë dhe shqiptarë, të vdekur dhe të gjallë, përtej kufirit
nga Kosova për në Shqipëri.
Tre nga shtatë burimet e tij, i
referoheshin mundësisë për trafikim organesh dhe kanë identifikuar
"shtëpinë e verdhë" pranë Burrelit.
Por, gazetari Montgomery nuk ka
qënë i sigurt dhe e ka dorëzuar një përmbledhje të hulumtimit të tij tek
Zyra e Personave të Zhdukur dhe Provave Mjekoligjore në Misionin e
OKB-së në Kosovë.
Burime të zhdukura
Një ekip i OKB-së në
Gjykatën e Hagës, i drejtuar nga Matti Raatikainen, e vizitoi "shtëpinë e
verdhë" në shkurt të vitit 2004.
Në një prej dhomave të katit
përdhesë, përmes një kimikati u zbulua se dyshemeja përmbante gjurmë të
përhapura gjaku, të cilave nuk u dihej origjina. Familjarët nga ana e
tyre dhanë shpjegime kontradiktore.
Në një vend ku hidhen mbeturinat u
gjetën mjete që përdoren për ndërhyrje kirurgjikale.
Disa hetues
kërkonin që të vazhdoheshin hetimet, kurse për të tjerët provat ishin
shumë të pakta.
Argumenti më serioz ishte fakti që burimet origjinale
të gazetarit Montgomery ishin zhdukur.
Njëri prej burimeve ishte
vrarë, siç supozohet, në një rast që nuk kishte lidhje me hetimin,
ndërsa të tjerët nuk mund të gjendeshin.
Madje edhe autoritetet serbe
që i kanë bërë kaq shumë propagandë historisë së "shtëpisë së verdhë",
sot kanë dyshimet e tyre.
Një burim nga Beogradi, që është i afërt me
gjykatën për krime, thotë se ende beson se diçka ka ndodhur atje, por
jo në shkallën që është sugjeruar dhe që ndoshta nuk ka fare lidhje me
UÇK-në.
Varret masive
Duke marrë parasysh mungesën e
fakteve, ekspertët sugjerojnë se Shqipëria do të kishte ndihmuar për ta
hedhur poshtë këtë histori të dëmshme, sikur të ishte treguar më e
hapur.
Raportuesi special i OKB-së, Philip Alston, tha në shkurt se
"përpjekjet për të hetuar nuk kishin gjetur bashkëpunimin e duhur nga
ana e qeverisë shqiptare".
Ai i bëri thirrje Shqipërisë që të
prezantonte një propozim për hetim të pavarur dhe të bashkëpunonte me të
vërtetë.
Fundi i 'përrallës' për trafikim organesh, siç e quan një
hetues i EULEX-it, do t'i lërë prokurorët për krime lufte me shumë punë
nëpër duar.
Në maj, u zbulua një varrezë masive në qytetin Rashkë në
jug të Serbisë, ku u gjetën trupat e rreth 250 personave që besohet se
janë shqiptarë të vrarë nga trupat serbe në Kosovë dhe që janë varrosur
përsëri në fillim të qershorit 1999.
Dheu i kuq që ishte ngjitur me
eshtrat, sipas disa dëshmitarëve okularë, sugjeronte se trupat ishin
varrosur fillimisht në Drenicë në Kosovë dhe më pas ishin zhvendosur në
Serbi për të zhdukur provat.
Prokurorët besojnë se ushtria serbe
ishte përgjegjëse.
Vrasje për hakmarrje
Serbë të zhdukur
janë gjetur edhe në Kosovë.
Zhvarrosja e 25 serbëve, viktima të
UÇK-së, pritet të fillojë këtë vit në një minierë në Obiliq.
Kësaj
miniere iu vu zjarri dhe ashensori që zbriste nëntokë u shkatërrua për
të fshehur provat.
Përpjekjet për të gjetur viktima të tjera po duken
të vështira.
"Kanë mbetur shumë informatorë potencialë," thotë Alan
Robinson, një prej shefave të Zyrës për Personat e Zhdukur.
"Të tjerë
njerëz që mund të dinë vendndodhjen e personave të zhdukur, nuk duan të
flasin nga frika, apo për arsye se nuk kanë interes."
Sipas
EULEX-it, 2,244 trupa janë identifikuar që prej vitit 2001.
Prej tyre
301 nuk ishin shqiptarë, që do të thotë se ishin serbë, romë apo të
tjerë.
Rreth 228 trupa ishin të serbëve te zhdukur pas 10 qershorit
1999, në fund të luftës, gjatë kohës së vrasjeve për hakmarrje nga
shqiptarët e Kosovës.
Në total rreth 13500 persona mendohet se janë
vrarë gjatë konfliktit, ose menjëherë pas përfundimit të tij.
Hetimi i
kryer nga Dick Marty prej Këshillit të Evropës mbi pretendimet për
trafik organesh, pritet të publikohet në fund të qershorit.
Zhvarrosja
e trupave në qytetin Rashkë pritet të fillojë në muajin gusht.
/bbc/