Nga folklori ynë:
KUR KËNDOHET SHQIP DHE PA LOGJIKË
“Ka njeri që tanë jetën e vet shqip këndon .
Por , me ba e me e pyet se çka je kah këndon ?
Ai , kurrë nuk di që ta shpjegon !”
Ka thënë: Riza Bllaca, rapsod popullor
Kësaj thënie të rapsodit të madh kosovar – Riza Bllacës, po ia shtojmë edhe një thënie popullore e cila iu dedikohet njerëzve të pa dijshëm :
“I pa dijshmi , as nuk lexon, as nuk pyet, as nuk dëgjon !”
E filluam kështu , me këto dy proverba të cilat lidhen drejtpërsëdrejti me temën që do ta trajtojmë në këtë studim të folklorit tonë muzikor , e që jo rastësisht e titulluam:”Kur këndohet shqip dhe pa logjikë”!
Sot, më shumë se kurrë më parë , kemi me bollëk rapsodë popullor , këngëtarë e këngëtare popullore, grupe, ansamble e orkestrina popullore, që pa dyshim janë begatia e folklorit tonë muzikor tradicional.
Por, në kohën kur më nuk mund të flitet për analfabetizmin , në kohën kur vendi ynë ka me dhjetëra universitete , në kohën kur nuk kemi censurë ideologjike dhe kemi literaturë e libra gjithë fare, gazeta sa të duash, mediume elektronike publike sa të duash - të del dikush dhe ta prezantojë këngën tonë popullore para publikut, duke e kënduar atë pa kurrfarë logjike, duke ia shëmtuar gjymtyrët dhe duke e stërkequr deri në pakuptimësi, kjo është më se brengosëse dhe absurde për folklorin tonë tradicional muzikor!
Stërkeqjet dhe këndimet e palogjikshme të këngëve tona tradicionale , sjellin tek publiku dhe adhuruesit e këngës dy të këqija:
1. Gjeneratat e vjetra , të cilat janë rritur me konsumimin e atyre këngëve, do të bëhen nervoze gjatë dëgjimit të atyre këngëve, kur dëgjojnë se këndohen mbrapsht si me tekste, ashtu edhe me meloditë dhe ritmet e tyre!
2. Gjeneratat e reja , të cilat e konsumojnë muzikën dhe këngën tradicionale dhe ëndërrojnë që një ditë edhe ata të bëhen pjesë e estradës sonë , do të pësojnë dëme të mëdha , duke i dëgjuar dhe mësuar këngët nga më të vjetrit , të kënduara gabimisht dhe pa kurrfarë logjike tekstuale!
Shembuj të këndimit të palogjikshëm në praktikën e interpretove të këngës tradicionale popullore , fatkeqësisht , kemi me bollëk ! Por , kësaj radhe do t’ i marrim vetëm disa prej tyre , me të cilat më ka rënë të përballem gjatë tërë jetës sime!
Po e marrim shembull njërën nga këngët më të bukura që i këndohet Ali Pashë Tepelenës , titullin e së cilës e hasim në dy versione :”Dyzet e katër pashallarë” dhe “Njizet e katër pashallarë”?! Lidhur me këtë titull konfuz, as sot e kësaj dite nuk doli njeri që ta sqaroi se cili prej tyre është titulli i vërtetë?!
Këtë këngë të bukur që këndohet gjithandej trojeve etnike shqiptare, madje kjo këndohet me dy versione melodish: versioni qytetar dhe versioni rural. Pra, këndohet me shoqërim të orkestrinave popullore me instrumente të fabrikuara dhe me instrumente popullore burimore nga ana e rapsodëve popullorë.
Dëmi dhe deformimi më i madh që i bëhet kësaj kënge, ka të bëjë me vargun e saj që i dedikohet bashkëshortes së Ali Pashë Tepelenës – Vasilijes , e cila ka qenë greke.
Ndonëse , shumica prej rapsodëve popullor të cilët e këndojnë këtë këngë, nuk e dinë realitetin historik e as emrin e vërtetë të gruas së Ali Pashës, ata e dëmtojnë emrin e Vasilijes, dhe në vargun e këngës:
“Ç’ ki Vasile, qi po kjanë,
Se na e kemi t’ fortë Kalanë?!”
Shumica prej tyre e këndojnë këtë varg:”Ç’ ki Fazile , qi po kjanë”, ose “Ç’ ki Fazli, ti qi po kjanë”, ose “Ç’ ki Vasilko, qi po kjanë?!”
Pra, në këtë këngë kaq të bukur historike, prej një personazhi të vërtetë, na paraqiten disa personazhe të imagjinuara sipas qejfit të disa rapsodëve të papërgjegjshëm.
Tek kënga popullore gjakovare, me titull:”Të shtunën kah iqindija”, është një strofë e saj që thotë kështu:
“More, trim i mirë qaj Haxhi Bajrami,
More, sa me t’ shpejtë e zuni xhaminë!
More, e rrehë topi , e rrehë havani –
Ispatë pe banë, ai, trimeninë!”
Edhe kjo këngë e bukur historike këndohet me instrumente të fabrikuara dhe me ato të punuara nga dora e mjeshtrit popullor shqiptar. Por, e keqja vjen nga ana e disa rapsodëve të pa informuar dhe të palogjikshëm, të cilët nuk dinë që ta dallojnë nocionin “xhami”, prej asaj “xhemi”?! Kështu që shumica prej tyre e këndojnë këtë varg të këngës:”Sa me t’ shpejt e zuni xheminë”!
Pra, rapsodët e këtillë, nuk janë në gjendje që ta dallojnë se çka është xhamia e çka është xhemia?!
Pra, xhemia është një barkë e vogël deti, kurse xhamia është faltore publike e besimtarëve myslimanë .
Po në të njëjtën këngë , në një strofë thuhet:
“ More, disa toskë e disa gegë ,
More, shkuen e u mbyllën n’ at bullat:
More, kush të donë shqiptar me dekë –
Le t’ luftojnë me turkoshak !”
Interpretuesit e këndimit të palogjikshëm, edhe këtë strofë e sakatojnë , duke e kënduar gabimisht kështu:
“More, gjysa toskë e gjysa gegë ,
More, shkuen e u mbyllën n’ at bullak:
More, kush të dojnë mysliman me dekë –
Le t’ luftojnë me turkishak!”
Një këngë tjetër, që titullohet :”More Rrustë, o , i biri i Hysenit”, në mes tjerash, është një strofë ku thotë:
“Unë të thirra para akshamit,
Ti më erdhe mbas akshamit!
Nja tre plumba në shtat t’ i lash –
Qeky asht pazari i gajtanit !”
Ata që këndojnë shqip e pa logjikë, këtë strofë e deformojnë deri në atë shkallë, sa prej zhanrit të këngës historike e qesin në taborin e këngëve të dylberëve, duke e deformuar vargun e tretë të kësaj strofe kështu:”Dy – tre plumba nër shtrat t’ i lash”, ose “Dy- tre plumba në shtrat t’ i lash”?!...
Me këtë deformim tekstual, këngëtarët e tillë aq shumë e mjegullojnë mendjen e dëgjuesit, sa nuk dihet se a është kjo këngë lufte, apo këngë seksi dhe nuk dihet vendi se ku është zhvilluar kjo luftë: në natyrë, apo në shtrat?!...
Në ciklin e këngëve të nizamëve, kur djemtë shqiptarë janë mobilizuar me dhunë dhe janë dërguar për të luftuar deri në Jemen, ku kanë shërbyer nga 12 vjet dhe rrallë ndonjëri prej tyre, mund të jetë kthyer i gjallë në shtëpi, pa dyshim se njëra prej perlave më të bukura të këtyre këngëve, është ajo me titull:”Shkojnë vaporat rrethit detit”, këngë kjo që këndohet e dëgjohet me dhembje kudo në familjet shqiptare edhe sot e kësaj dite.
Rapsodët dhe interpretuesit e palogjikshëm, jo që ia kanë bastarduar melodinë kësaj kënge deri në shkallë të fundit, por të tillët , ia kanë shëmtuar edhe tekstin aq sa nganjëherë ia kanë humbur edhe kuptimin logjik të këngës!
Që nga vargu i parë i kësaj kënge , që fillon me: “Shkojnë vaporat , moj nane, rrethit t’ detit”, na paraqiten deformimet, nga se shumica e interpretuesve të saj, do ta këndojnë me :”Shkojnë pampurat , moj nane, rrethit detit”?!
Interpretuesit e tillë, që në start e hutojnë dëgjuesin, nga se tani nuk dihet a bëhet fjalë për vaporat, apo për pampurat?! Do të thotë se këngëtarët e tillë popullorë, as se si nuk e kanë të qartë se çka është vapori e çka është pampuri?!
Dihet se vapori është anije e madhe detare, kurse pampuri në gjuhën turke, do të thotë: treni. Djemtë shqiptarë të mobilizuar nga Perandoria Osmane, kanë shkuar në Jemen me anë të anijeve detare, e jo me anë të trenave tokësor!
Në anën tjetër, dikush e këndon :”Shkojnë vaporat rrethit t’ detit”, e dikush:”Shkojnë vaporat bregut t’ detit”?!
Edhe këtu, kur mungon logjika e interpretuesit , krijohet huti tek dëgjuesit! Ata, të cilët nuk kanë pasur rastin që t’ i shohin anijet, nuk e dinë se a shkon ajo bregut të detit, apo rrethit të detit?! Por, as ata që e çorodisin këtë këngë, sigurisht se nuk e dinë që anijet nuk mund të shkojnë bregut të detit, por rrethit të detit!
Njëra ndër këngët më të bukura të Qamilit të Vogël, është edhe ajo me titull:”Kadalë dalë , po më vjen pleqnija”, të cilën i ndjeri , pak para vdekjes së tij e pat thurë, kompozuar dhe publikuar.
Strofën e parë të kësaj kënge, autori e fillon me këto vargje:
“O, kadalë dalë, oh, po m’ vjen pleqnija –
Po i kjajë hallet, o , n’ çiftelia!”
Dhe përderisa Qamili i Vogël, ishte një këngëtar dhe krijues i madh autodidakt, dinte të shprehej aq fuqishëm përmes figurave e metaforave, interpretuesit e sotëm të kësaj kënge, kinse të shkolluar dhe arsimuar, e deformojnë dhe ia humbin logjikën tërësisht këtyre vargjeve, duke e kënduar kështu:
“Oh, dalë nga dalë , oh, po vjen pleqëria –
Po qanë hallet, o, çiftelia !”
Pra, Qamili i Vogël (autori) i qante hallet përmes tingujve të çiftelive, kurse interpretuesit e sotëm të kësaj kënge, duke kënduar pa logjikë, mendojnë se çiftelia është ajo që i qanë hallet, e jo njeriu?! Çiftelia është një instrument prej druri dhe prej saj mund të dalin vetëm tinguj, por jo vaje, nga se druri nuk mund të qajë !
Në vitin 1988, e pata publikuar një këngë timen, me titull:”Rrang e dang sahan”, që është këngë me motive dasmore dhe dashurie. Kjo këngë , brenda një kohe të shkurtër e pushtoi publikun dhe u bë njëri ndër hitet më të mëdha të krijimtarisë sime muzikore.
Ishte e pa mundur për këngëtarët tjerë popullorë, atë kohë, që të shkojnë në dasma, ahengje, restorante për të kënduar , po qe se nuk dinin ta këndonin edhe këtë këngë!
Më vonë, më ka rënë që edhe vet të jam mysafirë i dasmave, ahengjeve dhe këngëtarëve të restoranteve, kur me veshët e mi , i kam dëgjuar shumë këngëtarë duke e interpretua këtë këngë, pa kurrfarë logjike tekstuale.
Ja për shembull, disa vargje të kësaj kënge nga origjinali im dhe pastaj do të shihni se si janë deformuar ato nga të tjerët:
“Rrang e dang sahan, moj nanë,
Rrang e dang sahan,
Çikat e katundit, nanë,
Synin si filxhan!”
Ndërsa, ata e këndonin:
“Rrang e dang sahan, moj nanë,
Rrang e dang sahan,
Çikat e katunit, nanë,
Vetllat si filxhan ,
Buzët si gajtan !
Rrang e dang tepsi, oj nanë,
Rrang e dang tepsi,
Vajzat e qytetit, nanë,
Synin si kuti !”
Me këtë shembull, shihet qartazi se këngëtarët zhurmaxhinj , të cilët këndojnë pa kurrfarë ndjenjash, as logjike , e që as veshi i tyre nuk ua ndien se çfarë po këndojnë, nga se mendjet i kanë tek përfitimet materiale dhe bakshishet e dasmorëve, ata nuk i dinë as figurat më të thjeshta krahasuese për bukuritë e femrave !
Në vend të krahasimit të vetullave të femrës me ngjyrën e gajtanit, ata këtë krahasim ia veshin buzëve të vajzave, duke mos e ditur se çka është gajtani , çfarë ngjyre ka ai , dhe këndojnë:”Çikat e katundit – buzët si gajtan ”!
Por , ata e harrojnë se syri i femrës krahasohet me formën e filxhanit të kafes dhe në vend të kësaj, i krahasojnë vetullat e vajzave me formën e filxhanit, duke kënduar kështu:” Çikat e katundit – vetullat si filxhan “?!
Në rastet kur goja e femrës krahasohet me kutinë, ata harrojnë se çka është kutia dhe këndojnë :”Vajzat e qytetit - synin si kuti !”
Shembuj të këtillë , në jetën tonë të përditshme muzikore, na paraqiten me mijëra, e që ndoshta dikujt i duket e pabesueshme, por mjerisht, kjo është më se e vërtetë!
Njerëzit e përcaktuar për profesionin e të kënduarit, sikur të lexonin më shumë literaturë, sikur të konsultoheshin me këngëtarët më me përvojë dhe sikur t’ iu nënshtroheshin kritereve profesionale nga ana e mediumeve dhe patronëve të shtëpive prodhuese muzikore, sigurisht se këto gjëra nuk do të na ndodhnin kurrë!
Demir KRASNIQI