Bashkimi Kombëtar
Mirë se erdhë në forum " Bashkimi Kombëtar "
Qëndro i lidhur me ne ! Disponim te këndshëm të kontribojm për kombin larg ofendimet dhe zënkat...
Bashkimi Kombëtar
Mirë se erdhë në forum " Bashkimi Kombëtar "
Qëndro i lidhur me ne ! Disponim te këndshëm të kontribojm për kombin larg ofendimet dhe zënkat...
Bashkimi Kombëtar
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.



 
ForumForum  PortalliPortalli  GalleryGallery  Latest imagesLatest images  RegjistrohuRegjistrohu  identifikimiidentifikimi  

 

 Shteti i Gjon Kastriotit

Shko poshtë 
AutoriMesazh
Vizitor
Vizitor
avatar



Shteti i Gjon Kastriotit Empty
MesazhTitulli: Shteti i Gjon Kastriotit   Shteti i Gjon Kastriotit EmptyFri Dec 05, 2008 3:23 pm

Kastriotët ishin familje fisnike dhe dinastia drejtuese më e rëndësishme e jetës politike dhe ushtarake të Shqipërisë në shek. XV.
Për pemën gjenealogjike, vend-origjinën dhe veprimtarinë e Kastriotëve gjatë shek. XIV dihet fare pak. Prandaj, për këto çështje, mendimet e historianëve kanë qenë të ndryshme.
Për herë të parë përmendet një Kastriot në vitin 1368 si kështjellar i Kaninës. Ka studjues që shohin te ky kështjellar një paraardhës të Kastriotëve të mëvonshëm, që është dëbuar nga pronat e veta. Një mendim i tillë duhet pranuar si supozim, sepse nuk ka lidhje me të dhënat për Kastriotët që japin më pas burimet historike. Prej disa familjeve shqiptare, që emigruan në Itali, Kastriotët njihen edhe me një mbiemër të dytë: Mazreku.
Sipas dy historianëve më të hershëm shqiptarë, Marin Barlecit e Dhimitër Frëngut, Kastriotët ishin nga Mati që, sipas mendimit të kohës, shtrihej deri në bregdet. Në këtë përfundim ata janë nxitur nga pozicioni gjeografik kyç i trevës së Matit, si vend-kryqëzimi i rrugëve që lidhnin krahinat e ndryshme të shtetit të Kastriotëve si në kohën e Gjon Kastriotit, ashtu edhe në atë të Skënderbeut. Kurse periudhave më të hershme të veprimtarisë së familjes Kastrioti autorët e sipërpërmendur nuk i kanë kushtuar vëmendje, aq sa në veprat e Marin Barlecit e të Dhimitër Frëngut nuk përmendet as emri i gjyshit të Skënderbeut. Kurse një autor tjetër shqiptar, bashkëkohës me dy të parët, Gjon Muzaka, ka rrëfyer se gjyshi i Skënderbeut quhej Pal dhe se, sipas tij, kishte qenë proniar i dy fshatrave të Dibrës së Poshtme, Sinjës dhe Gardhit të Poshtëm, rrëfim ky që mund të merret me një farë rezerve. Tregimi i mësipërm i Gjon Muzakës ka shërbyer si argument kryesor për ndonjë historian të ditëve tona që Dibrën ta konsiderojë si vendorigjinën e Kastriotëve. Po ashtu, si Marin Barleci, edhe Gjon Muzaka ka shënuar se Gjon Kastrioti ka pasur në zotërim Matin. Dhimitër Frëngu ka shkruar se Kastriotët zotëronin edhe Ujmishin. Tre autorët e mësipërm i shkruan veprat e tyre në fillim të shek. XVI dhe larg Shqipërisë, kur jetonin si emigrantë në Itali. Më pas, në vitin 1553, një tjetër shqiptar, Andre Engjëlli, ka shkruar në Romë se paraardhësit e Gjon Kastriotit, përveç Matit, kanë zotëruar Kastorien dhe Ymenestrien. Sipas këtij autori, Gjon Kastrioti ka qenë i biri i “Gjergj Kastriotit” dhe ky i “Kostandin Kastriotit, të mbiquajtur Mazreku” që kishte vdekur në vitin 1390.
Vepra e Gjon Muzakës është më e saktë dhe më e besueshme se ajo e A. Engjëllit, prandaj thuajse të gjithë studiuesit e sotëm mendojnë se gjyshi i Skënderbeut quhej Pal.
Përveç autorëve të mësipërm, është edhe një autor tjetër i mëvonshëm, por shumë i rëndësishëm, sepse ka jetuar në Shqipëri, kleriku i ndritur shqiptar, Frang Bardhi. Në vitin 1636 ai botoi një vepër polemizuese për të mbrojtur origjinën shqiptare të Skënderbeut, kundër përpjekjeve të J. Marnoviçit për ta nxjerrë atë me origjinë sllave. Në veprën e tij Frang Bardhi i ka kushtuar një vend të veçantë përcaktimit të vendorigjinës së Kastriotëve. Pas një parashtrimi polemik të çështjes ai arrin në përfundimin se Kastriotët ishin nga Hasi i Prizrenit, se kështu është në "pajtim të plotë mendimi i përgjithshëm i kombit tonë". Kjo frazë e veprës së F. Bardhit i jep mendimit të tij për Hasin si vendorigjinën e Kastriotëve vlerën e një burimi historik të dorës së parë. Për më tej ai shpjegon edhe origjinën e emrit familjar të Kastriotëve, duke e lidhur atë me emrin e fshatit Kastrat, që gjendej buzë lumit, dhe tregon se në kohën e tij një familje vendase kishte si mbiemër emrin e fshati Kastrat. Për vendorigjinën e Kastriotëve nga Hasi i Prizrenit dëshmojnë gjithashtu edhe kronisti raguzan Lukari (vepra e të cilit është botuar në vitin 1605), si dhe shënimet e fundit të shek. XV të një kleriku boshnjak, të botuara për herë të parë në vitin 1892. Po kështu mbiemri i dytë, Mazreku, i Kastriotëve si dhe pronat e tyre, Kastorie dhe Ymenestrie, që përmend A. Engjëlli, gjenden në mikrotoponiminë e shek. XVII dhe të sotme të Hasit (Kastrat dhe Mazrek) dhe të Lumës (Ujmisht që përmendet edhe nga Dh. Frëngu). Në përforcim të këtyre vjen edhe një dëshmi e fillimit të shek. XIX se në qytetin e Gjakovës jetonte rrobaqepësi Mihal Kastrioti, që flet për praninë e ruajtjen ndër shekuj të këtij mbiemri në krahinën e Hasit nga e kishin origjinën Kastriotët. Edhe tiparet fizike të Kastriotëve, siç ishin ato të Skënderbeut dhe të nipit të tij Ferrandit, të cilëve u njihen deri diku mirë, mbështesin origjinën hasiane të tyre.
Pranimi i Hasit si vendorigjina e familjes Kastrioti nuk e bën të pashpjegueshme pse më pas përfaqësues të kësaj familjeje, si degë të pemës gjenealogjike të saj, do të shfaqen si proniarë e zotër në viset e tjera të Shqipërisë, si në Dibër, në Mat etj. Gjatë shek. XV e më pas, edhe në këto krahina kishte banorë me mbiemrin Kastrioti. Çështja e origjinës së Kastriotëve ka të bëjë me një periudhë më të hershme nga ajo që nis me gjyshin e që vazhdon me të atin e Skënderbeut. Të shtrira gjatë një harku kohorë të tillë mendimet për vendorigjinën e Kastriotëve, që japin autorët e hershëm shqiptarë si M. Barleci, Dh. Frëngu, Gj. Muzaka, A. Engjëlli dhe F. Bardhi, si dhe burime të tjera historike, nuk kanë kundërshti ndërmjet tyre, por shfaqen si dëshmi në vijim që flasin për kohë të ndryshme dhe që plotësojnë njëra-tjetrën. F. Bardhi flet për periudhën më të hershme, për trungun gjenealogjik të familjes kur ishte në Has, Gjon Muzaka përmend emrin e gjyshit të Skënderbeut, Pal Kastriotin, duke treguar dy fshatrat që kishte si pronia në Dibër, kurse M. Barleci dhe Dh. Frëngu flasin për pasardhësin e Palit, Gjon Kastriotin dhe zotërimet që kishte ky.
Pozita shoqërore e familjes Kastrioti u fuqizua si rrjedhojë e përpjekjeve të pinjollëve të ndryshëm të saj, disa prej të cilëve kjo rrugë i shtriu përtej vendorigjinës së tyre. Gjyshi i Skënderbeut, Pal Kastrioti, sipas Gjon Muzakës, kishte dy fshatra si feud në Dibër. Kurse i biri i Pal Kastriotit, Gjoni, krijoi një nga shtetet më të rëndësishme në Shqipëri që, në hapësirat e tij, përfshiu edhe krahinat e përmendura nga M. Barleci, Gj. Muzaka, Dh. Frëngu etj.
Dëshmitë historike për fillimet e shtetit të Kastriotëve thuajse mungojnë, një realitet i përgjithshëm ky për historinë tonë mesjetare, sidomos për viset lindore shqiptare.
Gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit të shek. XIV në krye të zotërimeve të Kastriotëve duhet të ketë dalë Gjon Kastrioti. Në këtë periudhë zotërimet e tij duhet të jenë zgjeruar, sidomos në drejtim të lindjes, në rajonet e Prizrenit, të Gostivarit e të Tetovës, sepse, sipas M. Barlecit dhe Gj. Muzakës, Gjon Kastrioti qe martuar në atë kohë me Vojsavën (Jellën, sipas një dokumenti raguzan të vitit 1439), vajzë e një dere fisnike të rëndësishme pranë Shkupit. Nga nëntë fëmijët që lindi Vojsava dhe që arritën moshën madhore, shtatë kishin lindur para vitit 1405.
Zgjerimi e fuqizimi i shtetit të Gjon Kastriotit përkoi me rënien e dy shteteve kufitare me të, të Balshajve e të Topiajve, dhe sidomos pas dobësimit të fuqisë ushtarake të Perandorisë Osmane, kur ushtria e saj pësoi një disfatë të rëndë prej trupave mongole në betejën e Ankarasë të vitit 1402. Gjatë këtij viti (1402), zotërimet e Gjon Kastriotit u shtrinë në drejtim të viseve bregdetare dhe u bënë kufitare me ato të Venedikut. Që nga viti 1406 Gjon Kastrioti shfaqet si një partner i rëndësishëm në marrëdhëniet me shtetet e huaja, ambasadorët e tij shkonin në Venedik, Raguzë e në vende të tjera dhe ai cilësohej prej tyre si zot “shumë i fuqishëm”, “i madhërishëm” etj. Ndërkohë edhe ambasadorë të tyre dërgoheshin pranë Gjon Kastriotit. Pushteti dhe ndikimi i tij mbi zotërit e tjerë ishin të fuqishëm, prandaj më 1408 ai ishte i pranishëm si garant i paqes, që u nënshkrua në rrethinat e Durrësit, midis Venedikut dhe Balshajve.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Vizitor
Vizitor
avatar



Shteti i Gjon Kastriotit Empty
MesazhTitulli: Re: Shteti i Gjon Kastriotit   Shteti i Gjon Kastriotit EmptyFri Dec 05, 2008 3:25 pm

Shtetin e Gjon Kastriotit e përshkonin rrugë tregtare shumë të rëndësishme. Ndër to, në rrafshin perëndim-lindje më të rrahurat ishin dy. Njëra rrugë lidhte viset bregdetare me Prizrenin, që duhet të ketë qenë qendra administrative e shtetit të Gjon Kastriotit. Në këtë qytet të lashtë kryqëzoheshin rrugë tregtare shumë të rrahura dhe që shkonin në drejtim të Prishtinës, të Pejës, të Tetovës etj. Traseja e rrugës së dytë kalonte nga bregdeti nëpër krahinën e Matit, vijonte në drejtim të Dibrës dhe ndiqte rrjedhjen e sipërme të lumit Vardar për të arritur në Shkup. Në dokumentet mesjetare këto dy rrugë janë shënuar me emra të ndryshëm të qyteteve nga ato kalonin: rruga e Lezhës, rruga e Prizrenit, rruga e Prishtinës dhe rruga e Shkupit. Interesat ekonomikë e tregtarë të Gjon Kastriotit shtriheshin edhe përtej zotërimeve të tij, në Fushë-Dardani, madje edhe përtej Shkupit, ku mund të bliheshin argjend, plumb e hekur si dhe drithë me çmime më të ulëta se në rajonet e tjera, prodhime bujqësore të viseve të ngrohta, si pambuk, oriz, susam etj. Kështu shpjegohen, p.sh., lidhjet e tij me manastirin e Hilandarit në Malin e Shenjtë, që gjendet në brigjet e detit Egje. Këtij manastiri, Gjon Kastrioti i dhuroi në vitin 1426 dy fshatra nga pronat e veta në rajonin e Gostivarit, i bleu pirgun e Shën Gjergjit (i njohur edhe me emrin Pirgu Shqiptar) dhe në këtë manastir një nga djemtë e tij, Reposhi, e kaloi jetën si murg derisa vdiq më 25 korrik 1431. Në epigrafin e varrit, Reposhi mban titullin e lartë fisnik dukë.
Për jetën ekonomike e politike të shtetit të Gjon Kastriotit, ashtu si edhe të zotërimeve të fisnikëve të tjerë shqiptarë si dhe ato të Republikës së Venedikut, rëndësi parësore kishin raportet e tyre me kryekomandantin osman të Shkupit dhe, nëpërmjet tij, me sulltanin. Në marrëdhëniet me fqinjin e vet lindor e shumë të fuqishëm ushtarakisht, Gjon Kastrioti duhej të ndiqte një politikë shumë të kujdesshme. Edhe bejlerbeut të Rumelisë i interesonte që deri diku të kishte mirëkuptim me Gjon Kastriotin, sepse në shtetin e tij, nëpër një terren të vështirë e me prita të shumta, kalonin rrugët tregtare më të shkurtra për në brigjet e detit Adriatik, të cilat, në atë kohë, nuk mund të mirëmbaheshin e të ruheshin nga askush tjetër, veçse nga vendasit. Në rrethana të tilla, gjatë dhjetëvjeçarëve të parë të shek. XV, Gjon Kastrioti arriti të fuste nën bindjen e tij disa familje fisnike të njohura të Shqipërisë së Epërme dhe u bë figura politike kryesore e botës shqiptare të këtyre rajoneve.
Zgjerimet e pushtimeve osmane në viset lindore shqiptare bënë që Gjon Kastrioti dhe familje të tjera fisnike shqiptare të mos ndiheshin të sigurta, prandaj filluan të përforconin veprimtarinë politike të tyre në viset perëndimore, si dhe të zgjeronin lidhjet me forcat antiosmane e shtetet e huaja. Qysh në fillim të shek. XV burimet historike tregojnë se në kufijtë e shtetit të Gjon Kastriotit ishin përfshirë qyteti i rëndësishëm i Prizrenit bashkë me rrethinat e tij, krahinat përgjatë rrugëve Prizren-Prishtinë dhe Prizren-Tetovë, ato të Matit e të Mirditës dhe se ai kishte siguruar dalje në detin Adriatik në afërsi të zotërimit venecian të Lezhës. Në grykëderdhjen e lumit Mat Gjon Kastrioti mori në zotërim portin dhe qendrën doganore të Shufadasë, kriporet e rëndësishme të Shën Kollit, që më parë kishin qenë në duart e Dhimitër Jonimës, si edhe të gjithë zotërimin e këtij, ku gjendeshin edhe dy kështjella. Gjon Kastrioti synonte të shtrihej në vijën bregdetare së paku deri në grykëderdhjen e lumit Bunë, rajon bregdetar që kontrollohej nga Venediku. Në vitin 1410 Gjoni arriti të siguronte banesë në Ulqin, por nuk u pranuan prej Venedikut kërkesat e tij të vitit 1417 për t’i dhënë fshatin Barbullush dhe Malin Medua (Shëngjinin), ku dëshironte të ngrinte një kështjellë. Më pas arriti ta merrte Shëngjinin. Zotërimet e tij u bënë kufitare në veri me Despotatin e Rashës dhe në verilindje me rajonin e Prishtinës, banorët e së cilës njihnin taksat doganore që paguheshin për kalimin nëpër shtetin e Gjonit. Në jug zotërimet e Gjon Kastriotit kufizoheshin me ato të Arianitëve dhe të Topiajve, kurse në lindje me viset që ishin nën pushtuesit osmanë, të cilët, përveç Shkupit, zotëronin në perëndim të tij kështjellën e Tetovës. Pjesa më e madhe e fushës përgjatë rrjedhjes së sipërme të lumit Vardar e në perëndim të Tetovës për një kohë mbeti nën zotërimin e Gjon Kastriotit, të cilën M. Barleci e ka emërtuar Dibra e Poshtme. Edhe rajonet më në jug ishin pjesë e shtetit të Gjon Kastriotit, kufijtë e të cilit në atë drejtim shtriheshin deri në afërsi të qytetit të Kërçovës, që kishte rënë nën pushtimin osman qysh në fund të shek. XIV.
Shtrirja e gjerë gjeografike e shtetit të Gjon Kastriotit është pasqyruar edhe në burimet historike osmane. Në një dokument të muajit maj të vitit 1438 përmendet regjistri kadastral “i tokave të Gjonit” (Juvan-ili) dhe si pjesë e tyre vilajeti i Dhimitër Jonimës. Ky regjistër nuk është zbuluar deri tani, sepse, si shumë kadastra të tjera të asaj kohe, mund të jetë zhdukur. Regjistri kadastral “i tokave të Gjonit” duhet të jetë hartuar në pranverë të vitit 1430, gjatë fushatës ushtarake të Isak-bej Evrenozit, ose, më së shumti, njëkohësisht me regjistrin e Sanxhakut Shqiptar, në vitin 835 h. (1431-1432). Administrata osmane hartonte nga një regjistër kadastral të veçantë për çdo sanxhak, të cilët po ashtu si “tokat e Gjonit” kishin disa vilajete si njësi administrative më të vogla. Prandaj edhe shtrirja gjeografike e “tokave të Gjonit” ishte përafërsisht me atë të një sanxhaku.
Pasuritë e shumta që kishin viset e Dibrës së Poshtme e të Prizrenit dhe numri i madh i banorëve që jetonin në to e bënin këtë rajon, i cili formonte pjesën lindore të shtetit të Gjon Kastriotit, të kishte rol vendimtar në veprimtarinë ekonomike, politike dhe ushtarake të tij. Prandaj edhe fëmijët e tij përgjithësisht mbanin emrat karakteristikë të këtij rajoni. Pjesën lindore të shtetit të vet Gjon Kastrioti e zotëronte si funksionar i administratës osmane, sepse vetë ai deklaronte në vitin 1411 se kishte në gatishmëri të përhershme një ushtri të përbërë nga "dy mijë kalorës shqiptarë dhe treqind kalorës turq" dhe kohë pas kohe është shprehur se sulltani ishte kryezot i tij.
Për të gjallëruar sa më shumë lëvizjen e mallrave e të njerëzve në rrugët tregtare që kalonin nëpër zotërimet e Kastriotëve, Gjoni nënshkroi akte me qeveritarët e vendeve të ndryshme, duke u garantuar sigurinë e qarkullimit të mallrave e të tregtarëve të tyre nëpër shtetin e tij. Për të nxitur sa më shumë ardhjen e tyre, ai thjeshtësoi sistemin tatimor dhe vendosi vetëm një taksë doganore për mallrat që tregtarët e huaj do të transportonin nëpër zotërimet e Kastriotëve. Për të garantuar sigurinë e lëvizjes së njerëzve dhe të karvaneve të mallrave nëpër rrugët tregtare, Gjoni vendosi roje nëpër to si dhe nëpër kështjellat që shërbenin për mbrojtjen e tyre, si në ato të Prizrenit, të Gurit të Bardhë, të Stelushit etj. dhe rriti shërbimet për mirëmbajtjen e rrugëve.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Vizitor
Vizitor
avatar



Shteti i Gjon Kastriotit Empty
MesazhTitulli: Re: Shteti i Gjon Kastriotit   Shteti i Gjon Kastriotit EmptyFri Dec 05, 2008 3:25 pm

Pozicioni gjeografik kyç i shtetit të Gjon Kastriotit e kishte bërë atë një urëlidhje në Shqipërinë Qendrore për të kaluar në rajonet e tjera të Shqipërisë së Epërme e të Poshtme si dhe në rajonet lindore të Shqipërisë, si në Fushë-Dardani dhe në Shkup nëpërmjet rrugës më të shkurtër. Kjo ka qenë një nga arsyet kryesore që Gjon Kastrioti të kishte lidhje të shumta familjare e martesore me sundimtarë të tjerë shqiptarë, si me Arianitët, Topiajt, Muzakajt, Balshajt, Gjurashët (Cërnojeviçët). Lufta e përhershme e Stefan Gjurashit (Cërnojeviçit) dhe e paraardhësve të tij në rajonin e Gentës kundër despotit të Rashës, Gjergj Brankoviçit, pa dyshim ka qenë e mbështetur dhe e bashkërenduar me aksionet ushtarake të vjehrrit të tij, Gjon Kastriotit, që ky detyrimisht ka ndërmarrë edhe për interesat e veta në rajonet e Shkodrës, të Rrafshit të Dukagjinit dhe të Fushë-Dardanisë kundër armikut të përbashkët, despotit Gjergj. Përballë një lufte me dy fronte të shqiptarëve, Gjergj Brankoviçi dhe paraardhësit e tij kanë qenë të detyruar të tërhiqen dhe të rrudhin kufijtë jugorë të Despotatit të Rashës. Gjon Kastrioti hyri në lidhje ekonomike e politike edhe me vende të huaja, si me Venedikun, Raguzën etj.
Gjon Kastrioti zotëronte një potencial të ndjeshëm ekonomik dhe ushtarak. Të ardhurat kryesore vinin nga sistemi tatimor feudal që nënshtetasit e tij tradicionalisht ishin të detyruar t`i jipnin kryezotit të tyre me prodhime në natyrë, me të holla dhe me punë angari. Ky sistem tatimor është shprehur në një akt-dhurimi të vitit 1426, që Gjon Kastrioti së bashku me djemtë e tij i bënë manastirit të Hilandarit për fshatrat Radostushë dhe Trebisht. Në të thuhet: "duke dhuruar në dobi të manastirit këto dy fshatra, unë i liroj ato nga çdo angari e madhe dhe e vogël, me të gjitha detyrimet për haraçin mbretëror dhe taksat e shtetit dhe të gjitha këto ia jap manastirit të shenjtë: të mos ketë as qefali, as zot, as psarë e të mos japin të dhjetë as për drithë, as për verë, as për mjaltë, as dhuratë në para, as para për kullotë, as për të dhjetë bagëtish, kështu që kisha t`i marrë të gjitha të drejtat mbi këto fshatra sipas ligjit".
Krahas sitemit tatimor të mësipërm, Gjon Kastrioti siguronte të ardhura të rëndësishme nga doganat, tregtia e drithit, e metaleve, e kripës etj.
Gjon Kastrioti ndoqi një politikë aktive për zgjerimin e fuqizimin e shtetit të tij, me gjithë kushtet e vështira që ishin krijuar prej sulmeve e pushtimeve osmane. Ai forcoi lidhjet me Republikën e Venedikut dhe qysh në vitin 1407 arriti të siguronte prej saj qytetarinë veneciane, e cila, bashkë me fëmijët e tij, iu rinjoh edhe në vitin 1413. Në fillim të vitit 1410 Venediku pranoi kërkesën e Gjon Kastriotit që të kishte banesë në Ulqin dhe, në rast se do të dëbohej nga zotërimet e tij prej osmanëve, ai bashkë me familjen të banonte në atë qytet. Këto lidhje me Venedikun Gjoni i shfrytëzoi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që pati në vitin 1407 me peshkopin e Lezhës, i cili kishte gjetur mbështetjen e papës që peshkopatës së Arbrit t`i shkëpuste 12 kisha. Ndërhyrja e Venedikut pranë papës qe efikase për Gjonin. Në vitin 1411 Gjon Kastrioti, kundrejt një shpërblimi të përvitshëm prej një mijë dukatësh, i ofronte Venedikut ndihmë ushtarake me "dy mijë kalorës të tij dhe treqind kalorës turq", madje edhe më shumë në rast nevoje.
Si çështje parësore e aktivitetit politik të Gjon Kastriotit ishin marrëdhëniet e tij me fqinjët lindorë, pushtuesit osmanë, fuqia ushtarake e të cilëve ishte e papërballueshme prej tij. Siç del nga fraza e dokumentit të vitit 1411, të cituar pak më sipër, Gjon Kastrioti ishte afruar me komandantin osman të Shkupit, Bajazitin, aq sa mund të komandonte edhe 300 kalorës osmanë, e dhënë kjo që lejon të supozohet se ai mund të ketë qenë së paku në postin e subashit të Tetovës. Në kushte të tilla, për të mbajtur në këmbë shtetin e tij Gjon Kastrioti ishte i shtrënguar të pranonte vasalitetin ndaj sulltanit dhe t`i paguante, siç ka shkruar vetë në vitin 1426, "haraçin mbretit". Si garanci për pranimin e vasalitetit osman, të paktën qysh në vitin 1409, Gjon Kastrioti qe detyruar të dorëzonte peng një nga djemtë e tij, që, me sa kuptohet, ka qenë djali i madh, Stanisha.
Në betejën e Ankarasë, që u zhvillua gjatë vitit 1402 midis trupave mongole dhe ushtrive osmane, këta të fundit pësuan një disfatë të rëndë dhe jeta politike e Perandorisë Osmane u përfshi nga konflikte të brendshme për trashëgimin e fronit osman, konflikte që vazhduan afër një dhjetëvjeçar. Gjatë këtyre viteve u dobësua përkohësisht presioni osman, për t`u riaktivizuar pas ardhjes në fron të sulltan Mehmetit I (1413-1421). Ndërkohë zotërimet e Gjon Kastriotit arritën një zgjerim e fuqizim të madh. Këtë e favorizoi edhe qëndrimi i komandantit osman të Shkupit, Bajazitit, i cili nuk ndoqi një politikë pushtimesh, por atë të marrëveshjes me fisnikët shqiptarë. Pas vdekjes së tij në vitin 1414, ai u zëvendësua nga i biri, për veprimtarinë e të cilit është vështirë të thuhet diçka. Gjatë viteve në vijim rol të veçantë në drejtimin e veprimtarisë politike e ushtarake të Pashasanxhakut të Shkupit do të kishin Isak bej Evrenozi dhe i biri i tij, Isa Beu. Evrenozët ishin një familje shumë e pasur. Vetëm në Shkup ata kishin mbi njëqind dyqane. Gjatë disa dhjetëvjeçarëve si ushtarakë të lartë osmanë, Evrenozët u përpoqën të kontrollonin rrugët tregtare të vendit që të fuqizoheshin ekonomikisht gjithnjë e më shumë.
Në fillim të vitit 1415 kaloi në duart e osmanëve Kruja, e cila kishte një pozicion shumë strategjik dhe kontrollonte segmente të rrugëve tregtare që lidhnin Shkupin me bregdetin shqiptar si dhe viset perëndimore të vendit. Prandaj pushtimi i Krujës dëmtoi rëndë interesat e fisnikëve të Shqipërisë Qendrore dhe të Epërme, sepse tani zotërimet e tyre nga çasti në çast mund të pushtoheshin prej osmanëve. Rëndë u goditën edhe zotërimet e Gjonit, sepse osmanët mund të zotëronin rrugën tregtare që kalonte nëpër Mat e Dibër për të arritur në Shkup, e kontrolluar deri në atë kohë prej Kastriotëve. Sidoqoftë, Gjoni u tregua mjaft i kujdesshëm në marrëdhëniet e tij me osmanët. Për të mbrojtur interesat e shtetit të tij dhe për të mënjanuar përplasjen me ta, kur Kruja ra në duart e osmanëve, Gjoni dërgoi djalin e tij të vogël, Gjergjin, si iç-ogllan (pazh) pranë oborrit osman. Në këtë mënyrë ai evitoi për disa vjet konfrontimet me osmanët. Kurse Republika e Venedikut vendosi që t`i jepte një tribut vjetor prej 200 dukatësh subashit turk të Krujës, që ky të mos sulmonte Durrësin dhe të mos prekte kriporet e shumta të këtij qyteti.
Me gjithë përpjekjet e Gjonit për të pasur marrëdhënie sa më të mira me sulltanin, ai nuk hoqi dorë nga masat mbrojtëse. Në nëntor të vitit 1417 Gjoni i kërkoi më kot Venedikut që të përballonin së bashku sulmet e mundshme osmane dhe i premtonte se ishte i gatshëm të vinte në dispozicion të një aksioni të përbashkët të gjithë luftëtarët dhe kështjellat e veta. Në këto rrethana Gjon Kastrioti i kushtoi vëmendje të veçantë bashkëveprimit me fisnikët shqiptarë.
Kur në vitin 1418 Balsha III i shpalli luftë Republikës së Shën Markut për të rimarrë Shkodrën dhe Drishtin, Gjoni mbajti anën e tij dhe qenë të paefektshme përpjekjet e Venedikut gjatë viteve 1419-1420 për ta larguar atë nga Balsha. Konflikti midis Balshës III dhe Venedikut në rajonin e Shkodrës pengoi lëvizjen e tregtarëve shqiptarë, raguzanë etj. dhe qarkullimin e mallrave në drejtim të Kosovës, ku nxirrej e përpunohej ari, argjendi e plumbi dhe ku çmimi i prodhimeve të shumta bujqësore ishte më i ulët në krahasim me çmimet që ato kishin në viset perëndimore. Këto rrethana i shfytëzoi Gjon Kastrioti për të intensifikuar qarkullimin e mallrave në drejtim të Kosovës nëpër rrugën tregtare Shufada-Prizren-Prishtinë dhe në atë të Shkupit të kontrolluara prej tij. Në shkurt të vitit 1420 ai nënshkroi një akt-tregtar me Republikën e Raguzës, nëpërmjet së cilës u garantonte tregtarëve të saj lëvizje të sigurt nëpër rrugët e sipërpërmendura. Në mars të vitit 1422 Gjon Kastrioti siguroi edhe miratimin e Venedikut për të lejuar tregtarët raguzanë, që në vend të Shkodrës të vinin në Lezhë për të rrahur rrugët e zotërimeve të tij.
Pas vdekjes së Balshës III, Gjon Kastrioti ndërmori masa të menjëhershme për të mbrojtur interesat e veta politike dhe ekonomike. Në rajonin e Shkodrës, ku kishte zbritur ushtria e Stefan Lazareviçit dhe mbante të rrethuar qytetin, Gjoni dërgoi trupat e veta. Në një letër, që i shkroi Venedikut në nëntor të vitit 1422, ai ka rrëfyer se nuk e kishte lejuar despotin serb të Rashës të merrte Lezhën dhe shprehte me këtë rast gatishmërinë e tij për të ndihmuar venecianët që të dëbonin ushtrinë serbe nga rajoni i Shkodrës.
Ndërkohë, krahas Gjonit, edhe djemtë e tij kishin filluar të aktivizoheshin në veprimtarinë politike dhe ushtarake të familjes së tyre. Burimet historike tregojnë se gjatë vitit 1422 një nga djemtë e tij komandonte trupat e Kastriotëve në rrethinat e Shkodrës. Kurse në vitin 1428 përmendet një djalë i Gjon Kastriotit "i bërë turk e mysliman", që kishte trupa ushtarake pranë zotërimeve të Venedikut po në rajonin e Shkodrës.
Interesat ekonomikë dhe politikë të shtetit të Kastriotëve e nxitën Gjon Kastriotin që t`u kushtonte vëmendje edhe rajoneve të tjera shqiptare, të cilat nuk ishin kufitare me zotërimet e tij. Jo lidhjet familjare që Kastriotët kishin me Balshajt, po pikërisht interesat ekonomikë e shtynin Gjon Kastriotin t`i përkrahte vazhdimisht ata, madje duke dërguar edhe ushtrinë e tij në ndihmë të tyre. Edhe pas vdekjes më 1421 të Balshës III, që ishte kushëri i tij, Gjoni vazhdoi lidhjet me fisnikët e tjerë shqiptarë të zotërimeve të Balshës III, si me Gjurashët (Cërnojeviçët), që i kishin zotërimet fillestare në rrethinat e grykës së Kotorrit dhe që më pas i shtrinë edhe në Gentë, me të cilët lidhi krushqi. Gjurashët u angazhuan në një luftë shumëvjeçare kundër përpjekjeve të Despotatit të Rashës për pushtimin e viseve bregdetare shqiptare, që shtriheshin në veri të lumit Buna. Ndërkohë edhe Gjon Kastrioti kundërshtoi synimet e despotëve serbë për marrjen e Lezhës dhe për zgjerimin e pushtimeve të tyre në Rrafshin e Dukagjinit dhe në Fushë-Dardani.
Pesha dhe roli i shtetit të Gjon Kastriotit në jetën e vendit erdhi gjithnjë duke u rritur. Fuqizimin më të madh ai e arriti në kohën kur në krye të tij doli djali i vogël i Gjonit, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
zeriatdheut
Hero anëtar
Hero anëtar
zeriatdheut


Numri i postimeve : 4058
Registration date : 28/12/2007

Shteti i Gjon Kastriotit Empty
MesazhTitulli: Re: Shteti i Gjon Kastriotit   Shteti i Gjon Kastriotit EmptyTue Dec 23, 2008 11:21 pm

FAMILJA KASTRIOTEVE (1383-1474)

Famlija e Kastrioteve kishte nje principate te vogel ne malet midis
Matit dhe Dibres,ne kufirin verior ne zoterimet e Topijave. Kostandin
Kastrioti e filloi sundimin e tij mbi kete principate ne vitin 1383. I
biri, Gjergji, me trupat e tij, mori pjese ne betejen ogurzeze te Kosoves
me 1389. Venediku e pushtoi Kryeqytetin e saj, Krujen me 1392. Ne
vitin1395, kur Gjergji e vendosi e vuri serish sundimine tij ne
Kruje.Venediku e shpalli armik dhe i preu koken ne Durres ne vitin
1402. Pas atij erdhi i biri Gjoni, i cili e mori Krujen perseri dhe
gradualisht e shtriu sundimin e tij mbi Tiranen, Matin, Dibren dhe
Mirditen, nga Prizreni ne lindje, deri ne detin Adriatik ne perendim. Kala
te fuqishme ishin ajo ne Kruje, Petrel, afer Tiranes, Petralbene
Mat, Stefigraf ne Dibren e Eperme dhe Tornak. Nga viti 1407 deri me
1430 Gjoni luftoi periodikisht me turqit, u mund 3 here dhe u detyrua
te pranonte kushte te renda paqeje. Kur turqit, me ne krye Muratin 2, e
thyen ate ne vitin 1421, ata e ndoqen praktiken e tyre te
zakonshme, duke lejuar qe te mbante ne kontroll te kufizuar mbi
principaten e tij. Mirepo i kerkuan te paguante harac vjetor dhe te
dorezonte kater djemte e tij si pengje per garantimin e neshtrimin e tij
te perhershem ndaj Sulltanit.Gjithashtu,Gjonit i premtuan se pas
vdekjes se tij ata do ta kthenin djalin e pare qe te zinte vendin e
sundimtarit. Me i vogli ishte Gjergji 9 vjecare,i cili do te njihej me vone
si heroi SKENDERBEU.
Ne kohen kur Turqia dhe Venediku hyne ne lufte per shkak te zoterimit
te Selanikut,me 1430,Venediku e nxiti Gjon Kastriotin te ngrinte
krye.Pastaj,me 1430,Venediku ua dorezoi turqve portin e
lakmueshem,nenshkroi nje marreveshje paqeje me ta dhe e la aleatin
e saj ne meshiren e reprezaleve Turke.Sulltani fitimtari menjehere iu
kunderpergjigj Shqiperave kryengrites,duke e mundur Kastriotin e duke
kofizuar ate ne nje zone malore.Pastaj,duke perdorur si baze
Krujen,nga viti 1431 deri ne 1433 Ali Pashe Evrenozi shkreti
Shqiperine nga Shkodra ne Veri ,deri ne Vlore ne jug.Me perjashtim
te kalase te Shkodres dhe te qytete-porte nen zoterimin e
Venedikut,Pothuajse e gjithe shqiperia ishte tashme ne duart e
Turqve.Feudalet individualist njeri pas tjeterit u shtrenguan te benin
thirrje per paqe dhe ti nenshtroheshin haracit.Megjitheate,deshira per
pavarsi nuk ishte zhdukur.Pritej vetem prijesi i duhur,i cili do t"i
bashkonte prijesat krahinore ne nje fron te vetem.Koha e tij kishte
ardh.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
zeriatdheut
Hero anëtar
Hero anëtar
zeriatdheut


Numri i postimeve : 4058
Registration date : 28/12/2007

Shteti i Gjon Kastriotit Empty
MesazhTitulli: Re: Shteti i Gjon Kastriotit   Shteti i Gjon Kastriotit EmptyWed Dec 24, 2008 4:05 am

Flet Lek Previzi, perkthyesi nga italishtja e vjeter te vepres me te hershme te shkruar nga nje shqiptar per Historine e Skennderbeut, ajo e bashkekohesit te tij, Dhimiter Frangut 1480

Mban te “gdhendur” vitin 1480, nen titullin “Vepra te famshme e te lavdishme te Skenderbeut” dhe firmen e Dhimiter Frangut. E panjohur nder shqiptare kjo veper e cila ishte nje gur i cmuar per te huajt, deri ne pervetesimin e saj shqiperohet, apo me mire transkriptohet nga italishtja e vjeter prej Lek Previzit. Ne kerkim te rifitimit te kohes se humbur, Previzi bie ne gjurmet e saj krejt rastesisht, teksa gerrmonte ne skedaret e nje biblioteke ne Bolonje, ne vitet ’90-te. Pas habise se shfaqur kur ka pare se i njejti liber ishte perkthyer ne gjuhe te ndryshme, ne 5 versione, kerkon qe me shqiperimin t’ju tregoje shqiptareve, ate historine e vertete te Skenderbeut, larg perrallave te degjuara deri me tani. Po pse askush me pare nuk e ka sjelle ne shqip, pak kush e di! Mban shume shenime ne faqet e para te brendshme te vepers, nder keto, “...Liber qe asht shkrue prej Dhimiter Frangut, i cili asht i pranishem personalisht dhe i mireinformuem per te gjitha betejat e veprat e atij Princi”. E kush me mire se nje shoqerues i tij mund te rrefeje per te vertetat qe e kane shoqeruar pergjate jetes dhe luftes se tij. Po pse perkthyesi Previzi zgjedh gegnishten per t’ju rrefyer historine e Frangut per Skenderbeun?! Ai rrefen, “Krejt ngjarjet e asaj kohe i takojne Shqiperise Veriore. Kur te paraqitet fjalimi i Skenderbeut, te jete ne ate gjuhe qe e ka folur, (afersisht se paku). Pasi edhe une jam per gegnishten letrare, te liruar nga fjale shume te komplikuara, te cilat s’mund te kuptohen. Shume me kane uruar, pasi ndonese gegnisht, kane gjetur kollajesi per ta kuptuar. Kane gjetur gegnishte te pasur, duke ja pershtatur kohes. Edhe stilin jam munduar ta ruaj sic e ka shkruar Frangu shekuj me pare. Edhe sic ka qene stili i vjeter i te folurit”-perfundon ai.

Keni transkriptuar nga italishtja e vjeter ne gegnisht vepren e Frang Bardhit mbi Hitorine e Skenderbeut... si rate ne gjurmet e ketij teksti te panjohur per shqiptaret?

Skenderbeu ka qene ne nje fare menyre “heroi im” qe ne vogelsi dhe mbaj mend qe ne kohen kur studioja ne Itali, poezine e pare qe kam shkruar per Skenderbeun. Nga ana tjeter, te gjithe shqiptaret i ndjek kjo figure, por une kam qene per 40 vjet burgjeve e kampeve, dhe jeta e hovi i rinise mu nderpre. Dalja ime ne Belgjike ne vitin 1990, me dha shkas qe te riperterija te gjitha ato qe kisha humbur. Ndaj edhe ishte nje predispozicion imi te merresha me gjithcka qe nuk kisha njohur deri me atehere. Kur e pash veten mes gjithe bibliotekave te mundshme perfitova, me ndihmoi edhe fati qe te shkoja ne Bolonja, e cila eshte nje qender shume e madhe e kultures. Me kete veper e cila eshte tani ne shqip u “takova” rastesisht, teksa kerkoja ndonje nje liber per te, pasi edhe ne rinine time kam lexuar vepra per te edhe ne italisht, vec asaj te Fan Nolit. Teksa nje i ri italian me ndihmonte te gjeja vepra me ane te skendareve, u befasove kur pash emrin e Dhimiter Frangut. U habita! Me pare nuk kishte dijeni asnje shqiptar per ekzitencen e kesaj vepre, apo me mire vetem permendej emri i tij ne Shqiperi, por askush nuk kishte thene deri me atehere, ja ku eshte libri i tij. Ky liber ka qene i shkruar qe ne vitin 1480 ne latinisht e i perkthyer ne italishten mesjetare te asaj kohe. Duke pare mundesine per te terhequr kete liber, pash se ishin edhe kater vepra te tjera me te njejtin titull. I kerkova te gjitha vetem per t’i pare, duke menduar qe jane libra te ndryshem. Por ishte Frangu i botuar ne vite te ndryshme, nga 1531-1610. Kjo mbahej si vepra me e sakte e perkthyer nga latinishtja, pasi ai ishte vetmi bashkekohes i tij. Doli ne kete menyre ne drite personi qe deri atehere ishte lene ne hije. Po ne Shqiperi si nuk erdhi me pare ky liber i cili ekziston ne fakt.

Dhe pse mendoni ju se nuk eshte sjelle ne shqip kjo veper e Frangut?

Nuk e kane gjetur ndoshta, apo nuk di c’te them! Por perderisa e kane permendur se edhe Dhimiter Frangu ka shkruar, e pastaj na doli versioni se nuk ka problem per vepren e Frangut, pasi ka qene Marlin Barleti ai qe ka shkuruar per Skenderbeun, i cili nga sa konstatoj une nuk ka bere ndonje gje me shume se sa ka marre vepren e Frangut, e ka rishkruar e ka sjelle ca “fakte” te tjera. E krahasova me te gjitha ato qe gjeta dhe kerkova literaturen. E si eshte e mundur qe ky njeri nuk kishte dale? Dhe ka dale, qe shume te tjere, kane marre librin e tij, e kane transformuar por baza eshte ajo e Frangut. Dhe kam vene disa shembuj ne fund te librit per ta bere te besueshme kete. Dhe ajo cka une kam dashur te sjell me kete veper eshte qe njerezit ta marrin se si eshte jeta e vertete e Skenderbeut dhe jo trillime pafund, apo perralla qe tregohen per te.

Dhe ju thoni se ne kete veper nuk ka asnje perralle?

Absolutisht jo, nuk ka asnje perralle! Dhe nje Rilindas i madh italian, Paolo Giovoi, i cili e ka marre librin e gjetur ne latinisht, origjinal dhe e ka botuar me emrin e tij, pra e ka pervetesuar ate qe ishte vepra e Frangut, ka thene se paku dicka: “Per Skenderbeun ka shkruar edhe Barleti, por ai ka vendosur ne liber shume fantazi”. Dhe ja qe ai nuk ka marre shembull ate, por Frangun duke e perkthyer si liber te tijin. E ky eshte pervetesim i hapur pasi tekstit nuk i luan asnje presje, dhe keto shembuj i kam vene ne fund te librit. Dhe pash qe edhe shqiptaret jane vene para figures se Skenderbeut mbi fakte te deformuara. Por kush me mire se Frangu mund te shkruante me me vertetesi, pasi ai ka qene jo vetem bashkekohes, por edhe shoqerues e perkthyes i tij, duke qene teper i kulturuar. E njeri i afert i Skenderbueut, pasi qe kusheri i Pal Engjellit. Duke qene keshtu, provohet hapur se Barleti ka marre nga Frangu, dhe per ta provuar kete nuk mund te lexojme vec Frangun. Madje jane shume edhe studiuesit e huaj te cilet kane shkruar e kopjuar prej tij duke e quajtur edhe anonim tekstin e lene nga Frangu per Skenderbeun.

Pse keni zgjedhur ta shqiperoni kete veper ne gegnisht, ka nje arsye madhore dhe keni hasur shume veshtiresi?

Padyshim, ka pasur veshtiresi por dic me te lehte ma solli shkollimi im ne Itali dhe konsultimet me disa vepra te medha te kohes. Pse gegnisht?! Duke qene se krejt ngjarjet e asaj kohe i takojne Shqiperise Veriore, e bera qe t’i pershtatem. Dhe kur te paraqitet fjalimi i Skenderbeut, te jete ne ate gjuhe qe e ka folur, (afersisht). Pasi edhe une jam per gegnishten letrare, te liruar nga fjale shume te komplikuara, te cilat s’mund te kuptohen. Shume me kane uruar, pasi ndonese gegnisht, kane gjetur kollajesi per ta kuptuar. Kane gjetur gegnishte te pasur, duke ja pershtartur kohes. Edhe stilin jam munduar ta ruaj sic e ka shkruar Frangu shekuj me pare. Edhe sic ka qene stili i vjeter i te folurit.

Po te huajt qe jane jo pak te cilet kane shkruar per Skenderbeun kane manipuluar?

Ka plot fakte te rreme edhe ne veprat e huajt te shkruara per te, pasi duket qarte qe jane mbeshtetur edhe ne fanzazite e tyre per t’i shkruar keto. E kete veper, nuk e kam botuar per sensacion, por meqe une rash ne gjurmet e saj, desha t’ju tregoj te gjithe shiptareve qe ta marrin vesh Historine e Skenderbut sic ajo ka qene, dhe jo kete qe po deformohet. Mjafton te lexojme pershkrimin e vdekjes dhe kuptojme qe ne kete veper nuk ka fantazi.

Po ne, a bejme sa duhet per kete figure me te cilen bota na njeh, dhe politikanet tane krenohen per Heroin Kombetar?

Mjerisht mund te jene shkruar mbi 1000 vepra nga te huajt per te, pasi deri vone figura e Skenderbeut ka qene e gjalle edhe per Evropen. Sa bejme ne per te, kjo verehet fare qarte, dhe ne e dime fare mire se sa kemi shkruar per te. Por ne botimet e gjuheve te huaja, ato serioze, kur permenden autoret te cilet kane shkruar per Skenderbeun, Frangu permendet si nje nder autoret e pare qe ka shkruar per te, dhe cka eshte me kryesorja, ai eshte me i besueshmi.

Por cilat jane disa prej fakteve te reja qe vijne nga Frangu, te panjohura me pare?
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Sponsored content





Shteti i Gjon Kastriotit Empty
MesazhTitulli: Re: Shteti i Gjon Kastriotit   Shteti i Gjon Kastriotit Empty

Mbrapsht në krye Shko poshtë
 
Shteti i Gjon Kastriotit
Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1
 Similar topics
-
» Malsia
» Masakra e Tivarit, zbardhen dokumentet mbi Ramiz Alinë
» Shteti dardan 2400 vjet më parë
» SHTETI I EPIRIT
» SHTETI HOLANDEZ PËRGJEGJËS...

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Bashkimi Kombëtar :: Shqiptarët :: Histori-
Kërce tek: