Rruga e humbur për zgjidhjen e
çështjes kombëtare Shkruan: Basri Kodra - Prishtinë, 02. 10. 2008
Gjatë rrugëtimit të tij historik për zgjidhjen e çështjes së vet kombëtare, populli shqiptar ka bërë shumë mund dhe ka derdhur shumë gjak. Për arritjen e këtij qëllimi madhor, ai ka përdorur strategji të ndryshme e mënyra të shumta. Ato janë përdorur në varësi të rrethanave në të cilat janë ndodhur dhe në varësi të kushteve nën të cilat kanë vepruar. Që do të thotë se, janë përdorur shumë rrugë për të arritur një qëllim, dhe të gjitha këto rrugë, pavarësisht se nga kanë kaluar, e kanë përbërë atë rrugën e madhe drejtë atij qëllimi, i cili ka qenë dhe është akoma zgjidhja e çështjes kombëtare. Shumë breza iu kanë flijuar këtij qëllimi, vërtet shumë burra e gra, djem e vajza, ndonëse kanë punuar tërë jetën, kanë shkuar pa e parë të sendërtuar qëllimin e tyre. Por jo të gjithë nga ata që vepruan, qoftë për pak a qoftë për shumë kohë, kanë shkuar, ngase nga brezi i fundit kanë mbetur shumë, e të cilët mund të mendojnë se ndoshta shpejt do ta shohin të realizuar qëllimin për të cilin u munduan aq shumë.
-
Por, ku ndodhemi tani, në këtë rrugë të madhe të realizimit të qëllimit tonë të madh - zgjidhjes së çështjes sonë kombëtare?
- A iu kemi afruar shumë atij qëllimi apo ndodhemi akoma shumë larg?
- Apo, a ndodhemi më larg se ç'kemi menduar se ndodhemi pas përfundimit të luftës së fundit?
- Apo, mos më në fund, e kemi humbur rrugën?! · Foto: “Kryeministri i Shqipërisë londineze“ -
“Kryeministri i Shqipërisë kontinentale”
Këto pyetje është e nevojshme të ngrihen, dhe në këto pyetje është e nevojshme të jepen përgjigje. Këto pyetje duhet t'i shqetësojnë jo vetëm ata që kanë pasur fatin të merren me çështjen në fjalë por edhe brezin e ri i cili akoma nuk ka pasur rastin të merret me këtë çështje. Por, nuk duhet harruar se këto pyetje kërkojnë përgjigje të plotë dhe të drejtë, sepse në bazë të tyre do të duhej të hartohej strategjia për të ardhmen.
Duke mos pretenduar se do të jap përgjigjen e plotë, por duke shpresuar se do të jap së paku mendimin tim, mund të them se, pavarësisht nga përparimi që mund të identifikohet në disa fusha, dhe pavarësisht zgjidhjes politike që i është dhënë çështjes së Kosovës, ndodhemi ende shumë larg zgjidhjes së çështjes kombëtare. Dhe mendoj kështu për shumë arsye, disa nga të cilat po i përmend në vazhdim. Prej se kur çështja shqiptare është ngritur si çështje kombëtare, kërkesat tona për zgjidhjen e saj janë rrëgjuar në përpjesëtim me rrëgjimin që ka pësuar territori ynë. Në qoftë se dikur kërkohej pavarësia e Shqipërisë që nënkuptonte pavarësinë e të gjitha tokave shqiptare, sot ndërkaq vetëkënaqemi me këtë lloj pavarësie (të përgjysmuar) të vetëm gjysmës së gjysmës së Shqipërisë së asaj kohe! E që nëse e përimtojmë akoma më shumë, del se ne sot kënaqemi se kemi arritur gjysmën e gjysmës së gjysmës së qëllimit tonë!
Dikush ndoshta edhe mund të thotë se me gjysma do ta bëjmë të tërën. Vështirë të besohet, ngase na janë bërë aq shumë gjysma, si në pikëpamje të sasisë ashtu edhe të cilësisë, sa që zor se do të mund të shërohen e të bashkohen ndonjëherë. Pavarësia e Kosovës, si kërkesë e shqiptarëve, u artikulua pas dështimit të synimit të tyre për realizimin e republikës shqiptare nën ish-Jugosllavi. Sikur kërkesa për republikën e shtatë nën ish-Jugosllavi ashtu edhe kërkesa për pavarësinë e Kosovës kanë qenë kërkesa taktike, të cilat i ka mbështetur populli, në kuadër të strategjisë për bashkimin kombëtar. Ato janë menduar vetëm si rrugë të përkohshme nëpër të cilat, ndoshta më lehtë është menduar të kalohet, për të arritur në zgjidhjen përfundimtare - bashkimin me Shqipërinë. Por duket se pas këtyre 'kërkesave taktike' ishin fshehur udhëheqësit që synonin dhe po synojnë t'i realizojnë idetë e tyre krahinoriste.
Kjo filloi të dukej menjëherë pas përfundimit të luftës me të ndjerin Rugova, dhe kjo akoma më qartë po duket me të gjallin Thaçi. A mund të jetë 'sjellje taktike' përpjekja e udhëheqjes kosovare me në krye Hashim Thaçin i cili shkon shkollë më shkollë me flamur në dorë, duke i mashtruar fëmijët e vegjël me simbolet false? Forcimi i ndjenjës për një përkatësi të ndryshme, të veçantë, tek fëmijët, nuk mund të bëjë pjesë në kurrfarë taktike e as farë strategjie për bashkim, sepse ajo është kundërthënëse. Nuk mund të pretendosh se po punon për bashkimin e Kosovës me Shqipëri gjersa në anën tjetër bën fushatë për promovimin e identiteti të ri. Dhe në këtë kontekst, mund të thuhet se, populli vërtet e ka menduar si të tillë, pra si një taktikë, përpjekjen për t'u pavarësuar njëherë e tek më pastaj më lehtë për t'u bashkuar me Shqipërinë, por disa udhëheqës e kanë keqpërdorur këtë, duke e tjetërsuar qëllimin e tyre.
Duke dashur ta përfundoj këtë shkrim, por kurrsesi edhe këtë temë, dua të shtoj, se në qoftë se shqiptarët pajtohen ta quajnë të zgjidhur qoftë edhe çështjen e Kosovës e bashkë me të edhe të realizuar qëllimin e tyre, atëherë mund të thuhet se ne jo vetëm që jemi akoma larg zgjidhjes së çështjes sonë kombëtare, por e kemi braktisur fare atë çështje, ngase e kemi lakuar rrugën diku në mes të rrugëtimit tonë të gjatë. Rruga e humbur duhet të gjendet, sa më herët aq më mirë.