Bashkimi Kombëtar
Mirë se erdhë në forum " Bashkimi Kombëtar "
Qëndro i lidhur me ne ! Disponim te këndshëm të kontribojm për kombin larg ofendimet dhe zënkat...
Bashkimi Kombëtar
Mirë se erdhë në forum " Bashkimi Kombëtar "
Qëndro i lidhur me ne ! Disponim te këndshëm të kontribojm për kombin larg ofendimet dhe zënkat...
Bashkimi Kombëtar
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.



 
ForumForum  PortalliPortalli  GalleryGallery  Latest imagesLatest images  RegjistrohuRegjistrohu  identifikimiidentifikimi  

 

 At GJergj Fishta veprimtaria e tij

Shko poshtë 
+4
Leka i Madh
Orfe@
istogalia
Pirro i Epirit
8 posters
Shko tek faqja : Previous  1, 2, 3, 4
AutoriMesazh
rrimtaf
Anëtar i Besueshëm
Anëtar i Besueshëm
rrimtaf


Male
Numri i postimeve : 1090
Age : 55
Vendi : kosov
Registration date : 30/07/2009

At GJergj Fishta veprimtaria e tij - Faqe 4 Empty
MesazhTitulli: Re: At GJergj Fishta veprimtaria e tij   At GJergj Fishta veprimtaria e tij - Faqe 4 EmptyFri Dec 31, 2010 11:06 am

i nderumi Medalim te kerkoj falje per pergjigjen qe te kam dhene ato dite nuk kam qene i koncetrun ne shume cka por tash pe shoh qe te kam dhene pergjigjje te gabuar prandaj te kerkoj falje .
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Medalim
Anëtar aktiv
Anëtar aktiv
Medalim


Male
Numri i postimeve : 610
Age : 71
Vendi : Shqypeni
Registration date : 06/12/2008

At GJergj Fishta veprimtaria e tij - Faqe 4 Empty
MesazhTitulli: Re: At GJergj Fishta veprimtaria e tij   At GJergj Fishta veprimtaria e tij - Faqe 4 EmptyFri Dec 31, 2010 6:19 pm

I nerumi Rrimtaf, nuk ka nevoje per kerkim falje, me sa kujtoj u sqaruam menjihere athere, dhe une disa here futem ne tem, muhabet si pa hiri, por dhe une besom se kisha me qellim te keqe, pershendetje dhe gezuar viti ri 2011!
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Medalim
Anëtar aktiv
Anëtar aktiv
Medalim


Male
Numri i postimeve : 610
Age : 71
Vendi : Shqypeni
Registration date : 06/12/2008

At GJergj Fishta veprimtaria e tij - Faqe 4 Empty
MesazhTitulli: Shkrime të panjohura të At Gjergj Fishtes   At GJergj Fishta veprimtaria e tij - Faqe 4 EmptyMon Jan 03, 2011 4:21 am

Shkrime të panjohura të At Gjergj Fishtes
E Diel, 02-01-2011, 06:21pm (GMT)


Maska e vdekjes e at Gjergj Fishtes


Mentor Quku & Admirina Peçi

http://www.zemrashqiptare.net/images/articles/2010_11/18645/u1_GjergjFishta.jpg



Ishte dhjetori i vitit 1940 dhe At Gjergj Fishta ndodhej në Kuvendin e Troshanit i lodhur nga vitet, si edhe nga punët e shumta. Kësaj radhe kishte vendosur të pushonte. Asnjërit nuk i besohej se Poeti po kalonte ditët e fundit të jetës së tij. Më 10 dhjetor u sëmur dhe u detyrua që t’i shtrohej shtratit. Më 14, në darkë e sollën në Shkodër, drejt e në spital. Bëhet më mirë dhe të gjithë mendojnë se ia hodhi sëmundjes. Më 22 ra një borë e madhe dhe Fishta mori një polmonit që e rëndoi shëndetin e tij. Me 27 mjekët humbasin shpresat dhe Fishta bjen në kllapi. Pranë i rrijnë shumë nga Franceskanët e mëdhenj që bënë epokë, në mes të cilëve edhe At Vitor Volaj, studiuesi i njohur i krijimtarisë letrare të Fishtës. Më 30 dhjetor 1940, në ora 0, 45 Fishta dha shpirt. Françeskani At Donat Kurti tregon çastet e fundit të poetit: “E kishem pa…pak orë perpara. P. Gjergji me mall më shtërngoi dorën e bani buzën në gaz tuj më pershndetë me’j fije zanit. Ma e mbramja fjalë, ma i mbrami të përshndetun, ma i mbrami shikim vizatojn njat dukë të pikllueshme plot dritë e hije, qi len mbas vedit nji nieri i madh, per me u kujtue perherë me nderim e bindje. Duket si të flete në qetsi i lodhun prej dhimbave. Shokët e vllazent i rrinë per rreth gadi si të dojshin me bisedue me te; por luten e urata e tyne kputet prej dnesve. Deka e ka ba punen e vet”. Nga mesdita njerzit mblidhen tuba tuba në bashkinë e Shkodrës për të pyetur për fatin e Poetit. Nxënësi i tij, Prof Karl Gurakuqi, njofton herë pas here në radio ligjeratën e përmortshme. Njerëzit nuk lozin vendit. Duken të shushatun. Nuk u besohet që kanë humbur poetin e dashur, Homerin shqiptar, Gjergj Fishtën. Ishte shuar një poet, vargjet e të cilit u mësuan përmendësh dhe u bënë popullore. Lajmi u dha pothuaj në tërë fletoret e kohës. Në këtë çast “u futën në skenë” katërshja e fotografëve shkodranë, e njerëzve vizionarë, njerëzve që punuan me ngulm për të përjetësuar këtë çast, për ta bërë atë pjesë të historisë dokumentare: Është brezi i ri i fotografëve shkodranë, janë katër heronj të fotografisë artistë të vërtetë: Shan Pici, Dedë Jakova, Gegë Marubi dhe Pjetër Rraboshta. Edhe zemra e tyre dneste, por ishin thirrur si dëshmitarë të historisë dhe ata kishin një detyrë me randsi të madhe. Ata punuan për kohët që do të vinin. Sikur kishin parashikuar se do të vinin kohë që barbarët do të përpiqeshin të shuanin çdo gjë që i përkiste Poetit. Prandaj puna e katër fotografëve të Shkodrës merr karakter vizionar me vlera të jashtëzakonshme. Ata punuan ata ditë kundër kohës, e cila do të kërkonte të shuante kujtesën kombëtare. Ja pse fotografia e tyre, përveç se ka vlera artistike ka edhe vlera arkivore, dokumentare historike. Gegë Marubi i specializuar në Paris, ka fiksuar foto të Fishtës në shtratin e vdekjes. Fishta është i veshur me zhgunin e Françeskanëve dhe në dorë mban rozaret. Në brez ka litarin e njohur sipas ritit të Françeskanëve. Fotografi i ri Gegë Marubi ka fiksuar në filma të markës Laika çaste të ndryshme nga funerali i Fishtës. Shan Pici ka fotografuar reliket që i përkisnin Fishtës, si për të na transmetuar brezave tonë disa mesazhe me rëndësi mbi jetën e poetit të madh. Po kështu jemi të sigurt se edhe Dedë Jakova ka fiksuar çaste të rëndësishme të procesionit. Mund të themi se për arsye profesionale asnjëri nuk ka përsëritur tjetrin, por të gjithë së bashku kanë plotësuar të tërën.
***
Dhjetor 2010. Shënohet një datë e veçantë në kalendarin e ngjarjeve të rëndësishme. Më 30 të këtij muaji bëhen 70 vjet nga vdekja e At Gjergj Fishtës.
Jemi përpjekur ta sjellim mes nesh këtë humbje të madhe, parë në disa këndvështrime. Shumë dëshmi fotografike, që shfaqen për herë të parë për publikun, do të plotësohen me disa shkrime të panjohura të Fishtës, dhe me një varg faktesh të analizuara me kujdes mbi portretin, kontributin e Gjergj Fishtës dhe përpjekjet e qëllimta të diktaturës për të hedhur baltë mbi të.
Por ajo që na tërheq vëmendjen më së shumti janë dy fotografi të një objekti tepër të rrallë: maska e vdekjes së at Gjergj Fishtës. Ajo është mjaft ngacmuese për misterin që mbart. Kush e ka realizuar dhe cila është historia e saj? A ruhet ende kjo maskë? A ka lidhje me ndonjë traditë të françeskanëve realizimi i saj?
***
At Gjergj Fishta i takonte Urdhrit të Françeskanëve, që e kishin në traditën e tyre që kur vdisnin personalitete të shquara të tyre ata ua merrnin maskën e fytyrës. Kjo kërkonte një teknikë dhe mjete speciale për tu realizuar. Fishta vdiq më 30 dhjetor 1940 dhe u varros në Kishën e Françeskanëve një ditë më vonë. Sipas dëshmive të disa anëtarëve të shoqërisë Antoniane, ne mësojmë se maskën e Gjergj Fishtës të vdekur e realizoi një françeskan tjetër i shquar: At Justin Rrota. Gegë Marubi realizoi fotografimin e Maskës së Fishtës në disa projeksione. Maska është realizuar me një teknikë të lartë, përmes të cilës ka ruajtur deri elementet më të detajuara të fytyrës, si rrudhat e fytyrës edhe qerpikët e syve, fijet e flokëve, etj. Maska ka ruajtur elemente të shprehjes së qetë të fytyrës së poetit menjëherë pas vdekjes.
Një histori më vete dhe mjaft interesante është ajo e ruajtjes së maskës së Fishtës deri në ditët e sotme. Kjo histori lidhet me anëtarin e flaktë të Shoqërisë Antonjane Tom Leci. Franceskanët kishin krijuar në Shkodër një shoqëri të djelmenisë që e quajtën “Shoqëria Antoniane”. Tom Leci ishte një pjesëtar aktiv i kësaj shoqërie mjaft të njohur në Shkodër. Ai kishte fituar çmime në poezi, pikturë, skulpture dhe shquhej për ndjejnjat e zjarrta të dashurisë për atdheun. Ai në 1939 krijoi së bashku me shokë të tjerë shoqërinë “28 Nandori”. Qe luftëtar për ruajtjen e trojeve etnike shqiptare, në Rugovë. Toma mori përsipër ruajtjen e maskës së Fishtës në vitet e dallgëve të kohës që kaloi atdheu, gjatë Luftës së Dytë Botërore si edhe gjatë viteve të diktaturës. Deri në fund të jetës (2005), Toma e ruajti maskën e Fishtës me një përkushtim të madh. Është interesant se ai krahas maskës së Fishtës ruante të ekspozuar në dhomë edhe portretin e gjyshit të tij, Marka Kolës (1832-1880), një prej heronjve të “Lahutës së malësisë” së Gjergj Fishtës. Portreti i Marka Kolës ishte realizuar nga piktori i popullit, Simon Rrota (vëllai i Atë Justin Rrotës, OFM). Ja pasazhi i Fishtës për këtë hero të Lidhjes së Prizrenit:
“Po kush qiti n’tri taborre?
Marka Kola rrfe mizore.
Marka Kola i pari qiti,
E ku qiti aty i a njiti:
Vrau n’martine të Sulltanit
Burizanen Mark Milanit!”
(LAHUTA, Kanga e katërmbëdhjetë, Te Ura e Rrzhanicës).
Marka Kola është një nga dëshmorët e Atdheut që dha jetën në luftë për mbrojtjen e trojeve të parëve. Tom Leci ruante së bashku maskën e Gjergj Fishtës (te realizuar nga Justin Rrota) dhe portretin e Marka Kolës (të realizuar nga vëllai i tij, Simon Rrota). Dhe nuk ishte e lehtë të ruaje një relike të Fishtës në Shkodër. Mbas vdekjes së Tom Lecit (i cili i kaloi vitet e rinisë së tij nëpër burgjet e diktaturës), maska e Fishtës ruhet nga familja e tij në Shkodër. “Këtë maskë kam pasur fatin ta kundroja sa herë shkoja për vizitë tek miku im, Tom Leci” (M. Quku).


* * *
Fotot dëshmojnë se dita e ceremonisë së lamtumirës ishte një ditë me shumë dëborë dhe kortezhi mortor përbëhej nga njerëzit më në zë të politikës, fesë, artit dhe inteligjencës. Ka shumë dëshmi gojore e fotografike që nuk njihen nga kjo ditë.
Bashkëkohësit tregojnë se ceremonia e varrimit të Fishtës qe më madhështorja që ishte pa ndonjëherë në Shkodër. Që me 22 dhjetor qyteti e rrethet ishin veshë në të bardhë. Bora binte si donte Zoti vetë. Homazhet filluan në Katedralen e qytetit dhe prej aty procesioni kaloi nëpër gjuhadol, kaloi nëpër piacë, (pedonalja e sotme) dhe u ndal para ndërtesës së Postës. Aty u mbajtën fjalime nga autoritetet e vendit dhe të tjerë që kishin ardhur nga Tirana. Fjalimet u mbajtën pikërisht nga balkoni i shkallëve të ndërtesës, aty ku para katër viteve i ishte dhënë lamtumira e fundit një tjetër të madhit Mjeda. Prej aty kortezhi vazhdoi rrugën në rrugicën që të çon tek Kisha e Françeskanëve, ku edhe u varros në kriptin e Urdhnit të tretë. Ekzistojnë fotografi të katër fotografëve të Shkodrës, por që duhen kërkuar dhe promovuar në të ardhmen. Ne po prezantojmë fotografinë e procesionit në çastin që po ngjitet nëpër piacë, sapo ka dalë nga Gjuhadoli. Shihet qartë se ka ra borë e madhe, aq sa kanë mbetur grumbuj grumbuj në tokë. Ndërsa po bie shi, sepse pjesëmarrësit janë me çadra. Procesionit i paraprin banda muzikore Antonjane të Françeskanëve, mes të cilëve është edhe heroi ynë Tom Leci me Bas-Mi. Arkivoli i Fishtës ishte i mbuluar me flamurin autentik të Dedë Gjo’Lulit. Ai u vendos përfundimisht në Kishën e Gjuhadolit. “Diq ma besniku i shprehjes së ndiesive shejte dhe bujare të kombit tonë” u shpreh prof. Filip Fishta. Me vdekjen e tij, Akademia e Italisë “Humbi nji ndër pjesëtarët e vet ma të shkëlqyeshëm” , shprehet kryetari i kësaj akademie Prof. Luigj Federzoni në telegramin që dërgoi në rastin e vdekjes së poetit më 30 dhjetor 1940. “Ky hyll i shlëqyeshëm u këput prej qiellit shqiptar, ky njeri i madh u dna nga mesi i ynë, por Ai nuk do të harrohet kurr prej Shqiptarëvet”- do të shkruaj Prof. Karl Gurakuqi me këtë rast. Dhe vërtetë mbas sa e sa fortunave të kohës, ka ardh dita që Fishta të kthehet në vendin që i takon. Fishta po kujtohet e po nderohet prej shqiptarëve.


* * *
Një histori të veçantë kanë edhe fotografitë ku janë fiksuar disa relike të Fishtës si penda e artë, kurora e argjendtë, kopja e botimit të parë të Lahutës së malcisë, me të cilat njihemi në këto fotografi. Interesim të veçantë treguan fotografët e rinj, Shan Pici, Dede Jakova e Pjeter Raboshta, që sapo kishin hapur studiot e tyre në Shkodër, në shembullin e Foto Marubit.. Në studion e pleqve Marubi ishte kthyer nga Franca, ku ishte specializuar, Gegë Marubi. Të gjithë këta fotografë të talentuar e të arsimuar punuan ato ditë për të pasqyruar sa më denjësisht figurën e ndritur të Fishtës, përmes fotove të kohës. Gega filloi te fotografonte me aparat të lëvizshëm me filma të markës Laika. Mes kësaj plejade fotografësh bie në sy Shan Pici, i cili u shqua për fotografi të karakterit arkivor, dokumentar. Ata bashkëpunan me oraganet e shtypit, si edhe me komisionet që u krijuan për të përgatitur botime speciale për Fishtën.
* * *
Fishta u çmua dhe u nderua nga shumë personalitete e burra shteti të mëdhenj të kohës. Perandori i Austro-Hungarisë, Franz Jozefi e dekoroi në vitin 1912 me Urdhërin Ritterkreuz, Papa Piu XII e dekoroi në vitin 1925 me Medaljen e Meritimit, Parija e Përgjithshme e Urdhërit Franceskan e dekoroi në vitin 1929 me Lector Jubilatus. Madje At Gjergj Fishta u dekorua në vitin 1912, edhe nga Sulltani i Perandorisë turke me dekoratën Mearif klasi i dytë, kurse u dekorua nga Mbreti i Greqisë në vitin 1931, me dekoratën Foenix. Me rastin e vdekjes së Fishtës, si edhe të përgatitjeve për botimin “Atë Gjergj Fishta”, Tiranë, 1941, fotografi i ri Shan Pici mori përsipër të bënte fotografi të relikeve të Gjergj Fishtës. Po japim informacione lidhur me disa prej tyre. Njëra foto i takon dekoratave të akorduara Fishtës: 1. Në mes të fotos, lart është “Medaglia al Merito”, në vitin 1925 nga Papa Piu XII, 2. Dekorata në krahun e majtë është “Ritterkreuz” e akorduar në vitin 1912 nga Perandori Franz Jozef i shtëpisë së Habsurgëve, 3. Dekorata në të djathtën është “Mearif”, klasi II, akorduar në vitin 1912 nga Sulltani i Perandorisë Turke, 4. Në fund është dekorata “Phoenix” e akorduar nga Mbreti i Greqisë, në vitin 1931.
Ndërsa në një foto tjetër Shan Pici fiksoi së bashku Kunorën e argjendë që ia dhuroi Fishtës, Klubi “Gjuha Shqipe” në vitin 1911, si edhe pendën e artë që ia dhuruan në vitin 1917, nga qyteti i Beratit, për krijimtarinë poetike. Kunora e argjendtë iu dhurua Atë Gjergj Fishtës nga Klubi “Gjuha Shqipe” me këtë kushtim:
“Fort të Ndritçmit A. Gjergj Fishtës O.F.M.
Vjerrshtarit ma të vlershmit të Shqypnis, Atdhetarit të Flakët e të dijshëm, qi me shkrime të larta të veta aq të shndritun e randsi i ka dhanë gjuhës e komsis Shqiptare ket kunorë në shej të binduemit e të Miradijes, Klubi “Gjuha Shqipe” ja Truen.
Kryetari i nderës: Sereggi, Kryetari: N. Çoba, Shkodër, 21. 1. 1911.”
Po në vitin 1941, në kuadrin e përgatitjeve për botimet speciale kushtuar At Gjergj Fishtës, fotografi Shan Pici, ka bërë edhe riprodhimin e një fotografie të vjetër ku poeti kishte dalë, vite më parë kur kthehej herë pas here Kuvendin e Troshanit. Kjo foto tërhoqi vëmendjen e fotografit të ri, sepse aty poeti kishte dalë së bashku me fshatarët e tij të katundit Fishtë, aty pranë Troshanit. Pavarësisht se cilësia e fotografisë është jo e mirë, sepse amatore dhe e riprodhuar, ajo paraqet vlera për personalitetin e poetit, i cili madhështinë e tij e shprehte në mënyrë të thjeshtë.
Po ashtu histori dhe vlera të veçanta ka fotografia e facsimiles së botimit të parë të veprës së Fishtës “Lahuta e Malsisë” me autografin e At Shtjefën Gjeçovit, që e zotërojmë sot falë kujdesit të fotografit Shan Pici, me këtë rast (1941). Mësojmë se kjo kësombëll ka qenë “Për përdorim të At Shtjefën Gjeçov, Gomsiqe, 13-VI-1912”.
Dhe s’duhet harruar edhe fotografia e vitit 1915, ku Fishta është në moshën 44 vjeçare, fotografi kjo që paraqet mjaft interes, pasi është koha kur Shkodra dhe e gjithë zona përreth është kthyer në teatër luftimesh. Fotografia është realizuar në studion e fotografit atdhetar Kel Marubit.



Shkrime të panjohura të At Gjergj Fishtes


Kolec Çefa


Njerëzit e mëdhaj janë stacione kombtare ku na ndalemi për të meditue, edhe për të kaluemen, edhe për të ardhmen. Në fushën e kulturës sonë shqiptare, i tillë âsht edhe Fishta. Përkushtimi i tij për fe, atdhe e kulturë shqiptare âsht imponues. Megjithatë, ende ka mbetë, edhe e pambledhun plotësisht, edhe e pastudiuar krejtësisht, krijimtaria e veprimtaria e tij. Përpjekje të mira në këtë drejtim janë ba nga P. Benedikt Dema, i cili na jep një pasqyrë të botimeve fishtiane, por jo të plotë. Janë botue disa vëllime tjera për krijimet e Fishtës, vështrue në pamje të ndryshme, por përsëri me mungesa. Po ndalem tek mbledhja e prozës fishtiane nga grupi i Z. Frano Kullit dhe nga Dr. Persida Asllani, që na kanë mbledhë me kujdes e mund prozën e shpërndame të Fishtës. Në gazetën “Posta e Shqypnìs” janë botue disa artikuj “Permbi burim të gjuhvet letrare” dhe artikulli “Mikrobët e gjuhës shqype”, të cilët, tue qenë pa firmë, janë lanë jashtë përmbledhjeve. Prof. Kostallari i përmendë e shkruen: “Artikulli nuk nënshkruhet, por, sipas shumë shenjave, duket se mund të jetë shkruar nga Gjergj Fishta, drejtues i këtij organi”. (dhe krijon rast për të sharë klerin katolik). Shtojmë se Prof. Dr. Nuri Gokaj i njef për të Fishtës. Unë i kam përfshie në një vëllim të ri që mendoj ta botoj. Subjekti gjuhësor aq shpesh i rrahun prej Fishtës, madje i rrahun me kulturë të gjanë e pasion atdhetari per tanë jetën, ka qenë i parapelqyem që në fillimet e krijimtarisë së tij. Edhe punoi e shkroi shumë për alfabetin tonë, gjuhën shqipe e shkollën kombtare. Shkruente se “gjuha letrare âsht e ujdisme me shije estetike e e xjerrme prej gurret të vet të gjallë, që âsht goja e popullit, prej visarit të kombit që âsht literatura e perbame me mund e me kohë;… se per perparim të gjuhës amtare âsht nevoja me u librue ç’prej themelit politikisht”; … se gjuhën e ndërtojnë shkrimtarët e dijetarët e zanatit”. Fishta nuk pranonte dekrete as porosi nga nalt për gjuhën shqipe, nuk ishte për ngutje, nuk ishte për shartime dialektesh. Këto mendime e trajtimi i këtij subjekti, me stilin e tij fishtian; fjalori i tij i pasun e frazeologjia karakteristike në pendën e Fishtës, më çuen tek perfundimi se proza e pambledhun “Mikrobët e gjuhës shqype”, si edhe “Përmbi burim të gjuhvet letrare”, sado pa firmë autori, (ka edhe shkrime tjera në “Postë…” të Fishtës pa firmë autori të pambledhuna) kanë dalë nga mendja e penda e Fishtës, prandaj duhet të rreshtohet si krijim letrar i Fishtës. Përsëri në gazetën “Posta e Shqypnìs” Fishta ka botue një reçension për veprën e Mjedës “Juvenilia”, kritikue nga monizmi, madje edhe tue krijue kontradiktat Fishtë-Mjedë. Prof. Vehbi Bala shkruen: “Në një anë, Fishta çmoi disa vlera në “Juvenilian” e Mjedës, kurse në anën tjetër, ai e kritikoi. Meritat e veprës… Si të meta të veprës, Fishta shënoi një melankoni, që nuk rrjedh gjithmonë nga zemra sa nga mendja e autorit. Ai nuk i përfilli shfrimet romantike të Mjedës si shprehje të ndjenjave, por diçka cerebrale”. Pavarësisht nga kredibiliteti shkencor i thanies së masipërme, unë po ndalem te një identifikim imi (botue ma parë në veprën time “Në gjurmët e Fishtës”, por i papërhapun). Po në gazetën e citueme, Fishta (për mendimin tim) âsht autori i recensionit të dytë për “Juvenilian” me titull “Literaturë shqype”, në anonimat, ku lavdon poezinë e Mjedës për ndiesi, per zeje, per gjuhë, të hijshme: “Kur këndon ato kangë, as nëpermend nuk të kalon me thanë: Jo, kjo âsht gjuha e Shkodrës, ase e Korçës, ase e Elbasanit, por thue: Kjo asht gjuha shqype”. Dhe shprehet ma poshtë kundër perziemjes së dialekteve.
Një identifikim tjetër, që unë e kam përfshie në permbledhjen time, âsht edhe një analizë kritike që Fishta shkruen per Koliqin, por tash po ndalem te një prozë tjetër, e pambledhun, pse e panjohun si e Fishtës.
Më 1921 plasi kryengritja e Mirditës. Thuhet se paaftësia e prepotenca e anëtarëve të qeverisë, rrjedhë ndoshta nga ndonjë ndjenjë negative, çuen në ngjarjet që ndodhën pas. Deputetët e Shkodrës, kleri katolik, kërkuen të çohej një delegacion me në krye Bajram Currin komandant, me u marrë vesht. Mirëpo ngjarja përfundoi me luftë kundër Mirditës. Fishta shkroi një prozë që ia fali drejtorit të fletores “Shkumbini” që e botoi në nr. 30, datë16. 9.1921. Qeveria arrestoi drejtorin, pse kërkonte artikullshkruesin. Ma gjatë lexoni ma poshtë:
Këshilli kombtar
N. 617/III
Të Shkelqyeshmes Kryeministri
Tiranë
Në pergjegje të shkresës nr. 1982 të Ministris të Punëve të Mbrendshme, paraqit me anën të Shkelqyeshmes Kryeministri, kemi nderin me u njoftue se deputeti i Shkodrës Z. At Gjergj Fishta u pyet mbi ketë çashtje. Z. e tij thotë, se artikullin vet(ë) e ka shkrue, por pa nënshkrim dhe per hesap të Redaksis të gazetës “Shkumbini”, dhe tue thanë direktorit t’asaj gazete, që artikullin mundet t’a ndryshojë, ose mos t’a botojë se s’pranon aspak pergjegjësi.
Pritni nderimet tona shumë të nalta.
Kryetari
Eshref Frasheri
Tiranë, me 22/10/921
Vula




Mikrobët e gjuhës shqype
Pernjimend se asht nji punë per t’u çuditë, që nji grusht njerëz në gji t’Europës, që jemi na shqyptarët, tue kenë ndoshta kombi ma i vjetri i të gjithë Europës e rrethue per gjith anesh prej kombeve të tjera ka mujtë me ruejtë deri sod gjuhën e vet m’vedi e krejt të dame prej gjuhëve tjera europjane. E pra, kush nuk u pershkue neper ne! Mjaft me thanë romakët e turqit, dy pushtete të perfrigueshme: e me gjith kta, shqypja gjallë se gjallë, e, shka asht ma teper, perditë tue u zhdrivillue ma fort. Asht lypë forca e konservatorizmi i nji kombi shqyptar, per me e ruejtë gjuhën e vet të gjallë e të kerthneztë ndermjet zhumhurit të gjuhëve të slavëve, të grekve e nen imperjalizem të kulturës latine, pse dihet që ka kombe n’Europë, të cillat sod nuk flasin ma gjuhen origjinale të veten, por gjuhë të hueja. Por tue vu në oroe korespondencën e perditshme, që na vjen prej Shqypnijet, shkrimet që çohen me u botue në shtypshkrojë tonë, mundena me thanë, se çka nuk mërrijtjen me ba në gjuhë shqype grekët, romakët, gotët, slavët etj. janë tue e ba sod shqyptarët vetë: janë tue e hupë gjuhën shqype! Nen shkak që gjuha shqype s’ka literaturë të veten, kanë nisë të shkruejnë shqyp secilli mbas atij qirificit të mendes së vet, pa e vû në oroe aspak a natyrën e gjuhës, a shijen estetike e arsyetimin e ligjeratës njerëzore. Kanë këndue ndonji fletore të hershme, ase, neper tê, edhe ndonji liber shqyp,
botue prej ndoj geget a tosket si neper kllapì a me pasë kenë tue qitë laknuer me nêne e qe se ato 10-15 kokrra fjalë ekzotike, që u kanë mbetë nder trû të shtypuna a librat shqyp, kanë per t’u mundue me e folë, kanë per t’i mbjellë aty-ktu neper shkrime të veta si me lëshue guraleca në brûm të bukës kallamoqe, në short me të thye dhambët e tmallët e shëndosha. Tjerët kahë nuk i ka lanë shpija mbrendë, kanë kerkue dhenë si parja e kuqe, e kur kanë shtegtue neper Shqypnì, të ngushtuem me u marrë vesht a gega me toskë, a toska me gegë, kanë shkue tue shartue njanin djalekt me tjetrin, pa kurrfarë mjeshtrijet porsi me shartue shegat me fiq e të kanë perba nji gjuhë krejt në vedi, që s’di a asht kàl, a mushk, a gomar e që ma fort se gjuhë shqype, kishte me u dashë me e quejtë sallahane. E, ka asish masandej, e janë sidomos do nëpunësa në Shqypnì e nxanësat tonë jashta Shqypnije, të cillët, ma fort se me studiue natyrën e gjuhës a librat shqyp kanë per t’u mundue me folë e me e shkrue shqypen mbas mëndyrës që ta flasë drejtori i zyres, per në kjoftë nëpunës e, per në kjoftë nxanës ka per t’i marrë të gjitha veset e shqyptimit e gabimet gramatikore të atij që ta ketë porositë me e marrë në shkollë perjashta: e atëherë na mblon aj breshen fjalësh shumë të bukura e që me shmangien e formave dialektare, per me trajtue kështu gjuhën letrare shqype, si bje fjala njikto rreshta që po i nxjerrim prej nji lajmit botue tash së vonit: Gjithë pjestarvet i ngufoi zemra në gëzim tue ndigjue kto fjalë me randësi tue u qeshun fëtyra, u shperndanë kadalë. Të gjithë dija e gjuhës shqype ka mbetë, per në kjoftë gegë shkruesi me shkrue shumë ë nder fjalë, e per në kjoftë toskë, tue vu sheje hundakësh, punë e pa punë; e kështu, vjen e bahet letra me pikla, e thue se ke shprazë në tê nji kubure kaçalluke mbushë me shasme. E, shka të bindë e të neveritë ma fort asht kta që të gjithë po duen me u mbajtë filologë. Hin e fol me ta, paj, qe besa e besës, ta bajnë kryet per voe kahë vehen kinse me të spjegue, se kjo fjalë vjen prej sanskritishtes, se kjo tjetra asht indo-gjermane, se ajo e treta rrjedh drejtperdrejt prej persishtes: se Majeri i ka thanë kështu, se Pederseni ka shkrue ashtu e kështu Jockel e kështu Jagiç e kështu etj., etj. të tana fjalë si me u pasë ra lnjyra e me kenë tue folë këllapì. Per ta të gjithë literatyra s’asht tjetër veçse nji etimologjì fjalësh e kurrgja ma teper. Kahë pritojnë me u vu e me zanë më libra shqyp, kta s’e zanë se ka shkrue kush shqyp kurr, e pse gja të veten s’kanë të shkrueme, kështu gjithmonë kanë per të mbajtë per fjalë të shkrimtarëve të huej, si mbahet kungulli haes per gardh. E Kështu, kahë rrijnë kta garguj tue britë permbi filologji e literatyrë, gjuha shqype ka ardhë e asht perzie si flokët e harapit sa me mbërrijtë njeriu me i thanë vedit, jarebi, a di unë shqip, apo jo? Per në ngjatët puna kso doret, s’ka me shkue shum e na kemi me kenë të ngushtuem me folë e me shkrue në gjuhë të huejen, pse gjuha shqype ka me dekë, pa dyshim, mbassi i kanë hî sod mikrobët që janë shkrimtarët e padije e të pa zeje. Thonë se gjuha shqype s’ka literatyrë e gjuhë letrare të veten. Asht rrenë! Gjuha shqype ka literatyrë, veçse s’ka lertrarë, sa kishte me u dashtë. Padija në literatyrë e një shumicës së madhe të shqyptarëvet të sodshëm, ka ba që perparimi i literatyrës së gjuhës shqype sod ka kthye, pak me thanë, 50 vjet mbrapa. Prej zekthit të marrë që me u dukë letrarë pa kenë, sod asht pshtjellue gjuha shqype në mënyrë që mos me mujtë me këndue dy rreshta shqyp, perpa t’u çue vneri. Urojmë që shqyptarët e meçëm e sidomos Komisjoni Letrar kanë me u mundue me i shtypë me shkrime të veta kta mikrobë parazita të gjuhës shqype.
(“Posta e Shqypnìs”, 1918, nr.30, F.4).


Literaturë shqype
Si e kemi lajmue edhe nji herë tjetër, fort i Nderti Zotni Dom Ndre Mjedja në këto kohët e mbrame, tue herrë lulishtën e Zanave, ka mbledhë e ba tubë do lule të bukura poezie plot njomësi e hijeshi e i quejti “Juvenilia”, nën të cillin emën kuptohen vjershat e kangët e tija të shkrueme në moshë të re. Prej emnit të përvujtë të të mbledhunit të këtyne kangëve, njeriu s’kishte me pritë se gjenë aty mbrendë nji poezi të naltueshme e vjersha të punueme me zeje. Por puna âsht krejt ndryshe.
Në atë libër ke nji poezi plot ndiesi, nji zeje të pashoqe e nji gjuhë fort të hijshme. Kur ti këndon ato vjersha, të ngjallet menjiherë uzdaja se me gjuhë shqype ka me mujtë dikur me u mëkambë nji literaturë e zgjedhme e e hijshme. Kur këndon ato kangë, as nëpërmend nuk të kalon me thanë: Jo, kjo âsht gjuha e Shkodrës, ase e Korçës, ase e Elbasanit, por thue: Kjo âsht gjuha shqype. Në ato kangë nuk janë shartue mollat me morriza, as lilat me hitha, si me thanë se ajo gjuhë nuk âsht e perbame me fjalë të trillueme mbas qejfit e me hamendje; por âsht e ujdisme me shije estetike e e xjerrme prej gurret të vet të gjallë, që âsht goja e popullit, prej visarit të kombit që âsht literatura e perbame me mund e me kohë. Prej këtij libër shifet kjarisht sesa arsye kanë ata që thonë, se gjuhën letrare e ban pupla e letrarve e jo pallavrat e thata. Prandaj na po jau porosisim këte libër gjithë dashamirësve të literaturës kombtare e, sidomos mësueasve e nxanësave të shkollave si fillestare, si të mesme. E shpresojmë se shqyptarët kanë me iu pergjegjë kësaj porosie tonën, psekujtojmë që ata e dijnë, se, kur na flasim mbi Shqypnì a lavdojmë ndonji vepër shqyptare në fletore tonë, atëherë e kemi përnjimend e jo per me shkarravitë leter.
Libri “Juvenilia” në këto ditë âsht qitë me u shitë e kush don me e ble, t’i sillet shtypshkrojës françeskane në Shkoder, tue dërgue çmimin e tij që âsht tri koronash, si edhe shpenzimet e postës, kush e porositë me postë.
(“Posta e Shqypnís”, nr.54, f.3, Shkoder, 22 qershuer 1918).


Fjalë të reja e mentalitete të vjetra
Sot âsht tuj u vra shqiptari me shqiptarë. Sot nji krahinë e përmendun e Shqipnisë, Mirdita, âsht tuj u la në gjak të shqyptarëvet! Punë fort e ligë; punë e keqe fort! Kush e ka fajin?
Qatje kah nbarimi i qershorit të këtij vjeti doli fjala e mori dhén, se paria e Mirditës, Z. Marka Gjoni i Gjomarkajve, po e kishte ba pleqni me krén të vendit, m’e shkepë Mirditën prej Qeverijet të Tiranës e me ngrefë per te nji qeveri tjetër të re, e se, per me i dalë kësaj pune në krye, po kishte kalue deri në Prizren, per me lypë prej serbëve ndihmë financjare e ndihmë morale a diplomatike.
Qeveria jonë e paska pasë ndie ket fjalë e menjiherë vendueka, me çue në Mirditë një forcë ushtarake, per me prue me fuqi t’ armëve Marka Gjonin në fille, me gjith krén e me gjith popull kreshnik t’atij vendi.
Të ndershmit deputetët e Shkodres, tuj marrë vesh se ishte kah mëkambej nji ushtri me i ra Mirditës, i tërhoqën vërejtjen qeverisë, se mëndorja e kohëve e e vendit e lypte, që bashkë me ushtri të dërgohej edhe një komision, për me u marrë vesh nji herë ma para me Kapitan Marka Gjonin e me tjerë krén të Mirditës mbi shkaqe të verteta, që i kishin shtye me lypë të ndamit e Mirdites prej qeverijet të Tiranës. Mbas projektit të të ndershemve deputetë të Shkodrës, komisioni do të përbahej prej katër vetëve: tre zotni shkodranë, dy katolikë e nji muhamedan, e Bajram Beg Curri, i cili do të ishte kryetar i komisjonit e komandar i ushtrisë, kështu që mos të dilte kurrnji kundërshtim i damshëm ndërmjet komisionit e komandet ushtarake. Proponuem Bajram Beg Currin, pse ky vetë e shpija e tij, jo veç mbas luftave e kryengritjeve, që në këto vjett e mbrame kanë shëmtue vendin tonë, por edhe perpara, ishte në lidhni miqasore me derë të Gjomarkajve e me popull mbarë të Mirditës e, pse edhe vjet që shkoi u diftue burrë e komandar i zoti në të shtypun t’ esadistëve. Ma teper do dijtë, se i gjith populli katolik i Shqypnisë së Eper ka nji besim të plotë në burrnì e në bujarì të këtij burri të ndershëm.
Qeverija nji herë e parapa plotësisht projektin e deputetëvet të Shkodrës, por mbasandej, per arsye që parlamenti do ta kishte me detyrë me e dijtë, e qiti poshtë. Lëshoi esadistat prej burgut, siguroi miljonat në kasë të financës, edhe, nën komandë të Z. Kolonelit Ali Fehmi Bej Kosturit, ia lëshoi ushtrinë në shpinë Mirditës. E kështu, shi në këto kohë historike zunë me u vra e me u pre shqyptarët ndermjet vedit.
Edhe na jemi mendimit, që në Shqypni mos të ketë veçse nji qeveri të vetme, pse kështu njinija e jeta e kombit sigurohet ma mirë. Por kur të marrim para sysh, se edhe njeti aty-këtu nëpër botë ka shtete të mbarështueme nder kantone, me një qeveri qandrore, si Austro-Hungarija motit e Helvecia në ditë të sodit, na, per me u dashtë me u dhanë fjalëvet kuptimin e vet të vertetë, ma fort se nji tratti, çashtjen e sotme të Mirditës e mbajmë nji çashtje politike të permbrendshme: pse edhe qeverija nuk mundet me na vertetue pozitivisht, se me ket lëvizje Kapiten Marka Gjoni do pernjimend me i lëshue shteg jugosllavit, që të dalë në skele të Shnjinit. Por edhe me pasë per të kenë e vertetë kjo fjalë, nuk kishte me kenë arsye me u çue na e me mbytë shoqi-shoqin, tue kenë se të lëshuemit a të moslëshuemit shteg jugosllavëve neper Mirditë, nuk asht nji çashtje kjo që mund të rregullohet prej Kapiten Marka Gjonit a Eljaz Beg Vrijonit, por prej Konferences së Paqes.
Prandaj na nuk kuptojmë se si mund të jetë, që shi njajo qeveri e cila jep autonominë administrative Himares, ku ende nuk asht e sigurtë, se populli i atij vendi, pa u hap nji plebishit prej anës së Konferencës së Paqes, dishmohet shqiptar: që shi njajo qeveri, e cila lëshon prej burgut njata shqiptarë, që vjet me ndihmën e serbëvet dojshin me ba që jo veç Mirdita të shkepej prej qeverijet të Tiranës, por që me gjith Shkoder t’i lëshohej Jugosllavisë, nuk kuptojmë, po thomi na, se si njajo qeveri të shkojë sod e të vrasë e të therë Mirditasit që lypin vetëm me u shkepë prej qeverijet të Tiranës, mbasi edhe Turqija, ligji i së cilës sod me sod zotnon në Shqypni, ia ka pasë njoftë nji administratë privilegjante.
Por këto janë punë që i perkasin kompetencës së parlamentit, na këtu vetem duem të pyesim qeverinë: çka bani ajo e ç’mjete të paqta perdoroj per të bamë që Mirdita mos të lypte me u shkepë prej qeverijet qandrore? Duhet dijtë, se nder shtete parlamentare nuk janë vetem mitralozat e topat, që mbajnë qetësinë nder krahina të ndryshme të atdheut, mandej ka pasë thanë edhe ai i moçmi: nandëdhetenandë urti e nji trimni.
Se asht zanë fill Shqypnia zyrtare e e ligjshme, duem me thanë, prej 1914 e deri sot, shtetin tonë e kanë sundue këto qeveri:
1. Qeverija e Princ Vidit.
2. Qeverija e Turkhan Pashës
3. Qeverija e Sulejman Beg Delvinës
4. Dy qeveritë e Eljaz Beg Vrijonit.
Tash të gjitha këto qeveri çka banë për Mirditë, ose ma mirë, të thomi, për Shqypninë Veriore?
Njiherë qeverija e Princit Vied me i lajmue s’i lajmoi popullit mbi Breg të Matës e perpjetë, se Shqypnija kishte dalë shtet më vedi e se kishte edhe nji princ suveren të vetin: pse, sa per dhetë miljonat ar që aso kohe u shpenzuen në gjashtë muej, as nji dy pare si nuk u dha per të mirë të kësaj krahine. Per qeverinë e Turkhan Pashë dihet vetem këta, që dërgoi njiherë në Lezhë për çashtje të dhetave të Zadrimës e se desh të ngrefë nji nenprefekturë në Bushat. Nen qeverinë e Sulejman Beg Delvinës u ngref lufta me jugosllavë në Hot e në Kastrat, nuk dihet se pse, edhe u rrenue Malcija e Madhe, nji krah i fortë i Shqypnisë. Ma teper kjo qeveri organizoi nji operacjon ushtarak në Zadrimë e t’i lëshoi mbi shpinë atij populli Shkoder e Postrripë, ushtarë e bashibuzukë, e gjendarë gjithfarë ngjyret e veshet, me bajrakë e me burija e me teneqe, të cillët, mandej, kjenë gati tue u vra shoq me shoq, pse ky po hante pata ma shum, jo pse ai po rruente biba e desh e qè të Zadrimës, si t’ishte kjo armik e jo pjesë plotësuese e Shqypnisë. E po qeverija e Eljaz Vrijonit? Si të gjitha tjerat. As ndreqi rrugë, as shtroi urë, as çili treg, as vu rend e rregull e nder 503 shkolla, që mban shteti shqyptar në të gjith prefekturën e Shkodrës ngrefi vetem tetëmbëdhetë shkolla fillore e dy qytetëse. Një punë tek asht: të kallëzoj vetë ç’të mirë i suell qeverija e tij Shqypnisë së Eper, që me terheqë prej vedit besimin e saj? Këtu, posë mungesash të kësaj qeverije, kishim me mujtë të njehim edhe shum e shum gabime e shperdorime auktoriteti të bame prej anës së kësaj qeverije, por ngushtica e fletores na pengon të zgjanohemi ma teper nder këto fjalë. Tash nji qeveri që s’asht e zoja t’i sjell nji të mirë vendit dhe asht e ngushtueme të ngrefë luftë dy-tri herë në vjetë me popull të vet, dmth, se gjindja e saj ende s’e kanë mentalitetin e perbamë, per me vu nevojët e kohëve të sodshme e të systemeve të reja. Edhe Turqit e Ri dhanë konstitucjonin e mbasandej çuen Turgut Pashat e Xhavit Pashat me topa e mitraloza nëper Shqypni.
Por mos të harrojë qeverija, se ka thanë i moçmi, që: “kush mbjellë erë, korrë duhi”.


(Kjo prozë , e panjohun si e Fishtës, u botue në gazetën “Shkumbini”, nr. 30, datë 16.9.1921.)




Një shenim: Fishta me Kostaq Cipon kanë pasë edhe mosmarrëveshje per punë shkollash. Po shkruej ma poshtë një mendim të panjohun të Fishtës për të tregue se njerëzit e dijes, edhe kritikojnë njeni-tjetrin, edhe e vlerësojnë njeni-tjetrin; edhe grinden njeni me tjetrin, edhe ndihmojnë njeni –tjetrin. Lexoni si Fishta ndërhynë për të faluë Cipon e merguem.


Fishta per Kostaq Cipon
Kostaq Cipo ka krye studimet në Itali dhe âsht laurue në letërsi. Asht një nga ma të aftit e studiosa profesora të Shqipnìs në letërsi klasike e kombtare. Sa e çmoj që më nderon me miqsìn e tij – nuk ka dhanë kurr rasë me dyshue mbi disiplinen e tij e vartësìn e tij ndaj njerëzimit të qytetnuem. Ka grue e fëmijë e, vjetin e kaluem, qe drejtor i liceut të Korçës. Nga mueji i gushtit të kaluem gjindet i merguem vazhdimisht.
Lutemi, herë pas here, të lihet i lirë e t’i kthehet familjes që, shkaku i syrgjynosjes së tij, gjindet në vështirësi.


Elbasan, 26.VIII.24


Edhe një letër e pabotueme e Haxhiademit per Fishtën:


Shumë i ndershëm e i shkelqyeshëm poet,
Kur u këtheva sivjet prej Berlini në Shqipnì e u takova me Zotnìn t’uej në Tiranë, u gëzova shumë tepër.
Desha të bisedoshim atë ditë pak mbi poezìn e literaturën shqipe, por mjerisht nuk u poqëm mâ. Si e çoni mbë atë farë Shkodre nashti, o monsignor?
Un Bukolikën e Vergilit e mbarova së përkthyemi në heksametrë shqipe, kështu edhe tragjedìn originale t’imen “Odyssen” e mbarova tyke derdhë gjithë mundin t’em, dhe si vers mâ të hieshëm për tragjedì zgjodha atë të Shakespeare-t e të klasikëvet gjermanë pentapodia giambica.
Për me iu përshtatun shijes së popullit t’onë mâ tepër I kam shtuem edhe rimën, kurse ata t’jerët e kanë sciolto.
Zhvillimin e traghedìs e kam bamë krejt në mënyrën klasike dhe njerzit që lozin janë katër e dëften vdekjen e pamëshirshme t’Odysseut prej të birit që pat me Kirkën (Circe) Telegonin, tyke mos e njohtun se ishte i ati të cilin e kërkonte shumë kohë.
Tragjedija sa âsht tragjike, aq âsht melankolike e me moral të fortë; dhe jam sigur, monsignor, që ka me ju pelqyem mjaft, n’e këndofshi ndonji herë, kur të na qëllojë rasti me u takue.
Due me i shtypë të dyja këto vepra, por si student që jam nuk mundem kurrsesi; prandaj pyes zotnìn t’uej a ka ndonji njeri që të mundet me i botue këto dy vepra tyke i shtypë, se besoj që nuk janë fare pa randësi.
Pres përgjigje prej zotnìs s’uej këto dy javë, se mâ vonë ndoshta nisem për Berlin.
Me ndér
I jueji për jetë
Edhem Haxhiademi




Po i mbyllim këto të dhana me një epigram të pabotuem të gjuhëtarit të nderuem P. Justin Rrota: “Shkrue më 14 tetor 1929 në ditën kur sivëllaznit e kuvendit uruen të Perndershmin At Gjergj Fishta OFM me rasën e marrjes, më 12 tetor, të titullit Lector Jubilatus nga i Perndershmi At Gjeneral i Urdhnit, Shkodër (Gjuhadol).
Epigrami âsht shkrue latinisht nga autori dhe përkthye në shqip prej Z. Zef Simonit, poliglot, përkthyes e leksikograf.


Sot në ditën e katërmbëdhjetë të tetorit të vjetit 1929
Të gjithë hareshem të mblidhemi shokë e miq
Per t’i urue gëzim e lumtuni
Të Perndershmit At Gjergj Fishta O.F.M.
Princit të madh të letrave tona
I cili në zhvillimin e arteve të bukura
Ka merita fort të mëdha
Dhe në këte ditë
Mori titullin Lector Jubilatus
Si Ai që tregoi qartë e bindshem
Se ç’mund të bajë e ç’bukuri ka
Gjuha amëtare
Për shumë shekuj heu! E lanë mbas dore


Rrnofsh gjatë, për nder e lavdinë tonë, rrnofsh për jetë
Ashtu si shkrimet e tua do të mbeten
Përmendore të perhershme të popullit tonë!



Gazeta Shqiptare, 26/12/2010
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Sponsored content





At GJergj Fishta veprimtaria e tij - Faqe 4 Empty
MesazhTitulli: Re: At GJergj Fishta veprimtaria e tij   At GJergj Fishta veprimtaria e tij - Faqe 4 Empty

Mbrapsht në krye Shko poshtë
 
At GJergj Fishta veprimtaria e tij
Mbrapsht në krye 
Faqja 4 e 4Shko tek faqja : Previous  1, 2, 3, 4
 Similar topics
-
» GJergj Fishta .Lahuta e Malcise.
» GJ. Fishta: “Sod ka Shqypni, por shqyptarë të vërtetë kà pak
» Le ta dine tere bota mbare se Fishta me nuk a shqiptar,pse?
» Gjergj Elez Alija
» ARTI DHE KULTURA SHQIPTARE

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Bashkimi Kombëtar :: Shqiptarët :: Politikë-
Kërce tek: