Martin Çuni - Antoni, u lind në fshatin Ujz i Hasit të Thatë, më 14 maj l948.
Ciklin e ultë të shkollës fillore e bëri në fsh. Bishtazhin të Hasit,
ndërsa tetëvjeçaren e përfundoi në fsh. Keqekollë të Gollapit, ku i
punonte i ati, Ndreca. Gjimnazin e mbaroi në vitin l968 në Prishtinë.
Më pastaj i vazhdoi studimet në F F të Prishtinës,Dega e Pedagogjisë.
Gjatë studimeve për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike u detyrua
të punojë. Fillimisht , tre vite punoi në sh.f. “ Rilindja “ të
Keqekollës,Pastaj në K N I “ Ramiz Sadiku “ të Prishtinës. Më vonë
pranohet në punë në RTV-të Prishtinës, si gazetar në Redaksinë e
Kulturë - Programi për fëmijë. Ka udhëhequr Emisionet: “ Mirëmëngjesi
fëmijë “, “ Kolovajza e së dielës “ , emisionin për të rritur“ Karvani
i fshatit “, etj. Asokohe realizon reportazhe, shkruan vargje , prozë,
tekste për radiodramë etj.
Që nga viti 1968, M. Çuni , merr pjesë aktive në lëvizjen ilegale të
kohës, në platformën e avancimit të çështjes kombëtare të shqiptarëve
në trojet e tyre në Jugosllavi. Në vitin l982 arrestohet me shumë
veprimtarë të tjerë, e më pastaj dënohet me tetë vjet burg. Për
veprimtari në burg, më vonë dënohet edhe një herë. Në burgjet e Serbisë
i mban nëntë vjet, prej tyre tetë izolim. Martini edhe në vuajtje të
dënimit vazhdon të shkruaj.
Në fund të vitit 1990, pas vuajtjes së dënimit, ai emigron në Zagreb,
një vit më vonë shkon në Shqipëri, si reporter i Radio Zagrebit, për
emisionin shqip atje.
Në vitin 1992, për shkaqe ekonomike edhe politike emigron në Gjermaninë
Federale. Aty u angazhua për themelimin e Bashkësisë Shqiptare.
Në vitin 1998 kthehet në Kosovë dhe iu bashkohet radhëve të Ushtrisë
Çlirimtare të Kosovës. Fillimisht ishte në njësitet e Z U të Drenicës,
te komandanti Sylejman Selimi, në Likoc, prej nga raportoi për Radion
Deutsche Wele. Në nëntor të vitit l998, Shtabi i Përgjithshëm i U Ç K -
së kishte marrë vendim për themelimin e institucioneve të luftës:
Radios “Kosova e Lirë “ e Agjencisë“ Kosova Pres “. Aty M. Çuni do të
veprojë deri në fund të luftës, së bashku me Ahmet Qeriqin, Berat
Luzhën, Nusret Pllanën, Nezir Myrtën, Habib Zogajn, Qemal Aliun, Isa
Krasniqin e të tjerë.
Pas luftës, me vendim të Ministrisë së Informatave në Qeverinë e
Përkohshme të Kosovës, derisa punonte në R. “ Kosova e Lirë “, M. Çuni
caktohet në detyrë të udhëheqësit të Organit Drejtues për fillimin e
punës në Radiotelevizionin e Prishtinës. Pas gjashtë muaj angazhimi
gratis, në drejtim të krijimit të kushteve për kthim të gazetarëve dhe
të punëtorëve në R T P , ai jep dorëheqje i pakënaqur me rezultatet e
arritura. Për shkaqe ekzistenciale serish i kthehet kurbetit.
Aktualisht jeton e punon në Gjermani. M. Çuni ka këto vepra të botuara:
“ Reportazhe Lufte “ dokumentar, “ Jetë e furtunë “poezi për të rritur,
“ Jetë për jetën “ poezi për fëmijë. Ai ka edhe shumë dorëshkrime të
pabotuara , nga burgu e pas tij.
Ahmet Qeriqi
SHQIPTARVE
Gjurmëve të Rrugës së Kryqes, vazhdë
U kemi ra
Trup, mishra e kocka me helm e vrer
Na kanë la
Lëkurës shtatë palë dredhë, dredhas
Na kanë heqë
Në shpirt e në zemër petka të zeza
Na kanë veshë
Gjilpërat nën thonj, në këmbë e duar
Të thyera nejtë
Të heqim dorë përgjithmonë nga e drejta
Jonë e shenjtë
Katilët me maska rreth e rrotull nesh
Me fytyrën e djallit
Hapu Tokë, hapu Qiell në paqe, të dalim
Nga gropë e zjarrit
Kalavar : fëmijë, gra e pleq të Arbërisë
Masakrohen me orgji
Eshtrat ua tundën, varrosën e zhvarrosën
Nëpër serbosllavi
Mbi gjirin e nënës së vdekur, fëmiu
Përpiqej të mbajë jetën
Heronjtë iu qepen shkrepave më dhëmbë
Një copë Dielli gjetën
O ZOT, me rrugën e JEZUIT profet
Gjatë na shëlbove
Lumenj gjurmësh gjaku nëpër vite
E nuk na shpagove
Kado që erdhi e keqja, futë e shemër
Te ne bëri fole
GJERGJ e ADEM çdo shekull, Perëndi
Pse s munden me lé.
MBI ATLANTIK
I madhi Atlantik
Ku është Atlantida
Pse fshehë oqean
Kush iku atëherë
Kush po ikë tash
Sot e mot mbi Atlantik
Vragë e plagë mbi Atlantidë
Mbi Atlantik shtegtim
Atlantikasit ku janë
A takuan Ilirinë
09. 04.04. Mbi Atlantik
Kujtim Amerike
/malësorëve/
Kujtim mbi kujtim
Me nxënësin tim
Shembull dhe mburrje
Valë kujtimesh , vuajtje
Gjolulit, Berishës
Balidemajve të Malësisë
Krenari , malësorë Malësie
Ngadhënjeni si dasmorë
Nju Jork, 04.04
Krenari e trisht
/ A. Shkrelit /
Shkrel e Titan
Krenari e trisht
Mbi Bjeshkët e Nemuna
Karvani i Bardhë u ndal
Muzat pushuan mbi kroje
E mbetën të etura
Në Sanxhakun e lartë
Trungjet plakur e mbete
Filizat nuk na njohin
Krra, krra, fat i shkretë
Shrecksbah, l995
Mik e vëlla
/ Z. Halilit /
Kur frynte era katundisht
Ngushëllonte edhe hija e buzëqeshje
Suferina ta plogështoi zemrën
Pastaj si ndalje lotët
Diellin dëshirove për të harruarit
Për zemërvrarët rreze të ngrohta
Që ti përjetojnë si Bota
Ishte shtrëngim i madh duarsh
Përqafim vëllazëror në shkurt
Ndarja e madhe pasoi në gusht
Kurrë më së bashku në katin e gjashtë
Nga dritarja që fliste aq këndshëm
As në Pallatin e Shkronjave
Ëndrrat nuk do të na rrëshqasin
Ecejaket nuk do të ndalen
Nga pallati në pallat
Ne të dy si fëmijë bonjakë
8 maj 94. Tren, Giessen
LIRI
Të shoh në fytyrën e fëmijëve
Të shoh në mirësinë e nënës
Të shoh në burrërinë e babës
Të shoh në dashurinë e të dashurës
Ende nuk të shoh në vendin tim
24. Qershor 93. Schlüsselfeld
Ecje
Ec e ec shqiptarët
Cakun nuk e gjetën
Fajet i ka Koka
Fajet si ka Bota
Sbëri gjë Evropa
Ec e ec shqiptarët
Dy hapa përpara
Një hap prapa
Merren me pasojat
Vuajnë nga lëngata
Fajet i ka Bota
Shohin ëndrra të kota
Ec e ec shqiptarët
Degën nën këmbë presin
Arritën të bëjnë “ shtetin “
Dy shpata për të tjerët
Një e mbajnë për vete
Qejfe bëjnë si mëhalla
Me këngë e me bejte
19. Maj 2005, Breckerfeld- Gj.
Acari
Kur vetmia të rrethon
Robëria të behët kurorë
Kur në log thahet rrapi
Atdheu mbulohet me borë
Kur një vend e mban xhelati
Krijuesit akulli i mbulon
Atëherë Bota kthehet mbrapa
Truri i kombit nuk punon