|
| Hajk | |
| | Autori | Mesazh |
---|
Lumo Kolleshi Fillestar/e
Numri i postimeve : 20 Age : 63 Vendi : Mertinj, Permet, Albania Profesioni/Hobi : mesues, shkrimtar Registration date : 12/07/2008
| Titulli: Hajk Sat Jul 12, 2008 10:59 am | |
| POEZI PËR PËRKTHIM
nga LUMO KOLLESHI
HAJKU
Po qajnë pjergullat...
Sillmëni një gotë
T’i mbledh këta lotë.
…
Dikush më pëshpëriti:
“Vdiq bleta”.
Renda dhe varrin askund s’ia gjeta.
…
Orë e vjetër,
Akrepat duan të hanë njëri-tjetrin,
Koha mbetur në sytë e të verbrit.
...
Nepërkëzat e flokëve të artë
Mbi shullërin e sisëve pushonin.
Buzët e mia,për vdekje,le t’i kafshonin.
...
Flokëtore moderne...
Kokë të vjetra pak më tutje
Shtyhen pa radhë për paruke.
...
Plasi dhe tullumbacja e fundit...
Shfletova sytë nëpër fytyra:
Sa pak jetë për gjërat e fryra.
...
Shegët e çara
Në semaforët e degëve mbeten,
Shira të ftohtë mbi to treten e treten.
...
Thëllëzat i plasën gurët e malit,
Mbytshëm bien në greminë.
Kush ma bëri gjumin rrukullimë?
...
Një natë fjeta tok me gjarprin.
Kisha tmerrësisht ftohtë,
Në mëngjes do të isha një Laokont
…
Ej,djalë,kujdes,
Nga plagët
Dhe pema vdes.
...
Lulet zgjedh
Nga lindja në perëndim.
Bletë shpirti im.
...
Kaba
Që ngre qemere ylberi.
Një gotë pi në qoshk usta Laveri.
...
Ca mollë s’i kapa dot,
M’i rrëzoi pa kuptuar vjeshta.
Në bronxin e kujtimeve ngiru Eva.
…
Shtëpi merimange,
Miza për urim zyrtar.
Shtëpi apo varr?
…
I kripur deti,
Lotë valë pas vale.
Shpirtrat e Otrantos kthyer në korale!
...
Ngarkuar me yje
Iu thye dega hurmës.
Sokakut i plagosen gurët.
…
Pranverë në fshatin e braktisur,
Shtëpitë skelete pa shpirtra.
Nga hidhërimi gjëmbojnë vetëm hithra.
...
Për besë,qenka djalëruar gruri,
Lulëkuqet i gudulisin mustaqet.
Kaq të puthura brenda një nate?
…
Po u vlon gjaku luleshtrydheve
Fshehur nëpër gjethe tek një brinjë.
Ende s’po e shpallkan dashurinë?
...
Asnjë lejë ndërtimi në zyrat e pranverës.
Dallëndyshet
Presin shiritat e shtëpive të palegalizuara.
…
Në koshin e plehrave
M’i hodhën këpucët e vjetra.
Mbetën pa kujtime rrugët e pashkelura.
...
Fëmijërisht ndjek nëpër natë xixëllonjat,
Ato luajnë kukamçefthi me sytë e mi të pafaj;
Drita mes errësirës më bën rrob të saj.
…
Një qen më vjen shpesh nga mbrapa,
Mendimet e brishta sakaq m’i gjakos.
Ngre shkopin e zemra i lutet dorës:“Mos!“
...
Dallëndyshe e përplasur në tel,
Para folesë së ballkonit,
Vajza , me një pasthirrmë, thërret lotin.
…
Nata e përgjakur
Lind ditën e qeshur,
Yjet foshnja dielli i çon për të fjetur.
...
Shelgu zgjat gishtat e gjelbër
Mbi gjeratoren e lumit plot valë.
Ç’kërkon aty një pulëbardhë?
...
Lulet e xanës
Kodrat i veshën me xhelozi,
Shtëngomë e dashur, më shumë tani
...
Saçmat e rrushit,
Po rriten dalngadalë,
Më prisni një dëshmor dollish.
…
Një zjarr në mal,
Barinjtë thekin ëndrrat
Për urinë e yjeve.
...
Në urën e vjetër
Fiku po pikon qumësht,
Artat dhe Rozafat s’kanë vdekur.
...
Nata i shtroi krevatët për gjumë,
Në studion time
Fluturat vijnë të vdesin në dritë.
…
U zverdhën ftonjtë,
Kërkoj dorën e nënës
Në tavanin e krisur.
...
Një lypës në rrugë
Më thirri “Zotni”.
Veç shpirtin kisha në xhepat e mi.
...
Ju, të ikurat e mia,
Të pakthyeshmet gjer në varr,
Zemrës, pse m´i vini zjarr?
…
E mblodha lotin
Nën strehët e vjeshtave të mia,
Kupa e dhimbjes m´i gjerb sytë.
...
Krejt pa dashur
Një degëz i theva qershisë,
Në mijëra rruzuj u mpiks gjaku i saj.
Një grerëz
Zukat mbi dyllin e rrushit,
Prapë se prapë në helm e ngjyen thumbin.
…
Sos! Po mbytet hëna,
Yjet e djegur
Litarë meteorësh lëshojnë mbi det.
...
Zukat një bletë
Në flokët e saj të shpleksur,
Lulja e syve të mi.
..
Në kupën e gurrës
Vuri buzët etja,
I thyen shtambat bukuroshet.
…
Bilbili, cigari dhe unë
Të tre po digjemi keq këtë natë.
Ç’pati vallë ylli që përfundoi në flakë?
…
Erërat fryjnë nga të katër anët,
Kërkojnë rrëzimin tim,
Mbahem tek një fije bari.
...
Në një degë ulliri
Paqja varr shpesh këmishën e përgjakur,
Sa fidanë të rinj mbeten pa plakur. | |
| | | Lumo Kolleshi Fillestar/e
Numri i postimeve : 20 Age : 63 Vendi : Mertinj, Permet, Albania Profesioni/Hobi : mesues, shkrimtar Registration date : 12/07/2008
| Titulli: Re: Hajk Sat Jul 12, 2008 11:00 am | |
| POEZI
PABESIA
Ajo krahun më ka shkuar shpesh,
Klubesh më ka dhënë dhe raki,
Buzët i ka shpënë vesh më vesh,
Ndryshe s’do të quhej pabesi.
Fjalën e ka zgjedhur ballë për ballë
E ka larë gati me flori,
Krahët sa ka kthyer pak mënjanë,
Gjarpër është bërë përsëri.
Në syrin tim, gëzimin ma bën mal,
Për hidhërimin, lotin derdh fitil,
Pas shpine, rrugën bën moçal
E tinëz më ndjek si krokodil.
Guri i Sizifit s’ish aq i rëndë,
Pabesia veç një mal me gurë,
Thikën e mban fshehur nën mëngë
Dhe pa helm nuk di të luajë kurrë.
KJO BOTË
I shkrehu armët lufta e ftohtë,
U zgjuan pacifistët me brohori.
Prapë se prapë në ethe në ethe kjo botë,
Varrezat kanë sërish uri.
Terrorizmi nuk mund të shpikej më vonë…
Çdo shekull lind absurdin e tij.
KUR TI MUNGON
Më kërkon aty ku s’ndodhem,
Mosardhjen tënde rri e pres.
Veç malet s’dinë të takohen,
Gryka dhe hone ndajnë në mes.
Më vjen çudi me zemrën time,
Si nuk pushoka në vetmi,
Një lule çel përmbi thëllime,
Ylberi portën hap në shi.
N’eklips të diellit kërkoj dritë
E sytë s’di se ku t’i mbaj,
Ti hyn papritur e mëritë
Treten si vesa nëpër maj.
Me farë yjesh ma mbjell qiellin,
Nuk ka kuptim më boshësia
Sytë kërkimtarë do shpiknin diellin
Dhe të mungonte gjithësia.
NDËRHY, O ZOT
O Zot,ç’po ndodh në vendin tim!
Ki pak mëshirë për këtë dhe.
Sa vuajtje hoqi në mjerim
E kokën prapë nuk po e ngre.
Si një shenjt ta pritëm Papën,
Ringjallje ndjemë në shpirtin tonë;
Po prapë e prapë ndëshkime patëm,
Ndërhy, o Zot, sa s’është vonë.
Sa pa ardhur në pushtet,
Të gjithë fytyrën tënde marrin,
Në fron i sheh si djalli vet
E këtij vendi i vënë zjarrin.
NË KËRKIM TË SYRIT
Më trembi e mira gjyshe një ditë
(Syzet diku i pati harruar)
Njëri sy i lundronte në dritë,
Tjetri veç një gropëz e shformuar.
I lashë në harresë lodrat lozonjare,
U ngjita në tavanet e shtëpisë,
Renda në bodrumet errëtare,
Zog u bëra e hipa në çdo lis.
U ngrita atë natë dhe në gjumë,
Vura shkallë te strehë e dallëndyshes,
Si bir i përrallës renda unë
Të gjeja syrin e humbur të gjyshes.
Me thëllimin përqafuar
I kuqi buzët e ty s’ të puthi,
Rimel u shkoi syve e ty s’të pa,
Flokët i krehu e ty s’të zbuti,
Mermer a gips për ty veç tha.
Pastaj…kushedi se ç’ëndërr
Ndjenjat ia mbledh porsi qershi,
Në dasmën tënde ti nuk je dhëndër,
Veç një klient për një taksi.
Muzika notat i rreh në tym,
Një tjetër fshihet përbrenda teje,
Si një rrufe që zjarrshëm hyn
Përmes çemberit të një reje.
Oh,botë e shpleksur e gënjeshtare,
Me qumësht fiku ushqen besimin,
Lermë të hap derë e dritare,
Të përqafohem veç me thëllimin.
Në trollin tim, në trollin tënd
Në trollin tim, në trollin tënd,
Punojnë leshin, del tel me gjemb.
Në trollin tim, në trollin tënd,
Një prag i thyer një portë e shëmb.
Në trollin tim, në trollin tënd,
Dritë të premtojnë, qiriu të tremb.
Në trollin tim, në trollin tënd,
Të çmend dhëmballa, të shkulin dhëmb.
Në trollin tim, në trollin tënd,
Për nderin kurvat të japin mend.
Në trollin tim, në trollin tënd,
Në gur i luajtur trondit një shkëmb.
Jam atje…
Shkëmbej e-mail veç me qiellin,
Kodin me të s’ma di kurrkush.
Kush ma cënon hisen e diellit,
Rrufetë ia farkëtoj në prush.
S’kam pasur frikë nga pelivanët,
Nga shushunjat ca më pak,
Paqe s’kam kurrë me pushtetarët,
Që ma çojnë vendin në batak.
Unë jam atje ku vetëm shpirti
I pastër shkon e pa mëkat.
Gjyqi biblik, dhe po arriti,
Një Beatriçe dorën më zgjat.
Mëritë e dashurisë
Një fjalë ti, një tjetër unë,
Në dhomë heshtje pas kësaj.
Për hiçmosgjë duket u zumë,
Të dy kishim e s’kishim faj
Ti u bëre re e sertë
Në një qiell më tej se gri
Edhe unë u bëra vjeshtë,
Por jo dimër, kurrsesi.
Pas pak e trembur u fik drita
Kur na shikonte ashtu të zënë,
Vjedhur në terr çarçafin ngrita,
Asgjë pa prekur, asgjë pa thënë.
Dhe ishim pranë, oh, sa pranë,
Det edhe breg, valë dhe shkëmb;
Inatet si statujat ranë,
Paqja e shtrenjtë prapë u përkëmb.
U dashkan zënkat ndonjëhere,
Ku s’hyn gjykatsi, drejtësia.
Mëritë e krevatit ndoshta vlejnë,
Aq sa vlen në jetë dhe dashuria.
Lisi i Mërtinjit
Vdiq dhe lisi i moçëm i Mërtinjit,
E qanë zogjtë në kujën më të vjetër,
Ata që fije bari sillnin pas kthimit
E ngrinin nëpër degë një qytezë të gjelbër.
Vdiq dhe lisi i moçëm i Mërtinjit,
Ai që nuk provoi sëpatën për së gjalli,
Ai që mbante fshehur frikën e ndëshkimit
Dhe në shekuj rrufeve u shuante zjarrin.
Vdiq dhe lisi i moçëm i Mërtinjit,
Ai që fëmijërinë ma bëri si një ketër,
Ai që ma kërruste nënën gjithë dimrit
Për të fshirë avllinë e gurtë nga fletët.
Vdiq dhe lisi i moçëm i Mërtinjit,
Mburrja ime e largët iku tok me të.
S’është turp t’ju them, prej pikëllimit,
Për një lis derdh lotë e qaj pa zë. | |
| | | Lumo Kolleshi Fillestar/e
Numri i postimeve : 20 Age : 63 Vendi : Mertinj, Permet, Albania Profesioni/Hobi : mesues, shkrimtar Registration date : 12/07/2008
| Titulli: Re: Hajk Sat Jul 12, 2008 11:02 am | |
| Lumo Kolleshi
Nuk të dua asnjë mirësi
O mbledhës fjalësh të ndryshkura
Nëpër këneta shpirtrash,
I mbushe vitrinat e veshëve të dylltë,
Tani ç’pret? Hiqu prej meje,
Nuk të dua asnjë mirësi,
Vazhdo ta ngresh statujën e mjerimit
Mbi piedestale thashethemesh.
Aty veç qentë do të vijnë vizitorë
Me copra kockash nga kazani më i afërt i plehrave.
Shpirti im
Shpirti im, më shiko drejt në sy,
Asnjëherë mos e kërko parajsën,
Edhe sikur Beatriçja të përgjërohet për ty.
Nuk dua të bëhesh një yll i djegur natën,
Të ndezësh në qiell një meteor,
Prano të gjesh pak vend në purgator.
Bosh
Koka bosh mbi supet e popullit lëkunden,
Koka bosh me një gjuhë gjarpërishte
Koka bosh që pushtojnë podiumet
Koka bosh që flokët na i kthejnë në barishte.
Fjalët pleqërishte
Kur ëndrrat të mos kenë asnjë shtrat,
Kur të kenë ngrirë burimet e kujtesës,
Ndonjë fantazmë e një rime a një varg,
Do ta prishë çatinë e vjetër të harresës.
Kur pranverat të na jenë bërë dimër,
Kur të mos çelë sythe dashuria,
Kur gjunjët të na djegin porsi hithër,
Ankesat do t’i mbys me duart e mia.
Dhe e di që duart do të më dridhen
Si degëzat e plepit në thëllim,
Ca shkëndija brenda tyre do të ndizen,
Do të habitesh nga del ky prrushërim.
Atëhere të gjitha do të m’i falësh,
Xhelozinë do ta ketë mbuluar hiri,
Në sepete do të m’i mbledhësh fjalët,
Për nipat do t’i mbash gjerdanë floriri.
Nga bregu i fjalës
Nuk është aspak çudi që të më flakni,
Të sillni një hibrid në vendin tim,
Nuk është aspak çudi të më përbaltni,
Kodoshët sot nderohen me çdo çmim.
Sinqerisht ju flas nga bregu i fjalës:
Shpirtin poetik s’ma prekni dot,
S’m’i rrmëbeni dot orët e natës
Kur qielli im me yje mbushet plot.
Udhëtim mbi dëborë
Gjurmë të përkohshme,
Ëndrra të një nate pa zgjim,
Dhe pse thellë kërkojnë të futen,
I zhvatin shirat.
Kalëroj me kuaj dëshirash
Në kërkim të një bore të përjetshme
Për të lënë ca gjurmë të rralla,
Të gjitha më kthehen në lot. | |
| | | Lumo Kolleshi Fillestar/e
Numri i postimeve : 20 Age : 63 Vendi : Mertinj, Permet, Albania Profesioni/Hobi : mesues, shkrimtar Registration date : 12/07/2008
| Titulli: Poezi Sat Jul 12, 2008 11:07 am | |
| Pushteti i fjalës
Poetët nuk tremben në luftën e vet,
Shkëmbinjtë e ngrysur nga rrufeja.
Sapo fitojnë një pushtet,
Shpallin menjëherë zgjedhjet e reja.
.
Naimi në doganë
Sa hedh këmbën në doganë,
Se ç’më dhemb e se ç’më tremb;
Tjetër tokë lë matanë,
Zhur që djeg në vendin tënd.
Mendja rend të kapë malet,
Ngjitet bredhi dhe një kat,
Ëngjëlli zë e më shfaqet,
Bëj të hesht e flas përçart.
Jo,nuk jam aspak në gjumë,
Sonambul që natën marr,
Veç një doganier njoh unë
E duart për të i fut në zjarr.
Veç ai e askush tjetër
Me ar shpirtin kishte larë,
Në doganën aq të vjetër
Fuste shqipen kontrabandë.
Eh, dy dete ballë për ballë,
Një me valë e një me vargje.
Bilbili me zë të rrallë
Errësirën e shpërndante
Në shkretinë perandorake
I mblidhte eshtrat Skënderbeut,
Nëpër gjinj qirinjtë mbante
T´i sillte pak dritë atdheut
Me mall të valë atje larg,
Nosit që çante mushkërinë,
Zemrën treste pak nga pak
Qiriri i madh për Shqipërinë.
Frashër
Për ne vendlindjen e tyre nisen fjalët,
Fjalët e gjuhës që u bënë dritë.
Shpirti shkon atje të lartojë shkallët,
Të takohet veç një çast me perënditë.
Një kupë qiell për haxhillëkun e ri,
Frashëri i priste poetët në maj.
Çdo gur të flet shqip te frashëllitja shtëpi,
Këtu Shqipëria shpall Mekën e saj.
Por poetët nuk venë dot në Frashër,
Një lule t´i çojnë për ditëlindje Naimit,
Në qiellin e shtatë i sheh qeveritarët-
Antipoezia e fundit e mashtrimit.
Poetët nuk marrin dot një makinë,
Astarët të grisur i kanë nëpër xhepa
Manushaqet ende kokulura rrinë,
Jetimë në Kokojkë mbeten bredhat.
Për të bërë pak dritë dyllojnë poetët,
Për dritën që ndezi i madhi Naim,
Në hipotekë atij vila e prona s´i mbetën,
Po vargu naimian dhe sot në ballë na prin.
Pak larg
Më more puthjen, më ajkose,
Me tis të fjalës më pudrose,
Me bisht të syrit më plagose,
Më sëkëlldise, më trullose,
Në shtatë detra më gropose,
Më bëre valë e ku s’më sose,
Nëpër shkëmbinj më sakatose.
Pasaj për ty u bëra lot,
Më kërkon e s’më kapdot,
I ngjitem resë e zbres në tokë,
Ti rri e ndjek erën më kot,
Hëna mbushet plot për plot,
Një ditë të duket sa një mot
| |
| | | Lumo Kolleshi Fillestar/e
Numri i postimeve : 20 Age : 63 Vendi : Mertinj, Permet, Albania Profesioni/Hobi : mesues, shkrimtar Registration date : 12/07/2008
| Titulli: Re: Hajk Sat Jul 12, 2008 11:07 am | |
| Fjala
E hodhën në trastë grindavecët,
Në shekuj e bënë përshesh,
Statuja mbetën pa të shurdhmemecët,
Spiunët e çuan vesh më vesh.
E gënjyen rrobinën politikanët,
Ndër semaforë e nxorën për kurvëri,
E vodhën në gjumë dështakët,
Gatuan …veç gjellë nuk qe kurrsesi.
E rrëmbyen netëve kriminelët
Dhe hapën me të vetëm varre,
Në shpirt e futën poetët
E ndriti në mijëra llampadare.
Kohë mashtruese
Sythe të buisura nën një diell të gënjeshtërt
Dhe pemët,
Me prokurë të rregullt,
I stolisën me lule degët.
Pritej zgjimi i bletëve
T’i mbushnin kosheret me nektar.
Sakaq një borë e papritur,
Ngricë,
Acar.
Trembthi një zog
Cipëzën e akullit gdhend në dritare…
Pranverë piramidale?
Në tregun e valutës
Tregu i valutës valë-valë,
Në tregun e valutës edhe unë.
Nën sqetull çantë e rrjepur, bojëdalë…
Ç´patën dy kambistët që u zunë?
Rrethuar prej fytyrash turlilloj,
Kush e kush të më rrëmbejë i pari,
Në tufat e parave ngulur thonjtë
Si kthetra mbi blerimin e dollarit.
Dikush thërret në mes turmës,
Nuk shqitet. O durim prej guri!
Një e qeshur lot përsipër buzës,
Po ec t´i mbushje mendjen atij burri.
Pa më jep dhe kursin më të lartë,
As faj e as besim nuk kish i shkreti,
Dhimbshëm më në fund e hap çantën…
Veç librave, ç’mund të këmbejë poeti?
Tregu i valutës valë-valë,
Në tregun e valutës edhe unë.
Buzët shqiptojnë çalthi disa fjalë:
Ç´dreq në këtë treg këmbët më shpunë?
Sikur
Po më pyetët prapë për fëmijërinë,
Ç´do të bëja po të kthehej dhe një herë,
Prapë do të ndiqja shqerrat në lëndinë,
Prapë do të bëhesha ketër nëpër pemë.
Mbrëmjesh do të rrija rojë e qiellit,
Cili yll do digjej atë natë,
Dimrit do të thyeja akull mes liqenit
E grackat do t´i ngrija pak më larg.
Sërish do ta ndiqja gjurmë pas gjurme
Vajzën që më trazoi keqas atë moshë,
Kurorën do ta lidhja prapë me ato lule
E çapraz do flisja nëpër shokë.
Prapë do të nisja në fletore
Të hidhja metaforat aq të brishta,
Qemerin e ylberit ndër bregore
Do ta lidhja fort nëpër rrapishta
Po më pyetët prapë për fëmijërinë,
Ç´do të bëja, po të kthehej dhe një herë,
Ëndrrave do t’u bekoja prapë arratinë,
Netët do t’i lija pa gjumë si përherë
Qirinjtë
Në pusin e zi të këtyre netëve,
Ku më zhytin me kovë të palidhur,
Si shpersë më vjen zëri i poetëve
E zjarrin i vë pëlhurës së shpifur.
Diku në një qoshe Naimi i hequr
Më ndez një qiri për të parë,
Migjeni mbyt kollën e tij të mekur:
„Pak dritë!“ e nata bëhet e bardhë.
Qirinjtë presin radhën për t’u shkrirë,
Këta ushtarë që luftojnë errësirën.
Plagët ua lidh sakaq me një rimë,
Në flakën e fundit më lënë lamtumirën.
I lodhur, me sytë raskapitur,
Vetvetes i kthehem si një bishë:
„Në meshën e së dielës nuk ke për të zbritur,
Shtëpinë tani e ke kthyer në kishë!“
Aty prapë rilind e më thotë Migjeni,
Të bëhem revoltë për dritë,
Poetët nuk kanë kurrë paqe me terrin,
Terrin veç ujqit e lutin përditë.
Tepër herët
Ti po shikon çuditërisht thinja në flokët e tu,
Është tepër herët për të besuar në pleqëri,
Në mos po do ta thyej me grusht pasqyrën e vjetër
E me pikat e gjakut
Që do të kullojnë nga gishtat e mi,
Buzët e tua
Në degët e majit do t’i var si qershi.
Amnistia e syve
Për të gjitha që gjumin ma bënë ëndërr
Në atë stinë që s´më kthehet asnjëherë,
Vetëm trëndafila
Mbjell në lulishten e kujtimeve.
Veç një natë,
Kur të shikoj ëndrrën e fundit,
Do të shpall amnistinë e syve që s´u ngopën kurrë.
Po plaken ditët e mia
Po plaken ditët e mia,
Bastunet i thyejnë prapë në lulishte,
Ku qerpikët më qëllojnë me shigjeta
Zemra për inat më fort i bie borisë.
Nëse një ditë do të më gjeni të ndarë nga jeta,
Shpallmëni dëshmor të bukurisë.
Në Mottola
Sot jam mik i këtij qyteti
Pritja e gjitha më flet bujarisht,
Gjuhët, në kosh le t’i hedhë planeti,
Të gjitha portat më hapen lirisht.
Ngjitem në këtë qytët kodër
Për të parë se deti është kaq pranë,
Për të paqrë së qielli
Kthehet çuditërisht në pulëbardhë.
Në këto shpella dikur, dikur
Ka gëluar një jetë.
Bëj të flas me vet lashtësinë.
Sipër rrënojave rend fëmijërisht
Të gjej plagën e Pirros,
Si një epirotas, t’i vete në ndihmë.
Taranto
Pëllumba dhe puthje të dashurish
Guguftojnë pranë detit të paanë.
Urdhër u dhashë rrezeve të diellit,
Të të marrin e të të sjellin këtu
Të puthemi dhe ne
E pastaj le të bëhemi shkumë mbi valë.
Natë mbi Otranto
Lart,
Natë e zezë,
Poshtë,
Deti, akoma më zi.
Lëkundet trageti mbi shtjellë,
Diku larg,
Një far i vetmuar, sa një qiri.
Mendimet e mia shkumëzojnë tok me dallgët,
Hedhin spirancën vetëm aty,
Ku dhjetë vjetë më parë,
Shpirti i atyre që kërkonin liri,
Lëshonte sinjalin “Sos”.
Nuk di pse ngjethem,
Nuk di .
Veç një zë nimfe:
“Mos!“
Këlthet në veshët e mi.
Ndez një cigar me mundim në kuvertë
Ta djeg këtë natë.
Era ende kujëron këtu.
Shkruar në tragetin Vlorë-Brindisi, ora 03, datë 02.12.2007 | |
| | | Lumo Kolleshi Fillestar/e
Numri i postimeve : 20 Age : 63 Vendi : Mertinj, Permet, Albania Profesioni/Hobi : mesues, shkrimtar Registration date : 12/07/2008
| Titulli: Tregim Sat Jul 12, 2008 11:10 am | |
| Don Kishot... vetëm Mança? (tregim) nga Lumo Kolleshi
Si? Don Kishot kishte vetëm Mança? Jo, mik i dashur, jo. Që ta kemi një dorë në revani dhe tjetrën në bakllava, më shkoqur akoma, Hirësia e tij, Servantesi, se kështu na vjen më mirë ta quajmë atë penë të ndritur të Spanjës, e pikturoi me ngjyrat më të denja hidalgon, kalorësin e fytyrës së vrerosur. Ti prapë ngul këmbë në tënden, siç ngulte këmbë Rosinanti i gjorë përpara mullinjve me erë dhe më thua se ai ishte një e nuk bëhet më i dytë, se, edhe shqytar si Sanço Pança, nuk ke për të gjetur nëpër botë , sikur ta bredhësh globin me qiririn e Diogjenit. Ja, pra, pikërisht në këtë pikë le të mbahemi fort, ta kapim demin për brirësh , siç thotë një shprehje e mençur këtej nga anët tona, ku ha pula gurë. Sojliu për të cilin po flasim, pas vdekjes së të zotit, që e gatoi jo për shtatë ditë, me aq mrekulli, jeton e kalëron nëpër kohëra e nëpër vende të ndryshme, veçse tanimë ka ndërruar petkat e takëmet e kalorësisë. Në vend të kalit, ti mund ta shikosh të kapardisur mbi timonin e markës më të fundit. Absurde do të bërtasësh ? Pse pak absurditete po i gëlltit nga mëngjesi në mbrëmje në këtë tokë të përcëlluar? Hë, po, se më shkëpute rrjedhën. Në vend të shpatave dhe topuzave, ai të mban një vulë që i pjell përditë shuma të majme nga tenderat, sa ti nuk ke mundësi të bësh as llogarinë e tyre, se, për këtë të fundit, ai nuk e di as vet sa ka e ku i ka strukur nëpër banka. Ende nuk po të mbushet kupa? Po qe se të ka mbetur një fije durimi, vetëm do të desha të mos ma ndërprisje fillin e ligjërimit.
...
Me gjithë të luturat e gruas dhe të fëmijeve,ai e vendosi që e vendosi,madje nuk kishte fuqi në tokë dhe në qiell që ta kthente nga vendimi i marrë: o do të bëhej deputet, o do t’i binte këmbës,por fillimisht kërkoi të bënte budallain As më shumë,as më pak.Sigurisht,një ndërmarrje e tillë nuk ishte diçka e lehtë dhe,veç asaj që kishte bluajtur në kokë,asnjë masë paraprake nuk kishte marrë. Kjo po e vinte në një pozitë qesharake:edhe drejtor, me makine, vulë e konforte te markës së fundit, edhe budalla nga ana tjetër.S’kishte si të shkonte .Përgatiti me kompjuter një lajmërim dhe ia dha shefit të kualifikimit, si më të besuarit, ta vendoste në derë: ”Ndodhem me shërbim”.Sakaq mori çelsat,u sigurua që dera tashmë ishte e mbyllur dhe u fut në makinë.Për një çast iu duk më me vend që edhe makinën ta mbyllte në garazh Sërish u gjend në një pozitë jo dhe aq të rehatshme.Të kthehej nga rruga?Po ku dreqin do të përfundonte gjithë ajo burrëri?Aq më tepër që ia çmonte vetes cilësinë e mbajtjes së fjalës dhe këtë e lidhte shpesh me nderet që kishte bërë me vulën e shtetit.
Si çdo fillim me vështirësitë e veta,aq më tepër nuk do të ishte një rol i zakonshëm dhe për në skenë,provoi të hidhte hapin e parë në tapetin e asaj aventure.Ndaloi para një tezge rrobash në tregun e shumicës dhe ia vuri syrin një kostumi larash në të cilin sundonte ngjyra jeshile.Do ta kishin zili edhe ushtarët e Natos.U vesh gabelërisht,pa praninë e askujt në shtëpinë e vet dhe,nga gjithçka,mori me vete celularin e një shuk me para.U dha në rrugë.Pikërisht këtu e kaloi pengesën e parë dhe hyri menjëherë në rolin e ri:
-Ej,drejtor,do të shkosh me shërbim në Irak?-u dëgjua nga mbrapa zëri i Klios,budallait të vërtetë e me kartelë i qytetit periferik.
-Drejtor i sat ëme e i tyt eti.Jam ministri i mbrojtjes së forcave të armatosura,- ia ktheu Klios pa kurrfarë përtese.
-Ua,ua!Ç’na thënka!Unë i di përmendësh të gjithë ministrat e mbrojtjes në botë.Do t’ia filloj nga Bushi apo Nexhati i Iranit? Pse budalla më di mua? Një idiot si ti do të vërë shteti në krye të mbrojtjes?
Fjalët e fundit sikur e rënduan pak si tepër dhe u mat të vinte në punë grushtat,t’ia bënte turinjtë përshesh,po prapë e mbajti veten dhe u tërhoq si humbës i betejës së parë, aq më shumë që i ishte futur një aventure të tillë.
Aty për aty i erdhi si një rrëke e trazuar një mendje e keqe për t’u tërhequr nga aventura e saponisur, po burrëria e tërhoqi për hundësh.
-O drejtor,-e mori sërish fjalën Klioja.
-Ndreqe gojën,o zuzar!Të thashë njëherë,jam minister i mbrojtjes.
-Më qafsh,-u fut me një të përqafuar në bisedë,-po të jesh ti ministër i mbrojtjes,unë vlej për kryeministër.Meqë jemi këtu,a formojmë dhe ne qeverinë tone?Ti mbaj atë ministri që ke zgjedhur,unë kryeministër.Të brendshëm vëmë Doken.
-Cilin Doke?-
-Shi,shi ç’budalla dhe do të jetë ministër,kur nuk njeh Doken.!Po Dokja është njëshi i qytetit,ai që nuk lë xham pa thyer.Ja, u bëmë tre?
-Po aq u bënë,-u përgjigj sikur të ishte vërtet në pushtetin e tij.
-Mirë,ty do të bëj dhe zëvendsin tim,se nuk do të kemi një tren me ministra e me zëvendësministra si këta.Do,s’do,kjo u vendos.Të jashtëm,të jashtëm…-po kruante kokën sikur të ishte gdhirë në plehun e dhive,-e gjeta dhe këtë,Melon.Nuk e luan topi.Apo ç’ka një mendje.Dhe sot ta pyesësh,t’i thotë të gjithë emrat e sekretarëve të byrosë dhe kryetarët e kooperativave të rrethit.
-Jo,nuk jam dakord për këtë,ai ka shkuar në kryeqytet.
-Ore,qenke trokë fare,po qeveritë çdo vend i botës në kryeqytet i ka.Edhe ne atje do të vemë të gjithë.Pse ne nuk do të kemi tendera? Një copë drejtor i rrugëve dhe ka bërë dy vila atje,pa le e le,na është bërë dhe president klubi.Mos ke ndërtuar edhe ti vile në kryeqytet?
-A,mbaj gojën për mua.Jam burrë i ndershëm unë.
-E ,se shaka bëra.Ç’ministër na ka mbetur pa vendosur?
-I financave,i arsimit dhe i kulturës.
-Të financave do ta lëmë më vete,ndërsa të arsimit dhe të kulutrës le t’i bëjë një.Për financat do çojmë Lutin.E kam shok të vjetër,ai që zë qoshen e tregut të madh dhe i mban të dyja këmbët të mbledhura dhe lyp tërë ditën e ditës.Ai ia di kimetin lekut.Për kulutrën dhe arsimin do të vëmë Gigon.Ai defit nëpër dasma i bie për shtatë pale qejfe.Boll,e lëmë me kaq,se vendi i vogël jemi ne. Tani nëm një cigare, se bëmë punën më të madhe.
Sa shpejt e pa kurrfarë debati,pa qejfmbetje dhe,ajo që është më e rëndësishmja,pa nevojën e miratimit në parlament, e pa dekret, e formuan qeverinë,ashtu në rrugë e sipër,thjesht në këmbë.Nuk ishte gjë e paktë dhe u takonte pa tjetër ta festonin qoftë dhe me një gotë raki.Kështu bënë.U futën duke tërhequr për krahu njëri-tjetrin në klubin e elitës.Sa hodhën këmbën brenda,të gjitha tavolinat, si të ishin të gjitha prej letre dhe klientët aty të ishin veç gjethe vjeshte,me një lëvizje të rrufeshme,u kthyen nga dyshja e çuditshme.Ca qeshnin,ca ulnin sytë përdhe,mirëpo kjo lloj pritjeje nuk i pëlqeu fare kryeministrit dhe,me një zë basi,thirri:
-Badiguardë,m’i nxirrni përjashta këto qelbësira!Të hyjë kryeministri dhe këtu asnjë nga këta spurdhjakë,të mos luajë nga vendi.
Megjithatë ndërhyrja e ministrit të mbrojtjes ishte tepër qetësuese.
Në tavolinën me kolltukë ishin duke pirë redbull kryetari i bashkisë dhe prefekti. I treti qe dora vet prifti Aleks, i cili kohët e fundit kishte marrë edhe ai një gradë të rëndësishme në hierarkinë kishtare. Ata, të tavolinës kryesore, gati i shqyen sytë , tek e panë drejtor Gjikën jo vetëm të shoqëruar me Klion,por të veshur në atë mënyrë qesharake.Madje kjo e fundit ishte kriza më e thellë për sytë e shefave të mëdhenj të qytetit.Gjendja për ta u bë aq e padurueshme dhe ishte hera e pare që kolltuku ishte kthyer i tëri në prush e mezi po i mbante.Prefekti i bëri një shenjë me sy Gjikës për t’u larguar urgjentisht prej atij lokali,por ai,si për inat të tij,u ul në tavolinën më të afërt,nga ku dëgjonte copra-copra bisedën inkadeshente të dyshes së pushtetit,ndërsa sytë i mbante nga Klioja.
-Gjika ose është bërë thumb e nuk është në këtë botë,ose ka luajtur mendsh vërtet,-foli i pari prefekti.
-Po pse bie në mëkat, o dele e perëndisë,- kaq tha prift Aleksi dhe bëri shpejt e shpejt një kryq.
-Na diskreditoi shtetin dhe figurën e drejtuesit,-shtoi me një zë të mekur kryetari i bashkisë.
-Për cilin shtet e ka fjalën ky,për tonin apo për atë paçavuren e tyre , që s’di të lajë as enët,-u kollit Klioja,si për t’i treguar se ligjin aty do ta bënin veç ai me Gjikën.
-Eja të dalim sa më parë që këtej,-urdhëroi prefekti dhe,me një gjest të shpejtë,i rrëzoi flokët e gjatë mbi sy.-Po të qëndrojmë ende këtu,do të na rrëzohet tavani mbi kokë dhe hajde lexo gazetat nesër.
-Duhet të ngrihemi patjetër,-përforcoi idenë e prefektit kryetari i bashkisë.
I bëri shenjë kamarieres,e cila u bind si një kone dhe shkoi në tavolinën e tyre me një buzëqeshje të spërdredhur.Pagoi kyetari dhe u zhdukën nën tymin që mbështillte si mjegull supet e klientëve të përheshëm të elitës.
Me ikjen e tyre, dyshja e çuditshme e ndjente veten më rehat,por kamarierja nuk po merrte guximin për t’u shërbyer.Kjo e acaroi së tepërmi Klion dhe u mat të vinte vetë te banaku dhe ta rrëmbente për flokësh,por ndërroi mendje..Kaq gjë e dinte:të mëdhenjve u vihet në dispozicion një shërbim i veçantë.Gjika e ftoi atë me dorë,por ajo bëri sikur nuk pa dhe ktheu kurrizin,sikur të kishte marrë një porosi të veçantë nga dyshja që iku pak më pare.
Njeriu ka gjuhën shpatë,i erdhi papritur ky mendim i beftë dhe e thirri në emër.Prapë ajo i bëri veshët të dylltë
-Moj zuskë,eja të marrësh porosinë
Banakieri,që po ndjente diçka të nëndheshme ato çaste,i lëshoi dy gota me raki në tabaka dhe i bëri shenjë për t’i çuar në tavolinën e tyre.Sakaq e porositi të mos këmbente fjalë me ta.Tek po lëshonte gotën para Gjikës,e vështroi me një keqardhje,ndërsa Klioja e zbrazi kupën e mbushur të inatit:
-Moj,ç’të duket vetja ty? E di që këtu ka ardhur kryetari i qeverisë me ministrin e mbrojtjes?
Ajo ia dha gazit e gati i ra tabkaja nga dora. Donte vetëm të qeshte dhe të plotësonte skenën e atij absurdi sipas saj, skenë që s’i kish ndodhur me asnjë klient tjetër, qoftë edhe të dehur.Në klub nisi të ndodhte çudia.Klientët e pranishëm po shpejtonin kafen apo gotat dhe po kruanin rrufeshëm xhepat për të paguar dhe t’i largoheshin atij skandali, siç e quajti nën hundë kryetari i partisë maxhoritare.Ndërkaq të tjerë dyndeshin valë-valë nga sheshi në lokal,për të parë aktin e parë të asaj komedie, siç e vlerësoi kritizeri i përhershëm i | |
| | | Lumo Kolleshi Fillestar/e
Numri i postimeve : 20 Age : 63 Vendi : Mertinj, Permet, Albania Profesioni/Hobi : mesues, shkrimtar Registration date : 12/07/2008
| Titulli: Re: Hajk Sat Jul 12, 2008 11:11 am | |
| qytetit, zoti Mitraq. Një ndër ata që erdhi me një frymë, ishte edhe këshilltari i deputetit, zoti Menhem.Në fytyrën e tij, sikur të kishte rënë një kazan i valuar, po ndodhnin aq ndryshime të menjëhershme, sa binin edhe në syrin e të verbrit. Veç një gjë nuk dihej për të, kishte ardhur nga kureshtja apo apo ishte dërguar me DHL, pikërisht nga dy të mëdhenjtë e qytetit, të cilët kishin ikur në panik nga ai lokal.Edhe ai vet nuk po e merrte vesh, ndonëse deri një ditë më parë, ai lëshohej pas Gjikës si zagari pas erës së lepurit dhe nuk linte vrimë pa e kërkuar, njeri pa pyetur, derisa të ulej për kafe bashkë me të në piacën e qytetit.Madje nuk e shqetësonte aspak një histori e kaluar, e cila ngjante si dy pika ujë me bëmat e tij të kohëve të fundit.
Gjika nuk priti dhe e thirri në emër.Të vinte? Po e ftonte pikërisht ai.Vetëm atë moment e kuptoi se ishte bërë bisht e tij dhe kaq.Po prefekti dhe kryetari i bashkisë? Për çfarë e kishin dërguar?
-Eja, eja!
-Kë po thërret?-e pyeti Klioja
-Menhemin, e kam badiguardin tim.
-Uaa,-bëri çudinë e radhës Klioja,-si nuk na kishte shkuar ndër mend fare për badiguardë? Dale, dale, më erdhi një mendim tjetër,-vijoi,-këta badiguardët vërtet të ruajnë, por edhe të hapin probleme me gazetarët, me...
Sakaq Menhemi kishte zënë vend aty, por nuk e zbërthente fare gojën, ishte bërë për pulat.
-Ke rastin më të madh, sot po ulesh me kryetarin e qeverisë më të re,-filloi Gjika.-Jo, po ta marrë vesh.
-Jo, po ta marrë vesh mirë,-e ndërpreu aty për aty ligjëratën Klioja.
I sapoardhuri ende nuk po merrte kurajë të fliste dhe thellë në trurin e tij po vinte vale-valë biseda me prefektin e kryetarin e bashkisë. Po u jepte të drejtë në skutat më të errta të ndërgjegjjes.Po nuk kishte nga t’ia mbante, e kishte kapur ligsht.
-Ku punon ti?-e pyeti thuajse kot Klioja.
-Jam sekretar i deputetit,-dha një përgjigje të thatë.
Klioja qeshi me të madhe dhe aty për aty e ndryshoi mimikën.
-Pse me këtë parlament do të punojmë ne? Ata janë bërë si estradat e kooperativave, po dhe atyre u marrshin të keqen. E kanë mendjen ta hanë e të ndjanë si qentë. Hë, mo ti, sa ka vjedhur ai deputeti yt?
Menhemi ngriti supet dhe e kuptoi që kishte rënë në grackë
-Po se mos të ka treguar ai ty, sa ka vjedhur...pastaj edhe po ta dish, ti do ta nxjerrësh qelibar.Aa,-u kthye nga Gjika,-ne do t’ua mbledhim mirë rripat.O do të punojnë për popullin, o fshesën…
-Hajde, gëzuar dhe për shëndetin e kryeministrit tonë!-e toku gotën e vet Gjika me Menhemin.
Veç ta shikoje. I zënë ngushtë dhe me djersët që filluan t’i binin rrëke, e ngriti gotën me zor.Me këtë rast Klioja ngrefosej si një gjel dhe shtriqte krahët, sikur t’i tregonte gjithë gjindjes aty se vetëm ai do ta bënte këtë vend. Në këtë çast kamarierja erdhi me një fytyrë krejt tjetër dhe vuri në tavolinë tre gota të tjera.
-I kini nga Periku,-kaq tha ajo dhe shkoi sërish te banaku.
-Êshtë nga drejtori i elektrikut,-i shpjegoi Klios dhe e ngriti gotën në ajër e u përshëndet nga larg me Perikun.-Si thua, do ta mbajmë drejtor?
-Atë? Me ato që kam dëgjuar unë, ai i ka duart gati për byzylykë Ai dhe gjithë ndërmarrja e tij nuk kanë paguar asnjë kacidhe dhe kanë punuar me dy fatura. E, drejtues, që ia kanë me të pabesë shtetit, nuk do të ketë vend në qeverinë time. Ne do të punojmë me duar të lara. Qartë?
-Pardon, zoti kryeministër.
-Pa dale, prit, ta shikojmë pak dhe sjelljen tënde.Hiqi këto fjalët e huaja.Në qeverinë time do të flitet vetëm shqip.I sheh ti ata gangësterët në krye që e kanë bërë gjuhën e nënës si lesh arapi. Dhe e di pse flasin ashtu? Ja, ta them unë që ne, faqezinjtë, që ata ndonjëherë na quajnë popull, të mos marrim vesh se ç’flasin. Sa jemi ne , një xhaketë na mbron të gjithve. Ore, po një grusht mizash ky vendi ynë dhe nuk doli një matkë për t’i mbledhur në koshere! Po kush ta bëjë këtë punë? Faqeshollët? Aq sa pyet haleje nga pordhët, vënë veshin edhe këta se ç’flitet poshtë e përpjetë...
...
Gjika nuk kishte shumë që ishte ndarë me Klion dhe po parakalonte i vetëm në atë pak shesh që i kishte mbetur qytetit nga ndërtimet pa lejë. Sespe i dukej i akullt ai lloj parakalimi, ku deri disa çaste më parë, atë e rrethonin dhe e vinin në mes Cilja apo kau i urovit, siç e kishte marrë këtë nofkë nga bejtexhiu Hasan, Tekoja, ekonomisti që nuk bëri dot një herë ekonominë e shtëpisë së vet dhe Kaçja, gjysmëburri apo gjysmëgruaja, siç e kishte cilësuar Mitraqi, ngaqë vetëm vetullat i mbeteshin prej mashkulli kur dilte në pazar me gjithë atë tualet dhe sidomos me pantallonat e bardha si një cergë merimange, që i vizatonin konturet e brekëve. Sikur e ndjente mungesën e tyre, por edhe ata po i qëndronin larg në ato çaste. Mendoi aty për aty, t’i bënte eksiq dhe të mos i pranonte në shoqërinë e vet, por desh perëndia dhe dëgjoi një fishkëllimë të ëmbël. Ishte kodi i bojaxhiut. U lumturua, që nuk do të mbetej i vetëm dhe ktheu vetëtimthi kokën nga mbrapa.
-Sot kam bërë punën më të madhe, kam vajtur në klubin e Ndinit. Aty mblidhen të gjithë ata të dorës sonë. Vetëm me një gotë raki dhe shiko sa ka vajtur lista. Më bënë be e rrufe se votën do ta japin ty, por vetëm me një kusht, kërkojnë t’i takosh në klubin e Ndinit dhe të kenë nga një raki në ditë.
-Një the? - e ndërpreu Gjika,- sa të duan. Edhe ata njëlloj e kanë votën. Vetëm vota nuk ka ngjyrë.
-O po ti, kam thënë unë, je vërtet i madh. i ke ca fjalë si filozof. Ti i duhesh deputet këtij vendi.
Kështu na i hyri krimbi për t’u bërë deputet. Filloi të vinte në lojë një shumë nga paratë e tenderave me ata të qeverisë për ta vënë në listen shumemërore,ndërkaq në çdo lagje kishte lëshuar votëmbledhësit. Si nuk i shkrepi me të qeverisë, doli kandidat i pavarur. Hodhi ca thasë me miell në qarkullim një natë para votimit, por i ndodhi si me përrallën e këmbës së ujkut. Tani ka ndërruar partinë e tretë dhe është bërë kryetar i një partie tjetër, me të vetmin qëllim: të bëhet Don Kishot, deputet, desha të them.
_________________________________
Lumo Kolleshi. shkrimtar, mosha 47 vjeç Adresa: Shkolla e mesme „Sami Frashëri“ Përmet
Cel. 0682885721 email: lumokolleshi& yahoo.com | |
| | | Lumo Kolleshi Fillestar/e
Numri i postimeve : 20 Age : 63 Vendi : Mertinj, Permet, Albania Profesioni/Hobi : mesues, shkrimtar Registration date : 12/07/2008
| Titulli: Poezi te perkthyera Sat Jul 12, 2008 11:13 am | |
|
LUMO KOLLESHI (Secretary general)
Born in Mertinj Permet in January 6, 1961, he has finished his postuniversity studies for Language & Literature in some villages in the northern Albania, Puke. After the graduation he has worked as a teacher of Literature and by the time being he is a teacher in the high school “Sami Frasheri Permet“. He is the president of the writers’ Association, branch of Permet as well secretary of the writers’ Association “Pegasi“. He is the director of the publishing house “Fjalet e Qiririt“. His poetries are publicatedin several magazines like: “Zeri i Rinise“, :“Zëri i Rinisë“,“Drita“,“Nëntori“, etc. He has publicated many volumes with poetries like: “Mars“,“The Owl confused“,“Return from the Dead“ with which he has won the first price in the competition “PEGASI“, “Pouring of Thunders“, Resignation of The Tiger“, “Perspiration of The Poet“. Soon will appear is novel: “Time without licence plate“. On March 2007 appeared the Volume with Essays and comments “From one athuor to the other“, assisting the teachers and the students of the high schools. Parts from his creative work have been published in foreign languages like Italian and Greek. He has participated in the international competition on poetry held in the city of Motola, Italy and the competition on fable held in Athems Greece, where he has been honored with the third price for fable.
Additional information:
Address: Lumo Kolleshi Lagjja “Teqe“ Përmet. Tel fiks: 08132502, mobil: 0682885721.
Of Albanian Nationality, Living place: Përmet, Profession: Teacher of Literature.
Civil Status: married. He has two children.
The tars weep
Bring me a glass
To gather these tears
Someone whispered:
“The bee died”
I ran but I never found its grave.
Old clock
The hands strive to eat each other
Time remains in the eyes of the blind.
Modern hairdresser’s shop
Old heads not far in the distance
Push each other in the line for wigs.
Split ripen pomegranates
In the traffic lights of the boughs
Cold rains melt away upon them.
One night I slept with the snake
I felt terribly cold
In the morning I had become Laocoön.
House of a spider
The fly comes to deliver official well wishes
A house or a grave?
Loaded with stars
The date’s bough broke
The stones of the alley get wounded
No permissions for building in the offices of spring
The swallows
Inaugurate the illegal houses.
The bloody night
Butterflies come to die in the light
In my studio.
A beggar in the street
Called me a “Gentleman”
While in my pockets I had nothing but my soul.
At the rock spring bed
The thirst put its lips
The beautiful girls broke the ewers.
Peace often hangs the bloody shirt
At an olive bough
How many young seedlings do not grow to become old.
When you are absent
You look for me there where I am not
I await your failure to come.
Only mountains never meet
They separate passes and gorges.
I am amazed with my heart
How does it not cease beating in solitude?
A flower blooms in the cold wind
The rainbow opens its door in the rain.
In the eclipse of the sun I search for light
And I do not know where I shall look off
You enter suddenly, and the grudges
Melt away like dew in May.
Translated by Dritan Dalip Kardhashi
Greqisht
5. Λιούμο Κολέσι, Πρεμετή
* * *
Μια λέξη ανείπωτη ως τώρα ζητώ,
η κούραση σε στέλνει σε χώρα μακρινή.
Γλυκιά υποψία την καρδιά ταλαιπωρεί,
Φωτιά παγερή, χιονιά καυτερή.
Πηγή που τη δίψα αυξάνει πολύ,
καταρράκτης που δραμματίζεται
λάμπει ως πέρα,
χειμώνας στα φύλλα
που πέφτουν ανθοβολεί,
τ’ απρόσιτο που γίνεται χειροπιαστό μι μέρα
Αυτοί οι γέροντες
Αυτοί οι γέροντες βγαίνουν συχνά,
σαν παιδιά, το λιόφωτο χαίρονται,
και κάθονται σ’ απάνεμα μέρη.
Την ίσκα πιάνουν, τα τσιμπούκια ανάβουν,
και ξεχνιούνται σ’ ατέλειωτο κουβεντολόι.
Κάθε μέρα θα κάνουν κι ένα δρόμο πιο πέρα,
δοκιμάζουν τα πόδια τους εν ονόματι τις ζωής. | |
| | | Sponsored content
| Titulli: Re: Hajk | |
| |
| | | | Hajk | |
|
Similar topics | |
|
| Drejtat e ktij Forumit: | Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
| |
| |
| |