Bashkimi Kombëtar
Mirë se erdhë në forum " Bashkimi Kombëtar "
Qëndro i lidhur me ne ! Disponim te këndshëm të kontribojm për kombin larg ofendimet dhe zënkat...



 
ForumForum  PortalliPortalli  GalleryGallery  RegjistrohuRegjistrohu  identifikimiidentifikimi  

Share
 

 Nëntë vite stagnim dhe zvarritje të Marrëveshjes Kornizë të

Shko poshtë 
AutoriMesazh
kacimix
Anëtar i ri
Anëtar i ri
kacimix

Male
Numri i postimeve : 104
Age : 41
Vendi : Albania
Profesioni/Hobi : Sporti , Muzika
Registration date : 26/10/2008

Nëntë vite stagnim dhe zvarritje të Marrëveshjes Kornizë të  Empty
MesazhTitulli: Nëntë vite stagnim dhe zvarritje të Marrëveshjes Kornizë të    Nëntë vite stagnim dhe zvarritje të Marrëveshjes Kornizë të  EmptyTue Aug 17, 2010 12:09 am

Mr. Ardian Ramadani
U mbushen plot nëntë vjet, që kur Maqedonia shpëtoi definitivisht nga rrënimi i saj si shtet. Në tentativën për rrënimin e Maqedonisë kontribuuan politikanët maqedonas duke filluar nga plaku i mençur e dinak, ish presidenti Kiro Gligorov, duke vazhduar me Branko Cërvenkovski, Lubço Georgievskin dhe së fundi kontribuon në permanencë Nikolla Gruevski me suitat e tij. Por është e çuditshme se si edhe sot e kësaj dite këta të lartpërmendurit mendojnë se janë munduar dhe po mundohen të ndërtojnë Maqedoninë si shtet multietnik, por gjithnjë duke tentuar margjinalizimin e shqiptarëve, përmes veprimeve të ndryshme, saqë (s`)janë fare koshient që nuk kanë qenë kurrë dhe s`janë për ndërtimin e Maqedonisë si shtet, po përkundrazi.

Kjo Marrëveshje e cila mbeti vetëm marrëveshje ad-hoc, e shkruar në letër, e harruar skajshmërisht, e përmendur si refren vetëm nga politikanët shqiptarë edhe atë kur janë në pushtet-pozitë, e stigmatizuar vazhdimisht, e vrarë dhe e varrosur përfundimisht nga politika jo e duhur e ço qeverie të këtij shteti. Kjo marrëveshje e cila llogaritet nga maqedonasit si koncesion i madh ndaj komuniteteve tjera, e posaçërisht ndaj komunitetit shqiptar, e kam thënë dhe e theksoj përsëri që është larg të qenit natyrale, pra me plot bindje e pohoj se është e vrarë dhe e varrosur ndokund nëpër sirtarët shtetërore.

Në vrasjen e saj kontribuuan më shumë politikanët shqiptarë, më shumë se ata maqedonas, ngase nuk ishin dhe nuk janë të aftë që t`a mbrojnë atë që duhej implementuar praktikisht. Shtrohet pyetja se kur nuk ishin në gjendje të mbronin një Marrëveshje të Ohrit, e garantuar ndërkombëtarisht përmes arbitrazhit ndërkombëtar, ç`kanë që e përmendin vazhdimisht nëpër prononcime të tyre televizive, nëpër intervista, sikurse refreni i këngëve popullore? Dëgjojmë edhe më tej shprehjet se gjoja kjo Marrëveshje është e realizuar 99 %, ndërsa rezultatet në terren na tregojnë që kjo Marrëveshje është e parealizueshme 99 %. Kjo Marrëveshje e cila ishte kompromis mes dy palëve, asaj shqiptare dhe asaj maqedonase, e garantuar fuqishëm nga faktori ndërkombëtar, është vrarë, ngase pjesët ku duheshin realizuar patjetërsueshmërisht, u anatemuan dhe u humbën krejtësisht. Kësisoj shkojmë me radhë:

1. Moszgjidhja e përdorimit të gjuhës shqipe - edhe sot e kësaj dite shqiptarët nuk munden t`u drejtohen institucioneve të veta në gjuhën amtare, e cila është e garantuar nga po e njëjta Marrëveshje, mirëpo pala maqedonase e anatemon dhe e injoron vazhdimisht këtë, ndërsa partia politike shqiptare në qeveri vetëm bën sehir

2. Mospërdorimi i simboleve kombëtare - edhe sot e kësaj dite flamuri kombëtar shqiptar nuk mundet të valojë lirshëm për të dëshmuar se në këtë shtet jetojnë edhe shqiptarët. Edhe sot e tutje, flamuri shqiptar është larg përdorimit të tij nëpër institucione komunale dhe shtetërore. Ai përdoret vetëm përpara selive të partive politike shqiptare dhe nëpër zonat e varfra shqiptare të banuara me qind për qind shqiptarë, por jo i përdorur dhe i garantuar institucionalisht me ligj, po nga vetdëshira e shqiptarëve.

3. Ndarja e dëmshme territoriale dhe decentralizimi i parealizuar - edhe sot e kësaj dite pika kyçe e kësaj Marrëveshje nuk është realizuar si duhet. Shqiptarët në vend se të menaxhojnë me komuna të mirëfillta, i`u janë lënë komunat rurale, si për shembull Komuna e Likovës, e cila vetmbahet me borxhe dhe shumë shpejt rrezikohet të mos qenësojë si duhet. Është edhe më tej habitëse se si për shembull qytetarët e Likovës, ende paguajnë tatime për Kumanovën, ndërsa kur të vijë koha për të absorbuar ndonjë projekt nga qeveria refuzohen me arsyetimin se i takojnë komunës së Likovës, për të cilën nuk paguajnë tatime edhe më tej, edhe pse kjo e fundit figuron si komunë, ku kryetarët e saj më shumë i ngjajnë kryetarëve të bashkësive lokale. Edhe më tej refuzohet bashkimi i komunave shqiptare përreth me komunën e Kërçovës.

4. Mosarritja e shkallës së përfaqësimit deri në 25 për qind - edhe pse shqiptarët estimohet që janë diku rreth 25 %, e në fakt kjo shifër është manipuluese ngase janë më shumë, shkalla e përfaqësimit në institucionet shtetërore është ende e vogël. Dhe kjo është e bërë me plan dhe vetëdije të plotë. Administratorët shqiptarë rrinë shtëpive dhe ëmbëltoreve, ngase ende nuk “janë krijuar” kushtet për t`ia filluar punës, e me këtë ata izolohen qëllimisht, për të mos i kuptuar detyrat dhe punët e institucioneve shtetërore, ndërsa maqedonasit lëre që janë shefa e kryeshefa të shqiptarëve, po edhe ankohen se gjoja shqiptarët të cilët janë nëpër institucione kinse qenkan pa afinitete, ngase nuk po e kuptojnë gjuhën maqedonase dhe nuk po i dinë ligjet dhe punët si duhet. Si ti dinë këta të gjorët, kur administrata është e partizuar me kuadro që i kanë marrë diplomat shkel e shko, pa kurrfarë kriteresh, ndërsa kuadrot e afta që dinë gjuhë të huaja, ose kanë ikur jashtë shtetit, ose punojnë privatisht, e kurrsesi nuk ftohen nga politikanët shqiptarë.

5. Diskriminimi rreth dhënies së shtetësive për shumë shqiptarë - çudia më e madhe është me nënshtetësitë, ngase me dhjetëra mijëra shqiptarë ende nuk kanë nënshtetësi, edhe pse janë të lindur në këtë shtet dhe paguajnë tatime për këtë shtet, i cili i privon nga e drejta ligjore për të marrë nënshtetësi. Edhe sot Maqedonia është shteti i vetëm evropian, që procedurën për marrje të nënshtetësisë nga ana e shqiptarëve e ka më të vështirën, bile më diskriminuesen në Evropë.

6. Përfaqësimi zero në shumë institucione dhe hierarkinë e lartë vendimmarrëse shtetërore - as që bëhet fjalë që shqiptari të udhëheqë me resorë që përfaqësojnë hierarkinë shtetërore. Nuk mund të imagjinohet ministri i punëve të jashtme, mbrojtjes apo punëve të brendshme të jetë shqiptar. As mos të flasim për Kryeministër apo Kryetar shteti. Në Ministrinë e Punëve të Jashtme, qasja e shqiptarëve është aq e vogël, saqë më lehtë shqiptarët do të mundeshin të hynin e të dilnin tek lumi Armagedon, se sa në këtë Ministri.

7. Anashkalimi i zonave shqiptare për investime - edhe më tej zonat shqiptare i ngjajnë Kalkutës, shteteve si Togo e Çadi, ku zonat shqiptare të vrasin syrin me pamjet e mjeruara pa asfalt, pa kanalizime, pa parqe dhe lojëra për fëmijë, pa trotuare, pa parkingje, me telat e rrymës që thuajse janë të gatshme të gëlltisin fate njerëzish, e pa kurrfarë investimesh, ndërsa zonat maqedonase ngjasojnë me zonat më moderne evropiane me të gjitha kushtet dhe standardet e duhura. Edhe më tej politikanët shqiptarë shkojnë në zonat maqedonase për të pirë kafen si dhe për tu joshur nga kamerieret bukuroshe maqedonase, prej të cilëve politikanët shqiptarë përjetojnë orgazëm e nuk fitojnë asgjë, po vetëm i lajnë paratë aty dhe i zgurdullojnë sytë si qyqarë, ndërsa zonat shqiptare të vrasin syrin me çajtoret dhe pamjet e zymta të shek. XVII- XVIII.

8. Anashkalimi dhe mos përfaqësimi në organet e larta të sigurisë, shërbimet sekrete dhe njësitet speciale ushtarake, ku nuk ka gati asnjë shqiptarë - është rreptësisht e ndaluar qasja nëpër këto vende që dëshmojnë pjesëmarrjen e vërtetë në shtet, ngase edhe më tutje shqiptarët llogariten si të huaj dhe të padëshiruar për shtetin, megjithëse kanë politikanët e tyre, që vetëm për fushata elektorale përkujdesen për votuesit e vet.

9. Moszgjidhja e statusit të familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës së UÇK-së - edhe më tej statusi i atyre që flijuan gjithçka për kombin shqiptar është i pazgjidhur me aspak gjasa për t`u zgjidhur. Edhe më tutje qeveritarët maqedonase konsiderojnë UÇK-në terroriste, ndërsa forcat maqedonase i konsiderojnë si shpëtimtarë dhe mbrojtës të Maqedonisë, e nuk ka qeveritar dhe politikan shqiptarë që t`u tregojë se ushtarët çlirimtarë që luftuan për avancim të të drejtave të tyre dhe të bashkëkombësve të tyre nuk janë terroristë, po janë luftëtarët më të dalluar dhe më të disiplinuar në rajon, nuk kanë bërë asnjë krim, asnjë terror, përkundrazi shumë civilë të pafajshëm shqiptarë u vranë nga forcat policore dhe ushtarake maqedonase. Asnjë Kishë apo Manastir nuk është djegur nga shqiptarët, e asnjë xhami nuk mbeti pa u djeg dhe u shkatërruar nga sulmet me helikopterë të “branitelave” në Komunën e Likovës për shembull, e gjetiu.

10. Kaosi i shkaktuar në arsimin shqip - shkollat shqipe edhe më tej mbeten të stërmbushura me nxënës, pa kurrfarë laboratorësh, pa kurrfarë sallash sportive, pa kurrfarë librash e materialesh (lexo: atyre u servohen libra me mijëra gabime dhe me toponomi sllave), ku profesori shqiptar i eksponohet vazhdimisht rrezikut dhe nuk është i sigurt, ndërsa ai maqedonas çdo vit me nxënësit e tij viziton shtete dhe qytete evropiane me paratë shtetërore dhe komunale. Ndërsa shqiptarët secilin vit mbarten prej një vendi në vendin tjetër, sikurse nomadë, prej një objekti shkollor të adaptuar në kazerma ushtarake të adaptuara. Për çfarë shkolla e arsimi perëndimor mund të flasim?

Kujdes, lista nuk mbaron këtu. Ka edhe shumë për të thënë. Po nuk dua që lexuesi të zhytet në shqetësim dhe morozitet.

Përfundoj me konstatimin se nuk mund të ketë stabilitet në këtë shtet, pa avancim dhe trajtim të barabartë të të gjithë qytetarëve në këtë shtet, e sidomos të shqiptarëve. Nëse dëshiron të ekzistojë si shtet Maqedonia duhet t’i trajtojë të gjithë qytetarët njësoj sepse ky shtet do të mund të ekzistojë për aq sa të duan shqiptarët, sepse edhe ashtu ka probleme për emrin me fqinjin jugor Greqinë; edhe më tej ka problem me identitetin, sepse kontestohet nga fqinji lindor-Bullgaria; ende ka problem me kishat dhe njëkohësisht edhe me identitetin, sepse i kontestohen të dyja nga Serbia. Andaj është e udhës që të mos hap edhe më tej fronte të tjera, e sidomos me shqiptarët, sepse ata janë mjaft relevant në rajon. Bërja e divergjencave me shqiptarët, do të thotë regres dhe stagnacion për këtë shtet. Kësisoj epilogu do të ishte margjinalizues dhe katastrofal, jo vetëm për këtë shtet, por edhe për tërë rajonin.

Duke e parë krejt këtë situatë, fare në fund mund të themi se Marrëveshja e Ohrit është dashur të implementohet praktikisht gjer në vitin 2004, pa kurrfarë margjinalizimesh. Tani është vonë, ngase kanë filluar të rishikohen formula të tjera të marrëveshjeve të reja dhe të modeleve të tjera, edhe pse kori diplomatik kërkon me ngulm realizimin dhe implementimin praktik të kësaj të parës, që më shumë shërben si leksion shtesë për klasën politike maqedonase të shfrytëzojnë vagonët e fundit për kyçje në strukturat euroatlantike, ose vaj halli nuk dihet se ku do përfundojë ky shtet i vogël me sherre të mëdha!
Mbrapsht në krye Shko poshtë
xhema
Anëtar i Suksesshëm
Anëtar i Suksesshëm
xhema

Male
Numri i postimeve : 2337
Age : 53
Vendi : Ferizaj -gjermani
Registration date : 30/03/2009

Nëntë vite stagnim dhe zvarritje të Marrëveshjes Kornizë të  Empty
MesazhTitulli: Re: Nëntë vite stagnim dhe zvarritje të Marrëveshjes Kornizë të    Nëntë vite stagnim dhe zvarritje të Marrëveshjes Kornizë të  EmptyTue Aug 17, 2010 12:42 am

Ne shqiptarve po na duket se kan probleme te mdha maqedont, se ata sjan
tue rru fare spo ju han leshi.......
Mbrapsht në krye Shko poshtë
 
Nëntë vite stagnim dhe zvarritje të Marrëveshjes Kornizë të
Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Bashkimi Kombëtar :: Shqiptarët-
Kërce tek: