Princi trashëgimtar i Dubait blen lokalet më të famshme të natës së Las Vegasit
Princi trashëgimtar i Dubait zbarkon në Las Vegas, duke blerë përmes
firmës "Zabeel" 50 për qind të aksioneve të një prej kompanive më të
mëdha të lokaleve të natës. Operacioni financiar shkaktoi një tërmet në
tregun e lokaleve me drita të kuqe, i cili, falë qindra miliona dollarë
të ardhura në vit, është një prej industrive më fitimprurëse të zemrës
së dëfrimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Manovra e Hamdam Bin Muhamed bin Rashid Al Maktum, i lindur në vitin
1982, nisi gjatë gjysmës së dytë të muajit shkurt. Në Amerikën e
shpërqendruar nga faza primare e zgjedhjeve presidenciale dhe nga frika
e hapave prapa në ekonomi, princi trashëgimtar ia beh me bujë në botën
e klubeve "striptize" të Las Vegasit, kryeqyteti i bixhozit, njëherësh
edhe i seksit. Buqeta e aksioneve iu ble shoqërisë "Light Group", një
prej dy subjekteve më të mëdha të lokaleve të natës, që zotëron disa
prej më të njohurve në Amerikë, siç janë "Bank", i kazinosë "Bellagio",
"Bare Pool Lounge", apo "Jet", i kazinosë "Mirage". Por krahas tyre,
edhe një numër të madh lokalesh, klubesh striptize ku praktikohet "lap
dance" (kërcimi në prehër), restorante me pesë yje dhe bare ku
vërshojnë lumenj pijesh alkoolike - të menaxhuar privatisht brenda
hoteleve dhe kazinove më të rëndësishme të Las Vegasit. Për të krijuar
një ide mbi të ardhurat e këtyre lokaleve mjafton të dihet se çdo vit
hapen mesatarisht katër-pesë të rinj.
Kështu, të shtiesh në dorë aksionet e shoqërisë "Light Group" do të
thotë të jesh punëdhënës i qindra arkëtareve, balerinash striptize,
kamerieresh e punonjësesh lokalesh, fama e të cilave është shumë larg
ligjit islamik që aplikohet në Emiratet Arabe.
Por Muhamed Al Hashimi, presidenti i shoqërisë "Zabeel" nuk sheh asgjë
të keqe te ky operacion financiar: "Objektivi ynë është zhvillimi i
industrisë së hotelerisë në Emiratet e Bashkuara Arabe". Dhe për të
kuptuar çfarë ka ndër mend të thotë me këtë përgjigje duhet dëgjuar
shpjegimi i Endrju Sason, njeriu nga i cili Sheiku bleu gjysmën e
aksioneve, ortaku i princit të ri të pasionuar pas poezisë, i cili
shpjegoi për "Los Angeles Times": "E vërteta e thjeshtë është që
‘Zabeel‘ po ngre një zinxhir hotelesh në Dubai dhe kanë ndër mend të
aplikojnë te ta disa prej koncepteve të Las Vegasit, si ushqim i
bollshëm, jetë nate dhe elementë zbavitës në gjendje të joshin sa më
shumë turistë".
Fakti që Emiratet kërkojnë të frymëzohen nga Las Vegasi, për sa u
përket elementeve të "dëfrimeve gjatë orëve të vona të natës", ka bërë
që shumë site myslimane në internet të hidhen përpjetë si të pickuar
nga gjarpri - disa syresh e konsiderojnë blerjen të turpshme. Por Sason
saktësoi në intervistë se "‘Zabeel‘ respekton deri më një ligjet
islamike" dhe se "Light Group" nuk ka ndër mend të dërgojë balerina
seksi në Gjirin Persik. Ka shumë mundësi që skenografia e kopjuar nga
Las Vegasi të modifikohet në bazë të ligjeve lokale. Ndoshta me synimin
që t‘i heqë nga duart Egjiptit çmimin e kampionit të turizmit në botën
arabe.
Por blerja e kompanisë "Zabeel" ka edhe një aspekt tjetër: afrimin e
një numri të madh sheikësh e princash në lokalet e sapoblera. "Kam
besim se shumë njerëz nga Dubai dhe nga e gjithë zona do të nisin të
vijnë në Las Vegas e të frekuentojnë lokalet tona, të interesohen mbi
aktivitetin tonë, e ndoshta edhe të investojnë", rrëfen Sason, i cili
sheh mundësi shumë të mira për të zgjeruar edhe më tej biznesin falë
prurjeve të reja.
Për të kuptuar se ku e ka zanafillën tërmeti ekonomik që ka përfshirë
industrinë e lokaleve të natës, duhet të thellohemi mbi personazhin e
princit trashëgimtar, i rritur në Dubai, por i shkolluar në Akademinë
Ushtarake të Sandharstit, në Britaninë e Madhe, student i prestigjiozes
"Shkolla Ekonomike e Londrës" dhe i bindur në dobinë e risive në botën
nga vjen. Gjatë një forumi ekonomik interarabik të mbajtur përpara disa
vitesh në Dubai la shumë prej të pranishmëve me gojë hapur, duke thënë
(pa e vrarë shumë mendjen se jo të gjithë mund të qenë dakord) se:
"Duhet të ndryshoni veten, në të kundërt, do t‘ju ndryshojnë të tjerët".
Pak a shumë kërkonte të thoshte se u takon liderëve arabë që t‘i marrin
frerët e së ardhmes në duart e veta, se burimet e shumta financiare
duhen përdorur me zgjuarsi dhe se duhet të jenë në gjendje të
përfitojnë nga ofertat që servir globalizimi. Megjithëse është djali i
dytë i monarkut të Dubait, Hamdan Bin Muhamed bin Rashid Al Maktum, u
zgjodh nga i ati si princi trashëgimtar, falë vullnetit të fortë për të
modernizuar jetën dhe ekonominë e vendit.
Princi ka më shumë besim te reformat ekonomike se tek ato politike dhe
"zinxhiri i madh i hoteleve" që ka ndër mend të krijojë, duke u
frymëzuar nga Las Vegasi, ka pikërisht qëllim ta transformojë Dubain në
një vend sa më joshës për biznesmenët e të gjitha kontinenteve. Synimi
përfundimtar, në fakt, është ai që të vendosin të investojnë në vend.
"Emiratet mund të kthehen në diçka të ngjashme me Las Vegasin, për një
zonë që shtrihet nga Evropa në Lindjen e Mesme e ndoshta deri në Azi",
siguron Sason, i cili tashmë është shumë i zënë me punë teksa kërkon
bashkë me ortakët e rinj të përpilojë një plan investimesh, që shkon
nga shtrirja e hoteleve drejt dunave të Lindjes së Mesme deri te
detajet e çdo lokali të ri.
Duhet thënë se ky hap i hedhur nga shoqëria "Zabeel" nuk është aspak
ngjarje e veçuar, pasi prej muajsh grupi financiar "Dubai World", i
zotëruar nga shteti, po blen aksione të kazinosë "Mirage" - e dyta për
nga madhësia dhe pesha në rang botëror. Operacioni financiar që do ta
bëjë shoqërinë arabe pronare të 20 për qind të aksioneve vlerësohet të
kushtojë 5.2 miliardë dollarë.
Shqip