Dekorata për djemtë e mirë të Ballkanit…!
Si duket Kosova sot! * Dua të them se pa marrë parasysh njohjet formale nga shtetet me të rëndësishme të botës, Kosova e sotme megjithatë ende duket:
- herë si shtet sovran,
- herë si protektorat i OKB-së,
- herë si protektorat i BE-së
- e herë-herë duket edhe si pjesë e Serbisë.
Në fakt, ajo vazhdon të jetë të gjitha nga pak.
Nëse ndonjëherë do të ndahen dekorata për djemtë e mirë të Ballkanit, Fatmir Sejdiu dhe Hashim Thaçi patjetër që do ta marrin nga një. Së fundi, këta jo vetëm që e shpallën se nuk do të organizojnë as pengojnë zgjedhjet e Serbisë në territorin e Kosovës - siç bënte deri tash UNMIK-u, por shkuan akoma më larg. Ata e shndërruan mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës në një të drejtë kushtetuese të serbëve kosovarë.
Për më shumë, presidenti Sejdiu argumentoi se kjo e drejtë serbëve të Kosovës u vjen bashkë me të drejtën e dyshtetësisë, gjithnjë të bazuar në Planin e Ahtisaarit. Në një situatë normale, do të mund të shtrohej pyetja: Si mund të ndodh që serbët e Kosovës dhe Beogradi të kenë të drejtë të konsumojnë të drejtat që dalin nga Pakoja e Ahtisarit, përderisa në fakt nuk e njohin as e duan atë koncept të organizimit të Kosovës?
Por, ne ashiqare nuk jemi në situatë normale! Dhe, rezonimi politik ende nuk mund të jetë aq naiv sa të mbështetet i tëri në premisat e 17 Shkurtit. Sepse, ka edhe diçka tjetër që duhet të numërohet! Në shpjegimin e këtij konfuzioni, ta zëmë, nuk mund të abstragohet në radhë të parë qëndrimi i OKB-së se Rezoluta 1244 vazhdon të jetë në fuqi. Po ashtu, nuk mund thjesht të abstragohet toleromi evident i realizimit të projektit serb për ndarje funksionale të komuniteteve kosovare, si infrastrukturë e copëtimit territorial të Kosovës.
Atëherë, çfarë është duke ndodhur kështu?
Shkurt, duket se bashkësia ndërkombëtare ka vendosur që në këtë fazë të lerë të bëjnë çfarë të duan edhe shqiptarët edhe serbët, duke promovuar parimin se "jeta do t'i sqarojë vetiu gjërat".
Dua të them se pa marrë parasysh njohjet formale nga shtetet me të rëndësishme të botës, Kosova e sotme megjithatë ende duket:
- herë si shtet sovran,
- herë si protektorat i OKB-së,
- herë si protektorat i BE-së
- e herë-herë duket edhe si pjesë e Serbisë.
Në fakt, ajo vazhdon të jetë të gjitha nga pak.
Dhe duket se pikërisht kjo laramani perceptimesh e gjendjesh faktike e juridike, është faktori që e mban paqen kosovare. Për shembull, klasa politike e shqiptarëve të Kosovës - e krijuar në kohëra okupimi dhe lufte, tash duket plotësisht e akomoduar me realitetet e Kosovës. Në anën tjetër, klasa politike serbe, për shkak të Rezolutës konfuze 1244, po ashtu vazhdon të festojë fitoret e saj, duke arritur kështu të mbajë gjallë e shëndosh pretendimet se një ditë Serbia do të kthehet dhe se ne shqiptarët s'kemi pse t'i presim këtu duarthatë.
Kjo gjendje e kënaqësisë së këtillë të dyanshme, e mbështetur kryesisht në modelet e propagandës së suksesit, me gjasë nuk mund të zgjasë përgjithmonë. Por, pikërisht tash, në kohën e përbetimeve tona se shteti i Kosovës është krejt çfarë duam dhe se Marti Ahtisari është pejgamberi ynë i fundit, dhe kur Beogradi duket po kaq i ekzaltuar dhe plot vetëbesim shkaku i vetos së Rusisë, duket se serbët megjithatë e kanë prishur pak balansin e kësaj kënaqësie të përgjithshme. Ata duket se kanë vendosur që ta kthejnë madje edhe 17 Shkurtin në favor të tyre.
Paradoksale?
Jo.
Duke e legjitimuar problemin e marrëdhënieve shqiptaro-serbe si një problem të lindur shkaku i shtetësisë së Kosovës, Samargjiq mundohet që një herë e përgjithmonë atë problem ta heq nga konteksti i gjerë i Ballkanit. Nëse ia arrin kësaj, ai e kthen Serbinë në një fitues me garanci paraprake.
Pse?
Sepse, sipas skenarit të tij, në tryezë për t'u rjepur mbetet vetëm lëkura jonë, ndërsa serbët mbeten në situatë të fitojnë diçka më shumë ose diçka më pak- por që në asnjë variant të mos humbasin asgjë nga ajo që kanë.
Andaj, besoj se klasa politike kosovare, me gjithë përkushtimin e shprehur për 17 Shkurtin, nuk duhet të pranojë bllokadën e plotë politike e përjashtojë çfarëdo zhvillimi tjetër, por se duhet pasur qasje aktive dhe kreative në të gjithë drejtimet e mundshme.