Infeksionet seksualisht të transmetueshme.
Para disa ditësh u organizua seminari “Ditët e Sensibilizimit për Infeksionet Seksualisht të Transmetueshme (IST)” Sipas të dhënave të këtij seminari del se 20% e grave vuajnë nga chlamydia dhe 1% e tyre vuajnë nga sifilizi, gonorea, herpes genitalis etj. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), këto sëmundje në vendin tonë janë një problem në rritje pas viteve ’90, veçanërisht për adoleshentët.
Për këtë problem kaq të rëndësishëm, po sjell për lexuesit e këtyre faqeve disa konsiderata të përgjithshme lidhur me këto sëmundje.
1-Gratë janë më të prekshme se burrat prej IST
Kjo nuk do të thotë se gratë janë më të përdala seksualisht, por se gratë janë më të prekshme nga këto infeksione për arsye të anatomisë së tyre.
a-Infeksioni kalon më lehtë nga burrat tek gratë nga sa prej grave tek burrat.
b- Sëmundjet Seksualisht të Transmetueshme zbulohen më me vështirësi tek gratë.
2- Ka mbi 25 IST të ndryshme që njihen sot.
IST më të zakonshme janë Chlamydia, Gonorrhea, Hepatiti B, Herpesi gjenital, HIV/AIDS, Human Papilloma Virus (HPV), Siphilisi, morrat e pubisit dhe Trichomoniasis. Që nga viti 1980, listës së IST që njiheshin i u shtuan edhe më shumë se tetë IST që nuk njiheshin më parë. Midis këtyre tetë IST është edhe HIV/AIDS. Infeksionet Seksualisht të Transmetueshme shkaktohen nga viruset, bakteret dhe prej parazitëve.
3- IST mund të transmetohen edhe nëpërmjet seksit oral....
Ndryshe nga sa besojnë njerëzit, ju duhet të dini se edhe kur bëni seks oral, ju nuk luani seksualisht të sigurtë. E vërteta është se kush bën seks oral të pambrojtur, e fut veten në rrezik të lartë, veçanërisht për gonorrenë, syphilisin, herpesin dhe hepatitin B.
Gjithmonë kur bëni seks oral përdorni kondomin. Edhe kondomet femërore përdoren për të pakësuar rrezikun e IST. Këto lloj kondomesh mund të përdoren edhe kur bëni seks oral. ((Në një shkrim para disa muajve në “Shekulli” kam shkruar posaçërisht për rreziqet e seksit oral).
Me IST njerëzit infektohen kur bëjnë seks vaginal, anal ose oral. Këto infeksione kalojnë nga personi në person nëpërmjet spermës, lëngjeve vaginale dhe gjakut. Shkaktarët e disa IST mund të futen në trup edhe nëpërmjet prerjeve të vogla, ose gërvishtjeve në gojë, në gjenitale dhe në anus.
4. IST janë të trajtueshme, por nuk janë të gjitha të shërueshme ...
IST me shkak bakteret si chlamydia, Gonorrhea dhe syphylisi mund të kurohen. IST që shkaktohen nga viruset si hepatiti B, herpesi, HIV/AIDS dhe veruket gjenitale janë të pakurueshme, por ato mund të trajtohen. Të jetosh i infektuar me IST do të thotë që përveç shëndetit fizik të jetë prishur edhe shëndeti emocional. IST kanë një kosto të lartë edhe në marrëdhëniet romantike të çiftit.
Kush vuan nga një IST duhet t’i tregojë atij ose asaj me të cilin do të bëjë seks se është i sëmurë. Këtë duhet ta bëjë përpara se të kryejnë kontaktin seksual. I infektuari me një nga këto sëmundje duhet të jetë i drejtpërdrejtë, i hapur dhe i ndershëm. Ka disa vende në botë,që fshehjen e IST nga partneri seksual e konsiderojnë mësymje (offensë) kriminale dhe ky krim ndëshkohet me ligj! Është mirë që të rinjtë, sa herë që do të bëjnë seks me një partner të ri, të testohentë dy për IST.
5- Disa IST janë pa simptoma...
Për deri sa disa nga këto sëmundje nuk kanë shenja të dallueshme, askush nuk mund ta dijë se ai vetë ose partneri i tij seksual është i infektuar. Chlamydia, për shembull, është pa simptoma. Po kështu, duhen rreth dhjetë vjet ose më shumë, që një person i infektuar të zhvillojë shenjat e AIDS. Koha që i duhet një IST që të shfaqet varet nga lloj i sëmundjes.
Simptomat e IST shpesh ngjajnë me ato që shkaktohen nga infeksione të tjera jo seksuale. Është kjo arsyeja që IST ngatërrohen lehtësisht me infeksionet jo seksuale nga myku ose me infeksionet e tjera të traktit urinar.
Mbajeni mënd mirë këtë fakt: Edhe kur nuk janë shfaqur shenjat e IST që keni, ju jeni ngjitës për partnerin tuaj seksual.
Duke qenë se shumë IST janë pa shenja dhe personat e infektuar nuk mjekohen, është e vështirë të thuhet se sa njerëz infektohen me këto sëmundje çdo vit. Është kjo arsyeja që statistikat e dhëna për këto sëmundje janë shumë herë më pak nga realiteti.
6- Të infektuarit me IST që nuk mjekohen kanë pasoja serioze për shëndetin.
Gratë vuajnë më shpesh nga IST dhe ato kanë edhe komplikacione më serioze shëndetësore, nga sa kanë burrat e infektuar. Në kohën kur gratë vënë re shenjat e sëmundjes dhe shkojnë tek doktori, komplikacionet nga infeksionet e pamjekuara e kanë vënë në rrezik shëndetin e tyre.
IST mund të shkaktojnë sëmundjen inflamatore pelvike (PID), kancerin e qafës së mitrës dhe infertilitetin ose paaftësinë për të ngelur shtatzënë. Disa IST mund të kalohen nga nëna tek fëmija përpara, gjatë, ose pas lindjes. Gratë e infektuara me IST kur ngelen shtatzëna janë në rrezik të lartë për shtatzëni jashtë mitre, për dështime dhe lindje parakohe (premature). Por ka edhe më keq, syphilisi i pamjekuar mund ta çojë personin në vdekje.
7- Chlamydia është IST që raportohet më shumë
Siç theksohet në seminarin e para disa ditëve, 20% e grave në Shqipëri janë të infektuara me Chlamydia. Qendra për kontrollin e Sëmundjeve në Amerikë thotë se çdo vit ka 2,8 milion raste të reja me chlamydia. Shumica nuk diagnostikohen. Chlamydia infekton qafën e mitrës të shumicës së vajzave adoleshente që janë seksualisht aktive.Kjo zgjedhje e chlamydies për vajzat e reja, shpjegohet me faktin se qafa e mitrës tek adoleshentet pëson ndryshime anatomo-fiziologjike që lidhen me pubertetin dhe që favorizojnë zhvillimin e chlamydieve.
Shumica e grave me chlamydia nuk kanë shenja dhe nuk mjekohen. Por chlamydia e pa mjekuar shkakton Sëmundjen Infektive Pelvike ose PID, shtatzëni jashtë mitre dhe paaftësi për të ngjizur fëmijë (infertilitet). Kur zbulohet herët chlamydia mund të kurohet pa vështirësi me antibiotikë, sepse ajo është një infeksion bakterial.
8-Doktorët nuk e kanë bërë zakon që të kërkojnë në mënyrë rutine për IST tek pacientët e tyre.
Edhe në Amerikë sipas “The American Social Health Association”, vetëm 1/3 e doktorëve i ekzaminojnë pacientët për IST në mënyrë rutine. Kuptohet se si është zbulimi i këtyre sëmundjeve në kushtet e vendit tonë.
Mos mendoni se Pap-testi që kryen mjeku gjinekolog u jep grave një faturë shëndetësore të pastërt. Pap-testi vetëm zbulon ndryshimet në qelizat cervikale, por nuk tregon dhe nuk kontrollon për IST specifike. Ndërkaq, një Pap-test jo normal mund të tregojë se gruaja është e infektuar me Human Papilloma Virus (HPV), por duhet të bëhen analiza të tjera që të vërtetohet prania e virusit.
Kushdo që ka sjellje seksuale aktive bën mirë të kërkojë nga doktori të bëjë analiza për të zbuluar praninë e IST.
9-Kondomet nuk garantojnë 100% kundër IST.
Kondomet nuk janë plotësisht të sigurta. Por, përveç abstinencës (heqjes dorë vullnetarisht nga seksi), kondomet janë mbrojtja më e mirë kundër IST. Përdorni një kondom lateksi të ri, çdo herë që bëni seks oral, anal ose vaginal me një partner të ri, jashtë marrëdhënieve monogame.
10- Rreth 50% e grave seksualisht aktive infektohen Human Papilloma Virus (HPV), në një moment të jetës së tyre.
Njihen rreth 100 shtame të Human Papilloma Virusit (HPV). Nga këto vetëm rreth 30 shtame janë seksualisht të transmetueshme dhe vetëm rreth 10 shtame janë me “rrezik të madh” dhe çojnë në kancerin e qafës së mitrës. Shtamet me “rrezik të ulët” shkaktojnë lezët gjenitale.
Shumica e të infektuarve nuk e marrin vesh kurrë se janë të infektuar, nga që sistemi imun i eliminon vetiu format më pak agresive të HPV. Por, shtamet më agresive të HPV ngulen në organet gjenitale dhe shkaktojnë shumë probleme shëndetësore, siç është edhe kanceri cervikal. Për të zbuluar HPV ndihmon Pap-testi, kur ndryshimet prekanceroze në cerviks janë bërë të dukshme.
Në Qershor të vitit 2006, në Amerikë FDA aprovoi “Gardasil-in”,vaksinën për të mbrojtur gratë nga kanceri i qafës së mitrës. Vaksina duhet të bëhet përpara se vajza të jetë bërë seksualisht aktive, pra pa rënë në kontakt me HPV. Këshillohet ta bëjnë vajzat dhe gratë e moshës nga 9 vjeç deri 26 vjeç.
Gazeta Shekulli