Bashkimi Kombëtar
Mirë se erdhë në forum " Bashkimi Kombëtar "
Qëndro i lidhur me ne ! Disponim te këndshëm të kontribojm për kombin larg ofendimet dhe zënkat...
Bashkimi Kombëtar
Mirë se erdhë në forum " Bashkimi Kombëtar "
Qëndro i lidhur me ne ! Disponim te këndshëm të kontribojm për kombin larg ofendimet dhe zënkat...
Bashkimi Kombëtar
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.



 
ForumForum  PortalliPortalli  GalleryGallery  Latest imagesLatest images  RegjistrohuRegjistrohu  identifikimiidentifikimi  

 

 “TEATRI SHQIPTAR NË AMERIKË ..." NGA XHEVAT LIMANI

Shko poshtë 
AutoriMesazh
Kristaq F. Shabani
Miqte e Forumit
Miqte e Forumit
avatar


Male
Numri i postimeve : 11718
Age : 65
Vendi : Gjirokaster, Albania
Profesioni/Hobi : Poetry
Registration date : 04/07/2008

“TEATRI SHQIPTAR NË AMERIKË ..." NGA XHEVAT LIMANI  Empty
MesazhTitulli: “TEATRI SHQIPTAR NË AMERIKË ..." NGA XHEVAT LIMANI    “TEATRI SHQIPTAR NË AMERIKË ..." NGA XHEVAT LIMANI  EmptyTue Jun 26, 2018 5:08 pm

“TEATRI SHQIPTAR NË AMERIKË ME MISION ARTISTIK DHE HISTORIK NË KALABRI, SICILI DHE GJERMANI” nga XHEVAT LIMANI
April 29, 2018 Qazim Doda 151 Views
Mikpritje dhe duartrokitje, përgëzime shoqëruar me lot, përqafime, skandime dhe uluritje duke përjetuar katarzën e Motit të Madh, përmes poemës dramatike GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU me autor, regjisor dhe aktor: Xhevat Limani.
Fluturimi nga Neë York-u për në Romë mbrëmjen e 30 marsit 2018 nuk ishte një fluturim i zakonshëm, por i ngarkuar me emocion dhe përgjegjësi. Shkoja për herë të parë në një mision teatror historik te vëllezërit e një gjuhe dhe të një gjaku, Arbëreshët e Motit të Madh në Kalabri dhe Sicili dhe, më pas, të vazhdoja dhe ta përmbyllja misionin në Stuttgart të Gjermanisë. Edhe pse fluturimi ish i qetë, me përjashtim të ndonjë dridhjeje në lartësi qiellore, unë nuk isha i qetë emocionalisht. Shkoja të luaj teatër te një pjesë e shkëputur e Trungut tonë Ilirik, që 550 vite më parë pas vdekjes së kryeheroit tonë kombëtar, GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU, pasi ra Arbëria nën pushtimin Otoman, pjesa më e zgjedhur e principatave nga familjet princërore dhe luftëtarëve të denjë, morën udhë përtej Detit me shpresë dhe bindje se do të kthehen një ditë në Vatrat e tyre Arbërore. Mbi njëqind vite, gati tri gjenerata mbajtën gjallë shpresën e kthimit në Atdhe, duke ndenjur nëpër shkëmbenjë e kasolle. Dhe, kur kjo shpresë po venitej, pasardhësit e Arbëreshëvet, djemtë, nipërit dhe mbesat pranuan idenë e riatdhesimit duke u pajtuar të krijonin ardhmëri në vend të huaj. Por ëndrrën e tyre për rikthim nuk e flakën kurrë. Ëndërronin, vajtonin e këndonin sylektisur e shpirtzhuritur duke shpresuar Motin e Madh të rikthehej. Mirëpo Shqipëria po kalonte nëpër katet e Ferrit të politikave evropiano-ballkanike të ujqërve dhe çakallëve të uritur nga tajgat dhe stepat e veriut të thellë, dhe nuk kish takat të mblidhte bijtë e hyjnores Shqiponjë për rreth Vatrës që të bëhej kryezonjë. Kësi mendimesh kalëronin shpirtin tim të trazuar prej Artisti pa Atdhe. Dikur u ndje një trokëllimë e rëndë. Kuptova se aeroplani ateroi në Romë.

31 mars 2018

Mora një taksi të tipit Rent a car bashkë me zonjën time, Lule. Pritëm nja dy orë të na bashkangjitej kameramani, i cili fluturonte nga Tirana për në Romë. Morëm rrugën atë pasdite me shi për destinacionin e parë në Frasnita (Frascinento) të Kalabrisë. Pas një udhëtimi gjashtë orësh me makinë, arritëm vonë në Frasnita. Zonja Luçia Martino, kryenikoqirja dhe organizatorja kryesore e turneut, një aktore, regjisore dhe kryeatdhetare e shkëlqyer, na uroi mirëseardhjen duke na pritur me buzëqeshje dhe zemërhapur. U vendosëm të pushonim pak dhe, pas mesnate, duhej të shkonim në kishë për celebrim të Pashkëve. Ishte një ritual fetar me tepër interes, veçmas këngët korale të kënduara arbërisht.
1 prill 2018

Kafenë e mëngjesit dhe kaftjallin e kishim te restorani i ngrohtë i djemve të zonjës Luçie. Pasi pimë kafetë, zonja e madhe Luçia Martino na njoftoi me itinerarin e shfaqjeve dhe programin për qëndrimin tonë në Kalabri dhe Sicili. Sonte në mbrëmje bëhemi gati për kremte. Pasdite arriti dhe Donika, Era Hoxha me bashkëshortin Ardian Hoxha, bashkë me fëmijët Lizën dhe Remziun. Kremtuam Pashkët, si një familje e madhe, ndërsa mua më sillej vërdallë thënia vizionare e At Fishtës “ Kemi Bajram edhe Pashkë, po Shqipërinë e kemi bashkë”.
Në mbrëmje trupa e teatrit “Vorea” e Frasnitës shfaqi komedinë: “Shpirtrat e kemi afër, afër prapa veshit”. Një komedi plot humor arbëresh. Në fund të shfaqjes si publik duartrokitëm aktorët entuziastë dhe të talentuar Frasnitas për realizimin e tyre, sadoqoftē modest, por të bukur artistikisht që ka qëllim zgjimin dhe ngritjen e vetëdijes kombëtare tek ajo pjesë arbëreshe, e cila është shkëputur nga rrethanat e realitetit arbëresh për të ruajtur gjuhën.
Pas duartrokitjeve frenetike, Zonja Luçia Martino u ngjit në skenë dhe më ftoi për një fjalë përshëndetëse. Urova aktorët Arbërisht e Shqipërisht dhe ftova zonjën time Lule, si drejtore e Teatrit shqiptar në Amerikë. Publiku e përshëndeti Lulen ngrohtësisht. Në emër të teatrit tonë i dhuruam një Përkrenare të Skënderbeut Teatrit “VOREA” dhe zonjës Luçia, punuar nga skulptori Kristaq Kapedani, në New York. Pas falënderimit publik dhe ovacioneve të publikut, zonja Luçia ftoi në skenë kryetarin e Bashkisë së Qytezës arbëreshe Frasnita, z. Angelo Catapano. Në emër të Teatrit “Vorea” dhe Bashkisë së Frasnitas, kryetari i dhuroi artistit Xhevat Limani një dekoratë dhe Çertifikatë diplomë për kontributin e madh në hapjen dhe konsolidimin e Teatrit të parë Arbëresh bashkë me zonjën Luçia Martino dhe personalitete të tjerë të rëndësishëm të jetës kulturore Arbëreshe. Pas shfaqjes, bashkë me trupën e teatrit “Vorea” shkuam në darkë në qytetin fqinj, Castrovillari.
2 prill 2018

Simpozium për Gjergj Kastrioti Skënderbeu

Pasi pimë kafenë e mëngjesit, unë dhe zonja ime shkuam në San Giorgio albanessi. Ishim të ftuar për drekë nga Mirela Palummo, një zonjë nga Shqipëria që merrej me qepje, dizajn dhe shitje të kostumeve arbëreshe.
Ishte një drekë e mrekullueshme në Shën Gjergjin arbëresh, diku mes malesh të larta, ku vetëm shqiponjat mund të ngrenë fole. Pasdite u kthyem në Frasnita. Në Bashki mbahej promemorja historike, një simpozium shkencor kushtuar figurës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Dëgjova kumtesa tejet interesante të studiuesve arbëreshë, veçmas ajo e z. Agostino Giordano që ish pak më ndryshe nga kumtesat e “shkencëtarëve” tanë që nxjerrin gjoksin para mendimeve dhe fakteve historike. Sinqerisht u emoncionova nga kjo seancë spirituale në shtjellime historike. Me insistim të zonjës Luçia, unë shkova i veshur me kostumin e heroit qepur e dizajnuar nga stilisti Fadil Sahiti, në Prishtinë. Më ulën në krye të protokolit, ashtu siç i përket një mbreti. Në fund të simpoziumit, pas një fjalë përshëndetëse, luajta një monolog të shfaqjes. Më duartrokitën gjatë, tepër gjatë. Pasdite folëm edhe me zonjën Brunilda Lato, një balerinë, koreografe dhe një shqiptare e madhe që, gjatë gjithë kohës tërë qenien e saj e vuri në shërbim të menaxhimit të turneut tonë, veçmas në Lungro dhe në Kozenca. Erdhi nga provat, duke shkëputur kohë për të na nderuar dhe, pasi harmonizuam veprimet e ardhshme, u kthye në provat e saja profesionale.
3 prill 2018

GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU në sheshin e hapur “Albania” në Frasnita.

E marta e madhe e Pashkëve ishte siguruar për shfaqjen tonë të parë.
Kjo nuk ishte vetëm shfaqja jonë e parë në Frasnita, por ishte shfaqja e parë teatrore që, për herë të pare, shfaqej tek arbëreshët. Dhe ky akt, shënon një histori që fillon me projektin e Teatri shqiptar në Amerikë “GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU” , vepër komplete e Institucionit “Xhevat Limani”.
Pasdite, pasi vendosëm skenën, foninë dhe prozhektorët, në një skenë mobile montazh, paguar nga kryetari i Bashkisë së Frasnitas, z Angelo Katapano, unë dhe zonja ime dolëm në ceremoninë e madhe tradicionale “Vallet”.
Qyteza e Frasnitës ndryshe thirret dhe katundi i valleve.
Veshur me kostumin e Skënderbeut bashkë me priftin apologjet arbëresh, z Antonio Bellushi, hapëm ritualin e valleve, që luheshin rrugëve dhe sheshit në Frasnita. Ishte një ritual, i cili luhej për fitoren e Gjergj Kastriotit ndaj Ballaban Baderës, duke kënduar e vallëzuar rrugëve të Frasnitas që, aq shumë krenohet për ruajtjen e origjinalitetit të valleve arbëreshe.
Në mbrëmje edhe pse kishte ndeshje interesante futbolli “Juventusi” e “Barcelona”, pjesa dërmuese u ndal në shesh dhe përcolli e duartrokiti shfaqjen me ovacione frenetike. Era Hoxha, në rolin e Donikës, u duartrokit disa herë në skenë të hapur për zërin e saj të bilbilit, duke kënduar tri arie të komponuara nga z Aleksandër Peçi, enkas për projektin. Era ka aftësi dhe lëvizje të përkryera vallëzimi dhe shpesh publikun e ve para dilemash artistike: është këngëtare operistike, valltare apo aktore. Ajo është sintezë e një artisteje komplete. Duartrokitjet e dëshmojnë talentin e saj artistik. Në fund të shfaqjes lot gëzimi te publiku dhe tek artistët. Ishte kjo një natë e madhe, ku ndodhi teatri i Motit të Madh.
4 prill 2018

Takimi spiritual me At Bellushin

Mëngjes i freskët dhe me diell.
Kisha takim me Antonio Bellushin në shtëpinë e tij, në bibliotekë, në ora 10:30. Shkuam komplet ekipi. Ardiani dhe Era, mezi prisnin ta takonin apologjetin e madh të Arbëreshëve, z. Antonio Bellushi. Makinat tona morën rrugicat të shënuara arbërisht, në çdo cep e kënd. Maqedonia dhe Ballkani i sëmurë le të marrë leksione nga civilizimi dhe shteti italian, veçmas, në të drejtën e përdorimit të gjuhëve. Ndaluam para flamurit dykrenor që zbukuronte rrugën,
shtëpinë dhe tërë Arbërinë. Na priti një vajzë me tepër edukatë që shërbente aty.
U ngjitëm shkallëve të gurta drejt e në bibliotekë, ku At Bellushi ligjëronte Arbërisht para ca shqiptarëve që kishin ardhur nga Zvicra. Dera e shpirthyjnorit u hap. At Bellushi, për një çast, ndali ligjërimin dhe na përshëndeti. Kishte një tufë me lule të freskëta dhe me stilin e një aristokrati të gjakut të Arbërit foli: “Këtu ka shumë zonja dhe zonjusha, por unë këtë buqetë me lule nga kopshti im dua t’ia dhuroj kryezonjës, Lule Limani, që i rri për krahu me nder dhe dinjitet artistit të madh shqiptar me famë botërore, nga Struga Ilirike, në Amerikë, të madhit Xhevat Limani që na ka ringjallur aq mjeshtërisht, shpirtërisht dhe fizikisht kryedishepullin tone, Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
Zonja ime, Lule, në emër të Teatrit shqiptar në Amerikë, i dhuroi në shenjë kujtimi e respekti z. Bellushi, Përkrenaren e Skënderbeut punuar nga skulptori elbasanas në New York, z.Kristaq Kapedani. Gjatë qëndrimit tonë dëgjuam mrekullitë e magjishme të At Bellushit, me të cilin enkas zhvilluam edhe një Intervistë brilante që është një perlë thesar i rrallë. Një gjysmë dite dialog me njeriun enciklopedi është një privilegj që nuk i përket përditshmërisë.
Çifti (Civita). Pas dite.

Çifti është i njohur tek Arbëreshët, si Kruja arbëreshe. Shtrihet mes dy malesh të thepisura që lidhen me Urën e Djallit. Qyteza mban mbi krye shkëmbenjë kreshtorë dhe ruan me fanatizēm në muzeumin karakteristik ngjyrime kombëtare arbëreshe.
Nikoqire në këtë qytet patëm zonjushëm Flavio D’Agostino, presidente e Shoqatës për ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore. Pas takimit protokolar te kryetari i Bashkisë së Çiftit, shkuam në sallën e vogël, ku ishin tubuar atdhetarë, intelektualë dhe përfaqsues të artit e kulturës. Më vonë, luajtëm disa fragmente të shfaqjes. Publiku i përmalluar na duartrokiti me shumë edukatë teatrore. Në përfundim të Programit, zonja Flavia, dekoroi aktorin Xhevat Limani, në emër të qytezës Çifti dhe të Shoqatës për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, me një diplomë çertifikatë për rolin e Gjergj Kastriotit Skënderbeu nëpër skenat botërore.



5 prill 2018

Hungra apo Lungro

U nisëm me makina nga Frasnita. Thanë se nuk është larg, por ne po kalonim lugina, brigje dhe shtigje, pa ndaluar. Kaluam shumë fshatra rrëzë malesh e nëpër kodrina. U ngjitëm majave më të larta, ku piqeshin me qiellin. Në hyrje të qytezës, ndaluam, pranë Pallatit “Vinçenc Stratigo”. E para arriti Brunilda Lato me Jeep-in e saj. Thirri dhe dy vajza tjera arbëreshe: Rosa Carbone dhe Saverino Bavasso. Së pari na vendosën. Era me Ardianin dhe fëmijët u vendosën në shtëpinë e Nicola Bavasso, një gazetar, përkthyes, atdhetar i sojit të rrallë, nën përkujdesjen e të cilit ishin botuar në dy gjuhë lirikat e poetit të madh Vinçenc Stratigo. Shtëpia gjendej pranë sheshit, ku ish vendosur busti i Gjergj Kastriotit Skënderbeu, nën katedralen e madhe me rit bizantin. Ndërsa mua dhe Lulen na vendosën tek shtëpia e parë e Hungrrës, ndërtuar në vitin 1488. Në atë shtëpi kanë jetuar familja e madhe Stratigo, mes tyre dhe poeti e revolucionari, Vinçenc Stratigo. Tani jeton vetëm trashëgimtarja e familjes, Ana Stratigo, një pianiste dhe këngëtare e shkëlqyer, një pedagoge muzike, e cila mban gjallë edhe shkollën e muzikës në katin përdhes. Muret e trasha të shtëpisë, më se një meter, dëshmojnë bëma dhe gjëma historie, lidhur me punë dhe veprimtari Arbërie. Zonja Ana Stratigo na pret më një buzëqeshje fisnike, me një arbërishte të kulluar Shqipërisht. Na flet për pikturat dhe fotot varur mureve. Kjo shtëpi është muze dhe ngërthen në vete shumë histori të gjakut të Arbërit. Pastaj zonjushat Rosa dhe Saverino me makinat e tyre nëpër rrugicat e ngushta na përkujtonin të famshmin Shumacher. Shpejt dhe rrëmbimthi, ngisnin makinat, sa, në disa caste, të ndalnin dhe frymën. Na çuan për drekë bashkë me atdhetaren fisnike Brunilda Lato.
Sofra e shtruar Arbërisht, në një restorant pranë Shtëpisë së cultures, na joshi së tepërmi. Pas drekimit, iu drejtuam skenës për të montuar dekorin, foninë dhe dritat. Ishte një sallë e bukur dhe modeste me nja 250 vende. Flamujt e principatave, u desh të varen mureve të lartë meqë nuk kish shtangenta. U shqetësova pak, në fillim, për një çast. Papritmas, në skenë u ngjitën dy kaprollet arbëreshe, Rosa dhe Saverino, që kacavireshin e ngjiteshin mureve me lehtësi dhe kënaqësi duke dëshmuar se janë arbëreshe, dhe, atë moment, seç m’u kujtua urdhëri i Napoleonit, i lindur prej Amali de Radës, nënës arbëreshe, të hiqet nga fjalori fjala: “e pamundur”. Kjo kredo dhe bindje vlen për këto dy veprimtare që, në emër të qytezës Hungra, nga kryetari i Bashkisë, ishin autorizuar të na shërbenin ne trupën e Teatrit shqiptar në Amerikë. Dhe detyrën e kryen me zell, elegancë, dashuri dhe pa u kursyer fare. Këto vajza dëshmojnë genin pasardhës të mbretëreshës Teuta, që historia shqiptare i ka shumë borxh.
Pasi ra nata në Hungra, publiku arbëresh mbushi sallën përplot, Muzika e Aleksandër Peçit paralajmëroi Prologun mes territ dhe dritës, si parakusht të ndodhë magjia teatrore. Duartrokitjet në skenë të hapur nuk pushonin. Në fund të shfaqjes, gati të gjithë, hypën në skenë për foto kujtimesh. Si në çdo shfaqje të mëparme, kishte ardhur Françesko Maria Frega-Matjani, një këngëtar i tipit homerik që zëri i tij duket se rridhte dhe shkundte dhimbje, mall e plagë Arbërie. Një burrë fisnik i veshur bukur dhe me shije. Kryetari i Bashkisë, z. Giuseppe Santoianni, na përshëndeti me gjuhë vëllazërore dhe na bëri ftesë publike që TEATRI SHQIPTAR NGA AMERIKA i ka dyert e hapura në zemrat arbëreshe. Unë falenderova kryetarin e Bashkisë, publikun artdashës aristokrat arbëresh dhe veçmas “fajtoren” e këtij akti teatror në Hungra, koreografen dhe
artisten balerinë, Brunilda Lato. Pas shfaqjes, kryetari Bashkisë na çoi për darkë. Kaluam një mbrëmje që do të mbahet mend gjatë. Tani, pas darke, kthesat gjarpërore e maloret e ashpra ma lehtësuan zemrën dhe shpirtin, pasi njoha rrënjët e mia, të gjakut tim hedhur shtat, degëve të stërgjatura të Trungut Ilir që paralajmëron pranverë dhe stinë me pemë për Motin e madh të kreshpëruar. Në mëngjes bashkë me gazetarin Nikola Bavasso dhe këngëtarin Françesko Frega bëmë disa foto çasti, pranë bustit të Skënderbeut.
Pimë dhe nga një pije në një bar pranë sheshit me shpresë dhe bindje se do shihemi sërish. Morëm udhë për në Cosenza.
6 prill 2018

Cosenza
Destinimi ynë nga Lungra ishte Seminari i Eparkisë, në Cosenza.
Pas uratës së artistes Ana Stratigo, morëm udhë teposhtëza. Duke zbritur nga rrëpirat e Lungrës në Cosenza filloi të ndjehej era e detit. Atje na priti shpirtbujaria e tij, Papas Pietro Lanza, një prift erudit, atdhetar i zjarrtë dhe arbëresh me bindje. Pasi u vendosëm në një hotel shtëpizë të bukur, odisejada jonë vazhdon duke kërkuar McDonaldsin për Xiun që e ka restoranin favorit.
Qyteti ish një bukuri e rrallë. Nga ora pesë shkuam te qendra Seminarike. Përballë rrëpirave të thepisura ngrihej pjesa e vjetër e Kozencës, e cila ngjante me Beratin. Imazhi i rrëpirave më kujtoi Këngën e Zogut te poema “Kënga e s’prasme e Balës” shkruar nga Gavril Dara. Papas Pietro Lanza dhe kryepeshkopi Vescovo Donato Oliveiro na pritën arbërisht, në oborrin kopsht të Seminarit, pranë Eparkisë. Nga ora gjashtë salla u mbush prej publikut të zgjedhur. Fytyra qytetare dhe intelektuale. Aty kishin ardhur me ftesa, të zgjedhurit e shijes frymore arbëreshe. Prezentimin e Teatrit shqiptar në Amerikë dhe jetëpërshkrimin e Gjergj Kastriotit Skënderbeu, të Artistit Xhevat Limani dhe të sopranos Era Hoxhe e bëri çifti: Papas Pietro Lanza dhe zonja e tij, Eleonora Carmen Gangale Lanza, e cila kishte përkthyer poemën dramatike në italisht. Pas prezentimit të shfaqjes, në mes duartrokitjesh frenetike, në skenë u ngjit i përlotur kryepeshkopi që, me fjalë dhe oratori të rrallë, falenderoi z. Xhevat Limani që “ na solli të gjallë figurën e atij burri të madh të Motit hyjnor, kur Arbëri respektohej mbarë Evropës. Falënderoj Xhevat Limanin nga Struga e bukur e Ilirisë që, në Amerikë, ngriti Teatrin shqiptar dhe ja, seç na pruri, si dhuratë Perëndie, Gjergj Kastriotin Skënderbeu, yllndriturin e Tokës së Arbërisë që dritëron edhe sot e kësaj dite mbi shkëlqesinë e Shqipërisë. Lutemi për shpirtmadhin Xhevat Limani që të vazhdojë misionin e tij artistik e kombëtar. Rroftë Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Institucioni “Xhevat Limani”.
Salla shpërtheu në duartrokitje frenetike. Lot gëzimi mes aktorëve dhe publikut. Atëherë, nikoqiri Papas Pietro Lanza ftoi publikun në një koktej arbëresh mes pijesh dhe ushqimesh të veçanta. Nuk mungoi as kënga arbëreshe. Këngëtarët Françesko Maria Frega, Santino de Bartolo, një këngëtar dhe kitarist zëëmbël, joshën atmosferën me magjinë tingullore. Mbrëmjen e paharruar e mbylli një këngëtar i moshuar i muzikës së lehtë, i cili këndoi për dashurinë e humbur. Ishte një baladë plot dhembje dhe mall, të cilën shpirtërisht ia dedikova gazetarit Memet Latifi që, në 4 prill, ndërroi jetë, në Strugë. Ishte udhëtar i planifikuar i kësaj turneje, por ca gjëra nuk janë nën tutelën e vullnetit tonë, në kreatyrat të lindshëm dhe të vdekshëm. Telat e kitarës ritëmkëputur na përcollën në terrin e mesnatës Kozenciane, duke shpalosur kujtime për njeriun e mire, Memet Latifi.

7 prill 2018

Udhëtimi nga Kalabria për në Sicili.

Destinacioni i radhës ishte “Hora e Arbëreshëve” ose “Piana degli Albanessi”. Pas nja 3 orë udhëtimi me makina arritëm në Vila Giovani. Nga lartësitë e brigjeve të Kalabrisë u ndalëm para detit blu. Na priste trageti që qarkulkonte çdo gjysmë ore. Blemë biletat për makinat dhe u futën në traget bashkë me qindra makina tjera. Lamë makinën në parking të anijes dhe u ngjitëm në platformë. Restoranet dhe barcafetë vëlonin nga udhëtarët e etshëm dhe të uritur nga rrugëtimet e gjata. Sirenat e rënda të tragetëve, sikur i bënin karshillëk valëve plot llahtarë të detit të shqetësuar. Përballë duket Messina, qyteti i parë që futemi në Sicili. Shkrepëm disa foto mbi katart të anijes, sa për të ruajtur kujtimet. Pasi dolëm nga trageti, filluan të dalin tunelet e pafund që lidhnin male dhe lugina bregdetit të Sicilisë deri në Palermon, kryeqytet. Rrugët e gurta, po të kishin gjuhë, do të tregonin shumë histori të rënda gjaku e krimi. Kur makina mori përpjetëzat malore, më sillej ndërmend Golgota e popullit tim të arratisur për të ndërtuar fole. Ishte Moti i Madh që mbeti një plagë e rëndë padrejtësie dhe që degdisi gjakun tim mes ferrderrishtash për të ruajtur shpirtin e Arbërit. Shteti shqiptar u ka një borxh të madh këtyre Titanëve të gjuhës arbëreshe dhe identitetit të tyre plotë dinjitet për të drejtë RIATDHESIMI.
Pasi makinat ngjitën majat e maleve mbi retë, u paraqit lugina e bukur mes shkëmbenjsh, ku shtrihej katundi Hora e arbëreshëvet-Piana degli albanessi. Na priti Alesandra Guccia, një protagonist personazh .
Pasi na vendosi në qendër të qytezës kryeqytet të arbëreshëve, siç i thonë atje, dolëm në qendrën stolisur plot flamuj me shqiponjën dykrenore dhe vizitori harron, për një cast, se ku gjendesh. Atje ish më tepër se Shqipëri. Rrugë, tabela dhe mbishkrime përveç në italisht, çdokund në vendbanimet arbëreshe ishin të shkruara edhe Arbërisht-Shqipërisht. Pas një kohe, arriti dhe kryetari i Shoqatës arbëreshe, z Giorgio Guccia. Një kryeburrë tipik arbëresh, i cili rrezaton madhështinë e bujarisë së genit shqiptar. Alessandra dhe Giorgio Guccia ishin një mendje në dy figura. Atdhetarë të kulluar që vdisnin për Shqipëri. Atë mbrëmje pushuam për ta hequr qafe lidhjen e rrugës së gjatë mbi shtatë orë me makinë.

8 prill 2018 Hora e Arbëreshëve

Në sallën e bukur të Teatrit do të luhet poema dramatike “GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU” .
Mëngjes arbëresh. Alessandro dhe Giorgio na ftuan për kafe. Zbritëm shkallareve të gurta të punuara me tepër mjeshtëri nga vetë baballarët, gjyshërit dhe stërgjyshërit e tyre. Vizituam qytezën e bukur dhe krenare të gjakimit arbëresh. Alessandro fliste një shqipe të kulluar dhe me mjaft informacione. Kish përgaditje të lartë superiore. Në pyetjen e zonjës sime, Lule ,
se ku e ka mësuar gjuhën shqipe kaq bukur, Alessandro përgjigjet me krenari: “Në Shqipēri! Kam specializuar në Tiranë. Kam qenë edhe në Kosovë. Por Struga më ka pëlqyer shumë. Ndaj dhe ju solli Perëndia që të ringjallni Skënderbeun dhe Motin e Madh tek Arbëria jonë, këtu në Hora të Arbëreshëve, ku të gjithë ëndërrojnë Shqipërisht”.
Në drekë na shoqëroi dhe Giorgio. Në restorantin e bukur na u bashkangjit edhe këngëtari i ri i grupit Arbanika , Aaroni bukurosh. Një djalosh i talentuar që këndoi për nderimin tonë një baladë për Adem Jasharin.
Pas drekës së shijshme dhe tepër të veçantë, nga ora pesë pasdite, na priste kryetari i Bashkisë, z. Rosario Petta. Kish dalë në hyrjen kryesore të Bashkisë në shenjë respekti. Një kryetar i ri me finesa të larta aristokracie. Ndjehej tepër krenar që në krye të vendit mbante flamurin shqiptar. I buzëqeshte fytyra këtij pasardhësi të denjë Skënderbegjan.
Shkrepëm disa foto dhe, në fund, na ofroi ca dhurata protokoli dhe një dekoratë për Teatrin shqiptar në Amerikë, me prijatar Xhevat Limanin. Shtrënguam duart vëllazërisht dhe foli Arbërisht: “Do të shihemi sonte në shfaqje”. Ne shkuam drejt e në skenë, të përgatitnim spektaklin teknikisht. Ishim tepër të motivuar të dëshmonim misionin tonë.
Në ndihmë kishim djaloshin Alessandro Ferrantelli, një fotograf që nami i kish shkuar deri në Romë. Na doli zot për foninë dhe dritat. Në ora 21.00 të mbrëmjes publiku kish zënë vendet në sallën që frymonte arbërisht. Një përshëndetje për Teatrin shqiptar në Amerikë bëri atdhetari fjalëzjarrtë dhe intelektuali Alessandro Guccia. Foli me shumë pasion duke ftuar publikun të përcjell aktin misionar dhe historik të TEATRIT SHQIPTAR NË AMERIKË. Salla ushtoi nga duartrokitjet. Ra terri për t’u ndezur dritë gjakimi mbi stemën krutane shoqëruar dhembshëm me muzikën e Aleksandër Peçit. Filluan duartrokitjet që ishin të shpeshta, gati deri në fund të shfaqjes. Në mbarim të shfaqjes publiku u ngrit në këmbë dhe skandonte me ulurima katarzike: “Rroftë Skanderbegu! Rroftë Xhevat Limani! Rroftë Arbëria!Rroftë Shqipëria!” Dhe kjo përshëndetje e paparë zgjati 17 minuta, pa ndalur. Përlotje reciproke. Pastaj u ngjit në skenë Presidenti i Shoqatës Turistike, Giorgio Guccia dhe ftoi në skenë kryetarin e Bashkisë, Rosario Peta.
Kryetari shprehu falënderim dhe mirënjohje të thellë për Teatrin shqiptar në Amerikë dhe veçmas për themeluesin, Aktorin, regjisorin, dramaturgun, luftëtarin e denjë të ëndërrimit Shqipërisht, artistin me famë botërore, që na solli të gjallë heroin tonë, GJERGJ KASTRIOTIN SKËNDERBEU… “Z.Xhevat Limani, -për të cilin, mes tjerash shtoi se ai, - përveç se është një artist i madh, i cili na ngjethi mishtë, ai për ne mbetet simboli më domethënës i një misionari dhe vizionari, jo vetëm artistik, por edhe mbarëkombëtar. Njerëzit e rrallë dhe mendjendritur si Xhevat Limani janë thesar unikal kombëtar që dritëron shpirtin e kombit tonë përtej të tanishmes. Ne, si arbëreshë, i urojmë shëndet dhe shpresojmë të na vini prapë. Hora e arbëreshëvet i ka portat dhe zemrat hapur gjithmonë për artistë dhe burra të mëdhenjë si Xhevat Limani! Më lejoni që të përshëndes Donikën në Interpretim të sopranos Era Hoxha , vajzës së Xhevat Limanit dhe veçmas zonjën e tij, Lule Limani, drejtuese e Teatrit shqiptar në Amerikë. Uroj këtë familje artistike që të vazhdojë misionin artistik dhe historik me poemën dramatike “GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU”, kudo nëpër botë, ku frymohet Shqipërisht. Ju faleminderit! Ju duam shumë dhe për shumë mote!”
Publiku shpërtheu përsëri me duartrokitje. Bëmë dhe foto, pothuajse, me tërë publikun e shkëlqyer. Ishte ky një akt i papërsëritshëm teatror që do lërë gjurmë historike në jetën kulturore arbëreshe dhe më gjerë.
9 prill 2018

Nisja për në San Giorgio Albanesi.

Pasi pimë kafenë e mëngjesit me Giorgion dhe Alesandron dhe shkova në shkollën fillore “SKENDERBEU “, ku isha i ftuar. Enkas për nxënësit arbëreshë mbajta një ligjëratë mbi personalitetin e kryeheroit kombëtar. Në fund i përshëndeta më një monolog nga shfaqja. Nxënësit qanin nga gëzimi që takuan Skënderbeun. Surpriza ishe se dy nxënës luajtën enkas për mua një fragment nga shfaqja e tyre shkollore, një dialog me Donikës dhe Skënderbeut. I duartrokitëm bashkë me mësueset e tyre dhe drejtoreshën. U ndamë me dinjitet dhe dashuri vëllazërore. Ishte koha dhe u desh të marrim udhë për në Shën Gjergj të Kalabrisë, ku shfaqja fillon në ora 21.00 të mbrëmjes. Dhuratat që na dha Presidenti i shoqatës, Giorgio Guccia, ishin aq shumë, sa s’kish vend as makina. U përshëndetëm Arbërisht me Giorgion dhe Alesandrin, dy burra model të atdhetarizmës arbëreshe.
Morëm udhë bregdetin e Sicilisë nga Palermoja drejt e në Mesina. Atje u futëm përsëri në target, derisa dolëm në breg të Kalabrisë. Tani, në kthim, deti ishte më i trazuar. Në ora 8.00 të mbrëmjes, arritëm në Shën Gjergj, ku na priti nikoqirja, Mirela Palummo, bashkë me kryetarin e fshatit. U vendosëm disi shpejtazi dhe u hodhëm menjëherë në veprimet rutinë për të ndrequr skenën. Krijuam kushte dhe atmosferë skenike për publikun e etshëm për këtë ngjarje të rrallë në fshatin e tyre, mes maja malesh kreshpane.
Nga Shën Demetrio i Koronës kish ardhur shkrimtari dhe këngëtar Pino Kakoça. Po ashtu kishin ardhur edhe disa profesorë Universiteti, nga Kozenca dhe Maki i De Radës. Pas shfaqjes, bëmë foto kujtimesh dhe mbresat i vazhduam në restorantin, në periferi të fshatit, me personalitetet dhe miqtë teatrorë të vendit dhe ata që kishin bërë goxha rrugë për ta përjetuar ngjarjen teatrore “GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU”. Ishte një darkë e paharruar mes zemrash dhe mendjesh që frymonin dhe gufonin Arbërisht.
Atë natë bëmë një gjumë të mirë.
Shfaqja e radhës do të luhet në Stuttgart të Gjermanisë.
10-11- gusht

Nga San Giorgio në Bolonjë

Pasi pimë kafenë e mëngjesit Mirela
na përcolli deri në autostradë që merrte për Bari, ku do ta lenim kameramanin për fluturim në Tiranë. Pas nja tri orë rrugë, arritëm në aeroportin e Barit. Hëngrëm një drekë pranë detit me zonjën time dhe kameramanin, i cili insistoi të mbetet anonim. U përshëndetëm me xhiruesin në Aeroport dhe morëm autostradën Adriatica drejt Fogios dhe Peskarës. Rrugët e mira, bukuritë perla të bregdetit si dhe koha e bukur që paralajmëronte pranverën ishin parakushte garante për udhëtim të veçantë. Natën vonë, arritëm në Bolonjë. U vendosëm në një hotel klasik “ Blue man”, me stil dhe shije arkitekture. Bëmë gjumë të qetë, ndoshta nga udhëtimi i gjatë mbi 10 orë, me Jeepin rent a car të companisë “ Gold car”. Pas shëtitjes që i bëmë Bolonjës dhe drekës shoqëruar me shi, morëm drejtimin e Milanos prej ku vazhduam për Chiasso, zonën kufitare me Zvicrën. Kaluam pa ndalesë kufirin. Pasaporta amerikane mes tjerash e ka edhe këtë privilegj. Çamë gryka e tunele plot dritë, veçmas ai i Gotardit, si më i gjati. Kaluam Luganon e bukur dhe më solli ndërmend Aleksandër Mojsiun, atë vigan të skenave botërore teatrore. Nga Belinzona kaluam në Luzernin e bukur, ku banon shoku im, Agim Sylejmani, i cili këto ditë gjendet për vizitë pune në SHBA, në shoqërim të gazetarit hulumtues, Qazim Doda. Kafenë e planifikuar me Agimin e shtyj tutje për ndonjë rast tjetër. Kalova alpet zvicerane të mbushura plot shpatije të ashpra, lugina piktoreske dhe rrëpira që të fusin tmerr e llahtari. U lëshuam ngadalë rrafshnaltës së Zurichut me destinim për në qytezën Ëintertur, ku jetojnë dy vëllezërit e mi, Feriti dhe Lumani, me nipër e mbesa dhe me fëmijët e tyre, gati një çetë kalorsiake. Ata erdhën të gjithë tek Lumani. Më nderojnë dhe ndjehen krenarë me mua, xhaxhain e tyre Xhevat Limani.
Edhe unë i dua dhe kam respekt veçmas për dinjitetin e tyre. Bardhos, Urimit, Nderimit, Bosfortit, Milit dhe Luarasit nuk mund t’ua hajë qeni Shkopin. Dinë t’i dalin Zot vetes. Pas darke vazhdova për Stuttgart në Gjermani. Arrita pas mesnate dhe u vendosa në një hotel, në periferi të qytetit. Të nesërmen kontaktova kryenikoqirin Jahja Gashi dhe zonjën e tij, Nora Gashi-Abedini. Ishte data 13 prill, një ditë para shfaqjes. Zonja Nora na dërgoi adresën e hotelit në qytezën Göppingen. Pas gjysmë ore nga Stuttgarti arritëm para hotelit “Art Ana Momentum”. Ishte në qendër të qytezës dhe tepër i bukur. Ushqimet bio preferencë kishte hoteli. Në mbrëmje erdhi Nora dhe Joshi, nofka karakteristike e të shoqit. Një burrë me edukatë aristokratike, i shkolluar në Gjermani dhe i ngritur intelektualisht dhe kombëtarisht. Gjatë darkës, po shkëlqente nga gëzimi se biletat ishin shitur nja tri ditë më parë. Kishin bërë një punë të shkëlqyer, veçmas me bashkimin e tërë shoqatave, pranë projektit teatror “GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU” . Ky ishte një kryehap, do të thoshte Bertold Breht, që mbështet idenë hyjnore të bashkimit shqiptar. Dhe veçmas qasja institucionale dhe integruese me faktin që shfaqjen e kishin inkuadruar në skedën kulturore të qytetit të Stuttgartit, me ç’rast madhërohej kremtimi i 550 vjetorit të vdekjes së kryeheroit kombëtar. Atë pasdite mora Erën nga aeroporti, e cila fluturonte nga Prishtina, ndërsa Ardiani erdhi nga Stambolli, ku kish mbajtur një prezentim dinjitoz në emër të Kosovës.
Pas darkës miqësore, shkuam në hotel. Bëmë gjumë të qetë, para të nesermes furtunë. U zgjuam pak më herët se zakonisht, ndoshta si akt përgjegjësie. Pas dreke shkuam në Liederhalle, qendrën kulturore të Stuttgartit. Shfaqja do të luhej në “Shiller teatër” me 321 ulëse, me park dritash dhe pajisje fonike. Krijuam skenën për aktin e shumëpritur teatror. Drejtoresha Lule, para se publiku të zërë vendet e ngazëlloi publikun e zgjedhur teatror me një pikë muzikore të Enio Moricones.
Kur u fikën dritat në sallë, muzika shkrepi qetë një dritë gjaku mbi stemën e principatës së Krujës. Duartrokitje e publikut të zgjedhur, sa vinin dhe po shtoheshin, si ato valët e detit dhe oqeanit për të dëshmuar dashurinë dhe respektin ndaj Skënderbeut dhe Atdheut. Ky ishte akti im hyjnor i risjelljes në vend dhe kohë të duhur dramën dhe Porosinë e madhe kombëtare: “Një komb-një shtet-një gjuhë dhe një flamur” që Shqipëria të mos shembet kurrë. Në fund të shfaqjes, publiku u ngrit në këmbë dhe s’ndalej me duartrokitjet frenetike. Ndërhyrja ime me shenjim dhe edukatë artistike, për një cast, frenoi aktin e nderimit sublim si shpërblimin më të madh për artistët. Falënderova parafolësin, Xhaferr Leci, prezentuesin e zgjedhur nga të gjitha shoqatat, i cili foli fjalë respekti, mirënjohje dhe falenderimi për misionin artistik dhe historik të TEATRIT SHQIPTAR NË AMERIKË. Si e kërkon edukata artistike, falënderova shpirtërisht publikun e zgjedhur, intelektualët, veprimtarët, mësuesit, nxënësit e shkollave shqipe, studentët si dhe përfaqësuesit e diplomacisë të Shqipërisë dhe Kosovës: Konsullin general të Shqipërisë në Gjermani, z. Arten Hanku, konsullin e Republikës së Kosovës, z. Besnik Miftaraj, konsullin tjetër, z Kashtanjeva me zonjat dhe stafet e tyre. Pastaj vazhdova përshëndetjen me znj.Shyhret Kastrati, drejtore e departamentit për qendrat kulturore në Diasporë, pranë Ministrisë së Diasporës në Qeverinë e Kosovës, znj. Shqipe Bytyqi Kajtazi, sekretare e emigracionit në Saint Gallen në Zvicër, poeteshën Miradije Maliqi, Gazetaren Angelina Fischer, z.Bajram Mulaj, këshilltar i kryeministrit dhe personalitete tjerë shqiptare dhe gjermane.
Dhe së fundmi, falënderim publik për “fajtorin” e parë që insistoi dhe realizoi qëllimin madhor që projekti të shfaqet në Stuttgart ishte, pikërisht, Intelektuali dhe atdhetari shpirthyjnor, z Jahja Gashi- Joshi dhe zonja e tij, Nora Gashi Abedini, duke përfshirë dhe tri vajzat engjëj të zgjuara dhe më plotë edukatë. Respekte dhe mirënjohje për të gjithë artdashësit që kësaj turneje artistike i dhanë vulën historike.
Nata e 14 prill 2018, në Stuttgart të Gjermanisë, do të jetë një kurorëzim i odisejadës të Teatri shqiptar në Amerikë në hulumtimin, eksplorimin, prezentimin dhe verifikimin e vlerave, kritereve, shijes dhe kodit artistik të Teatrit shqiptar nëpër botë.
Respekte, falenderime, mirënjohje dhe shpresë për vazhdimësi drejt Harkut të Triumfit.
Ju dua shumë!

Shqipërisht, Xhevat Limani
Mbrapsht në krye Shko poshtë
http://kristaniada.tripod.com  http://pegasialwriters.tripod.com
 
“TEATRI SHQIPTAR NË AMERIKË ..." NGA XHEVAT LIMANI
Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Bashkimi Kombëtar :: Arti dhe kultura :: Gjuha dhe Letërsia Shqiptare-
Kërce tek: