Kristaq F. Shabani Miqte e Forumit
Numri i postimeve : 11718 Age : 65 Vendi : Gjirokaster, Albania Profesioni/Hobi : Poetry Registration date : 04/07/2008
| Titulli: "Pylli i të çmendurve" skicim nga Ylli Ajdini ,"Pegasi" Thu Mar 27, 2014 3:20 pm | |
| "Pylli i të çmendurve"
nga Ylli Ajdini
Kur u nisa nga shtëpia, ishte akoma herët. Kur mbërrita në pyll, nuk kishte shënja errësire. Dielli ndërkohë e kishte larguar vesën e mëngjesit nga livadhet dhe luginat. Unë u lodha shpejt. Ndërsa shoku im zinte pritë pas prite, në pritje të gjahut, unë u shtriva anë një ledhi, ku gurgullonte uji i një burimi. Sidoqoftë gjumi më zuri menjëherë…Isha mbledhur, thuajse, sa një grusht në rrëzë të një shkurreje duke qëndruar i palëvizur. Nga thellësitë po më vinin oshëtima ulërimash. I tensionuar, po prisja duke qëndruar në heshtje, asgjënë. Fytyra e zëra jo njerëzorë po më vinin gjithashtu rrotull, duke më prishur imazhin që kisha krijuar për realitetin. Megjithkëtë nuk isha i ndërgjegjshëm të besoja se, ankthi që ndjeja, po më vinte prej mos njohjes, apo prej frikës! Gjithçka ishte si unë. Në vazhdim sytë më panë një ari, as të zi e as të murmë, por ashtu, shumëngjyrësh. Ai desh të më qëllonte me një boçe pishe. Të më qëllonte deshte edhe një majmun. Ai qeshte me mua. Po për çudi edhe unë qesha brenda vetes. Në këtë pyll ka edhe kafshë të tjera. Imitimet e një papagalli më përcollën panoramën dhe larminë e tingujve të atyre qenieve të egra. I vëmendshëm ndjeva afrimin e një kopeje ujqërish. Ulërimat e largëta të tyre i mora si sinjale alarmi, të cilat ma shtuan edhe më shumë nga ç’mundej ankthin, por dhe kureshtjen. Pranë meje, syzjarrtë dhe dhëmbmprehtë ishin në situatë sulmi. Por, duke u parë sy ndër sy, për fat të mire, sikur vendosëm një farë mirëkuptimi. Kjo më leverdiste mua, sepse ata s`kanë arsye të tremben nga unë. ”Këto açilunacione, -mendova,-janë sfidat e kureshtjes”. Ndërkohë, nuk u dhashë shumë kohë gjykimeve, sepse mu pranë meje shquajta një kafshë që shfrynte e shqyente e vetkënaqur nga pavetëdija, tre këlyshët e vet. Ndërsa përtypte të parin, të tjerët pa ditur për fatin, loznin e përkëdheleshin ende me të ëmën. Pak më vonë ata nuk i pashë më. Shikimin ma errësoi, ndërkaq dhimbja. Para syve të zgurdulluar e të mjegulluar nuk munda të dalloja dot llojin e kafshës, e cila ishte përlyer me gjakun e trupit të vet. Thashë në heshtje të plotë në gjuhën time, (për t’i shpëtuar kësisoj edhe ndonjë fati të lig): “O Zot i madh,ç`makabritete kafshësh!” Trupi m’u flakërit e duart m’u ngurtësuan prej keqardhjes dhe dhembshurisë, prej revoltës, por dhe prej hakmarrjes. Bota m’u përmbys vrullshëm. Nuk më vjen mirë ta them: u lebetita. Sidoqoftë kishte filluar stina e gjuetisë. Por në këto anët tona gjithmonë është stinë gjuetie. Ishte fillimi i pranverës, dhe majat e pemëve u lëkundën, si udhëtarët në bordin e një anieje prej erërave që sjell zakonisht vetëm perëndimi. Ndërkohë dëgjova hapa të çrregullt, por nuk u tremba. Çasti ishte të reagoja. ’’Do t’i vras,” -vendosa. ”Pusho, -thashë pasi e peshova mirë mendimin, -mos u ndje!” Dhe nuk bëra asgjë, ngaqë egërsirat nuk do ta merrnin për mirë veprimin tim. Dhe duke iu bindur rrethanave u bëra për një çast i vdekshëm. Siç isha, kështu i vdekur mora guximin, t’i them vetes: “Po sikur ajo, kafsha,të ketë mendjen time dhe unë njeriu sytë e saj?” Nga thellësia e tokës më thanë të mos mërzitem në lidhje me këtë, se përsëri reagimi do të ishte midis moralit dhe nevojës, ndoshta dhe jashtë moralit, por ama patjetër do të jetë brenda nevojës së instikteve. Domethënë kështu do të jetë ngahera?! E po mirë atëherë…Ja që fundja s`kam të drejtë të gjykoj shqyesin që kam përpara. Tek e fundit, në këtë rast kjo nuk përbën dhe ndonjë krim!” “Sidoqoftë,- thashë në heshtje, sepse vetëm në heshtje kam të drejtë të flas, -vet nuk do ta bëja kurrë një marrëzi si kjo”. Këto pyetje midis kotësisë dhe dëshirave me të vërtet i bëja unë , por ato ishin jashtë mendjes sime, sepse unë kam, në këtë rast, nga kafsha vetëm sytë. Por aty për aty u mendova: ”Pa prit një herë! Mirë unë, por çfarë mendon kafsha që ka në mendje mendjen time!? Nuk po gjeja në këto rrethana asnjë zgjidhje për të qenë që të më jepte shpresë, për të dale, pa u lagur nga ky iluzion. Mendova të ikja me vrap po më dukej pa kuptim një marrëzi e këtillë. Kisha mësuar se, nuk duhet harruar, në asnjë rrethanë, se rruga e vetme s`ishte të vrapoja, por të ndeshesha. Por i vetëm gjykova se nuk do të mund ta bëja dot. Ja përse do të ishte më mirë të kërkoja ndihmë. Dhe kësaj radhe bërtita i gëzuar: “Ndihmë…ndihmë!…”. Heshtje.Po heshtja më topiti më shumë. Sidoqoftë, për të qetësuar disi veten, bëra shpejt e shpejt një përmbledhje të fakteve: Mjafton të shpërbësh në një moment unitetin, nëpërmjet kufizimit të ekzistencës dhe atëherë do të shohësh kalbësinë që e mban në këmbë dashurinë. Papritur ndjeva se u tremba…Ndërsa ëndrrën ma prishi e lehura e një zagari dhe sidomos krisma e një pushke gjahu; arsyen ma qetësoi jo pritshmëria e një reagimi njerëzor, por të qenurit normale në këtë pyll e një kasapane të tillë. Pasi u bëra plotësisht i vetëdijshëm, kuptova pse u tremba. - Ikim, -munda ti them me një zë të mekur shokut. Dolëm nga pylli, po nuk dija kë të pështyja. Sidoqoftë problemet e prekëshme, por dhe ëndrrat vetëm si ëndrra, nuk lindin në hapësira boshe, ndaj pështyva para këmbëve të mi, mesa munda me nervozizëm dhe pa mëdyshje, mbi epideminë e antivlerave njerëzore. E ndërsa normaliteti i kësaj xhungle më zgjoi përfundimisht nga moskuptimet, përsëri edhe i zgjuar, ndjeva se trupi dhe, sidomos shpirti, po më dridheshin prej një paaftësie, mëshire e durimi ende të pakuptimtë. Kur hymë në një livadh, aroma e dritës së diellit e përzier me madhështinë e bukurisë së luledeleve, tërfilit dhe petaleve të sapoçela të kumbullave, më ngopën mushkëritë me shpresë. Duke ecur, ende midis ëndrrës dhe realitetit, arrita të dalloja se përsëri i pari çante rrugën zagari dhe, pas tij, vinte gjahtari dhe pas atij njeriu me çifte, si për inat të vetes sime, vazhdoja të ecja unë.
| |
|