Mexhid Yvejsi Anëtar
Numri i postimeve : 429 Age : 74 Vendi : Gjakovë, Kosovë Registration date : 04/05/2009
| Titulli: DY LIBRA NGA MEXHID YVEJSI Sat Jan 25, 2014 10:17 pm | |
| Dy libra nga shkrimtari Mexhid Yvejsi
Kohë më parë, saktësisht në përmbyllje të vitit 2013 si dhe në fillim të vitit 2014 dolën në dritë dy libra të ri të poetit, shkrimtarit, publicistit, hulumtuesit, përkthyesit dhe studiuesit Mexhid Yvejsit nga Gjakova. Shkrimtari Mexhid Yvejsi me krijimtari filloi të merret qysh në moshën rinore dhe vazhdon akoma, madje edhe më me vrull tani në moshën e pjekur apo në fillimin e pleqërisë së tij. Krijimtaria e tij përfshin një periudhë 50 vjeçare, apo plot gjysmë shekulli, gjatë së cilës ka shkruar mbi 1500 punime të ndryshme të llojeve të ndryshme. Shkruan poezi, prozë, tregime, shkrime publicistike, hulumtime, studime, monografi, punime shkencore, studime fetare... Lirisht mund të thuhet se shkrimet e tij janë publikuar në të gjitha trojet shqiptare si dhe në diasporën shqiptare. Përveç krijimtarisë letrare merret edhe me përkthime, ashtu që nga gjuha angleze ka përkthyer poezi, libra, shkrime, publicistikë etj. Gjer tani ka shkruar 25 libra të profileve të ndryshme letrare, nga të cilat i ka botuar gjer tani 15 libra, e disa prej tyre janë ribotuar edhe për herë të dytë dhe të tretë. Prej shkrimeve dhe poezive të shumta disa i janë përkthyer në gjuhë të ndryshme sikurse në gjuhën angleze, boshnjake, turke, arabe dhe perse. Shkurt e shqip, plot gjysmë shekulli me laps në dorë ishte fillimi, pastaj me makinë me shkrimi, e tani me llaptop në dorë, Mexhid Yvejsi vetëm shkruan, shkruan e shkruan ditë e natë, sado pak për të udhëzuar, për të frymëzuar popullin e vet shqiptar, nga gjiri i të cilit lindi dhe i takon me shpirt, me vepër, me guxim, me njohuri, me dituri, me krijimtari. Libri i tij i botuar në përmbyllje të vitit 2013 ka titullin : ” 101 Personalitete (Fetare, atdhetare, kulturore, letrare)” ku janë përfshirë 101 personalitete shqiptare nga të gjitha trojet shqiptare si dhe nga diaspora shqiptare, të cilët me veprimtarinë e tyre kanë lënë gjurmë të veçantë dhe me këtë libër autori Mexhid Yvejsi i bën ata të mbeten përherë të shënuar dhe kurrë të harruar në historinë e popullit shqiptar. Libri fillon me fjalën hyrëse në të cilin autori përveç tjerash shkruan:”Hulumtimet shkencore kanë vërtetuar zanafillën e përbashkët të të gjitha qytetërimeve, të cilët gjatë shekujve janë çapitur në mënyra e trajta nga më të ndryshmet. Ky pohim mund të qëndrojë në themel të konceptit të ekzistencës së një bashkësi njerëzore të vetme, ndërsa kapërcimi i kufijve në hapësirë dhe në kohë nga ana e kombeve dhe e sistemeve ekonomike, çon drejt globalizmit kulturor. Një sërë zhvillimesh të sotme sjellin argumente në mbështetje të idesë në themel të procesit të globalizmit qëndron pikërisht kultura”. Më tutje autori në parathënie të librit jep disa të dhëna tejet interesante për kulturën, religjionin, Islamin ndër shqiptarët, Islamin në Evropë, Ulematë shqiptar etj. Pas kësaj vjen përmbajtja e librit, monografia e 101 personaliteteve të shquara shqiptare, për të cilët autori shkruan. Karakteristika e veçantë e kësaj monografie të 101 personalitete të përfshira dhe të zgjedhura nga autori është në atë se disa prej këtyre personaliteteve autori i ka njohur për së afërmi, duke pas rast të bisedojë dhe të kuvendojë me ta, me ç’rast edhe shkrimet që i ka bërë për disa personalitete, janë të dorës së parë, dhe të shkruara në mënyrë origjinale nga vet kujtimet dhe bisedat me ta. Këtu edhe qëndron veçoria e këtij libri, që e bën edhe më interesant për lexuesit shqiptar. Nga 101 personalitete të shënuar në libër do të përmend disa nga 101 personalitete të paraqitura në monografi nga të gjitha trojet shqiptare si dhe nga diaspora shqiptare me të cilët ka pas rast autori të takohet, të bisedoj dhe të kuvendojë me ta: hafiz Ymer Guta, myderiz Hasan Dashi, myderiz Sali Myftia, imam Beqir Maloki, baba Qazim Bakalli, agronom Ago Agaj, myderiz Tahir Thaçi, hafiz Bajram Agani, baba Rexhep Beqiri, hafiz Tahir Kolgjini, hafiz Fahri Ilijazi, inxhiner Xhafer Deva, myderriz Hasan Nahi, dr.Rexhep Krasniqi, mulla Sadri Prestreshi, imam Isa Hoxha, haxhi Hasan Vuçitërna, imam Vehbi Ismaili, hafiz Safet Basha, mulla Sherif Ahmeti, hafiz Sabri Koqi, dr. Faik Luli, mr. Hamdi Thaçi, inxh. Idriz Vuçitërna, mr. Hajdar Salihu, prof.Jashar Salihu, mulla Jakup Hasipi, sheh Zejnel Abidini. Kurse, disa personalite tjerë të cilët i ka përfshirë në këtë monografi, nga të cilët do të veçoja disa si p.sh. janë : Muhamed Kyqyku, Hasan Tahsini, Ymer Prizreni, Haxhi Zeka, Naim Frashëri, Sami Frashëri, Rexhep Voka, Ali Riza Ulqinaku, Rrystem Shporta, Vehbi Dibra, Ymer Lutfi Paqarizi, Musa Shehu, Mehmet Akif Ersoj, Hafiz Ali Korça, Hoxha Kadri Prishtina, Hafiz Ibrahim Fehmiu,Mulla Idriz Gjilani, Dr. Hasan Kaleshi, etj. Libri i dytë i tij i botuar në fillim të vitit 2014 është me titull” Rrënjët Tona (Monografi) (një familje me pesë mbiemra)”, ku autori Mexhid Yvejsi paraqet një monografi të shkurtët të familjes së tij. Një karakteristikë e veçantë që e bën librin interesant për lexuesit, është se si një familje e njëjtë nga trungu, veçohet me pesë mbiemra të ndryshme që kanë momentalisht, e i përkasin të të njëjtës familje. Në fjalën hyrëse të tij Mexhid Yvejsi shkruan përveç tjerash: ” Monografia në të shumtën e rasteve është një ese shkencore, përshkrim i gjatë i shkruar në formën e një libri apo ditari. Ajo është një përkufizim i një dokumenti të vetëm që formon një tekst të plot në vetvete”. Në parathënie autori Mexhid Yvejsi jep disa shënime tejet interesante për historinë e mbiemrave, mbiemrat tek shqiptarët, mbiemrat në Gjakovë, përkufizime për familjen dhe përkufizimin e saj sipas sociologëve, antropologëve, familjen në Islam, kuptimin e pesë mbiemrave të një familje, për trungun e familjes së tij me pesë mbiemra, familja Efendia,Murtezai, Ilijasi, Thaçi dhe Yvejsi. Përmbajtja e librit përshin personalitetet dhe portretet e familjes me pesë mbiemra, nga të cilat do të veçoja në këtë shkrim disa sosh si p.sh.: hafiz Yvejs Efendija, hafiz Ismail Efendija, hafiz Iljaz Efendija, dr. Talat Efendija, dr. Ekrem Myrtezai, hafiz Fahri Iljazi, dr. Ali Iljazi, myderriz Tahir Thaçi, mr. Hamdi Thaçi, hafiz Selim Yvejsi dhe vet autorin Mexhid Yvejsi. Nga një familje me pesë mbiemra do të theksoja edhe personalitete të cilët kanë lënë gjurmë në krijimtari të llojeve të ndryshme, që janë: dr. Talat Efendija, Masar Myrtezai, dr. Ekrem Myrtezai, dr. Ali Iljazi, mr. Hamdi Thaçi dhe Mexhid Yvejsi.
Librat e botuara të shkrimtarit Mexhid Yvejsi janë:
1. “Prej errësirës në dritë”, Shkup, 1997, 2. “Në shërbim të Zotit, të popullit” Gjakovë, 1998, 3. “Lavdi Zotit, Kosova do të jetojë”, Prizren, 1999, 4. “Pse nuk duhet të kremtohet 2000 vjetori”, Gjakovë, 2000, 5. “Ilaçi i lumturisë”, Gjakovë, 2000, 6. “Për Fe e Atdhe”, Gjakovë, 2001, 7. “Kështjellat e gjakut tonë”, Gjakovë, 2002, 8. “Ylematë e Gjakovës, Mburoja e Kosovës”, Gjakovë, 2003, 9. “Rrëfime të vërteta”, Prishtinë, 2004 10. “99 emrat e bukur të Allahut”, Gjakovë, 2010, 11. “Prejardhja e festave”, Gjakovë, 2011, 12. “Në dritë të njohjes”, Gjakovë, 2012, 13. “Hafizët e Gjakovës, krenaria e Kosovës”, Gjakovë, 2013, 14. “101 personalitete” Prishtinë, 2013, 15. “Rrënjët tona”, Gjakovë, 2014.
Dhashtë Zoti që shkrimtari Mexhid Yvejsi të ketë shëndet dhe jetë, dhe të vazhdojë me shkrimin dhe botimin e librave të tjerë, së paku një në vit!
Faik MIFTARI Prizren, 25 .01. 2014
| |
|